Lezha, qyteti i ngritur në ajër
Nga Tonin Çobani

1.Pozita gjeografike
Aty ku Lumi Drin i jepte fund rrugëtimit të vet nëpër Shqipëri dhe bashkohej me Detin Ardiatik për të krijuar Gjirin e Drinit; aty ku takohen zgjatimet e fushave pjellore të Zadrimës, të Torovicës (dikur kënetë) dhe të Bregut të Matës (krijuar nga prurjet e lumenjve Drin dhe Mat); aty në majen e një kodre në formë piramide (Mali i Shelbumit) dhe rrotull një kodre tjetër edhe më të vogël, në majen e së cilës sot dallohen bedenat e Kalasë Mesjetare, qarkuar nga V-L prej një kreshte malore (pika më e lartë, Vela-1171 m), dëshmohet në vijëmësi një ndër vendbanimet me të hershme mesdhetare: LEZHA.

2. Arkeologjia
Arkeologët konkludojnë se është një vendbanim ilir më se trimijëvjeçar. Fillimisht ishte Akrolisi në majen e Malit të Shelbumit, themeluar si fortifikim në shek. X p.e.r. Prej andej, në shekullin VI-V p.e.r banorët u zhvendosen në Kodrën e Kalasë dhe ngritën qytetin e Lisit, të cilin në shek IV p.e.r. e rrethuan duke ndërtuar një mur mbrojtës (2 km e 600 m) me blloqe të mëdha gurësh të punuar. Fortifikimet qarkojnë 20 ha qytet me Akropol, me bosht qëndror nga maja e kodrës deri te porti lumor në breg të Drinit, që e lidhte qytetin e lashtë me limanin e Shëngjinit (Nimfeum) dhe me brigjet e mesdheut duke lundruar me anijet e shpejta Liburne të prodhuara aty. Deri tani janë zbuluar konturet e plota të mureve qiklopike me të 11 portat e hyrje-daljeve, që realizonin komunikimin me rrethinat, si dhe me thellësitë e kontinentit përmes karvaneve të rrugës së njohur që në antikitet: Lissus (Lezhë)-Ulpiana (Prishtinë)-Naissus (Nish). Janë zbuluar, gjithashtu, deshmi të tjera të zhvillimeve ekonomiko-shoqërore, si fragmente qeramike vendase, monedha me mbishkrimin Lisitan (229-135 p.e.r.) dhe objekte gjithfarësh, ku, për t’u përmendur, është thesari prej 120 sopatash të tipeve “Kelt” dhe “Dalmato-Adriatikas” (shek.X p.e.r.). Gërmimet arkeologjike intensive, që medoemos priten të bëhen aty, do të mund të zbulojnë objekte të tjera që fsheh ajo nëntokë me vlerë kulturore iliro-mesdhetare, sepse i tillë ishte ai qytet, ndër më të fortifikuarit e Ilirisë Jugperëndimore.

3. Historia
Jeta e Lezhës\Lisit nuk ka njohur ndërprerje. Një sy sadopak i stërvitur dallon me lehtësi në rrënojat e mbetura periudhat ndërtimore ilire, romake, veneciane dhe osmane. Kësaj të fundit i përkasi rrënojat e kalasë mesjetare (Kastelnuova), që u kthye në garnizon ushtarak pas rikonstruksionit që i bëri në vitin 1521-1522 sulltan Selimi vetëm Akropolit, pjesës së sipërme të qytetit antik. Pas kësaj kohe tri nga të pesë kishat e Lezhës u kthyen në xhami, përfshirë edhe Katedralen e Shënkollit. Është ruajtur në gjendje relativisht të mirë deri në ditët e sotme kisha në kodrën përballë qytetit, në bregun tjetër të Drinit, ndërtuar më 1240, e cila është deshmi e kuvendit të parë franceskan, themeluar prej vetë Shën Franceskut të Asizit gjatë udhëtimit të tij të kthimit prej Vendeve të Shenjta (para vitit 1221). Është rasti të theksojmë këtu se krishtërimi në Lezhë duhet pranuar se ka zënë fill me shën Palin Apostull, që e përhapi Ungjillin “nga Jeruzalemi në Iliri”, por ipeshkvia e Lezhës dokumentohet vetëm që nga viti 592 e në vazhdim. Gjatë periudhës së pushtimit osman rezidenca e saj ka qenë në fshatin Mërqi, ku, me përkujdesjen e papa Klementit XI, të mbiquajtur Albani për arsye të prejardhjes së tij shqiptare, u mblodh Kuvendi i Arbërit (1703) që ka një rëndsi të veçantë për fatet në vazhdim të gjuhës dhe kulturës shqiptare, përveçse të kishës katolike në këto troje.
Pavarësisht nga migrimet e herëpashershme dhe dyndjet e pësuara, popullsia e Lezhës ka qenë vazhdimisht shqipfolëse. Këtë e dëshmojnë ndryshimet fonetike që ka pësuar emri i qytetit nga Lis, Lissus, Lisos, Alesio, Lesh, Lezhë. Në Lezhë ka patur njërën nga rezidencat e saj mbretëresha ilire Teuta; Dukagjinët e patën qytetin e Lezhës kryeqendër të principatës së tyre dhe princi i fundit i asaj dere, Lekë Dukagjini (1410-1481), u priu shqiptarëve pas vdekjes së Skëndërbeut dhe nuk e reshti luftën edhe pasi u nënshkrua prej venecianëve pushtimi osman i trojeve të Shqipërisë (1479 ), ndërkohë që lezhjanët e kishin braktisur qytetin e Lezhës për të vazhduar rezistencën e tyre në Ishull të Lezhës deri më 1506. Lezhën e Dukagjinëve e zgjodhi edhe Skënderbeu si qytetin më të përshtatshëm (për shkak edhe të prezencës së venecianëve aty që nga viti 1393) për të bashkuar princat shqiptarë (Besëlidhja e Lezhës: 2 Mars 1444) dhe aty ngrysi ditët e fundit të jetës së tij. Sot Katedralja e Shënkollit, ku është varrosur Heroi ynë Kombëtar, është kthyer në një Memorial me arkitekturë të re që vizitohet nga shumë vendas e të huaj.

4. Etnografia
Lezha është qyteti që bashkon tri treva me rëndësi të veçantë etno-kulturore për Shqipërinë e Veriut: Zadrimën, Mirditën dhe Malësinë e Madhe. Ato krahina, së bashku edhe me disa treva të tjera të Veriut, nuk e njohën asnjëherë tërësisht autoritetin e pushtetit religjozo-administrativ të osmanllinjve, por u vetëqeverisën sipas ligjeve të princit të tyre të fundit, Lekë Dukagjinit dhe jetuan me kujtimin e bëmave të Skënderbeut, flamurin e të cilit e ringritën në dhjetor të vitit 1912, pavarësisht se nëpër këmbë kishin trupat e pushtuesve të rinj serbë. Zadrimorët dhe mirditasit janë popullsi autoktone, ndërsa malësorët e Mbishkodrës kanë zbritur në fushat ndërmjet lumenjve Mat dhe Drin 200-300 vjet më parë. Në ish-muzeun etnografik të rrethit, në një ndërtesë karakteristike qytetare, ka qenë pasqyruar kultura materialo-shpirtërore e këtyre trevave, e pasur veçanërisht në shumëllojshmëri kostumesh, zbukurime grarishte, vegla pune, armë të stolisura dhe instrumente muzikore.
Rrethinat e Lezhës kanë një folklor të pasur. Në dasma e gostira këndohen këngët e kreshnikëve dhe balada të qëmotshme. Rapsodët konkurrojnë me krijimet e tyre të reja epike, lirike e satirike. Të grupuar në ansamblin Çiftelia ata janë fitues të shumë trofeve në shkallë kombëtare.

5.Kultura
Në këtë klimë të begatë, që herët u shquan individë me emër në kulturën tonë kombëtare si Lekë Dukagjini, Kanuni me emrin e tij (Shkodër 1933), që u mblodh në kapërcyll të shekujve XIX-XX nga Shtjefen Gjeçovi, është monumenti më i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar. Ndër shprehjet e tij, që kanë mbërritur si fjalë të urta deri në ditët e sotme, mund të përmendim: "Je i lirë me mbajtë burrëninë tënde, je i lirë me u zhburrnue". Frang Bardhi (1606-1643) nga Kallmeti, ipeshkëv i Sapës (Zadrimës), është autori i më të parit Fjalor latinisht-shqip (Romë,1635) me rreth 5 mijë fjalë dhe i Apologjisë për Skënderbeun (Venecia, 1936), shkruar në latinisht. Pjetër Zarishi (1806-1866) prift nga Blinishti i Zadrimës, i doktoruar për teologji, është ndër poetët nismëtarë të Rilindjes sonë Kombëtare së bashku me franceskanin Leonardo De Martinon (1830-1923). Ky i fundit ishte arbëresh nga Grecia e Pulies (Itali), por jetoi në Lezhë dhe rrethinat e saj për mëse 30 vjet ku shkroi edhe pjesën më të madhe të vargjeve që u përmblodhën në librin voluminoz Harpa e një italo-arbëreshi (Venecia,1881). Për Lezhën Zarishi shkruan se prodhon “gjithçka asht nevoja e njeriut me jetue”, ndërsa De Martino në gojën e Zogut në Kafaz jep figurativisht gjendjen e rëndë të shqiptarit në robëri:”Jo këtu s’muj me këndue/ Se kam zemren kah pelcet”. Dëshmi kulturore është edhe vepra e Ali Ulqinakut (1855-1913). Ai ishte lindur në Ulqin dhe u caktua hoxhë në qytetin e Lezhës me të mbaruar Medresenë e Shkodrës. Shkroi dy vëllime me poezi me alfabet arab dhe la në dorëshkrim Fjalorët turqisht-shqip, shqip-turqisht, të parët e këtij lloji në leksikografinë shqiptare dhe turke. Zotëronte disa gjuhë orientale, por deklaronte se “gjuha ime asht shqipja”. Me leksikologji u muar edhe Nikollë Gazulli (1894-1946), lindur në Dajç të Zadrimës ku mori edhe mësimet e para prej Ndre Mjedës, ndërsa studimet e larta teologjike i kreu në Austri. Veprat: Fjalori i fjalëve të rralla të malësive veriore (1941) dhe Fjalorthi i ri (1941).
I lindur në Fishtë dhe nxënës i kolegjit të Troshanit (të dy fshatra zadrimorë në rrethinat e Lezhës), është poeti Gjergj Fishta (1871-1940). Vargjet e tij, ndonëse të ndaluara rreptësisht për gati një gjysmë shekulli, janë përcjellë gojë më gojë duke u deklamuar në tubime familjare apo duke u kënduar me lahutë e çifteli deri në skena masive. Duket si i pabesueshëm ky recepsion “letrar”, por kushdo që i ka shkelur këto treva e më gjerë, patjetër që ka takuar njerëz të thjeshtë që dinë përmendësh të 17 mijë vargjet e Lahutës së Malcis. Poezia e Fishtës jeton ende në këtë mënyrë me lexuesin e vet. Këtë fenomen të dimensioneve homerike vepra e Gjergj Fishtës e ka përjetuar çuditshëm në gjysmëshekullin e njëzetë, edhe kur mjetet e propagandës u përpoqën me sa fuqi patën ta bënin të harruar, armiqësore e dëshmi fajësimi politik. Për Lezhën ai ka shkruar: “Qielli i kaltër, toka e blerë,\Njeti dimen, këtu pranverë”.Përveç Lahutës, Gjergj Fishta është autor i shumë veprave, ndër të cilat: Mrizi i Zanave, Vallja e Parrizit, Anzat e Parnasit, Gomari i Babatasit, Juda Makabe, Jerina, Sh'Francesku i Asizit, Sh'Luigj Gonzaga etj.
Nga gjiri i këtij populli, që jeton me poezinë edhe kur atë ia ndalojnë, kanë dalë poetë bashkëkohorë të talentuar. Ata i bashkon vokacioni tradicional i përjetimit poetik, por dallohen nga teknikat origjinale, ndjeshmëria leksikore dhe nga mënyra se si e përthithin poezinë moderne, prandja janë quajtur nga kritika e viteve ‘70-‘80 “fenomeni novator i poetëve lezhjanë”.
Po kështu, një plejadë publicistësh lezhjanë, veçnërisht, të pas viteve ’90, i kanë dhënë tonet medias bashkëkohore shqiptare. Gazeta më parë e pavarur në Shqipërinë paskomuniste është “Koha Jonë”, që nismat i ka në Lezhë. Sot Lezha ka disa periodikë lokalë, shtypshkronjë dhe një numër shtëpish botuese, ndër të cilat: Lisitan, Gjergj Fishta, Kuvendi etj. Ka bibliotekën me mjedise komode, Galerinë e Arteve Pamore (Pallati i Kulturës) dhe një Galeri private “Studio Art Përvathi” etj.

6. Ekologjia
Duke përshkruar muret antike të qytetit të Lezhës, historinë, kulturën materiale e shpirtërore, shpirtin poetik të popullit dhe figurat e shquara që kanë dalë nga gjiri i tij, duket sikur kemi përshkruar një qytezë imagjinare. Por do të shtonim: Lezha është një vend me dritë e me shumë diell, “është një qytet i ngritur në ajër, që mund të shihet nga të gjitha anët”(Ana Komnena, shek.XII). Ka malin, fushën, lumin e detin. Një plazh me një rërë të mrekullueshme, pyje me burime uji të ftohta, gjole të pasura me peshk e gjah fluri. Një tokë bujqësore, që, si i këndon 150 vjet më parë Zarishi: “Zoti i fali gjithçka asht nevoja e njeriut me jetue”.