Kanadaja njohu Kosovën
Kanada të martën njohu pavarësinë e Kosovës nga Serbia, të shpallur muajin e kaluar, ka thënë Ministri i punëve të jashtme Maxime Bernier, duke nxitur Serbinë të tërheqë ambasadorin e saj në Otava.
"Sot ne i jemi bashkëngjitur bashkësisë ndërkombëtare dhe kemi pranuar Kosovën si një shtet të ri", ka thënë ministri Bernier për transmetuesin publik CBC.
Me rastin e njohjes së Republikës së Kosovës, ministri Bernier ka lëshuar deklaratën vijuese:
“Kemi vërejtur se një numër i theksuar i shteteve, përfshirë partnerët tonë nga G7 dhe aleat të afërm të Kanadasë, veçmë kanë njohur Kosovën.
“Kosova është një rast unik, siç është ilustruar nga historia e fundit e karakterizuar me luftë dhe spastrim etnik, roli i mëpastajshëm i luajtur nga Kombet e Bashkuara dhe NATO në administrimin e territorit dhe në ofrimin e sigurisë, dhe rolin e vazhdueshëm që organizatat ndërkombëtare siç është Bashkimi Evropian do të luajë në asistimin e Kosovës në tranzicionin e saj drejt pavarësisë së plotë.
“Siç e bën të qartë edhe deklarata e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, rrethanat unike të cilat kanë udhëhequr deri tek pavarësia e Kosovës nënkupton se kjo nuk përbën asnjë lloj precedenti. Deklaratat e bëra nga shtetet tjera që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës e kanë theksuar këtë pikë.
“Ne e mirëpresim përkushtimin e bërë nga Kosova për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve dhe pakicave tjera, përfshirë të drejtën e tyre për siguri. Kanadaja gjithashtu mirëpret përkushtimin e Kosovës për të siguruar mbrojtjen e zonave fetare dhe kulturore. Kanadaja i jep rëndësi të madhe zbatimit të plotë e këtyre dhe përkushtimeve tjera, të ndërmarra nga udhëheqësit e Kosovës në pajtim me rekomandimet e të dërguarit special të OKB-së Martti Ahtisaari.
“Zhvillimi i Kosovës në një shtet demokratik, shumetnik që respekton në tërësi të drejtat e njerëzve është thelbësor për paqen, stabilitetin politik dhe progresin ekonomik në Ballkan.
“Në këtë kontekst, Kanadaja pranon këtë realitet të ri ndërkombëtar”.
--------
Duhet, s'duhet, Kanadaja e njohu Kosovën e pavarur! Flm popullit kanadez dhe qeverisë kanadeze.
Krijoni Kontakt