Rënia e bustit të diktatorit. Gjithshka nisi nga qyteti Studenti, më pas thirrja e Raimonda Bulkut që protesta të shpërngulej, përballja me policinë tek RTSH dhe vërshimi nga të gjitha anët për në sheshin "Skëndërbej"
17 vjet më parë Tirana tërhiqte zvarrë "qelbësirën"
Tre ditët e grevës së urisë të studentëve kishin tensionuar situatën në Tiranë. Disa qindra mijëra vetë morën rrugën drejt Kinoklubit të Qytetit "Studenti" për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për studentët grevistë. Më 20 shkurt 1991, sheshi para Kinoklubit ishte mbushur më shumë se kurrë ato ditë. Thirrjet e turmës "Studentët janë heronj", "Jemi me studentët", "Poshtë diktatura", "Enver-Hitler", si dhe do ta heqim qelbësirën, ishin një kurajo e madhe për studentët grevistë.
Nga ballkoni i godinës së konviktorëve të Gjeologjisë, oratorë të ndryshëm mbanin fjalime kundër qeverisë dhe PPSH, të cilat po flijonin studentët për emrin e një të vdekuri.
Rreth orës 12.00, aktorja e shquar Rajmonda Bulku, thërret nga ballkoni i godinës për të protestuar përpara selisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Një turmë rreth 100 mijë vetash ka lëvizur nëpërmejt rrugës së "Elbasanit". Tek Liceu njerëzve u dalin përpara rreshta policësh me skafandra dhe armë. Qentë e policisë u vërsulën njerëzve, ndërsa zbrazën kallashnikovë mbi kokat e protestuesve, të cilët qëllojnë me gur dhe sende të forta policinë dhe forcat speciale. Turma çan përpara, por tashmë në drejtim të Sheshit "Skënderbej".
Beteja e sheshit është vendimtare. Pas një përleshje mes popullit dhe forcave të Ministrisë së Brendshme busti ndjen lëkundjet e para.
Në ora 14.00, monumenti i Enver Hoxhës bie në krah të majtë të tij, pas tre-katër lëkundjesh të forta. Disa njerëz kishin punuar tek këmbët e bustit, ku ishin edhe vidat mbajtëse, ndërsa të tjerë i kishin hedhur kavon në grykë. Enveri ra dhe bashkë me të edhe miti i tij. Policë dhe qytetarë u përqafuan për disa çaste në shesh.
Atmosfera ishte mjaft e ndezur. Qindra dhe mijëra njerëz shtyheshin kush e kush të shkelte më shumë më këmbë shtatoren që nëpërkëmbej. Urrejtja ndaj diktaturës po dëshmohej mjaft qartë në ato momente. Pas rrëzimit, busti i ndarë në dy pjesë u lidh me kavo në një makinë plehrash, e cila nisi ta tërhiqte zvarrë për t'a dërguar në ambjentet e qytetit Studenti ku po vazhdonte greva e urisë së studentëve. Përgjatë gjithë rrugës njerëzit vazhdonin të pështynin dhe të shkelnin me këmbë bustin e copëtuar të diktatorit. Nëpër rrugët e Tiranës shihje njerëz të përlotur nga gëzimi, të cilëve nuk u besohej se busti i diktatorit ishte rrëzuar. Të gjithë u bashkuan në një varg të gjatë duke vazhduar ecjen në drejtim të godinës ku po zhvillohje greva e urisë së studentëve. Pikëtakimi ishte pikërsht ajo godina e studentëve të urisë. Mbi njëqind mijë njerëz në një kor gjigand thërrisnin pa pushim "e hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën".
Krijoni Kontakt