Nuk dihet sa të vërtetë ka brenda ky rrëfim, por edhe në formën e një barsolete është goxha e goditur. Në vjeshtën e vitit 1997, ndërsa shteti kishte nisur të drejtonte këmbët pas rebelimit të madh, një tregtar vlonjat e ndalon një patrullë policie dhe një prej policëve e godet: "Qëllomë vëlla, qëllomë, mjafton të kemi shtet" - kështu thuhet të ketë thënë tregtari, i cili ishte terrorizuar asokohe, si të gjithë ne, nga bandat kriminale. Në fakt, të gjithë duam që të kemi një shtet vërtet të fortë, një shtet që të ndëshkojë gjithkënd, kudo e kurdo, që shkel ligjin. Por, a është imazhi i këtij shteti të fortë ai që na u shfaq të premten në mbrëmje në emisionin "Fiks Fare"? Një djalë kishte filmuar përmes telefonit celular skenën ku një patrullë e policisë rrugore në Fushë-Krujë i dhunoi të vëllanë, më saktë e gjakosën pasi e qëlluan me tabelën e sinjalistikës në kokë. Pasi e gjakosi, polici i dorëzoi dokumentet e makinës, duke i thënë: "Hajt, ik tani merri dokumentet". Ndërsa djali, një emigrant që jetonte në Britaninë e Madhe, këmbëngulte: "Jo zoti oficer, nuk i marr, dua të drejtën time, mbaje patentën e më thuaj pse më qëllove". Nga hetimi i atyre pak momenteve të filmuara mund të nxjerrësh shumë përfundime, që konvergojnë në një konkluzion të vetëm: Policia shqiptare është ende larg, shumë larg, të qenit një levë e fortë e një shteti të fortë, por dhe demokratik.
Patrulla e policisë kishte një makinë civile me targa të huaja! Dhe nuk janë vetëm ata në Fushë-Krujë që u bënë kurban të sjelljes së tyre të dhunshme. Në çdo rrugë has patrulla policie që shëtisin me makina me targa të huaja. Të tilla makina mbanin dikur vetëm agjentët e Shërbimit Sekret, SHIK, në kohën kur këtë shërbim e drejtonte Bashkim Gazidede, me të cilat rrëmbenin edhe njerëz. Çdo kush mund të ketë plotësisht të drejtë të mos i përgjigjet sinjalit për të ndaluar apo për kontroll, një patrulle të tillë, makina e së cilës nuk ka mbishkrimin "Policia", nuk ka fenelinë dhe është me targa të huaja. Sepse, çdo kush mund të gjejë një bluzë fosforeshente, një tabelë e të vendosë postblloqe nëpër rrugë. Këtë mund ta bëjë edhe një bandë grabitësish, ku dhe kur t‘i teket. Dhe ky është një abuzim me përmasat e një skandali nga këta policë të shërbimit rrugor. Me të tilla makina mund të lëvizin vetëm agjentë të policisë kriminale, në operacione të fshehta.
Pas incidentit, polici ia riktheu qytetarit dokumentet dhe e këshillonte të ikte. Veprimet e tij në atë moment tani janë objekt i hetimit, por nga dialogu ne mund të kuptojmë se ai nuk kishte bërë shkelje, përderisa polici ia ktheu dokumentet. Në të kundërt polici duhej ta penalizonte drejtuesin e automjetit. Por ajo që është më kryesorja, policisë rrugore kurrsesi nuk mund t‘i justifikohet ndërhyrja e dhunshme, replikimi apo fyerja e qytetarëve. Forca e shtetit nuk mund të demonstrohet në këtë mënyrë. Detyra e tij është të konstatojë shkeljen, të vendosë gjobë, të bllokojë dokumentet apo edhe vetë automjetin. Kështu ndodh në çdo vend tjetër, ku çdo shkelje e kodit konvertohet në zhvlerësim të kategorisë së patentës apo gjoba të majme financiare.
Të gjithë ne jemi dëshmitarë të sjelljeve aspak serioze të këtyre nëpunësve të shtetit me qytetarët. Shumë policë reflektojnë mungesë edukate dhe korrektese. I kemi parë policët që të ndalojnë edhe pa asnjë argument, të pyesin madje edhe se ku do të shkosh e se çfarë lidhjeje ke me personat që ndodhen në makinë, të marrin dokumentet e futen në makinën e tyre (edhe me targa të huaja) në pritje që t‘u shkosh pas e t‘u japësh ndonjë kartëmonedhë. Të shndërruar kësisoj në lapangjozë, këta nëpunës shteti shkatërrojnë çdo imazh të tij dhe të bëjnë të përbuzësh çdo organ të tij. Të gjithë ne kërkojmë të kemi një shtet të fortë, i cili të penalizojë jo vetëm atë që vret dhe vjedh, por edhe atë që hedh një letër në rrugë. Madje, ne shqiptarët jemi të etur për një shtet të tillë. Ne e dimë që disiplina dhe rregulli askund botës së qytetëruar nuk është vendosur me dëshirën e njerëzve, por me forcën e ligjit dhe dhunën e shtetit. Por një shtet i fortë nuk është një shtet rrugaç. Ai polic mund të ketë pasur plotësisht të drejtë, pasi drejtuesi i makinës mund të ketë tejkaluar shpejtësinë dhe askush nuk do ta akuzonte atë për asgjë, nëse do t‘i kishte vendosur një gjobë të majme dhe do ta lejonte të ikte. Por ne të gjithë kemi të drejtë të dyshojmë se ai e ka ndaluar atë dhe ia mori dokumentet për t‘i marrë para. Raste të tilla, me njerëz të gjakosur, ka rrallë, por patrulla gjobëvënëse (grabitëse) ka me qindra, në çdo qytet e rrugë. Ne kemi ngritur gjithmonë zërin me forcë, duke qenë në krah të policisë, duke e mbështetur atë në luftën kundër krimit. Por ne duhet të kërkojmë, po me kaq forcë, edhe ndëshkimin e këtij soji polici, i cili është kontakti i parë i çdo personi me shtetin dhe imazhin e tij. Duhet të kalosh shumë hallka të shtetit për të takuar gjykatësin e korruptuar, ndërsa një polic e konstaton për pesë minuta.
Na ka mbetur ende në kujtesë tregimi i një gruaje nga Polonia, botuar në gazetën "Shekulli", para nja 4-5 vitesh. Një polic i kishte kontrolluar çantën, kur ajo hynte në Aeroportin e Rinasit, dhe kishte zbuluar disa "sende" të panjohura për të. Gruaja ishte detyruar t‘i shpjegonte se ato quheshin tamponë dhe se si e përse përdoreshin. I çuditur, policia i kishte marrë për t‘ua treguar shokëve se çfarë kishte zbuluar. Edhe nga rreshtat e një shkrimi dukej lemeria e një intelektualeje të huaj, që kishte ardhur në Shqipëri për të dhënë leksione në Universitetin e Tiranës.
GAZETA SHQIP
Krijoni Kontakt