Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Meta: Unë korrieri i postës sekrete të ambasadave

    bond e shkuar bondit or tunxh..



    --


    gazeta panorama:

    ---


    mbledhja e moskes

    ----


    dossier

    Tregon truproja e parë e ish-diktatorit


    Meta: Unë korrieri i postës sekrete të ambasadave


    Fatos Veliu

    vijon nga numri i kaluar

    Gazeta “Panorama” vazhdon të botojë intervistën e Kadri Metës, njërit prej rojeve personale të Enver Hoxhës që nga koha e luftës, kur ai ishte komisar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Ky është numri i tretë i rrëfimit të tij. Gazeta do të botojë për pesë ditë me radhë, të gjithë historinë e Kadriut, duke filluar që nga dita e njohjes së tij të parë me Enver Hoxhën në Panarit të Skraparit, kur u caktua nga Mehmet Shehu në grupin e sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm, e derisa e shoqëroi atë në mbledhjen e 81 Partive Komuniste në Moskë.

    Në numrin e parë dhe të dytë jemi njohur me dëshminë e Metës mbi historinë e krijimit të kompanisë së sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm dhe si organizohej sigurimi i Enverit në luftë. Si ndodhi që Enveri u përlesh fizikisht në aeroportin e Moskës në vitin 1958, me udhëheqësin e lartë sovjetik, Mikojanin dhe peripecitë që shoqëruan delegacionin shqiptar të vendosur në Kremlin, ku Enver Hoxha ka bërë personalisht përballë Hrushovit përplasjen e parë. Ndërkohë në numrin e tretë, po njihemi me ngjarjet dhe hollësitë e panjohura që kanë shoqëruar delegacionin shqiptar të kryesuar nga Enver Hoxha në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë. Situata para së cilës është ndodhur Enveri, deri sa u detyrua që për efekt sigurie të lërë vilën rezidenciale, ku ishte vendosur për t’u sistemuar brenda ambienteve të ambasadës.

    Zoti Kadri, si ndodhi që në nëntorin e vitit 1960, kur në periudhën komuniste të Shqipërisë, ndodhi ngjarja më e madhe e asaj kohe, shkëputja nga B.S., aleati më i fuqishëm ku ishte mbështetur e gjithë ekonomia jonë, ju u ndodhët në Moskë pranë Enver Hoxhës, i cili ishte aktori i gjithë asaj kthese politike që po i jepte vendit?
    Historia e ndodhjes sime në Moskë, pranë delegacionit shqiptar të kryesuar nga Enver Hoxha, ndodhi disi rastësisht apo si koicidencë mund të thuash.

    Si mund ta kuptojmë?

    Në atë kohë, që i përket nëntorit të vitit 1960, unë, siç ju kam treguar dhe në intervistat e mëparshme, shërbeja në sigurimin e brendshëm të udhëheqjes. Përveç detyrave që ne kryenim në këtë sektor, që ishte nga më të besuarit e asaj kohe, ishte edhe ajo e korrierit diplomatik të shtetit. Kështu që, ne shkonim në shumë ambasada tona, të ndodhura në kryeqytete të ndryshme të botës, për të marrë letrat apo materialet e ndryshme sekrete. Pikërisht në atë kohë, kur delegacioni i lartë partiak dhe shtetëror i kryesuar nga vetë Enver Hoxha dhe që kishte në përbërje të tij autoritetet më të larta si Hysni Kapon, Mehmet Shehun, Ramiz Alinë dhe të tjerë, u nis për në mbledhjen e shumëpritur të 81 partive komuniste të botës, unë nuk u caktova në grupin e shoqërimit të tij.

    Si arritët të ndodheni në Moskë?

    Rastësisht, kur kishin kaluar veç katër - pesë ditë nga çasti i nisjes së delegacionit për në Moskë, mua, së bashku me Haxhi Shurdhin, m’u ngarkua detyra tepër sekrete si korrier diplomatik, të shkonim në 6 ambasada për të marrë postën sekrete të atij muaji. Ndalesën e parë, sipas udhëzimeve, do ta bënin në ambasadën tonë në Moskë, për vetë faktin e rëndësisë politike që kishte ajo ambasadë në atë periudhë. Sipas detyrës, arritëm në Moskë. Kur shkuam në ambasadë, u befasuam që aty gjetëm jo vetëm Hysni Kapon dhe Mehmet Shehun, por edhe vetë Enver Hoxhën. Të them të drejtën u befasova nga ajo e papritur ku rrufeshëm m’u shfaqën ngjarjet e dy viteve më parë, kur kisha shoqëruar Enver Hoxhën në atë shtet dhe që kisha parë me sytë e mi se si kishin nisur konfliktet e para me udhëheqjen e atjeshme. Nuk kishte mëdyshje se diçka shumë më e rëndë duhej të kishte ndodhur mes dy udhëheqjeve, aq sa Enver Hoxha nuk kishte braktisur rezidencën e vënë në dispozicion, sipas protokollit si kryetar shteti dhe kishte ardhur në ambientet e ambasadës.

    Juve personalisht, për një evolim të tillë të ngjarjeve politike mes dy vendeve tona, e kishit konstatuar që në ‘58-ën, kur ishit caktuar me grupin e sigurimit të delegacionit tonë të nivelit të lartë gjatë vizitës në Moskë?

    Patjetër që pak a shumë kisha arritur në një konkluzion të tillë, por jo të kësaj përmase aq sa udhëheqësit kryesorë, deri te Enver Hoxha, të kishin frikë dhe për jetën e tyre. Kjo situatë kaq e acaruar ishte krejt befasuese. I gjithë delegacioni, siç të thashë, për efekte sigurie rrinte në ambasadë.

    Çfarë bëtë kur arritët?

    Nuk kishte kohë as të mendoje dhe as të aludoje, sepse Hysni Kapo na thërriti në zyrë dhe na sqaroi të gjithë situatën me detaje jo si të ishim roje, por si të ishim kolegë të tij. Kjo, për faktin se ai, pas kësaj, na caktoi me detyrën e re për sigurimin e brendshëm të ambasadës ku rrinte Enver Hoxha.

    Ju ishit nisur me detyrën e korrierit?

    Po. Por me acarimin e situatës ata e panë të arsyeshme që me grupin e sigurimit, që ishte nisur posaçërisht nga Tirana, të bashkoheshim dhe unë me Haxhi Shurdhin ku porsa kishim arritur. Ata e kishin kompetencën të ndryshonin çdo detyrë dhe të të ngarkonin me çdo detyrë tjetër se ishin udhëheqja supreme e shtetit.

    Çfarë ju tha Hysni Kapo, kur po ju sqaronte situatën?

    Hysni Kapo, me një zë tepër të shqetësuar, pak a shumë na tha: “Punët mes dy partive tona nuk po shkojnë mirë. Marrëdhëniet midis tyre pothuajse janë në fund të ekzistencës së tyre. Shoku Enver është përplasur fuqishëm me udhëheqjen më të lartë sovjetike dhe me vetë Hrushovin në mbrojtje të parimeve të marksizëm – leninizmit dhe të Partisë Komuniste të Kinës. Hrushovi ka tradhtuar parimet e marksizmit dhe interesat e klasës punëtore. Gjendja ka arritur deri aty sa po rrezikohet seriozisht dhe jeta e shokut Enver. Për këtë, ai që në ditën e djeshme, së bashku me shokët e tjerë, është larguar nga vila që kishte në dispozicion delegacioni ynë dhe siç e shikoni është vendosur këtu. Ju do të ndërprisni menjëherë udhëtimin që keni ndërmarrë si korrierë diplomatikë dhe do të kaloni në sigurimin e brendshëm të ambasadës. Duhet të ruajmë me çdo kusht shokun Enver. Hrushovi ka ndërmarrë sulm të jashtëzakonshëm ndaj marksizëm – leninizmit në përgjithësi dhe ndaj udhëheqjes sonë në veçanti. Ne do të qëndrojmë të fortë, se kemi shokun Enver që nuk lëkundet nga vija jonë e çeliktë… etj.
    Kështu ne morëm detyrën e re. Pas kësaj na duhej që të rrinim vetëm në korridor të ambasadës, duke u zëvendësuar dy e nga dy me radhë pa ndërprerje, për 24 orë.

    Çfarë konstatonit ju në portretin e Enver Hoxhës, ndërsa bënit shërbim pranë tij?

    Ishte tepër i zverdhur dhe i mpirë. Nuk lëvizte me orë të tëra nga zyra. Vetëm një herë apo dy herë në ditë mund të dilte nga pak në oborr të vilës ku ishte vendosur ambasada dhe kthehej menjëherë brenda duke mbajtur kokën ulur. Jashtë ishte shumë ftohtë se bora dhe ngrica kishin zotëruar çdo gjë, por ai, kur dilte, dukej se nuk e kishte fare mendjen aty, pasi nuk merrte mundimin as të mbështillej me shall kur kishte erë të acartë.

    Nuk kishte shkuar në mbledhje?

    Ai në mbledhje, që tashmë ka hyrë në historinë e Shqipërisë, ka shkuar vetëm më 16 nëntor, pikërisht në seancën që do të mbante fjalën, ndërsa në ditët e punimeve, para dhe pas asaj seance, ai ka ndenjur vetëm brenda në ambasadë. Pra, afërsisht një muaj sa ai ndenji në Moskë në atë kohë, së bashku me Mehmet Shehun, nuk ka dalë fare nga ambasada përveç se dy orë që shkuan në seancën ku mbajti fjalën. Dilte siç ju thashë vetëm nga një moment jashtë në ajër të ftohtë dhe në borë sa për t’u qetësuar dhe hynte brenda. Gjatë asaj kohe, nuk kishte qejf as të fliste dhe as të përshëndeste njeri. E mbaj mend si tani që dilte në oborr dhe ngulte sytë për momente të tëra në një pikë dhe nuk i hiqte duke bërë lëvizje përgjatë tij. Oborr i thënçin, pasi veç 50 metra katror ishte. Në fytyrë dukej dyllë i verdhë. Në zyrën e tij hynin herë pas here ose Hysni Kapo ose Mehmet Shehu. Ndërsa ne rrinim në korridor, të ulur në një kolltuk gjatësor vetëm një apo dy metra larg derës së tij.

    Vetëm rrinit në shërbim?

    Jo, rrinim gjithnjë dy veta. Qoftë para zyrës së Enverit dhe qoftë në hyrjen kryesore të godinës. Shërbimin e plotësonte i gjithë personeli i ambasadës, i cili nuk merrej me gjë tjetër ato ditë, por vetëm me sigurimin fizik të godinës dhe të jetës së Enver Hoxhës.
    Është folur shumë për takimet që ka pasur Enveri me autoritetet e dërguara nga Hrushovi në ambasadë, madje dhe në mesnatën e fundit, para leximit të materialit në mbledhjen e famshme!
    Është e vërtetë që e shqetësonin shumë për ta takuar. Ishin të shumtë ata, kryesisht vinin në emër të Nikita Hrushovit. Ne nuk i njihnim mirë se roje ishim, por na bëhej prezantimi nga njerëzit e shërbimit në oborrin e ambasadës dhe dezhurni i saj. Njëri nga ne njoftonte Mehmetin, i cili, pasi kosultohej me Enver Hoxhën, na jepte lejen për t’i lejuar dhe i shoqëronte vetë për në zyrën e Enverit.

    Thatë se, sido që ishit roje, arrinit të mësonit se kush vinte në takim dhe funksionin që ai kishte. Mund të kujtoni ndonjë, megjithëse kanë kaluar vite?

    Nga sa mbaj mend tani, se siç e thatë edhe ju vetë, kanë kaluar vite, gjatë atyre ditëve kishin kërkuar takim me Enver Hoxhën anëtarët e Byrosë Politike, Frroll Kozllov, Katerina Furçeva, Axhubej, Ponomarevi, Andropovi etj. Unë, megjithëse isha një oficer i thjeshtë, e kisha të qartë shumë mirë se të gjithë dërgoheshin nga Hrushovi. Këtë e kuptoja se gjithmonë pas takimit me ta, Enver Hoxha vazhdonte të ishte më i acaruar dhe më i mërzitur. Mbaj mend njëherë, pas takimit me Furçevën nuk vonoi shumë dhe ai doli në oborr për të marrë pak ajër. Jashtë ishte një ngricë e madhe sa të ngrinin majat e këmbëve. Unë që rastisa atje me shërbim e ndiqja me vëmendje dhe shqetësim sa i ra dhe atij në sy.
    Me hap të ngadaltë m’u afrua mendueshëm dhe më pyeti: “Hë mo Kadri, a je mërzitur”?
    Unë u impresionova në çast e i thashë me zë të lartë dhe në formë raportimi: “Jo shoku Enver, nuk mërzitemi, sepse jemi të fortë, se kemi partinë të fortë, se ju kemi juve në krye që na bëni të jemi gjithmonë krenarë.” Më pa sërish me vëmendje dhe më ra në sup duke më thënë: “Kemi partinë të fortë Kadri, ajo nuk do na lërë asnjëherë në rrugë”, dhe më ra sërish supeve për t’u larguar mendueshëm. Fytyra, si gjithnjë, i zverdhonte nga shqetësimi. Mbaj mend që ai moment ka qenë një apo dy ditë para se të mbante fjalën historike të mbledhjes.

    Ju e dinit saktësinë se për se ishte thelbi i atyre mosmarrëveshjeve që kishin lindur mes udhëheqjeve tona?

    Nuk mund të them se isha shumë i informuar. Ne i shikonim gjërat në global. Dinim që Hrushovi po devijonte nga rruga e marksizëm- leninizmit, tek i cili Shqipëria kishte mbështetur të gjitha fitoret e saj, siç na propagandohej. Mirëpo këtë e dëgjuam edhe nga delegacionet e tjera që u shprehën për Enver Hoxhën dhe partinë shqiptare, se po devijonte nga rruga e marksizmit. Këtë e dëgjuam në televizor, sidomos pas mbajtjes të fjalës së Enverit në mbledhje. Kryesisht nga të gjitha ato takime që bëheshin në ambasadë me Enverin mësonim se qëllimi i Hrushovit ishte që Enveri të ndryshonte fjalimin që do të mbante në mbledhje apo ta reduktonte atë. Këtë e mbaj mend mirë dhe nuk i vinim re gjërat e hollësishme. Dinim që Enveri ishte i vendosur që të mos ndryshonte asgjë dhe siç na thoshin shokët e ambasadës, ishte i betuar që të demaskonte me fakte gjithë tratativat e Hrushovit për të përulur udhëheqjen tonë. Kaq dinim dhe rreth këtyre njohjeve vërtiteshim. Të gjithë i mbanim sytë nga Enver Hoxha, si simbol i perëndisë sonë. Neve jo vetëm se na instruktonin, por edhe vetë nuk na flihej as natën dhe as ditën, por rrinim në një gadishmëri të jashtëzakonshme, sepse e ndienim atë situatë të vështirë që kalonim.

    (Vijon nesër)



    Flet Kadri Meta, ish-badiguardi i parë i Enver Hoxhës


    Mehmet Shehu siguroi kthimin e Enverit nga Moska




    Fatos Veliu
    Në numrin e sotëm të intervistës së 80-vjeçarit Meta, njihemi me detajet e udhëtimit të frikshëm të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut për t’u kthyer në atdhe.

    Pse vendosën që udhëtimin ta bënin me tren dhe ndryshimi i papritur i itinerarit në Budapest. Udhëtimi me avion nga bari mbi Adriatikun e trazuar dhe njoftimi sensacional i “Radio-Tiranës” për mbërritjen e tij në Tiranë, si dhe shumë hollësi të tjera, të cilat do t’i lexoni pikërisht në shkrimin e mëposhtëm.

    Zoti Kadri, si mund ta përshkruani momentin e largimit të Enverit nga Moska?

    Unë isha vetëm në rolin e oficerit të shërbimit, dhe nuk kisha shumë mundësi për të njohur detajet e gjërave, por gjithsesi edhe në këto mundësi arrinim t’i mësonim ato për çka diskutohej me aq tension ato ditë. Konkretisht, ditët e fundit të mbledhjes, për efekt sigurie, u mendua që deri në daljen e rezolutës përfundimtare të saj, të rrinin në Moskë, Hysni Kapo me Ramiz Alinë, ndërsa Enver Hoxha duhej të largohej menjëherë. Atë do ta shoqëronte Mehmet Shehu.

    Juve si personel sigurimi do ta shoqëronit apo jo?


    Patjetër do të ishim gjithë grupi i sigurimit. Por unë atë situatë, e cila ishte shumë kritike për jetën e Enverit, e ndjeva më shumë, apo si të thuash, e kuptova pikërisht ditën kur do të iknim. Në atë ditë vura re se ishin të gjithë të shqetësuar për udhëtimin që ai do të bënte deri në Tiranë. Sidomos, Mehmet Shehu dhe hysni Kapo. Të shikoje Mehmet Shehun të shqetësuar, kur e dije që ai ishte shumë trim, nuk ishte me pak domethënie për ne njerëzit e sigurimit. Ne mendonim se ai e dinte mirë sesa i kishte ngacmuar Enver Hoxha udhëheqësit e fuqive të mëdha të asaj kohe, kështu që e parashikonte rrezikun që kanosej.

    U mendua njëherë për të ikur me avion, pastaj u vendos të ikej me tren, pasi avioni mund të goditej apo të minohej, ndërsa treni kishte më garanci, pasi kishte brenda qindra njerëz dhe nuk ishte e lehtë të ndërmerrej ndonjë rast aksidenti. Të gjitha këto i mësoja drejtpërdrejt, por dhe nëpërmjet rrugëve dytësore.

    Që të mos zgjatem së tepërmi, po ju them se u nisëm në rrugën e gjatë dhe të vështirë të kthimit për në atdhe, saktësisht në datën 26 nëntor (1960). Mësova se Enveri duhej të çohej në Tiranë patjetër deri në orën 20.00 të datës 28 nëntor, pasi në atë orë organizohej në Pallatin e Brigadave, ceremonia zyrtare në përkujtim të ditës së Çlirimit. Aty populli që nuk dinte se çfarë bëhej në Moskë duhej që Enverin ta shikonte patjetër në televizor.

    Ju kujtohet ora e nisjes?

    U nisëm aty nga ora 17.00 - 18.00. Për ta shoqëruar deri në stacion të trenit kishin ardhur para ambasadës të gjithë anëtarët e delegacionit, si dhe shumë zyrtarë që ndodheshin për specializim në atë moment në Moskë. Makinat e ndezura gati për rrugë, përbënin një varg të gjatë. Në një moment, Enveri doli nga ambasada dhe me hap të ngadaltë shkoi te makina. Dukej që nuk ishte i garantuar. Nuk e kishte më atë entuziazmin e ditëve të para pas mbledhjes. Kjo ishte e kuptueshme, pasi para gjithë atyre që tha dhe atij qëndrimi që mbajti para Hrushovit dhe të gjithë mbështetësve të tij, nuk kishte si të mos ishte i rrezikuar fizikisht.

    Pas pak, të gjitha makinat u nisën për në drejtim të stacionit të trenit. Pas më pak se një orë, arritëm në stacionin “Kievski Vagzall” në perëndim të Moskës.
    Atje na u krijuan emocione të mëdha, të cilat na dhanë jo vetëm moral, por edhe gjallëri. Për të përcjellë Enverin, aty kishin dalë mbi 500 studentë shqiptarë, të cilët siç e mësuam, sa kishin marrë vesh se ai do të largohej me tren ishin larguar pa leje nga konviktet e izoluara. Momenti i daljes së Enverit nga makina provokoi te ata një shpërthim të paimagjinueshëm entuziazmi dhe duartrokitjeje. Thirrjet “Parti - Enver jemi gati kurdoherë, Parti – Enver, Parti –Enver...etj”, u bënë aq të fuqishme sa befasuan jo vetëm ekipin që shoqëronte Enverin, por të gjithë kalimtarët e rastit, madje dhe vetë personalitetet sovjetike që kishin dalë për portokoll përcjelljeje. Të gjithë rrinin si të ngrirë dhe shikonin të habitur.

    Po Enveri vetë a u emocionua nga ai solidarizim?

    Të them të drejtën, nuk pashë ndonjë ngazëllim të veçantë tek ai, ndoshta e kishte mendjen te rreziqet që i kanoseshin në atë udhëtim.

    Kush kishte dalë nga autoritetet vendase?

    Kishte dalë për ta përcjellë Suzllovi, i cili atëherë ishte anëtar i Byrosë Politike dhe Filubini, i cili ishte zëvendësministër i Jashtëm. Por edhe këta, kur panë atë entuziazëm dhe solidaritet të studentëve nga thirrjet e të cilëve po tundej vendi, u inatosën jo pak, pasi dihej se ai demonstrim ishte më shumë kundra tyre.

    Sa ndenjët në Peron të stacionit?

    Nuk duhet të kemi ndenjur më shumë se 20 minuta, pasi Enveri si u dha dorën ftohtë të dërguarve sovjetikë, hipi menjëherë në tren. Mbrapa e shoqëronin Mehmet Shehu dhe Llambi Peçini, i cili atëherë ishte shef i sigurimit të udhëheqjes, si dhe ne oficerët e sigurimit të tij apo funksionarë të tjerë të shërbimeve në Bllok.

    Mund të kujtoni emrat e kolegëve tuaj që ishin atë ditë në tren?

    Isha unë, Haxhi Shurdhi, Nesti Saraçi që ishte edhe drejtor i Shtëpisë së Pritjes së Udhëheqjes etj., pasi nuk më kujtohen të gjithë. Mund të them se të gjithë së bashku me delegacionin bëheshim rreth 17 veta.

    Zumë vend në vagonin e posaçëm hungarez, i cili ishte i caktuar për Enver Hoxhën dhe delegacionin që e shoqëronte. Ai vagon kishte dhe një personel të kompletuar shërbimi të brendshëm për nevoja të ndryshme ushqimore që mund të kishe.

    Çfarë itinerari përshkuat deri sa erdhët në Tiranë?

    Nga Moska shkuam në Kiev të Ukrainës dhe prej andej të nesërmen, më 7 Nëntor arritëm në Budapest. Fletëm aty atë natë.
    Juve kishit kontakt me Enverin në tren për të kuptuar nëse ishte i frikësuar gjatë udhëtimit apo jo?
    Jo. Ai rrinte në kabinën e tij së bashku me Mehmet Shehun dhe Llambi Peçinin. Neve komunikonim vetëm me Mehmetin që në çdo rast na jepte udhëzime. Nga mënyra se si fliste Mehmeti dhe sa i kujdeshsëm tregohej, aq sa nuk harronte as një element të sigurisë, neve kuptonim që frika për çdo rast ishte shumë e madhe. Gjatë rrugës mësuam se nga Tirana interesohej edhe Kadri Hazbiu me Beqir Ballukun. Ata lidheshin me telefon me shtetet ku kishte drejtim treni dhe kërkonin masa edhe nga policitë vendase për të siguruar nga jashtë vagonin apo dhe trenin ku udhëtonte Enver Hoxha.
    Nga Hungaria u nisëm të nesërmen, më 28 nëntor. Sërish lëvizja vijoi me tren, duke e shmangur sërish udhëtimin me avion. Kjo u bë për të mos fluturuar mbi Jugosllavi, pasi në një rast të tillë shkonim drejt një katastrofe të padiskutueshme për Enver Hoxhën. Udhëtimi me tren mori itinerarin, Budapest - Vjenë. Do t’ju kujtoja këtu, se para se të niseshim nga Budapesti, arriti nga Tirana dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Mihallaq Ziçishti. Pasi arritëm në Vjenë, vazhduam rrugën për në veri të Italisë. Sa hymë në Itali, ( Veri të saj) na doli para një skuadër karabinierësh, të cilët hipën në tren për përforcim shoqërimi. Kuptohej se kjo ndodhte nga interesimi që nga Tirana i Kadri Hazbiut dhe Beqir Ballukut. Ata na shoqëruan deri në Bari në të cilin arritëm afër mbrëmjes së datës 28 nëntor.

    Ju priti kush nga autoritetet italiane në Bari?

    Patjetër. Autoritetet e atjeshme kishin marrë njoftim se do të kalonte tranzit Enver Hoxha. Kishin dalë në port jo vetëm autoritete civile të Barit, por edhe ato ushtarake.
    Mbaj mend se ndërsa isha afër Enver Hoxhës, prefekti i Barit e ftoi për një kafe në hollin qeveritar. Nuk e di pse, por e kuptova se Enveri nuk kishte qejf fare të zgjaste bisedën me ta, ndoshta kjo ndodhte nga stresi që kishte kaluar apo ndoshta kishte ndonjë problem diplomatik, sepse ftesës së prefektit iu përgjigj me shprehjen: Faleminderit, por ju lutem përfundoni procedurën e dokumenteve, sepse na pret populli në Shqipëri.

    Në këtë moment prefekti iu përgjigj:
    Si urdhëron, si urdhëron nuk e di nëse është e vërtetë ajo që mësova se juve sot keni festën e indipendencës kombëtare?
    Enveri ja ktheu me një ton më të fortë: Po. Kemi ditën e indipendencës kombëtare dhe ditën e çlirimit të Shqipërisë nga okupatorët nazifashistë.
    Prefekti para kësaj ndërhyrje të shumëkuptimtë ngeli pa bërë zë.
    Në atë moment vjen Babçe Faiku dhe Masar Aga, të cilët raportojnë se ishte hapur një korridor i atmosferës deri në Kepin e Rodonit. Mehmeti u kthye edhe një herë nga ata për t’i pyetur për shkallën e sigurisë.

    Udhëtimi vazhdoi me avion?

    Koha ishte e keqe dhe fluturimi për në drejtim të Shqipërisë me avion përbënte një rrezik për vetë kushtet atmosferike të rënduara që ishin. Por piloti i parë i avionit të Enver Hoxhës, (ILL-14) Babaçe Faiku, i raportoi Mehmetit se ishte gati për fluturim. Ai kishte parashikuar të gjitha mundësitë dhe kishte lidhje të plotë me komandantin e tij, Edip Ohrin, i cili në ato momente fluturonte mbi Adriatik me një avion tjetër për të kontrolluar vazhdimisht kushtet atmosferike gjatë gjithë korridorit ku do t’i duhej të udhëtonte avionit qeveritar. Por, Kadri Hazbiu dhe Beqir Balluku që e ndiqnin me nerva të tendosura që nga Tirana atë udhëtim, kishin marrë masa edhe për rastin që koha e keqe mund të bënte të pamundur vazhdimin e udhëtimit me avion. Për këtë rast ishte dërguar që nga Durrësi anija luftarake “Partizani”. Situata kërkonte që Enver Hoxha të ishte në Tiranë me patjetër rreth orës 20.00 për të asistuar në takimin ceremonial që zhvillohej në Pallatin e Brigadave.
    Gjithsesi, pas raportimit dhe gatishmërisë dhe garancisë së Babaçe Faikut, ata hipën në avion dhe ne ndenjëm aty derisa avioni u ngrit në lartësi dhe mori drejtimin e lindjes, pra drejtimin e Shqipërisë.

    Nuk hipët juve?

    Jo, ne e kishim detyrën deri te shkallët e avionit. Jo që nuk mundeshim të hipnim aty, por edhe po të hipnim nuk mund të mbronim asgjë. Neve hipëm në anijen “Partizani”, e cila filloi lundrimin menjëherë pas nisjes së avionit. Arritëm në Durrës vetëm në të gdhirë. Gjithsesi, sa hipëm në anijen luftarake për të arritur në atdhe, nuk ndiheshim të qetë derisa të mësonim se Enveri arriti shëndoshë në kryeqytet, sepse gjithçka mund të ndodhte edhe në çastin e fundit, aq më shumë që veç situatës politike ishte edhe moti shumë i keq.
    Nuk vonoi, por, sa kishim kaluar tri-katër milje në drejtim të Adriatikut, dëgjojmë zërin e spikerit të “Radio-Tiranës”. E kam në vesh si tani kur tha : “Vini re, vini re. Ju flet “Radio-Tirana”. Mbërriti në Shqipëri delegacioni i partisë dhe i shtetit me shokun Enver në krye, i cili mori pjesë në festimet e Moskës”.
    Kaq tha dhe as një fjalë më shumë. Në këtë çast neve shpërthyem në duartrokitje nga gëzimi i madh. Më së fundmi kishim arritur të kryenim detyrën me shumë sukses. Për këtë na ishte dashur që për rreth një muaj të rrinim pa vënë gjumë në sy as natën dhe as ditën.



    Të hënën përmbledhja e plotë

    Kadri Meta dëshmon ditët e tmerrit të Enver Hoxhës

    Gazeta “Panorama” vazhdon botimin e intervistës së Kadri Metës, i cili ka qenë njëri prej rojeve personale të Enver Hoxhës që prej vitit 1944, kur me përzgjedhjen e Mehmet Shehut në Panarit të Skraparit u krijua skuadra e parë e sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë. Për katër ditë me radhë, në këtë cikël pesë numërsh të këtij botimi, lexuesi i rubrikës sonë është njohur me dëshminë e Metës, duke filluar që nga dita e njohjes së parë me Enver Hoxhën në Panarit të Skraparit, e derisa e shoqëroi atë në mbledhjen e 81 Partive Komuniste në Moskë.
    Si është historia e krijimit të kompanisë së sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm dhe si organizohej mbrojtja personale e Enverit në luftë. Pse Enveri në vitin 1958 u përlesh fizikisht në Aeroportin e Moskës, me udhëheqësin e lartë sovjetik, Mikojanin. Çfarë ndodhi kur delegacioni ynë u vendos në Kremlin dhe peripecitë që shoqëruan atë gjatë atyre ditëve, ku Enver Hoxha ka bërë personalisht përballë Hrushovit përplasjen e parë. Ngjarjet e panjohura që kanë shoqëruar delegacionin shqiptar të kryesuar nga Enver Hoxha në mbledhjen e 81 Partive Komuniste në Moskë. Situata para së cilës ai është ndodhur, deri sa u detyrua që për efekt sigurie të lërë vilën rezidenciale, ku ishte vendosur për t’u sistemuar brenda ambienteve të ambasadës.
    Pse u mbyll brenda për afër një muaj, pa guxuar të bënte qoftë dhe një shëtitje të vogël jashtë saj. Gjendja e tij shpirtërore për situatën në të cilën ndodhej dhe dalja që bënte në oborr vetëm për çaste ajrimi.
    Kush janë detajet e situatës së krjuar tek vetë Enver Hoxha dhe gjithë ekipi që e shoqërone, pikërisht në ditën e mbajtjes së fjalimit të guximshëm para 81 Partive Komuniste të botës.


    ----








    Ketu mbaron artikulli i Gazetes...





    ....

    cfar sna degjojne veshet..



    Me dashje a pa dashje i ngrati xha Kadri Terbaci.. qe patjater jeton ne ndonje apartament luksoz nga ato qe u a muarren borgjezve me dizet e pesen.. ne Tiran te re.. afer Bllokut.. tregon gjera qe len pikpyetje..

    Personat qe permend ky veteran si te afert..bodygarde e shefa bodygardesh e shefa sigurimi e shoqerues e zv ministra e ministra Sigurimi e mbrojtjeje.. e genjerala aviacioni etj.. nga 1944-tra e deri sa Diabeti ja hengri koken.. shokut Dull.. jane personazhe te njohur te cileve u dihet fundi..


    Poliagjenti Mehmet ja gjen bodygardin qe ne 1944..
    Po Poliagjenti Mehmet se bashku me poliagjentin Llamb Pecini.. poliagjentin tjeter Mihallaq Zicishti..Poliagjenti tjater Kadri Hazbiu..poliagjentin tjeter Edip Ohri..poliagjentin tjeter Beqir Balluku.. etj ja sigurojne pushtetin sa ai eshte ne Moske.. Po ashtu keta poliagjente ja sigurojne trenin Enverit qe hedh valle ne goj te ujkut ne mesin e tere ketyre poliagjenteve dhe bashk ne kabine me Dullen poliagjentet qe tham me larte nga Moska neper by.thshkymin Sovietik Revizionist social imperialist.. e nxjerrin ne Hungarin e revizioniste satelite te By.thshkymit Sovietik e pastaj neper Vendet kapitaliste sikurse Austria e Italia shkon Enveri deri ne Bari ku i dalin dhe pushtetare Italiane te kujdesen per te..e vjen si molla ne tirane..

    kush e nxorri ekipin e karabiniereve ne kufi te italise e qe e shoqeroi per siguri deri ne Bari?

    Patjater nje i madh i Italise e ka kte fuqi..


    sipas veteranit..dhe ai tregon te verteten ketu.. personat qe sigurojne jeten Enverit jane..


    Mehmeti Shehu
    Kadriu Hazbiu..
    Beqir Ballukja
    Mihallaqi iZicishtit
    Llambi Pecini..
    edipi.. Ohri..
    etjetj..

    Te tere kuadro te Luftes e te shtetit e te tereve Enveri u a beri varrin e u a futi nga nje damke si Poliagjente e u a genocidoi fare e fis e familje..

    Po Enveri vet i kujt ishte Agjent..

    ?????

    Caja e Poleshit.. sic duket ka qene Shefja e madhe e Dulles qe i dha leje Te bente Shqiperine MATHAUZEn..mba 1945 deri me 90 dhe ne 97 perseri tja jepte atyre Pushtetin..

    po ITALIA.. crol ka ketu?

    te shebetores se Cajes..

    megjithse Burgjet e Enverit ishin te mbushura me Prifta e kardinala Katolik e qindra te tille ishin Pushkatuar deri para 1955-60-tes..por Perseri Italia e siguron Krye banditin ..

    uauuuu..

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    aty ku shkruan ...poliagjent... lexoni "poliagjent"..pra ne thojza..

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-03-2003
    Vendndodhja
    Oakland, CA
    Postime
    738
    Kadri Meta ka reputacion te mire tek lagja tirones re dhe gjyshi im e ka teper shok. Cunat e Kadriut jane milionera tani. Interesant ky artikulli vertet.

  4. #4
    Buena Suerte Maska e MI CORAZON
    Anëtarësuar
    21-07-2002
    Postime
    7,485
    Citim Postuar më parë nga Tirona-Re
    Kadri Meta ka reputacion te mire tek lagja tirones re dhe gjyshi im e ka teper shok. Cunat e Kadriut jane milionera tani. Interesant ky artikulli vertet.
    Ku e ka shtëpine ky Kadriu, se Meta ka në çdo cep Tirana e Re.
    Se u ktheva prapë ! Mos të fillon mbiemri me L-ë ty mo?

    lol
    Ndryshuar për herë të fundit nga MI CORAZON : 28-02-2005 më 21:42
    Where does a thought go when it's forgotten?

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    panorama

    --


    Gani Kodra: Si u kthye Enveri në tmerrin e bllokmenëve


    Fatos Veliu
    Njeri i besuar në radhët e udhëheqjes më të lartë të shtetit komunist. Kishte kontakte të vazhdueshme me të gjitha familjet e tyre në Bllok, aq sa dinte edhe problemet më të vogla familjare. Për 20 vjet si shef i Sigurimit të Byrosë Politike, ai arriti të fitojë dhe dashurinë e madhe të ish – kryeministrit hijerëndë Mehmet Shehu.

    Ky është Gani Kodra, i cili tashmë sapo ka kaluar të 80 vitet e jetës. Megjithëse është njeriu që në hierarki vinte menjëherë pas Llambi Peçinit dhe që di shumë sekrete për sa i përket marrëdhënieve dhe problemeve që ekzistonin në radhët e familjeve të njerëzve, që ishin shpallur si udhëheqës të ndritur, ai nuk ka pranuar të flasë asnjëherë për gjithë këto vite të tranzicionit demokratik. Gjithsesi, ai pranon që të japë intervistë për gazetën “Panorama” në këtë cikël. Tregon detaje në lidhje me figurën e Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut (të cilin pranon se e ka idhull), të cilat nuk janë njohur asnjëherë më parë. Cilat kanë qenë marrëdhëniet e tij me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun dhe të gjithë ish-partiakët më të lartë. Letrat personale që ka marrë fillimisht nga Enveri dhe premtimet që ai i bëri në to. Pse mes Enverit dhe Mehmetit ekzistonte armiqësi e pashmangshme. Ku dallonin tipat dhe karakteret e tyre. Cilët janë skenarët që Enver Hoxha planizonte vazhdimisht ndaj shokëve të tij. Pse arriti të fuste në burg njerëzit të cilëve u kishte besuar jetën. Shpresat që Llambi Peçini mbante te Enveri kur ishte në birucë dhe pse pas kësaj Enveri ka urdhëruar vdekjen e tij. Cila ishte frika që karakterizonte byroistët, sidomos kur thërriteshin nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu etj. Janë këto disa nga çështjet që shtjellohen me imtësi nga njeriu historik i Sigurimit të udhëheqjes më të lartë komuniste. Gani Kodra, që në atë kohë ka rënë viktimë e akuzave më të rënda të Enver Hoxhës, të cilit i shërbeu për 20 vjet. Tradhtar i atdheut dhe armik i partisë dhe i popullit. Poliagjent që së bashku me Mehmet Shehun ka dashur ta eliminojë fizikisht Enver Hoxhën.

    Zoti Gani, gjatë punës suaj të gjatë brenda Bllokut të udhëheqjes më të lartë të shtetit të djeshëm mund të pretendoni se e gëzonit simpatinë e tyre?
    Patjetër që e gëzoja, se ndryshe nuk mund të rrija as edhe një ditë dhe jo 20 vjet në atë vend pune. Unë mund të them se kam qenë njeriu i shtëpisë së të gjithëve. I kisha ndihmuar të gjithë dhe u shërbeja me një ndërgjegje prej fanatiku.

    Ç’ndihmë mund të pretendonte nga ju një udhëheqës i lartë i shtetit të atëhershëm?
    Për shumë gjëra që ju nuk mund t’i imagjinoni, sepse mendoni që ata, duke qenë autoritete të larta, mund të mbaronin çdo punë, aq më shumë kur kishte të bënte me familjet e tyre. Fjalën e kam për problemet e ndryshme teknike që mund t’u dilnin për ditë. Nuk e kishte të thjeshtë një anëtar byroje të kërkonte pranë drejtorisë së pritjes një antenë televizori, ashtu si nuk e kishte të thjeshtë për një material tjetër tepër të nevojshëm, sepse u vinte zor. Se mentalitetet dhe konceptet e burrit të shtetit në atë kohë ishin krejt ndryshe nga sa mund të flasësh sot.
    Por mund t’u dilte edhe një problem disiplinor me fëmijët në shkolla dhe ata nuk mund të ndërhynin dot për mbyllje apo diçka tjetër se pastaj përgjigjeshin në tjetër vend.
    Për çdo gjë të këtyre natyrave, ata kërkonin ndërhyrjen time shoqërore deri në eliminimin e problemit të lindur. Ju duhet ta kuptoni se ata kishin frikë se një gjë e vogël mund të ngrihej në Byronë Politike dhe dihej pas kësaj se ç’drejtim merrte ngjarja. Ju mund ta kuptoni se ata të gjithë ishin të kënaqur, kurse unë po ju them se kam konstatuar absolutisht se ndodhte e kundërta. E vërteta është se ata ishin plot strese dhe jetonin gjithë frikë. Nuk mund të bëhet fjalë pastaj kur i thërriste në raport Enver Hoxha apo Mehmet Shehu. Në raste të tilla e prisnin me gjak të ngrirë takimin.

    Do të kisha dëshirë të ma konkretizonit me një shembull.
    Unë mund t’ju them se kishte fëmijë të autoriteteve më të lartë, të cilët kapeshin duke luajtur bixhoz në fakultet. Për shembull njëri që unë nuk kam dëshirë t’ia përmend emrin, sepse është njeri i respektuar, kishte rënë në hall të madh pasi djalin ia kishin kapur duke luajtur bixhoz në stërvitje ushtarake. E kishin bërë problem në dekanat dhe duhej që patjetër të merreshin masa ndëshkimore. Ai, megjithëse ishte udhëheqës i lartë i partisë, pra ishte anëtar i Byrosë Politike, nuk mund të ndërhynte dot për problemin e djalit.
    Fakulteti nuk e merrte parasysh për ta lehtësuar vetë situatën pa pasur nevojë për ndërhyrje në këto raste, pra duke e ditur se me të birin apo të bijën e kujt kishte të bënte?
    Këtu nuk është fjala për prerje koke, por për të mos u hapur problemi fare. Konkretisht për byroistin, për të cilin unë po të tregoj, ishte frika se për të birin do të merrej të paktën një vërejtje e thjeshtë. Por kjo nuk ishte e lehtë për të. Nuk ishte fjala për vërejtjen, por ishte fakti që në Byronë Politike do të merrej vesh se djali i tij kishte luajtur bixhoz. Pra ai ishte i frikësuar përballë diskreditimit që mund t’i bëhej. Për këtë arsye, në mënyrën më urgjente më kërkoi në shtëpi për kafe dhe më tregoi si e kishte hallin. Për këtë më kërkoi ndihmë personale. Të nesërmen, unë me një oficer tjetër shkuam në Mamurras, ku bënte universiteti stërvitjen ushtarake. I thërrita drejtuesit e fakultetit dhe sidomos shefin e sigurimit të tij. U fola disi qetë dhe pastaj i thashë shefit të sigurimit në formë presioni: “Nuk paskeni punë tjetër me se mund të merreni, por të ta bëni problem një rast qesharak, që mund ta mbyllni brenda për brenda!? Nuk ju paska mbetur gjë për të bërë?” Këto i kisha kot, se ai ishte në rregull me punën e tij. Por mua më dëgjonte me vëmendje pasi shkoja nga lartë, pavarësisht që s’kisha çfarë t’i bëja. Gjithsesi, urdhërova si me ton më të zbutur: “Mbyllini këto budallallëqe se nuk na ka hije të merremi me punë boshe. Kështu u mbyll edhe ajo çështje që në dukje ishte disi e papërfillshme, por po të merrej vesh nga Enver Hoxha nuk mund të parashikohej se çfarë drejtimi do të merrte puna.

    Ju njiheni në opinion si një nga njerëzit më të afërt të ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Në ç’raport e shikoje figurën e tij me atë të Enver Hoxhës?
    Këtu ka një të vërtetë të veçantë, pasi në një farë mënyre unë isha shumë afër Mehmet Shehut dhe për këtë ndjej një krenari të ligjshme. Fakti është se unë i kisha të dy idhuj dhe i respektoja shumë. Por për të qenë i sinqertë, po ju them se Mehmetin e doja më shumë se Enverin. Ai dukej që ishte karakter më i drejtë dhe më fisnik. Mund të bërtiste më shumë. Irritohej aq sa edhe mund të të ofendonte, por zemrën e kishte të madhe. Unë kam dëgjuar të thonë se Mehmet Shehu ishte kriminel, por unë po ju them se te ai nuk ekzistonte natyra e krimit. Pas arrogancës kishte shpirtbardhësinë. Ishin të shumta rastet që ai ka ditur t’i tërheqë fjalët që ka lëshuar pa u menduar ndaj vartësve të tij. Ndërsa Enveri, ashtu siç e vërtetoi koha, paskësh qenë një njeri i prapaskenave dhe një njeri gjakatar me zemër shumë të zezë.
    Megjithëse në paraqitje nuk i tregonin kontradiktat e brendshme që kishin, unë e kuptoja fare qartë që ata nuk e donin fare njëri – tjetrin.

    Mund t’i konsideroj fjalët negative për Enverin si shenjë hakmarrjeje që përfunduat në burg, aq më shumë i cilësuar si “armik”?
    Burgu për mua ishte një barometër, ku pashë se deri ku arrinte shpirtligësia e Enver Hoxhës. Aty unë pashë nga afër dhe preka me dorë të gjitha akuzat paradoksale që na u bënë, aq më shumë Kadri Hazbiut apo dhe Feçorr Shehut. Në atë moment unë u binda absolutisht që Enver Hoxha ishte shumë i ndërgjegjshëm që po na akuzonte fare kot dhe këtë e bënte me zellin më të madh.

    Kur e keni krijuar këtë bindje?
    Kadri Hazbiu, Feçorr Shehu, Llambi Peçini, unë, Ali Çeno, etj, që ishim brenda, e shikonim fare qartë se Hekuran Isai, pasi rrinte së bashku me grupin e hetimit gjatë gjithë natës në qelitë e 313-ës, kur binte mëngjesi merrte rrugën drejt e në Vlorë ku ishte Enver Hoxha për të marrë udhëzimet e reja. Por sidoqoftë, atë kohë të hetuesisë nuk dua ta kujtoj fare se bëhem keq dhe jo më ta tregoj.

    Ju besoni absolutisht në mendimin se Enver Hoxha ishte skenarist i gjithë asaj që ndodhte te ju në qeli?
    Që ta besosh një fakt të tillë duhet ta vërtetosh dhe unë këtë e kam vërtetuar. Ju thashë pak çaste më parë se Hekuran Isai rrinte deri në mëngjes mes hetuesve, që kishin marrë në dorë çështjen e Kadriut, Feçorrit, Llambit, timen etj. Pra, çështjen e Mehmet shehut, se kështu quhej ajo çështje pasi ne akuzoheshim të gjithë si bashkëpunëtor të tij. Pasi informohej për çdo deponim tonin, sa zbardhte dita ai nisej menjëherë për në Vlorën ku raportonte te Enverin, i cili sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe në një kohë kur Kadri Hazbiut i ishin thyer brinjët nga shkelmat e hetuesve, lahej në det dhe bënte banjë dielli. Pasi merrte informacionet nga Hekurani, ai jepte porositë e tjera. Gjithçka që na kërkohej në qeli, ishte të pranonim ato që donin ata për të vërtetuar çka kishte deklaruar Enveri. Me pak fjalë, ne duhej të pranonim se ishim poliagjentë dhe se qëllimin tonë kryesor kishim pasur eliminimin e Enverit, por që nuk kishim mundur. Budallallëqe të tilla, por të besueshme për njerëzit, që nuk e dinin se Enveri kishte qenë çdo minutë jo vetëm në dorën e Kadriut dhe të të tjerëve, por edhe në timen, që kur të doja e eliminoja pa u marrë vesh fare. Këtu mund të të tregoj se për të pranuar ato që kërkonin hetuesit, të cilëve gjithashtu u vinin porositë nga jashtë, përdoreshin të gjitha llojet e torturave. Disa u thyen dhe treguan. Por në këtë rast, që ta lidh mendimin me Enver Hoxhën që më pyete në fillim për dallimin e tij me Mehmetin, unë mund të tregoj për Llambi Peçinin, i cili kishte besim te Enver Hoxha dhe për këtë gjë hëngri plumbin.

    Në ç’mënyrë?
    Llambi, në hetuesi ashtu si të gjithë ne, u torturua kafshërisht deri sa pranoi të bashkëpunonte me hetuesit për të deklaruar në gjyqin e Kadriut ato që donin ata. Ai i pranoi të gjitha akuzat ashtu siç ia kishin kërkuar, por kur doli në gjyqin e Kadriut si dëshmitar dhe pa kamerat, deshi të denoncojë. Deri në atë çast ai mendonte se Enver Hoxha nuk kishte pasur dijeni mbi ato që i ishin bërë dhe vendosi të fliste para kamerave, për t’i çuar mesazh Enverit te i cili mbante shpresat, pasi i kishte shërbyer si rrallë kush për 20 vjet me radhë. Ndërsa doli në podiumin e dëshmitarit për Kadri Hazbiun, për të thënë ato që i ishin porositur, ai, ndryshe nga sa pritej para kamerave, deklaroi: “Unë po ju them se nga të gjitha ato që kam deklaruar në hetuesi për Kadri Hazbiun nuk janë të vërteta, pasi më janë marrë nën efektin e papërballueshëm të torturës. Ne jemi të pafajshëm dhe nuk qëndron asnjë nga akuzat që na janë ngritur. Mirëpo kjo do t’i kushtonte Llambi Peçinit, pasi pas kësaj ai do të radhitej te njerëzit që u dënuan me pushkatim. Ja, ky ishte Enveri, i cili sajonte, fliste në publik për Kadri Hazbiun dhe Mehmet Shehun dhe në frymën e akuzave që ai bënte në publik, hetuesit kërkonin që ne t’i pranonim. Por nuk dua të zgjatem shumë te gjyqi që na u bë në atë kohë, se është një enciklopedi më vete dhe një histori që akoma nuk e njeh populli. Po të njihen njerëzit me atë histori, rrëqethen nga faktet dhe dëshmitë monstruoze të bëra nga shumë njerëz, ndoshta dhe me personalitet, por që nuk mundeshin ta përballonin torturën.

    E keni menduar faktin se pse Enveri u tregua aq i pabesë, të paktën për ty, sa të plasi brenda burgut me akuzat më të rrezikshme të kohës?
    Këtë mendova kur hyra në birucë natën e parë të arrestimit. Pas një jete plot sakrifica dhe tension, duke menduar natë e ditë se si të kryeja me përkushtim detyrën time që më ishte ngarkuar me precedencë, përfundova në pranga si armik i rrezikshëm i partisë dhe i popullit dhe tradhtar i atdheut. Gjatë punës sime mbi 20-vjeçare pranë Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe udhëheqësve të tjerë, siç të thashë, isha bërë pothuajse njeriu më i afërt i familjeve të tyre, aq sa nuk mund ta mendoja kurrë se ndaj meje Enver Hoxha do të ndërmerrte ndonjë iniciativë të tillë, që të ma shkatërronte përfundimisht jetën. Kur hyra në birucë menjëherë mu kujtuan letrat që më kishte dërguar personalisht Enver Hoxha për shërbimin e kujdesshëm që kisha bërë pranë familjes së tij.

    Për çfarë letrash bëhet fjalë?
    Një letër falënderimi personal ma kishte dërguar mua së bashku me Llambi Peçinin që në vitin 1965. Në atë kohë, unë me Llambin kishim shoqëruar Nexhmijen në një nga klinikat e Parisit, ku ajo kishte shkuar për kurim. Enveri, i kënaqur siç duket për fjalët e mira që duhet të ketë thënë Nexhmija mbi përkujdesjen që ne kishim treguar, na shkruante: “Të dashur Llambi e Gani, ju falënderoj për kujdesin shoqëror që tregoni për Nexhmijen. Këtë jua shpërblefsha në raste gëzimesh”. Letra e fundit që më dërgoi ishte shkruar vetëm dy vjet para se të arrestohesha me akuzën më të rëndë të asaj kohe, të tradhtisë së lartë, pikërisht në vitin 1980. Atë letër ma dërgonte mua dhe gruas për përkujdesjen që tregonim për të birin në Suedi, pasi në atë kohë isha sekretar ambasade në Suedi. Në atë letër shkruante: “I Dashur Gani, ju dhe bashkëshortes suaj, ju falënderoj për kujdesin që tregoni për fëmijët e mi në Stokholm. Jua shpërblefsha në të mira.
    Megjithatë erdhi një ditë dhe u harruan jo vetëm kjo, por shumë e shumë të tjerë që kishim punuar me stres dhe me nerva të tendosura për një jetë në dispozicion të tyre, aq sa u dinim çdo hall dhe problem në familje. Kishim qenë afër, saqë si i thonë asaj fjalës së urtë, “u kishim rritur fëmijët”...
    vijon nesër




    Kur u arrestua Kiço Ngjela, Mehmet Shehu u bë keq

    Në mëngjesin që do të arrestohej Kiço Ngjela, Ganiu tregon se është takuar me Mehmet Shehun. Ndërsa pinte kafen, i ka tregoi për ngjarjen që do të ndodhte pas disa çastesh, pra për arrestimin e ministrit historik. Mehmet Shehu, megjithëse e priste këtë arrestim, është tronditur dukshëm dhe ka lëshuar deklaratën e befasishme. “Isha nisur i qetë për në drejtim të godinës së Komitetit Qendror, nga ku do të kaloja për te Kryeministria,- tregon Gani Kodra për momentin që do të arrestohej Kiço Ngjela dhe që thotë se “nuk do ta harroj kurrë gjendjen që kaloi Mehmet Shehu”. Sapo dola në bulevard, takova Nevzat Haznedarin, me të cilin shkëmbeva përshëndetjet e rastit. Ndërsa bisedoja me të, e pyeta nëse ishte me shërbim apo po bënte një shëtitje shplodhëse. Më tregoi se në Komitetin Qendror ishte thërritur Kiço Ngjela dhe pasi të dilte, do të arrestohej. Nuk e bëra të gjatë, por u largova menjëherë. Në fakt nuk u çudita, sepse ai pritej të arrestohej pasi mbi të kishin filluar herët goditjet. Kur hyra në godinën e Kryeministrisë, pashë që doli nga zyra Mehmet Shehu. Ai po shkonte në holli për të pirë kafen. Më thërriti për ta pirë kafen së bashku. Nuk e zgjata, por u ula në kolltukun përballë. Pas disa çastesh, unë si për t’u gjendur në bisedë, i thashë se kisha takuar Nevzatin, i cili kishte marrë urdhrin për arrestimin e Kiço Ngjelës. Mehmeti në çast u drodh, u nxi dhe lëshoi filxhanin në pjatë duke bërtitur: “Nuk e shikon se po më godasin krahët”. Ai nuk shkoi më në zyrë, por megjithëse ishte mëngjes u nis drejt e në shtëpi.



    neser do te lexoni

    Pse Enver Hoxha kishte frikë nga njerëzit që e rrethonin, si dhe rastet që ai ka protestuar për shërbimin që i është bërë.
    Ngjarjet e ndodhura në vitin 1960, kur Enveri merrte pjesë në mbledhjen e 81 partive në Moskë dhe porosia që dha për t’ia sjellë ushqimin nga Tirana
    Cila është e vërteta e manisë së Enverit për të eliminuar bashkëluftëtarët e hershëm. Si i planifikonte akuzat që do të fabrikonte ndaj tyre


    ....

Tema të Ngjashme

  1. Illuminati! Kulti i syrit që sheh çdo gjë
    Nga Darius në forumin Shkenca dhe jeta
    Përgjigje: 140
    Postimi i Fundit: 08-06-2011, 15:24
  2. Guerilasit e LANC
    Nga Tannhauser në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 21-04-2007, 14:12
  3. Përse Hitleri e shmnagu pushtimin e Zvicrës
    Nga Xhuxhumaku në forumin Historia botërore
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 21-02-2006, 06:30
  4. LDK-ja nën terrorin e pol-potistave
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 07-01-2004, 14:00

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •