Prej 6 deri më 11 shtator në Kosovë mbahet "Java e kulturës arvanitase"
Prishtinë, 3 shtator - Organizuar nga Departamenti i Çështjeve Jorezidente të Ministrisë së Kulturës të hënën, më 6 shtator, fillon "Java e kulturës arvanitase në Kosovë" e cila do të zgjasë deri më 11 shtator. Organizatori ka bërë përpjekje që gjatë këtij manifestimi kulturor t'i ofrojë publikut sa më shumë fakte e vlera kulturore të komunitetit arvanitas (arbëresh) në Greqi.
Kjo Javë do të hapet në orën 18.00, në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, fillimisht në program është një film dokumentar për arvanitët dhe do të hapet një ekspozitë me fotografi arvanite. Ndërsa, më 7 shtator do të mbahet një simpozium për kulturën arvanitase, i cili organizohet në hotelin "Grand" të Prishtinës. Po atë ditë në Sallën e kuqe mbahet koncert me këngë e valle arvanitase. Ndërkaq, më 8 shtator në Prishtinë do të mbahet një akademi përkujtimore kushtuar arvanitit, Aristidh Kolës, njërit ndër figurave më të njohura të kulturës së arvanitëve. Po atë ditë në Prizren mbahet një orë letrare me krijime kushtuar arvanitëve. Më 9 shtator përurohet libri "Arvanitët një popull i padukshëm" i Antonio Belushit, dhe bëhet prezentimi i librit "Shtegtimet dhe ngulimet e shqiptarëve në Greqi shek. XIII-XVI" të Shkelzen Raçës.
Krijoni Kontakt