Gazeta Shqip
Frati qe skuqi kryeministrin
Aleksandër Çipa
Një përshtypje të veçantë u ka lënë shumicës së qytetarëve që e kanë përcjellë lajmin e vizitës së Kryeministrit Berisha në Laç javën e kaluar, ndërsa mori pjesë edhe në përurimin e rrugës që të çon te kisha e famshme e Shën Ndout. Frati që kryeson këtë kishë, duke iu drejtuar Kryeministrit, para qytetarëve dhe besimtarëve që shënonin shifrën e disa qindra e ndoshta mijëra vetëve, akuzoi hapur, si askush prej klerikëve të vendit, për korrupsion drejtuesit lokalë të Laçit. Frati denoncoi në prezencë të Kryeministrit vjedhësit e fondeve që ishin miratuar sipas projektit për këtë rrugë. Bëhet fjalë për rrugën që përdoret prej mijëra e mijëra pelegrinëve shqiptarë dhe joshqiptarë. Ndër të tjera frati iu drejtua Kryeministrit të vendit me këto fjalë: Kjo rrugë që përuroni ju, nuk është ajo që është në projekt. Kjo është një vepër e bërë përgjysmë. Fondet u shpërdoruan dhe unë u detyrova ta largoj njërin prej priftërinjve që shërben në kishën e famshme të Shën Ndout, pasi iu rrezikua jeta.
Fjalët që pasuan fjalët e fratit, pas këtij denoncimi, ishin dy llojesh; fjalë që mbetën pëshpërima dhe fjalë lëvduese që uruan fratin për kurajën e besnikërinë ndaj së vërtetës që rrethon atë komunitet qytetarësh, që shkelin në rrugën e dëshiruar si pelegrinë.
Është ndoshta hera e parë në përditshmërinë postkomuniste të klerikalizmit që një frat ngrihet në nivelin e kurajës qytetare për të denoncuar korrupsionin lokal, këtë sëmundje dhe këtë gjëmë të vërtetë që ka mbërthyer realisht gjeneratat e sotme dhe mesa duket edhe breznitë e ardhme të shoqërisë shqiptare.
Natyrisht Kryeministri zgjodhi mënyrën e lehtë të kapërcimit të shqetësimit të fratit dhe i mjaftoi gjesti tradicional i përurimit. Një gjest ky butaforik që po e trashëgojmë shëmtueshëm si performancë, në kaq e kaq dekada të jetës sonë shoqërore. Aktet përuruese kanë nisur të ironizohen dhe të përçmohen nga qytetarët. Kjo s‘ka lidhje me ndjenjën injoruese apo nihilizmin që mund të karakterizojë një kategori opozitare apo oponentësh, të kësaj shoqërie. Kjo ka lidhje me gjendjen e avashtë në të cilën lëviz kjo shoqëri dhe me realitetin e ecjes retrograde që përjeton individi normal i këtij vendi.
Denoncimi i fratit në Laç përbën një gjest tejet simbolik, por që jep, në një farë mënyre, shpresë për një lëvizje dhe përfshirje të disa institucioneve të edukimit moral dhe psiqik të shoqërisë, siç është edhe feja, ose institucionet religjionare në përgjithësi. Për këtë gjest ky frat meriton lëvdimin publik dhe duhet parë si aleat i vlershëm në luftën e shpallur si nismë apo ideal prej qeverisë dhe institucioneve tona publike.
Mirëpo, mes asaj që thuhet dhe asaj që madhohet si e keqe, po shumëfishohet skepticizmi dhe e keqja. Kaq e frikshme është rritja e kësaj së keqeje, sa në shumicën e konstatimeve të lira, nëpunës të thjeshtë dhe qytetarë të shtresave të ndryshme të shoqërisë, pohojnë njëzëri se ngërçi po shtohet dhe se shteti po masakrohet nga mungesa e besimit dhe e ndërgjegjes antikorrupsion.
Fushata për arrestime dhe prangosje nëpunësish dhe zyrtarësh, është zgjidhja më e pamjaftueshme dhe më e pagjetur për të luftuar korrupsionin në këtë vend. Prangosja dhe penalizimi, sidomos financiar për qytetarët që janë palë e korrupsionit, duhet parë tashmë si një alternativë në fuqi për goditjen dhe penalizimin e korrupsionit. Ndërsa për rastet kur nëpunësit apo drejtuesit i grabisin fondet publike përmes mekanizmit të tenderimeve apo të projekteve, ka ardhur koha që legjislativi të diskutojë një paketë tjetër ligjesh dhe penalitetesh juridike.
Denoncimi i fratit para masës së qytetarëve, në prani të Kryeministrit të vendit, është realisht një imazh diogjenik ku përballen tri aktorët klasikë; Populli-Diogjeni-Njeriu me skeptër (Kryeministri). Ky denoncim është zëri i një tabloje të frikshme. Frati iu drejtua Kryeministrit se e kishte larguar një klerik, pasi ishte kërcënuar në mënyrë mafioze dhe i ishte vënë në rrezik jeta fizike. Ai denoncoi hapur vjedhjen e fondeve publike dhe mashtrimin në dritë të diellit me rrugën që u duhet pelegrinëve dhe vuri përmes fjalës së vet, provat e para të pretencës për disa drejtues dhe pushtetarë lokalë. Në një rast të tillë në Francë, Itali apo më keq në Gjermani dhe SHBA, do të kishte ndodhur tërmeti i reagimeve institucionale dhe i veprimeve të menjëhershme ligjore. Pa lënë fjalën e fundit të urimit-shirit-prerës, Kryeministri do t‘i kërkonte në sy të qytetarëve drejtësisë të kryente detyrën. Askush prej opozitarëve të tij dhe oponentëve, nuk do të guxonte të akuzonte atë për imponim dhe përdorim të pushtetit të drejtësisë. Absolutisht nuk mund të ndodhte diçka e tillë. Atë që s‘e bëri Kryeministri, nuk e kanë bërë as deputetët dhe as drejtuesit e institucioneve që mbulojnë projektin investues, të cilët sipas qytetarëve mund të jenë bashkëmëkatarë dhe të molepsur.
Akuza për korrupsion dhe abuzim me fondet publike prej fratit, u bashkua me akuzë dhe denoncim për sjellje dhe realitet mafioz në një skaj periferik të kryeqytetit të vendit. Po në skaje të tjera më rurale dhe më periferike çfarë ndodh? A mund të kemi sot një imazh real të përleshjes së pretenduar të shtetit me korrupsionin?
Vështirë se besohet çdo e thënë. Kjo mungesë dhe krizë besimi, qenka e thënë të jetojë edhe për të nesërme të largëta. Mëkatarët që kanë fuqi dhe që vijnë në pushtet me betime për varrosje korrupsioni dhe abuzimi, pashmangshmërisht shkurtojnë distancën mes të qenit dhe rrëzimit. Rrëzimi në këtë vend duhet të ndodhë, por jo në formë ironike të ndryshimit të kabineteve, por në formën e rrëzimit të një sistemi dhe të një regjimi. Regjimi i korrupsionit, rrëzohet kur ciklohet një qeveri dhe shumica e institucioneve që fitojnë tjetërsimin e një ndërgjegjeje të vjetër. Kjo dëshirë e çdo qytetari normal materializohet kur të gjithë faktorët dhe aktorët promovojnë ndërgjegjen e re të shoqërisë së hapur, me standarde, me liri, me kurajë denoncimi dhe sjellje morale katarsisi. Kjo bëhet e vërtetë kur këta faktorë fitojnë sintoninë reaguese dhe vepruese të të gjitha institucioneve dhe të krejt sistemit të drejtësisë.
Akuza e hapur e Fratit të Laçit në prezencë të Kryeministrit është pasazh i një meshe të fisme antikorrupsion. Le ta bëjmë një nojmë "amin-i" për të, në pamundësi për të fituar atë që duhet dhe kërkohet!
Krijoni Kontakt