Ç'mund te thuhet per artin shqiptar te realizmit socialist?
Përse të huajt preferojnë artin shqiptar të realizmit socialist. Një pyetje që lind nga kërkesat e vazhdueshme të vendeve të ndryshme evropiane: kuriozitet ekzotik apo vlerësim i një arti të panjohur e të çuditshëm që Perëndimi nuk e pati ndonjëherë në historinë e vet të artit
Perëndimi kërkon Realizmin Socialist
Elsa Demo
Eshtë viti i tretë që veprat e shkëputura nga “salla blu” dhe “salla e kuqe” kërkohen nga galeritë evropiane të artit. Janë veprat e realizmit socialist. Aktualisht
një pjesë e tyre vazhdojnë të jenë të ekspozuara prej 14 majit në mjediset e Koleksionit të Karlheinz Esslit në Klosterneueburg, një qytet pranë Vjenës. Në të vërtetë “homo socialisticus”, nuk është prezantuar vetëm. Të ekspozuara në formën e një instalacioni, pikturat dhe skulpturat e realizmit socialist rrinë në krahët “Honey& Blood” (gjak dhe mjaltë) kushtuar artit bashkëkohor në Ballkan.
Në janarin e një viti më parë, periudha e realizmit socialist ishte sërish në fokus në Barcelonë. Në ambientet e Qendrës Kulturore Bashkëkohore të qytetit u prezantua jo vetëm si një ekspozitë artistike, por edhe përnjohëse. Një bunker ishte instaluar në hyrje të ekspozitës, bunkeri simbol i Tiranës dhe Tiran(i)së. Megjithatë një gjë ishte bërë më e qartë në kurimin e kësaj ekspozite: ideja e përdorimit të artit nga propaganda. Sipas kuratorëve që asaj radhe ndryshe nga Vjena, ishin shqiptarë, “nuk mund të mohohet qenësia e tyre si art, por këto vepra ishin parë në një kontekst tjetër.“
Ekspozitat u quajtën një sukses.
Po të kërkonim rrënjët e këtij interesimi ndaj realizmit socialist në artin figurativ shqiptar, takohemi në korrikun e vitit 1999, kur për herë të parë këto vepra do ekspozoheshin në erën postkomuniste. Ishte ide e ish- drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Gëzim Qëndro. Reagimi mund të quhej suksesi i garantuar. Stepja, pranimi pa fjalë, indiferenca, shoku, fyerjet, sharjet, indinjimi, reflektimi. Një pastrim kolektiv ndiesish, që këto vepra arritën ta bënin vetëm në një kohë tjetër, duke qenë përballë brezave të ndryshëm të publikut. “U kënaqëm shumë, nuk e merr dot me mend - Keti, Albi, Redi.” “Brigadieret ishin vërtet seksi – Zëri i masës.”
“Galeria ishte shumë kot nuk më pëlqeu fare. Pikturat ishin copë-copë – një anonim”
Në librin e përshtypjeve mbi ekspozitën e atij viti, gjetëm edhe këto reagime, që duket se iu përkasin një brezi të rinjsh, ndoshta adoleshentë.
“Na shokoi skulptura e Kristaq Ramës kushtuar Gjikë Kuqalit: “Unë e dua partinë time, ty të dua po të duash partinë”, një skulpturë që paraqet moralin e një epoke”, shënon një vizitor tjetër, që ndoshta i përket një brezi të mesëm.
“Kjo ekspozitë është ideuar dhe hapur nga pinjollët komunistë. Hapja e kësaj ekspozite asht një provokim tjetër që i bëhet këtij populli. Ka edhe një të mirë se jep edhe një argument tjetër se në Shqipëri asht instaluar regjimi komunist.” Ky këtu ndoshta i përket një lobi të së djathtës antikomuniste.
Kishte edhe nga ata anonimë që linin në radhët e bllokut të përshtypjeve nota të qeta të një ndërgjegje të distancuar dhe fleksibël njëherësh: “Eshtë një zhgënjim mallëngjyes dhe i dëshiruar dhe jemi të pafuqishëm të distancohemi nga kjo ndjenjë, dhe t’i afrohemi më shumë.”
Kështu arti i realizmit socialist kishte dalë nga bodrumet e fondit të galerisë për t’u burgosur në rrethin vicioz të mentalitetit të brezave. Çuditërisht nga ky rreth ndodhi kapërcimi në botën e lirë, në galeritë evropiane të artit ku kanë parakaluar së paku një pjesë rrymash moderne e postmoderne të artit.
Në atdheun e vet ku u rrit për 45 vjet ky lloj arti heronjsh, punëtorësh, që deri dje kishte për qëllim edukimin komunist të masave, e pati të vështirë demistifikimin, zbritjen nga parajsa e humbur për të cilën ishin vënë në radhë një armatë artistësh. Përse ndodhi ai lloj degustimi i papritur nga ushqimi që ishte marrë në mënyrë jo organike për disa breza. Kjo nuk ndodh me artin e vlerë, artin që nuk shtiret.
Nëse është kaq i diskutueshëm tek ne, (edhe pse të vetmet debate kritike mbi realizmin socialist u bënë fill pas ekspozitës së ‘99-ës në faqet e gazetave, dhe ç’mbetej thuhej në tavolina kafenesh) si art që i shërbeu dogmës, përse tregojnë kaq interes të huajt dhe bota perëndimore. A hyn edhe ky art, realizmi socialist, që të vetmen vlerë që ka është antihumania, pra një antivlerë? Ndërsa arti modern, portretin njerëzor e “shkatërroi”, duke krijuar sërish një art të bukur, realizmi socialist njeriun me bukuri të përjetshme e çoi në kufijtë e të pabesueshmes.
Drejtori aktual i Galerisë Kombëtare të Arteve, Abaz Hado thotë se të tjera kërkesa dhe plane ka për udhëtimin e veprave nga sallat blu dhe të kuqe, që sot janë një pavion i përhershëm i realizmit socialist. Mund të jetë Amerika stacioni i ardhshëm. “Kjo preferencë e botës perëndimore ndaj këtij arti që tek ne ka qenë i indoktrinuar më shumë, është një kuriozitet krejtësisht më vete. Ngjall interes sepse përveç anës politike në këtë çështje kishte dhe një aspekt tjetër, një art që ka vlerat e veta, pavarësisht nga doktrina, pavarësisht nga trysnia politike, pavarësisht nga kanonizimi”,- thotë drejtori Hado. Kanonet e realizmit socialist mund të kenë dëmtuar artistë potencialë në Shqipëri dhe në vende të tjera, por realisht në disa prej veprave më të mira të kësaj periudhe ka një trajtim interesant që nuk kalon pa u vënë re në botën perëndimore.” Ai nuk përjashton preferencën ekzotike. Por i mbetet mendimit se gjithçka që ka kaluar nëpërmjet një mundi krijues është art, qoftë ky edhe art propagande që i shërben një sistemi diktatorial.
Tani u mbetet studiuesve në dorë arti i kësaj epokë e cila është mbyllur, por mund të merret në kontekste të tjera. “Kemi kohën e duhur për të reflektuar për atë që është krijuar gjatë një epoke. Kam vërë re se vijnë artistë që reflektojnë mbi veprën e vet. Një pjesë e tyre janë çliruar nga mendimi doktrinar, që përbënte gjithë krijimtarinë e tyre dhe tani janë larg saj. Shpesh herë për arsye politike të panevojshme, ka nga ata që kanë mbajtur një qëndrim duke mohuar veprën e vet. Por më pas kanë kuptuar se nuk mohohet ajo që bëhet, pavarësisht se kujt metode i përket”, përfundon Hado.
Në muajin shtator seria e 82 figurinave në baltë të papjekur e skulptorit Uran Hajdari, të cilat zënë një vend të konsiderueshëm në “sallën blu”, nisen për t’u ekspozuar drejt Francës. Atë rrugë do të marrë edhe piktura gjigante e artistit Guri Madhi, një vepër me një histori të veçantë “Enver Hoxha, në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë”. Gëzim Qendro, është marrë me studimin e kësaj vepre në veçanti dhe ka në dorë një studim mbi realizmin socialist. Realizmi socialist si ëndërr, një surealizëm social. Eshtë e para qasje ndaj kësaj metode të zbatuar pikë për pikë në artin figurativ shqiptar.
Copyright 2002 Shekulli
Krijoni Kontakt