Rënia e regjimit totalitar shqiptar dhe kriza e gjithanshme pasuese bënë që deti Adriatik të përshkohej sërish nga shqiptarët. Ikja masive e tyre, fillimisht me eksode e më pas me largime individuale, krijuan kushtet e takimit me arbëreshët, të parët e të cilëve i kishin lënë brigjet amtare pas pushtimit otoman, rreth pesë shekuj më parë. Mirëpo ky takim nuk mund të ishte i natyrshëm, linear, normal, sepse i tillë nuk ka qenë as komunikimi i mëparshëm midis tyre, dhe as modalitetet e njohjes së tanishme.
Gjatë viteve të luftës së ftohtë kontaktet midis arbëreshëve dhe shqiptarëve të Shqipërisë nuk munguan. Marrëdhëniet e tyre u rritën në një atmosferë mitike, e cila ushqehej nga arsye në thelb të ndryshme, por që i kushtëzoi për shumë kohë imagjinarët e dy bashkësive. Jo krejt paradoksalisht, grupet folklorike nga Shqipëria, këngëtarët, valltarët, artistët, studiozët, etj., që priteshin me aq përmallim e ngazëllim nga katundet arbereshe, shiheshin ndryshe nga shqiptarët përtej detit dhe ndryshe nga arbëreshët. Në fakt, vallet heroike, këngët patriotike, flamujt kuq e zi, statujat e Skënderbeut, dhe i gjithë entuziazmi i përlotur që i shoqëronte, kishin për shqiptarët një domethënie shumë më të thellë se sa kureshtja për interesin që ngjallin traditat folklorike. Arbëreshët, me vitalitetin e madh kulturor që kanë dëshmuar këta pesë shekuj, duke ruajtur e kultivuar identitetin e tyre tradicional, ngërtheheshin më së miri në mozaikun e ideologjisë romantike kombëtariste, që restaurohej dhe riprodhohej vazhdimisht nga pushteti i asaj kohe. Nuk është e tepërt të përsëritet se një vizion i tillë romantik i duhej regjimit të asaj kohe, në atë masë që ai përputhej me kërkesat për mbështetje ndaj politikave të tij dhe për të shuar në një farë mënyre atë vetmi që kishte kllapuar heshturazi mendjet e shqiptarëve.
Nga ana tjetër e Adriatikut dhe të Jonit, ngjyrat e ndezura të traditës dhe folklorit që propozoheshin herëpashere edhe nga vendi amë, shërbenin për të gjallëruar panoramën e identitetit arbëresh, i cili rrekej t’u shpëtonte sirenave të shumta të mjedisit të ri, që me ardhjen e televizionit, u bë gjithnjë e më i rrezikshëm. Pavarësisht se vitet e pasluftës qenë vitet e zhvillimit për gjithë Italinë, çka do të thotë në radhë të parë zhvillim të komunikimit brenda dhe jashtë vendit, kulturorisht vendet arbëreshe u zhytën në një vetmi të thellë. Në këtë drejtim, radio, televizioni, media e shkruar, por edhe shkolla, nga një anë i përfshinë vendet arbëreshe në një kuadër kombëtar dhe europian, por nga ana tjetër e rrethuan dhe e sulmuan nga themelet kështjellën identitare të tyre. Hordhitë mediatike e patën të lehtë, sepse nuk kishin përballë një strukturë kulturore solide, territorialisht të përcaktuar dhe homogjen, por një realitet identitar të copëzuar, heterogjen, qendërmungues.
Kultura e pasur arbëreshe, kryesisht gojore, nuk mund t’i qëndronte gjithsesi kulturës së shkruar italiane, që mësohej sistematikisht nëpër shkolla, nga klasa e parë e deri tek specializimi universitar. Në një botë që zvogëlohej progresivisht, fshati me statujën e Skënderbeut në shesh, nuk mjaftonte më për t’i dhënë identitet të plotë banorëve të vet. Edhe nga pikëpamja hapësinore kultura arbëreshe gjendej në dizavantazh, duke pasur parasysh se hapësira kulturore në atë kohë konceptohej e lidhur ngushtë me shtrirjen territoriale, sepse nuk i kishte mundësitë virtuale që ofrohen sot nga mjetet e kumtimit masiv. Në këtë kuptim, Shqipëria autarkike nuk është se e ndihmonte shumë kultivimin e identitetit arbëresh. Pushteti i asaj kohe e kishte mendjen më shumë tek nevojat e veta të brendshme, se sa tek një projekt i njëmendtë mbarëkombëtar, ndërkohë që Prishtina nuk i kishte mundësitë reale ta merrte përsipër këtë rol.
Jo vetëm historia, imagjinari kolektiv, narrativat, etj., por edhe trysnia e fortë e atëhershme, bënë që Shqipëria dhe çdo gjë që vinte prej saj të mitizohej skajshëm nga arbëreshët. Kështu që, atje ku shqiptarët shikonin një libër gjuhë-letërsie, arbëreshët shikonin një ungjill, ose atje ku shqiptarët shikonin një udhëheqës politik, arbëreshët shikonin një prijës epokal, që nga Skënderbeu ndryshonte vetëm në pamje. Mitet ndryshojnë nga gjallesat, sepse këto kanë nevojë për dritë për t’u rritur, kurse mitet gjallojnë kryesisht në errësirë (informative). Në këtë pikë, nuk mund të thuhet se Shqipëria nuk u ofronte miteve tokën më pjellore: informacioni nga Shqipëria ishte i pakët, i kontrolluar dhe i ideologjizuar.
Parë nga lartësitë e sotme, qëndrimi mitizues i arbëreshëve – në fakt nuk mund të përgjithësohet, pasi nuk kanë vepruar të gjithë njëlloj – mund të përkojë me një naivitet të pakuptimtë, por po të mendohet për mitizimin që vetë shqiptarët i bënë regjimit të tyre, atëherë naiviteti relativizohet pa besdisur argumente më bindëse. Shqipëria e asaj kohe, dhe pashmangshmërisht udhëheqësi i tyre, përbënte për arbëreshët ëndrrën e tyre ancestrale: një vend i pavarur, një gjuhë e pastër, një kulturë e lirë. Në qoftë se sot lexojmë ndonjë poezi arbëreshe dedikuar Shqipërisë së asaj kohe, deri edhe me ndonjë notë ekzaltuese politike, nuk duhet të habitemi më tepër seç duhet.
Është afërmendsh se midis kontrollorëve të komunikimit të shqiptarëve me arbëreshët mund të ketë patur elementë (edhe të politizuar), që e kanë shfrytëzuar konjukturën në mënyrë të vetëdijshme, për qëllime personale të diskutueshme. Mirëpo kjo nuk ka të bëjë me mirëbesimin e bashkësive arbëreshe, të cilat shkonin përtej ligjëratës së ngushtë politike, edhe pse, në atë kohë, bota paraqitej e ndarë në dysh nga entitete më të fuqishme se aktorët që po trajtojmë. Si rrjedhim, midis komunikimit të kontrolluar dhe mungesës totale të tij (vallë a kishte alternativa të tjera?) u zgjodh e keqja më e vogël, ku anët negative ishin të shumta, por nga një pikëpamje e caktuar gota mund të konsiderohej e mbushur përgjysmë dhe jo gjysmë bosh.
Në vitet e eksodit dhe të rrënjosjes së imazhit negativ për shqiptarët që emigruan në Itali, imagjinari dhe identiteti arbëresh u gjendën befas në një arenë të egër, ku mitet e vjetra e të reja u përgjakën mizorisht pa kurrfarë rregulli. Shqipëria, shqiptarët dhe shqiptaria ishin idealizuar deri në atë pikë, saqë anijet e eksodit nuk do ishin besuar po të mos kishin qenë pamjet televizive. Më pas, konocionet negative që u thurën nga mediat italiane për shqiptarinë, ishin një goditje tjetër e rëndë ndaj ngrehinës identitare arbëreshe, e cila ishte plasaritur prej kohësh nga emigracioni (lëvizshmëria sociale), çterritorializimi, përhapja e kulturës pop, egërsia e universales, prepotenca e globales, ndrojtja e lokales, mungesa e politikave kulturore, etj. Parë në këtë kontekst, ftohja e të rinjve arbëreshë ndaj gjuhës shqipe, fshehja e prejardhjes dhe fytyrëskuqja gjatë deklarimit të origjinës shfaqen si dukuri “normale”. Kjo përforcohet edhe nga fakti se, ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë, arbëreshët mund të gjenin lehtësisht strehë në një identitet tjetër [p.sh. krahinor (kalabrez, siçilian…) apo kombëtar (italian)], që përvijohej fatalisht si i epërm në sytë e bijve të televizionit.
Fraktura ekzistuese midis dy mërgatave, asaj arbëreshe dhe të resë, por edhe me bashkësinë në atdhe, e ka zanafillën në përqasjen e ndërsjelltë mitike. Vitet postdiktatoriale u kanë dhënë kohë bashkësive shqiptare dhe elitave të tyre t’i rimendojnë dhe t’i riprogramojnë mënyrat e komunikimit, duke filluar nga zbehja e asaj perdjeje mitizuese, e cila nuk i linte të shiheshin realisht në sy. Kthimi në realitet, që u shoqërua me forcën mohuese të zhgënjimit, ka patur pasojat e veta të rënda, por një fillim i ri është ende i mundshëm; midis rrënojave identitare mund të gjenden akoma materiale dhe energji për të rindërtuar një urë lidhëse (shembujt pozitivë flasin qartë), që shkon përtej moskuptimeve e keqnjohjeve të vjetra. Këmbët e kësaj ure duhet të bazohen fort në realitetet kulturore përkatëse, të cilat po kalojnë periudha ndryshimi rrënjësor, çka e vështirëson edhe më shumë ndërtimin e saj. Porse, ndryshe nga e kaluara, sot veprohet në një hapësirë të lirë dhe kjo nuk është pak.
Rando Devole
Botuar te "Bota shqiptare", Rome, Itali.
Krijoni Kontakt