Profesor Stuart Campbell (Stjuërt Kempbell) në Londër ka zhvilluar një sistem krejt të ri për të përgjuar jetën e të palindurve, sistemin 4 dimensional ultratingulli. Falë kësaj ai është në gjendje t'u tregojë prindërve të krijesës së re se si kjo është duke u zhvilluar hap pas hapi që nga një etapë tepër të hershme.

Doktor Campbell thotë se teknologjia e re u jep mundësinë prindërve që të krijojnë kontakte me beben e tyre që para se ai të lindë dhe se pamjet e përmirësuara nga brenda barkut janë të vlefshme për doktorët të cilët mund të mbikëqyrin shumë më mirë zhvillimin e fetusit.




Fetusi hap sytë që në javën e 18-të

Pamjet e pashoqe zbulojnë se fetusi ka një jetë më të pasur dhe të koklavitur nga ç'ishte menduar më parë. Përpara mendohej se fetusi hapte sytë vetëm kur mbërrinte në javën e 26 (6 muaj e dy javë) të zhvillimit të tij. Në pamjet e Campbell'it gjendet dëshmia se kjo mund të ndodhë që pas 18 javësh (4 muajsh e dy javësh).
- Rreth 12 javësh (3 muajsh) duket sikur ata kanë qejf të kërcejnë si mbi një trampolinë brenda në bark. Por nuk mund të vazhdojnë edhe aq gjatë pasiqë rriten gjithnjë e më tepër. Rreth 14-15 javësh mund të shihen të thithin gishtin e madh të dorës e të gogësitin, thotë Campbell.




Fetusi lëviz këmbët që në javën e 12-të

Një foshnje e palindur mund shtriqet, të hedhë shkelma dhe të përkulet brenda barkut të nënës në një fazë shumë më të hershme nga ç’mendohej. Mund të shihen lëvizje shumë të ndërlikuara të duarve, sesi foshnja fiton ndjesinë e hapësirës apo se si ngre qepallat e syve.

Campbell tregon edhe për një zbulim tjetër:
- Prej nga 22 javësh (5 muajsh e dy javësh) mund të shihen tek zhvillojnë reflekse mbështetur në se çfarë ndjejnë si ngërdheshje apo buzëqeshje. E kam të vështirë të mendoj se një fetus që buzëqesh në bark nuk e bën këtë ngaqë është i lumtur. Mund të ketë të bëjë me atë që ai e percepton botën përjashtë, dritën dhe tingujt.

Por profesorja e politikave shoqërore Ellie Lee në Universitetin e Kentit thotë se lëvizjet e fetusit janë thjesht reflekse dhe nuk janë tregues të të menduarit, ose emocioneve.

Kjo teknologji mund të ketë ndikim tek debati mbi dështimin.

Zbulimet e profesor Stuart Campbell'it paraqiten në librin e tij "Watch Me Grow" (Më shih tek rritem).