Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Si e rrëzuam monumentin e Enver Hoxhës

    Petro Luarasi, dëshmitar okular në ngjarjen e 20 shkurtit 1991 rrëfen se çfarë ndodhi atë ditë, si u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës, si e dha lajmin e rrëzimit të diktatorit në Qytetin Studenti duke brohoritur: e hodhëm qelbësirën. Plagosja e Fatmir Mekoçit i cili kishte hipur në bazamentin e monumentit e guxoi të shpaloste flamurin pa yll dhe të gjitha dyshimet për ato që ndodhën

    Si e rrëzuam monumentin e Enver Hoxhës

    Belina Budini

    Thotë se u bashkua me lëvizjen demokratike popullore për shkak të genit të paraardhësve idealistë dhe bindjes personale për të kontribuar me sa mundej për shkatërrimin e diktaturës. Dhe u gjend në zemër të ngjarjeve për të cilat ka vendosur të flasë, pasi është i zhgënjyer nga disa rrëfime të njerëzve e kinse dëshmitarësh që kanë qenë shumë larg ngjarjes dhe që megjithatë guxojnë të flasin për të. Ndërsa ai vetë është gjendur në shesh dhe tregon gjithçka, që nga fillim i protestës e deri tek shembja e monumentit. Historia e rrëzimit të monumentit u parapri nga zhvillime të tjera që nisën me kërkesat ekonomike të studentëve të ILB-Kamzë, protesta e të cilëve u ndihmua edhe nga dorëheqja e rektorit. Më 7 shkurt filluan një protestë më të organizuar edhe studentët e Universitetit të Tiranës të cilët krahas të tjerave këmbëngulnin që universitetit t’i hiqej emri i diktatorit. Po ashtu të shfuqizohej dekreti i 30 janarit 1990 “Për mbrojtjen e monumenteve e figurave historike”. Nga dita në ditë, krahas propagandës e represionit të diktaturës, rritej frymëzimi dhe solidariteti popullor me studentët. Ndërkohë që urdhërohej mbyllja e universiteteve dhe policia filloi të zbrazë konviktet, u vendos nga komisioni studentor fillimi i një greve urie. Ajo nisi në mesditën e 18 shkurtit kur mbi 700 studentë e pedagogë me në krye studentin e anglishtes, Shinasi Rama, puthën flamurin e u futën në kinoklubin “Studenti” për fitore ose vdekje. Ndërsa më 20 shkurt ndodhi akti më domethënës, rrëzimi i monumentit të diktatorit dhe kësisoj i vetë diktaturës, për të cilin rrëfen personazhi ynë, Petro Luarasi, dëshmitar në vendngjarje.

    Çfarë kujtoni nga ngjarja e 20 shkurtit të vitit 1991 ku keni marrë pjesë edhe vetë?

    Nuk jam dakord me shumë nga ato që janë thënë nëpër emisione televizive “Opinion: lavazh truri e zemre” ku gëlojnë “kompetentët” me rrëfime për datën e bekuar 20 shkurt 1991 e përmbysjen e simbolit të diktaturës. Një kryetar partie “i djathtë” shpreh me frymë moderatore ngjarjen që e kishte ndjekur “nga shkallët e Pallatit të Kulturës”, një opinionist komenton vëzhgimet e rralla me teleskop nga mali i Dajtit e burgu i Qafë-Barit, një shkrimtar përshkruan me përmallim emocionet mbresëlënëse nga alpet zvicerane, teksa kishte dëgjuar nga mediat ndërkombëtare lajmin e bujshëm. Këto historiçka, pa asnjë personazh për be, m’i ngurtësojnë emocionet e ma shpërfytyrojnë keqas ngjarjen fatlume. Ia vlen që disa vëzhgime personale, “ndryshe”, t’i shpalosen lexuesit të nderuar.

    Pikërisht, çfarë kujtoni ju konkretisht nga kjo ngjarje? Cila është e vërteta juaj, ajo që ju patë të ndodhte para syve tuaj?

    Dita e 20 shkurtit zbardhi disi e veçantë. Pas një ndërgjegjësimi të madh, atë ditë filloi një vërshim masiv nga popullsia e Tiranës dhe tërë rrethet e vendit. Një ndihmesë vendimtare dhanë sindikatat e pavarura. Entuziazmi i të pranishmëve arriti kulmin në mesditë kur në godinën e degës mekanike, përballë kinoteatrit, u shfaqën disa drejtues midis tyre edhe aktorja e mirënjohur Rajmonda Bulku e cila iu drejtua “nënave e motrave” që në ballë të popullit të marshonin drejt Presidiumit të Kuvendit Popullor për të kërkuar që emri i diktatorit të mos bëhej objekt kurbani për grevistët e urisë. Njerëzit të entuziazmuar u nisën përmes rrugës së Elbasanit. Konfrontimi i parë u bë me zjarrfikëset tek cepi verior i ambasadës amerikane ku me dhjetëra njerëz u spërkatën me një kimikat të kuq e më pas u krye një përpjekje e vogël në krah të RadioTiranës. Në turmë dallova dy flamuj pa yll që valëviteshin nga Artur Zadrima e Fatmir Merkoçi. Kur turma u afrua në cepin lindor të Kryeministrisë, ndërhynë dhunshëm forcat e rendit. U përdorën edhe qentë, u dëgjuan edhe të shtëna armësh nga gardistët. Protestuesit u tërhoqën prapa, kurse disa dhjetëra syresh, midis tyre edhe unë me disa shokë “polikumsa”, kaluam gardhin e INIMA-s dhe dolëm tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
    Atje filluam të protestojmë me thirrjet “Policët vëllezërit tanë”, “Për mëmëdhenë, eja mblidhuni këtu-këtu”. Meqë ishte e pamundur të çahej gardhi i policëve pasi edhe numri i protestueve ishte relativisht i vogël, një pjesë u drejtua nga sheshi “Skënderbej” për të bashkuar popullin në protestë. I gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ishte i boshatisur. Vetëm përballë hotel “Dajtit” pranë trotuarit të parkut Rinia, na filmoi një kameraman. (Disa vite më pas e kam parë veten në foton e një ekspozite. Në rreshtin e parë, në qendër, në krah të majtë të të njohurit tim të vjetër dhe shok bange në universitet, dega elektrike, Artur Zadrimës i cili mbante flamurin pa yll. E përmend këtë emër, pasi më vjen keq se shumë artikullshkrues të kësaj ngjarje, ndoshta nga padia nuk e përmendin këtë trim). Zbritëm në lulishte e më pas në shesh ku na sulmuan zjarrfikëset e forcat e rendit. A.Zadrima me flamur e dy-tre të tjerë hipi tek monumenti i Skënderbeut, Fatmir Mekoçi me flamur dukej tek banka, ndërsa unë me ndonja njëzet të tjerë u gjendëm tek shkallët e para të monumentit të diktatorit duke brohoritur “Policët vëllezërit tanë!”. Nuk më hiqen nga mendja ato momente tragji-komike të cilat mendoj se ia vlen të tregohen me hollësi.

    Pse tragji-komike?
    Nuk ishim më shumë se 20-30 veta, përballë rreth njëqind forcave policore. Rreth e rrotull trotuareve, tek Muzeu, Pallati i Kulturës, Xhamia e banka, me mijëra njerëz brohorisnin dhe hidhnin gurë mbi “morrat” e policisë që rrotulloheshin me tërsëllimë. Në sulmin e parë të policëve u plagos një bashkëprotestues që nuk e njihja. Ndërsa e ndihmova të vendosej në cep të trotuarit, në të djathtë të monumentit, u ktheva përsëri përballë forcave të policisë që ishin tërhequr, duke u bërë thirrje të bashkoheshin me ne. Më tërhoqi vëmendjen fakti që dy të rinj po i qëllonin pa shkak me copa gurësh e mermeri. Kur i këshillova që të mos qëllonin kot pa shkak, se policët ishin vëllezërit tanë që i kishin sjellë me zor, ata donin të më qëllonin edhe mua, por u ndalën nga disa të tjerë. Ata u distancuan e vazhdonin të qëllonin. (Mos ishin provokatorë?). Ndërkohë filloi sulmi i dytë e më pas edhe i treti që ishte më i fuqishëm dhe policët arritën të na zmbrapsnin deri prapa monumentit. Më i vendosuri ishte një polic që shtinte me pushkë me fishekë manovre. Ai plagosi Fatmir Mekoçin i cili kishte hipur në bazamentin e monumentit e guxoi të shpaloste flamurin pa yll. Policët e tjerë e masakruan. Rrahja e Fatmirit ishte aq barbare sa ai ra në gjendje kome. (Më vonë më tha se kishte shpëtuar në spital vetëm në saj të neurokirurgut të shquar Arjan Xhumari). Të gjithë, popull e policë, menduan se vdiq. Zemërimi i jashtëzakonshëm i turmës i ngurtësoi policët (ndoshta ata kishin urdhër që të mos vrisnin njeri) dhe përcaktoi “paqen”. Tashmë grupit tonë i ishin shtuar me qindra.

    Si u rrëzua monumenti i diktatorit?
    Pas ndonja çerek ore pashë dy persona që po sillnin një kavo të gjatë dhe u afruan pas monumentit. I çuditur u afrova. Ndërsa dikush po qëllonte me një copë mermer për të prishur lidhjen midis bazamentit prej betoni e fundit të këmbëve (?!) ( bazamenti nuk kishte vida siç kanë fantazuar disa) njëri tha që kavon ta lidhnin tek dora prapa shpine e monumentit për ta rrëzuar. Një djalë hipi mbi monument. Më pas dikush solli një litar më të gjatë, i lidhën një kapërton biçiklete e ia hodhën tek koka. Pas disa tërheqjesh, monumenti u lëkund e më pas ra (ishte ora rreth 13, 55) Vërtet fat i madh që nuk zuri përfund njeri. Momenti i rënies ishte madhështor. Tek u lëkund dhe ra, nga heshtja e beftë shpërtheu një klithmë fantastike nga ata dhjetëra mijëra frymë që qëndronin anembanë sheshit “Skënderbej”. U mahnita kur ndërkohë pashë edhe disa policë tek përqafoheshin e hidhnin kapelet përpjetë. Kjo ishte pasqyrë madhështore e ndjenjës popullore të amëshimit “apolitik” për liri e demokraci. Ndërsa turma gëlonte rreth kërmës, e i zhvaste copëra për kujtim, e pa shqetësuar as nga uturima e një helikopteri që u vërdallos për disa minuta, ndjeva të më thërriste një zë. Ishte ish-pedagogu im, Niko Qako, me motorin e tij “Vespa”. Ai ishte dhëndër i ministrit të Mbrojtjes Prokop Murra dhe dinte shumë gjëra. “Keni shpëtuar për mrekulli, o Petro”, -tha i gëzuar dhe me bujari ma plotësoi dëshirën që të më çonte me motor tek Qyteti Studenti.

    Pra ju jeni “ai anonimi me Vespa” që çuat lajmin e rrëzimit të bustit në Qytetin Studenti?
    Po, kam krenarinë të them se unë jam “ai anonimi me Vespa” që dhashë lajmin e rrëzimit të bustit tek studentët. I thërrita Metin Jarecit: “Tini, Tini! E hodhëm qelbësirën, e hodhëm qelbësirën!” Por pas ca kohe gëzimi u kthye në tmerr, kur pamë që nga përposhtë rrugës së Elbasanit po ngjiteshin disa tanke, por që për fat vazhduan rrugëtimin drejt Varrezave të Dëshmorëve. Më pas mësuam se ishte përhapur lajmi se gjoja do të sulmohej varri i diktatorit. Por gëzimi u bë edhe më i madh kur sollën me kamion kërmën e shpërfytyruar tek studentët. Hareja s’kishte të përshkruar. Koka e diktatorit u var në litar në katin e dytë të kinoteatrit. Atje u takova edhe me Artur Zadrimën me shokë, tek festonin hareshëm. S’ia kisha ngenë të qëndroja por u nisa me një frymë për në shtëpi, të dëgjoja lajmet. Tek fillimi i ambasadës amerikane takova një shok i cili më tha që të hidhnim një sy andej nga Garda për të parë se ç’bëhej. Tek shatërvani i universitetit e më pas pranë Gardës pamë repartet ushtarake që shkonin drejt objekteve shtetërore. Pamja e tyre na drithëroi: shikime gjakësore, xheste prej të droguarish. Rrotull Bllokut ishin përqëndrua tanke. Ky ishte vizioni tragjik i të nesërmes që për fat nuk përgjaku tërë Tiranën, vetëm në saj të përkushtimit të disa heronjve me në krye Neritan Cekën. Në shtëpi lajmet që dëgjova me shokun na qetësuan disi. Televizioni e radio kishin ngjyrime festive ku fekste vetë Alfons Gurashi, por në darkë u shpërfytyrua gjithçka. Më pas filluan arrestimet.

    Pra kush mendoni ju se e përgatiti rrëzimin e monumentit të Hoxhës?
    Natyrshëm dyshoja për mekanizmin e rrëzimit e më lindnin pyetjet: Si ishte i fiksuar bazamenti dhe deri në ç’masë sigurohej monumenti shtatë metrosh që të mos rrëzohej nga ndonjë “tërmet” apo ky fakt dëshmon për punën sabotuese “të armikut” ndaj “udhëheqësit”? Në kushtet kur sapo kishte dalë një ligj i rreptë për ruajtjen e monumenteve, ç’masa u morën për ruajtjen e tij në qendrën e Tiranës? Kush mbante përgjegjësi në rast se ai dëmtohej? Kush e mendoi dhe zbatoi “aksionin” për rrëzimin e tij? Si shpjegohet që gjatë disa orëve që “u përleshën” protestuesit me forcat e policisë (nuk kishte gjëkundi forca të ndërhyrjes së shpejtë) nuk u zbraz as edhe një plumb “prej vërteti”, ndërsa sapo u përhap lajmi se do të shkatërrohej varri i Enver Hoxhës në Varrezat e Dëshmorëve, për atje u nisën disa tanke të Gardës të gatshëm për kasaphanë që do ta bënin me siguri dhe të nesërmen po të sulmohej Blloku? Kaq e parëndësishme ishte ruajtja e monumentit për diktaturën, apo drejtuesve të saj iu fanit fundi tragjik i Çausheskut? Çfarë çështje më madhore se ideali dhe përjetësimi i madhështisë do t'i bashkonte të shoqen dhe ndihmësin më të afërt të diktatorit?
    Rrëzimi i monumentit është pasqyruar gjerësisht nga masmedia këtë dekadë, është folur gjerë e gjatë për të mirat e të këqiat e këtij akti. Shumë njerëz e bile forca politike janë përpjekur të përvetësojnë meritat. Por me këtë rast edhe unë vetë do të doja të dija, për hir të së vërtetës e si dëshmitar okular i ngjarjes, pa u nisur nga asnjë motiv politik, thjesht të “zbuloj” rrezen e së vërtetës: Kush e hodhi monumentin?
    Duke u bazuar edhe në faktet që kam mësuar më vonë, mbi debatet në Byronë Politike, shprehem se këtë ngjarje e ka parapërgatitur Ramiz Alia me përkrahësit e tij, por ndihmoi edhe rastësia: Plagosja për vdekje e Fatmir Makoçit dhe reagimi popullor i drithëroi strukturat e rendit që nuk qëlluan me plumba “prej vërteti”. Për këtë personalisht u jam mirënjohës se me një plumb “për hir të idealit” mund të kisha shkuar edhe unë për dhjamë qeni.


    Intervistoi: Belina Budini

  2. #2
    djalli,më i dashuri i Zot
    Anëtarësuar
    23-03-2005
    Vendndodhja
    Në Zvicerr
    Postime
    116
    Më duket se kjo nuk i solli asnjë të mirë Shqipërisë përveq dëshirës(mashtrimit) se e reja do të na sjellë parajsën Evropiane!...Shumë më tepër u pëlqyen nga Evropa ata që nuk e rrëzuan historinë e vet komuniste me dhunë djeg-je dhe shkatrrime!...
    Ndryshuar për herë të fundit nga BlueBaron : 17-05-2005 më 12:16

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    KUJTIMET E HRUSHOVIT PËR SHQIPËRINË

    Hrushov, kujtimet për Enver Hoxhën

    Nikita Hrushov në kujtimet e tij për Shqipërinë, i mëshon idesë se Konferenca e Tiranës do të kishte sjellë demokratizimin në Shqipëri, sikur të ishin zëvendësuar Hoxha, Shehu dhe Balluku

    Belina Budini

    Të shkruara në kohën e reflektimit dhe të distancimit të tij nga Stalini, në kujtimet e Nikita Hrushovit zë një vend të rëndësishëm edhe kapitulli për Shqipërinë. Kur shkruante këto kujtime, Hrushovi kishte mundur të perceptonte se kush kishte qenë në të vërtetë Stalini me të cilin kishte qenë shumë i afërt, por që siç shkruan vetë, nuk kishte arritur ta njihte para vdekjes përmasën e krimeve të tij të tmerrshme. Shqipëria në këtë kohë ishte divorcuar me sovjetikët dhe ishte hedhur në prehrin e Kinës. Këto janë ankorime kohore që Hrushovi i jep vetë gjatë kujtimeve të veta, ndërsa në “Kujtimet” shqip të përkthyera nga Nikolla Sudar dhe të botuara nga “Ombra Gvg”, nuk ka asnjë informacion për kohën dhe rrethanat kur Nikita Hrushov i mbajti këto kujtime. Përveç këtyre kujtimeve Hrushovi ka shkruar edhe një autobiografi, e cila ende nuk është përkthyer në gjuhën shqipe dhe ku bën një reflektim përfundimtar për botën komuniste. Sidoqoftë, në këto kujtime që vijnë për herë të parë në shqip, është interesant reflektimi i ish-udhëheqësit komunist për botën komuniste shqiptare.
    Sigurisht, Hrushovi nuk e sheh Shqipërinë në këto kujtime si ndonjë faktor më vete, por në kuadrin e marrëdhënieve të Bashkimit Sovjetik me Partinë e Punës së Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare. Dhe marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve ishin “tamam siç kërkohej midis vendeve socialiste”, siç shkruan Hrushovi, të paktën gjatë periudhës së Stalinit, kur mes dy vendeve ende nuk kishte patur asnjë kontradiktë të vetme. Por kur flet për periudhën e luftës së popullit shqiptar kundër nazifashistëve, ai i referohet Titos, duke shkruar diçka shumë të diskutueshme nga pikëpamja historike se “në atë kohë populli shqiptar i kishte unifikuar energjitë e veta me jugosllavët dhe krahë për krah ata kishin luftuar kundër armiqve të përbashkët- Gjermanisë hitleriane dhe Italisë fashiste”. Gjithnjë duke iu referuar atyre që i ka treguar Tito, Hrushovi shkruan se “Partia Komuniste e Jugosllavisë i kishte dhënë një ndihmesë të madhe popullit shqiptar në organizimin e luftës kundër fashizmit”.

    Kur Enver Hoxha mbahej në fije të perit
    Në kujtimet e tij Nikita Hrushov flet jo pak për procesin e demokratizimit, nismëtar i të cilit në fakt ka qenë edhe vetë në Bashkimin Sovjetik, edhe pse brenda idesë komuniste për botën. Për sa i përket Shqipërisë, ai shkruan se në këtë vend kjo çështje mori një kthesë të veçantë. “Bashkëpunëtorë të ambasadës sonë atëherë, më kanë treguar se aktivi i partisë për Tiranën u zhvillua nën një tension shumë të madh. Kjo mbledhje zgjati disa ditë dhe Enver Hoxha mbahej në fije të perit. Atë e kritikuan rëndë, madje u hodh ideja që të zëvendësoheshin Hoxha, Shehu dhe Beqir Balluku, e tërë kjo trojkë. Nuk më kujtohet se kush tjetër nga drejtuesit partiakë iu nënshtrua kritikës në aktivin e partisë për Tiranën. Por unë po i kushtoj vëmendje këtij fakti, sepse, me sa u duk, ai do të kishte rëndësi vendimtare për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe të Partisë së Punës së Shqipërisë. Megjithatë, Hoxha e kaloi lumin. Edhe ai, edhe Shehu, edhe Beqir Balluku mbetën në udhëheqje, ndonëse kjo ngjarje i trembi për vdekje”, - shkruan Nikita Hrushov në kujtime të tij për Shqipërinë. Përveç kësaj, Hrushovi shkruan se ata ishin të tronditur në të gjitha drejtimet, sepse e quanin veten autoritete dhe udhëheqës të pakritikueshëm, që irritoheshin me ata njerëz që kishin guxuar të ngrinin zërin në aktiv dhe të trondisnin autoritetin e tyre dhe që madje jo vetëm e kishin tronditur, por siç shprehet Hrushovi, “gati sa nuk i kishin rrëzuar nga postet e tyre drejtuese”.

    Si do të “gllabërohej” Shqipëria
    Për sa i përket çështjes së përfshirjes së Shqipërisë në Jugosllavi, Hrushovi kujton se “kur akoma ekzistonin marrëdhënie shumë të mira midis Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë dhe Tito gëzonte besim absolut te Stalini, më kujtohet se në prezencën time Stalini diktoi një telegram për Titon, ku flitej se marrëdhëniet e mëtejshme reciproke me Shqipërinë duhet të synonin që ajo të futej në përbërjen e Federatës Ballkanike. Ky telegram u dërgua. Sigurisht që në Shqipëri për këtë çështje askush nuk dinte gjë. Stalini e kishte bërë të vetën idenë e krijimit të Federatës Ballkanike dhe shpesh e shfaqte këtë mendim në rrethin tonë”. Më tej, në kujtimet për këtë çështje, Hrushovi shkruan se ajo kishte filluar të konkretizohej aq shumë, saqë për selinë e qeverisë së re të Federatës Ballkanike ku do të bënte pjesë edhe Shqipëria e vogël që ende nuk dinte gjë, kishte nisur të ndërtohej një pallat afër Beogradit. “Kur unë isha në Beograd, e pashë atë vend. Atje ishin ndërtuar shumë konstruksione betonarmeje, por më pas gjithçka u braktis. Përfshirja e Shqipërisë në përbërje të Jugosllavisë nuk ishte në kundërshtim me idenë e Stalinit për krijimin e Federatës së Shteteve Ballkanike. Kur u ndërprenë marrëdhëniet miqësore me Jugosllavinë dhe Stalini filloi ta urrejë Titon, ideja e Federatës Ballkanike u varros”, - kujton Hrushovi.
    Kur flet për marrëdhëniet e mëtejshme me Jugosllavinë, Hrushovi megjithatë përmend si rastin më ekstrem të politikës antijugosllave pikërisht Shqipërinë. Një gjë e tillë sigurisht që i kishte pëlqyer për një farë kohe Bashkimit Sovjetik, i cili madje e kishte inkurajuar këtë politikë të palës shqiptare. Por Hrushovi mendonte se ky pozicionin i Shqipërisë u bë dëmtues, kur Bashkimi Sovjetik dhe ai vetë vendosi të ndërmerrte hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve sovjeto-jugosllave. Shqipëria ishte i vetmi vend që, siç kujton Hrushovi, u bë pengesë për normalizimin e këtyre marrëdhënieve. “Udhëheqësit e shtetit shqiptar dhe të Partisë së Punës i pritën shumë keq propozimet tona dhe u përpoqën të vërtetojnë se jugosllavët janë njerëz të pandreqshëm, se ata nuk janë komunistë. E tëra kjo shprehej me një duf keqdashës. Veçanërisht u zemërua Enver Hoxha. Ai ka karakter të ashpër dhe kur flet për atë që nuk i pëlqen, fytyrën sikur ia kap ngërçi dhe gati sa nuk kërcet dhëmbët”, - e përshkruan Hrushovi Enverin në këtë fragment nga kujtimet e tij.
    Megjithatë, Shqipëria në fund e pranoi propozimin e BRSS-së dhe Hrushovi thotë se kjo ndodhi ngaqë Bashkimi Sovjetik i bindi ata, por se e panë që nuk kishte rrugëdalje tjetër. Kur flet më tej për marrëdhëniet mes BRSS-së dhe Jugosllavisë, në politikë dhe në ekonomi, Hrushovi kujton se një gjë e tillë shkaktoi një neveri edhe më të madhe në Shqipëri. “Në ato kohëra ne mbanim qëndrimin e shokut më të madh në moshë: po ç’të bësh, kur ata nuk e kuptojnë? Por do të rriten dhe do ta kuptojnë se në të vërtetë, këtu nuk ka asgjë shqetësuese. Dhe ne e sqaruam pozicionin tonë, në mënyrë që shqiptarët të na kuptonin sa më mirë”, - shkruan Hrushovi. Sipas tij, marrëdhëniet e BRSS-së me Shqipërinë nuk ishin thjesht vëllazërore, por marrëdhënie të barabarta. Raportet e të madhit me të voglin, sipas tij, lindin kur vjen puna te dhënia e ndihmës. Dhe në këtë rast ishte Bashkimi Sovjetik shoku i madh që “kishte harxhuar mjete të shumta për të ndihmuar Shqipërinë”.

    Hrushovi: Të gjitha meritat për ushtrinë e Bashkimit Sovjetik
    Ndërsa vendeve të tjera BRSS-ja u jepte ndihmë me kushte favorizuese, ndaj Shqipërisë Hrushovi shkruan se ndihma është realizuar kryesisht nëpërmjet rrugës së dhurimit. Ai shkruan se ishte Bashkimi Sovjetik ai që mori përsipër mbajtjen e ushtrisë shqiptare me uniforma, me ushqime, me armatime, me municione dhe të gjitha këto gratis.
    Sigurisht, një arsye për këtë kishte dhe është pikërisht ajo që imagjinohet. Pakti i Atlantikut Verior ishte krijuar dhe Shqipëria kishte një pozicion të favorshëm strategjik në detin Mesdhe, të cilin, siç shkruan Hrushovi, Bashkimi Sovjetik e konsideronte si bazë të vendeve socialiste në këtë det. “Shtrohej pyetja: A ishte e nevojshme që ne të mbanim atje ushtrinë tonë apo të krijonim një ushtri të fortë shqiptare? Realisht Shqipëria mund të mbante një ushtri të vogël në numër, e cila nuk do të ishte në gjendje t’i bënte ndonjë përshtypje kundërshtarit. Vetë ajo praktikisht nuk prodhonte armatim. Prandaj vendosëm ta ndihmojmë materialisht për krjimin, brenda mundësive, të një ushtrie shqiptare të madhe në numër...”, - kujton Hurshovi, duke shtuar se kur filluan të ashpërsoheshin marrëdhëniet e BRSS-së me Perëndimin, pas luftës, një konflikt ushtarak nuk ishte mundësi e përjashtuar.
    Falë pozicionit të vet Shqipëria përbënte një kërcënim serioz për veprimtarinë e bllokut ushtarak të NATO-s në detin Mesdhe. “Prandaj në atë kohë ne u morëm vesh me shqiptarët për të ngritur tek ata një bazë nëndetësesh. Kështu u miratua vendosja atje e 12 nëndetëseve. Merreni me mend, ky ishte një përqendrim ushtarak mjaft i fuqishëm- 12 nëndetëse në detin Mesdhe. Me një përqendrim të tillë duhet të përballeshin kundërshtarët tanë. Këto nëndetëse ne donim t’ia jepnim Shqipërisë. Marinarët tanë arritën atje me të gjitha pajisjet zhytëse dhe riparuese për t’i trajnuar ushtarakët vendës dhe, sapo të krijohej njësia shqiptare e ndëndetëseve, t’u dorëzoheshin atyre këto mjete. Një hap i tillë dëshmon besimin e madh, por unë do të thoja, edhe dashurinë e madhe që tregonim ne për miqtë shqiptarë. Delegacionet shqiptare vinin te ne, të kryesuara në disa raste nga Enver Hoxha dhe Mehemet Shehu. Midis nesh u krijuan marrëdhëniet më të mira, pa folur tashmë për popullin e thjeshtë shqiptar”, - kujton Hrushov.

    Nikita Hrushov: Shqipëria, ekonomi mizerabël
    Nikita Hrushov shkruan në kujtimet e tij se Shqipëria ishte një vend aq i varfër, sa nuk kishte asgjë në kuptimin e rezervave që mund të ngjallte interesin e Bashkimit Sovjetik. Prandaj marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve ishin kryesisht në interes të Shqipërisë. “Madje edhe ajo sasi mizerabël nafte, të cilën Shqipëria filloi ta nxjerrë me ndihmën tonë, po vetë ne ia blinim”, - shkruan Hrushov, duke shtuar se kjo ishte naftë e një cilësie aq të ulët, saqë ishte e pamundur ta nxirrje në tregun perëndimor dhe se BRSS-ja e bleu atë sasi nafte për të shlyer furnizimet e tyre. Madje shton se një gjë të tillë e bënin sepse po të mos e merrte Bashkimi Sovjetik, askush tjetër nuk do ta blinte këtë naftë, gjë që do të thoshte se duhej të hiqej dorë nga nxjerrja e naftës. Më tej Hrushovi shkruan se “Patsaj ne u kemi dhënë shqiptarëve edhe traktorë. Territori i tyre është i vogël dhe ka pak tokë të punueshme. Por ne donim që të ndihmonim për ta ngritur ekonominë shqiptare në nivelin bashkëkohor, për ta bërë Shqipërinë një xhevahir, i cili të joshte botën myslimane, veçanërisht Lindjen e Afërme dhe Afrikën drejt komunizmit. Ja cilat ishin në thelb synimet tona dhe politika që ndiqnim atje”, - shkruan Hrushov, ndoshta jo me ndonjë sinqeritet të madh. Mandej ai nuk lë pa përmendur radiostacionin, të cilin propozuan ta ndërtonin në Shqipëri dhe portin e madh që arriti të ndërtohej.





    Fragment nga kujtimet e Nikita Hrushovit për vizitën e tij në Shqipëri

    “Nuk vura re asnjë re të zezë nga Hoxha dhe Shehu”

    “Disa herë shqiptarët na ishin lutur për të dërguar nga ana jonë një delegacion partiak dhe shtetëror të nivelit më të lartë. U vendos që një delegacion të tillë ta kryesoja unë dhe ne u nisëm për në Shqipëri. Para se të niseshim, i informuam miqtë shqiptarë se nuk dëshironim që publikisht, në praninë tonë, të adresohej ndonjë kritikë ndaj Jugosllavisë dhe udhëheqjes së saj. Në atë periudhë Shqipëria mbante marrëdhënie shumë të acaruara me Jugosllavinë dhe zhvillonte kundër saj një duel të hapur edhe në shtyp. Unë isha i mendimit se kjo gjë po sillte dëm. Prandaj e shqyrtuam mes nesh dhe njoftuam Enver Hoxhën se nuk dëshironim që gjatë kohës së qëndrimit të delegacionit tonë në Shqipëri, të vazhdohej konflikti në shtyp midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Ne i paralajmëruam që edhe nëpër mitingje të mos na përfshinin në diskutime të tilla...
    Gjatë kohës së vizitës sonë, nëpër mitingje dhe nëpër mbledhje të tjera, shqiptarët iu shmangën kritikës ndaj Jugosllavisë. Por dukej qartë se e përballonin me vështirësi. Në biseda me dyer të mbyllura shqiptarët përpiqeshin të na bindnin se me jugosllavët nuk mund të kishte pajtim, se ata nuk janë komunistë e plot gjëra të tilla. Ne nuk u mirëkuptuam dot me ta, ndonëse edhe nuk i përkrahnim të gjitha gjërat që ndodhnin në Jugosllavi... Gjatë kohës së qëndrimit tonë në Shqipëri, shqiptarët u sollën si miq dhe midis nesh nuk lindi asnjë fërkim... Atje kaluam disa ditë, pamë kryeqytetin e tyre, vizituam edhe qytete të tjera, fshatra dhe porte. Kudo vumë re një qëndrim jashtëzakonisht entuziast ndaj Bashkimit Sovjetik, ndaj popullit tonë, ndaj partisë sonë, si nga ana e punonjësve shqiptarë, ashtu edhe nga ana e Hoxhës dhe e Shehut. Unë nuk konstatova ndonjë re të zezë që të mund të errësonte diellin e miqësisë, nën të cilin ne dëshironim t’i gëzoheshim jetës dhe të ndërtonim marrëdhënie vëllazërore midis BRSS-së dhe Shqipërisë. Midis nesh nuk lindën mosmarrëveshje... Gjithçka e re, e ndërtuar atje, ishte realizuar me ndihmën tonë, me kredinë tonë, nga specialistët dhe punëtorët tanë... Shipëria është një vendi vogël. Por populli i saj, i kufizuar numerikisht, jeton në një vend interesant gjeografik, ku ndërthuren kontradikta të ndryshme të Evropës, prandaj të shumtë janë edhe kundërshtarët e saj”.


    Nikita Hrushov shpjegon hap pas hapi të gjitha lëvizjet politike që shënuan prishjen e marrëdhënieve mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë

    “Shqiptarët dolën të humbur nga prishja me BS-në”

    “Liderët shqiptarë e përqafuan me dëshirë politikën antisovjetike, të cilën e kishte shpallur Mao Ce Duni. Nuk ishte e nevojshme që të nxiteshin, sepse, nisur nga situata e rrezikshme që u krijua për ta pas Kongresit XX të PKBS-së, ishin përgatitur për të jo më pak se kinezët. Ata e kuptonin se ku përmblidhej esenca e goditjes ndaj kultit të individit: ajo drejtohej kundër pushtetit personal, kundër normave antidemokratike të jetës në parti dhe në mbarë vendin. Kjo gjë nuk trembi vetëm liderët shqiptarë, por edhe më gjerë... Por demokratizimi nuk përputhej sigurisht me veprimtarinë praktike të Hoxhës, Shehut dhe Ballukut. Kur midis nesh u acaruan marrëdhëniet dhe më pas ato kaluan në armiqësi, te ne rendën disa shokë shqiptarë, të cilët, duke hedhur lotë, na tregonin hollësisht se çfarë situate ishte krijuar në vendin e tyre dhe ku ishin katandisur... Mënyra e tyre i ngjante shumë mënyrës që zbatonte Stalini. Kjo situatë i shkaktua në Shqipëri nga frika e demokratizimit të vendit, nga frika e demokratizimit të jetës shoqërore dhe politike, rrugë të cilën unë e quaja të pashmangshme. Pikërisht për këtë shkak midis nesh ndodhi prishja e marrëdhënieve. Nëpër cilat etapa kaloi prishja? Para së gjithash ne u informuam se shqiptarët po zhvillojnë bisedime me kinezët, të drejtuara kundër PKBS-së dhe partive të tjera motra. Fakte të tjera më parë nuk kishim. Në këtë kohë nga Kina nëpërmjet Bashkimit Sovjetik, po kthehej një delegacion shqiptar. Në Komitetin tonë Qendror erdhi një shqiptare, grua shumë e ndershme. Mendoj se tashmë të gjorën e kanë zhdukur. Gestapo nuk kishte arritur ta asgjësonte, ndërsa “vëllezërit” i lanë hesapet me të dhe e eliminuan, sepse si një komuniste e sinqertë erdhi te ne në Komitetin Qendror, dhe na tregoi se për çfarë kishin biseduar kinezët me delegacionin shqiptar dhe se si këta të fundit ishin marrë vesh me ta. Nisur nga naiviteti ynë, sapo e morën vesh këtë gjë, rendëm te Mehmet Shehu, që atëherë kurohej te ne në spital. Atij i treguam gjithçka dhe e pyetëm sesi ishte e mundur që në Kinë të zhvilloheshin bisedime të tilla. Në të vërtetë Shehu largua me ngut nga spitali dhe po në atë çast fluturoi drejt Shqipërisë.
    Shkëputja përfundimtare ndodhi në Kongresin e radhës të Partisë Komuniste të Rumanisë... Tani nuk më kujtohet emri i përfaqësuesit të Partisë së Punës së Shqipërisë në Kongresin e Bukureshtit. Ndërkohë unë e pyeta atë: “Si është puna? Ai m’u përgjigj: “Shoku Hrushov, edhe unë vetë nuk po kuptoj gjë, por kam marrë direktivën të mbështes kinezët”... Dhe kur në vitin 1960 u mblodhën në Kremlin për një këshillim të të gjitha partive komuniste dhe të partive të tjera motra, Hoxha mbajti një fjalim me akuza antisovjetike. Ai na tregoi dhëmbët më fort sesa vetë kinezët...
    Liderët shqiptarë, me metodat e tyre të ekzekutimeve të fshehta dhe të hapura, krijuan një partie, e cila mbahej e bashkuar vetëm nga frika. Ata nuk mund të pranonin vendime të Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, sepse në luftën kundër PKBS-së, ashtu si edhe kinezët, ngritën lart emrin e Stalinit. Stalini- ja ideali i vërtetë për ta!... Kjo natyrisht ishte tragjedia e vërtetë e popullit shqiptar. Nuk e di që shqiptarët të kenë dalë të fituar nga e tëra kjo, por unë kam mendimin se kanë dalë të humbur: “Ne ua ndërpremë atyre të gjitha ndihmat dhe grisëm të gjitha marrëveshjet....”

    Episodi, sipas Hrushovit
    Konflikti për nëndetëset që mund të
    kishte hapur luftë mes BS-së dhe Shqipërisë

    Nikita Hrushov tregon edhe një episod nga konflikti i fundit i Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë. “Ne i dhamë asaj 12 nëndetëse, siç kam thënë dhe kur marrëdhëniet tona u acaruan. Ne vendosëm t’i merrnim të tëra nëndetëset, si edhe pajisjet që i shoqëronin ato. Shqipëtarët e kundërshtuan këtë gjë. Më duket se në tri nëndetëse ekuipazhi ishte tërësisht shqiptar, në një apo dy ishte i përzier. Ne mundëm të heqim tetë apo nëntë nëndetëse dhe tri apo katër mbetën në Shqipëri. Madje prisnim edhe veprime agresive nga ana e shqiptarëve, prandaj kur i tërhoqëm nëndetëset, anijet tona luftarake, nuk më kujtohet se sa, ndodheshin afër brigjeve të Shqipërisë për të ndërhyrë po ta lypte nevoja. Në rast se autoritetet shqiptare do të përpiqeshin t’i mbanin nëndetëset tona me forcë, atëherë anijet tona luftarake do t’i kërcënonin ata”. Ai i mbyll kujtimet për Shqipërinë, duke shtuar se ky epidos shënoi edhe prishjen e plotë me Shqipërinë.


    Nikita Hrushov për Enver Hoxhën

    Karakter i ashpër, zemërak

    Duke folur për refuzimin që i bënë udhëheqësit e shtetit shqiptar dhe të Partisë së Punës së Shqipërisë propozimeve të Bashkimit Sovjetik për normalizimin e marrëdhënieve sovjeto-jugosllave, Nikita Hrushov shkruan në kujtimet e tij se pala shqiptare shprehu një duf keqdashës. “Veçanërisht u zemërua Enver Hoxha. Ai ka karakter të ashpër dhe kur flet për atë që nuk i pëlqen, fytyrën sikur ia kap ngërçi dhe gati sa s’kërcet dhëmbët”, - e përshkruan zemërimin e diktatorit shqiptar Hrushovi.


    Nikita Hrushov për trojkën Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Beqir Balluku

    Treshja që kryente krime të llahtarshme

    Në kujtimet e tij për Shqipërinë, Nikita Hrushov flet edhe për atë që ai e quan trojka e udhëheqësve shqiptarë dhe që përbëhej nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Beqir Balluku. Hrushovi shkruan se Tito i kishte treguar se drejtuesi kryesor i Partisë Komuniste të Shqipërisë kishte qenë një shok shumë i mirë, të cilin e njihnin dhe e mbështesnin jugosllavët dhe që vinte nga radhët e klasës punëtore dhe ishte ky organizatori i vërtetë i Partisë Komuniste të Shqipërisë. “Por Hoxha, Shehu dhe Balluku organizuan një komplot kundër tij, madje flitej se personalisht Shehu e kishte mbytur këtë njeri. Pa kaluar shumë kohë, ne u informuam edhe për raste të tjera të llahtarshme: dikë e mbytën dhe dikë tjetër e vranë fshehurazi. Atje zbatohej një sistem i tillë: nëse dikush gabonte dhe këtë e konstatonin Hoxha, Shehu dhe Balluku, atëherë të tre bashkë jepnin ndëshkimin. Mjaftonte që të tre të ishin të një mendje se ky njeri ishte i dëmshëm dhe ata e gjenin mënyrën sesi ta zhduknin fshehurazi, prandaj ky njeri zhdukej pa vonesë. E tëra kjo i ngjante shumë mënyrës që zbatonte Stalini. Nëpërmjet Berias dhe personave të tjerë të tillë, ai arriti të asgjësonte shumë njerëz të ndershëm”, - shkruan Hrushovi.


    Hrushovi për librin e Boris Pastërnakut

    Nuk ia fal vetes që ndalova “Doktor Zhivagon”

    “Duke kujtuar fatin e librit “Doktor Zhivago”, nuk ia fal vetes që ai u ndalua te ne. Unë jam fajtor se nuk veprova ashtu si me librin “Fletorja e kaltër”. Dallimi (ndonëse nuk më jutstifikon dot) qëndron në faktin se unë e kisha lexuar “Fletoren e kaltër”, dhe se e kisha pikasur me sytë e mi budallallëkun e censurës. Unë kërkova prej saj që të sqarohej Presidiumi i Komitetit Qendror. Por ata u treguan të lëkundur, madje qesharakë dhe ne pa shumë mundim, e eliminuam manovrimin e tyre policesk. Ndërsa “Doktor Zhivagon” unë nuk e kisha lexuar, madje, askush në udhëheqje nuk i kishte të hedhur të paktën një sy. Ne e ndaluam librin, duke i besuar atij që ishte i ngarkuar me detyrën për të vlerësuar veprat artistike. Pikërisht ky ndalim na solli shumë të keqija, duke e dëmtuar direkt Bashkimin Sovjetik”.


    Hrushovi për Stalinin

    Nuk dëgjonte askënd veç vetes

    Shumë njerëz pyesin sesi ka qenë Stalini si njeri, cilat ishin veset dhe stili i tij i të drejtuarit. Në mendjen e shumë njerëzve qytetarëve zotërojnë paqartësi lidhur me Stalinin, sepse për të flitet edhe mirë, edhe keq. Kështu ka qenë e kështu do të mbetet, ka të ngjarë, për shumë personalitete historike. Konkluzionet e mia mbështeten mbi një afërsi të ngushtë dhe të gjatë me Stalinin si para, gjatë dhe pas luftës. Unë kam mundur të vëzhgoj se si i vlerësonte ai ngjarjet e ndryshme, veprimet e veta dhe rolin personal në luftë... Stalini mbetet marksist në parim, por jo në vepra konkrete dhe po të përjashtojmë mosbesimin e tij të sëmurë, egërsinë dhe pabesinë, ai e analizonte situatën saktë dhe kthjellët... Pikëpamja, sipas së cilës vetëm personaliteti i Stalinit e nxori vendin nga kriza dhe se ushtria fitoi si rezultat i udhëheqjes gjeniale të tij, është plotësisht e pathemeltë. Ushtria do të kishte fituar edhe pa Stalinin, madje edhe me më pak humbje... Në parim, Stalini u mbeti besnik ideve të socializmit, por në natyrën e vet ai ishte diktator, ishte njeri që nuk dëgjonte dhe nuk kishte dëshirë të dëgjonte asnjërin përveç vetes së vet. Kjo ishte veçanti e personalitetit të tij. Nëse një tipar i tillë është në natyrën e njeriut të vogël, vuajnë familja dhe fqinjët. Por kur ajo është cilësi e personit që zë një post të lartë, atëherë vuan populli... Të tërë njerëzit që nuk ishin të një mendimi me të, Stalini i etiketoi “armiq të popullit”, që dëshironin të kthenin rregullat e vjetra. Gjë për të cilën “këta armiq”, paskëshin hyrë në aleancë me reaksionin ndërkombëtar. Për këtë arsye u ekzekutuan disa qindra mijëra njerëz të ndershëm...




    16/05/2005

    ------
    Ndryshuar për herë të fundit nga BlueBaron : 19-05-2005 më 10:38

Tema të Ngjashme

  1. Misioni Amerikan Në Shqipëri (1946)
    Nga DriniM në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 30-07-2010, 21:39
  2. Ramiz Alia pritet në Kosovë si kryetar shteti
    Nga vagabondo_nyc në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 124
    Postimi i Fundit: 23-01-2010, 14:21
  3. Katër misteret që shoqëruan Koçi Xoxen
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 07-08-2006, 08:38
  4. Nen nje Batanije leshi..
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 16
    Postimi i Fundit: 10-01-2005, 02:02
  5. Intervistë me nusen e Nexhmie Hoxhës
    Nga Fjala e drejte në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 22-03-2004, 19:52

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •