Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e ChuChu
    Anëtarësuar
    03-06-2002
    Vendndodhja
    nyc
    Postime
    3,400

    Gurë, gurë behet Gjirokastër....

    Gurë, gurë bëhet Gjirokastër - Nga Besiana Lushaj ( @spektri)


    Linja ndarëse mes dy botëve është pjesa ku mbaron asfalti dhe fillon rruga me kalldrëm: ndahet pjesa e vjetër e Gjirokastrës dhe ajo e reja. Duken si një qenie e vetme prej guri ato shtëpi të vendosura sipër njëra-tjetrës, me dritare të ngushta me kanata druri; dyer shtëpish të prodhuara si dikur, të rënda dhe të forta. Në Gjirokastër nuk ecën, por “ngjitesh” sepse rrugët marrin gjithmonë të tatëpjetën: kështu, duhet të ngjitesh disa metra derisa të arrish te qendra në sheshin “Çerçiz Topulli”. Në pjesën e vjetër janë disa lagje karakteristike, secila ka një histori të vetën: Dunavat, Cfakë, Pllakë, Pazari i Vjetër, Palorto, Manalat dhe Varosh. Mënyra më e mirë e lëvizjes është shëtitja në këmbë, për të njohur qytetin do t'ju duhen të paktën dy ditë, por nata është e gjallë në Gjirokastër, ndaj do të gjeni argëtim edhe në orët e vona. Shumica e ndërtesave të rëndësishme për t'u parë shtrihen poshtë kështjellës, si: Muzeu Etnografik (në lagjen Palorto), Xhamia (në Mexhite) dhe pjesa e Pazarit (në lagjen e Pazarit). Rrugët e kalldrëmta janë të ngushta dhe të papërshtatshme për makinat, edhe pse lëvizja e tyre brenda qytetit të vjetër është diçka normale. Nëse jeni të uritur, do ta keni pak problem në fillim, sepse nga rruga lokalet dhe baret kanë pamjen e pijetoreve të papërshtatshme; në fakt pamja e tyre të bën të mendosh se vitet '90 dhe urbanizimi nuk janë dukur andej këto vitet e fundit. Eshtë pothuaj magjike ndjesia e të rikthyerit mbrapa në kohë, sidomos për ata që nuk e kanë jetuar asnjëherë: do t'u duket sikur kanë hyrë brenda një filmi të vjetër. Gjithsesi, duhet t'i besoni instinktit dhe banorëve të kulturuar gjirokastritë; në lokalet e tyre mund të gjeni mish dhe gatime të shijshme tradicionale. Një nga këto është edhe pijetorja e Kujtim Dumit; në fakt, ai është punonjës në Qendrën e Monumenteve të Kulturës, por e ka blerë këtë qoshe (pjesë e kalasë) që 10 vjet përpara. Ai vend ka ekzistuar si lokal që në vitet 20 - në mes të rrugës së Pazarit të Vjetër, përballë Klubit të Gjuetisë. Aty gatuhen shumë mirë bretkosat, gjithashtu edhe mezet me mëlçi dhe sallatra të freskëta. Djathi është meraku i pronarit dhe ai nuk përton të kërkojë gjithë Gjirokastrën për djathë të mirë deleje (nëse nuk ka klientë të tjerë, t'ju tregojë një histori të këndshme se si e gjeti djathin më të mirë të qytetit vetëm për klientët e tij).

    Paraditja (nëse ju ndihmon koha) do të jetë e këndshme vetëm duke vizituar qytetin; pasdite vonë mund të zbrisni poshtë në qytet. Ka dy rrugë: njëra të nxjerr menjëherë në rrugën kryesore të pjesës moderne të Gjirokastrës, ndërsa tjetra do t'ju sjellë rrumbullak. Gjithsesi, është bukur: këtë shëtitje mund ta përjetoni me emocion nëse ecni lirshëm, shijoni perëndimin dhe erën e lehtë që fryn nga lugina.

    Jeta e natës

    Gjirokastra është një nga qytet e pakta në Shqipëri që ka jetë nate. Kjo sepse universiteti mbledh të rinj nga i gjithë Jugu dhe ata e mbajnë gjallë qytetin. Natën mund të pihet një makiato e këndshme në klubin “The First”, një ndërtesë dykatëshe: kati i parë është piceri, ndërsa i dyti është bar. Duke iu ngjitur së njëjtës rrugë, mund të gjeni hapur dy-tre pub-e ose disko, ku buçet muzika deri në orët e vona (në qoftë se studentët nuk kanë shumë për të mësuar); nëse ju merr uria papritur - pa problem- edhe pas orës 12 mund të gjeni fast-food-e hapur.



    Mulliri i Babës

    Rreth 20 minuta me makinë larg qytetit ndodhet një pikë turistike tepër e veçantë. Në Virua mund të kalohet gjithashtu një ditë (ose natë) pasi natyra është shumë e qetë dhe ajri i pastër. Nata është një mrekulli aty: mund të kaloni natën në hotelet aty pranë duke shijuar natyrën e paprekur dhe pamjen mbi liqen. Pak më poshtë ndodhet “Mulliri”, një nga vendet për t'u vizituar para se të vazhdoni në rrugën e kthimit.

    Është një si shtëpi e vjetër dykatëshe prej guri, sipër janë disa dhoma për natën, ndërsa kati i parë është restorant. Karakterizohet nga një ambient rustik - duket si shtëpi e madhe fshati: dekori është një fantazi e vërtetë dhe ushqimi i mirë gjithashtu. Kjo zonë dallohet për mishin e shijshëm të qengjit (të rritur në kullotat me trëndelinë), ndaj ju këshillojmë një pjatë me paidhaqe dhe një gotë raki fshati.

    Menu

    Paidhaqe 600 lekë

    Sallata 150 lekë

    Gotë me raki 100 lekë


    Shtëpia gjirokastrite

    Është një labirint dhomash, korridoresh dhe hyrjesh të fshehta: zakonisht është 3- ose 4-katëshe. Kati i parë është i pabanueshëm (zahire) dhe përdorej si depo ushqimesh. Gjëja e gjallë (bagëtia) nuk strehohej aty për shkak të temperaturave të ulta; mund ta krahasoni me një frigorifer gjigant, ku pjesëtarët e familjes si bletët ruanin ushqimin e dimrit.

    Në katin e dytë ishin të ashtuquajturat “dhomat e dimrit”, ku familjarët kalonin muajt e ftohtë. Ky kat është më i ulët se të tjerët dhe dritaret janë më të ngushta: oxhaku i dhomës së ndenjjes në këtë kat është më i madhi dhe më i bukuri i gjithë shtëpisë. Po këtu ndodhet edhe kuzhina, ose qilari në gjuhën popullore, ndërsa ngjitur saj është dhoma e ngrënies. Familjet aristokrate të Gjirokastrës kanë qenë tepër të pasura, ndaj kishin të zhvilluar kulturën e të jetuarit mirë dhe të të ngrënit mirë. Dëshira Tena, punonjëse në Muzeun Etnografik, tregon se gjatë kërkimeve në shtëpitë e pasura të Gjirokastrës janë gjetur edhe qypa me flori, “madje edhe lugët dhe pirunët me të cilët hanin ishin prej floriri”, thotë ajo. Dhoma e gatimit është e gjitha prej guri, në krahasim me dhomat e tjera ku mbizotërojnë punimet në dru, për të shmangur zjarret. Gjithçka është e menduar mirë në këto shtëpi: vendi ku laheshin enët (nekrolit) dhe ku vendosej hapësira e gatimit.

    Në katin e tretë janë dhomat e miqve: të mëdha dhe plot dritë. Çdo dhomë ka nga katër dritare, të mbuluara me perde të punuara me dorë dhe qëndisma të rralla. E veçantë është dhoma e grave - vendi ku mblidheshin gratë dhe fëmijët kur kishte të huaj në shtëpi - pasi atyre nuk u lejohej të dilnin kur vinin miqtë. Secila dhomë, në çdo kat, është e pajisur me 3 ndarje të tjera: musandër (për të vendosur dyshekë, mbulesa), hamali (dhoma e larjes) dhe banja.

    Dëshira tregon se shtëpitë e mëdha ishin plot hyrje dhe dalje të fshehta, porta që ngjanin me dollapë të futur në mur, por po t'i përshkoje, mund të të nxirrnin edhe përjashta mureve të shtëpisë.

    Ushqimet tradicionale të qytetit

    Gjirokastra shquhet për kulturën e sofrës, ndaj kuzhina e qytetit është e pasur më receta të veçanta dhe të shijshme. Përgjithësisht janë receta turke, por të mbrujtura në kulturën gjirokastrite, marrin një tipar të veçantë. Një nga pjatat më të njohura është pashaqofte (quhet kështu sepse gatuhej për Ali Pashë Tepelenën) dhe përbërja është: qofte orizi me mish, të gatuara në salcë të bardhë ose të kuqe.

    Shapkat gatuhen në tepsi: është lloj byreku me miell misri dhe spinaq. Në vend të lyrës përdoret gjalpi, i cili i jep përzierjes një shije të veçantë.

    Qifaitë kanë veçanti sidomos mënyrën e gatimit - tigani në të cilin skuqen është me 10 gropa, ku vendosen 10 qofte me oriz, mish dhe erëza. Ky tigan është një nga enët e kuzhinës tradicionale gjirokastrite dhe mund të gjendet e ekspozuar në Muzeun Etnografik.

    Për t'u ëmbëlsuar, frutat e thara janë karakteristike e kuzhinës shqiptare, por në këtë zonë preferohen fiqtë e tharë (oshafka).

    Kalaja e Argjirosë

    Kalaja të zotëron menjëherë, sidomos kur gjendesh poshtë këmbëve të saj: shtrihet e gjatë dhe e lartë. Në cepin jugperëndimor dallon një kullë, në formë katrore dhe sahati që ngrihet përmbi të. Ndërsa në skajin e kundërt gjendet kulla e dytë - brenda saj gjenden pjesë muzeale. Në pjesën ballore, nëpër gurët e murit që lidh dy skajet, janë strehuar qindra zogj (janë sorra, por i shtojnë kalasë hijen e legjendës) dhe lule kacavjerrëse u janë ngjitur mureve të vjetra. Ngjitesh në një rrugët e kalldrëmta, të cilat rrotullohen si spirale nëpër kodër dhe më në fund arrin tek porta kryesore - aty duhet të paguash biletën - një shumë modeste 200 lekë.

    Brenda kalasë bie shi

    Hyrja e gurtë ka formën e një tuneli dhe nga muret pikon ujë, aq shumë sa duket si shi. Zhurma bëhet e mbytur dhe dëgjohet pikat e ujit që bien; tuneli zgjatet, në të janë vendosur një ekspozitë armësh nga Lufta e Parë dhe e Dytë - përgjithësisht topa artilerie. Nga të çarat në mur drita hyn e fortë dhe çan errësirën, që duket se banon aty prej shekujsh. Fundi i tunelit të nxjerr në tarracën e hapur, ku shpalosen pamje të mrekullueshme mbi luginën e Drinosit drejt veriut. Prej andej mund të dallosh qartësisht gjithë lagjet e vjetra. Në mes të tarracës janë vendosur tre gryka topash dhe në fund një gjuajtës i vjetër amerikan Lockhedd; rrethuar nga mure guri tashmë gjysmë të rrëzuara, ai vend është ideal për të organizuar koncerte apo festivale. Skena është e gatshme sepse mirëpret çdo katër vjet Festivalin Folkloristik. Djathtas, poshtë disa shkallëve, gjendet një kafene e vogël në një galeri të nëndheshme me harqe. Klientët e zakonshëm janë burra, por paraditeve me diell, poshtë të fshehur mes gurëve shkojnë çifte gjimnazistësh të dashuruar. Mund të kalosh orë duke vizituar kalanë - gjatë gjithë atyre ecejakeve unë vrava mendjen se nga cili shkëmb është hedhur princesha Argjiro kur mori vesh se turqit kishin pushtuar kalanë…

    Historiku i kalasë

    Bërthama e Kalasë së Gjirokastrës daton që nga shekujt 4-3 (para Krishtit). Rrethohet me mure ilire rreth shekullit të 6-të (pas Krishtit) duke hedhur themelet e para të kalasë së sotme. Ndërtimi i mureve zgjati me shekuj dhe mendohet që kalaja ka marrë formën përfundimtare rreth shek. 12, duke strehuar brenda saj pothuaj 200 familje. Lagjet e para jashtë kalasë datojnë një shekull më vonë - duke treguar për rritjen e vazhdueshme të popullsisë dhe qytetit antik. Në shekullin e 15-të, pas pushtimit turk kalaja zgjerohet edhe më shumë me depo uji, furra buke, burgje (të cilat ndodhet në pjesën e nëndheshme, ende sot të papastruara) dhe hapësira qëndrimi për ushtarët. Në vitin 1812, Ali Pashë Tepelena i shton kalasë pjesën e saj jugperëndimore dhe një ujësjellës të gjatë 12 km, i cili sillte ujin nga mali i Sopotit në brendësi të saj. Në vitin 1928 Ahmet Zogu e prish këtë ujësjellës dhe me gurët e tij ndërton burgun e kalasë, i cili ka funksionuar si i tillë deri në 1968-ën. Në vitin 1971 brenda kalasë hapet Muzeu i Armëve, sot në këtë muze kanë mbetur vetëm armë nga luftërat botërore, pasi të gjitha punimet antike shqiptare nga epokat e gurit, bronzit dhe mesjetës janë vjedhur gjatë trazirave të '97-tës.

    Ku të zini vend dhe të hani

    Hotel “Çajupi”

    Një udhëtim në kohë: të fjeturit është i sigurt pasi disponon 50 dhoma- të cilat kanë çmime të ndryshme: nga 400 deri në 3000 lekë, në varësi të sezonit. Dhomat e kompletuara me dush dhe ngrohje janë më të shtrenjtat; nëse prenotoni vetëm krevatin, është më lirë, por do t'ju duhet ta ndani dhomën me ndonjë udhëtar të rastit.

    Hotel “Kotoni”

    Me fjetje dhe mëngjes në rrugën “Bashkim Kokona” është një nga hotelet më të mira. Në fakt, janë vetëm disa dhoma në dispozicion, por brenda tyre mund të gjesh një komoditet që nuk e ofron hotel në Gjirokastër.

    Hotel “Vëllezërit Hajdari”

    Ndodhet përballë hotel “Çajupi”, por ndërtesa është tepër e amortizuar dhe kushtet janë nga më modestet. Gjithsesi, mund të gjeni një shtrat të pastër për pak para.

    Bar-restorant “Fantazia” ndodhet afër sheshit “Çerçiz Topulli”. Ofron ushqim të mirë dhe pamje të bukur.

    Pak më poshtë ndodhet Klubi i Gjahut dhe përballë tij një bar tepër i thjeshtë. Është ndërtuar nën muret e kalasë dhe brenda ngjan si bunker. Pronari është shumë i sjellshëm dhe ushqimi është i freskët dhe i lirë.

    Poshtë në qytet ka gjithashtu bar- restorante dhe fast-food-e që i gjen hapur deri vonë: ju këshillojmë të provoni ëmbëltoret, nëse ju pëlqejnë pastat e freskëta.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e ChuChu
    Anëtarësuar
    03-06-2002
    Vendndodhja
    nyc
    Postime
    3,400

    retro...

    Zoti Galip dhe hoteli i tij retro

    Hoteli, në mes të sheshit “Çerçiz Topulli”, duhet të jetë i magjepsur sepse ka vetinë të të kthejë mbrapa në kohë: nga jashtë ndër morinë e shtëpive të vjetra gjirokastrite nuk të bie në sy si diçka interesante, por me siguri do të hysh për të siguruar natën sepse është hoteli më i madh në qytetin-muze. Aty (nëse je aventurier) do të bësh një udhëtimin mendor në kohën e realizmit (magjik) socialist. Holli është relativisht i vogël, por i lartë: në të majtë ndodhet bari dhe një dhomë bilardoje; mobiljet e pakta janë të njëjtat si para 30 vjetësh, madje edhe dekorimet e filxhanëve dhe pikturave në mur, ndërsa djathtas dallon tavolinën e recepsionistit, prapa së cilës ndodhet vetë pronari i hotelit, z. Galip Kallaixhi. Është i thyer në moshë, por tepër energjik, këtë e dallon nga përgjigjet e shpejta që jep dhe mënyra se si kontrollon gjithë pronën e tij. “Këtu kam pasur shtëpitë e mia, përpara se të prisheshin dhe të ndërtohej hoteli, në vitin ‘62”, - tregon z. Galip duke treguar në mur fotografitë që me pamjet e dikurshme të sheshit, ku kanë qenë shtëpitë e tij - fotografi të cilat z. Galip i ka gjetur në Amerikë. I ati, Xhevat Kallaixhi, ka emigruar në ShBA në fillim të viteve '40 dhe ka drejtuar Zërin e Amerikës për 19 vjet. Këtë na e vërtetoi z. Galip duke na treguar një certifikatë nderi për “shërbimin patriotik ndaj Shteteve të Bashkuara” dhënë të atit pas daljes në pension.

    Diçka mbi pasionin dhe vlerat…

    Nuk i shkon hotelit retro shkëlqimi i aluminit, ndaj përveç banjave në strukturën e tij të brendshme nuk ka ndryshuar asgjë, edhe pse hoteli është privat prej 10 vjetësh. “Druri nuk i humb asnjëherë vlerat”, - thotë z. Galip ndërsa na tregon një nga sallat më të bukura të hotelit që mban emrin e Bashkim Ahmetit: me dritare të mëdha plot dritë ndërtuar sipas traditës më të mirë gjirokastrite; punime të tavanit me dru dhe afreske që tregojnë diçka nga tradita dhe historia e qytetit. “Gjithçka këtu është punuar me dorë, që nga tavanet, afresket dhe qylymat e shtruar. Dikur punohej me pasion, ndërsa tani njerëzit e kanë mendjen vetëm për tregti”, - thotë pronari i hotel “Çajupi”.

    Vizioni i z. Galip

    Nëpër ngjitjet e zbritjet tona, duke treguar histori mbi qytetin e vjetër, z. Galip na paralajmëronte për një surprizë të cilën na e tregoi të fundit: tarraca e hotelit ishte një pistë e mrekullueshme vallëzimi. “Kësaj i thonë të vallëzosh nën këmbët e kalasë mijëravjeçare, ndërsa poshtë këmbëve të tua shtrihet e gjithë Gjirokastra”, - thotë dhe fytyra i shkëlqen nga gëzimi. Në kushtet e tanishme pista e vallëzimit nuk është funksionale, mbushur plot tulla dhe mbetje të së kaluarës; në mes të saj është ruajtur ende një mozaik gurësh ku është shkruar fjala “vallëzoni”, por vizioni i pronarit shkon përtej reales: “Në anën e majtë do të ndërtoj një restorant të mbuluar për dimër. Për verën do të përgatis një banak të madh, afër pistës së vallëzimit, e cila do të jetë e rrethuar me tavolina dhe karrige. Orkestra do të qëndrojë në cep me sfond kalanë. E imagjinoni dot tani? Ky është projekt afatgjatë pasi unë ende nuk i kam financat, por ama kam katër nipër”, - thotë duke qeshur.

    Plani ekziston edhe për një pishinë të madhe, pas godinës së hotelit, e cila lidhej me shkallë me tarracën; ditën ajo do të mbushej me shezlongë, ku pushuesit mund të shtriheshin për të marrë rreze. “Kjo është perlë”, - përsëriste z. Galip dhe pastaj humbte vështrimin në një pikë të paarritshme të horizonit…


    @spektri
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e R2T
    Anëtarësuar
    18-04-2003
    Postime
    1,061
    Citim Postuar më parë nga Kuqalashja
    Vizioni i z. Galip

    Nëpër ngjitjet e zbritjet tona, duke treguar histori mbi qytetin e vjetër, z. Galip na paralajmëronte për një surprizë të cilën na e tregoi të fundit: tarraca e hotelit ishte një pistë e mrekullueshme vallëzimi. “Kësaj i thonë të vallëzosh nën këmbët e kalasë mijëravjeçare, ndërsa poshtë këmbëve të tua shtrihet e gjithë Gjirokastra”, - thotë dhe fytyra i shkëlqen nga gëzimi. Në kushtet e tanishme pista e vallëzimit nuk është funksionale, mbushur plot tulla dhe mbetje të së kaluarës; në mes të saj është ruajtur ende një mozaik gurësh ku është shkruar fjala “vallëzoni”, por vizioni i pronarit shkon përtej reales: “Në anën e majtë do të ndërtoj një restorant të mbuluar për dimër. Për verën do të përgatis një banak të madh, afër pistës së vallëzimit, e cila do të jetë e rrethuar me tavolina dhe karrige. Orkestra do të qëndrojë në cep me sfond kalanë. E imagjinoni dot tani? Ky është projekt afatgjatë pasi unë ende nuk i kam financat, por ama kam katër nipër”, - thotë duke qeshur.


    @spektri
    RRofsh Kuqe se na zgjove kujtimet e nxorre mallin. E mbaj mend si sot ate pisten e kercimit lart. sa here kaloje poshte hotelit, degjohej muzika e orkestres lart dhe tarraca qe ndriconte nga dritat e shumta. Ne fund te tarraces ishte banaku dhe pista e vallzimit. Me 250 Leke pjata atehere ishte me gjithe mend si eshte 'The Tower" ne Boston.

    Nganjehere harrojme se dhe ajo kohe ka patur te vecantat e saj.
    Sic thote dhe busti ne Varosh:

    - Qyteti i gurte, mbeti nder shekuj, kala per liri....
    Postimi i mesiperm nuk shpreh detyrimisht opinionin e autorit mbi temen e ngritur.

  4. #4
    Gezuar Kosoven e Pavarur Maska e dodoni
    Anëtarësuar
    07-11-2002
    Postime
    3,393
    Qyteti kështjellë" i Shqipërisë kërkon vend në listën e trashëgimisë botërore




    Kalaja otomane e qytetit të Gjirokastrës, mbizotëruar nga kështjella e shekullit të 13-të, është ndërtuar mbi shtatë kodra dhe shikon nëpërmjet luginës së Drinos në malet e Buretos dhe Lunxhërisë. [Dosje]

    Nga Ardi Pulaj për Southeast European Times në Tiranë - 19/05/04


    Organizata e Edukimit, Shkencës dhe Kulturës e OKB, (UNESKO) përfundoi një mision fushor në prill në Shqipëri për të përgatitur kandidaturën e qytetit jugor të Gjirokastrës për në listën e trashëgimisë botërore.

    Së paku pesë ekspertë të UNESKO-s do të përpilojnë propozimin e kandidaturës i cili do të paraqitet në komitetin e trashëgimisë botërore në qershor.

    Qyteti i fortesës otomane, i mbizotëruar nga kështjella e tij e shekullit të 13-të, është ndërtuar mbi shtatë kodra dhe vështron nëpërmjet luginës së Drinos, në malet e Buretos dhe Lunxhërisë. Deklaruar një muze i mbrojtur nga Shqipëria në 1961, udhët e tij të pjerrta me kalldrëm të shpien në një pazar piktoresk.

    Ajo që e bën Gjirokastrën unike është numri i madh i shtëpive të fortifikuara si kështjella otomane të fillimit të shekullit të 19-të. Shumë nga brendësitë e tyre mbeten të paprekura, me tavanët me dru të gdhendur, dollapët, muret e vizatuar dhe oxhakët e zjarrit. Përveç rëndësisë së saj kulturore, Gjirokastra është vendlindja e shumë artistëve të mëdhej të vendit, poetëve e shkrimtarëve.

    Gjirokastra është konsideruar një pjesë shumë e rëndësishme e trashëgimisë ballkanike. Autoritetet shqiptare, duke përfshirë presidentin Alfred Moisiu, kanë kërkuar paprerë përfshirjen e saj në listën e trashëgimisë botërore. Megjithatë, qyteti historik është tani nën kërcënim. Mungesa e fondeve ka bërë që shumë nga shtëpitë e tij të bëhen rrënoja ndërsa ndërtimet e reja rrezikojnë prishjen karakterin e tij të shquar.

    Sipas përfaqësuesve të pushtetit lokal, fondet e dhëna nga Ministria shqiptare e Kulturës për rindërtimin dhe mbrojtjen e godinave janë minimale dhe të mjaftueshme vetëm për të riparuar një shtëpi të vetme.

    Ndërkohë, pronarët e shtëpive ndalohen të investojnë në to, pasi ndërtesat janë konsideruar "monumente të kulturës të mbrojtura nga shteti". Shpresohet se statusi i trashëgimisë botërore do të ndihmojë nxitjen e masave të nevojshme për të ruajtur e mbajtur një nga thesaret e Shqipërisë.
    Leje mos m'trano, pashe zotin!!!!

    Rrofte Shqiperia Etnike

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •