Close
Faqja 0 prej 16 FillimFillim 1210 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 159
  1. #1
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-10-2004
    Postime
    705

    Lajmi më i fundit nga Kosova në ditën e shpalljes së pavarësisë

    Kosova, protektorat


    Nga Brian Whitmore, RFE


    Me flamur të ri, me himn të ri dhe mbështetjen e pjesës më të madhe të Perëndimit duket se do jetë fillimi i Kosovës si shtet. Por, kur Kosova të bëhet shteti më i ri i Evropës, statusi i shumëpritur do shoqërohet me një numër kushtesh.

    Analistët, që janë njohës të mirë të situatës, thonë se vazhdimi i paqartësisë për statusin e Kosovës nuk ndikon pozitivisht në qëndrueshmërinë e pjesës tjetër të rajonit.

    Daniel Serwer, zëvendëspresident i Qendrës për Paqe në rajonet e paskonflikteve, në Institutin e Paqes në SHBA, shpjegon: “Kosova nuk do jetë anëtare e Asamblesë së Përgjithshme, çfarë do të thotë se nuk do ketë anëtarësi në klubin e vendeve sovrane. Mendoj se kjo është për të ardhur keq. Për sa kohë të ketë paqartësi mbi çështjen e sovranitetit të Kosovës, atëherë ekziston mundësia e paqëndrueshmërisë rajonale.”

    Kontrolli që ka Beogradi mbi vendbanimet me shumicë serbe në veri të Kosovës, çfarë pritet të vazhdojë dhe pas pavarësisë, do të thotë se udhëheqësit shqiptarë të Kosovës nuk do kenë kontroll real mbi gjithë territorin.

    Ish-diplomati amerikan i karrierës, Daniel Serwer, thekson se armiqësitë, me të cilat Kosova e pavarur do të përballet pas shpalljes së pavarësisë, do ta bëjnë atë të varur nga ndihma e huaj.

    “Është diçka shumë negative ta fillosh historinë tënde si shtet pa njohjen nga fqinji më i madh, që është njëherësh dhe kërcënimi më i madh për sigurinë. Elementi më i rëndësishëm është se në sytë e Serbisë, çështja e Kosovës është ende e hapur. Kjo do vazhdojë të forcojë forcat nacionaliste në Serbi. Në Kosovë, kjo do të thotë se do kenë nevojë për Perëndimin më shumë, sesa duam ne dhe më shumë se ç'është e shëndetshme për vetë ata. Në këtë kuptim, ne po e fusim veten në një angazhim afatgjatë”, - tha Serwer.

    Në thelb, Kosova do kthehet nga protektorati i KB në protektorat të BE.

    Tim Judah, korrespondent i javores “Economist”, thotë se suksesi i misionit evropian në Kosovë do jetë jetik për vetë Brukselin.

    “Shikoni hartën dhe vendndodhjen e Kosovës. Nuk është në skaj të Evropës, por në brendësi të territorit të NATO dhe BE. Ka gjasa për të pasur sukses. Natyrisht, jeta do jetë e vështirë dhe ka mundësi për trazira. Por, bëhet fjalë për një territor që rrethohet nga 27 vendet anëtare të BE, me 500 milionë qytetarë evropianë, ndaj nuk duhet lejuar dështimi”, - tha Judah.

    Ato që nuk janë ende të qarta, janë kohëzgjatja dhe fuqia e misionit të BE.

    James Lion, ekspert për Grupin Ndërkombëtar të Krizave, mendon se misioni i BE do të zgjasë për një kohë të gjatë.

    “Ajo që duhet pasur parasysh është fakti se misioni do zgjasë disa dekada. Nëse bashkësia ndërkombëtare mendon se do jetë mision më afatshkurtër, në fakt ata po tallen me veten. Na duhet të pyesim sa gjatë qëndruan në Evropë dhe në Gjermaninë e pas LDB forcat aleate. Këtë lloj angazhimi duhet ta shohim edhe në Ballkan”, - theksoi Lion.

    Analisti britanik, Tim Judah, thekson se decentralizimi mbetet element kyç në Kosovën e pavarur.

    “Thelbi i gjërave është decentralizimi. Procesi i decentralizimit parasheh që zonat e populluara me serbë do kenë një shkallë autonomie, që iu krijon lidhje të posaçme me njëra-tjetrën, por edhe me Beogradin”, - tha Judah.

    Ekspertët bien në një mendje se mundësia për jostabilitet ekziston, për aq kohë sa statusi i Kosovës të jetë një çështje e hapur për Serbinë.

    Por ashtu, siç thotë dhe Lion, Serbia herët a vonë do përballet me realitetin.

    “Statusi i Kosovës do jetë një çështje e hapur për Serbinë, por do të vijë një moment i katarsisit. Pavarësisht sesa traumatike është kjo çështje, besoj se thellë serbët e kuptojnë se Kosova është humbur në vitin 1999 nga Millosheviçi.”




    Kosova në festë në Ditën e Pavarësisë
    Lajmi më i fundit nga Kosova e Pavarur
    Deklara e Pavaresise se Kosoves dhe reagimet e botes shqiptare mbi te.
    Fjala juaj për këtë ditë historike
    Albumi Fotografik i Pavarësisës së Kosovës
    Qëndrimi zyrtar i shteteve të huaja mbi pavarësinë e Kosovës
    Shtypi i huaj mbi pavarësinë e Kosovës
    Reagimet kundër pavarësisë së Kosovës
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 17-02-2008 më 18:28

  2. #2
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-10-2004
    Postime
    705

    LAJMI I FUNDIT: Pavarësia e Kosovës

    ...U kry

    Nga Celo Hoxha

    Sot, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në një seancë të veçantë për të vendosur një pikë ndarëse në historinë e Kosovës. Pas kësaj seance, të gjitha ngjarjet e deritanishme, përfshi edhe këtë raport me ngjarjet e djeshme në Kosovë, kanë ndodhur në periudhën para pavarësisë.

    Nesër e tutje bota do të ketë një shtet të ri, ndërsa qytetarët e Kosovës do të kenë shtetin e tyre.

    Pas dështimit të negociatave të Vjenës, mes Prishtinës dhe Beogradit, bota e kishte të qartë se çfarë do të ndodhte, nuk dihej vetëm dita e shpalljes së pavarësisë.

    Zyrtarisht nuk dihet ende, por Kosova dhe bota, ditët e fundit janë orientuar tërthorazi, megjithëse presidenti Sarkozi, në Francë, vizitoi një shkollë dhe i këshilloi nxënësit të ndryshojnë hartën e Europës, sepse duhet që në të “të jetë edhe Kosova”.

    Dje, mediat e Kosovës dhe të botës botuan axhendën e ditës më të rëndësishme të historisë së Kosovës.

    Ndërsa, agjencia “Reuters” bëri të ditur se janë 20 shtete të Bashkimit Europian që do ta njohin shtetin e ri të Kosovës. Ajo pohon se një qëndrim të tillë nuk e mbështesin gjashtë shtete të unionit: Qiproja, Greqia, Sllovakia, Spanja, Bullgaria dhe Rumania.

    Por, më e rëndësishmja ka ndodhur. Një ditë para shpalljes së pavarësisë, Bashkimi Europian ka miratuar misionin e shtetit juridik dhe policisë civile për të ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe parandalimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë. Një personel prej 1 mijë e 800 vetësh të specializuar në polici, detyra të administratës qeveritare dhe në drejtësi mori dje miratimin përfundimtar nga Bashkimi Europian. Ka nisur gjithashtu të mbërrijnë pjesë nga ky mision.

    Një ditë pas shpalljes së pavarësisë, shefat e diplomacive të BE-së do të shqyrtojnë përgjigjen e tyre për vendimin e Kosovës për të shpallur pavarësinë.

    Fuqitë e mëdha europiane: Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, ndoshta do të kumtojnë se e njohin pavarësinë menjëherë pas takimit të së hënës, e këtij grupi do t’i bashkohen edhe SHBA-të.

    Prishtina tani po përgatitet aktivisht për të ardhmen e saj europiane. Për të ndihmuar këtë demokraci të re të zhvillojë institucione të qëndrueshme, Bashkimi Europian po dërgon atje misionin e tij, më i madhi ndonjëherë, me një objektiv të qartë: të ndihmojë vendosjen e shtetit juridik në Kosovë, e cila që nga viti 1999 ka qenë nën administrimin e OKB-së. “Ne po marrim përgjegjësi të ndryshme nga ato të OKB-së. Pra, kalimi i përgjegjësive nuk është nga OKB-ja në BE, por nga OKB-ja te qeveria e Kosovës. Ata do të marrin pushtetin dhe përgjegjësitë”, - thotë Peterf Feith, përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Europian.




    Deputetë serbë nëpër enklava




    Prishtina dhe gjithë viset shqiptare janë në festë, por rëndësi e madhe po iu kushtohet serbëve të Kosovës. Një grup deputetësh të parlamentit serb pritet të mbërrijnë në enklavat serbe për t’iu dhënë garanci atyre, ndërsa ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, ka thirrur në një takim të posaçëm ambasadorët e Bashkimit Europian.

    Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, ka deklaruar se Serbia nuk duhet të hyjë në Bashkimin Europian përmes “një tregtie të padenjë”.

    Nënkryetari i qeverisë së Serbisë, Bozhidar Gjeliç, ka theksuar se, nëse puna do të shkojë “deri te shpallja e paligjshme e pavarësisë së Kosovës, Serbia do të përdorë gjithë arsenalin dipomatik dhe të masave ligjore.”

    Ai tha se është në interes të qytetarëve të Serbisë që të mos përdorin asnjë lloj dhune, meqë kjo përfundimisht do ta “shkëpuste Kosovën nga Serbia”.

    Reagime ndaj shpalljes së paralajmëruar të pavarësisë ka patur edhe në mesin e serbëve të Kosovës. Bashkësia e Komunave Serbe në veri të Kosovës iu ka bërë thirrje qytetarëve serbë që ditën e hënë të shpallin të pavlefshme deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

    Udhëheqësit e serbëve të Kosovës kanë kërkuar nga Kuvendi i Serbisë që pjesëtarët e forcave paqeruajtëse të KFOR-it që janë nga vendet që e pranojnë pavarësinë, të largohen nga Kosova dhe në vend të tyre “të vendosen trupat serbe të sigurisë”.

    Në një deklaratë të Bashkësisë së Komunave Serbe në veri është kërkuar që misioni i ri i BE-së të trajtohet si okupator dhe që qeveria e Serbisë të mos nënshkruajë “me okupatorët një marrëveshje stabilizim-asocimi”.

    Gjithashtu, thuhet se kjo bashkësi, së bashku me Ministrinë serbe për Kosovën dhe me qeverinë e Serbisë, në muajin maj do të përgatisë zgjedhjet lokale dhe ato qendrore për Kuvendin serb të Kosovës dhe të Metohisë.

    Protesta kundër shpalljes së pavarësisë kanë paralajmëruar edhe studentët e Universitetit të Beogradit.

    Ndërsa kisha ortodokse iu bëri thirrje dje serbëve të Kosovës për qetësi dhe të qëndrojnë në vend, në vigjilje të shpalljes së pavarësisë nga drejtuesit shqiptarë.

    “Ne iu dërgojmë të gjithëve mesazhin të qëndrojnë të qetë dhe të mos largohen nga Kosova e shenjtë”, - deklaroi peshkopi Artemije përpara besimtarëve gjatë një meshe në pjesën veriore, kryesisht serbe, të qytetit etnikisht të ndarë të Mitrovicës. Peshkopi që shoqërohej nga pretendenti i fronit të Serbisë, princi Aleksandër, e dha meshën përpara disa qindra besimtarëve në kishën e Shën Dimitrit. “Më e rëndësishmja për ju është të ruani qetësinë dhe të qëndroni këtu”, - tha princi Aleksandër Karagjorgjeviç. Ai iu bëri thirrje për “ndihmë” miqve të Serbisë, duke deklaruar: “Ne kemi nevojë për Evuropën dhe jo për izolim. Nuk më pëlqen të shikoj këtu një situatë të ngjashme me Palestinën”, - shtoi ai.




    Tirana: Dita më e rëndësishme pas 1912-ës




    Tirana zyrtare ka reaguar përmes kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Ai ka përshendetur mbështetjen unanime nga të gjitha vendet e BE-së të misionit EULEX, si dhe arritjen e grupeve të para të këtij misioni në Kosovë. “Ky është një kontribut i madh i BE-së për paqen, stabilitetin e demokracinë në Kosovë dhe për rajonin në tërësi. Duke miratuar plotësisht këtë mision, qeveria shqiptare do të kontribuojë dhe do të bashkëpunojë ngushtë me BE-në në zbatimin e tij”, - thuhet në një deklaratë të zyrës së shtypit.

    Berisha u shpreh dhe më herët se pavarësia e Kosovës hap mundësitë për një kapitull të ri mes kombit shqiptar dhe atij serb.

    Në një ceremoni të organizuar me rastin e anëtarësimit në radhët e PD-së të një grupi të rinjsh, kryeministri Berisha në përshendetjen e tij u ndal edhe te shpallja e pritshme e pavarësisë së Kosovës.

    Duke e vlerësuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje për kombin shqiptar si “më e madhja nga viti 1912 deri më sot”, ai theksoi se, “me të merr fund një histori koloniale dhe hapet një kapitull i ri paqeje në rajon.”.




    Shkupi: Do të jemi të balancuar




    Nga Maqedonia vijnë lajme se Shkupi zyrtar do të përpiqet që të jetë i përmbajtur dhe i balancuar sa i përket pavarësisë së Kosovës. Për Maqedoninë të rëndësishme janë edhe lidhjet me Serbinë.

    Nga autoritetet në Shkup dëgjohen hapur deklarata se Maqedonia do të ndjekë hapat e BE-së, që nënkupton njohjen e shtetit kosovar.

    Megjithatë, presidenti Branko Cërvenkovski tha se Maqedonia nuk do të jetë ndër vendet e para që do ta njohin Kosovën. Këtë e dinë edhe zyrtarët në Kosovë.

    Nga ana tjetër, shqiptarët e Maqedonisë do të bëjnë presion që Maqedonia të njohë sa më shpejt që është e mundur shtetin e ri të Kosovës.

    E gjetur mes dy anëve, Maqedonia do t’i mbajë kufijtë hapur. Komunikimet do të vazhdojnë normalisht. Për këtë do të luajnë një rol shqiptarët e Maqedonisë.

    Këtë e tha edhe ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, duke bërë të ditur se kufijtë nuk do të mbyllen.

    Mendohet se për këtë kanë biseduar të premten në Shkup edhe dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Nikolla Gruevski.

    Nga ana tjetër, Maqedonia mendohet të jetë edhe një mundësi tjetër krahas Shqipërisë për futjen e mallrava në Kosovë në rast të një embargoje serbe.

    Në të gjitha qytetet me shqiptarë në Maqedoni po përgatiten festime.




    Mbi një mijë gazetarë në Kosovë




    Qindra gazetarë e fotoreporterë nga mbarë bota po ndjekin zhvillimet lidhur me përcaktimit e statusit të Kosovës.

    Sipas tyre, ky interesim vjen pasi ngjarja kryesore në rajon është Kosova dhe statusi i saj.

    Në Prishtinë është krijuar “Qendra Mediale” në të cilën janë akredituar më shumë se 600 gazetarë, ndërkohë që numri i tyre po rritet nga ora në orë.

    Qysh të premten Kosova ka qenë lajmi kryesor i mediave të mëdha ndërkombëtare, siç është BBC, CNN, AP, FP, ARD, VOA etj.

    Interesim i jashtëzakonshëm për zhvillimet që lidhen me vendimin për statusin kanë treguar edhe media të rajonit, duke përfshirë këtu edhe ekipe të shumta gazetarësh nga Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Greqia, Kroacia, Mali i zi.




    Axhenda për shpalljen e pavarësisë




    10:00 - Kryeministri niset nga qeveria drejt Parlamentit të Kosovës, dorëzon kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të parlamentit;

    11:00 - Kryeministri e bën publike kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të parlamentit;

    12:00 - Takimi i Kryesisë së Kuvendit;

    13:30 - Takimi i grupeve parlamentare;

    15:00 - Seanca plenare e Parlamentit të Kosovës;

    18:00 - Deklaratat e të tre liderëve në Prishtinë: Media Center - hotel “Grand”;

    18:30 - Ngritja e obeliskut të pavarësisë para Pallatit të Rinisë në Prishtinë;

    19:00 - Koncerti i Filarmonisë së Kosovës, salla “1 Tetori”;

    20:00 - Koncert në sheshin e Prishtinës;

    22:50 - Presidenti dhe kryeministri i drejtohen masës së tubuar;

    23:00 - Ndezja e fishekzjarreve në katër pjesë të ndryshme të Prishtinës.




    Datat kryesore në Kosovë




    “Assocciated Press”

    1968 - Demonstratat e para pro pavarësisë nga shqiptarët etnikë në Kosovë, kur ishte pjesë e Jugosllavisë, shumë prej tyre arrestohen.

    1991 - Ndërkohë që Jugosllavia po shpërthente, separatistët deklarojnë Kosovën republikë, e cila njihet nga fqinjët shqiptarë.

    1996 - Shfaqet Ushtria për Çlirimin e Kosovës pro pavarësisë, e cila merr përgjegjësinë për sulmet ndaj disa shënjestrave policore.

    Mars-prill 1998 - Dhjetëra persona vriten gjatë një sulmi të policisë serbe kundër të dyshuarve si separatistë shqiptarë. Serbët kundërshtojnë ashpër ndërhyrjen ndërkombëtare për referendumin në Kosovë. Sanksione të reja ndërkombëtare imponohen ndaj Jugosllavisë.

    Korrik-shtator 1998 - UÇK merr kontrollin e 40 për qind të Kosovës përpara se të zmbrapsen nga ofensiva serbe. Forcat ushtarake sulmojnë fshatrat; 22 shqiptarë etnikë gjenden të masakruar në Kosovën qëndrore.

    Tetor 1998 - Aleatët e NATO-s autorizojnë sulmet ajrore kundër pozicioneve ushtarake serbe.

    15 janar 1999 - 45 shqiptarë etnikë gjenden të masakruar jashtë Raçakut. Zyrtarët ndërkombëtarë kërkojnë hetim për krime lufte.

    Mars 1999 - Autoritetet e Beogradit kundërshtojnë një marrëveshje paqeje të ofruar nga ndërkombëtarët, ndërsa shqiptarët etnikë e firmosin atë.

    24 mars 1999 - NATO nis fushatën e sulmeve ajrore për 78 ditë në Jugosllavi.

    Mars-qershor 1999 - Serbët detyrojnë mbi 800 mijë shqiptarë etnikë të arratisen nga Kosova në drejtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

    10 qershor 1999 - Lideri jugosllav, Sllobodan Millosheviç, pranon që të tërheqë trupat nga Kosova dhe hyrjen e NATO-s në Kosovë dhe qeverisjen e saj nga OKB-ja. Pushojnë sulmet ajrore. Rreth 50 mijë paqeruajtës të udhëhequr nga NATO-ja hyjnë në Kosovë, refugjatët nisin kthimin, ndërsa serbët arratisen duke iu trembur sulmeve hakmarrëse.

    6 tetor 2000 - Millosheviçi largohet pas demonstratave masive pas refuzimit për të pranuar humbjen në zgjedhje.

    28 qershor 2001 - Millosheviçi ekstradohet në Hagë për t’u përballur në gjykatë për krime lufte, por vdes para përfundimit të gjyqit.

    Shkurt 2002 - Kosova zgjedh parlamentin dhe qeverinë, me Ibrahim Rugovën si president.

    Tetor 2003 - Bisedimet e para direkte mes Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës.

    Mars 2004 - Grupe të shqiptarëve etnikë sulmojnë serbët në shpërthimin më të keq të dhunës që nga lufta.

    Janar 2006 - Rugova vdes pasi vuante nga sëmundja e kancerit në mushkëri.

    Shkurt 2006 - Nisin bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës, me ndërmjetësimin e OKB-së.

    Tetor 2006 - Gjatë një referendumi serb, Kosova deklarohet si pjesë integrale e Serbisë.

    26 janar 2007 - I dërguari i OKB-së, Martti Ahtisaari, zbulon propozimet për krijimin e shtetit të Kosovës.

    Prill 2007 - Rusia hedh poshtë propozimet e Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Qershor 2007 - Presidenti Bush deklaron se Kosova duhet të bëhet e pavarur, sa më shpejt.

    Korrik 2007 - Kryeministri i Kosovës thotë se procesi i përgatitur nga OKB ka dështuar dhe bën thirrje për një deklaratë pavarësie në fund të vitit.

    Shkurt 2008 - Kosova përgatitet për të deklaruar pavarësinë.

  3. #3
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925




    BAC, U KRY!

  4. #4
    Restaurator Orbis Maska e Baptist
    Anëtarësuar
    20-11-2004
    Postime
    8,690
    Citim Postuar më parë nga TOKE GEGA Lexo Postimin
    ...U kry

    Nga Celo Hoxha


    Ndërsa, agjencia “Reuters” bëri të ditur se janë 20 shtete të Bashkimit Europian që do ta njohin shtetin e ri të Kosovës. Ajo pohon se një qëndrim të tillë nuk e mbështesin gjashtë shtete të unionit: Qiproja, Greqia, Sllovakia, Spanja, Bullgaria dhe Rumania.
    Shume interesant. Te gjitha keto jane shtetet qe pretendojne te kene "bere" historine boterore:

    Greqia dhe Qipro jane Hyllene
    Bullgaria eshte Maqedoni
    Rumania eshte Troje
    Sllovakia eshte Hyllire
    kurse SPan-a dashur pervec inateve te Skenderbeut, rreh te mbaje Gadeiren e Herkulit qe ne shqip quhej Gjader.

    TUJ Y KRY o Mehmet Efendiu & Hasan Prishtina!
    Ndryshuar për herë të fundit nga Baptist : 16-02-2008 më 22:55
    Aeneas Dardanus
    Lavdi, pasthirrme fosilesh, germadhash e rrenojash vershelluese. -Eja pas meje!...

  5. #5
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-10-2004
    Postime
    705

    “Bacë, u kry!”

    Shqiptarët injorojnë formalitetet e shtetit të ri

    Nga Mero Baze


    Simbolet e reja të shtetit të Kosovës mbetën një hollësi e parëndësishme e protokollit të pavarësisë që dje u thye para kohe në Prishtinë. Mijëra qytetarë që vërshuan rrugëve qysh dje mbasdite, mijëra ballkone shtëpish dhe dyqanesh të zbukuruara me flamurin shqiptar dhe një dizajn i tërë kuq e zi i Kosovës, e anashkaluan këtë formalitet të identitetit shtetëror të Kosovës. Në një ditë euforike si kjo e ke shumë të vështirë të ndash rëndësinë që ka formaliteti i simboleve të reja shtetërore nga identiteti kombëtar i shqiptarëve.

    I pari që ka tentuar të dizenjojë simbolet e shtetit të ri të Kosovës ishte Ibrahim Rugova, duke huazuar atë që quhej stema e vjetër e Dardanisë. Tri vite më parë, më 28 nëntor 2005, luftëtarët e zemëruar të UÇK-së e shqyen atë nga rrugët dhe e dogjën publikisht. Ibrahim Rugova nuk u mërzit dhe me stilin e tij formal vazhdoi të vizatojë stemën e presidentit dhe disa simbole të tjera të Kosovës. Pas ikjes së Rugovës beteja për simbole vazhdoi. Bisedimet ndërkombëtare për statusin e Kosovës dhe grupi i unitetit i bënë disa herë temë të tyre simbolet e shtetit të ri të Kosovës. U riseleksionuan dizenjot e tyre, u koncentruan te pesë, te tri, te dy dhe së fundmi u tha se u ra dakord për një. Qytetarët, normal pritën ta shikonin atë, por askush nuk ua tregoi. I përshkruajnë fushën, yjet, hartën, por nuk shpaloset. Prej Kaçanikut, sapo hyn në Kosovë e deri në çdo dyqan të Prishtinës ka vetëm një flamur: flamuri kuq e zi i Shqipërisë.

    Veton Surroi, përfaqësuesi i moderuar i shqiptarëve të Kosovës, thotë se, dekori kuq e zi mund të dëmtojë imazhin ndërkombëtar të shqiptarëve më 17 shkurt. Vizioni kuq e zi i Prishtinës, i fokusuar në kamerat e “CNN” mund të ringjallë frikërat për lindjen e një shteti të dytë shqiptar në krah të Shqipërisë, duke e bërë të pabesueshëm identitetin e ri të shtetit të Kosovës. Por, për këtë, përveç Surroit ka pak shqetësim. Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu, dy politikanët që do të kenë fatin të shpallin pavarësinë, nuk shikojnë ndonjë problem te mungesa e simboleve të reja në rrugë. Sipas tyre, simbolet duhet të lindin bashkë me shtetin e ri dhe s’ka shumë nevojë për marketing. Shtypshkronja që ka prodhuar 1000 flamujt e Kosovës, po ashtu është urdhëruar të mos i nxjerrë ato në shesh para orës 12.00 të datës 17 shkurt. Duket se ka një embargo kundër flamurit të ri dhe simboleve të reja të shtetit të Kosovës.

    Protokolli i ditës së pavarësisë është parashikuar i qetë, por realisht ai është prishur një ditë më parë dhe as ka ndërmend të respektohet. Flamujt kuq e zi, flamujt amerikanë dhe ata të BE-së, falenderimet për Rugovën, Adem Jasharin dhe NATO-n dhe emocionet kombëtare shqiptare kanë mbërthyer Prishtinën.

    Ka dhjetëra thirrje për maturi dhe qetësi. Ka një kujdes të jashtëzakonshëm për të mos qenë provokativ. Ka një kontroll thuajse ideologjik kundër këngëve dhe gjesteve me karakter nacionalist. Ka një qarkore të shefit të UNMIK-ut, Ryker, që ndalon nëpunësit e vet të marrin pjesë në festime, pasi misioni konsiderohet pjesë e OKB-së dhe duhet të ruajë pozicionin neutral. Ka dhjetëra porosi pa fund për grimca të tilla. Këtë protokoll dhe këto porosi t’i thonë të gjithë në kafe, në rrugë në hotel, në Mitrovicë dhe Gjilan. Për një moment të krijohet ideja se gjërat po shkojnë si duhet dhe festa do të mbahet nën kontroll, por e gjitha kjo është një iluzion.

    Kosova ka shpërthyer. Ajo dëshmon me sinqeritet identitetin e saj kombëtar dhe ka pak vend për diplomaci. Deri tani, përveç porosive protokollare, shenjat e identitetit të shtetit të ri të Kosovës e ke vështirë t’i hetosh. Flamuri i ri, stema e re, simbolet e reja shtetërore në përgjithësi janë të papërfshira në menunë e festës së pavarësisë. Ka plot nëpunës të kujdesshëm që më thonë se do të shfaqen sot në mesditë, por dyshoj shumë se dikush do t’i shikojë. Një poster bardh e zi i Adem Jasharit është ngjitur mureve të Prishtinës me zhargonin e Prishtinës “Bacë, u kry!”. Pavarësia këtu po përjetohet ashtu siç ka ardhur, si një meritë e politikës shqiptare, UÇK-së dhe NATO-s. Është e vetmja luftë që ka mobilizuar NATO-n në emër të të drejtave të njeriut. Është i vetmi identitet shtetëror i formuar në emër të luftës kundër një nacionalizmi shtetëror ndaj shqiptarëve. Kjo luftë solli sot shtetin e ri të Kosovës, i cili po mëdyshet deri në sekondat e fundit për të gjetur flamurin e tij dhe simbolet e reja shtetërore si një përpjekje për të fromuar një identitet të ri, një identitet që të mos i frikësojë të tjerët dhe t’i respektojë ata si të barabartë. Po mëdyshen, bile gati-gati po përtojnë me dëshirë. Në mënyrë të sinqertë, duket se e kanë të gjithë më të lehtë “kuq e zi”, megjithëse rruga më e lehtë nuk është rruga më e mirë.


    Prishtine, 16 shkurt

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    22-08-2004
    Postime
    298

    Bac u kry !

    I ja arrita dites te shkruj edhe une keto fjale te argjenda: Bac u kry !
    Lavdi te perjeteshme te gjithe atyre qe nuk jetojne sot dhe qe e kane enderru dhe luftu per kete dite. Dhe ne qe jetojme , le te gezojme njeri tjetrin me faktin qe po perjetojme nje moment historik qe nuk ka shans te perseritet .

    Gezuar te gjitheve ju o vellezerit e mi qe flisni shqip kudo qe ndodheni.

    Analizat, komentet, kritikat dhe verejtjet le ti leme per ditet qe do vine.

    Sot kemi gezim, sot kemi feste. sot po jetojme momentin historik te enderuar prej shekujsh: Kosova e pavarur!

    Gezuar shqiptare !

  7. #7
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    01-08-2007
    Postime
    1,281
    BAC U KRY

    Ju fëmijë nëse doni
    A-në në mend t`a mbani
    Thoni , A- Adem Jashari
    Thoni, A- Agim Ramadani.

    Kur ta mësoni A-në
    Mbani në mend në daçi
    Mos thoni A-aeroplani
    Thoni, A- Abaz Thaçi.

    Kur të shkoni te B-ja
    Mos thoni bujku a bisha
    Thoni, B- Bedri Shala
    Thoni, B- Bekim Berisha.

    Dhe lavdërohet F-ja
    Thotë unë jam në flamur
    Jam te Fehmi Lladrofci
    Që nuk harrohet kurrë.

    Mos thoni H, H, Hëna
    Kur H-në e takoni së pari
    Në mend e mbani më lehtë
    Të thoni H- Hamëz Jashari.

    Kur do ta mësoni I-në
    Mos u thoni I- kuajve lodra
    S`do ta harroni kurrë
    Kur thoni, I, I- Ilaz Kodra.

    Unë po ju tregoj
    Mos thoni nuk e diti
    Se me Z të madhe
    Është Zahir Pajaziti.

    Ju lus fëmijë të dashur
    Në qytet e katund
    Këtë alfabet që e nisa
    TA ÇONI DERI NË FUND.

    Maj, 2006

  8. #8
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955

    LAJMI I FUNDIT: Pavarësia e Kosovës

    Raportuesi i masakres se Racakut: Dita e pavaresise, mrekulli

    Mjaft te huaj, mbështetës të kauzës kosovare kanë mbërritur ne Prishtine, për tu bërë pjesë e festimeve të pavarësise. Një prej tyre është raportuesi i pare i masakrës së Racakut, Uilliam Uolker Version multimedial i ketij lajmi

    Festimet e mëdha për pavarësinë e Kosovës kanë tërhequr vec mijera shqiptareve nga Shqipëria e diaspora, edhe mjaft te huaj, mbështetës të kauzës kosovare. Pikërisht Uilliam Uolker, ish kreu i misionit të verifikimit të OSBE-së në Kosovë, njeriu që raportoi i pari masakrën famëkeqe të Racakut më 1999, ka mbërritur mes shqiptarëve të Kosovës për të festuar ditën e pavarësisë. “Unë mendoj se kjo është një mrekulli, unë ndihem shumë i entuziazmuar, e si mund të ndihesha ndryshe në një natë si kjo”, ka deklaruar Uolker teksa ecën mes turmës festive në qendër të kryeqytetit të Prishtinës. Ishte 16 janari i vitit 1999 kur serbët masakruan 44 shqiptarë në Racak, një ngjarje që nxiti Perëndimin të ndërhynte ushtarakisht në Serbi. Pothuajse të gjithë ata të huaj që e kanë ndjekur nga afër atë ngjarje të tmerrshme, janë mbështetës të flaktë të pavarësisë së Kosovës.

    BALKANWEB
    My silence doesn't mean I am gone!

  9. #9
    i/e regjistruar Maska e skampin
    Anëtarësuar
    12-01-2003
    Vendndodhja
    Spanjë
    Postime
    947
    gezuar pavaresine popullit Shqiptar te Kosoves.
    me ne fund u kurorezua me sukses lufta dhe mundimet pa kufi qe ka hequr kjo pjese e jona me PAVARESINE E KOSOVES
    Gezuar nga zemra.
    Kujdes nga shkjau
    Kujdes nga greku
    Kujdes nga ata qe harruan ATDHEUN
    AT GJERGJ FISHTA

  10. #10
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Hadley: Jemi në pritje të ngjarjeve

    Stephen Hadley, këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit amerikan,Xhorxh Bush deklaroi se administrata amerikane është në ndjekje të zhvillimeve në Kosovë.

    Administrata amerikane deklaroi se do të pres zhvillimin e ngjarjeve lidhur me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës gjatë ditës së nesërme.
    Stephen Hadley, këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit amerikan,Xhorxh Bush deklaroi se administrata amerikane është në ndjekje të zhvillimeve në Kosovë. “Presim të shofim se si do të procedojnë gjërat”, ka theksuar Hadley gjatë një brifingu me gazetarët në avionin “Air Force One” që po udhëtonte me presidentin amerikan në turneun në shtetet afrikane. Presidenti amerikan Xhorxh Bush ishte i pari që u deklarua vitin e kaluar në Tiranë për pavarësinë e Kosovës.
    Sipas paralajmërimeve, SHBA pritet të jenë një nga vendet e para që do të njohin pavarësinë e Kosovës.

    ina-online
    My silence doesn't mean I am gone!

Faqja 0 prej 16 FillimFillim 1210 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 24
    Postimi i Fundit: 07-10-2018, 06:00
  2. Dardani apo Kosovë
    Nga Statovci në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 167
    Postimi i Fundit: 15-06-2018, 11:31
  3. Fatmir Limaj
    Nga ARIANI_TB në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 295
    Postimi i Fundit: 07-02-2015, 16:09
  4. Kosova në marrëdhëniet ndërkombëtare
    Nga ex-x në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 25
    Postimi i Fundit: 03-08-2004, 12:44

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •