Shën Thekla,
Martirja e parë dhe e barabartë me Apostujt
1. Cila ishte Shenjtorja
Shën Thekla e lavdëruar, atletja dhe martirja e parë, lindi në Ikoni të Azisë së Vogël. Ishte vajzë e bujares së përmendur greke Theokleas. Besonte tek idhujt, si dhe nëna e saj dhe ishte e fejuar me një fisnik të ri të qytetit të Ikonisë, që quhej Tamir. Me këtë, pas pak kohe, do të celebronte martesën e saj. Por kjo martesë nuk u bë, sepse Zoti i virtytshëm, duke parë vullnetin dhe shpirtin e pastër të saj, e largoi nga adhurimi i idhujve me një mënyrë të mrekullueshme dhe e drejtoi jo vetëm në shpëtim, por edhe në shenjtërim.
Ja, si Zoti ftoi pranë Tij 18-vjeçaren e bukur dhe të pasur, adhuruesen e idhujve dhe virgjëreshën Thekla.
2. Apostull Pavli shkon në Ikoni
Në atë kohë apostull Pavli bëri disa turne në qytete të Azisë së Vogël, duke predikuar Ungjillin e Krishtit. Një ditë arriti dhe në Ikoni, atdheun e Shenjtores, i ardhur nga Antiohia. Predikuesin e madh dhe ungjillorin e së Vërtetës, trumbetuesin e zjarrtë të Krishtit, e shoqëronin dhe nxënësit, Dhimai dhe Ermogjeni. Që të dy ishin të djallëzuar dhe hipokritë, e adhuronin vetëm në pamje Apostullin. Pavli hyjnor, si imitues i Jisu Krishtit dhe njeri i mirë, nuk kishte dinakëri dhe i donte si vëllezërit e tij. Me kënaqësi u mësonte gjithë trupëzimin dhe jetën e Zotit tonë Jisu Krisht d.m.th, si iu shfaq Zoti, ndërsa ecte drejt Damaskut dhe si besoi tek Ai.
3. Mikpritet në shtëpinë e shpresëtarit Onisifor
Sapo u informua për mbërritjen e Apostull Pavlit në Ikoni, banori i atjeshëm shpresëtar dhe besimtari Onisifor, vrapoi në çast me gruan dhe fëmijët e tij për ta takuar. Onisifori nuk e kishte parë tjetër herë Apostullin, por kishte mësuar karakteristikat e tij nga Titoja, nxënësi i Pavlit, se ishte një burrë trupvogël, pa flokë, me hundë si hark, i mbushur me bekim, i mbushur me Shpirtin e Shenjtë dhe hir. Sapo e pa, e njohu nga karakteristikat që përmendëm dhe i tha: "Përshëndetje, shërbëtor i Krishtit të bekuar". Dhe Pavli iu përgjigj: "Hiri i Perëndisë mbuloftë shtëpinë tënde". Atëherë, Dhimai dhe Ermogjeni, të prekur nga urimi që bëri Pavli vetëm në drejtim të shtëpisë së Onisiforit, i thonë Apostullit: "Vallë, nuk jemi edhe ne shërbëtorë të Krishtit, pse vetëm atë përshëndete?" Onisifori, duke ndjerë ligësinë e tyre, ndërhyn menjëherë: "Unë nuk shpreh te ju farë drejtësie, por mirë se erdhët, urdhëroni edhe ju deri në shtëpinë time, që të çlodheni." Duke e pasuar, Pavli dhe dy shoqëruesit shkuan në shtëpinë e Onisiforit, i cili u shtroi tryezë dhe i mirëpriti me kujdes të veçantë për shumë ditë.
4. Predikon Ungjillin. Veçon virgjërinë
Që në orët e para, shtëpia e Onisiforit u bë një hierore, nga ku Apostulli i Krishtit, predikonte për Hyjnjeriun dhe Ungjillin e tij. Madje, kaq i madh ishte kumbimi i fjalëve të Pavlit për fenë e re, sa në shtëpi çdo ditë vinin shumë dëgjues. Një natë, Apostull Pavli veçoi në predikimin e tij të përmbajturit dhe virgjërinë, duke thënë midis të tjerash: "Lum sa kanë të pastër zemrën e tyre, sepse ata do të shohin Perëndinë. Lum të maturit dhe të përmbajturit, të cilët nuk infektuan virgjërinë e tyre, sepse ajo bëhet tempull dhe strehues i Shpirtit të Shenjtë. Lum ata që morën Pagëzimin Hyjnor dhe ruajtën trupat e tyre të pastër deri në fund, sepse ata do të bëhen të denjë për lavdi në Parajsë dhe nuk do të provojnë asnjë torturë të ferrit të përjetshëm."
5. Thekla rrëmbehet nga predikimi i Apostull Pavlit
Midis shumë dëgjuesve ishte dhe Thekla. U ndodh në bisedë nga kureshtja. Turma e njerëzve, që me kaq etje vraponte të dëgjonte për fenë e re, i tërhoqi vërejtjen. Ishte atëherë Thekla një vajzë e re, e thjeshtë dhe virgjëreshë e bukur. Ditën, natyrisht, nuk kishte guxim të shkonte në shtëpinë e Onisiforit, sepse mund të kuptohej nga e ëma, e cila ishte pagane dhe do të kundërshtonte. Për këtë, sapo u ngrys, realizoi qëllimin dhe shkoi fshehur të dëgjonte Apostullin. Qëndroi afër derës dhe dëgjoi me kujdes mësimin e parë të Krishtit, pa parë predikuesin e jashtëzakonshëm kristian.
Këto fjalë të tij të ëmbla dhe të gjalla, në fakt, e prekën sa e shkrinë zemrën e saj dhe e mbushën me dashuri hyjnore, harroi çdo problem të sajin dhe filloi të mendonte seriozisht për shpëtimin e shpirtit të saj.
Fjalët hyjnore që dëgjoi për virgjërinë dhe të përmbajturit, e prekën kaq shumë shpirtin e saj, sa dhe darkën tjetër erdhi përsëri në predikim. Por, meqë fjalët tërheqëse të Apostullit u vonuan edhe ajo u vonua të kthehej në shtëpi, ku e priste e ëma. Theoklea e mençur nuk u shqetësua, sepse e kishte vëzhguar dhe e dinte ku ndodhej, por edhe ajo nuk ia fshehu të vërtetën, kur u pyet.
6. Pohon se është e krishterë dhe kundërshton të martohet
I tregoi se u vonua, sepse dëgjoi predikimin e një të krishteri me emrin Pavël. E ëma u nevrikos dhe filloi të shante fenë e krishterë dhe pasuesit e saj. Thekla, me qetësi, i tha se e kishte tërhequr mësimi i Apostull Pavlit dhe se besonte edhe ajo te Krishti, se është Perëndia i vërtetë. E luti që të mos shante. Autoritarja Theoklea, sapo dëgjoi këto fjalë nga e bija, u çmend dhe shpërtheu në të shara, ulërima, frikësime dhe të qara. Nuk mundej kurrë të pranonte këtë ofendim të ndryshimit të fesë së saj. Duhej ta vinte prapë në rregullin e saj. Pasi u mendua pak, shtroi një plan, i cili mendonte se do të sillte rezultatet e duhura. Pa humbur kohë, ftoi të fejuarin e Theklës, fisnikun Tamir, dhe i tha se do të ishte mirë që dasma me të bijën të bëhej sa më parë të ishte e mundur. Ai e pranoi propozimin me gëzim të madh.
Tamiri pastaj iu afrua Theklës dhe filloi me fjalët e zakonshme të dashurisë ta luste të bënte dasmën. Por më kot. Në lutjet e nxehta të tij dhe në presionet e vazhdueshme të nënës, dha përgjigje negative. Donte të mbetej e virgjër. Mësimet e Apostull Pavlit për virgjërinë e kishin rrëmbyer. Zemrën e saj e kishte dhënë vendosmërisht te Hyjnjeriu Krisht. Dëshironte të bëhej nusja e Krishtit, gjërat njerëzore nuk e preknin më. Tamiri, pasi pa se me të mirë nuk bindej, filloi frikësimet. E frikësoi se do ta keqpërdoronte. Por ajo mbeti e patundur në vendimin e saj dhe nuk iu përgjigj. Për kthimin e saj ishin shqetësuar gjithë të afërmit. E lumtura, pa u lëkundur fare, vazhdoi të ndiqte rregullisht predikimet e Pavlit.
7. I fejuari i saj kthehet kundër Apostull Pavlit
Tamiri, pas sjelljes së saj të papritur dhe deklarimit se ishte e krishterë, u zemërua dhe donte të zbulonte se kush ishte ky Pavli, i cili i thithi mendjen dhe i shkatërroi zemrën asaj. Dashuria dhe pasioni për Theklën dhe urrejtja e tij për Pavlin nuk e linin të qetë. U nis me shumë kurështje të shihte me sytë e tij këtë predikues mashtrues. Ky mësues ishte një njeri i shkurtër, pa flokë dhe nuk kishte paraqitje të jashtme të bukur. Me gjithë këtë, pamja e tij kishte një shprehje të mrekullueshme. Por Tamiri nuk kishte sy shpirtërorë për të vëzhguar gjëra të larta. "Ky njeri të bëhet shkak i kësaj të keqeje të madhe në kurriz të një arkondi? Nuk ka gjë, mendoi. Ka mënyra që ta rregullojnë të lehtësohet nga prania e tij". Një ditë u njoh me dy shoqëruesit e Pavlit Dhimain dhe Ermogjenin. Nuk kaloi shumë kohë dhe kuptoi se nuk ishin njerëz besimtarë, sepse shpirti i tyre ishte krenar dhe zemra e tyre ziliqare. Megjithëse ishin nxënës të Pavlit, ata nuk mund të duronin përsosmërinë e tij, por dhe nderimin e madh që tregonin njerëzit kundrejt tij. Ishin të gatshëm, jo vetëm të mërzisnin mësuesin me sjelljen e tyre, por dhe të bashkëpunonin për shkatërrimin e veprës së tij.
8. Apostull Pavlli kapet dhe burgoset
Sa për dijeni, Pavli nuk ishte kundër martesës, përkundrazi, e rekomandonte duke theksuar se është mister i madh, i cili bashkon burrin me gruan, sipas tipit të Krishtit e Kishës. Por, për disa njerëz që parapëlqejnë një jetë të virgjër, e cila është më e lartë sesa martesa, atëherë rekomandonte përmbajtjen, dëlirësinë, virgjërinë. Nuk e detyronte virgjërinë, as nxiste njeri drejt saj, thjesht e gjykonte. Ermogjeni dhe Dhimai, gjatë takimit që kishin me Tamirin, përmendën këto gjëra për Pavlin në mësimet e tij:
"Ne nuk e dimë se nga është ky, gjithnjë dhe vazhdimisht thotë se kushdo që ruan virgjërinë do të mbetet i pavdekshëm dhe me këto fjalë tërheq gratë dhe ndahen nga burrat, siç e pësoi edhe Thekla. Por, nëse do të mos largohesh nga qëllimi yt, shko te sundimtari i qytetit, shpif për Pavlin, që ta dënojë siç i takon, kështu që do të trembet e fejuara jote dhe nuk do të të braktisë".
Pas këtyre informacioneve dhe sugjerimeve, Tamiri i ftoi dhe u shtroi darkë. Ditën tjetër mbërriti si bishë e egër me një turmë njerëzish në shtëpinë e Onisiforit. Rrëmbeu Pavlin dhe e çoi te sundimtari, duke e akuzuar se është keqbërës dhe gabon gratë duke i ndarë nga burrat e tyre, gjithashtu u dikton mosmartesën, që shpërbën martesën, që rrëzon lidhjen e familjes dhe që rrezikon brezat njerëzorë në zhdukje.
Sundimtari, Kastiliani, pasi dëgjoi për pak apologjinë e Pavlit, dha urdhër ta lidhnin dhe pastaj ta burgosnin. Kishte dëshirë ta pyeste vetë pas disa ditësh.
9. Thekla viziton Apostull Pavlin në burg
Që në minutën e parë, Pavllin e lidhur e vizituan shumë. Thekla, sapo e mësoi burgimin e tij, u drodh. Pasi u mendua, vuri dhe një vendim të dytë, heroik. Jo vetëm të mbetet e virgjër, por edhe të martirizohet për dashurinë e Krishtit. Mendimi i parë ishte të vizitonte sa më parë mësuesin e saj të burgosur. Pasi mori me vete gjithë stolitë e saj dhe margariarët, shkoi në mesnatë në burg. Ia dha gardianit me marrëveshjen që të shikonte lirshëm të burgosurin, Apostullin. Ai pranoi. Pavli hyjnor, sapo e pa, u kënaq, sepse iu dha mundësia të plotësonte katekizmën e saj. Apostulli i Krishtit, burgun e kishte bërë amvonë dhe predikonte me guxim fjalën e Perëndisë. Thekla, me kaq pasion i dëgjonte fjalët e tij, sa i dukej Apostulli sikur të ishte vetë Zoti. Në mëngjes, e ëma dhe të afërmit e saj, kur panë se mungonte në shtëpi, dolën dhe e kërkuan në të gjithë qytetin. Menduan se iku me qëllim të keq dhe se ishte e dashuruar. Tamiri, ish i fejuari i saj, siç po kërkonte, u informua nga dikush se Thekla gjendej në burg dhe bisedonte me atë predikuesin e huaj. Pa u vonuar shkoi dhe, në realitet, e gjeti në qelinë e Pavlit, të rrinte para këmbëve të tij. Gjetja e saj në burg, pranë një të huaji, e egërsoi dhe, pasi mori me vete shumë njerëz, shkoi tek sundimtari. Duke pasur urrejtje të madhe për Theklën, e kallëzoi se ishte e krishterë dhe se punonte kundër fesë së stërgjyshërve të saj. Kastiliani dha urdhër dhe e sollën Pavlin para tij. Pas pak kohe, u çua për në hetuesi edhe Thekla. Sapo e pa turma, e cila kishte mësuar se ishte bërë e krishterë dhe kishte lënë të fejuarin, thirrën drejt arkondit: "Madhëri, jep urdhër të vrasin këtë magjistare dhe hipnotizuese. Sundimtari, më vonë, e pyeti Pavlin, por nuk e gjeti fajtor. Në të kundërt, kënaqej të dëgjonte fjalët e tij, por arkondët e tjerë dhe populli shikonin me keqdashje Pavlin e thjeshtë, sepse shtyheshin nga Tamiri. Pas kësaj, Kastiliani, megjthëse e shikonte me simpati predikuesin e krishterë dhe donte ta lironte, nuk guxonte, sepse kishte frikë nga turma.
10. Thekla dëshiron të predikojë Ungjillin
Sjellja e Tamirit dhe e turmës nuk e ngacmuan fare Theklën në vendimin e saj për të mbetur e pastër. Në mënyrë të veçantë, pas kësaj, nuk donte të dëgjonte fare për martesë dhe sidomos me burrë pagan. Shpirti i saj ishte përflakur nga dashuria e predikimit të Ungjillit. Pasi e mësoi dhe e besoi, nuk mundej të heshtte. Donte ta trumbetonte dhe ta predikonte kudo. Por predikimi i tij do të kishte si përfundim përndjekje dhe martirizime. Si përfundim, mundej të bëhej apostulle e Krishtit dhe të ishte e martuar? Për këtë, kur e pyeti sundimtari: "Përse nuk e do të fejuarin tënd?" ajo mendoi me qëllim të heshtte. Tamiri, pas refuzimit të fundit të Theklës, u egërsua shumë dhe ulërinte. Por edhe e ëma mbeti pa gojë. E bllokuar dhe pa zemër siç ishte, arriti në atë gjendje çmendurie sa bërtiste në drejtim të arkondit: "Vrite të paudhën në mes të teatrit, që të tremben edhe gratë e tjera e të mos përbuzin burrat e tyre". E donte më mirë të vdekur, sesa të krishterë. Satanai e verboi dhe humbi çdo ndjenjë dashurie dhe dhembshurie të nënës. Vërtet, çfarë pandjeshmërie!
11. Urdhërohet djegia e saj në teatër
Kastiliani pasi pa se jo vetëm turma, por edhe të afërmit e saj, edhe e ëma e saj e dënonin, nxori vendimin që ta digjnin të gjallë në teatrin e Ikonisë, përpara gjithë popullit të qytetit. Në vazhdim, për të kënaqur edhe më turmën, urdhëroi të rrihnin Pavlin dhe pastaj ta ndiqnin nga qyteti.
Pas dhënies së vendimit për Theklën, sundimtari u ngrit nga froni i tij dhe shkoi në teatër i pasuar nga një turmë e madhe. Të gjithë donin të shikonin si do të digjej e krishtera e re. Thekla e bekuar, ndonëse ndodhej në mes të teatrit dhe gjithë njerëzit prisnin me ankth të shikonin vdekjen e saj të frikshme, rronte në botën e saj; nuk mendonte gjë tjetër, por vetëm mësuesin dhe atin e saj shpirtëror, dhëndërin e Krishtit. Nuk i trembej vdekjes. Nuk llogariste gjuhët e flakëve që do t'ia digjnin pas pak trupin. Dëshironte sa më shpejt të ishte e mundur, të takonte Shpëtimtarin Krisht. Por Zoti mendoi se duhej ta shihte edhe këtu në tokë, që të merrte guximin. Prandaj edhe u shfaq para saj në çastin e duhur.
12. Shfaqet Krishti
Guximtarja Thekla, si hodhi shikimin te turma, pa diçka të mrekullueshme. Sheh të shfaqet Zoti Krisht me fytyrën e Pavlit, që rrinte në mes të turmës. Në çast merr guxim dhe thotë me vete: "Meqë jam shpirtvogël dhe e paduruar, erdhi mësuesi im, Pavli, të më japë guxim." Por, ndërsa mendonte këto, pa Zotin të ngjitej në qiell. Atëherë u bind se mësimet e Pavlit ishin të vërteta. Kështu, pas shfaqjes së Krishtit, eci me guxim, por edhe me hare drejt martirizimit.
Të rinjtë dhe të rejat mblodhën dru që të ndiznin zjarrin dhe flakë të mëdha u ngritën në mes të teatrit. Ajo, me qetësi, bëri shenjën e Kryqit dhe kërceu në mes të flakëve. Sundimtari, duke parë mirësinë dhe butësinë e virgjëreshës, u shmang dhe i erdhi shumë keq: "Sa keq, tha, të humbasë kjo virgjëreshë kaq e bukur". Kaq shumë i dhembi shpirti sa lotoi.
13. Thekla nuk digjet dhe zjarri shuhet nga shiu
Vajza shpirtmadhe dhe e përflakur nga dashuria hyjnore, nuk u tremb fare nga zjarri. Duke pasur vazhdimisht duart dhe sytë të kthyer nga qielli falej me mendje dhe priste ndihmë hyjnore. Dhe vërtet, ajo nuk vonoi të vinte. Ja çudia! Flakët, në vend që ta digjnin e freskonin. Sundimtari dhe populli mbetën të habitur.
Papritur u vrenjt dhe vetëtima ndriçonin qiellin e zi. Errësira mbuloi qytetin dhe filloi të bjerë shi i rrëmbyer me bubullima, i cili shoi zjarrin. Në të njëjtën kohë, ra një breshër i madh dhe i shumtë në teatër, që vrau shumë vetë. E mahitur dhe e trembur, turma u lëshua të ikte, ndërsa martirja, pa pësuar gjë, u vesh me rrobat e saj dhe pa u vënë re, për shkak të shqetësimit të madh që ekzistonte, u largua nga stadiumi, por dhe nga qyteti.
14. Shenjtja kërkon dhe gjen Apostull Pavlin
Pasi shpëtoi me ndihmën e Zotit, duhej të kërkonte me çdo mënyrë dhe të gjente Apostullin e saj. Shqetësohej për jetën e tij, për këtë pyeste për të mësuar se ku ndodhej.
Pavli, miku i Perëndisë, ashtu siç përmendëm më lart, pasi u rrah sipas porosisë së sundimtarit, u dëbua nga Ikonia. Shpresëtari Onisifor nuk e la të ikte vetëm, por e shoqëroi me të shoqen dhe fëmijët e tij. Sapo dolën nga qyteti, u fshehën në një varr të vjetër, duke kujtuar dhe duke u lutur për shpëtimin e Theklës. Qëndruan atje për tri ditë, të pangrënë
Por njëri nga fëmijët e Onisiforit, duke mos duruar më urinë, i tha Apostulit: "Zoti, Ati ynë, nuk kujdeset më për ne dhe siç e sheh po vdesim nga uria. Të lutem na ndihmo."
Pavli, shpirtdhimbsur, nxori pallton e tij dhe ia dha që ta shiste, që të blinte bukë. Djali, duke shkuar për në treg, takoi Theklën. Sapo e pa të shëndetshme dhe të lirë, u çudit, sepse mendonte se e kishin djegur në teatër. Pasi i shpjegoi si e shpëtoi Zoti, i kërkoi të dhëna për Apostullin. Atëherë, i riu, gjithë gëzim, i thotë: "Eja me mua dhe do të të çoj te varri ku fshihet, megjithëse ka shumë ditë i pangrënë". E ndoqi pas dhe, kur hyri Shenjtorja në këtë varr shtëpi, e gjeti Pavlin të gjunjëzuar, duke u lutur për shpëtimin e saj.
E prekur falënderoi Perëndinë që e bëri të denjë të rigjente mësuesin e saj, atin e saj të mirë shpirtëror. Por edhe Pavli u gëzua shumë. Lutja e tij ishte dëgjuar: "Zoti, tha, është me ne. Të faleminderit me gjithë zemër Perëndia im, sepse dëgjove lutjen time."
Pas këtij takimi gëzimi i të gjithëve ishte i papërshkruar. Pasi hëngrën nga buka që solli i riu, Thekla kërkoi bekimin e Apostullit: "Të lutem, më vulos mua me vulën e Krishtit (duke nënkuptuar Kryqin e Shenjtë) dhe shpresoj tek Ai, që nuk do të më prekë asnjë torturë." "Bëj durim, iu përgjigj, dhe do të vijë tek ti dhurata e Perëndisë."
Pastaj Pavli u drejtua nga Onisifori i tij i dashur dhe me një ton të ëmbël i tha: "Eshtë koha të ikni për në shtëpinë tuaj. Ju falënderoj nxehtësisht për dashurinë e të gjithëve. Unë do të shkoj ku të më urdhërojë Zoti."
15. Apostull Pavli dhe Thekla shkojnë në Antiohi
Pas këtij rekomandimi, Onisifori mori familjen e tij dhe u kthye në shtëpi, në Ikoni, kurse Pavlli me Theklën u nisën për në Antiohi. Megjithëse Thekla nuk kujdesej fare për bukurinë e saj, ishte kaq e lulëzuar, sa një pagan, nga më të rëndësishmit e qytetit, me emrin Aleksandër, me origjinë siriane, sapo e pa, kaq e dashuroi sa e puthi. Ajo e dëboi, e kundërshtoi dhe nuk pranoi propozimin e tij për t'u martuar. Aleksandri i dashuruar marrëzisht e përsëriti përpjekjen e tij të paturpshme edhe më vonë. Atëherë Thekla i grisi pelerinën dhe në vazhdim e talli, kur i mori nga koka "kurorën festive" dhe e hodhi poshtë.
16. Thekla dënohet me vdekje si vjedhëse e të shenjtave
Për këtë veprim të saj u akuzua si vjedhëse e të shenjtave dhe u dënua nga sundimtari i qytetit me vdekje. Duhej që pas tri ditësh ta hidhnin tek egërsirat. Shenjtorja, pas lutjes të saj, mori miratimin e sundimtarit që ta dorëzonin, deri në ditën e vdekjes së saj te një grua e ndershrne. Kështu e dorëzuan te një grua e ve, bujare dhe e pasur, me emrin Trifenë, së cilës bija e vetme Folkonila, i kishte vdekur para disa ditësh. Trifena, duke parë fytyrën e saj engjëllore dhe duke dëgjuar fjalët e saj të ëmbla për tri ditë, e deshi shumë virgjëreshën dhe nuk deshi të ndahej prej saj dhe qau, kur e morën për tek egërsirat. Duke dashur të shikonte se cili do të ishte fundi i martires, e shoqëroi në amfiteatër me shumë gra të tjera. Shumë të reja qanin, sepse u vinte keq dhe diskutonin të mërzitura për dënimin.
A. E hedhin tek egërsirat, por ato nuk e prekin
Xhelatët e lidhën Shenjtoren dhe e lanë në mes të amfiteatrit. Pastaj lëshuan një luaneshë të uritur, e cila sapo arriti afër Shenjtores, e ktheu egërsinë në butësi dhe i lëpinte këmbët.
Në teatër ishte vendosur një tabelë, ku shkruhej shkaku për të cilin e hidhnin tek egërsirat. "Si vjedhëse e të shenjtave, dënohet me vdekje." Duke parë këto, turma thërriste se dënimi nuk ishte i drejtë. Atëherë Trifena, e fuqizuar nga Hiri Hyjnor, hyri pa frikë në teatër, mori Theklën besimtarë dhe shkuan të gëzuara në shtëpinë e saj. Atë natë, Trifena pa në gjumë, sipas ikonës së Perëndisë, të bijën Falkonila, e cila i tha: "Nëna ime, duaje Theklën dhe kije si bijën tënde, sepse është shërbëtore e Perëndisë dhe mund të lutet e të më vërë Zoti në vendin e të drejtëve." Në mëngjes, Shenjtorja, sapo u informua për ëndrrën, u fal dhe luti Zotin të qetësonte Folkinilën midis të drejtëve, sipas dëshirës së saj.
Trifena e mirë gëzohej shumë se kishte njohur dhe strehuar Theklën e pastër. Por gëzimi i saj nuk vonoi të kthehej në hidhërim. Papritur, mbërriti në shtëpinë e saj një i dërguar dhe i tha: "Zonjë, sundimtari rri në hetuesi dhe gjithë populli u grumbullua që të shohë vdekjen e Theklës. Dërgoje sa më shpejt."
Trifena jo vetëm nuk e dha, por e shau dhe e ndoqi. Pas pak mbërritën shërbëtorët e sundimtarit që ta merrnin me pahir. Duke mos mundur të qëndronte në këtë ngjarje, filloi të qante.
"Mjerë unë, thoshte. Para disa ditësh shoqërova në varr Falkonilën time dhe tani prapë të humbas ty, vajzën time të dytë, të dashur."
Shenjtorja u prek nga dashuria dhe sakrifica e Trifenës mikpritëse, lotoi dhe duke parë nga qielli thotë: "Zoti dhe mbreti im. Të lutem shpërble Trifenën mikpritëse për dashurinë që më tregoi dhe sepse ruajti pastërtinë time." Martirja mbërrin në teatër. Gjatë hyrjes së saj u bë një zhurmë e madhe. Populli kundërshtonte me forcë, sepse pa të drejtë u soll përsëri në martirizim. Por xhelatët gjakftohtë dhe apatikë e rrëmbyen me nxitim, e zhveshën dhe e hodhën tek egërsirat, tek luanët e mëdhenj dhe tek arinj të frikshëm. Një mrekulli, një luaneshë e egër qëndronte afër Shenjtores dhe nuk linte asnjë egërsirë që t'i afrohej. Madje në një çast, u hodh dhe ngordhi një arushë, kur u kthye papritur drejt Shenjtores. Për çudi, të gjitha egërsirat që iu sulën kundër, qëndruan si qengja të butë para saj.
B. Në liqen me peshq mishgrënës dhe shpëton
Pasi dështuan edhe këtë herë në vdekjen e Theklës, vendosën ta hidhnin në një liqen të thellë e të frikshëm, me peshq mishngrënës. Duke hyrë Shenjtorja në liqen me besim e guxim tha: "Në emrin tënd, o Zoti im Jisu Krisht, po marr pagëzimin." Ndërsa gratë qanin dhe prisnin të gjithë fundin e saj martirik, Perëndia nuk e la pa ndihmuar edhe një herë shërbëtoren e tij besnike. Dërgoi ndihmë nga qielli në formë zjarri dhe vetëtima dhe ngordhën egërsirat e liqenit, ndërsa reja mbuloi Theklën, që të mos e shikonte populli të zhveshur. Aleksandri, pa u përmendur dhe pa u penduar, pas kaq çudirave, i thotë sundimtarit: "Kam dy dema të tmerrshëm dhe të egër. Do ta hedh tek ata që ta vdesin." Dhe ai iu përgjigj: "Bëj ç'të duash, unë më nuk vë dorë mbi të."
E lidhën dhe e vunë tek demat. Që t'i egërsonin më shumë i digjnin me hekura të skuqur, por, dhe pas kësaj, ata mbetën të palëvizur. Lutja e martires i zbuti. Për këtë edhe tropari thotë: "Inatin e demit e zbute me lutjen tënde." Ndërkohë, në mënyrë të mrekullueshme u zgjidhën dhe lidhjet e saj. Siç e pamë, Hiri Hyjnor e ruajti nga të gjitha rreziqet. Kjo bëri përshtypje të madhe në popull, madje të pranishmit besuan te Krishti. Atëherë, populli kërkoi me një zë lirimin e Theklës shumë të provuar. Ndërkohë Trifena, duke jetuar nga afër me dhimbje këto martirizime të Theklës së saj të dashur, humbi ndjenjat dhe ra si e vdekur.
C. E lanë të lirë
Aleksandri, pas humbjes së ndjenjave të Trifenës, u tremb, sepse ishte e afërt e Qesarit dhe urdhëroi të vishnin Theklën. Pas pak thirri Theklën veças dhe e pyeti se kush është e se kush ishte më parë. Shenjtorja iu përgjigj se beson te Krishti, që është Perëndi i vërtetë. Dhe se kush beson tek Ai, që është komandant i jetës dhe i vdekjes, nuk pëson asgjë. Aleksandri, pasi e dëgjoi, e la të lirë. Thekla falënderoi në çast Krishtin për shpëtimin e saj dhe fitimin e lirisë dhe u largua nga Antiohia. Duke kërkuar kudo Apostull Pavlin, e gjeti në Mira të Liqisë, ku predikonte. Atje i sqaroi se u largua vetë, që të mos kishte shpresë tek ai, por vetëm te Shpëtimtari Krisht. Më vonë i bëri dhe zbulimin se ishte vullnet i Perëndisë të kthehej me nxitim në atdheun e saj.
17. Kthehet në vendlindje
Thekla e virtytshme, si nxënëse e mirë, pa kundërshtuar urdhrin e tij, uli kokën e saj, u fal dhe, pasi u bekua nga Apostulli, u kthye në Ikoni. Vizitoi të parin Onisiforin, ku tregoi martirizimet e saj dhe duke lavdëruar Perëndinë tha: "Të faleminderit, Ty, o Zot, Perëndia im, se më ndriçove në këtë shtëpi dhe të njoha. Vetëm Ti je Perëndia i vërtetë dhe Ti më shpëtove nga zjarri dhe egërsirat. Ty të takon lavdia dhe përulja në jetë të jetëve. Amin."
Onisifori me familjen e tij u gëzua shumë për shpëtimin e Theklës dhe lavdëruan Perëndinë. Tamiri ndërkohë kishte vdekur. Vetëm e ëma rronte. Më kot u mundua ta bindte të bëhej e krishterë. Këmbëngulja e së ëmës, që të mbetej pagane, e mërziti shumë. Si përfundim, u largua nga Ikonia dhe shkoi në vendin ku kishte gjetur të fshehur Apostull Pavlin me Onisiforin. Atje u fal nxehtësisht dhe luti Zotin t'i drejtonte vullnetin e Tij.
18. Asketizon në malin Kalamon, predikon dhe shëron
Pastaj shkoi në Selevki. Afër qytetit ishte një mal që quhej Kalamon. Te ky mal e udhëhoqi një ditë një re e ndritshme. Nga një shenjë e mrekullueshme e kuptoi se ky ishte vullneti i Perëndisë që të banonte aty. Gjeti një shpellë dhe banoi aty për shumë vjet, me një asketizëm të rreptë.
Këmbënguli me shumë ngacmime të demonëve, por me Hirin e Zotit doli fitimtare.
Fama e Shenjtores shumë shpejt u përhap në qytetet përreth. Shumë gra që donin shpëtimin e tyre, vinin tek ajo të dëgjonin për fenë e krishterë. Shumë nga ato u bënë të krishtera, lanë gjërat e përditshme dhe asketizuan bashkë me të. Thekla e bekuar, me ndihmën e Zotit, filloi të bënte çudira. Të shëronte të sëmurë truporë dhe shpirtërorë. Dhe ja, shumë të sëmurë u shëruan, shumë u afruan në asketizimin e saj, të verbër panë, të çalë ecën, të paralizuar u ngritën, të pushtuar nga demonët u çliruan prej tyre. Predikimi i martires Thekla, por kryesisht çuditë e saj të panumërta, u bënë shkak që të pendohen shumë dhe të pagëzohen të krishterë. Të gjithë banorët e Selevkisë ishin të kënaqur, sepse kishin gjetur mjek pa rrogë për sëmundjet e tyre fizike. Ata që mërziteshin ishin doktorët, sepse të sëmurët shkonin te Thekla dhe ata rrezikoheshin të varfëroheshin. Ndaj ata bënë një mbledhje dhe thanë: "Kjo virgjëreshë është priftëreshë e Artemidës së madhe dhe për jetën e saj të pastër e ndihmon perëndesha dhe bën kaq çudira. Le ta fëlliqim trupërisht që të humbasë këtë hir."
19. Mjekët paguajnë të rinj që të përdhunojnë Shenjtoren
Të ndyrët paguan disa të rinj të pamëkatë të shkonin ta përdhunonin. Në çast, ata shkuan në shpellën e saj dhe trokitën në derë. Shenjtorja, që e dinte nga Hiri Hyjnor shkakun për të cilin e vizituan, i pyeti se ç'kërkonin. Ata, të paturpshëm, iu përgjigjën se kishin shkuar të flinin me të. Shpresëtaria Thekla, sapo dëgjoi shkakun e pandershëm të vizitës, pa u tmerruar, u tha: "Unë jam plakë, shërbëtore e bindur e Zotit tim Jisu Krisht. Nëse do të dëshironi të më bëni ndonjë të keqe, do të pësoni të keqe të madhe." Eshtë e pamundur, iu përgjigjën, të kthehemi pa vepruar." Dhe në çast, pa respektuar pleqërinë e saj, u munduan ta tërhiqnin në vendin e tyre. "Bëni durim, bijtë e mi, u tha, se pas pak do të shikoni lavdinë e Perëndisë" Dhe, në çast, ktheu sytë e saj drejt qiellit dhe u lut me dhimbje, duke thënë: "Zot i gjithësisë, i Vetmi i Fuqishëm dhe i dhembshur, shpresa e të dëshpëruarve, ndihma e të pandihmuarve, Ti që na shpëtove nga zjarri dhe egërsia e Tamirit dhe e Aleksandrit dhe thellësia e detit, dhe më dhe fuqinë që me këto beteja të lavdëroj emrin tënd, shpëtomë edhe tani nga duart e këtyre njerëzve mëkatarë dhe mos më lër të humbas pastërtinë time, të cilën ta përkushtova Ty dhe Ty të kam pasion të shpirtit tim dhe gëzim, Perëndi i Tërëshenjtë."
20. Erdhi një gur, u hap e u mbyll mrekullueshëm dhe humbi
Sapo mbaroi, u dëgjua një zë nga qielli që thoshte: "Mos u tremb, Thekla, shërbëtorja ime e vërtetë, sepse jam pranë teje. Shiko atë gur, i cili ndodhet pranë teje, hapet për të ruajtur pastërtinë tënde."
Vërtet, martirja pa gurin të hapet në dysh. Në çast hyn në të çarën, mbyllet guri dhe duket siç ishte më parë. Të çoroditurit, duke parë çudinë, e humbën. Morën vetëm omoforin e saj, që ta tregonin si shenjë te doktorët. Më vonë, omofori, sipas planit hyjnor, ra në duart e të krishterëve. E kishin për hajmali, për bekim, për mbrojtëse, për ta nderuar. Ja, jeta dhe përfundimi që pati virgjëresha, apostullja, asketja dhe martirja Thekla. Që nga të 18 vjetët që njohu Krishtin, deri në të 90 vjetët që dorëzoi shpirtin e saj, punoi për përhapjen e Ungjillit, për lavdi të Perëndisë. Jeta e saj ishte një shembull i shkëlqyer për burrat dhe gratë. Kisha jonë, që nderon kujtimin e saj më 24 shtator, e quajti "martire të parë dhe atleten e parë ndër gratë, drejt thirrjes së Perëndisë dhe të barabartë me Apostujt".
Krijoni Kontakt