nga TEMA:
-----------
DOSJE
Dom Ndoc Nikaj: Kujtime të nji jetës së kalueme (21)
Aventura fatkeqe e Princ Wiedit me shqiptarët
Kur Princ Wiedi kerkoj ndimen e Prenk Pashës kundra kryengritsave, ai shkoj në Lesh, mblodhi Mirditen edhe u shtrengue per me shkue në ndimë të Mbretit. Aty u ba qendra ushtarake e u mblodh Mirdita, Shkodra, Malcija e Zadrima qi do të shkoshin per me shkatrrue rrethimin e Durrësit
Vijon nga numri i kaluar
Vrasa e Gjeneral Telinit pshtjelloj Greqinë
Kjene ba vrasa në njanen anë e në tjetren para se të të shkonte Komisjoni, e mbrapa u gjetne kundershtime të mbëdhaja ndermjet të Grekvet e të Shqyptarve. Grekt kerkoshin vende per të vetat tue thanë se ishin të banueme prej grekësh. Komisjoni shkoj shtëpi për shtëpi per me ba hetime edhe gjet se banorët e vendit të gjith flitëshin shqyp e pleqt e plakat nuk dijshin as nji fjalë greqishte. Ishte e kjartë se katundet ishin fjesht shqyptarë. Në pa mundsi me rrejtë Komisjonin, Grekt kerkuene me ndalue vendimin e mbassi qi perfaqsuesi italian ishte ai qi ma teper kerkonte me u dhanë të drejtë Shqyptarve, Grekt shtine e vrane Gjeneral Telinin. Vrasa e Gjeneral Telinit pshtjelloj Greqin. Grekt kerkuene me ja ngarkue fajin shqyptarve prej se kje vra në token Shqyptare kurse shqyptarët siguroshin se vrasa nuk ishte e bame prej tyne, por prej Grekve.
U zbulue se me të vertetë ishte prej Grekve e Qeverija italiane me Mussolinin në krye i kerkoj qeveris Greke nji dam shperblim per familjen e Gjeneralit të vram në pesë milion (a 10?). Me qi qeverija Greke ngurroj, i çoj nji ultimatum edhe pregatiti ushtrinë e danamet luftarake per të msyeme. Qeverija greke u gjet e ngusht e uli kryet e pagoj shperblimin e kerkuem.
Kufijt, në një farë mëndyre kjene vue por nji pjesë e mirë e Çamris kaloj mbrenda kufinit Grek.
***
Partina të ndryshme u çuene per anë me disa udhëhjeksa kryenalt qi kerkoshin kryesundime. Në Durrës Esad Pasha, në Mat Ahmet Zogolli, në Tiranë Haxhi Qamili, në Shkoder griniet fetare-politike edhe ashtu Shqypnija per disa kohë u ba lamsh pshtjellimesh. Per mbas Shkodre, Lezhja u ba qender pshtjellimesh e rreziqesh.
Aty u çfaqne dy ansi të vjetra e gadi të harrueme: Fushat e Bregut të Matit e ana e bregdetëse e Shengjinit e Lezhës dikuer paska kenë e banueme me Mirditas qi bijshin dimnit, per me kullotë gjanë e gjallë.
Disa shtëpij Mirditasish të vobekta i paskan shitë pjesët e tyne malcorve të Mbishkoders, shtëpija pasanike e me shum gja të gjall e qi paskan nxanë vend n'ato fusha të Lezhs.
Në rasen qi Shqypnija, mbas të dalune të huejve mbet në duer të Shqyptarve qi, të pa pergatitun, u gjetne porsi berret të pa barij, në Lesh malcorët muerne sundimin edhe vuene kryeparë, porsi prefekt Gjeto Cokun, të shtëpisë së Cokajve, nji nder ma të mirat e Bregut të Matës. N'at rasë, Mirdita qi të vetmin shteg kalimi per në detë kishte Lezhen e Shenjinit kerkoj me pasë në mos tjeter sundimin së bashku edhe prej qi mos t'egersoheshin punët me nji grinie vllaznore. Abati i Mirditës Prenk Doçi u ndermjetsue per me afrue ato dy partina e mbassi Prenk Bibdoda gjindej në Shkoder aj mendoj me afrue të dy partinat rreth tij, porsi nieri ma i nalti i krahinës së madhe të Gegënis, qi nuk mund perballohej me smira të tjerve qi e njifshin vetin ma të vogjel.
Per me mbërrij qellimin e nji afrimi të dishruem çë me shumë kohë ma parë Abati sajoj nji mbledhje me u ba në Lesh ku kjene ftue Mirdita, Bregu i Matës edhe Zadrima.
Mbledhja u ba në Lesh, në ditën e caktueme ku Abati bani nji bisedim të permallëshem fort tue kapë çë me historin e mbledhies së bame, në kohët e vjetra prej Skanderbegut me krenët Shqyptarë e tue e permbledhë në nji kohë qi Shqypnija, e shperdame në mendime e në ndijsiena të veçanta gjindej në rrezik me bjerrë lirin e dhanun e jo të fitueme me gjak e qi veç bashkimi i zemrave e i armve të perbashkëta mujte me pshtue. Bashkimi per me pasë qindresë kishte nevojë per nji të parë e atij të parë t'i veshin gisht ato vetë n'at mbledhje.
Ishin të mbledhun n'at ditë: Krenët e Bregut të Matës, Mano Begu i Lezhës, parija e Zadrimës, Kapidan Marka Gjoni me krenë të Mirditës, Emzot Koleci Ipeshkvi i Zadrimës, Atë Gjergj Fishta, disa priften tjerë dhe Abati i Mirditës e unë qi gjindeshem n'at kohë pranë Abatit e Prenk Pashet në çdo rasë.
Abati biseden e bame n'at rasë e perfundoj tue kerkue të lidhej ndermjet nji "besë" sikur motit kje lidhë n'at vend besa e kryeparve të Shqypnis edhe paraqiti mendimin qi si kryeparë të zgidhej Prenk Pasha e si nen kryetar nji Bregamatas edhe priti qi mbledhja t'epte mendimin e vet.
Emzot Koleci foli egersisht disa fjalë mbas të cillave filluene zemrimet.
N'at ças u çfaq nji shqetsim i pa pritun n'anen ku gjindeshin Emzot Koleci me Atë Gjergj Fishta u shkput andej e shkoj kahë tuba e malcorve ku pershpëriti me zemrim e ndezi malcorët në kundershtim.
Marka Gjoni qi me krenë e me nji tubë mirditas gjindej në krahin e djathtë t'onin, tue pa shtytjet e Emzot Kolecit e të Gjergj Fishtes per kundershtim e dasij, u kuq në fëtyrë e u ndez në zemrim dhe briti: "Daju Mirditë m'ane". Mirditasit u zmprapne, u rreshtuene edhe gatuene martinat e krahit në dorë edhe i mbyllne, të gatueme per veprim.
Bregamatsit, po ashtu u shternguene edhe na kishim ngelë ndermjet të tyne per pa dijt kjartas shkakun e nji ngucjes aq të rrezikëshme n'at ças.
Abati u turr e u hyni ndermjet të dy partinave e me fjalë t'urta e me auktoritetin qi kishte me nderimin qi të gjith kijshin per te mbujt me ndalue rrezikun e madh të nji grinies e nji gjakderdhjeje të pa pritun dhe të pa arsyeshme.
U prit, desht zoti, nji grinie e mnershme, por sa per bashkim e besë puna deshtoj. Nuk u mbërrij qellimi. Partinat u dane edhe gjeja ngeli e nderlikueme si çë kje n'e parë. Marka Gjoni me krenët shkoj perpjetë e Bregamatasit u këthyene në vendet e tyne.
Na me Abatin e me Mirditas u ndalme në Lesh, ku Abati i bani nji memorandum Fuqinave të Mëdhaja dhe ja çoj admiralit Hingliz qi gjindej me nji daname në Shengjin.
U muer vesht ma parë neper dhambë e ma vonë edhe çiltas se shkajku i dasijs e i grindjes ishte kene Emzot Koleci e Atë Gjergj Fishta t'ardhun postafat n'at mbledhje per me prishe çdo bashkim qi mund bahej!! Dy të quejtunit e të kujtuemit nga tjerët per atëdhetarë të flakët! Atë Gjergj Fishta diten ma parë ishte kenë në Konsulli i Austris së Shkoders dhe prej andej, me ngutsi naten para se do të bahej mbledhja e Lezhës, paska shkue në Nenshatë e fjetë te Emzot Koleci dhe bashkë me te ardhë në mbledhje, por, si mbas porosienash marruna, me qellim me prishë bashkimin!... Me gjith se si Emzot Koleci ashtu edhe Ate Gjergj Fishta aso kohe ishin nder dashamirët ma të ngushtit të mij, në ket rasë nuk mujta ta heshti të verteten.
Abati me zotsin e vet patriotike mbërrini me ba nji afrim të perkohëshem ndermjet të Mirditasve e të Malcorve edhe me prani të dy palve kje emnue perkohësisht porsi kryeparë Gjeto Coku qi muer sundimin e Lezhës e të Shëngjinit. Burrë i vjeter i ndershem në të gjitha pikpamjet dhe shtëpi e fortë me mashkullij e me fis. Qetsija, sa per atëherë u ba. Perziemtarët të kënaqun, kjene këthye në vendet e tyne e mbrapa Marka Gjoni me mirditas shkoj perpjetë e na me Abatin u këthyeme në Shkoder.
***
Nuk i vuni ma vesh kush asajë ngjarje e kuer Princ Wiedi nga Durrsi kerkoj ndimen e Prenk Pashës kundra kryengritsave, Prenk Pasha shkoj në Lesh, mblodhi Mirditen edhe u shtrengue per me shkue në ndimë të Mbretit. Aty u ba qendra ushtarake e u mblodh Mirdita, Shkodra, Malcija e Zadrima qi do të shkoshin per me shkatrrue rrethimin e Durrësit.
Në nji kohë të caktueme, ushtrija e mbledhun në Lezh u nis per në Durres e prej andej nxuni vend n'Ishem. Aty Prenk Pasha desht me ba pushim në pritje qi Matja e prijme nga Ahmet Zogolli, si mbas fjale të dhanun, do të zbritëte, me ushtri të vet per me u bashkue me Prenk Pashen e së bashku me msye kryengritsit qi gjindeshin në Rrashbuell.
Mbassi Ahmet Zogolli nuk bante ballë me shpejtue, edhe thirrmjes i nepte pergjegje po, por nuk luente, Pashës i hyni dyshimi qi mos të kishte mende trathtije e porsa ata të kapeshin me kryengritas me u ra mbas shpine. Ishte i nipi i Esad Pashë Toptanit!... Anmik i Princ Wiedit!..
Në sa qi Prenk Pasha gjindej vjerrtash në dyshim per me fillue të msyemet, ja mbërrijne në lamin ushtarak t'Ishmit Luigj Gurakuqi e Palok Kurti prej Shkoder edhe, porsi të çuem nga konsulli i Italis e këshilluene mos me u shtye me pertej. Italija e shikjonte me sye të keq Princ Wiedin gjerman per mbret Shqypnije pse kishte dashtë me kenë nji Princ italian të shtëpis Savoja.
Prenk Pasha nuk u vuni vesh porosinave të tyne por vetem ju shtue dyshimi per kahë Ahmet Zogolli qi mund ishte i shkelun per me prishë qindresen e Wiedit e ashtu me u nimue kryengritasve tue u ra këtyne mbas shpine.
Tue pa, të derguemt nga Shkodra në Prenk Pasha nuk bante ballë me ndjekë këshillet e dhanuna e me shkatrrue ushtrin perdorne trathtinë. Shkelne nji tubë të malcorve edhe në nji mbramje dhane kushtrimin rreth e perqark tue britë: "Ikni burra sa u a msyni potera". Me nji lajm aq të pa pritun u dha ikja per anë. Fuqija u shperda. Nuk ndigioj ma kush të parë as urdhen e Prenk Pasha u gjet vetem me nji tubë mirditas besnikë edhe me nji tubë shkodranë të lidhun me besë me ba vdeken me te.
E kam ndij Prenk Pashen shum heresh, qi tue folë per ato rasa, nuk qitëte mendje burrnin e besen e shkodranve n'at rasë.
Princ Wiedi vazhdoj edhe do kohë tue ba qindresë me ushtritë qi kishte mbrenda nder të cillët pjesa ma e madhja e ma e forta ishte ajo e mirditës me Marka Gjonin per krye të shkuem nga ana e Shengjinit.
Abati i Mirditës me mue e me djelm e tij mbas veti shkoje dhe aj në Durrës per me u dhanë gajret mecave qi prej Mirdite patne randë burrnisht me luftue per atme e per mbret. Edhe ndejme aty per disa javë.
Mirdita n'at rasë pat lanë shum krena e jo aq tëper me të vramë por ma shum nga malarja qi i kapi ata djelm të vaditun nder male e nder bjeshkë.
Mbassi e pau Princ Wiedi se nuk mund qindronte ma pertej, muer disa çakla, la pallatin mbretnuer, hyni në nji danam e muer detin e u këthye në vend të vet.
Në Durrës, mbassi iku Princ Wiedi u perba nji qeveri e perkohëshme Shqyptare.
***
Mbassi shkoj Princ Wiedi, në Durrës u perba nji qeveri e perkohëshme ne kryesin e Turhan Pashës. Kje thirrë edhe Prenk Pasha per me marrë pjesë në qeveri, por aj, porsi Princ i Mirditës, nuk pranoj nëpunsi shtetnore por vetem u lidh me besë me kenë me ta në të gjitha punët edhe me e mpshtetë qeverin, me fuqin e vet. Mbassi Prenk Pasha pat ndejë në Durrës per do kohë mendoj me u këthye në Shkoder edhe prej andej me dalë në Mirditë per do pajtime e ngatrresa të ndodhuna.
Rruga ma e sigurta per te ishte ajo e detit per me dalë në Shengjin. Bile Abati pat marrë nji telegrafë per ardhjen e tij nga Shengjini e në diten qi do të vinte Abati e une edhe nji tubë mirditas dolme në Shengjin me e pritë. Pritme sa pritme por tue pa se nuk erdhi u drodhme e u këthyeme në Shkoder.
Tue këthye më shkuene sytë gjithkund perpjetë të malit të Shëngjinit edhe pashë se çë nën sqelë të Shengjinit e deri në fund të Lezhës, ishin kenë vue roja. Shifej ka nji rojtar largas njani prej tjetri nja pesdhetë hapa e qi me martina në dorë vrojshin rrugen e Shëngjinit. Ishin mirditas të vuem per roje të rrugës per kahë do të vinte Prenk Pasha.
Por per rrezik Prenk Pasha nuk kishte marrë rrugen e detit. Atij i mpshtiellej teper e nuk munte me bartë vaporrin e veçanrisht kuer deti kishte tallas.
Pat shkue, i percjellun n'at ditë qi do të nisej i percjellun nga ministrat e tjerë deri te bregu por kuer kje tue hye në sandall me shkue te vaporri ku pau tallazet e forta qi perplaseshin per vaporr, u tha të gjithve se ishte e pa mundun të bante rrugen per detë edhe u këthye në Durrës ku, mbassi aso kohe mungojshin mjetet, kje vue në dispozicion të tij nji kamjon i madh ku do te hynte aj e percjellsat e tij. Nder ta ishte edhe konsulli i Hinglizit.
Para se me u nisë per tokë, si mbas marrveshtjeve qi kishte me segretarin e vet Brahim Effendinë aj i telegrafoj sekretarit tue i lajmue ardhjen per tokë. Segretari të marrmen at telegrafë do të çonte mirditasit me ruejt rrugen.
Gjindej nenprefekt aso kohe në Lezhë nji shkodranë i quejtun Zef Shantoja. Nder asish qi me fjalë diftohej atëdhetar i flakët gjith ku t'i delte ndonji llokem.
Telegrami i bamë nga Prenk Pasha segretarit të vet kishte ra në dorë të tij e tue kenë se po n'at kohë u gjetne në Lesh dy të birt e Gjeto Çokut, aj ja pat lajmue at telegrafë atyne edhe ndalue mos t'i shkonte Brahim Effendis.
Të birt e Gjetos, të marrmen at lajm patne kohë mjaft me mbledhë puntorë gjakmarrje e me nji tubë shokë, në nji shenj vendi vuene priten.
Shkputne hekurat e rrugës së hekurt qi e sollne terthuer në mëndyrë që çdo automobil qi do të vinte asajtë, do të ndalohej me largue ato hekura të randë qi mezi mund dyndeshin me dhetë a pesmdhetë burra. Automobili me Prenk Pashen mbrendë mbërrini edhe shoferi kje i shternguem me shterngue frenjt e me ndalue automobilin per ballë t'atij pengimi, kuer me ças krisi pushka batare. Të mbrendëshmit nuk kishin kahë sjelleshin per qindrese me gjith se t'armatosun mirë. Ugashi me nji mirditas të ri bane nji qindresë aq të fortë sa penguene rrethuesat qi ishin të strukun mbas shkrepash e nuk shifeshin per shenj të shtimesh.
Vrasja e Prenk Pashes
I mirditsi, i shpejtë e guximtar i pa shoq këcej prej automobilit e në tokë edhe ndretë në kambë u bani ballë të gjithve me nji te shtime aq të shpejtë e të rrfeshme sa me habitë kedohin, por zbluet e në shenj të pushkve të tyne kje qillue me dy pluma e ra vdekun per tokë. Prenk Pasha kje vra me 21 Marc 1919. Pat dy pluma, njanin në krye e tjetrin në trup. Konsulli i Hinglizit kje varrue. Disa vetë shkodranë qi kishin kerkue me perfitue me ardhë në Shkoder me automobilin e Prenk Pashës mbetne të vdekun.
Vrasa e Prenk Pashës bani pershtypje të randë në Shkoder e në të gjith Shqypnin. Anmiqsija e vjeter ndermjet të Mirditës e të malcorve u persërit në nji kohë kuer ma teper se kurr lypej bashkimi e vëllaznimi ndermjet të Shqyptarve.
Në Shkoder sundonte komandanti francez Bardi de Fourtou i cilli, per nji nderim te veçante dha urdhen qi trupi i Prenk Pashës, me gjith se i vramë jashta rrethi të sundimit të tij të bihej në Shkoder.
Rrani Mirdita. Erdhne Kapidanat e Krenët edhe vogjlija qi me kapolë të xhurdijave të hjelluna per mbi krye e me thekë të perkulun para fytyre, rend me rend e me mauzere nën krah me gryka per dhe shkuene mbas kufomet dhe e percuellne te vorri.
Vorrimi kje ba me ndertimet qi i prekshin nji nieri aq të madh e me randsi.
Mbas vdekjes së Prenk Pashës, parija per trashigim i rrinte Marka Gjonit. Me vdekjen e Prenk Pashës ngjarje të reja ndodhne në familjen e Gjomarkaj.
Testamenti i Prenk Pashes
Prenk Pasha para se të vdiste pat lanë nji testamend të shkruem me doren e vet. Me qi kishte besim të plotë në mue per kahë mshehtsija e nevojitun, tri heresh më pat thanë me shkue në një kohë të caktueme pse donte të shkruente nji testamend bashkë me mue. Une po në kohët e diftueme shkova por e gjeta me ndjerz dege të nalta ushtarake në bisedime e siper edhe ashtu herë mbas here puna kje shtye. Të mbramen herë më tha - mbasi nuk na duel kohë me shkrue së bashku e shkrova une vetë. Une u gzuesh per at pune pse nuk doshem me dijt se çë testamend mendonte me ba veç se më tha tue qeshë, se çë kan me u perleshë mbas vdekes s'eme!...
Testamendi ishte se mbassi aj nuk kishte kend të aferm të vetin e në brez të tij perpiqej me Markagjonin në të katertin brez aj pasunin e vet, t'eger e të butë po ja lente Mirditës marë e krenët t'a dajshin nder të vobegët e Mirditës.
Sa per n'at pikë flitëte testamendi kjartas por rrinte çeshtja e grues tij, e mbetun e vejë edhe e re. Sa per zakonet e Mirditës, trashigimi i grues ishte i caktuem prej kanunit, por grueja ishte Shkodrane. Duhej pra me ba nji ndryshim të veçantë n'at pikpamje.
Une kishem pasë miqsi të ngushtë teper me familjen e Prenk Pashës çë se aj gjindej në Kastamun e në Stamollë e mbrapa me Prenk Pashen edhe njeheshem aty porsi miku ma i ngushti i asajë familje; Miqsi me Margjelen, me Daven e me Prenk Pashen por ata patne vdekë e prandej me ndrrimin e ndodhun une fillova me u shmangë e me u largue tek, tue mbajtë gjithnji sjelljen miqsore, por pa u shtye thellë në gjejen familjare e në drejtimet perkatëse.
Marka Gjoni e Kapidanat tjerë ndejen e tyne e kishin n'Orosh e veç kuer vijshin me ndejë në Shkoder hera herë me javë, kishem të perpjekun me ta.
Prandej, për të gjallë të Pashës une shkoshem per gjith ditë, si nji ditë nji tjeter, por tash mbas vdeke shkova në krye tri a kater ditve sa mos me u largue me turr.
Ishem tue kalue neper rrugzen qi çon te shtepija e Pashës kuer ndesha Kapidan Marka Gjonin me nji tubë mirditas per mbrapa qi kishte dalë prej shtëpije e po shkonte te Fusha e u falme, por aj tuk me pau më gjoj me fjalë.
Zotni Dom Ndoc - më tha: - Të kena dijt e njoftë se je miku ma i ngushti i shtëpis Gjomarkaj, por po duket se paske kenë vetem mik i Prenk Pashës e jo i joni. Tash qi vdiq Pasha nuk je tue ardhë!...
-Nuk kam ardhë, kapidan - i thaçë - pse nuk më kande me u futë aty ku nuk jam i thirrun!...
-Në kjoftë per ate - m'u pergjegj - qe po të thrras, e në je burrë mos n'a len tash qi kena nevojë per ty!... Me ato fjalë u dame. Une shkova kahë Shtëpija e Pashës e aj kahë Fusha e Çelës per ku ishte nisë.
Me at ditë ngela edhe ma i shtëpis se ishem ma parë pse Marka Gjoni e lshoj të gjith besimin e vet në mue. Aj nuk dinte as me shkrue as me këndue edhe të gjitha punët e veta m'i mpshteti mue tue më thanë: Ti je kjanë besniku i nanës Margjelë, besniku i Abatit të Mirditës, besniku i Prenk Pashës e pra ke me kenë edhe besniku i jem.
Me ato fjalë e edhe me sjelljen e vet aj më lodhi e ma hangri zemren, pse nuk bante gja pa më pvetë mue edhe bante gjith ç'i thoshem une se asht mirë me u ba.
Mbërrini puna e rregullimit të shtëpis. Kje këndue testamendi edhe krenët në perfaqsim të popullit të Mirditës thane se sa per shka thonte testamendi per me ja da pasunin e Prenk Pashës të vorfenve të Mirditës, ajo nuk ishte nji pasuni aq e madhe sa me ngrofë të gjith Mirditen edhe prandej, i thanë Marka Gjonit e gzofsh ti me vllazni!
Sa per gruen u mblodhne krenët per me ba pleqnin. Kje pvetë grueja se çë donte me ba. A donte me ndejë në shtëpin e burrit a por donte me dalë. Ajo pergjegji se ishte ene e re teper per me ndejë aty ku mund i delshin fjalë e prandej mendonte ma mirë me dalë. Të gjith e pelqyene mendimin e sajë edhe nuk mbet tjeter veçse me ba pleqni se si me e percjellë gruen. Ajo per ate zgodh amanetqar të vetin Argjipeshkvin e Shkoders Emzot Serreqi tue thanë, si ta pranonte aj, ajo do t'i rrinte.
***
Marka Gjoni aso here tha edhe une po emnoj per amanetqar t'emin Dom Ndocin e shka të pranojë aj e kam pranue une.
Puna u fillue ma së mari e me qetsim të dy palve. Grueja nder krenët qi e perkrahshin ma teper kishte Zef Ndoc Ndrecen, bisedarë i squet në mos tjeter. Kje nder pleq Prenk Marka Prenga flamurtari i Oroshit, Marka Kola i Oroshit edhe tre a kater flamurtar tjerë qi u kam harrue emnat, edhe ashtu me dymdhetë a pesmdhetë vetë kje ba pleqnija e grues.
Muerme e dhame per me gjetë nji rrugë ndermjet të kanunit të malcis e të sjelljeve të gjytetasve. Te e mbramja rame nji fjale me i dhanë grues nji shumë të hollash në napuliona ari 2000 (dymij) e edhe takamet e dy odave të Prenk Pashës me gjith çë gjindej per mbrenda. Per me sigurue dhanien e asajë shume u dha vendimi se grueja do të rrinte në shtëpin e burrit deri në diten qi t'i dorëzoheshin 2000 napulionat edhe per sa të rrinte aty, Kapidani do t'i nepte asajë Nap. ari në ditë pesë (njëqind frank ari) per shpenzimet e shtëpis qi do ta mante të çilun me sherbtorë e sherbtore sikur pat kjenë para vdeket të Prenk Pashës.
Vendimi u shkrue. Kje nenshkrue prej Argjipeshkvit Emzot Serreqi, per gruen edhe prej meje per Marka Gjonin e mandej prej krenve e pleqve.
Une per nga ana e jeme, e mendova se grueja do të rrinte e kënaqun nga aj vendim edhe per njimend kuer ja këndueme vendimin te shtepija u pa se i pelqej edhe n'a tha: "Kjoshi faqe bardhë e se kjoshi pleqnoshi".
Tue u këthye une prej argjipeshkvijet per me shkue te shtëpija e Prenk Pashës, rashë kahë Fusha e Çelës, këtheva te shtëpija e jeme edhe mandej dola e mora rrugen në teposhte. te skaji i rrugës terthuer më duel para Marka Gjoni qi ishte kenë tue u rrue te Rrok Serreqi e më pveti a ishim da të ndrequn a të çartun. Të ndrequn i thaçë - pak vartas pse kishem frigë me ja thanë ashtu befas shumen e madhe të hollave të caktueme qi në menden e nji malcori vret veshin me ja dhanë nji grueje. E kena ndreqë i thaçë pijtas por të kena vra tek!...
-Më keni vra po thue?.. Po, edhe ne paç dhanë krejt gjanë e Pashkës, per ate mos u tut se të luen kush fjale. Shka ke pranue e ke nenshkrue ti, e kam pranue une e nuk e luen gja!..
Ato fjalë mue më qetsuene pse, me të vertetë, me e shikjue se grave të mbetuna të veja në Mirditë pleqnija u nep drith në mot per ushqim deri të rrij e vejë pa u martue. Ajo shumë ishte gja perte nimozotin edhe prandej une me gjith se doshem per nga ana e pershtypjes qi do të bante nder kapidanat e në Mirditë pergjithsisht një punë qi kapercente çdo ligjë të kanunit të vendit.
Vijon në numrin e ardhshëm
--------
Ne se dikush mundet nga gazeta TEMA te sjelle ketu te gjitha kujtimet qe po boton TEMA nga dom Ndoc Nikaj do bente nji pune me vlere..meqense Dom Ndoc Nikaj eshte nje deshmitar serioz e direkt i atyre periudhave komplekse te historise tone kombetare..
cdo te mire..
Krijoni Kontakt