(Shekulli)
Kryeministri kërkon që Egjipti të ndikojë tek vendet e Konferencës Islamike në mënyrë që ata ta njohin Kosovëntë pavarur në bllok.
Egjipt- Kryeministri Sali Berisha, i cili ka nisur dje një vizitë dy ditore në Egjipt, zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm Ahmed Abdul Geit. Gjatë takimit të zhvilluar, kryeministri Sali Berisha ka folur gjatë për statusin e Kosovës dhe historinë e saj, duke i kërkuar Ministrit të Jashtëm, që Egjipti të impenjohet dhe të ndikojë tek vendet e Konferencës Islamike në mënyrë, që ata ta njohin Kosovën e pavarur në bllok.
Ai i bëri ministrit të Jashtëm Abdul Geit një rezyme të qëndrimit të Shqipërisë lidhur me këtë çështje. Berisha u shpreh se plani Ahtisaari është zgjidhja më e mirë, jo vetëm për Kosovën, por edhe për paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin. Ky plan, - theksoi Kryeministri - përmban standardet më të larta për minoritetet në gjithë Europën dhe i garanton atyre të drejtat më të mëdha. Ne e pranojmë këtë standard të lartë, sepse rajoni ka ende plagë nga e kaluara e afërt. Kosova, - vijoi më tej Kryeministri, - nuk mund të mos jetë e pavarur, sepse historikisht nuk ka qenë pjesë e Serbisë. “Ajo ka qenë pjesë e Perandorisë Otomane dhe më pas është trajtuar si koloni nga serbët”,- shtoi ai. Duke u ndalur pikërisht tek statusi final, Kryeministri tha se zgjidhja nuk mund të shtyhet dhe pas 10 dhjetorit duhet të ketë një zgjidhje. “Pas kësaj, Kosova do shpallë pavarësinë në koordinim me SHBA-tëdhe vendet kryesore të BE-së”,- u shpreh ai.
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm Abdul Geit tha se Egjipti do të bëjë ç'është e mundur që çështja e Kosovës të jetë në qendër të vëmendjes në mbledhjen e ardhshme të Konferencës Islamike në Senegal, në mars të vitit 2008. Që Kosova të marrë pavarësinë e saj, duhet që ajo në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara të marrë edhe votat e 57 vendeve anëtare të Konferencës Islamike, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria. Megjithatë, kryeministri Sali Berisha kësaj here ka kërkuar mbështetjen e vendeve të tjera me prirje islamike me qellim që ato të ndikojnë në votimin pro shpalljes së pavarësisë, gjë që do të duket vetëm në muajin Mars të vitit të ardhshëm.
Krijoni Kontakt