Pse kryesia e Asamblesë nuk i fali kolegët e vetë deputetë ?

Historia e epokës komuniste në vendin tonë ka njohur si rrallë herë opozitën e tij më të fuqishme e cila ka dalë hapur, madje si grup i organizuar, në mbrojtje të parimeve të demokracisë perëndimore.Kjo ka ndodhur që në parlamen tin e parë të Shqipërisë së pasluftës, i dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit të 1945-s dhe që filloi funksionimin në 12 dhjetor të po atij viti. Aftësitë organizuese dhe intelektin interpretues grupi që do të bënte opozitën e parë, i shfaqi që në momentet e para të punimeve, pikërisht kur po zgjidhej Kryesia e Asamblesë Kushtetuese (Parlamenti), në të cilin ata desh bënë të mundur zgjedhjen e njerëzve të tyre. Por nuk do të kalonin veç tre muaj veprimtari dhe ata do të binin menjëherë në syrin e Enver Hoxhës, i cili i denoncoi nëpërmjet fjalës së njërit prej njerëzve të tij të afërt të asaj kohe, Nako Spirut. Ka qenë pikërisht momenti kur ky grup kishte marrë iniciativën për të penguar miratimin e projektkushtetutës së parë komuniste. Iniciativa e tyre për të ndalur revanshin komunist do t'u kushtonte jetën jo vetëm 17 deputetëve që kishin mundur të hynin në parlament, por edhe shumë bashkëpunëtorëve, duke arritur numrin e 40 vetave. Në pjesën e parë të kitij matëriali keni lexuar për mënyrën se si u arrit të organizohej një grup i tillë që në ditët e para të çlirimit dhe pse ata kërkuan shtyrjen e zgjedhjeve. Si mundën të hynin në parlament dhe cilat ishin iniciativat e tyre të para antikomuniste. Nisma për të rrëzuar Enver Hoxhën dhe çfarë kishin biseduar me misionarët perëndimorë. Kur erdhi reagimi i Enverit dhe betimi i tij për goditje fatale ndaj atyre që kishin marrë guximin për ta kundërshtuar. Ndërsa në numrin e sotëm do të mësoni për koordinimin dhe përsosmërinë e organizimit në ditët pas miratimit të kushtetutës komuniste në Asamble. Masat e tyre për të krijuar kushtet për një ndërhyrje të jashtme dhe si do ta realizonin atë. Arrestimi dhe gjykimi. Çfarë deklaruan ata në gjyqin historik të zhvilluar nën një publikim masiv dhe vendimi për "vdekje me pushkatim" që mori gjykata e lartë speciale në kryeqytet, si dhe ekzekutimi i tyre i bërë në mesnatën e 10 tetorit të vitit 1947 etj. Gjithçka mësohet pikërisht në shkrimin e mëposhtëm, të mundësuar nëpërmjet faktesh të grumbulluara nga dosja përkatëse që i përket procesit hetimor të "Grupit të deputetëve", që gjenden në AQSH, si dhe dokumentet që u përkasin punimeve të parlamentit të viteve 1946-1947, të ndodhura po në këtë arkivë.

Si do ti kundërviheshin Enver Hoxhës.
Ishte fillimi i prillit të vitit 1946, kur në një mbledhje tjetër të bërë në shtëpinë e Hysen Shehut, nga "Grupi i deputetëve", siç u vetemërua, madje edhe u konsiderua nga opinioni i mëvonshëm grupi që po merrte përsipër të bënte opozitën në parlamentin e parë të Shqipërisë komuniste, është deklaruar se planet e tyre për të rrëzuar Enver Hoxhën së shpejti do të gjenin zbatim. Për këtë, disa anëtarë të grupit, si Riza Dani, Selman Ndreu, Kolë Kuqali etj., pak orë para se të fillonte mbledhja në fjalë, ishin takuar me misionarët e përfaqësisë amerikane në Tiranë. Kështu, sa u mblodhën të gjithë, ata njoftuan për çka kishin biseduar me misionarët e huaj dhe për porositë që kishin marrë prej tyre. Njoftuan se prej tyre u ishin dhënë detyrat që duhej të zgjeronin organizimin e çetave, të fillonin nga aksionet e të përgatiteshin për kryengritje, pasi ata së shpejti do të zbarkonin me forca ushtarake. Konkretisht, gjatë fjalës së tij Riza Dani mësohet të ketë thënë: "Në bisedimin që kemi pasur me misionin amerikan dhe me gjeneralin Hodgson, kemi marrë premtimet se ata së shpejti do të merrnim masa për atë çka kërkonim, vetëm se kërkonin nga ne që të mos zhgënjeheshin".
Pas shumë orë diskutimesh dhe sugjerimesh, në fund ka folur dhe njeriu me më shumë ndikim i grupit, Shefqet Beja, i cili, si edhe parafolësit e tij, është shprehur: "Zgjerimin e veprimtarisë së çetave dhe udhëzimet që morëm nga anglo-amerikanët për një zbarkim, me të shkuar nëpër qarqe do t'ua thoni shokëve dhe të fillojë një propagandë e gjerë, duke filluar me parrulla të ndryshme". Pas tij ka ndërhyrë deputeti Selaudin Toto, i cili duket se ka pasur një besim të padiskutueshëm te aleatët e tyre antikomunistë të Perëndimit, pasi është shprehur: "Duhet të kemi besim në premtimet që na kanë dhënë anglo-amerikanët, sepse patjetër së shpejti do të kemi një zbarkim dhe do të ndryshojë situata këtu". Pas kësaj mbledhjeje, ku sipas procesverbaleve hetimore të mbajtura nga dëshmitë e vetë personave vetëm pak kohë para daljes së tyre në gjyq, është vendosur edhe për masat konkrete që do të merrnin në interes të një kryengritjeje të pritshme të armatosur, pothuaj të gjithë krerët e "Grupit të deputetëve" shkuan në rrethe për t'u marrë me organizimin.

Detyrat konkrete.
Ishte korriku i 1946-s kur u mblodhën sërish krerët e organizatës së deputetëve në një takim të planifikuar për realizimin e platformës së tyre politike. Aty u ngarkuan Riza Dani, Faik Shehu dhe Jup Kazazi me detyra konkrete organizuese për të përgatitur ndërhyrjen e aleatëve. Në këtë nismë u vendos që të jepej një vrull i përgjithshëm për të krijuar turbullira në vend. Gjithsesi, më pas ata do të deklaronin për mosbesimin që kishin pasur në iniciativat e veta. Kështu, njëri prej tyre, i njohur me emrin Tefik Deliallisi, gjatë procesit të tij gjyqësor para trupit gjykues do të deklaronte: "Ne dyshonim që me forcat tona të mund t'i futeshim kryengritjes, por vetëm kishim besim në ndihmën e anglo-amerikanëve. Fillimi i kryengritjes ishte vetëm sa për të gjetur pretekst për të ndërhyrë me armë, në mënyrë që të paraqisnim në botën e jashtme se në Shqipëri gjendja është e turbullt…".

Shënimet e dorës së Enver Hoxhës.
Nuk kaloi as një vit nga koha kur ky grup kishte filluar nga veprimi konkret dhe kur Enver Hoxha konstatoi personalisht, që në muajin e tretë të parlamentit, se diçka po lëvizte pas personit të Riza Danit dhe misionarëve amerikanë. Ky moment kishte qenë diskutimi i bujshëm i Danit, i cili në emër të grupit po kundërshtonte me gjithëfarëlloj argumentesh projektkushtetutën e parë. Pas kësaj, do të vinte mbikëqyrja e deputetëve në mënyrën më të sofistikuar dhe më të rreptë, derisa së fundmi të vinte arrestimi i tyre. Një letër disi e zverdhur dhe e vjetruar nga dhjetëra vitet që kanë rënduar mbi të, qëndron në një nga stendat e Muzeut Historik Kombëtar, në pavionin e gjenocidit komunist, pikërisht në seksionin që u kushtohet deputetëve të opozitës së parë të Shqipërisë komuniste. Mbi të është një shkrim dore më se i zakonshëm, madje pa i respektuar as rregullat elementare të drejtshkrimit. Ajo jep mbylljen e një historie të gjatë të nisur me shumë vrull dhe pasion nga disa intelektualë të njohur të Shqipërisë së atyre viteve. Është pikërisht urdhri pothuajse verbal që vendoste përfundimisht fatin e një pjese të deputetëve të parlamentit të parë shqiptar. Konkretisht në të shkruhet:
"Rendi i ditës: - Sot, më 14.05.1947, shqyrtimi i çështjes së arrestimit të disa të burgosurve. U muar vendim për arrestimin e 10 deputetëve dhe gjithashtu u muar vendim për arrestimin e Kadri Hoxhës, meqenëse ishte ngjarje urgjente dhe kjo çështje do t'i paraqitej Komitetit Qëndror të PKSh. Partia do të skjarohet në lidhje me këtë për luftën që duhet bërë kundra reaksioneve dhe gjithë elementëve nacionalistë. Duhet të kuptohet se ata që punojnë shtrembër, do të dënohen, ndërsa ata që punojnë drejt e ndershëm duhet të veçohen. Partia e jonë kërkon të sqarohet proçesi".
(Poshtë janë firmat e nënshkruara nga Enver Hoxha, Shefqet Peçi, Hysni Kapo dhe Nako Spiru.)


Gjyqi i opozitës 30 gusht 1947.
Trupi gjykues i caktuar nga Komiteti Qendror i PKSh-së përbëhej:
-Kryetar i tij ishte kolonel Niko Çeta, ish-komunist me formimin e Partisë, kuadër në luftë dhe pas çlirimit ka qenë në organet e punëve të brendshme e të Sigurimit, me arsim fillor dhe me profesion furrxhi.
- Prokuror i çështjes së tyre ishte nënkolonel Josif Pashko, ish-komisar gjatë luftës, ndërsa pas çlirimit me funksione të larta partiake dhe në organet e punëve të brendshme, me profesion arsimtar
-Anëtarët e trupit gjykues ishin të gjithë besnikë dhe me garanci të larta politike, ish-pjesëtarë e kuadro të luftës.
Po cili ishte ky grup që u arrestua dhe u ndëshkua tmerrësisht nga Enver Hoxha? Cili ishte qëllimi i vërtetë i tij? Ishte e vërtetë që ai bënte veprimtari armiqësore, ashtu siç dhe u akuzua.
Duke shfletuar dosjen hetimore, mes shumë shënimesh me vlerë të madhe historike, në të cilat jepet edhe momenti i zhvillimit të procesit gjyqësor zhvilluar për ta, nëpërmjet pyetjeve të prokurorit dhe deklarimeve që ata kanë bërë para tij, hidhet dritë më shumë për atë të vërtetë historike se iniciativat e para për demokratizim në Shqipëri janë qysh herët.
Ja çfarë dëshmon në një nga ato seanca pyetësore të gjyqit që zhvillohet kundër "Grupit të deputetëve", njëri nga përfaqësuesit e këtij grupi i njohur si intelektual i mirëfilltë, që ishte edhe ndër kryesorët, Shefqet Beja.
Prokurori: - Çfarë pushteti predikonit ju?
Shefqet Beja: - Ne donim një pushtet me parimet demokratike të Perëndimit.
(. . . Vijon. . .)
Kryetari: - Politikën e amerikanëve?
Shefqet Beja: - Po. Të pëlciste një konflikt ndërkombëtar!
Prokurori i përgjithshëm Josif Pashko, në fjalën e tij drejtuar trupit gjykues në këtë gjyq të zhvilluar ndaj deputetëve të legjislaturës së parë të Kuvendit Popullor më 30.08 1947, ndër të tjera thekson me forcë: "… Dënimi që ju duhet t'u jepni këtyre, duhet të jetë i rëndë, se të rënda kanë qenë veprat e tyre kriminale, se e madhe ka qenë tradhtia që këta i kanë bërë popullit. Populli ynë e urren tradhtinë dhe prandaj kërkoj nga ju dënimin pa mëshirë...".
Vendimi
Më së fundmi pas shumë akuzash dhe kundërakuzash Gjykata e Lartë nxori vendimin nr. 187, datë 27. 9 1947:

"…Për veprën e tradhtisë së lartë për rrëzimin e shtetit demokratik shqiptar…"
Dënohen:
Me vdekje me pushkatim: Selaudin Toto, Irfan Majuni, Enver Sazani, sheh Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Agothokli Zhitoni, Abdyl Kokoshi, Selim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Sogioti, Tefik Delialliasi, Pertef Karagjozi, Shefqet Beja etj., duke përfunduar kjo në shtatëmbëdhjetë të dënuar. Në fund numri i të ekzekutuarve arriti deri në 40 persona, pasi më mbrapa në këtë akuzë u përfshinë dhe ata që u konsideruan "bashkëpunëtorë të deputetëve".

Ekzekutimi.
Plot një muaj të lidhur në një mënyrë të tillë që nuk mund të lëviznin fare kanë ndenjur të gjithë deputetët e dënuar me vdekje në qelitë e burgut të sigurisë së lartë Nr/313 në kryeqytet në pritje të zbatimit të vendimit të ekzekutimit të tyre. Brenda atij muaji ata u munduan të bëjnë dhe përpjekjet e fundit për të shpëtuar jetën. Kështu sejcili dërgoi në organet më të larta të shtetit dhe kryesisht në Kryesinë e Asamblesë Kushtetuese, antërë të së cilës deri pak kohë më parë se të dënoheshin kishin qenë edhe ata vetë, kërkesat për falje të tyre. Mësohet se ata deri në momentet e fundit nuk i kishin humbur shpresat për falje nga ish kolegët e tyre paralmentarë. Megjithatë ajo nuk u realizua kurrë. Ka qenë një shkresë e nisur në drejtorinë e burgut ku ata ishin të izoluar, e firmosur nga Sekretari i Presidiumit, Sami Baholli e cila u bënte të diutur refuzimin e lutjeve të tyre për tu dhënë mundësinë për të jetuar. Konkretisht ajo shkresë ka mbajtur datën 9 tetor 1947 dhe ka qenë rregjistruar në numrin 180 të rregjistrit të parlamentit të atij viti. Pas kësaj do vinin orët e para të mesnatës së 10 tetorit, kur skuadra e pushkatimit do t'i merrte për t'i çuar në zonën e Malit me Gropa, ku do të ekzekutoheshin që të gjithë. Kështu u mbyll kjo histori e këtij grupi të lindur me shumë bujë dhe që pati një jehonë të jashtëzakonshme, për vetë faktin se mori përsipër të hapte siparin e mendimit ndryshe në pushtetin komunist të painstaluar akoma mirë në Shqipëri.


PROCES-VERBALI

Dokumenti sekret, Prokurori Pashko: Si u ekzekutuan deputetët rebelë.

PROÇES - VERBAL - EKZEKUTIMI

Sot më datën 10. X. 947 0ra 3 para-dite, unë Josif Pashko, i ngarkuar me cilësi Prokuror, i shoqëruar dhe nga ndihmësi Harito Nashi dhe Dr. Major Ibrahim Dervishi, shkuam në burg dhe muarmë në dorëzim të pandehurit të dënuar me vdekje: Shefqet Beja, Riza Alizoti, Sheh Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Agathokli Xhitoni, Abdyl Kokoshi, Salim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Saggioti, Tefik Deliallisi dhe Pertef Karagjozi dhe mbasi u siguruam për identitetin e tyre të shoqëruar dhe nga rojet, shkuam në vendin e caktuar për ekzekutimin e të pandehurave. Mbasi u kënduam vendimin e gjykatës së Naltë Nr/ 187 dt 27. IX. ,947 që dënon të gjithë të pandehurit e naltë-përmendur me vdekje, mbasi u kënduam shkresën e Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr/ 180 të Regj. Dt 9. X. ,947 që refuzon lutjet e tyre për falje dhe mbasi u pyetën dhe thanë flaën e fundit, në bazë të vendimit të naltpërmendur u ekzekutuan.


Nënshkruar sot më 10/X/1947

Prokuror
Ndihmës Prokurori
Ibrahim Dervishi
Josif Pashko