Policia e Tiranës arrestoi Xhemal Liçon, nën akuzën e marrëdhënieve seksuale me vajzën 15-vjeçare
Incesti 3-vjeçar, babai dhunon të bijën e mitur
44-vjeçari: Nuk e kam prekur. Më kanë ngritur kurth
Pas tre vjetësh dhunim nga i ati, një 15-vjeçare ka marrë guximin dhe ka shkuar në polici, ku e ka denoncuar aktin e rëndë të incestit që ishte kryer ndaj saj. Ngjarja tronditëse ka ndodhur në kryeqytet, ndërkohë uniformat blu kanë vënë në pranga autorin 44-vjeçar, Xhemal Liço. Megjithatë, ky i fundit nuk e ka pranuar akuzën, duke deklaruar para policisë se ishte një kurth i ngritur ndaj tij. Burimet policore nga kryeqyteti bënë të ditur se një ngjarje tronditëse ka ndodhur në një lagje në periferi të Tiranës. Një vajzë 15-vjeçare është paraqitur e vetme në Komisariatin e Policisë Nr. 1 dhe ka kërkuar të denoncojë babanë e saj, pasi kishte kryer një krim të rëndë. Inspektorja e policisë, bashkë me një psikologe e kanë marrë vajzën 15-vjeçare dhe me qetësi i kanë kërkuar të rrëfente se çfarë i kishte ndodhur. "Unë jetoj me babanë. Familja ime ka pasur disa probleme dhe duke përfituar nga këto, ai më ka dhunuar. Çdo natë ai ka fjetur me mua dhe kjo ka zgjatur për një periudhë 3-vjeçare. Pavarësisht se unë ulesha të flija gjumë vetëm, gjatë natës ai vinte në krevat dhe bënte gjëra të këqija me mua", është shprehur vajza e mitur, ku sipas policisë është dhunuar seksualisht nga i ati. E pyetur nga policia, vajza ka deklaruar se kishte frikë të denonconte më parë, pasi ai e kishte kërcënuar se nëse i tregonte njeriu, do ta vriste. "Gjeta kohën që ai nuk ishte në shtëpi dhe erdha të tregoj se çfarë më ka ndodhur. Ju lutem më ndihmoni se nuk kthehem dot në shtëpi". Është shprehur 15-vjeçarja. Me të marrë këtë denoncim, menjëherë inspektorët e policisë kanë marrë urdhrin e arrestit nga prokurori dhe janë nisur për të prangosur Xhemal Liçon. Gjatë një operacioni të Komisariatit Nr. 1, në bashkëpunim me forcat e antitrafikut, forcat policore kanë mundur të gjejnë dhe të shoqërojnë për në qeli 44-vjeçarin. Burimet policore nga grupi hetimor bënë të ditur se pas shoqërimit të tij, oficerët e policisë gjyqësore e kanë marrë në pyetje të shoqëruarin në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij. Në deponimin e tij, Liço ka deklaruar se nuk e kishte prekur asnjëherë të bijën, por e gjithë kjo ishte një kurth ndaj tij. "Njerëzit e familjes më cilësojnë si problematik dhe i kanë mbushur mendjen vajzës të më kthehet kundër. Nuk është e vërtetë dhe e gjithë kjo bëhet që të më heqin qafe mua", ka pretenduar i arrestuari për incest. Duke parë pretendimet e dy palëve, oficerët e policisë gjyqësore, të kryesuar nga prokurori kanë vlerësuar se Liço ishte person me rrezikshmëri dhe e kanë arrestuar si të dyshuar për akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura. I arrestuari është dërguar në dhomat e izolimit, ku tashmë është në pritje të vlerësimit të masës së sigurisë nga ana e togave të zeza në Gjykatën e Tiranës. Nga ana tjetër, grupi hetimor ka dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore vajzën e mitur, ku ka rezultuar se ajo është e defloruar. Kjo ka rritur edhe më shumë dyshimet e policisë se mund të jetë dhunuar seksualisht nga babai i saj.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt