Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 11
  1. #1
    Shpirt i Lirë
    Anëtarësuar
    15-04-2002
    Postime
    898

    Ndërroi jetë Ferdinand Deda

    ------------------------------------------------------------------------------------

    Ngushellimet familjes Deda.
    Dirigjent Ferdinand Deda do te kujtohet gjithnje sa here do degjojme tingujt e muzikes shqiptare, te cilen ai aq bukur e dirigjentoi.
    Kujtimi i tij do te mbetet i paharruar.

    ------------------------------------------------------------------------------------




    In memoriam, kompozitorit dhe dirigjentit të shquar Ferdinant Deda

    Tingujt e Dedës u ndërprenë, por jehonën e lanë pas

    Dhurata Hamzai

    Kthehet sot për t'u dergjur përfundimisht në tokën shqiptare trupi i pajetë i kompozitorit dhe dirigjentit të shquar Ferdinant Deda. Artisti Ferdinant Deda lindi në Peqin në vitin 1941 dhe ndërroi jetë të dielën në mënyrë të papritur në moshën 62 vjeçare, pavarësisht përpjekjeve për t'u kuruar në Turqi. Shpresa krenare dhe ëndrra për jetën nuk e mundi dot vdekjen. I detyruar nga një sëmundje tepër e rëndë në palcën e kurrizit, ku përkohësisht ishte ndërprerë prodhimtaria e rruazave të kuqe dhe të bardha të gjakut, Ferdinant Deda udhëtoi në qiell drejt Turqisë me kontribut të Ministrisë së Kulturës me shpresën e madhe për t'u bërë prapë mirë. Kompozitori dhe dirigjenti i shquar Deda besonte shumë në rigjenerimin e shëndetit të tij, sepse e ndjente se ende ish i ri, ende donte të kompozonte këngë, dhe dukej se kishte një fizik të fortë. Vonesa për kurimin e saj dhe rrethanat e sëmundjes së mistershme nuk e lejuan të jetojë më gjatë. Ndoshta duhej bërë më tepër për të për të sfiduar sëmundjen, por pendimi s'ka më vlerë. Kështu që me ëndrrën për vazhdimësi, me dëshirën për t'i rënë sërish pianos, iku i brengosur nga kjo jetë kompozitori i madh Ferdinant Deda. Aty në shtratin e kurimit kur priste me durim shërimin në spitalin "Nënë Tereza" i shtruar dy herë radhazi brenda një muaji, Ferdinanti premtonte se do të merrej me muzikë menjëherë pas shërimit të tij. Në intervistën e tij të fundit në shtratin e kurimit në këtë spital, ndokush mund ta ketë prekur e lënduar duke i kujtuar maninë e tij për pijet alkolike, veprim që Deda e bënte sa herë që i duhej të kompozonte, ose kur prekte një ëndërr të bukur krijimi, e bënte sa herë që i duhej të prishte gjumin dhe qetësinë e tij, dhe sa herë që i duhej të shtrëngohej për t'u prezantuar me krijimatri të shpeshta në aktivitete të mëdha ku emri i Ferdinant Dedës nuk ka munguar, as në festivalet e këngës në radiotelevizion, as në aktivitetet rinore dhe festivalet e fëmijëve. Krijimtaria e tij muzikore nevojitej sa herë dhe Deda e bënte me dashuri të madhe këtë punë. Artisti filloi të besonte se kishte abuzuar me shëndetin e tij. Ndoshta kishte bërë faj, ndoshta jo. Por kur po e shihte se diçka e keqe po ia merrte jetën tinëzisht, atij po i shembej ëndrra e jetës, që në intuitën e tij ishte shndërruar qysh herët me krijimtarinë muzikore. Kushedi sa vërshima tingujsh kanë jetuar në çastet fundit në mendjen e tij, në shpirtin e tij të ndjeshëm prej artisti, por për fat të keq dora nuk iu bind më, as ajo fuqi e brendshme vullneti që vetëm Ferdinant Deda e njihte nuk iu përgjigj më, e tradhtoi. Fryma entuziaste heshti, kur ende Deda me eksperiencën e tij të jashtëzakonshme po premtonte vepra të reja. Dora dhe shpirti i tij ndali, por jehona e kompozimeve që la pas nuk do të ndërpritet në korpusin e veprave të muzikës shqiptare.



    Veprimtaria Artistike

    Ferdinant Deda pasi mbaroi liceun artistik të Tiranës në vitin 1960 studioi në konservatorin e muzikës së Pragës për dirigjim. Pas një viti për arsye politike detyrohet të ndërpresë studimet dhe t'i vazhdojë në 1962 në konservatorin e Tiranës. Që kur ishte student udhëhiqte orkestrën e RTSH dhe pas studimev u emërua në këtë orkestër. Në vitet 1991-1992 u specializua në Itali.

    Prej viti 1964 ka realizuar mbi 300 koncerte brenda dhe jashtë vendit si në Itali, Turqi, Greqi. Me orkestrën simfonike të RTSH ka kompozuar muzikën e shumë filmave. Deda është shquar edhe si kompozitor, ai ka kompozuar 3 valle simfonike "meditim 1-2-3", ka kompozuar gjithashtu edhe katër skica për piano, trio për violinë, violonçel dhe piano, prelud të kënduar, impropt për piano dhe orkestër harqesh, fantazi për ksilofon dhe okestër, koncertino për korn dhe orkestër, koncert për klarinetë dhe okestër, rapsodi me tema poullore për orkestër, koncertino për fagot, klarinetë dhe flaut, muzikë filmi etj.. Është shquar edhe në gjininë e këngës së lehtë për fëmijë. Krijimtaria e tij është vlerësuar me çmime, Ferdinant Deda është themelues i koncerteve pranverore në RTVSH. Më 1997 u shpall fitues i "diskut të artë" është nderuar me titullin "Artist i merituar" dhe "Mjeshtër i Madh".
    Ndryshuar për herë të fundit nga Eni : 26-08-2003 më 04:56

  2. #2
    Megjithe vdekjen e parakohshme, Ferdinand Deda do te mbetet gjithmone nje nga dirigjuesit dhe kompozitoret me te njohur te muzikes shqiptare. Ne kujtim te tij si krijues, po vecoj nje nga kompozimet e fundit, kengen "Fati yne shprese e marrezi" te kenduar nga Aurela Gace.
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  3. #3
    Survivor Maska e Orku
    Anëtarësuar
    13-02-2003
    Vendndodhja
    Oqean
    Postime
    981
    Sa here qe permendet fjala festival i pari emer apo imazh qe me vjen nder mend eshte emri dhe pamja e Ferdinand Dedes. Eshte nje nga te paktet njerez qe nuk pati nevoje te retushonte imazhin e tij me ndryshimin e koherave sepse gjithmone vetem ka dhene ! Zoti i dhente paqe dhe ngushellime familjes.

  4. #4
    Survivor Maska e Orku
    Anëtarësuar
    13-02-2003
    Vendndodhja
    Oqean
    Postime
    981
    DEDA, KY KOLOS I MUZIKES SHQIPTARE

    Nga SHBA, Edmond Xhani

    Ferdinand Deda do te kujtohet gjithmone si nje Kolos i muzikes shqiptare. Lajmi i botuar ne faqet e internetit nga gazetat shqiptare per ndarjen nga jeta e mjeshtrit te madh te muzikes shqiptare, dirigjentit e kompozitorit Ferdinand Deda me ka bere te shtangem per nje kohe te gjate para kompjuterit e te derdh lot hidherimi per Maestron e madh. Per mua qe e kam njohur nga fare afer qe ne moshen time te femijerise, ai ishte pedagogu e me vone bashkepunetori e miku i madh e i mrekullueshem. Nuk mund ti harroj kurre ato 24 vite pune prane tij, kur edhe kur kam qene pjesemarresi me i vogel i Orkestres se RTV, kam ndjere vazhdimisht perkrahjen e besimin e tij te plote. Gjithashtu dua te theksoj marredheniet e shkelqyera qe i mbante me "akompanjamentin" ose motorin e orkestres sic e quante ai vete dhe qe perbehej nga koleget e mi te nderuar Edi Miso, Muharrem Dauti(Xheku) dhe une Edi Xhani. Ne te tre do t'i kujtojme gjate vitet '70-'80 periudhe e cila pa doren vendimtare te mjeshtrit te madh nuk do te kishte patur ato rezultate pozitive ne muziken tone te lehte. Vete fakti qe Maestro ishte ideatori dhe themeluesi i Koncertit te Pranveres tregon qarte vizionin dhe perpjekjet e tij per te ndryshuar dicka ne muziken e lehe shqiptare duke i dhene asaj me shume progres ne nje periudhe teper te veshtire dhe ndoshta te pa imagjinueshme per ate kohe. Duke patur parasysh kete fakt ne kuadrin e vleresimeve te ndryshme qe do ti behen figures se tij une do te propozoja qe tani e tutje cmimi i pare i Koncertit te Pranveres te titullohet cmimi "Ferdinand Deda". Ne aspektin personal une kam humbur pedagogun, bashkepunetorin dhe mikun e madh, ndersa ne aspektin muzikor shpreh bindjen time te plote se muzika shqiptare pesoi nje goditje te rende, duke humbur nje nga figurat me te ndritura e me te medha.

  5. #5
    Survivor Maska e Orku
    Anëtarësuar
    13-02-2003
    Vendndodhja
    Oqean
    Postime
    981
    Një këngë për të birin, është krjimi i fundit i artistit të madh, Ferdinand Deda. Vetëm pak orë nga përcjellja për në banesën e fundit, një grup miqsh të tij, plotësuan një nga amanetet e dirigjentit. Disa ditë para se të vdiste kishte kërkuar që t’i orkestronin një kompozim të fundit, kushtuar Eltonit

    Krijimi i fundit i Dedës, “Për ty Elton!”

    Alma Mile
    E ndiente se koha nuk do t’i mjaftonte për t’i thënë të gjitha. Donte të linte dhe një këngë të fundit dhe si ta dinte që vetë nuk do t’i shkonte deri në fund, iu lut të riut Kotani, të orkestronte një kompozim të tijin. “Për ty Elton!”. Kjo është kënga e fundit e Ferdinand Dedës, realizuar vetëm pak orë prej lamtumirës, nga një grup miqsh të tij. Ndërsa gdhihej e mërkurë, kompozitori i ri, Miron Kotani, Martin Leka, një prej miqve të tij dhe këngëtari Kozma Dushi, plotësuan një prej amaneteve të dirigjentit të madh. “Punuam gjithë natën, që kënga të ishte sot gati, por na ka mbetur peng, që ai nuk mundi ta dëgjonte”,- thotë Miron Kotani. Herën e parë, kur doli nga spitali, shtëpia e Dedës, u kthye në një sallë koncertesh. Miqtë shkonin dhe vinin, ndërsa ai luante në piano me orë të tëra. “Ishte në humor shumë të mirë dhe ka luajtur për ne në piano, plot katër orë. Mes pjesëve që luajti, ishte dhe një kompozim i fundit, të cilin ma besoi për ta orkestruar. Më tërhoqi shumë ajo muzikë dhe e kam punuar që atë natë”, - tregon Kotani. Por dorën e fundit ia kishin dhënë një natë para funeralit të artistit. Kënga e re, me tekstin e Martin Lekës, orkestrim të Kotanit dhe kënduar nga Kozma Dushi, ishte mesazhi i fundit, që Ferdinandi la për të birin, Eltonin. Ndoshta ishin fjalë, që ai kurrë nuk arriti t’ia thoshte ndërsa ishte ende gjallë. “Nuk ka forcë në botë / ta ndalë dashurinë / falma ëndrrën, jetën / shpresën që unë e dashuroj”. Ky është refreni i këngës së fundit të Ferdinand Dedës. Por edhe këto fjalë, kanë një histori të veçantë. Në një nga ato takimet e zakonshme mes miqsh, dirigjenti i kishte kërkuar Lekës, t’i shkruante një tekst kënge. “Dua t’i kushtoj një këngë Eltonit”, - kishte thënë Ferdinandi, duke regjistruar në mendje çdo fjalë dhe varg që kishte thënë ish-drejtori i Radio Televizionit Shqiptar. “Nuk ma merrte mendja se ai do t’i shkruante ato vargje të thëna fare spontanisht dhe nuk dija asgjë për ekzistencën e këtij teksti”, - tregon Leka, i cili shton se e kishte lexuar, vetëm kur ai ishte kthyer në këngë. Teksti është një mesazh dashurie, të cilin Deda, ia ka dhënë Kotanit, pak kohë para se të vdiste, së bashku me muzikën e kompozuar prej tij, për ta jetësuar në këngë. Një krijim kushtuar vetëm të birit. Ishte një ide që e bluante në kokë për vite me radhë dhe vetëm atëherë kur e ndieu se po shuhej, vendosi ta materializonte. Ndoshta mendoi që krijimtarinë e tij të gjatë muzikore, ta mbyllte me një kushtim për të birin, Eltonin. Si të donte t’i kërkonte ndjesë, që kishte jetuar larg tij, i rrethuar mes partiturash, krijimesh, pentagramesh, si të donte t’i shprehte gjithë dashurinë që ndiente për të dhe që s’kishte mundur dot t’ia tregonte, i la një dhuratë të veçantë me mbishkrimin “Për ty Elton!”.

  6. #6
    Survivor Maska e Orku
    Anëtarësuar
    13-02-2003
    Vendndodhja
    Oqean
    Postime
    981
    Ciko, takimi i fundit me Ferdinandin


    “Para syve kam një Ferdi të ulur në piano, duke më treguar disa nga veprat e tij të fundit”.

    Ky është imazhi i fundit që Zhani Ciko, drejtori i Teatrit të Operas dhe Baletit dhe një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, ruan nga takimi i fundit me dirigjentin, vetëm 10 ditë para se ai të vdiste. “Ishte një moment shumë i veçantë. Ishim në shtëpinë e tij dhe më ka treguar disa nga krijimet e tij të fundit. Më kanë lënë shumë përshtypje dy krijime, njëri që i kushtohej nënës së tij dhe një tjetër krijim instrumental. Ishin vepra shumë të ngrohta, në formën e një meditimi. Ndoshta ishte parandjenja për të ardhmen, por nuk kishin një frymë tragjike, përkundrazi tepër reflektive dhe shumë të inspiruara si gjithmonë”- thotë Ciko, duke shtuar se në shtëpi ai ka lënë shumë krijime, të cilat i biri, Eltoni dhe kolegët e tij, duhet të përpiqen, që t’i kthejnë në vepra. Ciko ruan dhjetëra episode nga puna shumëvjeçare me dirigjentin e madh, por nuk mund të harrojë koncertin e fundit, dhënë me rastin e 60-vjetorit të lindjes së Dedës, kur u është dashur të bëjnë një punë shumë të madhe për të mbledhur veprat që ai kishte kompozuar. “Ai kishte shkruar shumë vepra, por me natyrën e tij boheme, veprat i kishte të shpërndara, disa partitura në shtëpi, të tjera në bibliotekën e RTSH-së, disa mungonin. Kështu që së bashku kemi bërë një punë shumë të madhe duke kërkuar dhe rishkruar veprën e tij. Ka qenë një moment shumë i veçantë dhe ai e ndiente se po realizonte diçka unike në jetën e tij. Këtë unë e kam kuptuar vetëm në momentin kur, më është dashur të them diçka gjatë koncertit dhe Ferdinandi më ka puthur dorën. M’u duk një veprim i ekzagjeruar, por tani kur e shoh ritransmetimin e këtij koncerti, në këtë veprim nuk ka asgjë teatrale. Ishte kënaqësia e tij e madhe, që mundi të realizonte një aktivitet të tillë”, - tregon Ciko, duke shpjeguar se marrëdhëniet që ai kishte krijuar me Ferdinandin, nuk ishin të tipit shef-vartës, por ekzistonte një mirëkuptim dhe një bashkëpunim i plotë. “Ai ishte një natyrë kontradiktore, kishte një mënyrë të tijën të të jetuarit, të shprehurit të pasioneve, por kjo nuk e shuante frymëzimin e tij, dëshirën për të shkruar muzikë. Mendoj se ai u shua pikërisht atëherë kur e ndieu se nuk mund të krijonte më muzikë, për shkak të sëmundjes. Asnjë episod që kemi jetuar bashkë nuk ka më vlerën e dikurshme, por ajo, për të cilën ndiej më tepër keqardhje është për veprën që nuk do të mund ta shkruajë dot më”.

  7. #7
    Survivor Maska e Orku
    Anëtarësuar
    13-02-2003
    Vendndodhja
    Oqean
    Postime
    981
    Qindra njerëz për të përcjellë artistin


    Artistë, të afërm, personalitete të shtetit, qindra qytetarë, që ndoshta nuk kishin pasur mundësi ta takonin kurrë, por që adhuronin punën e tij, i dhanë lamtumirën e fundit, dirigjentit dhe kompozitorit të madh Ferdinand Deda. Ceremonia mortore, u organizua në hollin e Radio Televizionit Shqiptar, ku ai punoi për vite të tëra. Prej orës 10.00-12.00, holli i RTSH-së, ka qenë i mbushur me qindra njerëz, të cilët i dhanë përshëndetjen e fundit, vunë lule mbi trupin e tij dhe iu dhanë ngushëllime familjarëve. Ishin aty, orkestrantët, nga më të vjetrit, deri tek më të rinjtë, që ndonëse ndenjën pak me të, mësuan shumë prej tij, këngëtarë, poetë, bashkëmoshatarë të tij…. Për të bërë homazhe pranë trupit të Artistit të Merituar dhe Mjeshtrit të Madh të Punës, erdhën edhe personalitete të larta të shtetit, si Presidenti i Republikës, Alfred Moisu, kryeministri Fatos Nano, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Arta Dade, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Luan Memushi, etj. Të pranishëm qenë gjithashtu dhe shumë drejtues të partive politike, si kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike të Reformuar, Genc Pollo, etj. Rreth orës 12.00, trupi i Ferdinand Dedës, shoqëruar nga një varg i gjatë autobusësh dhe makinash, u drejtua për në varrezat e Sharrës, në banesën e tij të fundit.

  8. #8
    Hu
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    fole
    Postime
    86
    Nje nga figurat me te spikatura te muzikes Shqiptare.
    Me te vertete humbje e madhe.

  9. #9
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    28-03-2003
    Vendndodhja
    Diku nëpër Botë
    Postime
    528
    Ngushllime Familjes Deda !

    Ferdit i pushoftë shpirti në Parajsë !


    Ndarja e përjetshme e njerzëve të tillë ,janë humbje e madhe për Kombin tonë të vogël .

  10. #10
    Eks-plorator Maska e kolombi
    Anëtarësuar
    27-05-2003
    Vendndodhja
    Mes oqeaneve...............
    Postime
    3,720
    Ngushellime familjes Deda dhe gjithe te dashurve te tij.
    Falemnderit per kotributin e madh ne fushen e muzikes shqiptare.
    Ferdi do te ngelet nje pjese e historise se artit te muzikes,ku per vite te tera ju perkushtua teresisht.
    "Meqe brenga eshte burimi i gezimit,mos vajto............"

    GETE

  11. #11
    i/e regjistruar Maska e Hekti
    Anëtarësuar
    16-04-2003
    Vendndodhja
    Trieste
    Postime
    3
    Jam nje nga miqte dhe shoket me te ngushte te Eltonit dhe kam pasur nderin te njihja nga afer Maestro Ferdin,siç e kemi pas quajtur gjithmone.
    Lajmin e hidhur e mora vesh direkt nga Eltoni,megjithese dite me pare me kishte lajmeruar qe ishte rende dhe qe do ta çonin ne Turqi,me erdhi si nje bombe(çudi si nuk u kujtua me pare qeveria te merrte nje vendim te tille per nje autoritet si Ferdinand Deda......????).Kjo jo vetem per faktin qe artiste si Maestro lindin rralle (dhe po te shohim se çfare ofrojne skenat e te gjithe botes akoma me rralle),por edhe pasi duke e njohur nga afer personin,humanitetin e tij,batutat qe i kishte gati ne çdo moment dhe sidomos ne ato kur tjetri mund te ishte ne dite te keqe arrinte te te sillte edhe nje buzeqeshje.
    Do te me behej qejfi nese ndonje person ose me mire te them sposor shqiptar t'i kaloje neper mendje idea qe te beje nje prodhim audioviziv me te gjithe vepren e Maestros.Kjo edhe per faktin qe shumica e materialeve gjenden edhe sot e kesaj dite ne arkiva.Te pakten te kete nje deshmi te vepres se tij, e cila me siguri me kalimin e viteve do te jete material studimi persa i perket historise se muzikes shqiptare per vlerat dhe larmine e saj.
    Uroj qe kjo gje te behet. Keshtu qe brezat e ardheshme te njohin se cilet kane qene ata qe me te vertete "kane bere muzike" ose me mire te themi: KANE DITUR TA TRAJTOJNE ATE!!!!
    Ngushillimet me te perzermerta per familjen dhe jam i sigurte qe edhe ne kete moment Maestro do te duke jete kompozuar ose drejtuar diçka ne PARAJSE.....gjithmone buzagaz dhe duke sugjeruar fjalet kengetareve,siç beri per vite me rradhe.

Tema të Ngjashme

  1. Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë i Republikës së Kosovës
    Nga Albanino në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 2055
    Postimi i Fundit: 27-11-2014, 11:11
  2. Ndërroi jetë kompozitorja Dhora Leka
    Nga Brari në forumin Muzika shqiptare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 30-12-2006, 15:35
  3. Studentja Natali, ndërroi 64 burra për një natë!
    Nga Kinezja në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 14-08-2005, 16:08
  4. Ndërroi jetën Haxhi Hafiz Sabri Koçi
    Nga altin55 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 28-07-2004, 15:24
  5. "Danieli" nderroi jete...
    Nga drita në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 87
    Postimi i Fundit: 25-02-2004, 16:45

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •