Elbasani zgjohet i zbardhur me trakte te ngjitura neper mure nga ndonje celule e ekstremit te djathte qe bente thirrje per te luftuar armiqte e shqiptareve, serbet dhe greket
ELBASAN - Një ngjarje e pazakontë tronditi dje banorët e qytetit të Elbasanit, të cilët panë me sytë e tyre t’u ringjallej Adolf Hitleri, ai që ktheu botën përmbys. Tingëllon e çuditshme, por është e vërtetë! Një organizatë ilegale e vetëquajtur “Partia Naziste Shqiptare” ka publikuar me qindra trakte të cilat dje ishin afishuar nga të katër anët e rrugëve të Elbasanit. Policia thotë se nuk ka asnjë ide se për çfarë bëhet fjalë, por duket se në këtë qytet mund të ketë hedhur rrënjë ndonjë celulë e ekstremit të djathtë.
Dje në mëngjes, në këtë qytet u gjetën disa trakte të së ashtuquajturës “Partia Naziste Shqiptare Vetëm Hitler”. Në faqen e parë identifikohen tre flamuj nazistësh dhe në fund të saj mbishkrimi Linddita A. E. Në trakt citohet se: “Ne luftojmë për shpirtin dhe për zemrën e popullit shqiptar. Mos harroni dy armiqtë e tij, sllavët dhe grekët”. Ndërsa në dy faqet e tjera jepet biografia e plotë e jetës së të famshmit Hitlerit. Në fund, materiali pesëfaqësh mbyllet me pamjen e Fyhrerit para kullës Eifel. Ajo që të binte më shumë në sy, ishte mënyra sesi qytetarët e habitur, shpeshherë edhe shpengues, pasi mësonin se për çfarë bëhej fjalë, jepnin pa fjalë komentet e tyre me mimikën e fytyrës. Xhevahir Kapllani u shpreh se “trakti është një thirrje nazistësh, që duhet dënuar sa më parë”. “Nuk mund të konceptohet një parti naziste në Shqipëri, pas vuajtjeve dhe dramave që shkaktoi Hitleri gjatë luftës”, tha ai, së bashku me disa kalimtarë të tjerë për gazetën. Ndërkohë, strukturat e policisë së Elbasanit janë vënë në lëvizje për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në qytet janë ushtruar disa kontrolle, të cilat do të vijojnë. Ende nuk dihet se ku e ka bazën ky formacion totalitar, e as ku janë botuar e shtypur këto trakte.
Policia nuk e merr seriozisht
Drejtori i Policisë së Qarkut, Arben Hyseni, u shpreh dje në lidhje me këtë çështje, se trakti nuk ka rënë në dorë të uniformave blu, por nga hetimet e para rezulton se ai mund të jetë shpërndarë nga ndonjë fëmijë që e ka shkarkuar atë nga interneti, edhe pse në fakt sasia nuk ishte e vogël. Për të njëjtën çështje u prononcua edhe shefi i Komisariatit të Policisë Elbasan, Gjelosh Prendi. Sipas tij, ngjarja u cilësua thjesht si një lojë fëmijësh, pasi në Elbasan nuk ka asnjë sinjal për ekzistencën e simpatizantëve nazistë. Megjithatë, hetimet kanë nisur, ndërsa banorët urojnë që kjo të jetë veçse një farsë, një shaka pa kripë.
Partitë totalitare ndalohen me Kushtetutë. Neni 9 i Kushtetutës shprehet qartë si më poshtë:
1. Partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të përputhet me parimet demokratike.
2. Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e së cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit.
3. Burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike.
KORRIERI
Krijoni Kontakt