Kriminelët shqiptarë në “Playstation 3”
Video- loja “Grand Theft Auto”, shitjet e së cilës duket se do të kalojnë filmat më të mëdhenjë amerikanë, kësaj rradhe përmban edhe “aktorë” virtualë shqiptarë, avatarë kriminalë që terrorizojnë rrugët e qytetit virtual Liberty City. Personazhi kryesor, Niko Bellic, është një imigrant ballkanas i cili i nxitur nga kushëriri i tij, Roman, mbërrin në Liberty City që të ndjekë “ëndrrën e tij amerikane”. Romani i kishte premtuar atij një jetë prej qumështi dhe mjalti në Liberty City, por pasi arrin atje ai kupton se në të vërtetë kushëriri i tij ishte një taksist i thjeshtë që jetonte në kushte të këqija dhe u kishte shumë borxhe gangsterëve lokalë. Karakteret shqiptare në këtë video – lojë janë Bledar Morina, fajdexhi shqiptar i cili operon në Broker, Dardan Petrela, ndjekës i borxheve të cilin Niko e vret me thikë dhe kështu e liron Romanin nga borxhet që ai ua kishte shqiptarëve. Gjithashtu këtu luan edhe karakteri Kemal Vulaj i cili është bashkëpunëtor i dy karaktereve shqiptare të përmendura më herët. Përkatësia etnike e personazhit kryesor ka zgjuar shumë debate në forumet e internetit. Një gjë është e sigurtë, ai është një karakter me plot stereotipe ballkanike shikuar nga këndi i kulturës perëndimore dhe video loja në të vërtetë ka shumë gabime faktike. Tregimi është krijuar nga kompania Rockstar dhe tregimi është shkruar nga bashkëthemeluesi i kompanisë Dan Houser. Kjo kompani e ka bazën në Edinburgh të Skocisë. Kjo lojë luhet në konzolat “Xbox 360 “ dhe “Playstation 3” dhe është hera e parë që ofron mundësinë që të luhet edhe me shumë lojtarë nëpërmjet internetit.
Lajm
07.05.2008
Krijoni Kontakt