Pozita midis e ortodoksëve
Ka shumë gjëra që s’janë thënë për myslimanët. Kur intelektualët dhe veprimtarët shqiptarë përpiqeshin të bënin shtet, fshatrat tona të Bregut digjeshin nga fshatrat fqinje myslimane, pikërisht me motive fetare, duke i shtrënguar të krishterët, deri në mesvitet 1910, të arratiseshin (nga trojet e tyre) me varka në Korfuz; sigurisht ata që mundeshin t’iu shpëtonin myslimanëve. Dhe këto krime të shqiptarëve ndaj shqiptarëve ortodoksë, siç duhet trajtuar një ditë më vete, vazhduan deri në mesvitet 40. Ishte pikërisht terrori shqiptar (mysliman) që i bëri bregdetasit t’i prisnin perëndimorët me flamur grek në vitet 1910. Ishte pikërisht tmerri ndaj myslimanëve, domethënë detyrimi historik ndaj grekëve mbrojtës, ajo që i bëri ortodoksët e Bregut t’i presin grekët në 40-ën si të ishte ushtria e tyre. E të tjera të vërteta, gjysmë të tharta…
E pra, me këtë të kaluar jo të largët, që të mos shkojmë te masakrat e Ali Pashës ndër shqiptarë ortodoksë, nuk është aspak befasuese kur pinjollët e këtyre fiseve myslimane na kërkojnë sot ta qepim. Është pikërisht sentimenti që kanë trashëguar ndaj ortodoksëve, instikti kundër tyre, nevoja për t’i nënshtruar. Është çmeritja e tyre nga tendenca jonë për t’u shpenguar e për t’u sjellë baraz me ta, kur kjo u paska hije vetëm atyre intelektualëve ortodoksë që bëjnë lojën e myslimanëve, në mos atyre që punojnë për interesat e tyre dominuese në kulturën shqiptare.
Një autor ortodoks më thoshte: “Kur i kujtojnë atij se nuk duhet të ndërhyjë në punët e kishës se është mysliman, thotë se nuk ka shkuar asnjëherë në xhami, por nuk thotë që s’jam mysliman, se në shpirt i atillë është, hakmarrës!” Siç lexohet në fjalët e zotërisë, ortodoksë të tillë kanë paragjykime për myslimanët, nuk i duan në zemër, por iu servilosen për të përfituar. Dhe megjithatë, një qëndrim i tillë, i pandershëm, pranohet dhe konsiderohet shqiptar, ndërsa kur i sheh myslimanët pa paragjykime, kur i do pa asnjë nuancë dallimi në ndjenja, kur i mbron në komunitetin tënd dhe në shtyp, por vetëm se iu kallëzon planet kontrolluese mbi gjithçka shqiptare, edhe atje ku nuk përkasin, kjo qenka antishqiptare. Ndoshta e tillë, sepse është antihipokrite…
Barazia jonë ndërfetare, kjo barazimtari kaq e komercializuar së fundi, kjo tullumbace kuqezi, domethënë, është një flluskë e doktrinave mbizotëruese perëndimore, një shtrëngesë që në thelb nuk e fsheh të vërtetën: Liria jonë është një liri pronore të cilën shumica shqiptare e shtrin bujarisht, por përkohësisht, tek pakica, pavarësisht se sa të vetëdijshëm janë myslimanët e thjeshtë për këtë. Kryeneçësia e myslimanëve për të nënshtruar kulturorisht të krishterët është një nga faktorët që i ka bërë ortodoksët e mitropolisë së Gjirokastrës të mos ndihen të sigurt në botën shqiptare, por të përdorin konvencionalisht simbolet kombëtare të të dy vendeve, madje dhe të dy kombësitë, në daçi, ndonjëherë edhe kur nuk janë të detyruar.[1] Kjo ndjenjë pasigurie e ortodoksëve është një nga arsyet se pse ata nuk reagojnë ndaj situatës së sotme kishtare në Gjirokastër. “Më mirë dhespot nga Janina, sesa të na bien ndonjë turkoshak t’i falemi”, thonë mjaft prej tyre me njëri-tjetrin. Dhe kanë shumë të drejtë!
Përderisa ideali i myslimanëve për një fe gjithëshqiptare para një qindvjeçari - atëherë ishte feja e tyre si model - i përket tashmë muzeut të idealizmit shqiptar, kujt ia priste mendja se klanet myslimane të Shqipërisë dhe të Amerikës do të çngjyroheshin dhe do të shpërfytyroheshin në këtë periudhë rrëmuje e kalimtarie, vetëm e vetëm për të vazhduar të kontrollojnë gjithçka në botën shqiptare? Nga ana tjetër, kujt ia priste mendja se klanet greke do të bënin një lojë të tillë me myslimanët, si më e mundshmja mënyrë për të përjashtuar shqiptarët ortodoksë nga qeverisja e kishave të tyre? Përndryshe, pa myslimanët, si do të pushtohej mitropolia e Gjirokastrës?
Myslimanët tanë na kujtuan tiparin e tyre të trashëguar se përkatësia fetare negociohet sa herë që iu jepet rasti për përfitime. Ndërsa grekët na kujtuan tiparin njësoj të trashëguar se feja i shërben interesave të “universalitetit të helenizmit”, siç e quajnë ata doktrinën e tyre më të re në rajonin cit me dogma, prandaj dhe përdoret për të manipuluar kulturorisht. Grekët ruajtën dhe përforcuan autoqefalinë e kishës shqiptare, por e tjetërsuan thelbin e saj, në favor të planeve të tyre për një ungjillëzim (helenizim) kulturor të shqiptarëve, dhe përderisa për këtë paguhet një haraç i madh nga fondet greke, vetë ky fakt shlyen konfliktin me interesat myslimane. Për të zhbërë pikat nistore të identitetit të shqiptarëve ortodoksë, për t’u hakmarrë e për të ndëshkuar shkëputjen e tyre nga kisha greke, për të shkelmuar vetëpërcaktimin e tyre ndërgjegjësor në një rajon të përzier, grekët ftuan myslimanët në bashkadministrimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri. Na vunë myslimanët mbi kokë të na nënshtrojnë, që të luftojmë njëri-tjetrin; plus të tjerave.
Misioni grek arriti diçka që vetëm Janullatosi kishte vetitë të sendërtonte. Simbolika vendore që shqiptarët mbollën në Kishë që nga vitet 1910, u bë njësh me gëlqeren e diktaturës komuniste mbi afreskët bizantinë. U fshi, që të lexohet origjinali. Cili origjinal, veç? Në fakt, u shkrua prapë përmbi shkrimin e vjetër, në palimpsestin e dëmtuar shqiptar. U shtuan e u shumuan totuazhet mbi lëkurën e sfilitur shqiptare. U përdorën të njëjtat sendërgjime, ashtu si para autoqefalisë. Kësisoj e kthyen KOASH-in në kishën e gjashtë autoqefale greke, e cila sot kërkon nga myslimanët vetëm dy gjëra: sfondin dhe kreun; si në patrikanën greke të Aleksandrisë në Egjipt. Madje dhe këto i kërkojnë “përkohësisht”, derisa të jenë gati shqiptarët myslimanë; ashtu si me peshkopët zezakë të misionit grek në Afrikë. Kur të jenë gati myslimanët, pra, shpresojnë ta marrin kreun, sepse e kujtojnë të merituar, më shumë se hirësitë e Afrikës, të cilët afrikanë përdorin njësoj gjuhën e tyre amtare në shërbesat ortodokse, por me sfondin grek (si në Shqipëri). Në fakt, kreu i Ortodoksisë Shqiptare, as u përket myslimanëve e as u ka hije atyre. Mjerë kush të rrojë!
Kësaj Shqipërie pa hartë, e ungjillëzuar idhnakërisht, atje ku myslimanët gjoja janë konvertuar në shumicë dhe prandaj kanë marrë edhe fronet, do t’i mbetet brerorja me rrezet helene, sfondi grek, me emërshkrimet greqisht në ikona, me hijet e mëdha të godinave, me arkitekturën e tempujve, me njelmësimin grek të terminologjisë kishtare shqipe, me varrezat e “Shën Anastasit” dhe nxënësve të tij misionarë, me kanonin e ri të shenjtorëve; të gjitha këto shenja që përbëjnë një peshqesh të madh në rajon. Shtegu mbetet i hapur për grekët, sepse tashmë ata janë alfa dhe omega e shqiptarëve ortodoksë; që të kalërojnë myslimanët. Problemet e tjera, mosmarrëveshjet midis grekëve dhe myslimanëve, mbeten për më vonë, çështjet lihen hapur duke përsjellë në të tashme të kaluarën e nostalguar, kur dy fuqitë bashkëqeverisnin kategoritë e tjera të rajonit. Dhe lufta midis grekëve dhe myslimanëve vazhdon, derisa të qarkohen vetërrëmbimet e dy botëve të tyre, duke vënë mbi tryezë gjithmonë të drejtat e shqiptarëve ortodoksë.
Nga një pikëpamje e pafajshme ortodokse, duket se me këtë konfiguracion të ri në hierarkinë shqiptare mori fund regjimi gjysmëkanonik i misionit parakishtar grek këto vite, gjë që, siç e kam shënuar disa herë, ishte dënuar nga vetë patrikana e Stambollit në mesvitet 90. Duhet të kujtojmë sot se procedurat e cunguara kanonike, përmes së cilave Janullatosi u ngul përhershëm në Shqipëri, u toleruan nga kishat e tjera autoqefale për vetë faktin se misioni grek vepronte në një vend me shumicë myslimane, dhe madje vepronte duke habitur vazhdimisht.
Të paktën kështu mendohet matanë. Sepse, sado që të përpiqen intelektualët myslimanë të zhbindin botën mbarë për interesat e tyre personale e klanore, se gjoja Shqipëria nuk është në shumicë myslimane, dielli nuk mbulohet me shoshë. Dhe këtu shquhet në gjithë lavdinë e saj loja e shumëfishtë e Janullatosit jashtë Shqipërisë, për të nxirë realitetin shqiptar, në një kohë kur ata që i bëjnë luftë Janullatosit në Shqipëri janë vetëm disa kokrra të krimbura, fantazma të vetvetes, të cilët instrumentohen sa herë që kërkohet, për të kënduar gatitú marshin dalëboje të autoqefalizmit. Që t’i zmadhojë Janullatosi këto pisllëqe të shqiptarëve myslimanë, e t’iu drejtohet pastaj në mënyrë dramatike kishave të tjera autoqefale, duke klithur se, në qoftë se misioni grek largohet nga Shqipëria, ortodoksia është në rrezik. Rroftë e qoftë Nikolla Marku, pastaj, sepse ai është për myslimanët.
Kjo lojë e Janullatosit bashkekziston me gatishmërinë e klaneve myslimane që s’e kanë për gjë të përlyhet emri shqiptar jashtë Shqipërisë, mjafton që ata të kontrollojnë botën shqiptare dhe të mos cënohen interesat e tyre, përndryshe të kërcënuara nga demonizimi ndërkombëtar i islamit. Në fakt, rrëmuja ndihmon shumë klanet shekullare myslimane, të cilat, tok me Janullatosin, përpiqen gjoja të drejtpeshojnë një botë kaq të larmishme ndërshqiptare.
Prania e Pelushit krah-mbrapa Janullatosit nëpër kishat autoqefale dhe në veprimtari të tjera ndërkombëtare, dëshmon pikërisht këtë çudibërje të Janullatosit (i çuditshëm ndër myslimanë), të cilit përndryshe i falen të gjitha, edhe sëmundja për të zëvendësuar Zotin në mendjet e shqiptarëve të paditur nga feja. Peshkopi me origjinë myslimane shihet nga kishat e tjera si pemë e misionit grek. Të huajt kujtojnë se në Shqipëri duhet të ketë turma të mëdha myslimanësh të konvertuar në krishtërimin ortodoks, aq sa kanë dhe peshkopin e tyre. Në fakt, tani që janë tre myslimanë dhe jo një i vetëm, hajde mbushiu mendjen të huajve se shqiptarët ishin ortodoksë para Janullatosit dhe para grekëve. Përshtypja e sotme është se kryepeshkopi ndodhet në Shqipëri kryesisht për grekët, të cilët qenkan në shumicë shqipfolës, si dhe për të konvertuarit, të cilët janë të njomë në besim dhe kanë ende nevojë për misionarët. Shquar me syze ortodokse së largu, ata që i bëjnë luftë Janullatosit, luftokan Ortodoksinë. Si rrjedhojë, nuk përbën çudi prania e një greku në krye të Kishës, aq më tepër një grek i tillë, ashtu siç nuk do të përbëjë aspak çudi prania e një myslimani më vonë, aq më tepër një mysliman i këtillë. Sido që të jetë, grek a mysliman, për ne është e njëjta monedhë.
Për sa i përket mitropolisë së Gjirokastrës, si pikë e prekshme e regjimit gjysmëkanonik të Janullatosit para nëntorit të kaluar, dihet se ajo mbahej qëllimisht pa peshkop për të shmangur emërimin e një shqiptari ortodoks atje, duke e përdorur këtë vakancë njëkohësisht si zjarrmatëse në marrëdhëniet shqiptaro-greke, me kulm skandalin e zhvarrosjeve në Përmet, i cili skandal grek përgatiti udhën për të përligjur vendimet e sotme. Prandaj dhe duke përdorur Pelushin dhe Liolinin, vetëm me dy shkrime paçavure, pra, çështjes madhore të shqipfolësve ortodoksë të Jugut iu vu kapaku. Sepse kështu e deshën myslimanët. Sepse i tillë është atdheu ynë: një shtet mysliman me petka laike.
Përveç problemit kanunor në KOASH, duket se me këto marrëveshje greko-myslimane mori udhë edhe problemi kishtar i minoritetit grek në Shqipëri; për t’iu bindur ndërkombëtarëve. Sidoqoftë, dhe këtu madhështohet ironikja në marrëdhëniet shqiptaro-greke, mbeti përsëri në pozitën e midisshme komuniteti i shqipfolësve ortodoksë në të njëjtin juridiksion kishtar; para syve të ndërkombëtarëve. Shqiptarët ortodoksë vijojnë të mbërthyer peng midis shqiptarësisë dhe grekësisë, ashtu si para autoqefalisë, në dilema të vazhdueshme identitare, në pështjellime të pamohueshme ndërgjegjësore, nën kërcënimet e shestimeve të përhershme kulturore. As andej e as këtej, por në të njëjtën kohë, edhe andej edhe këtej. Shqiptarët ortodoksë u kthyen nën baballëkun e myslimanëve, që të jenë sërish nën amësinë e Greqisë.
Ngjizja e një hierarkie greko-myslimane në nëntor 2006, me tre shtetas të Greqisë dhe me tre konvertë nga komuniteti mysliman i Shqipërisë, është sfida më e madhe që misioni grek i bëri Kishës Ortodokse në Shqipëri. Në fakt, ky kompromis midis grekëve dhe myslimanëve është pabesia më e madhe që qeveria e sotme i bëri komunitetit ortodoks në Shqipëri dhe në diasporë, pa lënë në harresë faktin se ishte e njëjta qeveri dhe i njëjti lider që dekretoi Janullatosin kryepeshkop para pesëmbëdhjetë vjetësh. Pjesa tjetër është filologji vendore. Është kaq flagrante pabesia shqiptare këtë herë, saqë jo vetëm na është dhënë rasti të rrëmojmë për të sjellë në dritë ato fakte që letërsia nacionalkomuniste qëllimisht ka mbuluar, por jemi tashmë të ndërgjegjshëm për lojën e madhe që shteti shqiptar ka luajtur dhe luan me ortodoksët, që nga vitet 1920 e këtej. Nga ana tjetër e skenarit shqiptar, klanet myslimane janë gati të përdorin edhe elementë të dhuntishëm a mafiozë të komunitetit ortodoks, për t’i paraqitur botës si të vërtetë imazhin e rremë brendashqiptar; gjithmonë duke keqpërdorur brishtësinë e pozitës midis. Sepse feja e shqiptarit është interesi (shqiptaria).
Nuk ekzistonte asnjë pengesë kanunore që peshkopi i dërguar grek të vazhdonte të vepronte në Shqipëri si eksark, jo vetëm për disa vjet, por edhe për më shumë. Historia kishtare ka shembuj kur eksarkët jo vetëm kanë vepruar me vite të tëra si të tillë, por kanë kryesuar sinode dhe kanë vdekur si eksarkë, prandaj dhe janë zgjedhur në vijim të tjerë eksarkë, nëse e ka lypur nevoja. Preteksti se një eksark nuk mund të kryesonte sinodin e një kishe autoqefale, ishte një marifet i shtetit grek për të përherësuar Janullatosin, sepse vetë qeveria greke bëri diçka më të rrezikshme, duke kundërshtuar madje dhe vetë patrikanën e Stambollit, kur i imponoi kishës autoqefale shqiptare një kryepeshkop pa sinod, një skemë krejt antikanonike!
Viti 1992 i përket asaj periudhe historike që pranon justifikime për çka iu imponua jo vetëm ortodoksisë, por dhe gjithë shoqërisë shqiptare. Sidoqoftë, si mund të justifikohet një skemë e tillë politike mbi komunitetin ortodoks sot, mbas pesëmbëdhjetë vjetësh përvoje, me gjithë këto ngjarje që kanë munduar e shenjuar jetëgjatësisht marrëdhëniet shqiptaro-greke? Kjo dëshmon se në vitin 1992, atëherë kur demokratët na dekretuan Janullatosin kryepeshkop, problemi nuk ka qenë tek mosnjohja e realitetit ortodoks, siç kujtonim ne me dashamirësi, por tek zelli i tyre për të riaktivizuar politikat e Ahmet Zogut, i cili sa herë që ishte në rrezik, nuk e kishte për gjë të përmbyste bindjet e tij dhe të bënte kompromise me serbët dhe me grekët, duke përdorur komunitetin ortodoks, duke pranuar madje marrëveshje që shfuqizonin edhe vetë autoqefalinë e shpallur më 1922 në Berat.[2] Vendimet e sotme pajtohen me politikat afatgjata të shtetit shqiptar, i cili e përdor komunitetin ortodoks sa herë që myslimanët rrezikohen në pushtet, ose sa herë që iu teket të mëtojnë një kafshatë të madhe në rajon…
Përderisa ortodoksët janë në mëshirë të myslimanëve, gjithmonë do të kenë nevojë për përdëllimet e grekëve. Sa më shumë të përherësohet prania myslimane në kryesinë dhe në administrimin e kishave shqiptare, aq më shumë përjetësohet kujdestaria greke mbi shqiptarët ortodoksë.
Sigurisht që në Greqi kjo është e imponuar për ortodoksët, sepse po të jesh mysliman nuk mund të jesh grek, prandaj dhe pranohesh si shqiptar, ta transliterojnë lehtë emrin dhe ky emër shquhet që është jo grek. Nëse mëson greqisht myslimani, pavarësisht nëse është besimtar, jo besimtar a ateist, është tepër mallëngjyese për grekët. Nëse ka dhunti ta shkruajë atë gjuhë, është shumë “hot”. Kur shan fenë e tij, nuk tingëllon dhe aq keq, por kur përqafon fenë e tyre, qoftë dhe sa për të ndryshuar emrin, është mrekullia në pjatë! Për koincidencë, myslimanë të tillë janë njëkohësisht edhe lajkaxhinjtë më të mëdhenj të Janullatosit, më shumë e drejtpërdrejt në greqishte, dhe më pak e tërthorazi në shqipe. Madje hiqen ateistë dhe se e kanë për qesharake të komentojnë mbi fenë dhe njerëzit e saj, por për Janullatosin i përmbysin bindjet, ndoshta ngaqë nuk e shohin vetëm si njeri të fesë… Ndërsa kur je ortodoks, nuk ka se si të shkruhet emri ndryshe në greqishte, përveçse si emër grek. Si shqiptar ortodoks, nuk i përket pozitës së lakmuar, atje ku tokësoret bëhen përnjimendsh qiellore, prandaj dhe nëse shkruan greqisht, do të gjykohesh brenda morisë greke, domethënë asgjëkundi. Dhe nëse je nga trevat e mitropolisë së Gjirokastrës, nuk pyetesh fare se çfarë je: Është e vetëkuptueshme që je grek. Nëse ke këllqe, thuaj ndryshe… Unë nuk kam dëgjuar për asnjë emigrant ortodoks tonin që të botohet e të kremtohet greqisht, siç trumbetohen autorët myslimanë që banojnë në Greqi. Më vjen keq që nuk kam mundur të përshkruaj gjerë e gjatë përvojën time në Greqi, sepse do të flas hapur, ashtu siç nuk e duan shqiptarët…
[2] Për këtë debat shih: Robert C. Austin, Shtegu i pashkelur i Fan Nolit - Demokracia shqiptare në vitet 1920-1924, Tiranë, 1998, f. 125-126. Pavarësisht se ky libër trajton vetëm një periudhë e temë të caktuar, dhe tejet problemeve të përkthimit dhe të redaktimit shqip, studimi i profesorit të Universitetit të Torontos është punimi më cilësor që kemi mbi Fan Nolin.
Foti Cici
Krijoni Kontakt