Çfarë ndodhi me trashëgimtarët e familjes më të fuqishme arbërore, pasardhësit e Gjergj Kastriot Skënderbeut?

Një botim i harruar i shekullit XIX për bibliotekën albanologjike, shoqëruar me emblema të panjohura dhe një portret “ndryshe” të Skënderbeut
.

Pema gjenealogjike e Kastriotëve, pasardhësve të Skënderbeut, një portret i panjohur i Skënderbeut, autor i të cilit është një fisnik hungarez, si edhe tre emblema që ka përdorur Skënderbeu të publikuara për herë të parë, origjinalet e të cilave ruhen në Arkivin Sekret të Vatikanit; këto janë risitë e librit “Skënderbeu dhe Pasardhësit e tij”. Ky libër është shkruar një shekull e ca më parë nga një gjenealogjist italian, por vjen për herë të parë në stendat e librarive të kryeqytetit. Në shtëpinë botuese “Ideart” e kanë shpënë për botim tekstin në italisht të Padigliones dy vëllezër nga Ulqini, të cilët quhen Naim dhe Sami Flamuri, ndërsa në shqip është përkthyer nga Reshat Konçi.
Kastriotët e përtej detit
Cilët ishin breznitë e Kastriotëve? Si mbijetuan pasardhësit e Skënderbeut në një mjedis të ri natyror dhe demografik, të ndarë në dy degë, njëra në ngulimet arbëreshe në Itali dhe tjetra në vendin e të parëve? Carlo Padiglione në Napoli ka ndërtuar pemën gjenealogjike të Kastriotëve deri në shekullin XIX, duke gërmuar në dokumente e duke shfrytëzuar një bibliografi të pasur. Po pas Kastriotit? Pakkush prej historianëve ka marrë mundimin të ndërtojë pemën gjenealogjike të Kastriotëve të tjerë, breznive që rrodhën pas princit sundimtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Pse? “Gjergj Kastrioti ishte një fenomen eklipsues jo vetëm për zhvillimet pararendëse në jetën shpirtërore të shqiptarëve, jo vetëm për familjet e tjera patronimike arbërore, por edhe për vetë familjen e Kastriotëve- paraardhësit e pasardhësit, trashëgimtarët e tyre, lidhjet gjenealogjike me të tjerët, shqiptarë e të huaj, martesat, krushqitë si dhe shmangiet nga trashëgimia burimore..., - i përgjigjet kësaj pyetje, Shaban Sinani, drejtor i Arkivit të Shtetit. Libri i Carlo Padigliones përqendrohet në botën e Kastriotëve përtej detit. “Ne do të tregojmë vetëm për Akil Kastriotin, sepse pikërisht nga ai rrjedh markezi i sotëm i Auletës, Don Antonio Kastrioti-Skënderbeu. Nga dokumente origjinale e autentike, nga medalje e privilegje, në zotërim të markezit të Auletës që lidhen me luftëtarin e paepur të Shqipërisë, krijuam bindjen se, prej tij rrjedh poseduesi i sotëm i atyre dokumenteve”. Gjithçka vërtitet rreth Don Anton Kastrioti Skënderbeut, prejardhjen e të cilit kërkon të vërtetojë Carlo Padiglione dhe gjatë rrugës për të mbërritur tek ai “zbulon” pemën gjenealogjike të gjithë Kastriotëve para tij, dhe pas tij deri tek Alfonsi II, Filipi II, Katerina nga Ferdinandi V, breznia e Ferdinadit të pestë, si edhe Katerina dhe Elvira, brezni e drejtpërdrejtë gjithashtu e Kaudias, lindur më 1822. Ja çfarë shkruan Padiglione për Skënderbeun në librin e tij: “Për të (Skënderbeun) do të themi vetëm se, i nxitur nga papa Piu II, admirues i flaktë i bëmave të tij, erdhi në mbretërinë tonë për t’i dhënë ndihmë Ferdinandit të Aragonës, kundër Gjonit të Anzhuve, dhe mundi ushtritë e udhëhequra nga Xhakomo Piçinino, kapedan mercenarësh në shërbim të Anzhuve. Mbreti Ferrante, duke vlerësuar lart aktin e tij bujar (...) “ai vetëm bëri që të arrihej fitorja në shenjë mirënjohjeje, për të shpërblyer besimin dhe bujarinë e fort të nderuarit e shpirtmadhit Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur Skënderbeu, Dukë i Shqipërisë, si atë shumë të dashur dhe si mëkëmbës të tij të Përgjithshëm në anët e Puljes”, e shpërbleu me disa feude(...)” Patiglione nuk e mitizon Skënderbeun, ai merret me pinjollët e tij, të cilët i ka “eklipsuar” legjenda e madhe e heroit kombëtar, e kapedanit gjenial të luftës, por edhe e një burri shteti me integritet politik shumëdimensional.
Emblemat dhe portreti
Drejtori i Arkivave, Shaban Sinani thotë se origjinalët e këtyre emblemave ruhen në Arkivin Sekret të Vatikanit, ndërsa gjenden edhe në Arkivin Qendror Shtetëror. “Emblema e parë ka formën e një shqyti samit, në fushë të kaltër dhe një gjysmëhënë të kërcënuar nga shpata. Me këtë emblemë, Gjergj Kastrioti identifikon veten si kalorës i krishtërimit”,- shkruan Sinani. Ndërsa emblema e dytë paraqet një shqiponjë të stilizuar, afërsisht si ajo e Kastriotëve por me shenja të tjera përkrah dhe përmbi. E panjohur, ajo botohet për herë të parë si ilustrim në fund të librit të Padigliones së bashku me dy emblemat e tjera të panjohura. Emblema e tretë është përdorur nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu për të identifikuar autoritetin e tij si pronar i Shqipërisë së Mesme e në thellësi. Ndërsa autor i portretit të Skënderbeut ndryshe nga ç’e kemi parë deri tani në ilustrimet historike, është një fisnik hungarez, Gjergj Rakoci (1593-1648). Sipas Dr. Musa Ahmetit origjinali ndodhet në bibliotekën “Szechenyi”, në Budapest.

NGA LIBRI I PADIGLIONES
Donika Kastrioti
Gjergji u martua me një Kominata apo Komneno, siç e përmendin të gjithë historianët, me emrin Andronika (Donika). Qe një grua shumë e virtytshme dhe me zemër të madhe, e cila, edhe kur mbeti e ve, pasa vdekjes së burrit, mbeti gjithë kohën e respektuar; për nder të cilësive të saj të rralla, Federiku i Aragonës, i dhuroi në vitin 1498, kështjellën e Galianos (...)

Breznia e parë
Donika lindi dy fëmijë: djalin me emrin Gjon, dhe vajzën Vojsava, që më vonë u martua me Stefano Maramonten. Gjoni trashëgoi feudet e babait, të cilët pas disa vitesh, më 1485, iu zëvendësuan me ato të San Pierit, në Galatinë e Soletos, me titullin e dukës së kontit (...)

Pinjolli i parë
Nga Gjoni lindën katër fëmijë: Ferdinandi dhe Kostandini, ndërsa Gjergji dhe Maria vdiqën (njëri në vitin 1540, tjetra në 1560) (...)

Dëshmi gjenealogjike
Emblema e markezit të Auletës, Don Antonio Kastriot Skënderbeg, është e njëjta me atë që ka përdorur Skënderbeu, dhe pasardhësit e tij.

Bibliotekë
Rikthimi i Shtjefën Gjeçovit
Biblioteka Rrënjët e Shtëpisë botuese “Ora”, pas librit të suksesshëm të Faik Konicës, “Ju rrëfej grekët” sapo ka hedhur në treg një tjetër ese për një kohë shumë të gjatë të paribotuar. “Kjo ese është paraqitur për herë të parë në revistën “Populli” në Shkodër më 1919 dhe pas vitit 1945 nuk është ribotuar tani dhe pse mbetet një nga veprat më të veçanta të Gjeçovit të madh, ku ai shpalos njohuritë e veta të thella gjuhësore, historike, etnologjike, folkloristike e teologjike për të vërtetuar lashtësinë e kulturës shqiptare. Ja si shprehet ai vetë: “Këto punë po i shkruej këtu, o vëlla Shqypëtar, jo me ndonji qellim të keq, por pse po ma ka anda me e pështetë në to vjetërsin e kombit t’onë... të marrë vesht bota se hyjnijt, mëndyert e sjelljet besimtare, si Grekët edhe Latinët e vjetër i patëen prej etenve t’onë, Pellazgjeve.”