Gazeta Shqip
Firmoset në Bruksel protokolli i anëtarësimit nga Basha e Scheffer
Shqipëria bëhet zyrtarisht sot anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Pas ftesës zyrtare të marrë më 2 prill në Samitin e Bukureshtit, vendi ynë do të firmosë sot në Bruksel, dokumentin që e bën "de jure" anëtare me të drejta të plota të aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të botës. Sot do të zhvillohet në Bruksel takimi i Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC), gjatë të cilit do të nënshkruhen Protokollet e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, bëjnë të ditur burime të zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme. Pala shqiptare do të përfaqësohet në këtë ceremoni nga një delegacion i kryesuar nga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Ceremonia e nënshkrimit të Protokolleve të Anëtarësimit shënon përfundimin me sukses të negociatave të Anëtarësimit Shqipëri-NATO, që erdhën pas ftesës në Samitin e Bukureshtit. Nënshkrimi i Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO i hap rrugë ratifikimit të këtyre protokolleve nga vendet anëtare dhe anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Ceremonia e sotme do të fillojë me një takim midis sekretarit të Përgjithshëm, Jaap De Hoop Scheffer, dhe ministrit të Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, e ministrit të jashtëm kroat, Gordan Jandrakoviçc në orën 9:30. Në orën 10:15 fillon mbledhja e Këshillit të Atlantikut të Veriut, ku pas fjalimeve nga sekretari i Përgjithshëm Scheffer, dekani i Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Kroacisë, do të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit të Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Në orën 11:00, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Kroacisë do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Në orën 12:00, Këshilli i Atlantikut të Veriut fillon mbledhjen e tij të rregullt ku Shqipëria dhe Kroacia marrin pjesë për herë të parë, pa të drejtë vote. Ceremonia e nënshkrimit të Protokolleve të Anëtarësimit dhe konferenca e përbashkët për shtyp do të mbulohen dhe transmetohen drejtpërdrejt nga transmetuesi televiziv i NATO-s.
Në përfundimin e fazës negociatore që erdhi pas ftesës së Bukureshtit, ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, i është drejtuar me një letër sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Jap De Hop Scheffer. Nëpërmjet letrës, ministri Basha konfirmoi zyrtarisht interesin e qeverisë shqiptare për t‘u bërë pjesë e Traktatit të Atlantikut të Veriut të vitit 1949. Ministri Basha siguroi sekretarin e Përgjithshëm, Scheffer, për vullnetin e Shqipërisë për të pranuar të gjitha detyrimet dhe angazhimet që lindin nga Traktati i Atlantikut të Veriut. Shqipëria, theksoi ministri Basha në letër, bashkohet me konceptin strategjik të NATO-s për sigurinë dhe mbrojtjen, synon të marrë pjesë plotësisht në strukturat ushtarake dhe planifikimin e mbrojtjes kolektive të Aleancës dhe të angazhojë forca dhe kapacitete për të marrë pjesë në të. Shqipëria është e gatshme gjithashtu të vërë në dispozicion burimet e nevojshme financiare për realizimin e angazhimeve menjëherë pas anëtarësimit me të drejta të plota në Aleancë. Ajo njeh dhe pranon faktin që Aleanca bazohet në pikëpamjet e përbashkëta të arritura nëpërmjet konsensusit dhe do të punojë për konsensusin brenda Aleancës.
Krijoni Kontakt