Arbëreshët populluan dhe sunduan jugun e Italisë më shumë se pesëqind vjet përpara. Ja harta e kolonëve shqiptarë dhe mbijetesa e tyre përtej detit
Si “pushtuan” shqiptarët Italinë për 5 shekuj
Studiuesi gjerman Peter Bartl në një libër voluminoz rrëfen historinë e dyndjeve shqiptare drejt gadishullit Iberik
Kush është Peter Bartl
Studiues i njohur gjerman i historisë së vendeve të Evropës Juglindore, sllavistikës dhe turkologjisë në Gëtingen dhe në Mynih. Ai është drejtor i Institutit Albanologjik në Mynih dhe botues i “Muencher Zeitschrift fuer Balkankunde” dhe i revistës tjetër “Kërkime Albanalogjike”. Ai ka publikuar libra e studime të shumta shkencore në fushat e sllavistikës, albanologjisë, turkologjisë dhe balkanologjisë.
Një nga studiuesit më të mëdhenj gjerman, balkanolog dhe albanolog, tregon me fakte “pushtimin” që shqiptarët i kanë bërë në vite gadishullit Iberik. Studiuesi gjerman, Peter Bartl, në studimet e tij albanologjike hedh dritë mbi mjaft çështje të historisë së vjetër shqiptare, dhe kryesisht për emigrimin shqiptar në Itali dhe në vende të tjera në të gjitha kohrat.
Mbështetur në një sërë dokumentesh arkivorë, ai shpjegon se ku u vendosën dhe si e ruajtën gjuhën, kulturën arbëreshët e Italisë deri në ditët tona, me gjithë trysninë e vendasve për t´i asimiluar. Që në vitet e para të erës sonë, shqiptarët synonin të vendoseshin në brigjet jugore të Italisë, në zona që u siguronte atyre mbrojtje. Peter Bartl, përmend edhe faktin që asnjëherë nuk ka patur një regjistrim të saktë për emigrantët e hershëm shqiptarë në Greqi, pa i ngatërruar këta me shqiptarët që ishin në trojet e tyre, që në vitet 12-13 mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë. Me saktësi, Bertl ka vendosur në hartë zonat e banuara nga shqiptarët e vjetër, emigruar në vendet fqinje. Edhe pse ai thotë se mbi prejardhjen e shqiptarëve ka ekzistuar për një kohë të gjatë një paqartësi, përsëri albanologu shprehet se në studimet e ndryshme ata janë trajtuar me prejardhje sllave. Po kështu, sipas studimeve të paraqitura deri tani, ka versione, ku flasin për një zhvendosje të tyre nga zona e Kaukazit (ku gjithsesi ka ekzistuar një vend i quajtur Albani). Në të tjera studime, ata janë trajtuar si pasardhës të Pellazgëve, Etruskëve, Thrakëve, Dakëve dhe se fundmi të Ilirëve. Dokumentacioni për të përcaktuar prejardhjen e shqiptarëve është në tërësinë e vet i varfër dhe është operuar kryesisht me shkencën e gjuhësisë të krahasuar, që e cila ka sjellë shumë rendiment në punimet shkencore, megjithëse është tepër e vonë. Shqiptarët, në periudha të ndryshme të histroirisë, kanë emigruar, duke krijuar edhe kolonitë e tyre kryesisht në Itali dhe Greqi.
Italia, si u vendosën në Jug emigrantë historikë shqiptarë
Në Itali, sidomos në Pulja, Kalabri dhe Siçili, janë pjesa më e njohur e kolonive shqiptare nëpër botë. Ato e kanë zanafillën që në kohën e pushtimeve të para turke, para periudhës së mbretërisë së Skënderbeut. Numri i tyre llogaritet afërsisht në 110 mijë. Ekzistenca e gjuhës së tyre (arbëreshe) është një formë arkaike e dialektit toskë të shqipes, që, për fat të keq, me kalimin e kohës po ndihet gjithnjë e më i kërcënuar. Ashtu si edhe në Greqi, shqiptarët në Itali nuk gëzojnë një status të garantuar për t´u trajtuar si pakicë. Kolonitë shqiptare, siç dihet, ekzistojnë në të gjithë shtetet që u formuan pas rënies së Perandorisë Otomane, në Bullgari, në Siri dhe në Egjipt. Një koloni e madhë shqiptare ekziston edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pjesa më e madhe e tyre përbëhet prvej emigrantëve të vjetër, të cilët u vendosën atje para fitores së pavarësisë. Emigranti i parë shqiptar, që mendohet të ketë prekur tokën amerikane, daton në vitin 1876. Por, një element i veçantë që ja vlen të përmendet është edhe ekzistenca e një kolonie shqiptare në Ukrainë, që në fakt është një koloni e vjetër. Është interesant fakti se katë mijë pjesëtarë të këtij komuniteti vazhdojnë ta cilësojnë shqipen si gjuhën e tyre të nënës. Paraardhësit e tyre luftuan në vitin 1768-1774 dhe 1787-1791 në krah të Carit të Rusisë, kundër turqëve dhe mbetën më vonë përgjithmonë në tokat e Carit.
Greqia, edhe atje shqiptarë
Fatkeqësisht për numrin e shqiptarëve që jetojnë në Greqi nuk ka ndonjë statistikë të saktë. Duhet të bëjmë dallimin midis zonës plotësisht të banuar në pjesën më të madhe nga shqiptarët (Çamëria dhe Maqedonia) dhe kolonive shqiptare mesjetare të Greqisë së jugut, (Atika, Boti, ishujt Egje dhe Peloponezi). Dialekti i këtyre emigrantëve të vjetër (arvanitasve), është sot në kërcënim të plotë. Si theksuam edhe më lart është i paqartë numri i popullsisë shqiptare që jeton në Greqinë e veriut. Deri në luftrat ballkanike, në vitin 1912-1913, ku Greqisë iu bashkangjitën Epiri dhe Maqedonia, zonat e banuara me shqiptarë shkonin deri në gjiun e Artës. Shumica e popullsisë myslimane shqiptare më pas emigroi ose iu nënshtrua proceseve të asimilimit. Shqiptarët e atjeshëm ortodoksë u greqizuan me dhunë që para bashkimit të Epirit dhe Maqedonisë me Greqinë. Sipas të dhënave zyrtare greke deri në vitin 1951, në territorin e shtetit grek jetonin gjithsej rreth 23 mijë shqiptarë.
Kolonitë para dhe pas pushtimit otoman
Pasojë e pushtimit osman të Shqipërisë dhe një pjesë shumë interesante e kësaj periudhe, janë valët e emigrimit që njohu popullsia shqiptare, kryesisht në drejtim të Italisë. Një numër i madh familjesh fisnike, që nuk ishin dakord “të rregulloheshin me turqit dhe të ktheheshin në myslimanë, gjetën si rrugëdalje ikjen drejt gadishullit Apenin. Por, bashkë me këta shkuan edhe shumë njerëz të tjerë, duke përfshirë këtu fshatarë dhe vasalë të tyre, të cilët megjithëse me dhembje prisnin në atdheun e tyre të “ri” kushte më të mira dhe të paktën mendonin se do të ushtronin në mënyrë të plotë liritë e tyre fetare. Duke parë problemin nga pikëpamja gjeografike, gjatë studimeve del se, kryesisht në Italinë e Jugut dhe në Siçili ka pasur 95 vende, ku dëshmohet se pasardhësit e tyre janë me prejardhje shqiptare dhe madje këto fshatra të jenë themeluar prej tyre. Për sa i përket ruajtjes së gjuhës, mund të thuhet se ajo është ruajtur në një masë të konsiderueshme në 55 fshatra shqiptarë, ndërkohë që të tjerët janë asimiluar plotësisht nga italianët, megjithëse në pjesë të veçanta të popullsisë hasen kostume dhe tradita shqiptare si dhe ruhet e gjallë në ndërgjegje prejardhja e tyre shqiptare. Emigrimi i shqiptarëve në drejtim të Italisë atëherë nuk ndodhi brenda një dite, por, përkundrazi, njohu etapa të ndryshme. Që në vitet ´30-´40 të shekullit të 15-të, kanë ekzistuar refugjatë shqiptarë të vendosur kryesisht në zonën e Ankonës. Nga mesi i këtij shekulli, me kërkesë të mbretit Alfons i parë të Napolit, u rekrutuan në radhët e ushtrisë së tij ushtarë shqiptarë. Ata u renditën në formacionet e rregullta nën udhëheqjen e Demetrio Reres, në mbështetje të mbretërisë së Aragonëve, për të shtypur kryengritjet e princërve dhe të fisnikëve të tjerë dhe për t´i bërë ballë përpjekjeve të Anzhusë, për të pushtuar sërish Italinë e Jugut. Si shpërblim për shërbimin e tyre, ata morën, në vitin 1448, në provincën e sotme të Katanxaros, toka, ku ndër të cilët shtatë fshatra prej këtyre zonave u mbushën plotësisht me shqiptarë. Ndërsa, fati i Demetrio Reres do të ishte akoma më i mirë, sepse ai u shpërblye duke marrë postin e guvernatorit të Rexhio Kalabrios. Ndërkohë, që dy bijtë e tij, Xhorxhio dhe Bazilio, së bashku me një pjesë të trupave elitare shqiptare u zhvendosën për në Siçili, në kolonitë ushtarake të Kontesa Entelina, Palaco Adriano dhe Mezzojuso. Pra, viti 1448 mund të cilësohet si viti i themelimit të kolonive shqiptare në Itali. Kjo përkon edhe me plotësimin e etapës së parë të emigrimit të shqiptarëve në Itali. Vala e dytë e këtij fenomeni është ajo e vitit 1461, e cila i dedikohet ekspeditës ushtarake të Skënderbeut në ndihmë të Ferdinantit I të Napolit. Në fakt, Skënderbeu u kthye në vitin 1462 në Shqipëri, por ai la pjesën më të madhe të njerëzve të tij në Itali, ku atyre u duhet të vazhdonin akoma të luftonin në krah të Ferdinantit të Parë kundër Anzhusë dhe kështu që mbetën në tokën italiane. Kësaj kohe i përkasin themelimi i kolonive shqiptare në Taranto, Leçe, Kampobaso dhe Foxhia. Një valë e madhe emigrimi i përfshiu shqiptarët sigurisht pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit të tyre përfundimtar nga ana e turqve. Kjo i përket periudhës mbas vitit 1479. Këtë radhë, sigurisht, nuk mund të flitej më për ushtarë në shërbim të këtij të këtij apo atij mbreti, por thjesht për refugjatë të mirëfilltë. Një numër i saktë mbi ta nuk ekziston, por numri i tyre mund të ketë qenë i konsiderueshëm, duke u nisur nga fakti se shumica e kolonive shqiptare në provincën e Kozencës, e cila ka pjesën më të madhe të popullsisë me prejardhje shqiptare, vijnë nga kjo periudhë. Emigrimi zgjati deri në fillim të shekullit të 16-të. Sidomos ai u shtua pas shtypjes së kryengritjeve të shqiptarëve në vitet 1481, 1492 dhe 1506. Një valë e madhe emigrimi shqiptarësh pasojë sidomos edhe pas ripushtimit nga turqit të Koronës. Korona dhe vende të tjera të Peloponezit deri në vitin 1532, kishin qenë të pushtuara nga Spanja, nën Andrea Doria. Popullsia kristiane vendase, ndër ta edhe shqiptare, të cilët jetonin në pjesën më të madhe të gadishullit e kishin përkrahur këtë “pushtim” të spanjollëve. Kur Koronës, në vitin 1533, iu desh të kapitullonte përpara turqve, si shqiptarët edhe grekët, por edhe spanjollëve iu desh të emigronin. Ata u vendosën në bregun më të afërt, në Itali, ku u hapën ku mundën, por kryesisht rreth zonave të Bariole, Moskito, Brindisi di Montanja, në provincën e Potencës, ne San Demetrio Korona dhe San-Benedeto Ullano, në provincën e Kozencës, si edhe në Napoli. Ata u trajuan shumë mirë dhe ishin disi të privilegjuar nga qeveria e nënmbretit spanjoll të Napolit, madje kishin dhe të drejtën të mbanin armë, gjë e cila ishte e ndaluar për emigrantë të tjerë. Me këtë valë emigrimesh (Koronej), mbyllet edhe periudha e emigrimeve të mëdha. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë ka pasur përsëri valë emigrimesh, por, gjithsesi, më të vogla nëse ato që përmendëm më sipër. Për shembull, në vitin 1647, në Barile (Potenca), duke përfshirë gjithë gjysmën e parë të shekullit të 17-të, u njohën zhvendosje në Italinë e veriut, në zonën e Piaçencës. Në vitin 1744, banorët e Piqerasit në Himarë, lanë vendin e tyre dhe iu drejtuan Italisë. Ata u përkrahën nga Karli i Tretë i Napolit dhe u vendosën kryesisht në provincën e Peskarës, në Villa Badesa. Në vitin 1756, emigrantë nga Shkodra u vendosën në shtetin papal, në Pianiano (Viterbo). Vala e fundit e emigrantëve shqiptarë të kësaj periudhe shkeli në tokën italiane në vitin 1774. Ata u vendosën në Brindisi Di Montanja, ku, siç thamë edhe më sipër, ekzistonte një koloni shqiptare. Përveç këtyre valëve, që deri- diku mund të cilësohen si të mëdha apo kolektive, ka pasur edhe valë shumë të vogla dhe të pakonsiderueshme. Kështu mund të përmendim faktin se që nga shekulli i 16-të, në Itali vinin vazhdimisht emigrantë nga Shqipëria, të cilët zakonisht përpiqeshin të punonin si ushtarë me pagesë, si marinarë. Atëherë Spanja, njohur si fuqi botërore, e cila bënte luftra në çdo cep të Evropës, kishte shumë nevojë për ushtarë të tillë.
Napoli "prone" e shqiptareve
Qendër e emigracionit shqiptar të asaj kohe ishte natyrisht Napoli, që në një farë mënyre përbënte edhe dritaren e Spanjës për të hyrë në Ballkan. Napoli përbënte edhe pikënisjen e ekspeditave ushtarake spanjolle në zonën e Mesdheut si dhe një qendër të rrjetit të spiunazhit spanjoll të infiltruar në radhët e ushtrisë turke të Mesdheut. Kështu, në këtë mënyrë zëvendësmbreti i Napolit rekrutonte kryesisht emigrantë ballkanas. Përveç të tjerëve, kryesisht grekë, një pjesë të konsiderueshme përbënin edhe shqiptarët. Veprimtaria e tyre kryesore ishte vënia nën shërbimin ushtarak. Regjimentet e kalorësisë shqiptare ishin pjesë e suksesshme e Mbretërisë së Napolit qysh herët, që në kohën e Demetrio Reres dhe njerëzve të tij. Më vonë ishin emigrantë të vjetër shqiptarë, që kishin arritur të kishin reputacion në qarqet vendase, të cilët shërbyen si ndërmjetës për të sjellë në shërbim të kurorës spanjolle rekrutë nga Ballkani. Ushtarë dhe regjimente kalorsie atëherë nuk kishte vetëm në Napoli, por edhe në vende të tjera të pushtuara nga spanjollët, ndër të cilët edhe Milano. Ata, madje, arritën të luftonin nën urdhrat e kurorës spanjolle deri në kufijtë të Holandës së sotme. Shumë prej këtyre ushtarëve arritën të kishin karrierë të shkëlqyer ushtarake. Më i njohuri prej tyre duhet të ketë qenë Xhorxho Basta, i cili në vitin 1550, u bë komandant madhor i urdhrit mbretëror dhe madje mundi të shkruaj dy libra mbi artin ushtarak të kohës (“Il maestro di kampo generale” dhe “Guverno dela cavalleria leggera”). Në Napoli u krijua regjimenti mbretëror maqedon, që vazhdoi të ekzistoi deri në kohën e luftrave të Napoleonit. Në kohët e fundit të ekzistencës së tij, ai qe përdorur madje si trupë policore për të ndërhyrë në trazira dhe për kapjen e banditëve.
Ruajtja e zakoneve shqiptare për shekuj me radhë
Shumica e emigrantëve shqiptarë, që kishin shkuar në Itali, e kishte origjinën nga Shqipëria e Mesme dhe Jugore, ose edhe nga Greqia. Një fakt domethënës për këtë është edhe forma toskë e dialektit italo-shqiptar në ato koloni si edhe liturgjia ortodokse që mbizotronte në bashkësitë shqiptare të asaj kohe, që haset edhe sot e kësaj dite në shumë krahina të Italisë. Katolicizmi ia arriti vetëm pjesërisht të depërtonte ndër shqiptarët e këtyre kolonive. E para koloni shqiptare, që u shndërrua në katolike, ishte ajo Falkonara Albanese, e Kozencës, në vitin 1570 dhe e fundit ishte ajo e Ururit në Kampobaso, në vitin 1707. Në radhët e popullsisë së thjeshtë ardhja e emigrantëve dhe përzierja e tyre me atë vendase, italiane, nuk ishte një proces pa probleme. U vunë re përplasje e fërkime midis të sapoardhurve dhe vendasve jo fort miqsorë. Shpesh herë të sapoardhurit shiheshin me mosbesim për shkak të traditave dhe zakoneve të ndryshme si edhe shumë më tepër për shkak të riteve të tyre ortodokse. Priftërinjtë ortodoksë së bashku me gratë dhe fëmijët e tyre ishin të çliruar nga taksat, gjë e cila nxiti pakënaqësi te priftërinjtë katolikë dhe në radhët e popullsisë vendase. Për këto arsye në shumë pikëpamje të asaj kohe, por sidomos nga këndvështrimi religjioz, emigrantët trajtoheshin si heretikë. Madje, në zona të veçanta shqiptarët damkoseshin si banditë, grabitës. Një arsye për këtë sidomos në gjeneratën ose brezin e parë të shqiptarëve ishte njohja shumë e keqe ose mosnjohja e gjuhës nga shqiptarët. Duke pasur parasysh edhe vendndodhjen gjeografike, si dhe mbajtja fort e traditave, ndër to edhe ruajtja e gjuhës, u deshën mbi qindra vjet madje, që ata t´i përshtateshin italianëve në gjuhë, kulturë, tradita e mentalitet. Edhe lidhjet martesore bëheshin vetëm brenda shqiptarëve. Vetizolimi, çoi nga njëra anë në ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit arbëresh, siç parapëlqejnë vetë shqiptaro-italianë e këtyre kolonive. Nga ana tjetër, kjo pati pasoja negative, sepse ata mbeten të huaj për italianët dhe të trajtoheshin edhe në vazhdimësi me një farë mosbesimi. Një fjalë e urtë siçiliane thoshte atëherë: nëse ti ndesh në rrugë një ujk dhe një shqiptar atëherë qëllo në fillim shqiptarin
Krijoni Kontakt