Vojslava permendet ne burimet veneciane ne dhjete vitet e fundit te jetes se saj me emrin e shkruar latinisht Voisclava, Voyslava. Historia e nje princeshe te mesjetes shqiptare.


Dr. Luan Malltezi


Në një gjendje të vështirë ranë jo vetëm fisnikë të zakonshëm të kohës por në ndonjë rast edhe ndonjë pinjoll i familjeve të mëdha feudalë sic ishte fjala bie Gjon Muzaka, autori i gjenealogjisë së familjes së Muzakajve, shkruar në Napoli, më 1510.
"..mbasi u përzuara nga shtëpia ime dhe u privova prej pasurisë prej turqëve, erdha në Mbretërinë e Napolit ku Mbreti i vjetër Ferrante i Arragonës , (kujtimi i të cilit nuk do të më shqitet nga mendja kurrë), më zgjati dorën, dhe jo vetëm që më priti në pallatin e tij mbretëror se bashku me pjestarët e familjes sime, duke na mbajtur me bukë, por edhe më premtoi se do të më jepte për vendbanim tokën e quajtur Apice dhe pasuri të tjera.
Për fatin tim të keq, ai vdiq, u zhvilluan luftra të vazhdueshme, dhe unë mbeta si anijë pa pilot midis dallgëve të furishme, pa katandi...I mbetur pa mbrojtjen e tij .. m'u desh t'ju rris dhe t'ju ushqej në varfëri dhe me shumë vështirësi, si desh zoti, ju o bijt të mi: Teodorin, Adrianin Konstandinin e ty Elena e Porfia".

***
Drama e bujarëve shqiptarë i kishte rrënjët në invazionin osman mbi tokat shqiptare që kishte filluar një shekull më parë. Që më 1387 burime të kohës dëshmojnë për panikun e përgjithshëm që kishte përfshirë popullsinë nga sulmet osmane si dhe largimin nga vendbanimet e veta për të gjetur mbrojtje në qytetet e bregdetit (Durrës, Shkodër etj). Burimet përmendin në këtë kohë një valë emigracioni të papërmbajtshëm të popullsisë fshatare që tentonte të kalonte me anije drejt brigjeve të Italisë. Sic tregon pronari i një anije, të cilit i ikën fshehurazi "emigrantët" e ngarkuar (kur anija kishte ndaluar për shkak të motit të keq në një qytet të Italisë), këta fatkeqë pranonin të punonin falas deri në gjashtë vjet për të paguar qiranë e trasportit të anijes, mjaft të shpëtonin nga osmanët që prisnin, vrisnin, digjnin dhe shkatëronin gjithshka që u dilte përpara.
Zhvillime të tilla tragjike që kishin shkaktuar destabilizimin e plotë të vendit dhe paralajmëronin përmbysjen e shpejtë dhe të plotë të pushtetit të vjetër të kryezotërve feudalë shqiptarë. Këto ngjarje tragjike u shoqëruan me drama dhe tronditje të thella psikologjike morale në jetën vetiake të tyre. Këtë rënie psikologjike shpreh qartë Gjon Muzaka kur njofton për vdekjen e të jatit, Gjin Muzakës që kishte qënë një nga kryezotërit e rëndësishëm të kohës.
Sipas tij, Gjin Muzaka vdiq nga vuajtja dhe dhimbja e shkaktuar nga shëmbja e principatës nga invazioni osman. Drama kishte sigurisht karakter të përgjithshëm dhe e përjetuan të gjithë zotërinjtë e kohës. Këtë e përjetoi edhe Vojsklava Topia, bija e "princit të Shqipërisë" (Princeps Albaniae) Karl Topisë (1359-1388).

Princesha Vojslava
Vojslava përmendet në burimet veneciane në dhjetë vitet e fundit te jetës së saj me emrin e shkruar latinisht Voisclaua, Voyslaua.
Për të bëhet fjalë për herë të parë në maj të vitit 1393 dhe kjo sigurisht jo rastësisht. Më 1392 venedikasit kishin marrë nga vëllai i saj, Gjergj Topia, Durrësin por kundrejt një marrëvëshje që përcaktonte disa kushte dhe detyrime reciproke midis palëve. Kështu sipas kësaj marrëvësja Gjergj Topia duhej të merrte gjysmën e të ardhurave të qytetit të Durrësit. Shpejt mbas nënshkrimit të marrëvëshjes Gjergji vdiq, por të drejtat e parapara në akt marrvëshje kuptohet se i kalon tani Vojslavës si trashëgimtare në vijë femërore e Topiajve bashkë me të motrën e saj Helenën që mbante kështjellën e Krujës.
Pas vdekjes së Gjergj Topisë, më 14 nëntor 1392 Republika e Venedikut nisi në Shqipëri dy zyrtarë të lartë (provisore) Mikel Kontareno dhe Pjetër Kurino për të marrë të gjithë masat e duhura për marrjen në dorëzim të qytetit të Durrësit, dhe qverisjen e ardhëshme të tij. Në prag të nisjes Dogja i Venedikut i porositë provisorët të takonin edhe vajzat e Karl Topisë, Helenen dhe Vojslavën.
Nga informacioni që japim provisoret rezulton se në atë kohë Vojskava ishte e martuar me një farë "Kursaku" apo Kur Isaku (?). Sipas provisorëvë ai ishte një zotëri i fuqishëm feudal me zotërime rreth Durrësit. Vojskava dhe Kursaku kishin predispozicion të plotë të kishin marrëdhënie të mira më Republikën, por me kusht që, siç ishte paraparë në marrëvëshje me Gjergjin, nga "të gjithë të ardhurat e Gjergj Topisë" ata të merrnin "gjysmën e të ardhurave". Sipas provisorëve Kursaku ishte njeri i fuqishëm politikisht, por edhe jo shumë i fortë financiarisht. Për t'i bërë për vete, provisorët i premtuan atyre 100 dukatë në vit nga të ardhurat e shtetit. Një shumë të tillë provisorët i premtuan edhe Helena Topisë dhe të shoqit te saj Mark Barbadikut.

Vrasja e "vojvodë Borillës"
Vojslava pati një jetë të trazuar me Kursakun. Më 1393 ai vrau një fisnik të quajtur Borilla. Borilla ishte një "ushtarak" i rëndësishëm. Burimet veneciane e përmendin atë më 1389 më titullin "vojvode. Pas vrasjes ai ishte larguar nga Durrësi dhe qëndronte në rrethinat e tij.
Vrasja nxorri mjaf telashe sepse Borilla kishte qënë një nga fisnikët më të rëndësishëm të Durrësit madje edhe një nga njerëzit më të afërt të Topiajve. Kështu kur turqit në vitet 1387-1392 përpiqeshin të pushtonin Durrësin, Gjergj Topia i kishte besuar atij një rol të rendësishëm në mbrojtjen e qytetit." Por Borilla ishte ndërkaq edhe një njeri i afërt për Venedikasit. Sinjoria e konsideronte atë "njeri të vetë besnik" (noster civis fidelis dominus). Kjo "miqësi" kishte lindur në kohën kur Borilla mbronte kështjellën e Durrësit të mos binte në dorë të turqve. Venedikasit atëhere ishin të interesuar të merrnin Durrësin, por Gjergj Topia nuk pranonte. Nga frika se mos Gjergj Topia nën presionin e turqve mund t'ua dorëzonte atyre qytetin, venedikasit i premtuan Borillës më 1389 një shpërblim vjetor prej 30 dukatë në vit që të vazhdonte të mbronte me "çdo kusht" kështjellën. Ajo madje i premtoi se në rast se Durrësi do të kalonte në dorë të saj, ky shpërblim do të rritej. Në fakt Republika e Venedikut i qëndroi premtimit. Me marrjen e Durrësit (pas vdekjes së Gjergj Topisë) ajo ia rriti atij shpërblimin në 40 dukatë.
Motivet përse Kursaku, u detyrua të vriste Borillën mbeten të paqarta. Kishte në këtë mes ndonjë nxitje nga e shoqia, Vojslava, për ndonjë qëndrim "jo të ndershëm" të Borillës ndaj Gjergj Topisë.
Gjithsesi vrasja nxorri probleme si për Kursakun që kishte rënë tani në "gjak" me njerëzit e Borillës ashtu edhe për venedikasit që kërkonin të vinin "rregull" në zotërimin e Durrësit. Sinjoria kishte urdhëruar pak kohë më parë qeveritarin e vet në Durrës që të hynte në bisedime me zotërinjtë feudalë që ishin përreth Durrësit që të gjithë ata që ishin larguar nga qyteti "për delikte të ndryshme" të ktheheshin në qytet
Fjala me sa dukej ishte për të bërë një lloj "amnistie" për ripopullimin e qytetit dhe me qëllim nxitjen e veprimtarisë tregtare të tij, tërheqien e karvanëve me mallra në qytet nga krahina të brendshme të vendit.
Pas vrasjes të papritur të "Vojvodë Borillës" qeveritari venedikas i Durrësit hezitonte të shpallte urdhërin e marrë nga Sinjoria nga frika se kjo mund "të zemëronte" Kursakun.
Vrasja e Borillës gjithsesi nuk shkaktoi shumë komplikacione për venecianët sepse shumë shpejt njerëzit e Borillës e vranë Kursakun.
Ngjarja bëhet e ditur nga e shoqja Vojslava : në maj të vitit 1394, ajo i kërkonte venedikasve t'i jepej asaj shpërblimi prej 100 dukatësh në vit që merrte i shoqi "kur ishte gjallë". Sinjoria e mirëkuptoi kërkesën, por i bëri të ditur se ky shpërblim nuk do t'i jepej "patjetër" në rast të një martese të re të saj. Ajo mund ta merrte shpërblimin në rast se personi me të cilin mund të martohej do të ishte një person i pëlqyeshëm për Sinjorinë.
Ashtu si edhe në ditët tona edhe në Mesjetë, pavarësisht nga fakti që martesat kishin karakter të mirëfilltë politik, vdekja e burrit shkaktonte një tronditje të thellë tek bashkëshorja e mbetur e ve. Kjo përshtypje krijohet edhe nga Barleti kur tregon vdekjen e të shoqit të Mamica Kastrioti, Muzak Topisë që u vra në Betejën e Beratit (1455):
"Mamica, shkruan Barleti, pasi thirri, sipas zakonit të gjindjes, shumë zonja, e nderoi varrimin e burrit për një kohë të gjatë me zi e lotë që nuk pushonin as ditë as natë". Sipas Barletit në raste të tilla ishte "zakon që gjatë vajit, të përmendeshin jo vetëm trimëria dhe veprat e shquara të të ndjerit, por edhe trimëritë e etërve dhe gjithë kujtimet stërgjyshore dhe lavdet e lashta të familjes". Barleti tregon se për të shkaktuar emocione të tilla tek të pranishmit "merreshin për këtë detyrë gra të mësuara, të cilat t'i nxirrnin lotët me këngët dhe gjeste të përvajshme".
Pavarësisht nga sa u tha, Vojslava gjithsesi nuk mbajti gjatë zinë e të shoqit. Në korrik të vitit 1394 ajo i kishte rregulluar punët të martohej me Progon Dukagjinin.
Martesa ishte e goditur dhe brenda rangut që i takonte si princeshe. Progoni vinte nga fisi i fuqishëm i i Dukagjinëve. Ai ishte i biri i "Lekë Dukagjinit" ( lethe duchagij) dhe kishte edhe një vëlla të quajtur Tanush. Progoni edhe vetë ishte një burrë trim. Pak vite më parë ai kishte luftuar me një princ të fortë të kohës të quajtur Radiq Cernojeviqi për t'i marrë atij kështjellën e Lezhës. Cernojeviqi e kishte marrë atë pas vdekjes së Balshës II në betejën e Savrës (1385), pra në një moment rënieje që po kalonte principata e Balshajve. Lufta i kishte shkuar mbarë Progonit dhe ai bashkë me njerëzit e tij ishte bërë zot i Lezhës.
Ashtu siç i ishte kërkuar, Vojslava Topia i kërkoi Sinjorisë "pëlqimin" për martesën me Progon Dukagjinin. Këtë e kërkonte nga ana e tij edhe vetë Progoni. Sinjoria e mirëpriti martesën sepse Progoni ishte një person i njohur "për mirë" për të. Ai u kishte bërë venedikasve një shërbim të madh në vitin 1393 sepse kishte pranuar për t'u lëshuar atyre kështjellën e Lezhës që i kishte marrë Radiq Cernojeviqit. Venedikasit e vlerësuan shumë këtë akt të tij sepse ata e konsideronin kështjellën e Lezhës mjaft të domosdoshme për interesat e tyre në Shqipëri. Kështjella e Lezhës, sipas tyre, shërbente si syri i djathtë për mbrojtjen e Durrësit nga sulmet që turqit mund ti bënin nga Lezha. Veç kësaj Sinjoria mendonte se në rast se pas Durrësit do të kishte edhe kështjellën e Lezhës, atëhere ajo do të kapte plotësisht të gjithë rrugët e tregtisë që shkonin thellë në Ballkan.
Progoni sigurisht ua kishte lëshuar venedikasve Lezhën kundrejt një marrëveshje. Sipas kësaj Progoni me njerëzit e tij kishin të drejtë të merrnin një pjesë të ardhurave që do të nxirrte Sinjoria në Lezhë. Shuma që do të merrnin llogaritej si më poshtë: Sinjoria duhej të hiqte më parë 800 dukatë nga të ardhurat e Lezhës për të paguar ushtarakët (që do të mbronin atë) si dhe për të përballuar shpenzimet që do të duheshim për meremetime të ndryshme. Pasi të hiqej kjo shumë, Progoni me njerëzit e tij do të merrnin "një të tretën e të ardhurave që mbeteshin".
Të ardhurat krysore në Lezhë vinin nga tregtia e kripës prandaj në marrëveshe Sinjoria detyrohej ta mbante vazhdimisht tregun e Lezhës të furnizuar me kripë që do të sillej nga kriporet e Durrësit. Sinjoria po ashtu angazhohej të mos lejonte të strehoheshin në Lezhë kundështarë dhe armiq të Progonit, por t'ia dorëzonte ato atij. Detyrimet në këtë çështje ishin reciproke. Progoni detyrohej që jo vetëm të mos strehonte armiq të Venedikut, por ti kapte madje edhe ti vriste në rast se do ti kërkohej një gjë e tillë nga qeveritarët e Venedikut në zotërimet e Shqipërisë. Me kohë, Progoni ia shiti "të drejtat e veta" në kështjellën e Lezhës tregtarit venedikas, Johan Barbo, por të ardhurat që merrte prej tij i dukeshin pak. Ai dyshonte se kjo ndodhte për shkak të mashtrimeve që i bëheshin në mbajtjen e llogarive nga qeveritarët venedikas të Lezhës.

Më 8 qershor 1395 Progoni i paraqiti Sinjorisë disa kërkesa:

1- të lejohej të kontrollonte vetë llogaritë financiare të Lezhës

2- të mos detyrohej të shlyente detyrimet ndaj Venedikut meqënëse ishte në gjendje jo të mirë financiare

3- t'i jepej një territor që i përkiste kështjellës së Lezhës sepse kërkonte ta shfrytëzonte

4- t'i jepej e drejta të strehohej në kështjellën e Lezhës në rast rreziku

6-t'i jepej një borxh prej 800 dukatësh. (Kjo shumë më pas ti merrej Johan Barbos, të cilit ai i kishte shitur "të drejtat e veta" në Lezhë .
Progon Dukagjini paraqiti edhe disa kërkesa në emër të së shoqes, Vojslavës.
Ai kërkonte që të bëhej një gjyq i drejtë nga kapedani venedikas i Durrësit në lidhje më disa pasuri ( de aliquis bonis) që i përkisnin të shoqes si dhe për disa borxhe që njerëz të ndryshëm i kishin atij.
Në emër të Vojslavës, Progoni kërkoi t'i jepeshin asaj disa gjëra më vlerë (certa pars bonorum et jocalium) që kishin mbetur pas vdekjes së Gjergj Topisë në duart e kështjellarit të Durrësit. Siç shpjegon më tej Sinjoria, fjala ishtë për disa argjendari me vlerë rreth 200 dukatë si dhe disa stofra të vëllait të saj Gjergj Topisë. Sinjoria nuk i quajti të drejta këto kërkesa. Sipas saj këto ishin shitur për të larë një borxh të vjetër prej 500 dukatësh që Gjergj Topisë ia kishte shtetit Venedikas.
Progoni po ashtu i kërkonte Sinjorisë ti ktheheshin të shoqes "disa kripore" (certas salinas) që kishin qenë të të jatit, Karl Topisë. Sipas Progonit këto i takonin të shoqes. Lidhur më këtë kërkesë Sinjoria u përgjigj se nuk kishte informacion dhe se për këtë do t'iu jepte një përgjigje më vonë.
Progoni bëri edhe një kërkesë disi të çuditshme që kishte lidhje me të kunatën e tij, Helena Topinë. Pas vdekjes së Gjergj Topisë (1392) Helena mbante kështjellën e Krujës. Ashtu si edhe Vojslavës Sinjori i jepte asaj 100 dukatë në vit. Mirëpo me kohë Helena kishte kaluar nga ana e turqve dhe lejonte sulme të tyre mbi qytetin e Durrësit. Progoni i kërkonte Sinjorisë që t'i jepej atij shpërblimi prej 100 dukatë në vit që Republika i jepte Helenës. Kërkesa sigurisht ishte padrejtë dhe u refuzua.
Pas këtyre kërkesave të Progonit dokumentet nuk bëjnë më fjalë për disa vite me radhë për Vojslavën. Ajo përmendet në arkivat e Venedikut edhe një herë në 27 shtator 1398. Në këtë kohë rezulton se gjendja e saj finaciare nuk ishte e mirë. Madje, sipas fjalëve të saj, ajo ishte katandisur në një gjendje të tillë sa të lypte në shtëpitë e botës për shkak të ardhurave të pamjaftueshme financiare. Ka mundësi që në këtë kohë zonja në fjalë të mos bashkëjetonte me Progon Dukagjinin. Themi kështu sepse ajo përmend si të ardhura të veta vetëm shpërblimin prej 100 dukatë që ajo "me të shoqin" merrnin që nga viti 1392 nga venedikasit. Nga dokumenti mësohet se Vojslava i "ishte lutur" Sinjorisë t'i blinte një shtëpi për të banuar në Durrës. Autoritetet e mirëkuptuan kërkesën dhe "Të Urtët e Urdhërave" porositën bajlin e Durrësit (rektorin) që të shpenzonte 60 dukatë në vit për të blerë një shtëpi për të. Bajli urdhërohej që pas vdekjes së saj shtëpia duhej t'i kthehej komunës. Pas kësaj Voslava Topia nuk jetoi gjatë. Në vitin 1401 burimet e kohës njoftojnë se tashmë se zonja në fjalë kishte ndërruar jetë.

Marre nga GAZETA SHQIPTARE e dates 4-5-2004