Close
Faqja 0 prej 7 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 61
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,341
    Postimet në Bllog
    22

    Deklarata e pavarësisë së Kosovës

    Deklarata e Pavarësisë së Kosovës

    Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë,

    Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj,

    Të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes,

    Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë,

    Duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive,

    Duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është presedan për cilëndo situatë tjetër,

    Duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë që shqetësuan ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar,

    Mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara,

    Krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale, multietnike të demokracisë që shprehin lirisht vullnetin e qytetarëve tanë,

    Duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të ardhshëm politik,

    Duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve tanë,

    Duke konfirmuar se rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë me standardet më të larta europiane për të drejtat të njeriut dhe qeverisjen e mirë,

    Të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jipet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë,

    Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,

    1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

    2. Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.

    3. Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

    4. Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.

    5. Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.

    6. Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.

    7. Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.

    8. Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.

    9. Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

    10. Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.

    11. Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.

    12. Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre.

    Kuvendi i Kosovës

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,341
    Postimet në Bllog
    22
    Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran

    Prishtinë, 17 shkurt - Deputetët e Kuvendit të Kosovës njëzëri miratuan Deklaratën e Pavarësisë duke e bërë Kosovën shtetin më të ri në botë. Nga dita e sotme vendi ynë quhet Republika e Kosovës, e cila është shprehje dhe mishërim i aspiratave të shumë brezave për liri dhe pavarësi. Pro deklaratës votuan 109 deputetë të pranishëm në sallë nga gjithsej 120 sa ka Kuvendi i Kosovës. Nuk ishin të pranishëm deputetët serbë. Pas miratimit Deklaratës së Pavarësisë për Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik, deputetët do të miratojnë edhe simbolet shtetërore, flamurin dhe stemën.

    Kuvendi i Kosoves

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,341
    Postimet në Bllog
    22
    FJALË E PRESIDENTIT FATMIR SEJDIU NË DITËN E SHPALLJES SË PAVARËSISË SË KOSOVËS

    Prishtinë, 17 shkurt 2008; Salla 1 Tetori I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi, I nderuar kryeministër i Kosovës, z. Hashim Thaçi, Të nderuar deputetë e ministra të Kuvendit të Kosovës, E nderuara familje e Presidentit Rugova,

    E nderuara familje Jashari,

    Të nderuara familje të dëshmorëve të Kosovës,

    Të nderuar përfaqësues të institucioneve të vendit,

    Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,

    Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,

    Zonja dhe zotërinj,

    Po flas para jush si President i Republikës së Kosovës të shpallur pasditen e sotme, kësaj të diele të 17 shkurtit të vitit 2008.

    Siç e thashë sot në fjalën time në Kuvend, dita e sotme e ndan historinë e Kosovës në dysh; në epokat para dhe pas pavarësisë. Pavarësinë e Kosovës e kanë krijuar breza të tërë heronjësh të kënduar e të pakënduar me veprën e tyre jetësore, me punën e palodhshme e sakrificat që kanë bërë. Pavarësinë e shpallëm para botës ne, populli i Kosovës, afër dy milionë e gjysmë njerëz, përmes përfaqësuesve të popullit, të deputetëve të kësaj legjislature, tash të Republikës së Kosovës, ngritën dorën në mbështetje të Deklaratës së Pavarësisë. Mëvetësinë tonë e shpallëm para botës dhe me bekimin e saj, në mes miqësh tanë, që u gjetën pranë nesh para një dekade, kur e keqja kishte përlarë këtë pjesë të Ballkanit, por edhe më vonë, në këto vite të rimëkëmbjes së jetës shoqërore, ekonomike e politike të vendit tonë të shkatërruar nga okupimi e lufta. Në këtë fillim të shekullit të ri, të mileniumit të tretë, po hyjmë në familjen e madhe, në gjirin e kombeve të lira të botës, me pavarësi – si të barabartë.

    Për t’u bërë shtet më vete, komb në kuptimin politik të fjalës, Kosova ka kaluar nëpër histori përpjekjesh e vuajtjesh gjatë ekzistencës së vet, shpeshëherë në luftë për identitet politik, kulturor e historik si entitet më vete. Perandori të mëdha e të vogla prej antike e këndej janë ngritur, kanë lulëzuar, e kanë rënë, ndërsa Kosova – si Dardani antike apo si njësi me identitet të veçantë përgjatë historisë – ka ruajtur substancën e vet me bazë shumicën parashqiptare e shqiptare, dhe me pakicat etnike, që kanë jetuar këtu nëpër shekuj përgjatë evolucionit historik të kësaj hapësire gjeografike e politike.

    Pavarësinë e Kosovës e shpallëm sot, kur sapo janë mbushur dy vjet nga vdekja e Ibrahim Rugovës, burrit më të madh të Kosovës, themeltarit të shtetit tonë. Rugova, Ati i Kombit tonë, në kuptimin politik të fjalës, dhe Adem Jashari, komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që mbush muajin tjetër 10 vjet të jetës në amshim, pasi ra në altarin e lirisë në Prekaz, përbëjnë binomin e pandashëm të pavarësisë së Kosovës. Ibrahim Rugova e nxori Kosovën prej kaosit në organizim, me rend të brendshëm demokratik e me struktura elementare shtetërore, deri edhe me përfaqësim diplomatik në bërthamë. Me këto dhe veprime të tjera ai ngriti dhe promovoi kulturën shtetformuese të Kosovës. Veprimi dhe organizimi kanë qenë palca kurrizore e aksionit politik të Ibrahim Rugovës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të lëvizjes më të organizuar shtetformuese që kanë pasur shqiptarët në historinë e vet moderne, amën e shtetit të Kosovës dhe të pluralizmit politik të vendit tonë, dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), organizimit më të suksesshëm të vullnetit luftarak të popullit tonë për liri dhe mëvetësi. Veprimtaria e lëvizjes politike që drejtoi Rugova ka qenë vetë lufta totale politike me organizim, i cili ka shtruar rrugën për të mbramen: për luftën me armë për liri e për ekzistencë njerëzore e nacionale, emblemë e përjetshme e së cilës mbetet komandanti Adem Jashari.

    Çfarë shteti të Kosovës po krijojmë? Nëse jo në versionin idealist të Rugovës, të ideologut të pavarësisë së Kosovës, e të luftëtarëve me armë, shteti më i ri në Evropë e në botë po ndërtohet mbi themelet që kishte vënë Republika e Kosovës, e ngjyer me sakrificën e brezave e me gjakun e rreth 15.000 kosovarëve që ranë në altarin e lirisë në fund të shekullit të kaluar, para më pak se një dekade. Kjo Kosovë është shtëpi e të gjithëve, e shqiptarëve shumicë dërmuese dhe e të gjitha komuniteteve pakicë, duke përfshirë edhe serbët, me paqe të brendshme e raporte miqësore me fqinjtë, pjesë e Unionit Evropian dhe NATO-s dhe me marrëdhënie speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës.

    Zonja dhe zotërinj,

    Kosova do të gjendet prej sot në hartën politike të botës. Synimi historik i popullit të Kosovës u realizua. Ëndrra jonë shekullore u bë realitet. Ne marrim atributet e nderit, por edhe përgjegjësitë që i takojnë shtetit, pas një ndërmarrjeje shtetformuese shumë të veçantë që e bën rastin e Kosovës sui generis. Këto përgjegjësi i marrim para të gjithë qytetarëve tanë, por edhe para bashkësisë ndërkombëtare. Tash vazhdon jeta me sprovat e ditëve, të javëve, të muajve, të viteve, e të dekadave që ka përpara ky brez i njerëzve tanë, i shtetasve të Republikës së Kosovës, që kanë fatin të jenë bashkëkohës të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë. Ne besojmë se trashëgimtarët tanë do të kenë arsye të ndihen krenarë me paraardhësit e vet, me vizionin e tyre për jetën e re të kombit tonë, me shpirtin e tyre fisnik, me frymën e tyre të paqes, të farkuar në vazhdën e stuhive barbare, të mizorive e të krimeve të luftës që prodhoi e keqja e fundshekullit të XX.

    Kosova shtet po lind sot me ode gëzimi për shumicën dërrmuese të popullit tonë. Mirëpo, duhet pranuar se një pjesë e bashkëqytetarëve tanë, e shtetasve të Republikës sonë të re, nuk e kanë pritur lindjen e këtij shteti me entuziazëm. Disa e kanë pritur edhe me drojë. E bëjmë të qartë dhe e themi zëshëm dhe solemnisht: Liria jonë do të jetë e të gjithëve! Liria jonë s’mund të jetë kërcënim për askë, aq më pak për bashkëqytetarët tanë. Kësaj lirie të përbashkët i kërcënohet vetëm paragjykimi i atyre që e kanë parë shoqërinë tonë nga prizmi i dominimit. Kosova e re është arenë e barazisë së të gjithëve, jo e dominimit të askujt mbi askë. Kjo është besa jonë, e njerëzve të mirë të Kosovës dhe e institucioneve të saj, që do të shenjtërohet edhe me Kushtetutën e Republikës, e cila do të miratohet nga Kuvendi pas disa javësh. Bashkë me Kushtetutën dhe krahas me të do të miratohet edhe korpusi i ligjeve që përplotëson kornizën ligjore të Republikës së Kosovës, që, sipas nenit të parë të Kushtetutës së saj, është “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. Një pjesë e këtij korpusi tashmë është miratuar nga legjislatura e përparshme e Kuvendit. Kjo dëshmon se përkushtimi i kosovarëve për këtë rend të ri të brendshëm të Kosovës nuk determinohet nga përbërja e një legjislature, apo e një Qeverie të Kosovës. Ky përkushtim është më i madh se rezultati i stinëve politike, i cikleve demokratike, nëpër të cilat do të kalojë Republika jonë.

    Republika e Kosovës do të kërkojë kulm të ri në Unionin Evropian dhe në NATO. Integrimi ynë do të shkojë natyrshëm sepse me vlera të veta, Kosova kulturalisht bën pjesë në këtë familje që moti. Tashti na duhet edhe integrimi politik për të siguruar mundësi që potencialet njerëzore e materiale të vendit tonë të vihen në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm shoqëror e ekonomik të vendit tonë.

    Pavarësia e Kosovës e bën të mundshme pjesëmarrjen e vendit tonë në proceset ekonomike globale, të cilat shkojnë nëpër bashkëpunime rajonale dhe multilaterale fillimisht. Vendi ynë do të krijojë mundësi për jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit, sepse shteti ynë do të jetë partner sovran në marrëdhëniet me të tjerët, në mbrojtje të vlerave e të qytetarëve të vet, duke respektuar dhe promovuar vlerave universale në udhën e progresit për të gjithë.

    Institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës – IPVQ, siç janë quajtur me një akronim jo fort kumbues – Republika i shndërron në institucione të përkohshme që s’do të quhen të përkohshme, por as të përhershme. E përhershme është tani vetëm Republika – është liria e Kosovës.

    E përjetshme qoftë Republika e Kosovës! Sot e për mot një ode gëzimi për ne vdektarët, për kalimtarët e kësaj bote.

    Republika e Kosovës kërkon përqafimin e botës.

    Ju falemnderit!

    Presidenti i Kosovës

    Dr. Fatmir Sejdiu

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,341
    Postimet në Bllog
    22
    Fjala e Presidentit dr. Fatmir Sejdiu në Parlamentin e Kosovës në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës



    I nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi, I nderuar Kryeministër i Kosovës, z. Hashim Thaçi, Të nderuar deputetë dhe ministra, E nderuara familje e Presidentit Rugova,

    E nderuara familje Jashari,
    Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,
    Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
    Të nderuar qytetarë të Kosovës,
    Poštovani poslanici,
    Poštovani gradjani Kosova,
    Zonja dhe Zotërinj,

    Dita e sotme e ndan historinë e Kosovës në dysh: në epokat para dhe pas pavarësisë. Pavarësinë e Kosovës e kanë krijuar breza të tërë me veprën e tyre jetësore, me punë të palodhshme dhe me sakrificat që kanë bërë. Pavarësinë tonë po e shpallim para dhe me bekimin e botës, në mes miqsh tanë që u gjetën pranë nesh gjatë dekadave e sidomos para një dekade kur e keqja kishte përfshirë këtë pjesë të Ballkanit. Po të njejtit miq ishin me ne edhe gjatë rimëkëmbjes së pasluftës, rindërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta dhe okupimi.

    Sot, kujtojmë shumë sakrifica që i kanë paraprirë kësaj dite të jashtëzakonshme. I kujtojmë nënat dhe baballarët të cilët përjetuan vështirësi të papërshkrueshme në mënyrë që bijtë dhe bijat e tyre të mund të jetonin të lirë. Sot, kujtojmë Presidentin Ibrahim Rugova, udhëheqësin e madh dhe themeltarin e shtetit tone, i cili e nxorri Kosovën nga kaosi në rend demokratik. Sot, kujtojmë Adem Jasharin dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që e çuan tutje vullnetin e popullit të Kosovës për të qenë të lirë. Poashtu kujtojmë edhe fqinjtë tanë të të gjitha përkatësive etnike, ideologjike e religjioze të cilët na dolën në ndihmë gjatë viteve të represionit dhe luftës. I kujtojmë të gjitha këto jo në shenjë hakmarrjeje për të kaluarën e dhunshme, por për të ndërtuar një të ardhme plot besim që do të ofrojë ambient për pajtim dhe falje.

    Këto ngjarje të madhërishme të historisë sonë – sakrificat tona, si dhe shpresat dhe arritjet tona – na kanë sjellë sot këtu për të shpallur pavarësinë tonë. Kjo shpallje e pavarësisë është vullnet i popullit. Është rrjedhojë morale dhe logjike e historisë sonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special Marti Ahtisari. Pavarësia e Kosovës shënon fundin e procesit të gjatë të shpërbërjes së Jugosllavisë. Pas dy vitesh angazhimi në negociata të mirëfillta mbi statusin me Beogradin dhe përkundër angazhimit serioz dhe konstruktiv të Ekipit të Unitetit të Kosovës, arritja e një zgjidhjeje të pranueshme për dy palët nuk ishte e mundshme. Prandaj, u desh të vepronim për t’i ofruar popullit tonë një perspektivë të qartë me qëllim të avancimit të zhvillimit tonë politik, shoqëror dhe ekonomik.

    Vizioni ynë për Kosovën është shumë i qartë.

    Dëshirojmë që Kosovën ta ndërtojmë mbi parimet fundamentale demokratike. Kjo do të thotë se Kosova do të jetë një shtet demokratik, shumetnik, i integruar në rajon, me marrëdhënie të mira fqinjësore me shtetet përreth, një shtet që lëviz shpejt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkësinë Euro-atlantike. Populli i Kosovës është përcaktuar dhe dëshiron një të ardhme evropiane për vendin e vet.

    Propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës në mars të vitit të kaluar ka marrë edhe përkrahjen e Kuvendit të Kosovës. Kjo pako u jep serbëve por edhe pakicave tjera: turqve, boshnjakëve, romëve, ashkalinjëve dhe egjiptasve, garancë të fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të tyre kulturore e politike, që në shumë pika tejkalojnë edhe standardet më të avancuara ndërkombëtare për të drejtat e pakicave. Kushtetuta e Republikës së Kosovës u garanton komuniteteve pakicë pjesëmarrje të gjithanshme dhe kuptimplote në vendimmarrje.

    Të nderuar pjesëmarrës të kësaj seance historike të Kuvendit të Kosovës,

    Prioritet nacional për Republikën e Kosovës në javët dhe muajt e ardhshëm është zbatimi i plotë i Planit të Ahtisarit. Shumë shpejt synojmë të miratojmë ligjet dhe Kushtetutën e re të Kosovës e cila mishëron edhe parimet e Ahtisarit. E gjithë kjo do të pasohet me veprime konkrete në terren për zbatimin e dispozitave që përmban plani i Presidentit Ahtisari.

    Kosova me aktin e sotëm poashtu po merr përgjegjësitë që i takojnë si shtet. Në të njëjtën kohë, Kosova rithekson përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë me Bashkësinë Ndërkombëtare për ndërtimin e një shteti në pajtim me normat dhe parimet më të avancuara të demokracisë. Për këtë qëllim Kosova mirëpret vendosjen e pranisë civile ndërkombëtare, e cila do të mbështesë zhvillimin e mëtejmë demokratik të vendit tonë por, edhe do të mbikëqyrë zbatimin e Planit të Ahtisarit. Në veçanti, vlerësojmë gatishmërinë e BE-së për të marrë një rol më të madh në Kosovë. Poashtu mirëpresim vazhdimin e pranisë ushtarake të trupave të NATO-s. Zotohemi se do të bashkëpunojmë ngushtë me përfaqësuesit civilë dhe ushtarakë në Kosovë.

    Jemi të vetëdijshëm se pjesëtarë të komuniteteve pakicë në Kosovë e shikojnë pavarësinë me frikë dhe skepsë. Ne do të bëjmë çmos që të sigurohemi se të drejtat, kultura dhe prona e tyre do të respektohen në mënyrë rigoroze në Kosovën e pavarur.


    Poštovani gradjani Kosova,
    Poštovani poslanici,

    Još jednom želim da iskoristim ovu svečanu priliku da ponovo pozivam sve gradjane Kosova, pre svega gradjane srpske zajednice na Kosovu da daju svoj doprinos u zajedničkoj izgradnji jednog Evropskog Kosova u kojem svaki gradjanin će se osećati u svojoj kući. Kosovo je podjednako vaša kuća i vaša domovina. Vaša prava i prava pripandika drugih zajednica u nezavisnom Kosovu biće stalna obaveza naših državnih intitucija. Srpsko kulturno i religiozno nasledje biće potpuno zaštićeno. Vas etnički i jezični identitet biče potpuno poštovan. A to čemo ostvariti zajedničkim radom u svakodnevnom životu i u institucijama Kosova.

    Të nderuar deputetë,

    Duam të theksojmë fuqishëm se Kosova dëshiron marrëdhënie të fqinjësisë së mirë edhe me Serbinë mbi bazën e respektimit të ndërsjellë. Shpresojmë se synimi ynë për të normalizuar marrëdhëniet me Beogradin sa më shpejt që të jetë e mundur do të përkrahet edhe nga Serbia.

    Jemi mirënjohës për rolin dhe punën që ka bërë OKB-ja në rindërtimin e Kosovës së pasluftës. OKB-ja do të vazhdojë të luajë një rol në Kosovë për aq kohë sa Rezoluta 1244 do të jetë në fuqi. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me OKB-në për të avancuar qëllimet tona të përbashkëta për paqe, siguri dhe zhvillim demokratik të Kosovës deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në këtë organizatë prestigjioze.

    Integrimi ynë do të rrjedhë natyrshëm sepse me vlerat e veta Kosova kulturalisht i ka takuar kësaj familjeje gjithnjë, por tashti në rrethanat e reja Kosovës i duhet integrimi politik për të krijuar mundësi të reja në mënyrë që resurset njerëzore dhe natyrore të vihen në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm shoqëror e ekonomik të vendit tonë.


    Zonja dhe Zotërinj,

    Republika e Kosovës sot kërkon përqafimin e botës. Ndërsa presim njohje të shpejtë nga shumë vende të botës, me pietet të veçantë kujtojmë shumë personalitete të mëdha botërore që qëndruan përkrah popullit të Kosovës gjatë dekadave e sidomos gjatë orëve më të vështira të tij.

    Populli ynë do të dijë t’u jetë përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe vendeve të tjera të botës demokratike për përkrahjen e pazëvendësueshme për vendin tone, Kosovën.

    Zoti e bekoftë popullin e Kosovës!

    Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

    Zoti i bekoftë të gjithë miqtë e Kosovës!

  5. #5
    Perjashtuar Maska e _Matrix_
    Anëtarësuar
    07-06-2007
    Vendndodhja
    Paris
    Postime
    489
    Fjalimi i Kryeministrit Hashim Thaçi në Ditën e Pavarësisë

    E Diel, 17.02.2008 17:05

    I nderuari Kryetar i Kuvendit,
    Të nderuar deputetë,
    I nderuari President
    Të nderuar mysafirë,
    Bashkëqytetarë të nderuar;

    Këtë ditë e kemi pritur gjatë.

    Shumë njerëz kanë dhënë kaq shumë për ta bërë realitet këtë ditë të pavarësisë.

    Sot, ne nderojmë ata që na kanë nderuar neve me sakrificën e tyre.

    Ne i mbajmë mend emrat e tyre ndërsa kujtimin për ta do ta ruajmë përgjithmonë në zemrat tona. Ne jemi mirënjohës miqve dhe aleatëve tanë në vend dhe jashtë vendit të cilët na kanë ndihmuar të mbërrijmë deri këtu.

    I përshëndes të gjithë ata që janë sot këtu me ne ndërsa atyre që janë duke na shikuar në këto momente, u shpreh mirënjohjen më të thellë në emër të popullit tim.

    Kjo ditë erdhi, e nga sot e tutje Kosova është krenare, e pavarur, sovrane dhe e lirë.

    Familja ime, sikurse tuajat dhe të gjitha familjet në tërë Kosovën nuk u luhatën kurrë dhe nuk e humbën asnjëherë besimin në ne.

    Besimin në zot, drejtësi dhe fuqi.

    Duke filluar më vëllanë që la familjen e tij dhe shkoj për të luftuar, nga bujku që la tokën e tij pa mbjellë, nga burrat dhe gratë që hapën portat e tyre dhe mësuan fëmijët tanë, e deri tek studentët të cilët u ngritën dhe thanë ‘mjaft’.

    Të gjithë atyre që janë kthyer për të ndërtuar një jetë më të mirë për fëmijët e tyre: ‘ne nuk humbëm kurrë besimin në ëndrrën se një ditë ne do të qëndrojmë në mësin e shteteve të lira të botës.

    Të gjithë ne së bashku e sollëm Kosovën në këtë moment -dhe të gjithë duhet te jemi shumë, shumë krenarë.

    Ashtu sikur prindërit dhe gjyshërit e mi që më mësuan mua për sakrificë, se çka do të thotë të jesh i lirë, nga ju kërkoj që të flisni me fëmijët, nipat dhe mbesat tuaja që t’ua shpjegoni domethënien e ditës së sotme.

    Barteni këtë rrëfim tek brezat tjerë për gëzimin dhe krenarinë që ndiejmë ne sot dhe mos harroni asnjëherë t’ua përkujtoni atyre që t’i kujtojnë sakrificat e mëdha të brezave që ishin para nesh.

    Kosova, në vitet e ardhshme, do të përballet me shumë sfida.

    Por, asnjë sfidë nuk do të na zmbraps nga ecja jonë përpara në një frymë të bashkuar të një populli të bashkuar.

    Sfidat tona, që nga ekonomia, arsimi dhe shëndetësia, infrastruktura dhe integrimi evropian, janë sfida të mëdha, por nuk mund t’u bëjnë ballë frymës pozitiover të qytetarëve tanë dhe fatit tonë.

    Kosova, populli dhe territori, janë bashkuar sot në një moment historik për t’i përmirësuar jetërat e çdo qytetari brenda kufijve tanë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

    Shpresat tona nuk kanë qenë asnjëherë më të mëdha.

    Ëndrrat tona janë të pakufishme.

    Sfidat para nesh janë të mëdha por asgjë nuk mund të na ndalë nga ecja jonë përpara drejt çasteve historike të cilat historia i ka ndarë për ne.

    Sot, e gjithë bota është me ne-ne po behemi pjesë e barabartë e botë demokratike.

    Deri tash kemi bërë shumë për të garantuar zotimin tonë para komuniteteve.

    Në këtë ditë historike dëshiroj ta konfirmoj gatishmërinë tonë politike për të krijuar kushtet e nevojshme për respektimin dhe mbrojtjen e komuniteteve dhe për të përmirësuar raportet midis tyre në Kosovë.

    Kushtetuta dhe ligjet tona do ta pasqyrojnë këtë së bashku me një strategji ndërinstitucionale në të gjitha nivelet e shtetit.

    Këto zotime tonat do të mishërohen në tri elemente kryesore:

    E para, garantimi i fuqishëm dhe i pakthyeshëm me ligj i të drejtave të barabarta të të gjithë pjesëtarëve të komuniteteve në Kosovë;

    E dyta, krijimi i mekanizmave të përhershëm për të garantuar që komunitetet të luajnë një rol të plotë dhe aktiv në zhvillimin e së ardhmes së vendit tonë;

    dhe e treta, është përgjegjësia jonë për të marrë masa efektive dhe të menjëhershme për të siguruar që zotimet tona të rezultojnë në ndryshime pozitive për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, e në veçanti për pjesëtarët e komuniteteve.

    Kushtetuta jonë parasheh që Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj.

    Nuk ka hapësirë për frikësim, diskriminim ose trajtim jo të barabartë për askënd.

    Çdo praktikë diskriminuese do të çrrënjoset nga institucionet tona shtetërore.

    Në vend të kësaj, të gjithë pajtohen se shumëllojshmëria sjell përfitime pozitive për të gjithë.

    Dragi sugradjani,

    Danashnji dan označva kraj jednog dugog procesa.

    Ovo je kraj zadnjih pretnji i zabluda da će Kosovom ikada više vladati Beograd.

    Sami Kosovari, svih etničkih, verskih i jezičkih pripadnosti će jedno nositi odgovornosti o svojoj zemlji.

    Mi činimo Kosovo nezavisnim sa ciljem da slobodu i ostale blagodati naše zemlje uzivaju svi gradjani.

    Neka ovo bude dan novog početka.

    Neka ovaj dan označi početak bolje budćnosti za sve naše građane države Kosovo.

    Neka naš Dan Nezavisnosti bude slavljen u narednim godinama i vekovima u potpunom miru, pravdi i blagostanju.

    I nderuari Kryetar i Kuvendit,
    Të nderuar deputetë,
    I nderuari President
    Të nderuar mysafirë,
    Bashkëqytetarë të nderuar;

    Kosova po e shpall pavarësinë e saj në përputhje me Propozimin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit.

    Pavarësia e Kosovës shënon fundin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Zbatimi i dispozitave të Ahtisarit të cilat janë inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës janë prioritet nacional për ne.

    Kuvendi i Kosovës do të miratojë të gjitha ligjet kryesore që dalin nga dokumenti i Ahtisarit në ditët në vijim.

    Kosova çmon rolin të cilin e ka luajtur OKB-ja në rindërtimin e Kosovës dhe të ndërtimit të institucioneve tona.

    Presim të punojmë me OKB-në për të avancuar përpjekjet tona të përbashkëta për paqen, sigurinë dhe zhvillimin demokratik.

    Gjithashtu, ne mirëpresim misionin e ri ndërkombëtar të udhëhequr nga Bashkimi Evropian i cili do të na ndihmojë në zhvillimin tonë demokratik dhe do ta mbikëqyr zbatimin e planit të Ahtisarit.

    Me këtë rast, dua t’i siguroj fqinjët tanë se Kosova do të bëjë çmos që të vendos dhe mbajë raporte të mira me të gjitha vendet fqinje.

    Ne aspirojmë të kemi raporte të mira të ndërsjella në interesin e përbashkët edhe me Beogradin me besimin se kjo është në interesin tonë të përbashkët.

    Që nga sot, Kosova do të jetë shtet demokratik dhe shumë-etnik i të gjithë qytetarëve të saj, në rrugëtimin e saj të shpejtë drejt integrimeve euroatlantike.

    Ju faleminderit.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 18-02-2008 më 13:18

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,341
    Postimet në Bllog
    22
    Deklara e familjes JASHARI per Pavaresine e Kosoves

    Familja e komandantit legjendar Adem Jashari, bashke me Murat Jasharin, djalin e kesaj familjeje, priten plot emocion Deklaraten e Pavaresise. Familja e cila me pas u be simbol i rezistence se armatosur kunder regjimit serb u shpreh se shpallja pavaresise se Kosoves eshte nje ndjenje kombetare dhe me kete po hapet edhe nje kapitulli i ri qe do te jete krenari dhe pergjegjesi.
    kryefamiljari Jashari tha se brezi qe po e perjeton pavaresine e vendit eshte brez i arte, i cili edhe do ta ndertoje Kosoven e re.

    Duke mos e harruar te kaluaren e familjes se tij dhe te familjeve te tjera te deshmoreve qe rane per lirine dhe shtetesine e Kosoves, Murat Jashari tha se e vetmja gje qe mund t’u thote qytetareve te Kosoves ne keto momente eshte urime dhe e gezofshim pavaresine.


    BallkanWeb
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 18-02-2008 më 13:19

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,341
    Postimet në Bllog
    22
    Fjala e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi

    E Diel, 17.02.2008 17:38

    Kosova po e hap sot një faqe të re të historisë dhe po e ndërron hartën politike të Evropës. Duke lënë pas kujtimet e hidhura të urrejtjes e të konflikteve tragjike, ne po hyjmë në epokën e pavarësisë, të paqes dhe të përparimit të vendit tonë.

    Paqe dhe liri të vërtetë mund të ketë vetëm midis të barabartëve. Kosova e pavarur do të jetë atdheu i qytetarëve të barabartë e të lumtur, duke u ngritur mbi themelet e vlerave më të mira të traditës së saj dhe sipas parimeve të demokracisë moderne.

    Brezi i sotëm i Kosovës ka privilegj të veçantë për kthesën e madhe historike, që i bën nder, por bashkë me të ka edhe përgjegjësinë e lartë të ndërtimit demokratik e evropian të atdheut të vet dhe të brezave që do ta trashëgojnë.

    Zotimi ynë solemn për Kosovën shtet demokratik, është kontrata me qytetarët e saj dhe partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare, është premtimi i përkushtimit jetësor për vlerat më të përparuara e themeltare të shoqërisë së sotme njerëzore.

    Kosova, asnjëherë në jetën e saj nuk ka pasur miq sa ka sot, por nesër do të ketë edhe më shumë. Kultura dhe rendi demokratik, shteti ligjor, përkushtimi paqekrijues, fqinjësia e mirë dhe fryma e dialogut, respektit dhe besimit, do të jenë baza e zgjerimit të miqësisë dhe bashkëpunimit e partneritetit.

    Shfrytëzoj këtë rast solemn, të shpreh ndjenjën e përuljes së popullit të Kosovës ndaj gjithë atyre që u flijuan në altarin e lirisë së Kosovës.

    Me respekt të veçantë përshëndes gjithë miqtë tanë, që me përkushtim ndihmuan Kosovën në çastet vendimtare dhe historike. Populli shqiptar dhe qytetarët e Kosovës do t’u jenë mirënjohës përjetë.

    Në këtë ditë të shënuar, ndihem i nderuar të përshëndes përfaqësuesin e familjes së madhe Jashari, zotin Rifat Jashari. Familja Jashari është përfaqësuese e gjithë flijimeve për liri të popullit shqiptar, është institucioni më shumë se moral që ka dhe do ta ketë Kosova.

    I nderuar zoti President i Kosovës
    I nderuar zoti Kryeministër i Kosovës
    Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës
    Të nderuar përfaqësues të prezencës ndërkombëtare në Kosovë
    Të nderuar miq dhe të ftuar
    Të nderuar qytetarë të Kosovës dhe bashkatdhetarë, kudo të ndodheni

    Zonja dhe zotërinj

    Kam kënaqësinë t’ju përshëndes në emër të Kuvendit të Kosovës dhe në emrin tim, juve dhe të gjithë ata që po na përcjellin kudo në botë në këto çaste, duke ju dëshiruar mirëseardhje në këtë seancë solemne.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 18-02-2008 më 13:17

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,341
    Postimet në Bllog
    22
    Kryeministri Berisha përshëndet pavarësinë e Kosovës, menjëherë pas shpalljes së saj

    Sapo përjetuam si shqiptarë momentin më solemn të kombit, do të thosha ditëlindjen e vërtetë të tij.

    Deputetët e Kosovës votuan pavarësinë e vendit të tyre, duke shënuar kështu nxjerrjen dhe vendosjen e Kosovës në brigjet e lirisë, shpresës, dinjitetit dhe integrimit europian, pas një udhëtimi 600 vjeçar sakrificash sa asnjë komb tjetër në histori.

    Kjo ditë, ky moment detyron çdo shqiptar të përulet me nderimin më të thellë para lumenjve të sakrificave mbinjerëzore që shqiptarët e Kosovës bënë për liri, dinjitet dhe pavarësi, të përulemi para lumenjve të sakrificave që ata bënë për të shpëtuar kombin. Edhe një herë, dua të theksoj sot se luftuan ata, ishin kryengritjet e mëdha gjigante të fillimit të shekullit të kaluar që e bënë Shqipërinë të pavarur dhe bënë që kombi ynë të mbijetojë si një komb i pavarur në njërën pjesë të tij.

    Për 90 vjet, ata përjetuan regjimin më të egër kolonial dhe nuk u mposhtën, por mbajtën të gjallë besimin tek liria, dinjiteti dhe e ardhmja.

    Sot, ne përulemi me nderimin më të thellë para veprës së pavdekshme të Presidentit Ibrahim Rugova, themeluesit të Kosovës moderne europiane, komandantit legjendar Adem Jashari, simbolit më të ndritur të qëndresës dhe sakrificës kombëtare për liri e dinjitet, para dhjetëra e mijëra djemve e vajzave të Kosovës që mbushën rrugët e malet e saj për të mbrojtur nderin e dinjitetin kombëtar.

    Ne përulemi me nderimin më të thellë para atyre burrave e grave të botës së lirë të Kongresit Amerikan e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, të Britanisë së Madhe, të Francës, Gjermanisë, Italisë, Parlamentit Europian që në ditët më të vështira qëndruan në anën e lirisë së një kombi të shtypur.

    Ne përulemi para NATO-s, Aleancës më të shkëlqyer të historisë së të gjitha kohërave, që bëri të mundur këtë ditë, punës së jashtëzakonshme që ka bërë Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

    Ne, shqiptarët, nuk mund të shpërblejmë ndryshe veçse duke çelikosur aty ku jemi, në Shqipëri, në Kosovë, ato parime të mëdha për të cilat ata na mbështetën.

    Akti i pavarësisë së Kosovës e bën Ballkanin më të lirë e më të drejtë se kurrë. Parlamentarët e Kosovës firmosën me votën e tyre fundin e një gadishulli që bazohej në hegjemoninë e një kombi ndaj kombeve të tjera dhe çelën përfundimisht kapitullin e një rajoni të kombeve të barabartë, të kombeve që punojnë për një projekt të përbashkët, për integrimin europian dhe në NATO, të kombeve të vendosur të lënë mbrapa armiqësitë e konfliktet dhe të ndërtojnë bashkëpunimin, miqësinë dhe të ardhmen e përbashkët.

    Pavarësia e Kosovës e bën kontinentin tonë më të drejtë, sepse i jep fund një prej padrejtësive më të mëdha, të realizuar në fillim shekullin e kaluar.

    Me këtë rast, përshëndes udhëheqjen e Kosovës, Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit, deputetët dhe qeverinë, si dhe të përqafoj të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë ditë, në të cilën ne ndajmë të njëjtin gëzim.

    Dua të garantoj se qeveria shqiptare do të japë të gjithë ndihmesën e saj për konsolidimin e pavarësisë së Kosovës, do të bashkëpunojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian për suksesin e plotë të këtij akti madhor jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë Ballkanin, për konsolidimin e atij dokumenti që gjeti mbështetje universale, dokumentit të Presidentit Ahtisaari.

    Shqipëria në ditët që vijnë do të bashkërendojë të gjitha qëndrimet e veta me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeveritë e vendeve mike të Bashkimit Europian.

    Shqipëria beson se hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet midis shqiptarëve e serbëve dhe siguron kombin serb, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e mëdha të Bashkimit Europian se ne do të bëjmë çdo përpjekje për paqen, stabilitetin dhe integrimin rajonal.

    Zoti e bekoftë Kosovën e pavarur,

    Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë.

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,341
    Postimet në Bllog
    22
    Deklarata e Presidentit Topi në përshëndetje të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

    17 shkurt 2008

    Unë përshëndes deklaratën e institucioneve të Kosovës, mbi bazën e të cilës Kosova shpall sot pavarësinë e saj!

    Dita e sotme është një ditë historike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin dhe fqinjët e saj, sepse përfundimisht korrigjon gabimet e rënda historike që janë bërë në këtë pjesë të Evropës.

    Sot është një ditë e lumtur, ditë e madhe dhe me shumë emocion për të gjithë Kosovën, për popullin e saj, për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku ata ndodhen, sot është dita e festës më të madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. Më së fundi ata do të kenë të gjithë bashkë shtetin e tyre më të ri në Botë dhe do të gëzojnë së bashku ata frytet e këtij shteti të ri evropian.

    Ky çast është shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe fqinjët e saj, rajonin tonë dhe Evropën, sepse zgjidh përfundimisht hallkën e fundit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, ngërçin e fundit politik, ushtarak e diplomatik si dhe krijon një hapësirë demokracie, sigurie, paqeje dhe stabiliteti afatgjatë.

    17 shkurti 2008, ajo minutë historike që është fryt i kurorërizimit të përpjekjeve dhe sakrificave madhore, përbën fillimin e një epoke të re besimi reciprok dhe shprese në të ardhmen, në të gjithë Evropën, duke lënë përfundimisht pas, kohën e luftërave ndëretnike të përgjakshme, kohën e genocidit dhe spastrimeve mbi baza etnike, kohën e kombeve të privilegjuara e të nënshtruara. Kjo është fitorja më e madhe e demokracisë në Evropën Lindore që nga rrëzimi i Murit të Berlinit.

    Në këto çaste, ne kujtojmë me respekt dhe nderojmë veprën e të gjithë atyre që luftuan, sakrifikuan, dhanë jetën dhe gjakun e tyre, burrat, nënat dhe motrat kosovare, për realizimin e këtij akti historik.

    Sot, Kosova dhe gjithë institucionet e saj falenderojnë të gjithë aleatët e rëndësishëm ndërkombëtare, të cilët shprehën vendosmërinë dhe angazhimin e tyre serioz gjatë gjithë procesit të përfundimit të statusit të pavarësisë së Kosovës.

    Dëshiroj sot, të përshëndes të gjithë qytetarët e Kosovës dhe politikanët e saj, në mënyrë të veçantë Presidentin e Kosovës, zotin Sejdiu, Kryeministrin zotin Thaçi, Kryetarin e Parlamentit, zotin Krasniqi, të cilët po dëshmojnë përgjegjësi, dinjitet, maturi, kulturë, koncepte evropiane në procesin e ndërtimit të institucioneve të Kosovës, duke provuar se, e ardhmja e këtij shteti të ri është në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

    Këtë ditë, të gjithë duhet të përshëndesim rolin e patjetërsueshëm të faktorit shqiptar, i cili është kontribuesi më i madh për stabilitet, paqe dhe siguri në rajon, i cili mbështeti të gjitha proceset e rëndësishme integruese euroatlantike dhe demokratike në rajon e në Evropë, duke u bërë një partner i besueshëm i NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Sot, është dita e së ardhmes së Kosovës, dita e së ardhmes për Shqipërinë, për të gjithë rajonin dhe për Evropën e Bashkuar.

    Ju faleminderit!

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,341
    Postimet në Bllog
    22
    Kadare: Po na ndodh diçka e madhe, që ndodh rrallë në jetën e popujve

    Paris/Prishtinë, 17 shkurt Shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare shpalljen e sotme të pavarësisë së Kosovës e vlerësoi si ngjarje të rëndësishme për historinë tonë dhe një ditë jashtëzakonisht të madhe. "Është e pamjaftueshme, duket e zbehtë, jo në gjatësinë e kësaj dite, domethënë gjuha është e zbehtë, e papërgatitur për një ngjarje kaq të madhe, që vjen njëherë në disa shekuj. Ne të gjithë po e përjetojmë këtë gjë dhe e kemi të vështirë ta shprehim, por kjo nuk na pengon ta ndjejmë në thellësinë më të madhe të saj", u shpreh sot Kadare për RTK. Duke vlerësuar zhvillimet pas deklaratës së pavarësisë, Kadare tha se liria është parimi më i madh dhe më sublim në botë dhe fakti që dita e sotme kudo në të gjitha mediat botërore ndiqet me një lloj ndjenje gati të shenjtë. Kjo, siç tha ai, ka lidhje me faktin se populli i Kosovës, bashkë me gëzimin e tij po i tregon gjithë botës, përkatësisht po i rikujton edhe njëherë se s'ka gjë më sublime se liria. "Popujt që kanë atë ndonjëherë jo që harrojnë, por ndoshta nuk e çmojnë aq sa ata që e përjetojnë për herë të parë, si të thuash është modeli i përjetshëm i lirisë që i pret të gjithë dhe kështu shpjegohet kjo ditë, dhe sidomos sot gjithë bota është e elektrizuar dhe e ndjek si asnjëherë tjetër këtë ngjarje të rëndësishme për Kosovën. Ne kemi parë shumë shtete që janë themeluar këto dhjetë vitet e fundit, por asnjëri prej tyre, asnjë shtet i ri nuk ka pasur këtë eksitim ndërkombëtar, këtë ndezje siç të thuash, këtë emocion të krijuar dhe po krijon sot në gjithë planetin tokësor Kosova. Është vërtetë një gjë e mrekullueshme, shqiptarët e Kosovës e patën këtë fat". Kadare tha se ka raste kur e drejta ka humbur në këtë botë, ka raste kur popujt nuk kanë fituar dot. Andaj ai tha se duhet kujtuar të gjithëve për ta çmuar më tepër këtë që ndodhi me popullin e Kosovës, sepse mund të mos ndodhte në qoftë se nuk do të ngriheshin shqiptarët me armë për lirinë, në qoftë se nuk do të kishim mirëkuptim me aleatët perëndimorë. "Pra e thashë këtë gjë që të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm që kjo që po ndodh është një fat i madh, fati nuk erdhi sigurisht nga qielli, por erdhi nga vetë populli i Kosovës, erdhi nga miqtë tanë amerikanë, evropianë dhe miqtë tanë kudo që janë në botë. Prandaj të jemi pra të ndërgjegjshëm që është një fitore tepër, tepër e madhe dhe ta çmojmë thellësisht këtë që po ndodh, të ndërgjegjshëm që po na ndodh diçka e madhe, që ndodh rrallë në jetën e popujve", tha në fund të deklaratës së tij Kadare dhe ua uroi këtë kremte të gjithë shqiptarëve në Kosovë, siç u shpreh, "me një dashuri të madhe të jashtëzakonshme".

Faqja 0 prej 7 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. "Revolucioni vonuar" dhe Ahmet Krasniqi
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 214
    Postimi i Fundit: 20-09-2018, 13:55
  2. Besim Krasniqi mbi " Programin kombetar te LDK-s"
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 30-06-2009, 03:23
  3. Akademia e Shkencave dhe heshtja ndaj sfidave te kohes
    Nga &Mitrovicalia& në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 96
    Postimi i Fundit: 18-06-2009, 19:10

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •