LOBIM PËR NJOHJE
Shkruan: Dr. Sabri Kiçmari
Procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës është karakterizuar si një proces i shpejtë njohjeje dhe proces i lartë akordimi i botës demokratike për këtë veprim diplomatik. Njohja, megjithatë, nuk u karakterizua vetëm me një reagim të vendosur dhe pa ekuivoke, me gjuhë të qartë dhe të prerë të shteteve të demokracisë perëndimore, por edhe me befasi dhe kalkulime diplomatike, që në prapaskenë pasqyrojnë interesat e caktuara politike, ekonomike, kulturore etj.
Përderisa SHBA dhe Britania e Madhe, ashtu siç edhe pritej, ndërmorrën një veprim të shpejt të njohjes diplomatike të Kosovës, të njëjtën gjë bënë edhe Franca dhe Italia, për të cilat nuk kishte siguri të plotë se do të bënin pjesë në radhën e parë të njohjes. Me këtë akt Franca dhe Italia dëshmuan se ato janë shtete, në kuadrin e të cilave veprojnë diplomatë me përvojë, të cilët janë në gjendje të hetojnë me kohë trendet dhe të kalojnë në anën e drejtësisë dhe të njohin gjendjet e krijuara faktike.
Druajtja e RFGJ për të mos qenë në radhën e parë të shteteve janë pasojë e një ngarkese, e cila ka lidhje me historinë e re të diplomacisë gjermane: njohjen njëanshëm nga ana e qeverisë gjermane të pavarësisës së Sllovenisë dhe Kroacisë në fillim të viteve 90-të. Duke dalë në rend të parë të njohjes, RFGJ i qe nënshtruar një presioni të mëpastajmë, i cili madje pati marrë gati formë akuze për shpërbërjen e ish- Jugosllavisë. Prandaj, gjermanët nuk deshën të delnin në rendin e parë, por, nuk vonuan dhe e pranuan shtetin e Kosovës vetëm pak ditë pas shpalljes.
Ajo që i bie në sy secilit nga studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare është hezitimi i dy vendeve fqinje për të njohur shtetin e pavarur të Kosovës. Secili prej këtyre vendeve ka gjetur motive dhe arsyetime të ndryshme për të prolonguar njohjen. Përderisa Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë po mundohet që procesin e njohjes ta lidhë me përcaktimin e vijës së kufirit (pra, po mundohet të përfitojë nga situata), duke ditur rëndësinë që ka për Kosovën njohja e vendeve fqinje, Mali i Zi heziton për shkak të numrit të madh të bashkësisë serbe në këtë shtet. Të dy këto shtete e kanë të njohur se procesi i njohjes është i pashmangshëm dhe ato nuk mund ta evitojnë atë, por po presin që njohja të kalojë me një përfitim (Maqedonia) dhe pa dridhje të brendshme (Mali i Zi).
Nga këndvështrimi analitik mund të përceptohet si i pakuptueshëm qëndrimi i Sllovenisë dhe Kroacisë. Përderisa Sllovenia ka përfituar nga mbështetja e hapur, publike e deklarative, e elitës intelektuale dhe qytetarëve të Kosovës përgjatë procesit të shkëputjes së saj nga Federata e Jugosllavisë në fillim të viteve 90-të, Kroacia ka përjetuar ndihmën jo vetëm morale e publike, por edhe atë fizike nga qindra kosovarë, të cilët qenë rreshtuar në radhët e njësive kroate në luftë për pavarësinë e këtij vendi. Këto dy shtete nuk kanë interesa serioze, të cilat do të rrezikohehin në rast njohjeje të shtetit të Kosovës, prandaj është paksa i pashpjegueshëm deri në fund hezitimi i tyre.
Interesant mbetet qëndrimi i vendeve islamike. Edhe pse ka pasur një deklaratë të përfaqësuesve të Konferencës Islamike, se vendet e Konferencës do të pranojnë pavarësinë e Kosovës, deklarimi nuk është materializar me veprime konkrete për njohje. Struktura e Konferencës Islamike është shumë heterogjene në rrafshin politik, sistemor, kulturor dhe zhvillimor. Duket se kjo po sjell me vete edhe vështirësitë në akordimin e një qëndrimi të përbashkët.
Duke i pasur para sysh hezitimet e përshkruara më lart, institucionet shtetërore të Kosovës do të duhej të fillojnë një fushatë lobimi për njohje. Përpos vendeve tjera të BE dhe vendeve fqinje, të cilat nuk e kanë njohur ende shtetin e pavarur të Kosovës, fokusimi i veprimeve të politikës së jashtme të Kosovës për lobim rreth njohjes do të duhej orientuar drejt Selisë së Shenjtë, Konferencës Islamike dhe disa vendeve me ndikimi të Azisë dhe Afrikës.
Kosova duhet të sigurojë njohjen e dy të tretave të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Ky synim nuk arrihet shpejt dhe lehtë! Për të realizuar këtë synim institucionet shtetërore të Kosovës duhet shfrytëzuar jo vetëm rrethet me përvojë politike e diplomatike të vendeve pro pavarësisë së Kosovës (sidomos nga SHBA dhe BE), por edhe kuadrin kosovar me përvojë diplomatike si dhe qarqet kosovare të biznesit, të mediave dhe të shoqërisë civile.
Krijoni Kontakt