Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 7
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e shendelli
    Anëtarësuar
    03-12-2002
    Vendndodhja
    hene
    Postime
    345

    "...Sazanë e Karaburunë i kam vatanet e mia..."

    "...Sazanë e Karaburunë i kam vatanet e mia..."
    Monografi për Rrapo Meton
    nga Flora Dervishi


    Vendlindja dhe Jeta
    Mali i Bogonicës zbut shpatet e tij shkëmbore e fillon ta mbulojë grinë e çeliktë me të gjelbër, duke krijuar një vatër të këndshme për banorët e fshatit Vranisht. Bogonica, masivi i fundit në vargmalin e Çikës, mbase ndalet aty edhe për të krijuar një shteg të lirë, ndërmjet luginës së Mesaplikut dhe grykës së Kuçit.

    E pra, edhe pse Bogonica i ngjan një sofre gjigande me valet e bukura që kundërmojnë erë rigon, çaj e trëndelinë, shpesh aty mblidhen retë e ardhura nga Joni e bëjnë kuvend, sa herë që Poseidoni i zemëruar i derdh suferinat mbi luginën e Mesaplikut.

    Banorët e këtyre anëve në shekuj i kanë bërë sfidë kapriçove të natyrës së ashpër dhe të bukur, por aq më tepër invazioneve të huaja. Këtë e dëshmon historia e lashtë dhe e re, por veçanërisht kënga, bashkudhëtare besnike, si rrallë element tjetër në jetën e popullit.

    Në këtë trevë, e ka të vështirë fotografi e piktori, poeti e muzikanti për t'i sjellë përpara origjinale: masivet malore të lara me hënë, Shushicën që murmuron e menduar, herë e turbulluar, herë e argjenduar. Përroin e zhurmshëm të Vranishtit që kërkon të shkulë dhe rrepet shekullorë. As fqinjin e tij të afërt Tërbaçin, apo ballkonin e bukur të luginës së Mesaplikut, s'mund ta realizojë dot artistikisht. As shelgjishtet e Hores që përcjellin lirikën e fushës...

    Po nënat me ligjërimet e tyre dinjitoze, që i zbardhojnë shtëpitë ende pa shkrirë bora? Po burrat e djemtë fisnikë e të mençur, valltarë virtuozë e balli i luftrave për liri? Po vajzat me lirshmërinë e drenushës. Pikërisht në këtë trevë, lindi bilbili i luginës së Mesaplikut, Rrapo Metaj Premtaj. Djali i dytë i Meto Laçe Premtit dhe vëllai i dy motrave, shpejt do të ngelet i vetëm pasi vëllain e madh ia vrasin 20-vjeçar. Rrapua e merr gjakun e vëllait sipas traditës dhe lë Vranishtin në moshë të re, i sapomartuar, dhe djalin e tij të mitur, për të emigruar në Korfuz të Greqisë. Ndërkohë ka kaluar në Itali e në Francë. Pas afro dhjetë vjetësh kthehet në fshat, zgjidh martesën e parë për motive personale dhe martohet me Nasibe Qejvanen (Xhoja) nga Kallarati me të cilën lindin 8 fëmijë, pesë vajza e tre djem.

    Natyra e pajisi me genin krijues dhe zërin e bukur dominant në marrjen e këngës. Patriotizmi ju ushqye që në fëmijëri dhe përkushtimi patriotik do të ngelet deviza e tij deri në fund të jetës. Një trup mesatar, por shpatullgjërë e i fuqishëm fliste për një lloj impulsiviteti e krenarie, por njëherazi për një bujari e shpirt lirik tepër të ndjeshëm, që shpallej në vështrimin e butë dhe mollëzat pak të dala. Vishej zakonisht me rrobe të cohta, (i rregullt në veshje), me jelek, ku qosteku i sahatit i jepte një lloj sqime, dhe qylafi i bardhë si shenjë e vendlindjes të kujtonte malet me pak borë gjithmonë mbi krye. Kishte humor shpotitës jo vetëm në këngë, por edhe në bisedë. Një memorje fenomenale dhe intuitë ndaj ngjarjeve e fenomeneve që është tepër interesante. Shpejt do të jetë i mirëpritur për zgjuarsinë e tij dhe bisedat e këndëshme, jo vetëm në ballin e odave të miqve, por edhe i kërkuar kumbar (mjerisht fotot u dogjën bashkë me shtëpinë dhe e vetmja që po prezantojmë u ruajt nga një miku i tij në Fier).

    Për vite të tëra Rrapo Metua u zgjodh kryeplak i fshatit Vranisht. Eshtë janari i vitit 1927 kur lindja e djalit të madh Dilaverit përkon me zgjedhjen e tij kryeplak dhe ardhjen e prindërve të Xhosë për të banuar disa kohë në shtëpinë e tij. Një mik i Rrapos thur këto vargje që datojnë ngjarjen:

    "...Aferim more janar
    linde lule si behar
    Rrapua doli me qar
    hem me djalë, hem miftar
    dhe nëna e babë ju ngjall..."

    Rrëfime dhe dokumenta
    Në fshat Rrapo Meton e kishim edhe jatrua (mjek popullor). Ka shëruar shumë njerëz të vrarë e të plagosur, ndër të tjerë Isuf Shkurtin e Demir Ferrunin, gati të copëtuar për vdekje në mal dhe për të dy në shenjë miqësie i bënë burazerë (vëllezër me gjak) të Dilaverit, djalit të tij... E sheh këtë hundën time që ka një vijë në mes? Gati sa s'mu këput, më mbyti gjaku, isha e vogël po mbaj mend shumë mirë: ma ndaloi gjakun me barna, bimë nuk e di ç'ishin dhe hundeën ma ngjiti... e sa e sa të tjerë... (tregon Halime Kiça, e bija e luftëtarit të plagosur në luftën e 1920 Sali Shkurti).

    Ishte njeri që i nderonte të gjithë njerëzit.

    Ka mbetur si proverb një rast: E ftojnë në një dasëm, por djali i Rrapos, Fetani, kishte 40 ditët e vdekjes aksidentalisht nga rrufeja (ish student në mjekësi). Rrapoja iu përgjigj ftesës, po heshtja atje e bëri të mendohej dhe që t'u hapte rrugë dasmorëve, duke iu dridhur zëri këndon:

    ...Do këndoj si do që jam
    jam goditur për Fetan;
    zemra dhemb,
    po plagë s'kam
    u trashëgofsh i çoban!


    (tregon e bija Laleja).

    Kjo ngjarje tregohet si histori, sa herë që prishej zija si shembull i forcës së rrallë shpirtërore, por që kumton filozofinë se jeta vazhdon...

    "Veprimtaria e tij patriotike nis me pjesëmarrjen në luftën e Janinës në vitet 1910-1911 ku gradohet për guxim e trimëri. Një moment nga lufta jepet në këngën që ai këndon:

    "...Ç'ka që qan dovleti ynë
    o Bezhan përmbi Janinë
    Vijnë gjylet si zinxhirë
    njëqind topa një të shtirë
    Palla labe bën kërdinë...".

    Në lëvizjen mbarë popullore kundër robërisë osmane është aktivizuar deri në ngritjen e Flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912, ku ai prezent në këtë moment me rëndësi kombëtare këndon e hedh vallen burrërishte:

    Sazanë e Karaburunë
    i kam vatanet e mia

    "O Qemal kur të përzunë,
    kur të përzuri Turqia
    dhe një çikë pa të zunë
    erdh e të mori gjemia.
    Në Paris vajte qëndrove,
    atje ku ish katimia.
    Seç u ngre krajli më këmbë,
    mbretëresha dhe e bija:
    - Cili je ti more burrë
    që na vjen nga Shqipëria?
    - Unë jam Ismail Qemali
    prapa më vjen historia.
    - Ju lutem dua një vulë
    të vërtetohet kufia,
    Sazanë e Karaburunë
    I kam vatanet e mia!
    Të shtatë vulat ja prunë,
    po do mos dojë Turqia?!
    - Do të dojë se s'është punë
    I kam vatanet e mia!

    Diplomën e patriotizmit e mori në 1920-tën në epopenë e Luftës së Vlorës, kundër imperialistëve italianë, që edhe pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, vazhdonin të mbanin të pushtuar Vlorën, ishullin dhe gadishullin e saj. Në luftën e Vlorës është anëtar i Këshillit drejtues të luftës dhe luftëtar me armë në dorë ku edhe plagoset..."


    Çobo Shakaj - Vranisht

    Në librin "Lufta e Vlorës me kujtimet e mia" sipas kujtimeve origjinale të z. Gani Iliaz Abazi, që është vlerësuar si dëshmi e rrallë në fushën e historiografisë shqiptare, në faqen 42 shkruhet ndër të tjera:

    "...Këshilli i Komisionit të Luftës së Vlorës përbëhej prej njerëzve me influencë e përkrahje në krahinat e Vlorës, Tepelenës, Bregdetit si:


    Abdyl Kuçi - prokuror
    Shero Emini - komisar policie
    Mane Aliu nga Kudhësi
    Ali Rrapua nga Dukati
    Rrapo Çelua i Sevaster
    Laze Malua i Tërbaç
    Rrapo Metua i Vranisht
    Tahir Nurja i Topallisë
    Ismail Hakiu i Kurveleshit
    Velo Harizi i Kaninës
    Hoxhë Rushiti i Kaninës"
    Po në këtë libër në faqen 45 Gani Iliazi shkruan: "...Listat e të plagosurve i kam pasur deri vonë dhe ia dorëzova Osman Haxhiut aty nga viti 1930 kur m'i kërkoi me anë të Murat Tërbaçit. Listat me të plagosur në luftën e 1920 janë këto: Sali Murati, Isuf Mavrova, Burkan Libohova, Selman Hyseni, Rrapo Meto, Sali Shkurti, Cano Aliu, Xhebro Gjika, Behlul Nanaj, etj. (po shkruaj vetëm disa, shkurtimi është i shpjegueshëm F.D).

    Luftën e 1920-tës, këtë ngjarje madhore, Rrapo Metua e përjetëson edhe në vargje si "Selam Musait", "Osman Haxhiut", "Obobo ç'qënkej kjo Kota". Këngë kjo e fundit që e gjejmë në disa variante edhe në fshatra të tjerë të Vlorës, pasi kënga duke qenë shëtitëse, anonime, populli shton ose heq vargje, e pasuron ose e ndërpret, e bën më konçize te pika kulmore. Lufta e Kotës ka heroin e saj, Kanan Mazen dhe të gjithë e japin momentin e plagosjes rëndë të heroit, po kështu e jep Rrapo Metua:

    "O Bobo ç'qënka kjo Kota
    mbushur mitraloz e topa
    Vjen Kanan Mazja nga Shkoza
    me një nofull copa copa
    o djem, se ma mori koka..."

    Rapsodi nuk mund të qëndrojë indiferent edhe më parë se të arrihej te lufta por proteston me dinamizëm tradhëtinë e fshehtë, që gllabëron tokat tona, në rastin konkret, Vlorën. Me një gjetje të veçantë artistike, ai hyn në dialog me Vlorën, e vë të flasë vetë, në mënyrë që zëri i atdheut të trondisë edhe ata pinjollë që tradhëtojnë interesat e kombit, në momente ku ato shiten për interesa të ulta. Personifikimi është i bukur, është i goditur. Vlora është Nëna, motra, vajza, pra është kombi:

    "Moj Vlorë e bukur në gropë
    skelë e parë në Evropë
    Pse këndon moj t'u këndoftë?
    - Më kanë shitur të zotë
    pesë a gjashtë risiliotë..."

    Këngë e preferuar që zgjon interesat e popullit patriot, shëtit e zgjerohet, krijon enumeracion me të shiturit, jep hollësira, deri tek pamja e jashtme. Po fillimi është këtu: i saktë, dialog i shkurtër, i shpejtë; pa hyrje, po me dramacitet të mirëfilltë ngacmues për popullin, ndaj përligjen shtesat e tij.

    Te kënga "Telat po venë e vijnë" autori jep momentin e alarmit të komnadës italiane dhe i ngre monument komandantit popullor të luftës së 1920-tës Osmën Haxhiut. Heroi nuk ka grada, po gjenerali dridhet. Nuk ka studiuar në Akademitë e Evropës, po liria don hovin patriotik dhe ai këtë e ka diplomë. Ndaj pyetja "si do ta bëjmë ne nashtinë?" mbetet retorike. Nga vargjet ndjehet troku tronditës i kalit të Osmën Haxhiut që i ngjan gjëmimit të topave për italianët. Portreti ndjehet që kur fillon kënga e deri sa në vargun e fundit proteston dhe shpreh forcën:

    "...Telat po venë e vijnë
    Punon Kota me Kaninë
    gjenerali me zabinë:
    - Qysh do bëjmë ne nashtinë?
    se shqiptarët errinë po vijnë
    Osmeni me 40 mijë.
    Osmeni ç'ia hypi kalit,
    ç'e mori buzën e malit,
    seç i foli gjeneralit:
    - Dil sterese jo limanit!
    Breshka madh, i breshka madhit
    Të shoç të zot e vatanit
    bijtë e Ismail Qemalit
    e të Skënderbej faqebardhit..."

    Ndërsa te kënga për Selam Musain rapsodit i bëjnë përshtypje dy momente që: "Selam Musai ishte komandanti, dhe jep vendvrasjen që është lavdia e tij dhe momentin që e bën të veçantë vrasjen e tij":

    "...Në Behum kur u mblodhëm
    dymbëdhjetë komisione
    ti Selam do shkosh në Vlorë
    komandant në batalion
    te Sherishta përmbi Vlorë
    zjarrin ç'e zure me dorë
    çika bëre proçektorë..."

    Pikëpamjet demokratike e antimonarkike të Rrapo Metos shpallen në Revolucionin e qershorit 1924 të udhëhequr nga Fan Noli, ku mban anën më përparimtare dhe përkrah e strehon krerët e këtij revolucioni pasi dihet që protesta nisi nga Vlora... "Në fundin e arave në shpellën e Milikës strehohej një mik i babait, kryeredaktor i gazetës "Politika". Ushqime dhe çfarë i duheshin për një kohë të shkurtër i dërgonte deri aty afër shpellës me Lalenë... më vonë u arratis jashtë shtetit. Atëhere morëm vesh, kur babai na fliste për të, që ishte Halim Xhelo Tërbaçi, demokrat i njohur i kohës..." tregon e bija.

    Pozita e tij shoqërore në fshat nuk lëkundet edhe pas revolucionit. Në 1932 merr pjesë në lëvizjen e Vlorës, por i shpëton burgut. Më 1935 Rrapo Metua shkon në emër të krahinës te qeveria e Tiranës për të sjellë rrugë automobilistike që të lidhte fshatrat e të gjithë krahinës me Vlorën dhe falë këmbënguljes së tij rruga vjen nga ana e Gjormit deri në Kuç dhe sot.

    Gjithnjë kryengritës në emër të idealeve më të mira ai është një pjesëmarrës aktiv në ngjarjet e kohës. Më 1936 merr pjesë në kryengritjen e Fierit të udhëhequr nga patrioti Riza Cerova. Ishte nje lëvizje e fuqishme antimonarkiste që u desh të shtypej nga gjeneralë të zotë si Gjilardi (Malazes) i cili u vra edhe vetë në këtë operacion ndëshkimor. Ndër të tjerë arrestohet edhe Rrapo Metua dhe dënohet më burg. Ka një moment nga burgu që flet edhe për humorin e tij por edhe për njohjen. Shoqërohej nga dy kapterë në çdo lëvizje, madje edhe në tualet dhe ata për ta ngacmuar i thonë: "Tashti s'mund të këndosh më". Ai përgjigjet:

    "...Rrapo Metua i mjerë
    s'kish parë ndonjëherë
    në hale me dy kapterë..."

    Falë gojtarisë së tij Rrapo Meto nuk e mbush vitin në burg dhe lirohet. Kur shkon në shtëpi, ndër miqtë e shokët që i urojnë shpëtimin e tij, vjen dhe kryetari i komunës, ndoshta edhe për një tatim pulsi. Rrapua i vendosur në bindjet e tij nuk lëshon pe, por për ta zbutur disi përgjigjen i drejtohet mikut me një lloj mikëpritje që e kishte të natyrshme. Kryetari qe verior dhe për një lloj afrimiteti kishte vënë një qylaf të traditës vendase. Vargjet thonë kështu:

    Kryetar i zoti miqe
    vure feste mesaplikçe
    - Viva viva muhabeti!
    Ti thua, të rrojë mbreti!
    Po le të rrojë dhe mbreti ynë;
    po qe se na shton kufinë,
    Kosovën e Çamërinë,
    njëra brenda në Janinë;
    për ato na s'mbyllim synë.

    Tjetër gjuhë ka rapsodi në momente intime që gërshetohen me mirënjohjen dhe respektin që ka ai për miqtë dhe admiruesit e tij, që don t'i ketë të përjetshëm, jo vetëm për të kaluar orët e këqia. Kështu i kthyer nga burgu me mall ai përkëdhel të voglën e tij; me dëshirën e madhe njerëzore që ta shohë nuse:

    "Mineja shelege maji
    e bëftë nuse babai
    ta dërgoi te ustai;
    ustai shallvare gjatë,
    I zoti portës e lartë
    që iku për gjithë natë
    Vate në burg te yt At".

    Në 25 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë më 1937, sikur ta ndjente rrezikun e humbjes së lirisë, i këndon flamurit:

    "...Valo, valo o flamur
    gjithë dritë gjithë nur
    Të kemi pasur qëkur,
    500 vjet e kusur.
    Të bë turku behozur..."

    Pushtimin e Shqipërisë nga Itali fashiste e përjeton me dhimbje e revoltë si gjithë patriotët e tjerë. Shpejt fshati i rapsodit Rrapo Meto, Vranishti, do të bëhet fronti i parë i luftës Italo-Greke e kësi soj popullsia evakuohet maleve. Gjëmimi i luftës ndjehet i pranishëm kudo. Pas këtij momenti krijohet një pauz në luftime dhe banorët zbresin në fshat. Rrapo Metua e shef fshatin të kthyer në gërmadhë dhe çatinë e shtëpisë së tij të hapur si zgavër të madhe të tmerrëshme të ndarë përgjysëm nga një gjyle topi si ogur ndjellakeq. Eshtë një tabllo me të vërtetë rrënqethëse që trondit ndjesitë e kujtdo deri në tejskaj. Pa patur kohë ta përjetojë këtë tronditje dhe pa mbërritur në shtëpinë e tij, fashistët italianë e arrestojnë Rrapo Meton me akuzën që ka ndihmuar Frontin e Luftës Çlirimtare Greke. Në burg mbahet për disa muaj, nga ku ai shkruan me një frymëzim të rrallë një elegji mjaft të goditur për tragjedinë e luftës. Kjo tragjedi jepet me dimensionet e saj reale, që të kujton sa kronikën ekzakte, aq edhe ligjërimin burrëror, të përzier me notat e protestës që të befasojnë. Autori me një enumeracion të goditur të ngjarjeve, krijon vetvetiu dy plane të një tablloje. Tabloja e luftës dhe populli nën persekucionin fashist dhe ana tjetër patrioti në burgun fashist, shqiptari i thjeshtë por i patrembur, që mendon se do të hakmerret në emër të lirisë. Kështu kënga thotë:

    "More shokë ç'do t'u thom,
    kamte patur një zakon,
    këndoja si gramafon,
    tashti zëri më mungon,
    këmba dridhet e s'qëndron.
    Po këtë kush e beson?
    të bëhej Vranishti front.
    Populli maleve rron
    qan çilimiu e s'pushon
    në ato shpella me rigon,
    s'kish e ëma ta mëkon,
    as ta shtron as ta mbulon,
    vjen Duçja na bombardon,
    Xha Nebiu na qorton:
    mos gjezdis nëpër sallon!
    një nga një na numëron,
    në çelësa na siguron,
    dhe spiuni na qëllon,
    sos na qëllon me fjalë,
    po duam t'na bëjë varrë...
    Ah! në dalça dot në sallë,
    pa do ta navasën hallë,
    o do ta bëjë mik me djalë".


    1941

    Pas lirimit nga burgu, në vitin 1941, merr shtëpi me qera në Vlorë. Shtëpitë e Pashue në të djathtë të rrugës që shkon lart për në Topana.

    Shtëpi të gurta me një portë të rëndë druri janë edhe sot aty. Rrapua aty afër bleu edhe një kafene që e emërtoi "Mesapliku" me ortakë Dimo Sulon nga Velça. Kafeneja ishte me tepër klub patriotik. Vinin aty gjithë krahinarët e Rrapos dhe bëhej çdo ditë e më tepër klub i preferuar, falë bujarisë së tij, humorit e këngës, por aq më tepër bisedave me interes të veçantë, për shqetësimet e kohës. Hasmi ishte në prag, por ende nuk kishte një organizim të përgjithshëm tek shqiptarët, ndonëse lëvizja kishte filluar tek-tuk, bashkimi mungonte.

    Babai im tregon
    "Në shtëpinë e Premtue kam hyrë për herë të parë në vitin 1934 kur jam fejuar me vajzën e dytë të Rrapo Metos, Razien. Ma rekomanduan dy miqtë e mirë të Rrapos, mësues në atë fshat: Muço Delo e Nuro Ahmeti im kushëri i parë. Shtëpitë e Premtue në Vranisht binin në sy, shtëpi të mëdha me avlli të rrethuar, me portë druri që ndiçonin nga dielli e pastërtia. Në oda preferonin qylyma të leshtë të punuara me aq kujdes nga duart e Xhosë, me motive interesante të jugut (megjithatë nuk e di pse i quanin qylyma Mecove), por u shkatërruan nga lufta, madje edhe kur të tjerët i ringritën foletë e tyre në hirin e gërmadhave ajo vatër do të qëndronte e vetmuar dhe e heshtur për shumë kohë. Indifrenca ndaj saj do të mbaronte një ditë kur në muret e saj të forta do të shuhej zhurma e predhave nazi-fashiste dhe do të dëgjoheshin të qarat e fëmijëve të porsalindur, pasi shërbeu si maternitet. Ishte një kohë kur Rrapua dhe fëmijët e tij ende të parritur qëndronin sa në Vlorë e sa në Vranisht. Në shtëpitë e Pashue në Vlorë jam dergjur një muaj i sëmurë. Në atë shtëpi kam ndjerë edhe njëherë kujdesin dhe një sjellje të veçantë që kishte kjo familje me mua dhe me njerëzit e tjerë; pastaj i shëruar marr pjesë në demostratën e bukës, ku përsëri kjo shtëpi shërbeu si strehë jo vetëm për mua, por edhe për të tjerë..." (shkurt 1942).

    Muajt që vijuan sollën me vete ngjarje të tjera. Konferenca e Mukjes, ose Besëlidhja e re shqiptare do të shkelej. Vendimet e Konferencës së Pezës kishin pësuar deformime. Ndaj patriotëve me zë pro kësaj besëlidhje do të mbahej qëndrim. Pikërisht këtu fillon ofensiva e përçarjes. Filloi vëllavrasja. Këtë, në mënyrë të veçantë Rrapo Meto, nuk e kishte dëshiruar kurrë. Kundërshtimi i tij ishte në pikëpamje. Mundohej të argumentonte, të bindëte se Shqipëria etnike bëhej me shqiptarë të bashkuar dhe i tillë mbeti deri në fund. Asnjëherë s'ngriti dorën të qëllonte me plumb dhe gjithmonë shëtiste i paarmatosur në atë kohë trazirash. Por tragjedia më e madhe për një komb ishte shkruar. Sipari ra dhe personazhet më të tmerrshëm se në tragjeditë antike do të luanin rolet. Dhe nuk do të flijohej vetëm "Efigjenia në Aulidë" por mjerisht mjaft koka. Dhe frutet e lirisë së ëndërruar nga të gjithë nuk do të shijoheshin veç se vetëm nga disa. Me emrin popull dhe dëshmorët do të abuzohej në mënyrën më ekstreme dhimbshëm.

    Le të kthehemi tek qershori i vitit 1943, ashtu siç shkruan edhe z. Petrit Velaj te libri i tij "Një dritare burgu": "Vjen nga Tirana për një organizim të Ballit Kombëtar Mithat Bej Frashëri dhe Hasan Dosti të shoqëruar nga Skënder Muço - organizuan një takim te rrepet e Dukatit pranë shkollës. Këtu mirëseardhjen e bëri Mehmet Alemi...".

    Pas mbledhjes ata shkuan në shtëpinë e Gani Hamitit ku kuvenduan për hallet e luftës së krahinës. Në këtë takim morën pjesë: Kudret Kokoshi, Zako Mezini, Bego Gjonzeneli, Mulla Azem Shehu, Sulo Shehu, Isuf Luzi, Hysen Çobo, Galip Haxhiu, Yzein Ismaili, Sadik Shaska, Hasan Hyso, Rrapo Meto, Xhemil Meço, Teme Shehu etj.

    Motoja ishte kjo: "Nuk do t'i lëshojmë armët nga dora deri sa të shfarosen armiqtë e vatanit.".

    Në korrik po të vitit 1943 vjen në Vranisht Galip Haxhiu ( i biri i komandantit të luftës së Vlorës 1920 Osman Haxhiu) i caktuar nga qendra për zonën e Mesaplikut. U mblodhën për bisedime dhe darkë njëkohësisht në shtëpinë e A.Tartarit që kishte dhoma të mëdha. Organizimi i luftës ishte në rend të ditës sipas platformës së Nacionalistëve të ndershëm pa u hapur vëllavrasja. Dhe këtë do ta faktonte në shtatorin e 1943-shit Lufta e Drashovicës, që është vërtetë një betejë legjendare e partizanëve me gjermanët, por në momentet më kritike erdhi ndihmë nga nacionalistët, të cilët duke e konsideruar veten luftëtarë dhe shqiptarë nuk mund t'i lënë të vriten djemtë siç shprehen ata dhe është mirë të quhet me të vërtetë ajo betejë me vargun e poetit:

    "...Trup për trup përleshen
    lebër edhe fricë..."

    Në bisedimet me Galip Haxhiun që përmendëm më lartë pa dyshim ishte prezent edhe Rrapo Metua. Sa del nga shtëpia ku u zhvillua takimi, rrugës për në shtëpinë e tij i zënë pritë për ta vrarë, por falë rastësisë dhe hënës që ishte fshehur mbase enkas atë natë, ai vetëm do të plagosej në ije. I përgjakur nuk arrin të shkojë në shtëpi dhe troket në portën e patriotit të nderuar Sadik Xhama, mikut të tij të besës dhe trimërisë, ish roja personale e Ismail Bej Vlorës. I bëhet mjekimi popullor i shpejtë dhe të nesërmen e nisin për në spitalin e Vlorës. Në Lepenicë ku ishte instaluar shtabi i Ballit Kombëtar, një nga krerët kryesorë, Tahir Hoxha, ndalon dhe e pyet: "Më thuaj kush të vrau?" Rrapo Metua përgjigjet: "Nuk ka rëndësi, djemtë tanë më vranë, ata do më qajnë".

    Po kush e vrau në të vërtetë? E fali zemërmadhësia e tij apo interesat e gjëra të kombit? - Mos ishte ndonjë riosh i hovur mbi këtë burrë fisnik të moshuar që kishte marrë detyrën i "entuziazmuar", apo cili kishte urdhëruar se pengonte "luftën" apo "karrierën" e ndokujt??! Ku e gjente intuitën fenomenale për të parashikuar të ardhmen populli? Duhet të kishte marrë padyshim eksperiencën e burrave të kombit dhe jo atyre që vinin në emër të "Internacionalizmit" Serb.

    Për ta çuar sa më shpejt në Vlorë, Kujtim Shaqiri, inxhinier në rrugën automobilistike, vë në dispozicion kamionçinën e tij gratis dhe e çon në Hotelin e Xhemil Meços, ku e mjekon nga jashtë një mjek pa rënë në sy, pasi spitalin e kishin në dorë italianët dhe mund të krijonte probleme. Edhe kur shërohet nuk kërkon hakmarrje, të cilën e mendonte të barabartë me përçarjen, që u shkonte për shtat pushtuesve imediatë dhe qëllimeve shovene më të largëta sllave. Interesat e kombit ishin të shenjta dhe të shtrenjta, ndaj ai në kuvendin e nacionalistëve te rrapi i Ismail Qemalit në Mesaplik, ishte nga ata zëra që vazhdonte të kërkonte bashkimin e popullit në luftë kundër pushtuesit: kërkon gjithashtu bisedime me "djemtë" që të mos na i bëjë rusi për vete. Ndërkohë që çmon baballarët e tyre dhe nderon përpjekjet për luftë çlirimtare. Por edhe në këtë kuvend një grup partizanësh qëndron matanë lumit dhe nuk arrin të gjendet një urë bashkimi, ai pikëllohet dhe i drejtohet Shushicës si shkaktare të kesaj ndarje:

    "O Shushicë o lumë o lumë
    s'dole pak po dole shumë,
    si e bëre këtë punë?"

    Përse shqiptarët duhet të jenë të përçarë në momentet kyçe të historisë? Kjo pyetje i rrin pezull dhe e mundon se përsëri nuk ka besim tek "djemtë" dhe është tepër në merak.

    Dhe përsëri këndon këngën e flamurit, simbolit të kombit, se diçka i ka mbetur pa thënë, ndaj i rikthehet variantit të dytë për ta përpunuar atë pas gjashtë vjetësh të krijimit të saj:

    "O flamur more flamur
    gjithë dritë e gjithë nur,
    të kemi pasur qëkur
    pesëqind vjetë e kusur,
    të bë turku behozur,
    erdhi dhe Duçe mavria,
    të shpon me shpatat e tija,
    yllin ta vuri partia,
    të dërguar nga Rusia..."

    Në Kuvend
    Viti 1943 kishte densitet ngjarjesh.

    Qarkori i partisë së Vlorës udhëzonte: "... Të izolohen Rrapo Meto e Xhemil Meço si persona me influencë në popull...".

    Në Vranisht vjen për një takim me popullin Mehmet Shehu e Dushan Mugosha. Bie briri dhe fshati mblidhet.

    Kur vjen Rrapo Metua, Mehmet Shehu i gatshëm për ta takuar i pari del përpara, e përqafon dhe e ul pranë tij dhe Dushanit:
    Rrapua: Si ta thonë emrin?
    Mehmeti: Vjosa.
    Rrapua: Palo paranom ke zgjedhur se Vjosa që nga buron e njëra sa derdhet s'ja ka parë njeri hajrin se përmbyt e vithis.
    Dhe s'i pëlqen dredhia në njohje dhe përsëri e pyet: I kujt je?
    Mehmeti: I Shehut të Çorrushit nga Mallakastra.
    Rrapua: Ashtu thuaj; tët at e njoh.
    Pastaj kthehet nga Dushani.
    Rrapua: Po ty nga të kemi? A i kujt je a?
    Mehmeti: (me ngutje) Eshtë miku ynë komunist dhe jep ndihmën vëllazërore në luftën tonë për liri.
    Rrapua: Mor bir, e pyeta nga është? E kë ka baba? (dhe pa Mehmetin me sy ngulmues).
    Mehmeti: Eshtë nga Serbia.
    Rrapua: Qoftë i nderuar! Ashtu thuaj. Se kemi zakon ta vrasim mikun në shtëpinë tonë, po serbët s'mund të na ndreqin veç të na prishin. Shqipërinë do ta bëjmë vetë të lirë, ne shqiptarët, po Shqipërinë Etnike ama..."

    Njohja filloi me replika dhe përfundoi me përplasje.

    Për fshatin fjala e plakut zinte vend dhe mbledhja s'ia arriti qëllimit. Rrapo Metua sikur të mos i mjaftonte rezultati i mbledhjes i bën konkluzionet me këngë:

    "...Pa dëgjo o Vjosa ynë
    Mbaje mirë terezinë,
    Ti në Pind e ke burimnë,
    po s'ta ka parë njeri hairë,
    vithis e merr arratinë.
    Po qe sa për mysafirë
    Kujto mirë historinë!
    Kosovën e Çamërinë,
    Ded Gjo Lul Is Boletinë
    dhe atë shpend Dragobinë
    Serbët e pabesë i grinë.
    Këta do t'i njohish dhe tinë,
    po do më kujtosh të zinë
    Kur të të kenë zënë fynë..."

    Dhe heshtja mortore pas filozofisë që kumtonte kënga ishte domethënëse. Brigada mbërriti dhe në Vranisht, e udhëhequr nga Mehmet Shehu, pas pak kohësh...

    Lajmi se brigada dorëzezë që zhduk ferrat nëpër këmbë (kupto nacionalistët, qofshin këta edhe si Rrapo Metua, kundërshtar në pikëpamje) mori gjithë luginën e Mesaplikut.

    Dikush e këshilloi Rrapo Meton të fshihej në male. Ai edhe mund të arratisej. Po largimin nga fshati i tij nuk e pranoi në asnjë mënyrë. Ai as kishte vrarë pas shpine, as kishte tradhëtuar interesat e Atdheut. Pikëpamjet e tij lidheshin pikërisht me të mirën e fshatit e të Atdheut, ndaj dhe po kishte për të vdekur, le të vdiste. Burrat njëherë vdesin.

    Dhe ishte e thënë që rapsodi dhe patrioti që u kishte shpëtuar gjyleve në luftën e Janinës që vinin zinxhir, breshërive të plumbave më 1920-tën, dy burgimeve në kohë të vështira, të vdiste nga plumbat e Mehmet Shehut e Dushan Mugoshës. Të merrje urdhër nga serbi e të vrisje një patriot, vendi kishte humbur dy shqiptarë, normalisht zbatuesi e urdhërit për të vrarë shqipëtarin s'mund të ishte më kurrë shqiptar!

    Atë mëngjes Rrapo Metua kishte shkuar për ngushëllim për plakën e Bashue. Ishte e hënë 22 nëntor 1943. Dita ishte si e mugët.

    E sheh fshatin e tij për herë të fundit
    Sa hyri në fshat hasi me brigadën e parë. Nuk arriti në shtëpinë e tij. S'la as porosi as amanete. Erdhi nga vdekja, po shkonte drejt vdekjes...

    Mehmet Shehu me Liri Gegën e morën gjoja për bisedime në komandën partizane në Brataj, por atë natë fjetën në Vranisht. Rrapo Meton e izoluan në shtëpinë e Malo Sinos dhe i bënin roje disa partizanë. Kishte ndërmjet tyre mustaqe padirsur...

    Vrulli i tyre duhej, por barra për të vendosur për fatet e atdheut ishte e rënde... Dhe pikërisht për këtë ju dhimbs mundi i atyre që do të arrinin dhe gjaku i atyre që do të flijoheshin në emër të lirisë së shtrenjtë.

    Janë të rinj! Shqiptarë - mendoi dhe më të riut që kollitej i jep pallton e tij: - Merre, unë i kam bërë ditët e perëndisë! dhe të tjerëve të dridhnin nga një duhan të fortë nga kutia e tij.

    Ata panë njëri-tjetrin dhe heshtën.

    Të nesërmen kur do të niseshin herët për në Tërbaç, Malo Sinua, i zoti i shtëpisë, e pyet?
    - Rrapo ke nevojë për gjë? Të të jap para me vete?
    - Jo, Malo jo, të falemnderit, se atje ku do të vete unë s'ka dyqane...

    E shoqja i afron një mollë dhe ai e fut në xhep i menduar duke nënqeshur...Sheh fshatin e tij për herë të fundit dhe niset për në Tërbaç me vargun e partizanëve. I vjen keq që nuk puthi dot sytë e dy djemve të vegjël 8 dhe 5 vjeç, Veliut dhe Aliut, dhe vajzave të tij të parritura. Në të dalë të fshatit dëgjon një zë, aty ku përroi krijon hone të thella: Baba, baba! Ishte djali i madh 16 vjeçar, Dilaveri, që i ishte qepur mbrapa bashkë me një kushëri të tij. Jehonën e përpinë honet, por në veshët e babait oshtiu një copë herë dhe u fiksua si refren gjatë gjithë rrugës e do t'i mbetej një peng i madh në zemër.

    Ndarje e dhimbshme
    Në Tërbaç, në bregun e Brahgjine, brigada bëri pushim. Po pse? Për në Brataj ka edhe rrugë të tjera madje më të shkurtra. Ishte një skenar? Po përdorej si shembull, apo si kavie eksperimentale? Në Tërbaç Rrapo Metua kishte krushqi me derën e Mersin Selam Gjondedës. Vajza e dytë, Razia, që ishte martuar fare e re, ishte vetëm 20 vjeç me një djalë foshnje. Ndaj aty i mblodhi të gjitha forcat. Ndjenja më njerëzore e babait për të bijën të mbushur me mall, do t'ja njomte sytë, po shpejt qerpikët e tij rrahën si krahë shpendi, për të mos rënë faqeve lotët. Me Tërbaçin s'e lidhte vetëm krushqia. Ai kish aty shokë të llogoreve të luftës së '20-ës si Cano Aliu, Xhebro Gjika, Laze Malon dhe admirues për virtytet e tij, për mikëpritjen e besën, për devotshmërinë prej atdhetari, si Nuro Ahmeti e Muço Delon, mësues e burra të mençur patriotë.

    -Babai im tregon: E kuptova si qëndronte puna. Ne në fshatin tonë nuk dorëzuam njeri për pikëpamje. Por ai ishte i njohur, kishte veprimtari të gjerë dhe shumë gjëra i thoshte me këngën e tij. Në fjalë nuk e kapje dot kurrë. Po Mehmeti s'e njihte tolerancën, as Liri Gega.

    Ju luta të pinte një kafe brenda në shtëpinë time, im vjehërr, Rrapua, por Mehmeti e preu shkurt: jo!

    Atëherë nëna ime, që e dëgjoi e zien shpejt kafenë që t'ia sillte aty në breg të Brahgjine.

    -Mamaja tregon: Nëna ma dha kafenë afër shkallëve. Ec shpjere ti, djalin mos e lësho! - U afrova duke m'u dridhur duart. Babai e mori kafenë. Më puthi në sy e në ballë, më përgëzoi Hiqmetin që s'kishte mbushur ende 2 vjeç, po i tregonte me gisht papuçet me xhufka dhe beretën e bukur që e kishte dhuratë nga ai. Sa u takuam duhet të ndaheshim. Vdekja e babait tim ndihej afër. I drejtova sytë nga gruaja e vetme që ishte aty, Liri Gega, por vështrimi i ftohtë i saj i hedhur ashtu kot nga malet më bëri që të mos di ku të shoh. Në netët e vjeshtës së lagësht, ajo grua kishte gjetur një strehë të ngrohtë në shtëpinë tonë dhe mbante akoma veshur një nga fustanet e mi më të bukur të nusërisë që s'ma dha më kurrë. Eh! sa gjëra më të shtrënjta humbëm në atë luftë.

    Yt at gjen kohë t'i thotë: "Eshtë babai i Razies", me një vështrim ngulmues, por ajo i thotë shkurt:

    - Nuk kam ç'ti bëj!

    Engjëlli i vdekjes (Exheli thotë mamaja) ishin vetë sytë e saj. U ndava me babain. Më dha mollën e vetme që çokush ia kishte vënë në xhep e më tha: Mos u ligështo! I kam bërë ditët e Perëndisë.

    Sa bëra këmbë në shkallë dëgjova zërin e mësuesit tim të nderuar, kur ata u ngritën për të marrë rrugë:
    - Muço! i dha dorën Mehmet Shehu.
    Muçua: Xha Rrapon do t'ma lesh mua se e kam mik!
    Mehmeti: Kemi pak punë deri në Brataj, pastaj kur të kthehet, Baxhuli t'i therë kaun e ti dashin.

    Babai: Burrat nuk luten shumë herë, por unë mora rrugën për në Brataj pa folur, bashkë me ta. Ishte kohë e trazuar. Sa u afrova te përroi i Brashecit, në të hyrë të Bratit, një partizan kthehet e më thotë: Shok! Duhet të kthehesh ndryshe kam urdhër të qëlloj. Ika duke menduar fundin. Dita po thyhej dhe ajo natë që po vinte me shi kush e di ç'do të sillte...

    Ekzekutimi - Dhe nata ka sy...
    "...Të strehuar në një shtëpi, filluan të bisedonin. Shtëpitë ishin të ulta dhe nga dritarja zërat e ngritur merrnin dhenë. Seç flisnin, dhe ai përgjigjej me zë të lartë. Pastaj pushuan. Rrapon e futën në një katua të lidhur. Aty nga mesnata një partizan i thotë: - Hajde pak. Rrapua përgjigjet: Kush më do? Qeni? do t'më vrasë?...".


    Dëshmitar okular: Hakim Vallja - Brataj.

    "...Nën spitalë afër një kamine gëlqerje, nën ato bokërrimat që zbret për në lumë shoh një varr të ri, jo të thellë. Dheu ishte hedhur rrëmujë e njëra dorë i dukej dhe pak kanati i xhamadanit. O Allah! preka dorën ishte akoma e ngrohtë, sapo kishte dhënë shpirt ashtu më të mugulluar sabahu. Në gisht kishte një unazë të trashë me shkronjat e emrit të tij. Më duhej ta ktheja nga Qabeja. U mora me të...Po ta kujtoj edhe njëherë para se të vdes, kush e di si vjen koha. U mor vesh që e kishin vrarë, por e kishin lënë pa gur varri, dhe unë ashtu e lashë nga frika. Për 48 vjet e kam mbajtur fshehur.

    Tani para se të vdes po ta tregoj. Ti o bir ke qenë fëmijë 9 vjeç. Kisha dalë të mblidhja shkarpa me ty, nuk e di, të kujtohet apo jo? Ai ishte varri i Rrapo Metos nga Vranishti, dhe varri s'ka më shenjë. Por as ne s'na kanë pasur me sy të mirë, si mund të vija gurë?".

    Në janarin e vitit 1991 ky 9-vjeçar i vitit 1943 tashmë burrë 57-vjeçar ndjen se këtë amanet të nënës së tij duhet ta transmetojë gojarisht. Nuk është çliruar ende nga stresi i gjatë dhe don të mbetet anonim. Troket në portë si tek miqtë. E mahnit të bijën e Rrapos dhe nipi mban shënime. Ai thotë: Erdha thjesht për amanetin e nënës, por edhe për ju. Një varr të tillë nuk mund të ketë një njeri si ai, me sa kam dëgjuar unë, por asnjë njeri në botë...

    Dhe e motra e Rrapos ligjëron me vargje që rezonojnë dhembje e mister:

    "...Ranë yjet në përrua
    Bilbili pse s'u dëgjua?
    Pse nuk pyeti për mua?
    E zeza të kane larguar
    qysh do të qaj kundruall?
    Bilbil të vrau partia
    ndaj u friksua rinia.
    Të keqen vëlla o ftua!
    Do të qaj në katua
    se mos më vrasën dhe mua.


    Nëntor 1943

    Ndërsa populli këndon:

    Në fshat ka ardhur një kartë
    Rrapo Meton mos e patë?
    Eshtë nisur për Tërbaç,
    me drejtimin për në Brat.
    Tërë natën me dava,
    nuk u gdhi dot më saba
    seç u flit me zë të lartë,
    ashtu si e kish zanat.
    Vallë kush ia bënte gjyqnë
    Mehmeti me gjithë Lirinë,
    prokurori Miladinë.
    Tek kamina në spital
    atje ja bënë meqanë
    e lanë gjysmë të gjallë,
    çpanë a paçin belanë?

    Dhe shtypi i shqiptarëve në diasporë, në SHBA, shkruan te gazeta "Kombi": "...Komunistët vranë barbarisht Rrapo Meton nga Vranishti një nga burrat më fisnikë të Labërisë..." (gazeta Kombi New York 1946).

  2. #2
    Larguar.
    Anëtarësuar
    02-11-2005
    Vendndodhja
    në Blog
    Postime
    1,121
    i kemi vendet tane por pse i dhame italise qe te ndertoi baza?

  3. #3
    pirg hologramesh Maska e Inteligjentja
    Anëtarësuar
    08-10-2005
    Vendndodhja
    Ne kontinentin e Kurrkundit
    Postime
    862
    eDHE UNE TE MIAT I KAM PALE C'THONE PSEUDO-SHQIPTARET QE SORROLLATEN KETEJ.

  4. #4
    Larguar.
    Anëtarësuar
    02-11-2005
    Vendndodhja
    në Blog
    Postime
    1,121
    Ne qofte se e ke fjalen per mua te pakten mund te me flasesh ne emer...

  5. #5
    Restaurator Orbis Maska e Baptist
    Anëtarësuar
    20-11-2004
    Postime
    8,690
    Tanhausi:

    Me qe je pe fushes se historofilise, pe nga vjen emertimi Sassan, e po deshe edhe besimi monoteist qe lidhet me te?

    Karaburune e leme per seancen tjeter.
    Aeneas Dardanus
    Lavdi, pasthirrme fosilesh, germadhash e rrenojash vershelluese. -Eja pas meje!...

  6. #6
    Larguar.
    Anëtarësuar
    02-11-2005
    Vendndodhja
    në Blog
    Postime
    1,121
    Me sa di Sazani quhej ne lashtesi sasson-as por nuk e kam kerkuar etimologjine. Karaburun eshte emer turk kurse grekerit i thoshnin Akrokeravnia (vetetime anesore) sepse ngjan si vetetime. Kjo sigurisht nuk do te thote se ishte greke apo turke

  7. #7
    Restaurator Orbis Maska e Baptist
    Anëtarësuar
    20-11-2004
    Postime
    8,690
    Citim Postuar më parë nga Tannhauser
    Me sa di Sazani quhej ne lashtesi sasson-as por nuk e kam kerkuar etimologjine. Karaburun eshte emer turk kurse grekerit i thoshnin Akrokeravnia (vetetime anesore) sepse ngjan si vetetime. Kjo sigurisht nuk do te thote se ishte greke apo turke
    Kerkoja etimologjine se te lidh gjaku e pasioni.

    Karaburuni ka qene qojtur Akrokeravnia? Ha ha ha. Po Cherroneus kushe quhej ore, Kepi i Spartes? Po malet e Himares si quheshin, Zelleria Seleucidus?

    Theshte i gjori Shevqet Musaraj po kush e degjonte “Jane ngritur kembet e po i bien kokes.”

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •