Cuditem qe flasin kaq vone, duhet te shkruajn libra per jeten e tyre, pasi jane fakte te pamohueshme historike dhe hedhin drite per nje periudhe ku komunistet shkruajten dhe sajuan c'ju donte qejfi.
dardajan
Si u ekzekutua vrasësi i Bules dhe Persefonit.
Nivica: Vrasësin e heroinave e ekzekutuam në oborr
“Unë, si komandant i Rinisë Balliste të Qarkut të Gjirokastrës, në vitin 1944 mblodha shtabin dhe urdhërova që Xhaferr Bej Leskoviku, i cili deri atë ditë ishte përfaqësuesi shqiptar pranë komandës gjermane të qarkut, të dënohej me vdekje.
Ekzekutimi i tij do të bëhej po atë ditë. Këtë vendim ma miratoi menjëherë Shtabi i Rinisë dhe pas kësaj nxituam për të bërë ekzekutimin e bashkëpunëtorit të nazizmit”. Kjo është dëshmia që sjell për herë të parë për mbarë opinionin, Ahmet Nivica, njëri nga veteranët më të vjetër të Ballit Kombëtar, në të cilin ka aderuar aktivisht që në themelimin e tij, në vitin 1942. E ndërsa 82-vjeçari Nivica vazhdon rrëfimin e tij në lidhje me të veçantat e panjohura që lidhen me partinë e përbaltur dhe të përdhosur për 50 vjet nga shtetarët komunist, befasohesh nga deklaratat dhe faktet e tij për shumë detaje dhe ngjarje të historisë së luftës. Njëra ngjarje është edhe ajo e ekzekutimit të Xhaferr Leskovikut, i cili siç dihet, ka qenë organizatori dhe bashkautori i ekzekutimit me varje të heroinave të Gjirokastrës, Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima. Për herë të parë mësohet se Ahmet Nivica, i cili në atë kohë drejtonte Rininë Balliste të Qarkut të Gjirokastrës, jo vetëm ka urdhëruar vrasjen e ekzekutorit të heroinave, por mbi trupin e tij është lënë edhe një letër po me nënshkrimin e Nivicës që sot gjendet në arkivat e shtetit. Letra ra në duart e komunistëve në momentet kur u largua ushtria gjermane, arkivat e së cilës u sekuestruan nga këta të fundit. Por si ka ndodhur në të vërtetë ajo ngjarje e çuditshme dhe pse pikërisht, hakmarrjen e vajzave komuniste të ekzekutuara barbarisht në mes të Gjirokastrës, e ka marrë Balli Kombëtar. Çfarë ndodhi pas ekzekutimit të Xhaferr Beut nga të dërguarit e Ahmet Nivicës dhe pse gjermanët në atë moment kanë arrestuar vet komandantin e Ballit Kombëtar të atij qarku, Ismail Golemin, të cilin vendosën ta dërgonin në internim?
Zoti Nivica do të doja të dija hollësitë se si ndodhi ngjarja e vrasjes së Xhaferr Leskovikut?
Ishte koha kur unë sapo isha emëruar nga komanda e qarkorit të Ballit Kombëtar, komandant i Rinisë Nacionaliste në atë qarkor. Forcat e kësaj organizate ishin të vendosura në Kalanë e Gjirokastrës. Deri në atë kohë kisha qenë komandant i kësaj Rinie në zonën e Delvinës. E ndërsa kryenim detyrat tona si forcë e organizuar, një ditë na vjen në kala, Xhaferr Leskoviku, i cili shoqërohej dhe nga dy oficerë gjermanë. Ai, siç ta thashë, edhe pak më parë ishte përfaqësuesi shqiptar pranë komandës gjermane të Qarkut të Gjirokastrës dhe kishte shumë influencë brenda saj. Ju duhet ta keni parë personazhin e tij edhe te filmi që flitet për varjen e vajzave te rrapi në Gjirokastër, veçse te filmi gënjejnë për mënyrën e ekzekutimit të tij.
Përse erdhi?
Ai kërkoi komandantin e atyre forcave duke përmendur saktësisht emrin tim. Unë e prita menjëherë dhe si bëmë përshëndetjet e rastit mora pozicion për ta dëgjuar. Më pas ai nisi të shprehet: “Urat e rrugës nacionale nga Greqia dhe deri në Tepelenë janë të rrezikuara. Kjo jo vetëm për faktin se ato mund të dëmtohen fizikisht nga partizanët për të penguar ardhjen e forcave të reja nga Greqia, por edhe se mbi to mund të kalojnë forca komuniste për të siguruar krahëmarrje kundër gjermanëve. Për këtë gjë nga komanda gjermane është menduar të veprohet në këtë mënyrë; forcat tuaja të rinisë balliste duhet menjëherë të organizojnë shërbim 24 orësh dhe në bashkëveprim me ushtarët gjermanë të bëhet ruajtja e urave. Pra, në ndihmë të forcave gjermane, të cilat i kanë marrë në ruajtje ato ura, duhet të shkojnë edhe njerëz nga formacionet tuaja”.
E pranuat ju këtë propozim?
Jo që nuk e pranova, por e kundërshtova me forcë. I thashë se ne si forca të Ballit Kombëtar, nuk kishim ndonjë marrëveshje që të bashkëpunonim me forcat gjermane. Ne e njohim autoritetin e ushtrisë gjermane dhe e dimë që në vendin tonë ata janë ushtri kalimtare. Për këtë ne kemi sovranitetin dhe autoritetin tonë dhe nuk pleksemi në asnjë lloj bashkëpunimi me ta.
E pranoi këtë lloj arsyetimi?
Ai ndoshta edhe mund ta priste një përgjigje të tillë, por sidoqoftë mundohej të bënte përpjekje maksimale për të realizuar qëllimin, prandaj edhe pas kësaj përgjigjeje ai sërish ndërhyri: “Dëgjo këtu zoti Nivica! Unë po ju them se është për të mirën tuaj të veproni në këtë mënyrë që po ju sugjeroj unë”. Kjo u tha në një formë të tillë që shprehte një farë ultimatumi nga ana e tij, gjë që na revoltoi jo pak, pasi nuk kishte të drejtë të bisedonte fare me ne. Midis Ballit dhe gjermanit kishte një marrëveshje; ne si forcë nacionaliste shqiptare kishim organizuar mbrojtjen e sovranitetit të kombit, ndërkohë që gjermani kishte të drejtën të luante rolin e tij vetëm si një ushtri kalimtare duke mos cenuar integritetin e shtetit tonë. Kështu që, pas atij ultimatumi, unë, disi i irrituar ia ktheva sërish; zoti Xhaferr, ne nuk kemi punë me komandën gjermane, por kemi punë vetëm me strukturat tona, pra kemi punë me komandën tonë që është komanda nacionaliste e qarkut e drejtuar nga Ismail Golemi.
Po dy gjermanët që e shoqëronin, ndërhynë në atë bisedë?
Ata nuk folën fare pasi kishin ardhur vetëm si shoqërues të Xhaferrit.
Si veproi së fundmi Xhaferri?
Kur pa se ishte i kotë çdo lloj diskutimi, ai iku tepër i irrituar. Sigurisht, unë i jepja të drejtë që u irritua, pasi ai kishte qëllimet e tij dhe nuk iu realizua një iniciativë të cilën mund t’ua ketë premtuar gjermanëve.
Sa të rinj ishin organizuar në atë çetë që ju kishit në kala?
Ne bëheshim mbi 60 vetë.
Menjëherë pas bisedës me Xhaferrin u bombarduat?
Nuk kaloi shumë, me sa mbaj mend, duhet të ketë qenë e nesërmja e asaj dite kur bëmë bisedën dhe kur pamë katër avionë që erdhën mbi kala. Atë ditë që bënë bombardimin nuk i njohëm nëse ishin anglezë apo gjermanë. Në fillim ne menduam se ishin duke kaluar në lartësi të vogël, kur çfarë të shihnim, ata filluan të derdhnin breshëri bombash mbi të gjithë sipërfaqen e kalasë. Ishte fat që për momentin u ndodhëm në katin e parë ku morëm menjëherë masat për t’u siguruar në vendet që i rezistonin bombardimit. Mbi kala, për tre-katër orë bombardim, u kthye gjithçka si parcelë bujqësore e punuar. Ne morëm masa që të mbanim jo vetëm njerëzit tanë, por nxorëm edhe të burgosurit që ishin vendosur në qelitë e ndodhura në kala të cilët rrezikonin të vriteshin nga bombardimi.
Kush ishin ata të burgosur?
Ishin njerëz që ishin kapur në front duke luftuar kundër Ballit. Mes tyre kishte dhe shumë komunistë. Ne duhej me çdo kusht t’i shpëtonim, pasi përveç burgosjes, nuk u takonte dënim tjetër. Të mbrosh njerëzit në rast fatkeqësie, pavarësisht se të kujt bindjeje janë, është fisnikëri. Por këtë mund ta bënim vetëm ne që kishim ideologji dhe parime krejt të tjera nga ato të komunistëve.
Mësuat se kush ju kishte bombarduar?
Shumë më mbrapa mësuam se partizanët kishin njoftuar te anglezët duke u thënë se në kala ishin strehuar forca të shumta balliste që bënin plane kundër tyre. Pas kësaj, katër avionët që erdhën ishin avionë anglezë, por që ne nuk i njohëm, por i quajtëm avionë gjermanë dhe për këtë gjë bëmë menjëherë lidhjen me Xhaferr Leskovikun duke menduar se ai i kishte dërguar duke na spiunuar e duke u thënë për këmbënguljen tonë.
Këtë gjë, sipas mendjes sonë, nuk mund ta falnim lehtë, prandaj menjëherë si u larguan avionët që na terrorizuan për orë të tëra urdhërova të mblidhej menjëherë shtabi i rinisë ku të diskutohej sulmi që na u bë nga gjermanët. Për këtë, gjithmonë sipas nesh, faji ishte i Xhaferr Leskovikut. Në mbledhjen urgjente u vendos në unanimitet që Xhaferr Leskoviku të dënohet me vdekje dhe ekzekutimi i tij duhej të bëhej menjëherë.
E ekzekutuat?
Detyrimisht! Vendimi i shtabit kuptohej si i padiskutueshëm. Ka qenë ora 09:00 e darkës kur njerëzit e caktuar u nisën për atentat. Ka qenë pikërisht Xh. M. të cilit jo pa qëllim nuk ia përmend emrin dhe që tani ndodhet në Amerikë, dhe një tjetër me inicialet M. K. Ata të dy kanë shkuar në shtëpinë e Xhaferrit dhe i kanë thirrur që të dilte jashtë. Që të siguroheshin se do të dilte, i thirrën se gjoja i kishte dërguar Ismail Golemi për të biseduar me të. Ismail Golemi, siç ta përmenda dhe më lart, ishte komandanti i Ballit Kombëtar për Qarkun e Gjirokastrës. Xhaferri doli menjëherë dhe zbriti në oborr. Në atë çast të dy shokët e nisur nga shtabi e panë për një çast dhe pastaj i nxorën pistoletën duke i thënë; ja përgjigja e asaj që bëre! Pas kësaj, pistoleta shtiu disa herë në drejtim të tij ku e la menjëherë të vdekur. Në këtë moment ata, me një gjakftohtësi të madhe, i vendosën mbi trupin e shtrirë traktin e posaçëm që ishte përgatitur për këtë çast në të cilin shkruhej: “Kështu do ta pësojnë të gjithë tradhtarët e atdheut. Komandanti i Shtabit, ABENIK”
Çfarë do të thotë ABENIK?
ABENIK do të thotë “Ahmet Beqo Nivic Kurveleshi” që është identiteti im, pasi Beqo është mbiemri im i vërtetë, sepse mbiemrin Nivicë me të cilin njihem e kam nga emri i fshatit tim.
Ajo letër e nënshkruar me inicialet e mësipërme, e cila u gjet në atë kohë mbi trupin e Xhaferr Bej Leskovikut, tashmë ndodhet në arkivat e ushtrisë.
Si ka mundësi?
Ajo letër e vendosur mbi trupin e Leskovikut është marrë nga vendngjarja dhe është arkivuar në dosjet e Gestapos. Ato dosje pas largimit të gjermanëve kanë rënë në dorë të nacionalçlirimtarëve dhe kështu përfunduan në arkivat e ushtrisë. Këtë gjë e di se atë letër ma kanë përmendur shumë kohë më mbrapa kur unë kam qenë para trupit gjykues si armik i rrezikshëm i Partisë dhe i Popullit.
Pse, si ta përmendën?
Më thanë “që ti ke vrarë dhe një njeri në kohë të luftës”. Ndoshta ishte provokim se rastësisht mos flisja për ndonjë vrasje tjetër. Shumë vite më mbrapa, gjatë procesit tim që më bënë komunistët, më kanë lexuar traktin e vendosur mbi trupin e Xhaferrit.
Pse mund të të akuzonin për atë veprim?
Po të donin ata të akuzonin për këdo që mund të kishe vrarë, se të thoshin që kishe vepruar sipas dëshirës dhe se nuk njihej si gjyq vendimi i shtabit të Rinisë Balliste etj. etj. Ose të thoshin se vrasjet duhej të bëheshin me urdhra të studiuara, pra gjenin shkaqe vetëm për të të akuzuar. Por unë nuk isha i shqetësuar nga këto lloj akuzash, se nuk kishin çfarë më thoshin më tepër nga ato që më thanë, kështu që për atë gjë, as që u shqetësova fare se e dija që mund të ishte provokim.
Le të kthehemi sërish në momentin që urdhëruat ekzekutimin. Çfarë bëtë pas asaj vrasjeje?
Çfarë të bëja tjetër veçse të ikja menjëherë të nesërmen, pasi gjermani u egërsua shumë dhe u hodh në operacion për të kapur vrasësit. Por për këtë gjë u hodh në operacion edhe xhandarmëria e cila na rrethoi në mbrëmje. Mund të bija në çdo moment në dorë të tyre. Shkova sërish në Delvinë. Në momentin që xhandarmëria na rrethoi menjëherë, një grup i tyre shkoi për të bërë ekspertizën në vendngjarje. Nga sa mësova më mbrapa, aty kishte pasur një moment të veçantë. Grupi i xhandarëve kryesohej nga togeri i xhandarmërisë, Limoz Runa. Limozi kur kishte shkuar te trupi i pajetë i Xhaferrit, kishte parë letrën dhe e kishte marrë për ta lexuar. Kur e kishte lexuar, e kishte lënë menjëherë mbi trupin e viktimës, pasi i qe futur frika.
Nuk ju përndoqën gjermanët në Delvinë?
Ata kujtuan se për atë vrasje urdhri ishte dhënë nga shtabi i qarkut dhe arrestuan menjëherë komandantin e Ballit për Qarkun e Gjirokastrës, Ismail Golemin. Puna vajti shumë keq, pasi gjermanët vendosën që Ismail Golemin ta dërgonin në kampet e tyre të përqendrimit. Ishte ndërhyrja e madhe e Mit’hat Frashërit ajo që e shpëtoi atë nga internimi.
Ju nuk u sulmuat?
Unë në ato momente kisha shkuar në Delvinë ku mora sërish detyrën që kisha pasur para se të shkoja në Gjirokastër, pra komandant i Rinisë Balliste të asaj zone. Aty jemi sulmuar nga forcat partizane. Na kanë sulmuar afër mëngjesit kur ne ishim në bazat tona për të kaluar natën. Ata na sulmuan menjëherë. U përplasën fillimisht me rojet e shërbimit dhe pas kësaj u mobilizuam. Kemi bërë 10 orë luftë deri sa janë larguar.
Keni pasur shumë përplasje me partizanët?
Kemi pasur aq shumë, saqë nuk numërohen. Vetëm një gjë mbahet mend, se gjithmonë kanë qenë ata që na kanë sulmuar dhe vetëm pas kësaj ka pasur betejë. Ne nuk i kemi sulmuar asnjëherë, por ata e kishin urdhër dhe platformë që të na godisnin me të njëjtën urrejtje si dhe pushtuesin, pavarësisht se më mbrapa kanë gënjyer dhe deformuar historinë e luftës. Edhe atë ditë ashtu ndodhi. Ne nuk kishim asnjë të vrarë.
Po partizanët kishin?
Kishin si nuk kishin, pale se çfarë kanë thënë dhe gënjyer për 50 vjet duke hedhur baltë mbi Ballin Kombëtar sa kanë mundur. Në luftë me ne e kanë ditur mirë se si kanë dalë.
vijon nesër
Ahmet Nivica u kthye nga emigrimi politik i mashtruar nga amnistitë e rreme.
Ahmet Nivica ka lindur në Kurvelesh të Tepelenës në vitin 1923. Në vitin 1942 kur organizata e rezistencës nacionaliste u shndërrua në parti politike e emëruar Balli i Kombit, Nivica ka krijuar personalisht rininë balliste të zonave të Delvinës, Rrëzomës, Sarandës e deri në Konispol. Në vitin 1944, kur pushteti po kalonte në duar të Komunistëve dhe Balli Kombëtar po radhitej me të humburit e luftës, Ahmet Nivica, për t’i shpëtuar hakmarrjes dhe ndëshkimit të kuq, ashtu si dhjetëra e qindra bashkëluftëtarë të tij, u largua menjëherë jashtë atdheut duke jetuar si emigrant politik në Itali dhe Francë. U rikthye nga emigrimi në vitin 1958 pas një amnistie që kishte marrë shteti komunist për njerëzit që nuk ishin përzier në vrasje. Me këtë amnisti fitonte pikërisht edhe Ahmet Nivica, i cili u rikthye në atdheun e tij. Por ajo amnisti ishte vetëm për disa vjet se më pas për të do të formuloheshin lloj-lloj akuzash, duke filluar nga ato të ideologjisë dhe të propagandës. Kështu që ai do të burgosej dy herë, dhe brenda tij do të qëndronte plot 20 vjet. Tashmë në moshën 82 -vjeçare vazhdon të jetë ndër anëtarët tepër aktiv të Partisë së Ballit Kombëtar. Tashmë figura e Nivicës është e njohur pikërisht në debatet publike me karakter historik të bëra vitet e fundit në emisionet e veçanta televizive. Ai është ndër të vetmit veteranë të spektrit të djathtë, i cili me iniciativë dhe kurajë mundohet të argumentojë shumë momente historike të kohës së luftës, të cilat në mendjet e popullit janë të njohura krejt ndryshe. Ahmet Nivica pranon të debatojë në këto emisione televizive me ish-kuadro të luftës, të cilët atëherë kanë qenë të rreshtuar në krahun e frontit nacionalçlirimtar. Janë këto momente ku ai, përballë tyre kundërshton faktet e propaganduara për 50 vjet, madje dhe nga vetë ata pjesëmarrës të emisioneve. Janë këto përpjekje të Nivicës, të cilat e kanë bërë atë për opinionin ndoshta figurën më të njohur të Partisë së Ballit Kombëtar për të cilën ai thotë se jo vetëm i ka kushtuar gjithë jetën e tij, por do të kontribuojë në forcimin dhe unitetin e saj deri sa t’i rrahë zemra.
Krerët e Ballit, të internuar nga fashizmi.
Faktet që vijnë para opinionit të gjerë janë sa të çuditshme, aq edhe befasuese. Ashtu siç mësohet, krerët ballistë në kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë kanë qenë jo vetëm pjesëmarrës me armë në dorë, por kanë qenë edhe drejtues të formacioneve popullore që në betejat e para që u zhvilluan. Gjithashtu mësohet se me zhvillimin e ngjarjeve, shumë njerëz të shquar, të cilët më vonë u evidentuan si liderët kryesorë të Partisë Balliste, janë arrestuar nga fashistët dhe janë internuar në ishujt e Italisë. Konkretisht, Ahmet Nivica deklaron se vetëm në Venteteno të Italisë janë internuar, Abaz Ermenji,
Safet Butka, Faslli Frashëri, Selman Riza, Myzafer Pipa, Gani e Seit Kryeziu etj.
Krijoni Kontakt