Fitore nacionale
Partia Demokratike e Kosovës humbi në Prishtinë, por fitoi shumicën dërrmuese të komunave të Kosovës. Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi ka deklaruar se kjo parti, jo vetëm që ka ruajtur pushtetin në komunat që i mori para dy vitesh, por i ka në grusht edhe tri të reja. Ai tha se përqindja e PDK’së në nivel nacional është mes 38 dhe 43 për qind.
Nga Bekim Greiçevci më 16.11.2009 në ora 8:24
Zhgënjimi i anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike të Kosovës me garën për Kryeqytet është zëvendësuar me festë për rezultatin e arritur në pjesën dërrmuese të komunave të Kosovës.
Lideri i PDK’së Hashim Thaçi ka deklaruar se ka fituar që në raundin e parë ose në balotazh në 20 komuna dhe përqindja e saj në nivel nacional është mes 38 dhe 43 për qind.
Nëse kjo konfirmohet edhe zyrtarisht nga Komisioni Qendror Zgjedhor, atëherë PDK betonon edhe më shumë pozitën numër një në Kosovë dhe rritë diferencën me rivalin e saj kryesor, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
PDK ka filluar festën fillimisht në komuna të mëdha të vendit të cilat i mori para dy vitesh si në Mitrovicë, Ferizaj, Prizren dhe Gjilan, por edhe në komuna tjera më të vogla.
Por, Partia Demokratike ka festuar edhe në Prishtinë.
Pas një fjalimi triumfues të Liderit të saj Hashim Thaçi në “Sheshin 21”, qielli i Kryeqytetit është ndriçuar me fishekzjarrë.
“Fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës është edhe fitore për qeverisjen e mirë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi, para përkrahësve të tij dhe zyrtarëve të lartë të kësaj partie.
Ai ka përgëzuar një nga një kandidatët e tij të cilët korrën sukses në shumë komuna të Kosovës. Kreu i PDK’së u krenua me suksesin dhe fitoren edhe në Vushtrri, Obiliq, Skenderaj, Drenas, Malishevë, Lipjan, Shtime, Rahovec, Therandë, Klinë, Kaçanik, Hanin e Elezit, Kamenicë, Viti, Novo Bërdë dhe Shtërpce.
Në vitin 2007 ajo ka fituar 17 komuna, tani pret fitore në tri komuna të reja.
“Partia Demokratike e Kosovës tregoi se ka kaluar kornizat e ngushta partiake”, ka thënë Thaçi.
“Dua të përgëzoj edhe të gjitha partitë politike dhe kandidatët e pavarur për garën e tyre të ndershme, demokratike, të qetë dhe konkurrencës së lirë për garën e tyre të dinjitetshme dhe që po e pranojnë verdiktin e sovranit që shpalli Partinë Demokratike të Kosovës fituese bindëse edhe në këto zgjedhje lokale”, ka shtuar ai.
Në pjesën më të madhe të të fjalimit të tij Lideri i PDK’së foli si Kryeministër i Kosovës.
“Sot të gjithë jemi fitues, të gjitha partitë politike. Sot fitoi demokracia, fitoi shtetit i Kosovës. Ju sot i dëshmuat botës së qytetëruar se jeni pjesë e identitetit të fuqishëm perëndimorë dhe europianë”, ka thënë ai.
Ai ka kërkuar nga anëtarët, simpatizantët dhe të gjithë qytetarët që këtë entuziazëm të fitores ta kthejmë në punë.
“Nga nesër të gjithë duhet të vazhdojmë angazhimet tona edhe më fuqishëm. Duhet të vazhdojmë punën tonë për një Kosovë edhe më të zhvilluar, demokratike dhe shumetnike”.
Ai theksoi se tani e gjitha klasa politike ka obligim bashkërisht që vullnetin e qytetarëve dhe votën e dhënë ta shndërrojnë në punë, sukses, optimizëm dhe shpresë për të ardhmen si dhe për të çuar përpara shtetin e Kosovës.
Thaçi foli madje edhe për prioritetet e tij si Kryeministër.
“Ne kemi një sfidë të rëndësishme qytetarë të duruar të Kosovës, atë të integrimeve europiane. Unë sonte zotohem para jush se integrimi europian i Kosovës do të jetë prioriteti im kryesor dhe qeverisë që udhëheq unë”.
Thaçi nuk harroi të shprehë falënderim edhe për Komisionin Qendror Zgjedhor, vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë si dhe diplomatët dhe përfaqësuesit tjerë ndërkombëtarë në Prishtinë që u angazhuan që Kosova të kalojë testin në zgjedhjet e para në shtetin e pavarur.
Kryeministri Thaçi ka hedhur votën në qendrën e votimit në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, së bashku me bashkëshorten e tij, Lumnije Thaçi. Si në votimet e mëhershme, ata kanë marrë me vete djalin e tyre, Endritin.
Krijoni Kontakt