nga Tema:

KOMENTI

Të dielën me INDRO MONTANELLI-n * Letra & Editorial

Aventurë me Budapestin


Vetëm pas shpërbërjes së Partisë Komuniste Italiane (Pci) dhe shndërrimit të saj në Parti Demokratike e së Majtës (Pds) drejtuesit e Botteghe Oscure (vendselia e Pci) do të pranonin përgjegjësinë e rëndë të partisë përballë kryengritjes hungareze të 1956-tës.

X X X

Eshtë folur tejet këto ditë për Hungarinë. Dhe shumë komunistë, përfshi dhe Natta-n, kanë dalë në fushë në kujtim të tridhjetë vjetorit të kryengritjes historike, për të cilën pikërisht nesër mbaron fillimi, për të pranuar gabimet që ishin bërë në vlerësimin e kësaj ngjarjeje, asokohe e shtypur hapur si “kundërrevolucion fashist”.

Një falsitet mbi tjetrin. Nuk është fjala për “gabime” për justifikimin e thjeshtë se nuk kishte rrugë tjetër përveç asosh. Unë kam qenë në Budapest dhe i kam parë dhe përjetuar ato ngjarje. Qysh nga dita e parë u pa qartë - e thënë krejt hapur, të paktën prej meje - se kjo revoltë nuk ishte “çështje e mbrendëshme”, pra punë ekonomiko-sociale e klasave borgjeze, konservatorëve apo të moderuarve: pak prej atyre që kanë mbijetuar, nuk kanë tjetër veçse këte mendim: synohej që duke përfituar prej ngjarjes të arratiseshin në Perëndim, siç dhe do të bënin. Revolta ishte “çështje e mbrendëshme” e komunistëve hungarezë, e lindur brënda regjimit dhe partisë, kur përmbajtja ideologjike e saj ishte e markës socialiste; dhe as që mund të ishte ndryshe.

Pasi e pata thënë këte, unë do të tërhiqja pas vetes zemërimin e miqve të mi të djathtë që në mënyrë absurde kërkonin të merrnin për vete patronatin ideologjik të këtyre barrikadave, si dhe zemërimin e armiqve të mi të së majtës, çka nuk dukej se ua atribuoja vërtet. Por faktet e përgënjeshtronin edhe njërën, edhe tjetrën palë: çka në njëjtat shkrime ripërtërihen sot prej Fejtö-s sonë, një hungarez dhe ish komunist, mbështetur te zbulimet e mikut të tij Hegedüs, i cili ishte një nga protagonistët e dorës së parë.

Patrulla e intelektualëve të cilët vërshuan të parët në rrugë për një manifestim solidariteti me Poloninë, ku po zhvilloheshin greva dhe protesta kundër regjimit, përbëhej prej njerëzve të gjithë të një prodhimi marksist, të cilët me regjimin e paraluftës kishin njohur vetëm burgjet: midis tyre ishte madje edhe biologu (nuk më kujtohet emri) i cili kishte shpikur për komunizmin sovjetik, argumentet për mizat infektuese të amerikanëve për të përhapur murtajën në Kore. Dhe ndërkaq, të sprapsur për shkak të ndjekjes prej dyqindmijë njerëzve, ata ndërrojnë itinerarin dhe i drejtohen tashmà sheshit ku ngrihej lart monumenti gjigand i Stalinit, teksa i hidhen sipër për ta shkatërruar.

Kështu lindi, prej shkatërrimit, revolta e Budapestit. Shkaku për të cilin ajo u ndez, duke përfshirë gjithë popullsinë, është krejt i thjeshtë: intektualët dhe studentët që kryesonin, ishin bijtë e punëtorëve dhe të fshatarëve të cilët shndërruan gjithçka, duke e çuar popullin peshë. Nuk vepronin nën një drejtim ideal dhe abstrakt, por në një drejtim anagrafik (fëmijëve “borgjezë” edhe shkolla iu ishte e ndaluar). Dhe ishte kjo, tallja e vërtetë për komunistët. Ata i kishin shuar klasat, dhe tash kjo krijonte një unanimitet pjesëmarrjeje, për të cilën mendoj se asnjë revolucion tjetër nuk e ka patur ndonjëherë. E pra, si mund të mos ishe socialist?
Për gjithçka tjetër mund të diskutohet. Mund të thuhet – dhe po e themi – se Nagy (njeri tejet i sjellshëm dhe studioz i shkëlqyer i ekonomisë marksiste, por i mbyllur, i pavendosur dhe jo tërheqës) ishte personi më pak i përshtatshëm për të qenë tigri që e kërkonte turma shpërthyese e Budapestit. Mund të thuhet – dhe po e themi – se kjo turmë po hiqte dorë nga teprimet që do t’iu lejonin sovjetikëve të justifikonin ndërhyrjen e tyre. Mund të thuhet – dhe po e themi – se prej kësaj ndërhyrjeje, ata nuk mund të shpëtonin pa rrezikuar shembjen e gjithë sistemit të tyre perandorak. Mund të thuhet madje – dhe që unë po e them – se tanket e tyre do të hynin në Budapest rresht pa ia dà, dhe do të shfaqeshin me shpresë se do të prodhonin frikën e një dorëzimi pa gjak, dhe se ishin kryengritësit ata që i sulmuan në një aksion të çfrenuar të një çmëndurie sublime vetvrasëse.

E gjitha kjo mund të pranohet. E vetmja gjë që nuk mund të pranohet, është ajo se si “kuadrot” e Pci, politikanët dhe intelektualët, pasi nuk panë, nuk dëgjuan, nuk kuptuan asgjë, këmbëngulin sot për të na bërë të besojmë dhe të pranojmë tezën “e gabimit”. Kur merret me mënd qartë se nuk do të kishin kurajo që të rrezikonin prishjen me kishën-nanë, gjë që mund të reflektonte mandej edhe në krejt partinë. I vetmi i cili, midis gjithë përzjerjes dhe të përsjellunit të fjalëve, ka patur nderin të pranojë, ka qenë Pajetta (1), si gjithnjë veç ai. “Unë nuk pendohem aspak”, ka thënë, “por rreshtohem me kryengritësit dhe nëse do të dënonim shtypjen sovjetike, falë së cilës do ta kishim shkëputur Pci-në; këte duhet të pëlqejmë dhe të miratojmë”. Qoftë e mbarë.

Por për hir të së vërtetës, duhet thënë edhe se, asgjë më hipokrite dhe instrumentalizuese nuk na dëgjojnë veshët se sa kërkesa këmbëngulëse që Pci të pendohet. Jo më me gjysmë zëri, por me forcë madje. Po të harronim se në këte parti gjithçka bëhet “për arësye të partisë”: me urdhër dhe me orare të paracaktuara: në fillim pushkatimet, mandej reabilitimet me shqyrtime të vetëdijëshme dhe ankimet për të vdekurit fatzez, kjo do të përmbante padrejtësinë e të penduarit parakohe, pa urdhërin ose lejen e partisë.

E çfarë duhet të bëjmë me kësisoj pendimesh?



22 tetor 1986

SHEN I PERKTH.:

(1) PAJETTA Giancarlo (1911-90) – një nga drejtuesit e Rezistencës gjatë Luftës së Dytë, eksponent i Partisë Komuniste Italiane.



Agoni nën mbikëqyrjen e "të papërfolurve"

Nga Gent Strazimiri

Njëzetetre mjeranë të tjerë u dhanë fund vuajtjeve dje në ujërat e ftohta të Jonit, nën mbikëqyrjen disaorëshe të forcave të rendit, rojes bregdetare, marinës, Shtabit të Përgjithshëm madje edhe të një shtabi tjetër të përbërë nga instancat më të larta të qeverisë së "të papërfolurve". Gjithçka ndodhi "live" falë transmetimit direkt të mediave shqiptare, spikeret e të cilave me zë të dridhur u luteshin "të papërfolurve" të bënin diçka për mjeranët që kërkonin ndihmë vetëm tri milje larg njërës prej bazave kryesore të marinës luftarake shqiptare dhe vetëm dhjetë minuta larg bregut. U deshën më shumë se tri orë që të dilnin prononcimet e para nga zyrat e shtetit që gjithsesi refuzonin të deklaronin të vërtetën skandaloze, duke u përpjekur të kufizonin ngjarjen në vështirësinë e një gomoneje me dy trafikantë dhe një sasi lëndësh narkotike në bord. Në orët e para të mëngjesit të së nesërmes më në fund edhe deklarata zyrtare ku flitej për shkatërrimin e një rrjeti trafikantësh të arrestuar në flagrancë, i pasuar nga një raport i detajuar i veprimeve "të orë pas orshme" të organeve kompetente "për të marrë në dorë situatën". Në asnjërën prej deklaratave zyrtare të "të papërfolurve" ende sot është e pamundur të gjesh qoftë edhe një element sado të vogël që lidhet me dinamikën e ngjarjes. Asnjë sqarim për mënyrën se si më në fund u gjetën, kur tashmë nuk kishte më asgjë për të bërë për ta, nga kush u gjetën, në ç'vend dhe ku u dërguan më pas. Përsëri falë mediave, gazetarët e të cilave transmetonin direkt nga Vlora, shqiptarët morën vesh se rrjeti i trafikantëve në fjalë ishte i përbërë tërësisht nga oficerë të lartë të policisë së shtetit dhe familjarë të tyre, gjë që për Vlorën nuk ishte aspak mister. Madje, duke pasur parasysh nivelin e funksionarëve të përfshirë në këtë masakër, kuptohet se i ashtuquajturi rrjet trafikantësh dhe veprimtaria e tij, kanë qenë "të panjohur" vetëm për policinë shqiptare, shërbimin sekret, dhe të gjitha instancat e tjera shtetërore që duket se më në fund kanë zbuluar mënyrën për të "minimizuar" fluksin e prurjeve të klandestinëve në Itali: monopolizimin tërësisht të trafikut. Padyshim kjo u hap rrugën shumë hipotezave makabre, por fatkeqësisht shumë të afërta me realitetin shqiptar, në lidhje me dinamikën e ngjarjes, vonesën në operacionet e shpëtimit, hamullinë në qëndrime dhe deklarata kontradiktore për të cilat ende sot instancat zyrtare nuk japin asnjë shpjegim. Njëzetetre mjeranë të tjerë u dhanë fund vuajtjeve në ujërat e akullt të Jonit, dhe me sa duket për shkak se dikush prej "të papërfolurve" u përpoq deri në momentin e fundit t'u krijonte rrugëdalje për të ikur "në drejtim të paditur", sekserëve të monopolit më makabër dhe më fitimprurës të të pushtetshëmve. Gjithçka ndodhi "live", ne e ndoqëm agoninë e tyre nga ekranet e televizorëve në shtëpitë tona, baret apo pub-et e natës. E ndoqëm me qetësinë që një shtëpiake ndjek çdo ditë telenovelat në spanjisht, madje edhe kur ritransmetohen për të disatën herë. Gjithçka ndodhi nën mbikëqyrjen "live" të "të papërfolurve", që tani kanë mësyer përsëri Vlorën për t'u marrë me funeralet e të mjerëve dhe për të përgatitur "ditën e zisë", porosinë e ardhur me telefon nga plazhet e Turqisë prej "të papërfolurit" të parë

tema..