Close
Faqja 3 prej 6 FillimFillim 12345 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 41 deri 60 prej 115
  1. #41
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës (pranverë 1880)



    Fitoret e shqiptarëve kundër ushtrive malazeze dhe jehona e tyre në arenën ndërkombëtare patën pasoja të thella në Shqipëri. Ato e përforcuan më tej bindjen e shqiptarëve se tashmë ishin në gjendje t’i mbronin trojet e tyre jo vetëm pa ndihmën e ushtrive osmane, por edhe kundër vullnetit të Portës së Lartë. Besimi që fituan te forca e tyre e armatosur, e ngriti në një shkallë më të lartë vendosmërinë për të kundërshtuar me armë çdo ndërhyrje të re të Fuqive të Mëdha ose çdo orvatje të re të qeverisë së Stambollit në dëm të trojeve të tyre amtare.

    Pas disfatës që pësoi në Velikë e në Pepaj, knjaz Nikolla iu drejtua përsëri Fuqive të Mëdha dhe këto, nga ana e tyre, i bënë përsëri presion Perandorisë Osmane për ta çuar deri në fund dorëzimin e Plavës e të Gucisë. Porta e Lartë u përgjigj se ishte e gatshme ta kënaqte Malin e Zi, por jo në Plavë e në Guci. Duke parë vendosmërinë luftarake të shqiptarëve dhe paaftësinë ushtarake të Malit të Zi, Fuqitë e Mëdha pranuan në parim ta rishikonin vendimin që kishin marrë në Kongresin e Berlinit. Me këtë rast u bënë disa propozime për ta kënaqur Cetinën me vise sllave në veri ose në jug të Malit të Zi, por nuk u pranuan. Më në fund ndërhyri Italia, e cila, nëpërmjet ambasadorit të saj në Stamboll, kontit Korti (Corti), sugjeroi që t’i jepeshin Malit të Zi viset e Hotit e të Grudës së bashku me një pjesë të Kelmendit, të cilat banoheshin gjithashtu nga popullsi shqiptare. Fuqitë e Mëdha menduan se popullsia e këtyre viseve, duke qenë katolike dhe jo myslimane, nuk do ta kundërshtonte bashkimin e saj me Malin e Zi të krishterë. Porta e Lartë nuk solli ndonjë pengesë. Vetëm knjaz Nikolla, i bindur se do të kishte përsëri telashe me shqiptarët, protestoi rreptësisht. Por më në fund, duke parë këmbënguljen e të gjitha Fuqive të Mëdha, u detyrua të përulej. Kështu, më 18 prill 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha miratuan propozimin italian, që njihet me emrin “vija Korti”, për t’i dhënë Malit të Zi, në vend të Plavës e Gucisë, viset e Hotit e të Grudës. Dorëzimi i këtyre viseve u vendos të bëhej pas 4 ditësh, më 22 prill 1880.

    Fakti që Fuqitë e Mëdha, Perandoria Osmane dhe Mali i Zi u detyruan, pas 20 muaj përpjekjesh pa rezultat, të hiqnin dorë nga vendimi i Kongresit të Berlinit në lidhje me Plavën e Gucinë, shënonte një fitore të re diplomatike që arritën shqiptarët në arenën ndërkombëtare. Protokolli i Stambollit, i nënshkruar nga ambasadorët e tyre më 18 prill 1880 për Hotin e Grudën, ishte po aq i padrejtë sa edhe neni i Traktatit të Berlinit për Plavën e Gucinë. Viset e Hotit e të Grudës, së bashku me ato të Kelmendit e të Kastratit, ishin pjesë e pandarë e Malësisë së Madhe, kurse nga ana administrative vareshin nga vilajeti i Shkodrës. Banorët e tyre, krejtësisht shqiptarë dhe me tradita të lashta luftarake liridashëse, ishin bashkuar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit qysh me themelimin e saj. Për këtë arsye, më 1 mars 1880, sapo arritën lajmet e para rreth propozimit italian, pra një muaj para se të nënshkruhej Protokolli i Stambollit, krerët e tyre, të mbështetur nga banorët e krejt Malësisë së Madhe, zbritën në Shkodër dhe shpallën se ishin të vendosur të kundërshtonin çdo vendim që do të merrej në dëm të viseve të tyre. Në mbledhjen e përbashkët që bënë në Shkodër, më 1 mars 1880, krerët e Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Kastratit miratuan një peticion drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilin deklaronin se do të rrëmbenin armët për të mbrojtur trojet e tyre, në rast se Fuqitë e Mëdha do ta miratonin projektin “Korti”.

    Kushtrimi që lëshuan banorët e Malësisë së Madhe vuri në lëvizje popullsinë e të gjitha krahinave të vendit. Gjatë atyre ditëve shqiptarët, myslimanë e të krishterë, u lidhën më shumë se kurrë me njëri-tjetrin. Kudo u shpreh vendosmëria për të mbrojtur Hotin e Grudën deri në pikën e fundit të gjakut. Shqipëria u përgatit kështu përsëri për luftë.

    Meqenëse Hoti, Gruda, Kelmendi e Kastrati bënin pjesë në vilajetin e Shkodrës, barra e organizimit të luftës mbrojtëse i takonte Komitetit Ndërkrahinor të këtij vilajeti. Qysh nga 25 marsi 1880, Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare në Shkodër ishte në mbledhje të vazhdueshme dhe filloi të merrte masat e nevojshme ushtarake për mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Më 3 prill 1880 u zhvillua në Shkodër një kuvend krahinor, ku morën pjesë përfaqësues të popullsisë së qytetit e të Malësisë. Kuvendi vendosi të kundërshtohej me çdo kusht lëshimi i Hotit e i Grudës. Ai u dërgoi një peticion Fuqive të Mëdha, në të cilin thuhej, ndër të tjera: “Kemi vendosur që të derdhim pikën e fundit të gjakut para se të hynim nën zgjedhën e një qeverie të huaj. Ideja kombëtare na bashkon në mbrojtjen e atdheut tonë”. Më 11 prill 1880 Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës, ashtu siç kishin vepruar edhe dy komitetet e tjera ndërkrahinore, formoi menjëherë Shtabin Ushtarak të vilajetit me detyrë që të merrte masat e duhura për mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Në krye të Shtabit Ushtarak u vu Hodo Sokoli, një kolonel i karrierës. Midis anëtarëve të tij bënin pjesë jo vetëm përfaqësues nga qyteti, si Selim Çoba, Filip Çeka, Shaban Bushati, Zef Simoni, Selim Gjyrezi etj., por edhe mjaft krerë malësorë të regjur në luftëra, si Dedë Gjoni dhe Ismail Marku nga Hoti, Ismail Martini dhe Bazo Kurti nga Gruda, Nikë Gila dhe Nikë Leka nga Kelmendi, Shaban Elezi dhe Gjon Deda nga Kastrati etj. Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës i bëri thirrje të veçantë Preng pashë Bibë Dodës, i cili deri atëherë nuk kishte marrë pjesë në mbrojtjen e trojeve shqiptare, duke e emëruar, në rast se do të ishte i gatshëm, nënkryetar të Shtabit Ushtarak.

    Formimi i Shtabit Ushtarak u pasua nga gatishmëria që treguan krahinat e ndryshme të vendit për të dërguar vullnetarë sipas zakonit nga një burrë për shtëpi, kurse viset e Malësisë së Madhe u zotuan të mobilizonin të gjithë burrat e aftë për armë. Shtabet ushtarake, të formuara në vilajetet e Kosovës dhe të Janinës, njoftuan se ishin gati të dërgonin forcat e tyre vullnetare sapo të ndihej nevoja. Por Shtabi Ushtarak i Shkodrës, duke parë gatishmërinë e masave popullore, i konsideroi të mjaftueshme forcat luftarake të mobilizuara vullnetarisht në vilajetin e vet. Në të njëjtën kohë, Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës lëshoi një shpallje, me anën e së cilës, pasi vinte në dukje vendosmërinë e mbarë vendit për të mbrojtur trojet e atdheut, u kërkonte vullnetarëve të qëndronin në gatishmëri, në pritje të zhvillimit të ngjarjeve.

    Zemërimi e vendosmëria e shqiptarëve arriti kulmin pasi u nënshkrua nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha Protokolli i Stambollit, më 18 prill 1880, me emrin “Protokolli mbi kufijtë e Turqisë dhe të Malit të Zi”. Me këtë rast u përsëritën protestat telegrafike drejtuar Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë. Në të njëjtën kohë filluan përgatitjet ushtarake. Më 19 prill u zhvillua në Shkodër një miting i madh popullor, një nga manifestimet më masive që kishte parë qyteti deri atëherë. Në miting, midis entuziazmit popullor, Hodo Sokoli, në një fjalim të zjarrtë që mbajti para mijëra qytetarëve dhe malësorëve, deklaroi ndër të tjera, se përballë veprimeve që po kryente Porta e Lartë në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe për të shpëtuar atdheun nga fatkeqësi të tjera që do të sillte sundimi i mëtejshëm i saj, shqiptarët duhej t’i këpusnin lidhjet me Perandorinë Osmane dhe ta merrnin vetë në dorë fatin e atdheut të tyre. Hodo bej Sokoli dhe pas tij 1 500 veta që ndodheshin në miting, hoqën publikisht spaletat e uniformës ushtarake e dekoratat e sulltanit dhe deklaruan se nuk do ta njihnin as atë, as Stambollin. Po atë ditë u nisën për në vijën e kufirit vullnetarët e parë qytetarë, rreth 1 500 veta, të cilët u bashkuan me mijëra vullnetarë malësorë që kishin vrapuar nga malësitë e Veriut.

    Në mbrëmjen e 21 prillit u nisën nga Shkodra, duke lundruar në liqen, disa dhjetëra anije me vullnetarë shkodranë, rreth 3 mijë veta, të cilët, së bashku me Shtabin Ushtarak dhe komandantin e tij Hodo Sokolin, u vendosën në Tuz. Në 22 prill 1880, sipas Protokollit të Stambollit, trupat turke u larguan nga kalaja e Tuzit dhe nga pikat e tjera që i takonin Malit të Zi. Por, ashtu siç ndodhi në Plavë e Guci, edhe në Hot e Grudë forcat shqiptare i zunë këto pika para se të afroheshin ushtritë malazeze. Gjatë gjithë vijës mbrojtëse qenë rreshtuar rreth 8 mijë vullnetarë shqiptarë, në gatishmëri për të kundërshtuar përparimin e ushtrive malazeze.

    Pak më vonë, ushtritë malazeze, me rreth 10 mijë veta, arritën tek Ura e Rzhanicës, pika më e përparuar e kufirit të vjetër. Aty u ndeshën me pararojat e ushtrisë së Lidhjes Shqiptare, të përbëra nga disa qindra qytetarë e malësorë, të cilët u bënë thirrje të ndaleshin, pasi banorët e këtyre vendeve nuk i njihnin vendimet e Fuqive të Mëdha. Ushtritë malazeze nuk u bindën, por kërkuan të marshonin për të marrë në dorëzim kalanë e Tuzit. Atëherë pararojat shqiptare hapën zjarr kundër pararojave malazeze. Kështu, tek Ura e Rzhanicës filloi më 22 prill përleshja e armatosur ndërmjet tyre.

    Sapo shpërthyen krismat e para, forcat vullnetare të Malësisë së Madhe, nën drejtimin e Ismail Markut e Baca Kurtit, u hodhën në sulm të furishëm kundër forcave kryesore malazeze që ndodheshin në Helm, në breg të lumit Cem. Të dyja palët luftuan me vendosmëri për disa orë rresht. Më në fund ushtritë malazeze u thyen dhe u tërhoqën për në Podgoricë, duke lënë disa të vrarë e të plagosur.

    Fitorja e Rzhanicës dhe e Helmit ngjalli entuziazëm në mbarë Shqipërinë. Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës, duke parashikuar një sulm të ri nga ana malazeze, vendosi t’i mbante forcat luftarake në kufi dhe të siguronte armë martina për vullnetarët shqiptarë të pajisur pjesërisht me huta dhe pjesërisht me jataganë. Për këtë qëllim u ftuan krahinat e vilajetit që të shtonin ndihmat financiare. Mbi shtresat e pasura të Shkodrës u shpall një tatim i jashtëzakonshëm në të holla e në drithë. Në këto rrethana Preng pashë Bibë Doda, duke parë se me qëndrimin e vet të lëkundur po cilësohej nga opinioni publik si bashkëpunëtor i Cetinës, pranoi ftesën e Komitetit Ndërkrahinor për të mobilizuar mirditorët dhe për t’i sjellë në Tuz.

    Pas luftës së Rzhanicës, viset e Hotit e të Grudës, të liruara nga ushtritë osmane, por të papushtuara nga ato malazeze, mbetën de facto nën sovranitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për 8 muaj, nga 22 prilli 1880 deri më 28 dhjetor 1880, kur në Tuz u rivendos administrata osmane. Me qeverisjen e tyre merrej Komiteti i Lidhjes Shqiptare për Shkodrën, që kishte ngarkuar në Tuz një Komision të kryesuar nga Hodo Sokoli, i cili ushtronte pushtetin ekzekutiv si një institucion shtetëror i Lidhjes Shqiptare.

    Menjëherë pas disfatës që pësoi më 22 prill 1880, knjaz Nikolla protestoi pranë Fuqive të Mëdha dhe këto më 24 prill i drejtuan qeverisë osmane një notë kolektive, me të cilën e shtrëngonin që t’i dëbonte forcat shqiptare nga kufiri për t’u hapur rrugën forcave malazeze. Por Porta e Lartë nuk e kishte më situatën në dorë. Përveçse nuk donte të hapte konflikt me shqiptarët, ajo nuk kishte as forca të mjaftueshme në Shkodër për të zbatuar kërkesën e Fuqive të Mëdha.
    Në fillim të muajit maj, pas ardhjes së forcave mirditore, në vijën kufitare numri i vullnetarëve u rrit në rreth 9 mijë veta, përveç 7 mijë të tjerëve që qëndronin në gatishmëri në shtëpitë e tyre për t’u nisur në luftë sapo të lëshohej kushtrimi. Sipas njoftimeve që kishte Shtabi Ushtarak, përtej kufirit qëndronin rreth 20 batalione malazeze me afërsisht 9 mijë veta të armatosur me martina dhe të pajisura me topa e artileri. Morali i vullnetarëve shqiptarë ishte aq i lartë, sa nga radhët e tyre doli propozimi që të ndërmerrej një mësymje kundër ushtrive malazeze për ta detyruar knjaz Nikollën që të hiqte dorë një herë e përgjithmonë nga lakmia e tij për trojet shqiptare. Këtë ide e përqafoi jo vetëm Hodo Sokoli, kryetari i Shtabit Ushtarak të Shkodrës, por edhe Ali pashë Gucia, kryetari i Shtabit Ushtarak të Kosovës, i cili për më tepër u zotua ta fillonte mësymjen me forcat e veta nga Plava e Gucia, në thellësi të territoreve malazeze. Nuk pritej veçse miratimi nga Komiteti Kombëtar i Lidhjes Shqiptare. Por udhëheqësit e tij, për t’iu shmangur ndërlikimeve ndërkombëtare që do të shkaktonte mësymja shqiptare, nuk e pranuan propozimin e dy shtabeve ushtarake.

    Sipas tyre, presioni, që ushtronte përqendrimi i forcave kufitare në Hot e Grudë, ishte i mjaftueshëm për t’i detyruar Fuqitë e Mëdha të rishikonin Protokollin e Stambollit.
    Në fakt lufta për mbrojtjen e Hotit e të Grudës pati jehonë të thellë jashtë Shqipërisë. Interesimi i publikut evropian për konfliktin shqiptaro-malazez u rrit më shumë. Pothuajse të gjitha gazetat kryesore të Evropës Perëndimore dërguan ato javë korrespondentët e tyre të posaçëm në Shkodër, shumica e të cilëve u detyruan të vinin në dukje atdhetarinë e lartë që frymëzonte qëndresën shqiptare. Fuqitë e Mëdha u bindën përfundimisht se as Protokolli i Stambollit nuk mund të zbatohej me anën e presionit diplomatik. Anglia me Rusinë propozuan një ndërhyrje ushtarake të përbashkët të Fuqive të Mëdha kundër shqiptarëve të përqendruar në kufi, por Austro-Hungaria me Gjermaninë kundërshtuan. Më në fund fitoi qëndresa shqiptare.

    Pasi pranuan në parim të hiqnin dorë edhe nga Protokolli i Stambollit, Fuqitë e Mëdha miratuan më 15 qershor 1880 propozimin e Anglisë e të Austro-Hungarisë për t’i dhënë Malit të Zi, në vend të Hotit e të Grudës, qytetin bregdetar të Ulqinit së bashku me rrethinat e tij. Heqja dorë e Fuqive të Mëdha nga vendimi që kishin marrë më 18 prill 1880 ishte fitorja e tretë diplomatike që korrën shqiptarët, brenda 6 muajve, në arenën ndërkombëtare. Por vendimi i Fuqive të Mëdha për t’i lëshuar Malit të Zi Ulqinin me rrethinat e tij shtroi përsëri detyrën e ngutshme të mbrojtjes së tërësisë së atdheut, të cilit po i shkëputej tani një pjesë më e rëndësishme dhe jetike.

  2. #42
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    4. LËVIZJA PËR AUTONOMINË E SHQIPËRISË





    Lëvizja kundër administratës osmane gjatë vitit 1879



    Me gjithë përqendrimin e vëmendjes së tyre kundër rrezikut të copëtimit territorial të atdheut, patriotët nuk hoqën dorë nga programi autonomist, nuk e lanë pas dore kërkesën për vilajetin autonom të Shqipërisë, që u formulua në rezolutën e Kuvendit të Dibrës, më 1 nëntor 1878. Si qendra e Lidhjes Shqiptare, ashtu edhe komitetet e saj ndërkrahinore e ngritën herë pas here me anën e memorandumeve çështjen e të drejtave autonomiste të vendit. Ndërsa Porta e Lartë, e vendosur për të mos bërë asnjë lëshim, vijoi ta zvarriste përgjigjen, në shumë krahina të Shqipërisë mori hov lëvizja popullore kundër administratës shtetërore osmane.

    Në të vërtetë, në viset shqiptare, administrata qeveritare e vilajeteve ishte paralizuar qysh në verën e vitit 1878. Gjyqet shtetërore nuk funksiononin. Qeveria e Stambollit, që nga vera e vitit 1879, nuk kishte mundur të nxirrte nga viset shqiptare as taksa dhe as nizamë. Në shumë raste një pjesë e këtyre taksave ishte vjelë nga organet e Lidhjes Shqiptare për të përballuar luftën mbrojtëse dhe sistemimin e muhaxhirëve. Rekrutët shqiptarë, në vend që të vinin nizamë në ushtrinë perandorake, ishin regjistruar vullnetarë në ushtrinë e Lidhjes së Prizrenit. Degët e saj kishin filluar të ushtronin në të njëjtën kohë edhe funksionet gjyqësore.

    Porta e Lartë nuk mund të pajtohej gjatë me këtë gjendje. E shqetësuar nga rrjedha që po merrnin ngjarjet në Shqipëri, ajo u orvat në pranverën e vitit 1879 ta rivendoste autoritetin e saj në viset shqiptare, duke rimëkëmbur në këto vise administratën e saj të mëparshme. Por rivendosja e administratës së vjetër osmane shkaktoi reagimin e menjëhershëm të shqiptarëve. Ata e kundërshtuan rreptësisht urdhrin që lëshoi Stambolli për të vjelë taksat e reja dhe ca më tepër taksat e prapambetura jo vetëm për faktin se pagesa e tyre ishte një barrë e rëndë për popullsinë e varfëruar nga lufta, por edhe për arsye politike. Fshatarët e qytetarët e quanin pa vend t’i paguanin taksa Perandorisë Osmane që nuk ishte në gjendje të mbronte trojet e tyre, madje, që po tregohej e gatshme t’i shiste, siç shpreheshin ata, tek armiqtë e vendit.

    Qëndresa kundër taksave mori përpjesëtime aq të mëdha, sidomos në vilajetet e Kosovës e të Shkodrës, sa tagrambledhësit nuk guxonin t’u afroheshin fshatarëve e qytetarëve. Për ta shpënë urdhrin e saj deri në fund, Porta e Lartë i porositi valinjtë që, po ta shihnin të nevojshme, të përdornin për vjeljen e taksave edhe dhunën ushtarake. Por, siç raportonte më 7 qershor 1879 ministri serb në Stamboll, për shkak të kësaj porosie shqiptarët e Prizrenit e të Prishtinës u revoltuan aq shumë ndaj qeverisë osmane, sa ishin gati të rrëmbenin edhe armët kundër saj. Si pasojë e kësaj qëndrese Stambolli u detyrua të hiqte dorë përkohësisht nga përdorimi i dhunës në vjeljen e taksave.

    Të njëjtën qëndresë ndeshi te shqiptarët edhe orvatja tjetër e Portës së Lartë për të rekrutuar nizamë në Shqipëri. Nizamët shqiptarë nuk iu përgjigjën thirrjes nën armë ose, edhe kur u paraqitën, u arratisën sapo u pajisën me armë, duke deklaruar se do ta kryenin shërbimin ushtarak nën urdhrat e Lidhjes së Prizrenit. Lëvizja përfshiu edhe nizamët shqiptarë të rekrutuar gjatë viteve të kaluara, të cilët ndodheshin ende në radhët e ushtrisë osmane. Në mjaft raste, ata që kryenin shërbimin ushtarak jashtë Shqipërisë i braktisën repartet e tyre, sapo u formua Lidhja e Prizrenit. Përpjesëtimi që mori arratisja e detyroi Portën e Lartë që t’i mbante ata në reparte të dislokuara në trojet shqiptare.

    Hov të madh mori sidomos lëvizja kundër gjykatave shtetërore osmane, që urreheshin nga masat popullore për shkak të procedurës së ndërlikuar, të ligjeve të papërshtatshme, të gjuhës së pakuptueshme dhe të korrupsionit të thellë që sundonte në to. Në mars të vitit 1879, në Prishtinë, në qendrën e vilajetit të Kosovës, filloi agjitacioni ndërmjet qytetarëve për të kërkuar krijimin e gjykatave popullore, të pavarura nga pushteti qendror, të cilat duhet t’u përshtateshin kushteve dhe zakoneve të vendit, pra të ishin shqiptare nga ligjet, nga gjuha dhe nga gjyqtarët. Në prill agjitacioni u shtri edhe në fshat. Në këtë kohë kërkesa për krijimin e gjykatave popullore shqiptare mori formën e një lëvizjeje për vetëqeverisjen e vendit, në krye të së cilës ishte vënë Zija Prishtina, anëtar i Komitetit të Stambollit.

    Në maj të vitit 1879 Zija Prishtina i paraqiti Portës së Lartë peticionin e popullsisë së sanxhakut të Prishtinës, në të cilën kërkohej të mos bënte asnjë lëshim të trojeve shqiptare, të lejonte formimin e gjyqeve të pavarura shqiptare dhe të largonte ushtrinë nga Kosova. Më 12 maj 1879 sulltani lejoi që në sanxhakun e Prishtinës të formoheshin gjykatat shqiptare, të cilat të vepronin krahas gjykatave shtetërore, duke ua lënë në dorë shtetasve që t’i drejtoheshin, sipas dëshirës, njërës prej tyre. Por disa ditë më vonë, me zgjerimin që mori lëvizja në viset e tjera, ai u detyrua ta shtrinte këtë të drejtë në gjithë vilajetin e Kosovës.

    Lëvizja për gjykatat shqiptare, ashtu si edhe lëvizjet kundër taksave shtetërore e rekrutimit të nizamëve, ndonëse u zhvilluan nën hijen e Lidhjes së Prizrenit, në fillim patën karakter spontan e lokal. Por hovi i madh që ato morën, tërhoqi menjëherë vëmendjen e organeve udhëheqëse të Lidhjes së Prizrenit, të cilat morën në dorë drejtimin e tyre. Lëvizja kundër pagesës së taksave dhe rekrutimit të nizamëve u përhap kështu në pjesën më të madhe të vendit. Kërkesa për gjykatat shqiptare u shtri në vilajetin e Shkodrës, kurse në atë të Kosovës u thellua më tej. Qysh në maj, nën drejtimin e degëve të Lidhjes, u parashtrua në Gjakovë e në Pejë kërkesa që me krijimin e gjykatave shqiptare të suprimoheshin gjykatat osmane. Madje, më 19 maj 1879, Komiteti Kombëtar i Lidhjes vendosi ta shtrinte kërkesën e vetëqeverisjes jo vetëm në institucionet gjyqësore, por në mbarë administratën shtetërore të vilajetit. Meqenëse Porta e Lartë nuk pranoi t’i suprimonte gjykatat shtetërore, Lidhja e Prizrenit shpalli bojkotimin e tyre.

    Popullsia u ftua t’u drejtohej vetëm gjykatave shqiptare, madje u shpallën ndëshkime kundër atyre që do të trokisnin në gjykatat shtetërore.
    Porta e Lartë u përpoq ta shuante lëvizjen popullore pa hyrë në konflikt të armatosur me shqiptarët. Për këtë qëllim ajo dërgoi në Shqipëri emisarë dhe agjitatorë të posaçëm, të cilët i përsëritën premtimet e zakonshme për reforma administrative. Në të njëjtën kohë, me qëllim që të shkaktonin përçarje ndërmjet udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare, ata e shtuan trysninë ndaj qarqeve të moderuara. Megjithatë, në mbledhjen që Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes mbajti më 24 korrik 1879, vendosi me shumicë votash që t’i kujtonte Portës së Lartë se shqiptarët do të detyroheshin ta përmbysnin vetë pushtetin lokal në rast se Stambolli nuk do të plotësonte kërkesat e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, atdhetarët radikalë, duke mos pasur besim në gatishmërinë e Stambollit për reforma, kërkuan ta thellonin më tej lëvizjen popullore kundër administratës osmane për ta detyruar sulltanin që ta merrte parasysh rezolutën e Kuvendit të Dibrës.

    Porta e Lartë, pasi e zvarriti për një kohë të gjatë përgjigjen për rezolutën e Kuvendit të Dibrës, deklaroi, në verën e vitit 1879, se kërkesat e shqiptarëve do të zgjidheshin në kuadrin e “ligjeve organike” (reformave administrative) që ajo detyrohej të zbatonte në territoret e saj evropiane sipas nenit 23 të Traktatit të Berlinit. Me këtë deklaratë ajo linte të kuptonte se nuk kishte ndërmend ta ndryshonte ndarjen administrative të vilajeteve që ishte në fuqi.

    Në këto rrethana qarqet atdhetare shqiptare e ngritën menjëherë zërin, duke theksuar se zbatimi i nenit 23 të Traktatit të Berlinit, pa bashkuar më parë trojet e tyre në një vilajet të vetëm, ishte një shkelje e hapur e të drejtave kombëtare të Shqipërisë. Me një parashtresë drejtuar kryeministrit osman, më 27 gusht 1879, Abdyl Frashëri kërkonte që në kushtet aktuale të mos zbatohej në Shqipëri neni 23 i Traktatit të Berlinit, domethënë të mos formoheshin komisione të posaçme për të hartuar reforma të ndryshme për çdo vilajet. Që Shqipëria të shpëtonte nga rreziku i asgjësimit, që ajo të bëhej e aftë për veten e saj dhe për Perandorinë Osmane duhej, theksonte Abdyl Frashëri, që reformat e nevojshme të hartoheshin nga një komision i vetëm për të gjitha trojet shqiptare, gjë që kërkonte paraprakisht bashkimin e të gjitha këtyre trojeve (të ndara në 11 sanxhakë) në një vilajet të vetëm. Veç kësaj, shtonte ai, ishte e domosdoshme që ky komision i posaçëm t’i studionte reformat e dobishme për Shqipërinë në bashkëpunim me përfaqësuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

    Në këto rrethana, kur u acaruan edhe marrëdhëniet shqiptaro-malazeze dhe forcat e Malit të Zi u vunë në gatishmëri luftarake në kufijtë e Shqipërisë, u mblodh në Prizren, më 3 tetor 1879, Kuvendi i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare, në të cilin u trajtuan dy çështje themelore që shqetësonin vendin: qëndrimi që duhej mbajtur ndaj provokacioneve ushtarake të Cetinës e përgatitjeve të saj për luftë dhe zhvillimi i lëvizjes për autonominë e Shqipërisë. Për çështjen e parë nuk pati diskutime të shumta. Të gjithë qenë të një mendimi për t’iu përgjigjur ushtrive malazeze me armë, nëse ato do të orvateshin të merrnin me dhunë Plavën e Gucinë. Diskutime të shumta u bënë brenda e jashtë Kuvendit për çështjen e të drejtave autonomiste të Shqipërisë. Delegatët e Kuvendit dhe veprimtarët e lëvizjes kombëtare jashtë tij ishin të mendimit që këtë herë Lidhja Shqiptare të kërkonte jo si një vit më parë me rezolutën e Dibrës (të 1 nëntorit 1878) një “Vilajet Shqiptar”, por një “Principatë Shqiptare” ose një “Republikë Shqiptare”, me kryeqytet Manastirin, nën suzerenitetin e sulltanit, duke i paguar atij një tribut vjetor. Një kërkesë e tillë, që do të çonte në shkëputjen gati të plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, u parashtrua nga përfaqësuesit e krahut radikal të Lidhjes, ndërsa pjesa tjetër e delegatëve të Kuvendit dhe e udhëheqësve të saj mendonte se, për shkak të konfliktit me Malin e Zi, që po trokiste në derë, nuk ishte e volitshme që në ato ditë të hyhej në luftë kundër Portës së Lartë.

    Në këto rrethana, delegatët radikalë u tërhoqën nga kërkesa e një “Principate Shqiptare” ose të një “Republike Shqiptare” dhe vendosën të kërkojnë nga Stambolli “Vilajetin e Shqipërisë”, pa bërë asnjë hap të mëtejshëm prapa. Por qeveria turke e kundërshtonte edhe këtë kërkesë dhe, duke qenë në dijeni të punimeve të Kuvendit, kaloi në përdorimin e forcës ndaj tij. Më 13 tetor 1879 organet qeveritare të Prizrenit vunë në përdorim garnizonin ushtarak dhe e shpërndanë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, pa i lënë kohë atij të përfundonte punimet e tij dhe të miratonte rezolutën përkatëse.
    Në një nga seancat e para Kuvendi i Përgjithshëm arriti të zgjidhte sërishmi Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare. Kryetar i Lidhjes Shqiptare u zgjodh në vend të Sheh Mustafa Tetovës (që kishte zëvendësuar Iljaz pashë Dibrën) Haxhi Ymer efendiu (Prizreni), myderriz (profesor i së drejtës islame), përkrahës i krahut radikal të lëvizjes kombëtare.

    Në fillim të nëntorit 1879, kur filluan sulmet e ushtrive malazeze në sektorin e Plavës e të Gucisë, të cilat u pasuan nga mësymja që ato zhvilluan në fillim të dhjetorit 1879 dhe në javën e parë të janarit 1880, lëvizja popullore kundër administratës shtetërore osmane ra përkohësisht.

  3. #43
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    Lëvizja autonomiste gjatë pranverës 1880


    Mbrojtja me sukses e Plavës dhe e Gucisë nga sulmet e ushtrive malazeze u dha zemër rretheve atdhetare që ta drejtonin vëmendjen përsëri në marrëdhëniet e tyre me administratën osmane. Rastin për ta tërhequr lëvizjen spontane popullore nën flamurin e kërkesave autonomiste e dha përsëri Porta e Lartë.
    Menjëherë pas fitores që korrën shqiptarët në Velikë e në Pepaj, qeveria osmane shpalli reformat administrative (ligjet organike) që do të zbatoheshin në zotërimet e saj të Gadishullit Ballkanik. Reformat u shpallën pa krijuar asnjë komision lokal, për të cilin flitej në nenin 23 të Traktatit të Berlinit, dhe pa e përfillur fare kërkesën e Lidhjes së Prizrenit për formimin e një vilajeti të vetëm shqiptar. Sipas këtyre reformave, në viset shqiptare, të copëtuara ndërmjet katër vilajeteve, do të forcohej më shumë se më parë zgjedha politike, ekonomike, shoqërore e kulturore e pushtetit qendror osman. Shqiptarët nuk fitonin asnjë të drejtë kombëtare; nuk kishin të drejtë as për arsim në gjuhën amtare, madje as të drejtën të quheshin “shqiptarë”, sepse Porta e Lartë nuk e njihte kombësinë shqiptare. Karakteri burokratik i administratës së vilajeteve forcohej, po ashtu edhe vartësia e saj prej Portës së Lartë. Në reformën gjyqësore nuk kishte vend për gjykata shqiptare. Gjykatat e reja perandorake, edhe pse formalisht ndaheshin nga pushteti administrativ, mbeteshin organe të pushtetit qendror osman. Sistemi fiskal dhe shërbimi ushtarak nuk prekeshin. Nga të ardhurat buxhetore vetëm një e dhjeta u lihej këshillave administrativë lokalë për t’u shpenzuar në vend dhe vetëm në rast se të ardhurat realizoheshin plotësisht.
    Në të njëjtën kohë me shpalljen e reformave administrative, Porta e Lartë e shtroi me forcë kërkesën e saj të mëparshme për të mbledhur taksat e nizamët e prapambetur; madje tani taksat e nizamët ajo i kërkonte për llogari të tre vjetëve.

    Në këto rrethana, qëndresa popullore shqiptare kundër administratës perandorake osmane hyri në një fazë të re. Në mjaft raste ajo u shpreh me sulme të armatosura kundër saj. Gjatë pranverës së vitit 1880 këto sulme u drejtuan jo vetëm kundër vjeljes me dhunë të taksave, por edhe për pastrimin e vendit nga administrata shtetërore e vilajeteve.

    Në vilajetin e Kosovës përpjekjet e para të armatosura ndërmjet fshatarëve shqiptarë dhe ushtarëve turq, që shoqëronin tagrambledhësit qeveritarë, u shfaqën qysh në muajin shkurt 1880. Në mars qëndresa e armatosur u shtri në krejt rrethet e Prizrenit e të Prishtinës. Në fillim të prillit u grumbulluan në Shtimje gati 3 mijë fshatarë për të sulmuar Prizrenin dhe për ta zëvendësuar administratën osmane me organe shtetërore shqiptare. Garnizoni turk i Prizrenit u doli përpara dhe në fshatin Krushe sulmoi një pjesë të tyre, por nuk i shpërndau dot. Për raprezalje autoritetet turke burgosën 6 udhëheqës të Lidhjes Shqiptare. Atëherë kryengritësit sulmuan Prizrenin, hynë brenda në qytet dhe pasi çliruan të burgosurit, ia dorëzuan pushtetin Komitetit të Lidhjes Shqiptare. Përballë këtij aksioni të armatosur garnizoni turk u detyrua të qëndronte i mbyllur në kala. Sulme të tilla ndodhën edhe në sanxhakët fqinjë të Prishtinës e të Pejës, ku pushteti lokal kaloi gjithashtu në duart e degëve të Lidhjes Shqiptare.

    Lëvizja autonomiste u shtri, ndonëse në përpjesëtime më të vogla, në mjaft vise të vilajetit të Manastirit e të Janinës. Përkundrazi, në vilajetin e Shkodrës ajo u shpreh në një formë të tillë që la përshtypje të thellë si brenda, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Më 9 prill 1880, kur popullsinë e vilajetit e kishte pushtuar vala e përgatitjeve ushtarake për të mbrojtur Hotin e Grudën, u mblodh një Kuvend i jashtëzakonshëm i Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës. Pas dy ditë punimesh Kuvendi miratoi një rezolutë, me të cilën kërkohej nga sulltani që ky t’i largonte ushtritë turke nga Shqipëria dhe t’u njihte autonominë administrative mbarë viseve shqiptare të bashkuara në një vilajet të vetëm. Ky vendim u përsërit me ceremoni të veçantë në mitingun popullor, që u zhvillua në Shkodër më 19 prill 1880, me rastin e nisjes së vullnetarëve të parë për në Tuz. Në fillim të majit Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes e ktheu gazetën qeveritare turqisht të vilajetit, me emrin “Shkodra”, në një gazetë shqip dhe në një organ të tij.

    Në numrin e saj të parë shqip, që doli më 7 maj 1880, u botua një deklaratë, në të cilën thuhej se tani e tutje duhej të merrte fund sundimi osman në Shqipëri.
    Megjithatë ky sundim nuk mori fund dhe Lidhja e Prizrenit nuk e kishte ende në duart e saj pushtetin politik të vendit. Me fitoret që ajo arriti në saje të lëvizjes popullore në pranverën e vitit 1880, në Shqipëri u krijua një diarki (dypushtet) e ndarë ndërmjet Portës së Lartë dhe Lidhjes Shqiptare. Edhe Porta e Lartë kishte formuar tanimë bindjen se kërkesa e autonomisë së Shqipërisë kishte lëshuar rrënjë në ndërgjegjen e popullsisë shqiptare dhe kishte përfshirë të gjitha trevat shqiptare. Nën trysninë e kësaj aspirate të shqiptarëve dhe për t’u dhënë fund kërkesave të vazhdueshme të Lidhjes së Prizrenit për krijimin e një “vilajeti të bashkuar të Shqipërisë”, qeveria turke, pas diskutimeve të shumta që u zhvilluan në prill-maj 1880, më 5 qershor miratoi vendimin për formimin e “Vilajetit të Rumelisë”, në të cilin, siç thuhej në këtë vendim, “do të bashkoheshin vilajetet që janë në Shqipëri, domethënë ai i Shkodrës, i Kosovës, i Manastirit dhe i Janinës”. Edhe pse ky do të quhej “Vilajeti i Rumelisë”, nuk do të mbante emrin “Vilajeti i bashkuar i Shqipërisë” dhe do të kishte në krye një guvernator turk, Ejup Pashën, krijimi i tij do të shënonte një hap të rëndësishëm në bashkimin e tokave shqiptare në një vilajet të vetëm, prandaj u kundërshtua nga Fuqitë e Mëdha, sidomos nga Rusia, nën presionin e të cilave edhe sulltani hoqi dorë nga ky vendim.

    Ndërkaq, atdhetarët më të vendosur shqiptarë arritën në përfundimin se tani ishin krijuar kushtet për të përmbushur kërkesën e autonomisë së Shqipërisë, hap i parë drejt së cilës do të ishte pajisja e Lidhjes Shqiptare me atributet e një qeverie të përkohshme. Kjo çështje u shtrua në mbledhjen që u mbajt në Frashër, në fillim të muajit qershor 1880. Këtu morën pjesë përfaqësuesit e krahinave të Shqipërisë Juglindore, të cilat administrativisht vareshin nga vilajetet e Janinës e të Manastirit (afërsisht rrethet e sotme të Përmetit, të Skraparit, të Korçës e të Kolonjës). Midis çështjeve të tjera që kishin të bënin me mbrojtjen e trojeve shqiptare, mbledhja miratoi edhe propozimin për të formuar një qeveri të përkohshme për krejt Shqipërinë, e cila të merrte në dorë administrimin e të gjithë vendit. Qeveria do të formohej nga një kuvend i përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit, ku duhej të merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha krahinave shqiptare. Barra kryesore e plotësimit të kësaj detyre historike iu ngarkua Abdyl Frashërit.

    Fill pas mbylljes së punimeve të mbledhjes së Frashërit, Abdyli së bashku me aktivistët e tjerë atdhetarë u shpërndanë në viset e Shqipërisë Jugore për të popullarizuar idenë e qeverisë së përkohshme shqiptare. Përpara se të thirrej kuvendi i përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare, u mendua që çështja të shqyrtohej nga Kuvendi Ndërkrahinor i vilajetit të Janinës. Kuvendi Ndërkrahinor u vendos të mblidhej në Gjirokastër pasi të shiheshin përfundimet e Konferencës së Berlinit, e cila do të fillonte punimet e veta së afërmi, më 16 qershor 1880.



    Konferenca e Berlinit dhe çështja shqiptare në arenën ndërkombëtare (qershor-gusht 1880)


    Zyrtarisht Konferenca e Berlinit, në të cilën morën pjesë ambasadorët e gjashtë Fuqive të Mëdha, nën kryesinë e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, princit Bylov (Bülov), u mblodh për t’u dhënë fund çështjeve të Traktatit të Berlinit, që kishin mbetur pas dy vjetësh ende të pazgjidhura. Në të vërtetë, dy qenë çështjet e rëndësishme të pazgjidhura dhe që të dyja ishin pasojë e qëndresës shqiptare: kufiri turko-grek dhe kufiri turko-malazez. Megjithatë, edhe pse shqiptarët e kishin mbajtur në tension dy vjet me radhë diplomacinë ndërkombëtare, Fuqitë e Mëdha vijuan të mos i përfillnin aspiratat e tyre kombëtare. Shqiptarët nuk u lejuan as në Konferencën e Berlinit që të parashtronin dhe të mbronin interesat e tyre jetikë.

    I vetmi mjet për ta çuar zërin e tyre në Konferencën e Berlinit qenë protestat dhe memorandumet. Për këtë qëllim, në të katër anët e vendit u organizuan përsëri nën drejtimin e organeve të Lidhjes së Prizrenit mbledhje të gjera popullore, në të cilat u shpreh edhe njëherë vendosmëria për të mos lejuar asnjë copëtim të trojeve shqiptare në favor të shteteve fqinje. Nga të katër anët e vendit u hartuan, me një përmbajtje të tillë, një varg protestash, të cilat iu drejtuan telegrafisht Konferencës së Berlinit. Rëndësi të veçantë patën tri peticionet dërguar veç e veç në qershor nga Komitetet Ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare për vilajetin e Janinës, për atë të Kosovës (i Prizrenit) dhe për vilajetin e Shkodrës. Nënshkruesit e këtyre akteve kërkonin respektimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në fushën e tërësisë territoriale, vinin në dukje padrejtësinë e pretendimeve territoriale greke dhe pasojat që do të kishin shqiptarët nëse ato do të pranoheshin. Në peticione, me një ton diplomatik, shprehej besimi se Fuqitë e Mëdha do t’i merrnin në konsideratë të drejtat kombëtare të shqiptarëve, por theksohej njëkohësisht, se ata ishin të vendosur të kundërshtonin me armë copëtimin e trojeve të tyre amtare. Por krahas këtyre protestave të rrepta, qarqet atdhetare rilindëse u përpoqën t’u tërhiqnin vëmendjen Fuqive të Mëdha edhe ndaj problemit të të drejtave autonomiste të Shqipërisë.

    Këtë radhë Porta e Lartë u ndodh më ngushtë se herët e tjera. Meqenëse Fuqitë e Mëdha nuk i përfillnin shqiptarët, gjithë përgjegjësinë e çështjeve të pazgjidhura të Traktatit të Berlinit ia ngarkonin Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, presioni i tyre për t’u dhënë fund këtyre çështjeve në favor të Greqisë e të Malit të Zi qe më i fortë se kurrë. Por tani që në Shqipëri lëvizja autonomiste kishte marrë hov të madh dhe autoriteti i Stambollit ishte dobësuar shumë, Porta e Lartë më shumë se kurdoherë e pati të vështirë t’u impononte shqiptarëve vullnetin e Fuqive të Mëdha. Ajo ishte e ndërgjegjshme se çdo ndërhyrje e saj ushtarake për t’i detyruar shqiptarët të pranonin copëtimin e trojeve të tyre do ta ndizte më keq flakën e luftës kundërosmane në Shqipëri. Për këtë arsye, me gjithë presionin e Fuqive të Mëdha, ajo vendosi të kundërshtonte në këtë Konferencë çdo zgjidhje territoriale në dëm të shqiptarëve. Madje, për t’i qetësuar në këtë drejtim, sulltani emëroi, në pragun e Konferencës së Berlinit, ministër të Jashtëm të Perandorisë Osmane Abedin pashë Dinon, ish-anëtarin e Kryesisë së Lidhjes së Prizrenit.

    Konferenca e Berlinit i filloi punimet më 16 qershor 1880. Pothuajse të gjitha çështjet që trajtoi kishin të bënin me Shqipërinë. Midis tyre, ajo që pati më shumë debate ishte çështja e kufirit turko-grek. Prirja që tregonin Fuqitë e Mëdha për ta zmadhuar Greqinë, me qëllim që ta kishin si një ledh kundër ndikimit rus në Ballkan, e nxiti Athinën të kërkonte në Epir më shumë troje shqiptare se ato që rekomandoheshin në Protokollin nr. 13 të Kongresit të Berlinit, jo deri në lumin Kalamas, por deri në jug të Sarandës, duke përfshirë edhe qytetin antik të Butrintit. Por Fuqitë e Mëdha kërkuan ta kënaqnin Greqinë në sektorë të tjerë, pasi, sipas tyre, prania e shumë shqiptarëve në Mbretërinë Greke do ta dobësonte fuqinë e saj. Perandoria Osmane kundërshtoi si njërën, si tjetrën zgjidhje. Përfaqësuesi i saj la të kuptojë edhe njëherë se Porta e Lartë ishte e prirur për të bërë lëshime vetëm në Thesalinë greke, por jo në Epirin shqiptar. Përfundimisht, Konferenca e Berlinit nuk bëri në këtë çështje asnjë hap përpara. Ajo miratoi propozimin e Francës për ta kthyer nga “rekomandim” në “vendim” vijën kufitare Kalamas-Selemvria, për të cilin flitej në Protokollin nr. 13.

    Megjithatë vendimi ishte përsëri i cunguar, pasi nuk parashikonte asnjë mjet për ta detyruar Perandorinë Osmane që ta çonte deri në fund zbatimin e tij.
    Konferenca e Berlinit nuk e trajtoi drejtpërdrejt çështjen e kufirit turko-malazez, pasi kjo, sipas pikëpamjes së Fuqive të Mëdha, kishte gjetur zgjidhje dy javë më parë. Por gjatë ditëve që konferenca vazhdonte punimet e saj, ambasadorët e tyre në Stamboll ia propozuan variantin e ri Portës së Lartë, duke ia lënë asaj në dorë që të zgjidhte për t’i dorëzuar Malit të Zi ose krahinën e Hotit e të Grudës, ose qytetin e Ulqinit me rrethinat e tij.

    Edhe pse Konferenca e Berlinit nuk i përfilli interesat kombëtarë të Shqipërisë, lufta e masave shqiptare nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit për të mbrojtur tërësinë territoriale dhe për të fituar të drejtat e saj autonomiste, tashmë kishte filluar të bënte jehonë edhe në disa nga kancelaritë e Fuqive të Mëdha. Kush më shumë e kush më pak, ato filluan të bindeshin se lëvizja shqiptare nuk ishte, siç kishin pohuar deri atëherë, një makinacion i Stambollit, se ajo ishte shprehje e protestës së një populli që kishte aspiratat e veta kombëtare dhe se faktori shqiptar nuk duhej lënë pas dore në qoftë se dëshironin që vendimet e tyre të mëtejshme të viheshin me të vërtetë në jetë. Megjithatë, qëndrimi që mbajtën ndaj faktorit shqiptar nuk qe i njëjtë. Në secilën prej tyre ndikuan interesat e veçantë politikë dhe ekonomikë që ato kishin në Evropën Juglindore.

    Qëndrimi më i papajtueshëm për çështjen shqiptare u duk midis Rusisë cariste dhe Britanisë së Madhe. Rusia vijonte të mos e pranonte idenë e një shteti autonom shqiptar, për ta lënë gjithnjë të hapur rrugën e përmbushjes së aspiratave pushtuese që ushqenin shtetet sllave të Ballkanit. Anglia udhëhiqej nga parime të kundërta. Ajo donte, si edhe më parë, forcimin e Perandorisë Osmane, të cilën, përveçse e kishte kthyer në një gjysmëkoloni të saj, vijonte ta shihte si një ledh të rëndësishëm për të penguar ekspansionin rus në Evropën Juglindore. Për këtë arsye, qeveria britanike ishte e prirur që t’u jepeshin shqiptarëve disa të drejta autonomiste, me qëllim që ta çlironte Perandorinë Osmane nga telashet që i vinin prej tyre, të cilat çonin në dobësimin e saj. Një qëndrim të ndërmjetëm mbajti Austro-Hungaria, e pasuar nga Gjermania. Edhe Vjena udhëhiqej nga synimi për të penguar ekspansionin rus në Ballkan, por tani kishte filluar të shqetësohej edhe nga pavarësia që po fitonte Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe në mënyrë të veçantë nga fryma antiaustriake, që kishte shkaktuar në Shqipëri vendosja e garnizoneve të saj ushtarake në hyrje të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës. Për këtë qëllim, Vjena nuk ishte për shtrirjen e të drejtave kombëtare në mbarë viset shqiptare, por vetëm në Shqipërinë Veriore me popullsi të dendur katolike, të cilën ajo shpresonte ta mbante nën kontrollin e saj nëpërmjet kultusprotektoratit.

    Gjatë ditëve të Konferencës së Berlinit ngadhënjeu pikëpamja e Vjenës. Më 26 qershor 1880 ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Stamboll, së bashku me variantin e zëvendësimit të krahinës së Hotit e të Grudës me qytetin e me rrethinat e Ulqinit, e këshilluan Portën e Lartë që të shqyrtonte mundësinë për t’i dhënë të drejtën e vetëqeverisjes administrative vetëm vilajetit të Shkodrës.
    Por disa diplomatë të huaj, të cilët e ndiqnin nga afër gjendjen e Shqipërisë, dyshonin se me këtë zgjidhje Perandoria Osmane përsëri nuk do të kishte qetësi të brendshme. Sikurse i raportonte qeverisë së vet në korrik të vitit 1880 ambasadori anglez në Stamboll, Goshen, dhënia e autonomisë administrative vetëm për vilajetin e Shkodrës, nuk i shërbente Perandorisë Osmane, as politikës britanike në Ballkan. “Kombësia shqiptare, - shkruante ai, - është një element që nuk duhet lënë pa përfillur në çdo kombinim politik në të ardhmen. Edhe në qoftë se është e parakohshme, unë do të rekomandoja që formimi i një province shqiptare të bashkuar, të mbahej të paktën gjithnjë parasysh”. Sipas diplomatit britanik, ishte në interes të Anglisë që Shqipëria të bëhej e fortë dhe ajo mund të bëhej e tillë vetëm nëse bashkoheshin të gjitha viset shqiptare në një provincë të vetme autonome. “Ky popull, - nënvizonte Gosheni, - që në pjesën më të madhe është mysliman, do të bëhet burim vështirësish nga më të mëdhatë për vendet sllave e greke” të Gadishullit Ballkanik. Qeveria britanike e Gladstonit e përvetësoi tezën e ambasadorit të vet, por Fuqitë e tjera të Mëdha qëndruan në pikëpamjen e Vjenës, e cila vijoi të ngulte këmbë për t’i dhënë autonominë administrative vetëm vilajetit të Shkodrës, madje as krejt territoreve të tij, por kryesisht malësive katolike që bënin pjesë në këtë vilajet.

    Megjithatë, çështja shqiptare tashmë kishte fituar të drejtën e qytetarisë në arenën ndërkombëtare dhe nuk mund të injorohej si më parë nga Fuqitë e Mëdha. Kjo u duk qartë në mbledhjet që zhvilloi gjatë verës së vitit 1880 Komisioni Evropian për Rumelinë Lindore, i krijuar nga Fuqitë e Mëdha për të shqyrtuar, në mbështetje të nenit 23 të Traktatit të Berlinit, projektin e reformave administrative që kishte përgatitur Porta e Lartë për të zbatuar në vilajetet e saj të Gadishullit Ballkanik. Me këtë rast përfaqësuesi britanik Ficmoris (Fitzmaurice) i paraqiti komisionit një projekt, me anën e të cilit kërkonte jo bashkimin e menjëhershëm të trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm, por organizimin e tyre në katër sanxhakë me qendër në Shkodër, në Prizren, në Elbasan dhe në Janinë, si hap të parë për bashkimin e tyre në të ardhmen në një shtet të vetëm shqiptar. Por projekti britanik ndeshi përsëri në kundërshtimin e fuqive të tjera. Madje Komisioni Evropian, me përjashtim të përfaqësuesit rus, miratoi më 23 gusht 1880 projektin e hartuar bashkërisht nga përfaqësuesit e Francës dhe të Austro-Hungarisë, i cili shënonte një hap prapa në krahasim me idenë e formuluar dy muaj më parë, pasi tani i sugjerohej Portës së Lartë të jepte autonominë administrative jo për krejt vilajetin e Shkodrës, por vetëm për malësitë patriarkale të Veriut. Megjithatë, me këmbënguljen e përfaqësuesit britanik, në deklaratën e Komisionit Evropian për Rumelinë Lindore u vu si shtesë shënimi se Fuqitë e Mëdha “nuk do të kishin asnjë kundërshtim”, në rast se Porta e Lartë do ta shihte me vend që t’i bashkonte krahinat shqiptare në një vilajet të vetëm.
    Por Porta e Lartë nuk pranoi asnjë nga këto sugjerime.

  4. #44
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    Kuvendi i Gjirokastrës (23 korrik 1880)



    Sukseset që u arritën gjatë pranverës kundër administratës osmane të vilajeteve, paaftësia e Portës së Lartë për ta ndaluar vrullin e luftës së masave shqiptare dhe jehona që patën këto suksese në arenën ndërkombëtare i dhanë një shtytje të mëtejshme lëvizjes autonomiste në Shqipëri. Por vendimi që morën Fuqitë e Mëdha brenda e jashtë Konferencës së Berlinit, për ta detyruar Portën e Lartë që t’i kënaqte Athinën dhe Cetinën me lëshime territoriale në Çamëri e në Ulqin, krijoi një rrethanë thellësisht të ndërlikuar për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

    Qarqet atdhetare të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke qenë të bindura se Porta e Lartë në gjendje paqeje nuk do t’i jepte asnjë të drejtë kombëtare Shqipërisë dhe se këto mund të siguroheshin vetëm nëse asaj i krijohej një gjendje pa rrugëdalje, këmbëngulën që lufta për autonominë e vendit të vijonte edhe në këto kushte. Sipas pikëpamjes së tyre, ishte e nevojshme që lufta kundër copëtimit të trojeve shqiptare të shkrihej me luftën për të drejtat autonomiste të Shqipërisë. Në një rast të tillë, mendonin ato, Porta e Lartë do të ngurronte të hapte një luftë frontale kundër gjithë Shqipërisë, aq më tepër që fuqitë perëndimore, në radhë të parë Britania e Madhe dhe Austro-Hungaria, do ta detyronin Perandorinë Osmane ta shmangte me çdo kusht këtë konflikt me shqiptarët për të mos përfituar prej tij Rusia cariste.

    Këto çështje pritej të diskutoheshin në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare që u mbajt në Prizren në dhjetëditëshin e fundit të korrikut të vitit 1880. Këshilli do të vendoste rreth masave që duheshin marrë për të pranuar lëshimin e territoreve që Konferenca e Berlinit ia kishte dhënë Greqisë, si edhe për të kundërshtuar vendimin e Konferencës së Stambollit për Ulqinin. Mbledhja e korrikut e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes kishte një përbërje mjaft të gjerë, megjithatë burimet dokumentare të njohura deri më sot heshtin rreth vendimeve të tij.

    Në të njëjtën kohë Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes për Shqipërinë e Jugut, sapo mori njoftim për rezolutën e 1 korrikut të Konferencës së Berlinit për ratifikimin në favor të Greqisë të kufirit greko-turk, vendosi të mbledhë në Gjirokastër një kuvend tjetër të Lidhjes Shqiptare. Ndryshe nga sa ishte menduar në fillim, Kuvendi i Gjirokastrës nuk pati karakter ndërkrahinor, por mbarëshqiptar. Sipas njoftimit që jep konsulli rus, Trojanski, Kuvendi u vendos të mblidhej në Gjirokastër për të qenë më afër qendrës së trojeve shqiptare, më larg presionit të qendrës së vilajetit dhe ndërhyrjes së agjentëve të huaj që ndodheshin në Janinë.

    Kuvendi u mblodh më 23 korrik 1880. Aty morën pjesë kryesisht krerët shqiptarë myslimanë e të krishterë të Beratit, të Përmetit, të Vlorës, të Labërisë dhe të Çamërisë. Por, sipas të dhënave të konsullatës austro-hungareze në Prevezë, në këtë Kuvend kanë marrë pjesë përfaqësues nga e gjithë Shqipëria, jo vetëm nga jugu, por edhe nga Gegëria, ndërsa krahinat që nuk dërguan dot përfaqësuesit e tyre, i miratuan vendimet e tij me shkrim.

    Punimet e Kuvendit i drejtoi Abdyl Frashëri. Çështja themelore që u trajtua aty ishte: autonomia e Shqipërisë, koha e shpalljes dhe mënyra e realizimit të saj. Kuvendi i Gjirokastrës vendosi që, në rast se qeveria e Stambollit do të shtrëngohej të zbatonte rezolutën e Konferencës së Berlinit ose në rast se Greqia do të orvatej t’i merrte me dhunë tokat shqiptare që asaj i qenë premtuar, Lidhja Shqiptare do të shpallte menjëherë një qeveri të përkohshme kombëtare. Me formimin e saj do të merrte fund sundimi osman në Shqipëri. Sapo të shpallej qeveria e përkohshme shqiptare, do të pushoheshin nëpunësit turq dhe do të zëvendësoheshin nga nëpunës shqiptarë pa dallim feje. Të ardhurat shtetërore do të administroheshin nga qeveria e përkohshme për nevojat e Lidhjes Shqiptare. Menjëherë do të hartohej një kushtetutë, e cila do të garantonte sigurinë e personit, të pasurisë dhe ushtrimin e lirë të fesë. Qeveria e përkohshme do të merrte të gjitha masat për të vendosur rendin dhe qetësinë shembullore në mbarë vendin. Për këtë qëllim do të dënoheshin me rreptësi jo vetëm autorët e krimeve, por edhe tradhtarët e vendit. Në të njëjtën kohë do t’i kushtohej një kujdes i veçantë ushtrisë kombëtare, në radhët e së cilës do të inkuadroheshin të gjithë nizamët, rezervistët dhe oficerët shqiptarë që shërbenin në ushtrinë osmane.

    Kuvendi i Gjirokastrës vendosi që Shqipëria të mos kalonte përtej caqeve të një shteti autonom nën sovranitetin e sulltanit. Megjithatë, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë autonome dhe Perandorisë Osmane do të kufizoheshin në minimum. Sulltani do të kishte vetëm një të drejtë: të emëronte guvernatorin e përgjithshëm të Shqipërisë, kurse Shqipëria detyrohej t’i paguante Portës së Lartë një tribut vjetor në të holla dhe të ndihmonte me një kontigjent të caktuar ushtarësh shqiptarë në rast lufte me shtetet e huaja. Për kompensim Perandoria Osmane do të detyrohej ta mbronte ushtarakisht Shqipërinë nga çdo agresion i jashtëm.

    Lidhur me rezolutën e Konferencës së Berlinit të 1 korrikut 1880 Kuvendi i Gjirokastrës mbajti të njëjtin qëndrim që kishte përcaktuar më parë Lidhja. Shpalli se shqiptarët nuk kishin punë me Thesalinë, por ishin të vendosur të kundërshtonin me çdo kusht një copëtim të Shqipërisë së Jugut (të Epirit). Kuvendi shprehu gatishmërinë e shqiptarëve për t’u hedhur menjëherë në front, në qoftë se ushtritë greke do të shkelnin kufirin. Kuvendi vendosi të merrte edhe masa konkrete ushtarake për mbrojtjen e tërësisë së Shqipërisë, duke ngritur për këtë qëllim ushtrinë kombëtare.

    Për ta detyruar Perandorinë Osmane që ta njihte de jure autonominë e Shqipërisë, udhëheqësit mendonin të tërhiqnin në veprime luftarake shtresat e gjera popullore dhe ta vinin Portën e Lartë para faktit të kryer. Sipas tyre, fakti i kryer do të siguronte në të njëjtën kohë edhe mbështetjen e atyre Fuqive të Mëdha, të cilat nuk dëshironin trazira të brendshme, që do ta dobësonin më shumë Perandorinë Osmane. Ata mendonin të siguronin mbështetjen e tyre duke tërhequr simpatinë e opinionit botëror në favor të kryengritjes çlirimtare dhe duke dhënë prova se shqiptarët ishin të përgatitur për të organizuar shtetin e tyre kombëtar.

    Kuvendi zë një vend të rëndësishëm në historinë e Lidhjes Shqiptare. Ai shënoi një shkallëzim të mëtejshëm të luftës për autonominë e Shqipërisë dhe shtroi për herë të parë, në shkallë kombëtare, krijimin e një qeverie të përkohshme shqiptare. Me vendimet e tij Kuvendi i Gjirokastrës ua parashtroi edhe njëherë Fuqive të Mëdha përgjigjen kategorike se shqiptarët nuk do të lejonin në asnjë mënyrë copëtimin e territoreve të atdheut të tyre.

    Fill pas mbylljes së Kuvendit të Gjirokastrës pjesëmarrësit u shpërndanë përsëri në viset e tyre, me qëllim që të mobilizonin forcat ushtarake për të mbrojtur tërësinë e trojeve shqiptare dhe për të siguruar të drejtat kombëtare.
    Tërheqja e shtresave të gjera të popullsisë në platformën atdhetare të krahut radikal të Lidhjes i dha shtytje lëvizjes autonomiste. Fill pas mbylljes së Kuvendit të Gjirokastrës në mjaft krahina të Jugut u rritën veprimet e popullsisë për dëbimin e nëpunësve turq nga administrata lokale dhe për kthimin e saj në administratë shqiptare. Një muaj më vonë, në gusht 1880, konsulli rus në Janinë, Trojanski, raportonte në lidhje me gjendjen në Çamëri: “Qeverisja e vilajetit tani po kalon dalëngadalë në duart e shqiptarëve, të cilët përpiqen të largojnë që këtej të gjithë nëpunësit me origjinë joshqiptare dhe kanë pasur aq sukses në këtë punë, saqë në rrethet e Epirit Veriperëndimor Lidhja Shqiptare vepron pothuajse në mënyrë të pavarur”. Dëshmi e rritjes së autoritetit të Lidhjes Shqiptare ishte vendosja e qetësisë së plotë jo vetëm në Shqipërinë e Jugut, por në mbarë vendin. Lidhja arriti të vendoste qetësinë e rendin edhe në vilajetin e Manastirit e të Kosovës. Me vendimet e Kuvendit të Gjirokastrës u solidarizua edhe opinioni publik i vilajetit të Kosovës e të Shkodrës, veçse në këto treva shqiptarët mbetën të gozhduar për shkak të shqetësimit që vijoi të shkaktonte çështja e Ulqinit.

    Vendimet e Kuvendit të Gjirokastrës shkaktuan shqetësim në Stamboll. Porta e Lartë mori masa për ta shtypur lëvizjen autonomiste me anë të përçarjes ose të dhunës në rast se acarohej situata në sektorin e Ulqinit. Për çështjen e Çamërisë ajo vendosi të fitonte kohë duke e vazhduar kundërshtimin ndaj Protokollit nr. 13 dhe duke i zvarritur përsëri bisedimet me palën greke.

  5. #45
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    5. MBROJTJA E ULQINIT. KUVENDI I DIBRËS
    (GUSHT-NËNTOR 1880)






    Demonstrata navale (gusht-tetor 1880)



    Mali i Zi e pranoi propozimin që bënë ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Stamboll, më 26 qershor 1880, për të zëvendësuar krahinat e Hotit e të Grudës me qytetin dhe rrethinat e Ulqinit. Por Porta e Lartë, megjithëse zyrtarisht nuk e kundërshtoi, nxori përsëri në shesh pengesën që do të ndeshte në dorëzimin e tij nga ana e shqiptarëve. Në të vërtetë, jo vetëm qyteti bregdetar i Ulqinit, por edhe hinterlandi i tij fshatar banohej krejtësisht nga popullsi shqiptare. Përveçse pjesë e pandarë e truallit kombëtar të Shqipërisë, Ulqini ishte skela kryesore e Shkodrës dhe e pellgut të saj në detin Adriatik. Ai ishte njëkohësisht edhe pika më e rëndësishme bregdetare që lidhte tregtinë e jashtme të Kosovës me skelat e ndryshme të Mesdheut.
    Si edhe më parë, shqiptarët protestuan menjëherë për këtë padrejtësi të re që Fuqitë e Mëdha po bënin në dëm të interesave të tyre kombëtarë. Në të njëjtën kohë ata ia përsëritën Portës së Lartë vendosmërinë për ta mbrojtur me çdo kusht Ulqinin dhe gatishmërinë për të hyrë në luftë edhe kundër saj. Por këtë radhë Fuqitë e Mëdha ishin të vendosura për të mos i marrë në asnjë mënyrë parasysh justifikimet e qeverisë osmane. Me një notë kolektive, që i drejtuan më 3 gusht 1880 Stambollit, ato e ftonin Portën e Lartë ta thyente qëndresën e shqiptarëve dhe t’ia dorëzonte Ulqinin Malit të Zi.

    Në fillim qeveria osmane përsëri ngurroi të përdorte forcën ushtarake kundër Lidhjes Shqiptare. Ajo u përpoq më shumë se kurdoherë me anë të kërcënimeve për t’i bindur udhëheqësit e saj të hiqnin dorë nga qëndresa, por orvatjet nuk patën sukses. Vullnetarët shqiptarë nën komandën e Isuf Sokolit, të Haxhi Mehmet Becit, të Mehmet Gjylit etj., e rrethuan Ulqinin dhe u përgatitën për ta shtënë në dorë, sapo të largoheshin ushtritë turke nga qyteti.

    Për ta zgjidhur çështjen e dorëzimit të Ulqinit, Fuqitë e Mëdha e kërcënuan Turqinë se do të zhvillonin një demonstratë navale në bregdetin shqiptar, madje më vonë se do të zbarkonin trupat e tyre në skelën turke të Izmirit. E tmerruar nga demonstrata navale dhe për të shmangur ndërlikimet ndërkombëtare, Porta e Lartë dërgoi në gusht 1880 në Shkodër gjeneral Riza Pashën me 3 000 ushtarë, me detyrën që ta dorëzonte Ulqinin pa konflikte të armatosura. Riza Pasha, që mbërriti në Shkodër më 19 gusht, u përpoq t’i bindte krerët e Lidhjes me të holla e me premtime që të hiqnin dorë nga mbrojtja e Ulqinit. Në një takim të veçantë që pati më 22 gusht me anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës, ai u deklaroi se do të përdorte dhunën ushtarake kundër të gjithë atyre që do të pengonin dorëzimin e Ulqinit. Me 24 gusht 1880 Riza Pasha shpalli në Shkodër shtetrrethimin e ndalimin e qarkullimit dhe të lidhjeve me Ulqinin nga mbrëmja në agim. Por orvatjet e tij nuk dhanë rezultat. As letrat personale që sulltani u drejtoi krerëve të Lidhjes, as ndërhyrjet e ministrave të tij nuk i prapsën vullnetarët nga vendimi për mbrojtjen e Ulqinit. Për këtë 2 000 luftëtarë shqiptarë (ndër të cilët 600 ishin shkodranë), të komanduar nga Muftar agë Reçi, zunë pozita midis Midës së Krajës dhe Malit të Mozhurës për të penguar kalimin e forcave të Riza Pashës në Ulqin. Forca të tjera ulqinake, nën komandën e Haxhi Mehmet Becit, qëndronin në gatishmëri kundër marshimit të mundshëm të forcave malazeze.

    Më 1 shtator Fuqitë e Mëdha vendosën të ndërmerrnin demonstratën navale para ujërave të Ulqinit dhe më 4 shtator 1880 rreth 20 korracata me shumë anije të vogla angleze, franceze, gjermane, ruse, italiane dhe austro-hungareze hodhën spirancat në ujërat e Raguzës.
    Por edhe pas kësaj as popullsia e Shkodrës dhe e Ulqinit, as edhe Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes për Shkodrën nuk u nënshtruan; ata u treguan të vendosur të mbronin Ulqinin. Për mbrojtjen e Ulqinit u shpreh edhe Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes që u mblodh në Prizren në fillim të shtatorit. Ndërkaq, më 7 dhe 8 shtator 17 batalione osmane, të komanduara nga Riza Pasha, rrethuan qytetin e Shkodrës dhe u drejtuan për në Ulqin. Forcat vullnetare shqiptare, që ndodheshin në Ulqin e në Mozhurë, u dolën përpara forcave osmane dhe ndalën marshimin e tyre për në Ulqin. Më 15 shtator dega e Lidhjes Shqiptare për Ulqinin u dërgoi Fuqive të Mëdha, nëpërmjet konsujve të tyre në Shkodër, një memorandum ku protestonte në mënyrë kategorike kundër lëshimit të Ulqinit dhe shprehte gatishmërinë e popullsisë së tij për të qëndruar deri në fund.

    Më 17 shtator komandanti i flotës ushtarake të Gjashtë Fuqive të Mëdha i dërgoi Riza Pashës një ultimatum, me të cilin i jepte 3 ditë afat për dorëzimin e Ulqinit. Më 17 shtator ushtritë e Lidhjes, të përbëra nga 6 mijë ushtarë që deri atëherë e mbanin të rrethuar Ulqinin, sapo morën lajmin për demonstratën navale, sulmuan ushtritë osmane dhe e shtinë në dorë qytetin. Ushtria turke u mbyll në kazerma dhe më pas u largua fshehurazi nga qyteti.
    Më 20 shtator flota e gjashtë Fuqive të Mëdha la Raguzën dhe u drejtua për në jug, por nuk hyri në ujërat e Ulqinit. Megjithatë, ushtritë e Lidhjes Shqiptare, të cilat tani qëndronin përballë flotës ndërkombëtare, nuk u bindën. Më 25 shtator Riza Pasha shpalli shtetrrethimin në Shkodër, bllokoi rrugën e Ulqinit për të ndaluar furnizimin e vullnetarëve, çarmatosi forcat e armatosura të qytetit që vareshin nga Lidhja, ndaloi mbledhjet dhe shpalli shpërndarjen e Degës së Lidhjes. Njëkohësisht bëri arrestime. Më 29 shtator Riza Pasha urdhëroi shpërndarjen e Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes dhe e kërcënoi se do të merrte masa ushtarake kundër tij, nëse nuk shpërndahej. Dega e Lidhjes të nesërmen u përgjigj se ajo tashmë nuk e njihte Riza Pashën si komandant ushtarak të vilajetit dhe e kërcënonte se do ta dëbonte atë së bashku me garnizonin e tij nga Shkodra.

    Pikërisht në këto ditë, kur acarimi i marrëdhënieve ndërmjet Lidhjes së Prizrenit dhe Portës së Lartë po çonte drejt konfliktit të armatosur, Anglia dhe Austro-Hungaria ndërhynë për të penguar mbrojtjen me armë të Ulqinit. Duke parë se as demonstrata detare e flotës ndërkombëtare, as masat ushtarake të qeverisë osmane nuk po jepnin rezultat, konsujt britanikë dhe austro-hungarezë u përpoqën të bindnin krerët e degëve të Lidhjes së Prizrenit e në mënyrë të veçantë anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës se Fuqitë e Mëdha ishin të prirura t’u jepnin shqiptarëve të drejta autonomiste, por kërkonin si kusht që këta të mos e kundërshtonin dorëzimin e Ulqinit dhe të mos shkaktonin konflikt të armatosur me Portën e Lartë. Edhe pse premtimi i tyre qe një mashtrim, si edhe presionet e dhunshme të Stambollit nuk mbetën pa efekt. U lëkundën sidomos qarqet e moderuara, të cilat menduan se ia vlente të sakrifikohej Ulqini për të siguruar të drejtat autonomiste pa hyrë në konflikt me Portën e Lartë. Si rrjedhim, disa nga anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës, ndërmjet të cilëve edhe Hodo Sokoli, përkrahës i njohur i lëvizjes autonomiste, tani hoqën dorë nga lufta për mbrojtjen e Ulqinit.

    Kjo rrethanë e vështirësoi më shumë detyrën e atdhetarëve për të mbrojtur me armë Ulqinin dhe për të siguruar autonominë e Shqipërisë. Megjithatë, ata nuk hoqën dorë nga qëndrimi i tyre, por u përpoqën të mbanin gjallë frymën luftarake në të katër vilajetet. Veç kësaj, ata vendosën të ndërmerrnin përçapjen e fundit për të tërhequr në programin e tyre qarqet e moderuara, në mënyrë të veçantë forcat luftarake që ishin ende të lidhura pas tyre. Për këtë qëllim u thirr një kuvend i jashtëzakonshëm i Lidhjes Shqiptare në qytetin e Dibrës.



    Kuvendi i Dibrës (20-24 tetor).

    Lufta e Ulqinit



    Kuvendi i Dibrës i filloi punimet më 20 tetor 1880. Aty morën pjesë rreth 300 delegatë të ardhur nga krahinat shqiptare të katër vilajeteve, të shoqëruar nga 5 mijë veta të armatosur. Shumica e tyre ishin dërguar nga vilajeti i Kosovës dhe nga viset shqiptare të vilajetit të Manastirit. Numri i delegatëve që përfaqësonin Shkodrën, Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut ishte më i pakët. Pjesa më e madhe e delegatëve u përkiste rrymave radikale dhe të moderuara. Midis delegatëve ishin Ali pashë Gucia, Iliaz pashë Dibra, Abdyl Frashëri etj.
    Kuvendi trajtoi tri çështje me rëndësi vendimtare për Shqipërinë: qëndrimin ndaj çështjes së Ulqinit, krijimin e një vilajeti autonom dhe formimin e qeverisë së përkohshme.

    Lidhur me çështjen e parë Kuvendi e quajti të domosdoshme mbrojtjen me armë të Ulqinit dhe shprehu gatishmërinë për të dërguar në Shkodër forcat vullnetare të sanxhakut të Dibrës. Ky vendim iu njoftua edhe Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës. Abdyl Frashëri dhe përfaqësuesit e krahut radikal argumentuan gjithashtu programin e miratuar në Kuvendin e Gjirokastrës, për krijimin e vilajetit autonom të Shqipërisë dhe për formimin e qeverisë së përkohshme. Ashtu siç parashikohej, elementët konservatorë (rreth 25 veta) mbajtën anën e Portës së Lartë. Ata nuk pranuan asnjë nga kërkesat e atdhetarëve radikalë dhe u sulën me ashpërsi kundër tyre. Vendimi për mbrojtjen e Ulqinit, pavarësisht nga urdhri që kishte dhënë sulltani për dorëzimin e tij, u mor me votat e atdhetarëve radikalë dhe të moderuar. Të moderuarit e pranuan në parim edhe formimin e Vilajetit të Shqipërisë. Madje disa prej tyre, ndër të cilët Iljaz pashë Dibra dhe Ali pashë Gucia, e miratuan edhe tezën e Abdyl Frashërit për ta sendërtuar vilajetin autonom me anën e veprimeve të armatosura. Të tjerët ngulën këmbë në pikëpamjen e tyre të mëparshme: për të mos shkuar përtej paraqitjes së peticionit, duke ia lënë sulltanit në dorë plotësimin e kërkesave të tij. Debate të zjarrta u zhvilluan sidomos rreth çështjes së formimit të qeverisë së përkohshme, kundër së cilës u ngritën gjithë delegatët konservatorë.

    Si pasojë e këtyre divergjencave, Kuvendi i Dibrës doli me dy rezoluta. Njëra, e ndërtuar sipas platformës së Kuvendit të Gjirokastrës, me të cilin kërkohej krijimi i Vilajetit të Shqipërisë me autonomi të gjerë, fitoi afërsisht 120 vota. Tjetra, e propozuar nga delegatët e krahut të moderuar, me të cilin lutej Porta e Lartë që të krijonte një Ejalet të Shqipërisë, pa i shkrirë vilajetet, dhe të zbatonte në këtë reformat për organizimin e ri të vilajeteve, sipas nenit 23 të Traktatit të Berlinit. Ejaleti i Shqipërisë do të kishte një autonomi të kufizuar. Rezoluta e dytë grumbulloi shumicën prej 150 votash. Delegatët konservatorë nuk nënshkruan asnjërin prej tyre. Të dyja rezolutat u dërguan veç e veç në Stamboll. Për çështjen e qeverisë së përkohshme, Kuvendi i Dibrës zyrtarisht nuk mori asnjë vendim. Në bazë të marrëveshjes që u arrit ndërmjet patriotëve revolucionarë, ajo u la të shqyrtohej edhe njëherë në Prizren. Miratimi i dy rezolutave tregoi se Kuvendi i Dibrës nuk arriti të bashkonte të gjitha forcat patriotike shqiptare rreth një programi të vetëm autonomist. Megjithatë, vendimet e tij patën jehonë pozitive si brenda vendit, ashtu edhe në opinionin publik evropian.

    Gjatë ditëve të Kuvendit të Dibrës qeveria e Stambollit mori masa të tjera shtrënguese kundër shkodranëve për të siguruar dorëzimin pa luftë të Ulqinit. Ajo vendosi të përfitonte nga përçarja që u thellua në Kuvendin e Dibrës dhe t’i jepte fund qëndresës së Lidhjes për mbrojtjen e Ulqinit. Më 25 tetor 1880 Porta e Lartë largoi nga Shkodra gjeneral Riza Pashën dhe në vend të tij dërgoi mareshal Dervish Pashën, të shoqëruar nga 21 batalione dhe të pajisur me fuqi të jashtëzakonshme. Ai u emërua komisar i jashtëzakonshëm dhe kryekomandant i vilajetit të Shkodrës. Për të shmangur pusitë e forcave shqiptare, Dervish Pasha udhëtoi nga Stambolli në Shqipëri me anije. Sapo arriti në Shkodër, më 3 nëntor 1880, ai i dha një ultimatum Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës për të tërhequr vullnetarët shqiptarë nga Ulqini.

    Në këtë kohë treva e Ulqinit ndodhej nën kontrollin e forcave vullnetare të Lidhjes Shqiptare, që drejtoheshin nga shtabi ushtarak i formuar për mbrojtjen e Ulqinit. Nën drejtimin e tij, sipas të dhënave më të sakta, qenë 2 mijë vullnetarë të vendosur në Ulqin (nga të cilët 800 ulqinakë) dhe 2 mijë të tjerë, në sektorin e Tuzit. Në fillim të nëntorit, kur Dervish Pasha ishte vendosur tanimë në Shkodër, mbërritën këtu qindra vullnetarë të tjerë nga Tetova, nga Shkreli, nga Dibra, nga Kelmendi dhe pritej të vinin rreth 4 mijë të tjerë nga Prizreni, nga Gjakova e nga Dibra.

    Presionet që Dervish Pasha bëri nga 7 deri në 16 nëntor 1880 ndaj Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes për Shkodrën për ta detyruar të dorëzonte Ulqinin nuk dhanë rezultat. Edhe Komiteti i Lidhjes për Ulqinin në peticionin që u dërgoi më 16 nëntor Fuqive të Mëdha, shprehte vendosmërinë për mbrojtjen e qytetit. Fryma e qëndresës kishte përfshirë gjithë popullsinë e qytetit.

    Për të shpejtuar dorëzimin e Ulqinit u angazhuan konsulli anglez (K. Grini) dhe ai austro-hungarez (F. Lipih) në Shkodër, të cilët, në marrëveshje me Dervish Pashën, ushtruan trysni mbi Komitetin Ndërkrahinor të Shkodrës për ta bindur të hiqte dorë nga mbrojtja e Ulqinit. Përkundrejt kësaj konsujt e huaj do të ndërhynin pranë sulltanit për t’u dhënë shqiptarëve të drejtat autonomiste. Përballë trysnisë së Dervish Pashës dhe premtimeve të konsujve të huaj, më 17 nëntor 1880 shumë anëtarë të Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës deklaruan se hiqnin dorë nga qëndresa e armatosur në Ulqin. Ndërkohë edhe mjaft nga përfaqësuesit e krahut të moderuar kishin kapitulluar para Dervish Pashës dhe patën shkuar aq larg, sa disa ditë më parë kishin lajmëruar telegrafisht Kuvendin e Dibrës se nuk kishin nevojë për ndihma, pasi kishin vendosur ta dorëzonin qytetin. Kapitullimi i tyre shkaktoi revoltimin e atdhetarëve shkodranë, të cilët formuan një komitet të ri të Lidhjes Shqiptare për Shkodrën. Në komitetin e ri, që u ngrit më 19 nëntor 1880, hynë partizanët e vendosur të mbrojtjes me armë të Ulqinit, si Selim Çoba, Isuf Sokoli, Fetah Dragusha, Filip Çeka etj.

    Por ngjarjet u zhvilluan me shpejtësi të madhe. Përçarja në udhëheqjen e Lidhjes dobësoi forcat e saj ushtarake, sidomos ardhjen e vullnetarëve të tjerë. Komiteti i ri nuk pati kohë të mobilizonte popullin dhe të organizonte qëndresën e armatosur kundër ushtrisë osmane. Tri ditë më vonë, më 22 nëntor 1880, ndërsa Shkodra nuk e kishte kapërcyer ende krizën e brendshme politike, Dervish Pasha i dha urdhër ushtrisë turke të fillonte marshimin për në Ulqin. Atë ditë ushtritë turke u ndeshën me forcat shqiptare te Kodra e Kuqe, afër fshatit Klesna. Në fillim vullnetarët shqiptarë i sprapsën ushtritë turke, por më vonë, pasi arritën reparte të tjera osmane të pajisura me artileri moderne, forcat shqiptare u thyen. Komandanti i tyre Isuf Sokoli u plagos rëndë dhe pak më vonë vdiq.
    Pasi u thye ushtria shqiptare, forcat turke vazhduan marshimin dhe hynë në Ulqin, më 23 nëntor 1880, të cilin pastaj më 26 nëntor ua dorëzuan ushtrive malazeze.

    Së bashku me dorëzimin e Ulqinit mori fund edhe çështja e kufijve veriorë, e cila kishte shqetësuar për gati 30 muaj jo vetëm Perandorinë Osmane, por edhe diplomacinë evropiane. Megjithatë, edhe pse çështja e kufirit turko-malazez u mbyll, lufta që zhvilluan shqiptarët kundër shantazhit brutal të Fuqive të Mëdha dhe ndërhyrjes ushtarake të Portës së Lartë la përshtypje të thellë në opinionin publik të Evropës. Jo vetëm në shtyp, por edhe në disa parlamente të Evropës, u ngritën zëra proteste kundër politikës së Fuqive të Mëdha, të cilat vendosën të përdornin luftanijet për të shtypur të drejtat kombëtare të popullit shqiptar.

  6. #46
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    6. LËVIZJA KULTURORE SHQIPTARE NË VITET
    E LIDHJES SË PRIZRENIT
    (1878-1881)





    Mendimi politik, filozofik e shoqëror në vitet e Lidhjes së Prizrenit


    Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk u shpreh vetëm me luftën e përditshme politike, diplomatike e ushtarake për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe për formimin e shtetit kombëtar shqiptar. Ajo u shfaq në të njëjtën kohë edhe me zhvillimin e vrullshëm të mendimit politik, filozofik e shoqëror, si edhe të veprimtarisë publicistike, letrare e shkencore.
    Nga frymëzimi atdhetar e nga karakteri përparimtar, lëvizja kulturore shqiptare e viteve të Lidhjes së Prizrenit ishte pjesë përbërëse e lëvizjes kulturore rilindëse, e cila kishte marrë jetë në dhjetëvjeçarët e mëparshëm. Por gjatë viteve të Krizës Lindore ajo përshiu të gjitha sferat e jetës kulturore të vendit dhe u kthye, më shumë se në të kaluarën, në një lëvizje atdhetare. Si e tillë ajo u frymëzua nga lufta politike, diplomatike e ushtarake që zhvilluan shqiptarët nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit, por me përmbajtjen e saj atdhetare e demokratike ndikoi në ngritjen ideologjike të lëvizjes kombëtare në një shkallë të paparë deri atëherë.
    Lëvizjen kulturore të kësaj periudhe e udhëhoqën po ata atdhetarë, të cilët përpunuan edhe platformën politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Atë e udhëhoqën figura të shquara, si Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri, Thimi Mitko, Ymer Prizreni, të cilët me veprimtarinë e tyre si ideologë e si aktivistë, si shkrimtarë e si organizatorë, zënë një vend të rëndësishëm në historinë e gjithë Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

    Në fushën e mendimit politik e shoqëror, lëvizja kulturore trajtoi problemet kryesore që shqetësonin lëvizjen kombëtare në kushtet e Krizës Lindore të viteve 70: konsolidimin e unitetit kombëtar të shqiptarëve, mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe formimin e shtetit shqiptar autonom si hap drejt krijimit të shtetit kombëtar të pavarur, demokratik e iluminist.

    Një vend qendror në platformën ideologjike, të përpunuar në një varg shkrimesh nga udhëheqësit e lëvizjes kombëtare të këtyre viteve, zuri koncepti filozofik për kombin. Çështja kishte rëndësi jetike për shqiptarët, pasi në arenën ndërkombëtare sundonte ende koncepti mesjetar, i cili e mbante bashkësinë fetare të një populli si një përbërës të domosdoshëm për të qenë një komb. Sipas këtij koncepti, shqiptarët të ndarë në tri besime fetare të ndryshme nuk merreshin ende si pjesëtarë të një kombi të vetëm as nga Perandoria Osmane, as nga Fuqitë e Mëdha, as nga shtetet fqinje ballkanike. Si rrjedhim, atyre u mohohej e drejta për të formuar një shtet kombëtar më vete. Kundër këtij koncepti të prapambetur u ngritën të gjithë ideologët dhe aktivistët e lëvizjes kulturore shqiptare. “Të ngresh besimin fetar në parim kombësie dhe të marrësh dogmën për racë apo ritin për atdhe, nuk është aspak e pranueshme”, shkruante Pashko Vasa më 1879.

    Veç kësaj rilindësit nuk u pajtuan as me konceptin tjetër që qarkullonte në disa teoricienë të kohës së tyre, sipas të cilëve një popull quhet komb kur ka formuar shtetin. Konceptin filozofik për kombin e formuloi në mënyrë më të plotë Abdyl Frashëri qysh në pragun e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në artikujt e tij, të botuar në pranverën e vitit 1878, ai shikonte si përbërës të një kombi gjuhën e përbashkët, territorin e përbashkët, historinë e përbashkët dhe jetën shpirtërore të përbashkët (të cilën ai e kërkonte jo në fenë e përbashkët, por në fushën e dokeve, të zakoneve, të tregimeve, të këngëve, të valleve dhe të virtyteve të përbashkëta) dhe mbi të gjitha aspiratën për të formuar një shtet të përbashkët. Lëvizja kulturore shqiptare përvetësoi kështu në fushën ideologjike një nga konceptet filozofike më të përparuara të shek. XIX.

    Lëvizja kulturore shqiptare e shtriu këtë koncept të përparuar edhe në truallin e veprimtarisë politike. Ideologët rilindës të këtyre viteve, më shumë se paraardhësit e tyre, i dhanë lëvizjes kulturore shqiptare, ashtu si edhe lëvizjes politike kombëtare, një përmbajtje laike. Madje, për hir të unitetit kombëtar, ata u bënin thirrje bashkatdhetarëve që të mos dëgjonin predikimet e xhamisë e të kishës, kur ato binin ndesh me interesat kombëtarë, u shërbenin sunduesit të huaj dhe propagandave të shteteve fqinje; kështu ata ishin në konflikt të hapur me institucionet klerikale dhe të palëkundur përballë kërcënimeve të tyre. Thirrje të tilla si ajo e Pashko Vasës: E mos shikjoni kisha e xhamia / Feja e shqyptarit asht shqyptaria! u bënë shumë popullore në Shqipëri. Ky laicizim i ndërgjegjes kombëtare, i cili gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit përparoi me hapa të shpejtë, pushtoi pothuajse të gjitha fushat e jetës kulturore të vendit.

    Një vend po aq të rëndësishëm në platformën ideologjike të lëvizjes kulturore zuri edhe koncepti politik për territorin kombëtar të shqiptarëve. Kjo çështje kishte gjithashtu rëndësi jetike, pasi në kushtet e Krizës Lindore shqiptarëve u duhej të afirmonin sa më parë në arenën ndërkombëtare tërësinë territoriale të Shqipërisë si njësi politike, për të parandaluar përmbushjen e lakmive të huaja shoviniste në kurriz të saj. Ashtu si në konceptin e kombit, edhe në atë të territorit ideologët atdhetarë nuk ndoqën rrugën e udhëheqësve nacionalistë të monarkive ballkanike, të cilët, për të përligjur aspiratat e tyre shoviniste në kurriz të kombeve të tjera, ngritën të ashtuquajturin kriter historik.

    Siç dihet, ky kriter krijoi te Serbia, Bullgaria e Greqia prirjen për të rimëkëmbur, në antagonizëm me njëra-tjetrën, e para Perandorinë e Stefan Dushanit, e dyta Perandorinë e car Samuilit, e treta Perandorinë Greke-bizantine, të cilat patën në mesjetë nën zgjedhën e tyre një varg kombësish të Ballkanit. Edhe shqiptarët, shkruante Abdyl Frashëri, kishin mundësi të merrnin nga historia e tyre e lashtë argumentin e trevës ku banonin mbarë fiset ilire për të përligjur krijimin e një shteti të madh shqiptar. Por ky kriter do të ishte i padrejtë, pasi në mjaft nga ato vise tashmë banojnë popuj të tjerë, të cilët nuk do të pranonin në kushtet e reja të qytetërimit të hynin nën një zgjedhë të huaj. Rilindësit kërkonin që të zbatohej në radhë të parë kriteri etnik dhe jo ai historik, të respektoheshin gjendja reale dhe të drejtat territoriale të sotme të të gjithë popujve. Vetëm kriteri etnik, theksonte Abdyl Frashëri, do të vendoste një paqe të qëndrueshme në Gadishullin Ballkanik dhe një harmoni të vërtetë ndërmjet kombeve të tij. Me këtë koncept politik lëvizja kulturore shqiptare u rreshtua gjithashtu në pozitat më të përparuara të lëvizjeve kulturore evropiane të shek. XIX.

    Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit lëvizja kulturore shqiptare ngriti në një shkallë më të lartë edhe koncepte të tjera politike, filozofike ose shoqërore, të cilat ishin shfaqur gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm. Ajo i dha konceptit atdhe ose mëmëdhe një përmbajtje të re politike jo vetëm si një bashkësi krahinore të vendlindjes, por si një bashkësi të mbarë trojeve amtare dhe si një ideal të shenjtë, për çlirimin ose mbrojtjen e të cilit të gjithë shqiptarët duhej të përpiqeshin me çdo mjet, duke mos kursyer as jetën e tyre. Ajo e pasuroi më tej kulturën politiko-shoqërore, duke e trajtuar konceptin e autonomisë së Shqipërisë nga këndi i interesave kombëtarë shqiptarë, si një hallkë kalimtare për të sendërtuar, në kushte kombëtare më të përshtatshme, pavarësinë e saj të plotë.

    Procesi i laicizimit të ndërgjegjes politike kombëtare ia hapi dyert një depërtimi më të hovshëm të mendimit iluminist në jetën kulturore të vendit, gjë që shpejtoi emancipimin ideologjik të shqiptarëve nga presioni i dogmatizmit obskurantist i institucioneve fetare. Veç kësaj, ajo e shtriu konceptin e vëllazërimit të shqiptarëve jo vetëm në fushën e detyrave, por edhe në atë të të drejtave. Si rrjedhim, ajo e shkriu atë me konceptin e barazisë së tyre qytetare, pavarësisht nga përkatësia fetare, shoqërore e krahinore, e cila nuk ishte në rendin shoqëror osman. Përveç të tjerave, ajo e konceptoi edhe vetë kulturën jo si një stoli, por si një armë që duhej të forconte unitetin kombëtar të shqiptarëve në luftë për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe për të formuar shtetin kombëtar shqiptar.

  7. #47
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    Letërsia politike



    Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit mendimi politik shqiptar u shpreh me mjete të panjohura më parë. Të tilla ishin protestat e memorandumet drejtuar Fuqive të Mëdha e Portës së Lartë, të cilat vetëm fare pak u redaktuan nga kryesia e Lidhjes së Prizrenit, ndërkohë që shumica dërrmuese u hartua me nismën e degëve krahinore të saj ose të qarqeve të ndryshme atdhetare të vendit. Pavarësisht nga autorët, ato pajtohen ndërmjet tyre në trajtimin dhe në zgjidhjen e çështjeve themelore që shqetësonin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Pothuajse të gjitha flasin në emër të kombit shqiptar. Kudo spikat fryma e vëllazërimit të shqiptarëve pavarësisht nga dallimet fetare, spikat krenaria e tyre për traditat e përbashkëta liridashëse dhe vendosmëria për të mbrojtur të drejtat kombëtare. Takimi i tyre në këto çështje të rëndësishme politike tregonte se platforma ideologjike kombëtare kishte depërtuar thellë në shtresat e gjera të popullsisë shqiptare.

    Por shprehjen e vet më të lartë, si nga forma ashtu dhe nga përmbajtja, ajo e gjeti te traktatet politike dhe te shkrimet publicistike të hartuara nga personalitetet e lëvizjes kombëtare për publikun ndërkombëtar. Patriotët shqiptarë e kishin ndier prej kohësh nevojën për një tribunë shtypi të pavarur. Por Porta e Lartë e kishte kundërshtuar vazhdimisht lejen për të nxjerrë një organ periodik shqip brenda kufijve të Perandorisë. Edhe përpjekjet për të botuar një gazetë shqiptare jashtë Perandorisë Osmane kishin dështuar pjesërisht për mungesë mjetesh financiare, pjesërisht nga qëndrimi armiqësor i qeverive të huaja. Me përpjekje të mëdha Sami Frashëri arriti ta shtinte në dorë, në qershor të vitit 1878, drejtimin e gazetës turke “Terxhuman-i Shark” (“Interpreti i Lindjes”), që botohej në Stamboll, por kjo nuk pati jetë të gjatë, pasi pas katër muajsh u mbyll nga censura osmane. Një vit më vonë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare i erdhi në ndihmë një nga arvanitët më përparimtarë të Greqisë, Anastas Kullurioti, i cili filloi në shtator 1879 botimin në Athinë të gazetës “I foni tis Alvanias” (“Zëri i Shqipërisë”), por edhe kjo u mbyll pas një viti.

    Ndër penat publicistike Abdyl Frashëri u dallua në mënyrë të veçantë për gamën e problemeve, për forcën e argumenteve dhe për qartësinë e mendimeve në shkrimet e tij të botuara në shtypin turk, austriak e frëng. Ai shtjelloi në mënyrë koncize pothuajse të gjitha aspektet e platformës ideologjike e politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në veçanti. Një veprimtari po aq të pasur zhvilloi gjithashtu Sami Frashëri, i cili u shqua në fushën e publicistikës polemizuese kundër armiqve të çështjes kombëtare shqiptare. Veç kësaj, ai trajtoi në gazetën e vet “Terxhuman-i Shark”, nga këndi i interesave të Shqipërisë, edhe ngjarjet e përditshme ndërkombëtare. Në publicistikën e këtyre viteve morën pjesë gjithashtu, ndonëse në mënyrë më të kufizuar, Jani Vretoja, Thimi Mitkoja dhe shumë atdhetarë të tjerë, të cilët i botuan shkrimet e tyre pa emrin e autorit. Një kontribut të rëndësishëm dha në këtë fushë edhe Jeronim de Rada, një nga arbëreshët më të shquar të Italisë.

    Ndërmjet traktateve politike të këtyre viteve, vendin kryesor e zë vepra e Pashko Vasës “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, e cila u botua më 1879 frëngjisht, anglisht e gjermanisht, kurse një vit më vonë u përkthye turqisht e greqisht. Me këtë vepër autori kishte për qëllim, sikurse shkruante vetë, ta bënte të njohur popullin shqiptar para botës së qytetëruar “me cilësitë, me të metat, me nevojat dhe me shpresat e tij”, të tregonte origjinën e tij si një nga popujt më të lashtë të Evropës, të përshkruante fazat që ai kishte kaluar gjatë shekujve, ta mbronte nga armiqtë keqdashës që e kishin përbuzur dhe të argumentonte të drejtat kombëtare që i takonin, duke përfshirë edhe atë të bashkimit të vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm, që do të shënonte një hap drejt autonomisë së Shqipërisë.

    Çështjes së aleatëve të shqiptarëve në luftën e tyre kombëtare iu kushtuan dy traktate të veçanta. Në njërin prej tyre, të botuar bullgarisht në Sofje më 1879 nga Jusuf Ali beu, me titull “Bisedime të ditës që meritojnë vëmendje”, autori shprehte mendimin se shqiptarët e bullgarët kishin mjaft interesa të përbashkëta, të cilët krijonin mundësinë për të qenë bashkëluftëtarë. Në tjetrën, të botuar greqisht në Athinë më 1880 nga Thimi Brandi, me titull “Ankime të shqiptarëve”, mbrohej teza se shqiptarët e grekët rrezikoheshin njësoj nga rritja e shteteve sllave, se asnjëra nga të dyja palët nuk mund të shpresonte te Fuqitë e Mëdha, se historia u diktonte rrugën e bashkëpunimit të ngushtë politik dhe se këtë bashkëpunim e pengonin vetëm qarqet zyrtare greke, të cilat mendonin pa të drejtë se me zhvillimin e saj lëvizja kulturore shqiptare do të pakësonte shkëlqimin e helenizmit. Një vend të rëndësishëm në letërsinë politike të këtyre viteve zë, më në fund, broshura “Shqiptarët dhe demonstrata navale përpara jurisë eprore të shtypit”, që një autor anonim shqiptar e botoi frëngjisht më 1880, për qëndresën që organizoi Lidhja e Prizrenit në mbrojtje të Ulqinit. Në këtë broshurë autori u bën një akuzë të ashpër Fuqive të Mëdha në përgjithësi dhe qeverisë britanike në veçanti, të cilat, në vend që të përkrahnin idenë e krijimit të një shteti kombëtar shqiptar si e vetmja rrugë e drejtë e zgjidhjes së Krizës Lindore, dërguan flotën e tyre luftarake për të shtypur me dhunë të drejtat legjitime të një populli liridashës.

    Shkrimet publicistike dhe traktatet politike trajtojnë po atë temë që frymëzuan protestat e memorandumet e kësaj periudhe - njohjen e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare si një komb i formuar plotësisht dhe miratimin e të drejtës së tyre supreme për të pasur shtetin kombëtar në kufijtë e tyre etnikë.

    Me këto shkrime e traktate autorët sollën një varg argumentesh historike, filozofike, etnografike, filologjike e politike, që provonin se shqiptarët i kishin të gjitha vetitë për të qenë një komb dhe për të formuar shtetin e vet. Një nga argumentet e dorës së parë ishte prejardhja e shqiptarëve nga ilirët, të cilët njiheshin si pasardhës të pellazgëve, pra, lashtësia e tyre shprehej në lashtësinë e autoktonisë, të gjuhës e të kulturës. Ata kritikuan tezën pseudoshkencore të përhapur në ato vite, sipas së cilës nuk kishte një gjuhë të vetme shqipe, por aq gjuhë sa ishin dialektet e saj ose tezën tjetër se të folmet e saj ishin “dialekte të bastardhuara” të greqishtes a të latinishtes dhe mbrojtën pikëpamjen, të cilën e kishin pranuar gjuhëtarët më të shquar të kohës, se gjuha shqipe ishte një gjuhë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane, se dallimet dialektore brenda saj nuk kishin rëndësi themelore dhe se lidhjet ndërmjet saj e greqishtes ose latinishtes ishin pak a shumë njësoj si lidhjet ndërmjet gjuhëve të ndryshme indoevropiane. Po ashtu, ata sollën argumente të reja me të cilat provuan se shqiptarët e të gjitha besimeve e të të gjitha krahinave kishin të njëjtin formim shpirtëror. Shqiptarët, shkruante Abdyl Frashëri, kanë pasur kulturën e tyre të veçantë qysh në kohët parahistorike; ata u kanë qëndruar besnikë, deri në njëfarë shkalle, traditave të lashta pasi përqafuan jo vetëm krishterimin, por edhe islamizmin. Në Shqipëri dallimet fetare, nënvizonte ai, nuk kanë ndonjë rëndësi përballë dallimeve shoqërore. Shoqëria shqiptare karakterizohej, sipas tij, nga ndarja në krerë e në popull dhe jo nga ndarja në myslimanë e të krishterë.

    Myslimanët dhe të krishterët shqiptarë, shkruante Pashko Vasa, “flasin po atë gjuhë, kanë po ato zakone, vazhdojnë po ato doke dhe po ato tradita. Midis tyre nuk ka pasur kurrë smirë të rrënjosur, as armiqësira shekullore. Ndryshimi i fesë nuk ka qenë kurrë shkak për t’i shtytur në një përçarje sistematike”.
    Pothuajse të gjithë autorët e kësaj periudhe evokuan në shkrimet e tyre politike figurën e ndritur të Skënderbeut si mishërim i njësisë kombëtare, si simbol i atdhedashurisë shqiptare dhe si flamur i luftës çlirimtare. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet emrit të tij të lavdishëm, ata u kujtonin sundimtarëve osmanë se shqiptarët ishin gati, në rast se nuk do t’u njiheshin të drejtat e tyre kombëtare, të përsëritnin epopenë e shek. XV. Veç kësaj, ata u kujtonin popujve të Evropës se vendet e tyre kishin detyrime të mëdha ndaj Shqipërisë, e cila me luftën e saj heroike që kishte zhvilluar nën udhëheqjen e Skënderbeut, e kishte mbrojtur lirinë e tyre nga pushtimi osman. Një vend të rëndësishëm në publicistikën e këtyre viteve zunë shkrimet që mbronin karakterin e programin kombëtar të Lidhjes së Prizrenit nga akuzat e shpifjet e armiqve të çështjes shqiptare, të cilët e paraqitnin atë si një organizatë fanatike islamike të manipuluar nga Porta e Lartë dhe të drejtuar kundër popujve fqinjë të krishterë.

    Sami Frashëri, i cili u dallua më shumë se të tjerët në këtë fushë, argumentoi me një varg artikujsh të botuar në shtypin osman se Lidhja e Prizrenit u formua nga ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve dhe se Porta e Lartë nuk ka pasur gisht në formimin e saj. “Si mund të thuhet, - shkruante ai, - se Lidhja e Prizrenit është formuar mbi bazën e fanatizmit mysliman, kur aty kanë marrë pjesë pa dallim feje myslimanë e të krishterë, domethënë mbarë bijtë e atdheut?”. Porta e Lartë, shkruante Samiu në një artikull tjetër, jo vetëm “nuk ka pasur gisht në formimin e saj”, por ajo as “nuk është në gjendje t’i ndalojë shqiptarët që të marrin pjesë në të”. Lidhja e Prizrenit, theksonin njëzëri patriotët e këtyre viteve, ka për qëllim të mbrojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve dhe nuk drejtohet kundër kombeve të tjera të Ballkanit. “Lidhja Shqiptare, - shkruante më 1879 një atdhetar anonim nga Shqipëria e Mesme, - është lidhje kombëtare. Ajo nuk dëmton asnjë komb tjetër. Ajo dëshiron, kërkon dhe përpiqet me të gjitha fuqitë e saj të shpëtojë kombin e vet duke bashkuar Shqipërinë në një vilajet të vetëm autonom dhe të shkëputet nga prapambetja duke zhvilluar shkrimin në gjuhën e kombësisë së saj. Ajo dëshiron e kërkon të ketë paqe dhe miqësi me të gjitha kombet që e rrethojnë. Ajo respekton e nderon të gjitha kombësitë e huaja dhe të gjitha gjuhët e tjera që mund të ndodhen në gjirin e saj”.

    Më në fund, të gjithë autorët dhanë të njëjtin vlerësim për politikën e ndjekur nga Fuqitë e Mëdha në lidhje me çështjen shqiptare. Të gjithë e dënuan njësoj Traktatin e Shën-Stefanit dhe Kongresin e Berlinit. Askush nuk pati iluzione se Fuqitë e Mëdha do t’i merrnin parasysh me vullnetin e tyre interesat kombëtarë të Shqipërisë. Ata qenë njëzëri të mendimit, se në kushtet e atyre viteve rreziku më imediat vinte nga politika pansllaviste ruse, se me synimet e veta ekspansioniste Perandoria Cariste kërcënonte jo vetëm ekzistencën e kombësisë shqiptare, por edhe atë të kombësive të tjera ballkanike, madje edhe ekzistencën e kombësive sllave të gadishullit. Sipas mendimit të përgjithshëm të atdhetarëve shqiptarë, e vetmja rrugëdalje nga situata dramatike, që kërcënonte jo vetëm Gadishullin Ballkanik, por edhe Kontinentin Evropian, ishte respektimi i parimit të kombësisë për tërë popujt. Në rast se Shqipëria do të copëtohej midis fqinjëve të saj, Gadishulli Ballkanik nuk do të kishte kurrë qetësi, pasi shqiptarët nuk do hiqnin asnjëherë dorë nga lufta për të fituar të drejtat e tyre kombëtare. Përkundrazi, theksonte Abdyl Frashëri, në rast se Shqipëria do të fitonte të drejtat e saj, “do të vijë dita kur Evropa do të bindet se shqiptarët i shërbejnë çështjes së njerëzimit dhe të qytetërimit më mirë se çdo popull tjetër i Lindjes”.

  8. #48
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip (Shoqëria e Stambollit-1879)



    Hovi që mori lufta për autonominë e Shqipërisë i dha gjithashtu një shtytje të fuqishme lëvizjes në fushën e arsimit e të letërsisë shqipe, të cilat tani synonin jo vetëm të ngrinin në një shkallë më të lartë ndërgjegjen atdhetare të masave popullore, por edhe të përballonin nevojat që shtronte zëvendësimi i administratës osmane me administratën shqiptare.

    Që me themelimin e Lidhjes së Prizrenit, u ndje më shumë se kurdoherë nevoja e ngutshme për të caktuar alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe dhe për t’i dhënë fund anarkisë që sundonte në këtë fushë. Po ashtu, tani u ndje më shumë se më parë nevoja e ngutshme për të formuar një organizatë qendrore ose, siç thuhej atëherë, një shoqëri kulturore, e cila të merrte përsipër barrën e drejtimit e të organizimit të përpjekjeve për të ngritur shkolla shqipe në gjithë vendin dhe për të zhvilluar me ritme më të shpejta letërsinë shqiptare, duke botuar tekste shkollore, vepra letrare, broshura shkencore e organe periodike shqipe.

    Nismën për zgjidhjet e këtyre dy detyrave e mori drejtpërdrejt Komiteti i Stambollit. Për këtë qëllim ai formoi qysh në fillim të vjeshtës së vitit 1878 një komision të gjerë prej 25 vetash, i cili ngarkoi një komision të ngushtë me 7 anëtarë (Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Koto Hoxhi, Ibrahim Bërzeshta, Said Toptani), për të zgjidhur çështjen e alfabetit të përbashkët.

    Sikurse shprehej disa ditë më vonë Thimi Brandi në një letër që i drejtonte Jani Vretos, formimi i Komisionit Kulturor u përshëndet si një hap i rëndësishëm që “do të vinte themelet e gjuhës shqipe”. Por përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për të formuar një shoqëri kulturore të ligjshme, e cila ta zhvillonte lirisht veprimtarinë e saj në Perandorinë Osmane, përsëri dështuan. Porta e Lartë dhe nën shembullin e saj Patrikana e Fanarit e kundërshtuan kërkesën e paraqitur prej tyre si për formimin e organizatës kulturore, ashtu dhe për botimin e një gazete shqip.

    Ndërsa i vijuan përpjekjet për formimin e shoqërisë kulturore, atdhetarët u morën me çështjen e alfabetit. Në fillim të vitit 1879 para komisionit të alfabetit u paraqitën katër projekte të ndryshme për shkrimin e shqipes, të cilat u diskutuan duke pasur parasysh kriteret shkencore, politike e praktike që duheshin për gjuhën shqipe. Prej tyre komisioni miratoi projektin e Sami Frashërit, i cili ishte i ndërtuar sipas parimit fonetik (për çdo tingull një shkronjë) dhe sipas alfabetit latin, të plotësuar për tinguj të veçantë të shqipes me shkronja të huajtura nga alfabeti grek ose të sajuara nga autori. Projektet e tjera nuk u pranuan për arsye të ndryshme, ose pse mbështeteshin vetëm në alfabetin grek (J. Vreto), ose pse nuk i përmbaheshin parimit fonetik (P. Vasa), ose pse për përdorimin e tij duheshin shtypshkronja të posaçme (H. Tahsini).

    Në një letër që anëtarët e komisionit u dërgonin më 5 mars 1879 bashkatdhetarëve që banonin në Egjipt, i porositnin të përdornin, sikurse thuhet aty, “këtë alfabet (të cilin) ne shokë vëllezër shqiptarë... me një mendje, me një zemër, me një fjalë, vumë themeli për të shkruar gjuhën tonë shqipenë”. Ai shënonte një hap të madh përpara në fushën e lëvizjes kulturore dhe për rrjedhim pati një përhapje të gjerë në masën e shqiptarëve. Megjithatë, edhe ai nuk ishte shumë praktik, pasi shtypshkronjat duhej të pajiseshin dhe me disa shkronja të posaçme. Kjo e metë shkaktoi më vonë kundërshtime nga mjaft personalitete shqiptare, si pasojë e të cilave çështja e alfabetit të njësuar mbeti përsëri në rend të ditës.

    Tre muaj më vonë, komisioni botoi veprën e parë me alfabetin e ri, me titull “Alfabetare e gluhësë shqip”, e cila përmbante, përveç alfabetit të Stambollit, disa shkrime mësimore të përgatitura nga Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e Koto Hoxhi.
    Për të mos e acaruar më shumë pakënaqësinë e shqiptarëve, të cilët në këtë periudhë i kishte pushtuar vala e lëvizjes autonomiste, Porta e Lartë ngurroi të ndërhynte menjëherë kundër kësaj veprimtarie që po zhvillohej brenda në kryeqytetin e Perandorisë. Këtë rrethanë e shfrytëzuan atdhetarët shqiptarë, të cilët shpejtuan të formonin, pa lejen e qeverisë, edhe shoqërinë kulturore. Pas disa ditë bisedimesh paraprake, ata thirrën në Stamboll, më 12 tetor 1879, një konferencë të posaçme, e cila do të themelonte shoqërinë dhe do të miratonte statutin e saj, sipas projektit që kishte përgatitur Jani Vreto qysh në tetorin e vitit të mëparshëm.

    Në konferencën e Stambollit morën pjesë 27 veta, të cilët përfaqësonin, aq sa lejonin rrethanat politike, popullsinë shqiptare të tri besimeve dhe të krahinave kryesore të vendit, që nga Kosova deri në Çamëri. Veç kësaj, ata vinin nga radhët e të gjitha shtresave shoqërore të Shqipërisë. Ndërmjet tyre kishte bejlerë çifligarë dhe intelektualë qytetarë, por shumicën dërrmuese e përbënin emigrantë me origjinë fshatare, të cilët kishin lënë vendlindjen për të punuar në kurbet. Krahas këtyre njerëzve të thjeshtë, aty morën pjesë edhe figurat më të shquara të Lidhjes së Prizrenit, të cilët ishin në të njëjtën kohë edhe anëtarë të Komitetit të Stambollit, si Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri, Zija Prishtina etj.

    Më 12 tetor 1879 konferenca vendosi themelimin e shoqërisë kulturore dhe miratoi kanonizmën (statutin) e saj, të cilën e nënshkruan të gjithë pjesëmarrësit. Zyrtarisht organizata u quajt “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, kurse shkurtimisht u bë zakon të thirret “Shoqëria e Shkronjëzave”, ose “Shoqëria e Stambollit”. Kryetar i saj u zgjodh Sami Frashëri, kurse pjesëmarrësit e konferencës formuan këshillin qendror të shoqërisë.

    Programi i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip u shpreh në mënyrë të qartë në kanonizmën e saj. Ai nisej nga teza e shpallur qysh prej rilindësve të parë, se çdo komb që nuk e shkruan gjuhën e tij dhe nuk ka alfabetin e vet kombëtar është një komb i prapambetur. Prandaj qëllimi i shoqërisë ishte ta nxirrte popullin shqiptar nga prapambetja duke zhvilluar arsimin kombëtar dhe letërsinë shqipe. Ajo synonte të mobilizonte në këtë veprimtari të gjithë shqiptarët atdhetarë, kudo që ndodheshin, në atdhe ose në mërgim, duke i grumbulluar organizativisht, në degë krahinore të varura prej qendrës.

    Ajo mendonte gjithashtu të krijonte një fond për të përballuar nevojat materiale të programit të saj. Fondi do të krijohej nga kuotizacionet e anëtarëve dhe nga të ardhurat që do të mblidheshin nga shitja e librave. Sapo të shtoheshin të ardhurat, thuhej në nenin 18, shoqëria do të pajisej me një shtypshkronjë, me anën e së cilës do të shtypte libra, gazeta e revista shqipe. Më vonë, thuhej në nenin 19, kur të ardhurat do të rriteshin më shumë, shoqëria do të ngrinte me shpenzimet e saj edhe shkolla shqipe. Këto shkolla do të ishin krejt të pavarura dhe do të formonin bërthamën e rrjetit arsimor kombëtar.

    Krerët e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip iu përveshën punës për të zbatuar menjëherë programin e saj. Disa javë pas themelimit të shoqërisë ata shtypën në një shtypshkronjë të Stambollit kanonizmën e saj, të cilën e shpërndanë brenda e jashtë Shqipërisë. Në të njëjtën kohë u nis në Shqipëri një grup aktivistësh për të ndihmuar në formimin e degëve të Shoqërisë. Por gjatë vitit 1880 Porta e Lartë kaloi në reaksion të hapur kundër lëvizjes kulturore shqiptare. Administrata e saj ndërhyri me ashpërsi dhe me kërcënime për të ndaluar veprimtarinë e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. Ajo nuk dha leje as për botime librash, as për krijim degësh, as për ngritje shkollash shqipe.

    Në të njëjtën kohë edhe përfaqësues të turkomanëve e të grekomanëve, të institucioneve klerikale islamike e ortodokse, ndërmorën një fushatë të egër kundër veprimtarëve të lëvizjes kulturore shqiptare. Peshkopi ortodoks i Drinopojës (Gjirokastrës) lëshoi një mallkim publik kundër shkrimit shqip. Hovi që mori lëvizja kulturore shqiptare shqetësoi jo vetëm kishën fanariote, por edhe qeverinë greke. Si pasojë e këtij shqetësimi, organet shtetërore të Athinës ndaluan në vjeshtën e vitit 1880 botimin e mëtejshëm të gazetës “I foni tis Alvanias” dhe filluan persekutimet kundër botuesit të saj, Anastas Kulluriotit.
    Në këto rrethana Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip nuk pati mundësi ta zhvillonte veprimtarinë e saj kulturore brenda Perandorisë Osmane dhe ca më pak në Shqipëri. Madje ajo u detyrua të kalonte në ilegalitet. Ndjekjeve u shpëtoi vetëm dega e Shoqërisë së Shkronjëzave që u formua më 1880 në Bukuresht (Rumani), e cila më vonë luajti një rol të rëndësishëm për plotësimin e programit kulturor të Shoqërisë së Stambollit.

  9. #49
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    Letërsia popullore dhe artistike



    Një vend të rëndësishëm në lëvizjen kulturore të viteve të Lidhjes së Prizrenit zë letërsia popullore dhe artistike shqip.
    Në letërsinë popullore një zhvillim shumë të begatshëm pati epika historike. Në qershor të vitit 1878, në ditët e themelimit të Lidhjes së Prizrenit, u botua në Aleksandri të Egjiptit vepra madhore e Thimi Mitkos “Bëleta shqiptare”, në të cilën qenë përfshirë mjaft këngë popullore historike të krijuara gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm nga poetët anonimë të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Në hullinë e këtyre këngëve eci edhe vepritmaria popullore e viteve të Lidhjes së Prizrenit. Si më parë, edhe tani ajo pati për qëllim të përjetësonte në vargje ngjarjet tronditëse historike dhe të frymëzonte brezat e rinj për betejat e ardhshme. Por poezia popullore historike e kësaj periudhe dallohet nga ajo e dhjetëvjeçarëve të mëparshëm për frymën e saj më të theksuar kombëtare. Uniteti kombëtar i shqiptarëve që krijoi Lidhja e Prizrenit në fushën politike, u pasqyrua kështu edhe në krijimtarinë popullore historike.

    Sipas traditës, rapsodët popullorë krijimet e tyre letrare më monumentale ua kushtuan ngjarjeve historike më të shënuara. Në qerthullin e këtyre ngjarjeve tani nuk hynë vetëm momentet dramatike madhore, siç ishin përpjekjet e armatosura me armiqtë e tyre, por edhe momentet politike kulmore. Kështu, krahas këngëve epike që iu kushtuan luftës për mbrojtjen e Lëkurësit e të Gjashtës, të Plavës e të Gucisë, të Hotit e të Grudës, të Kelmendit e të Ulqinit, të Slivovës e të Shtimjes, u thurën gjithashtu këngë historike për kuvendet e Prizrenit e të Gjirokastrës, të Gjakovës e të Frashërit, të Shkodrës e të Dibrës, madje edhe për forume të tilla ndërkombëtare, siç ishte Kongresi i Berlinit. Po ashtu, tani poetët anonimë u ngritën monumente në vargje jo vetëm kryetrimave që u shquan në fushën e luftës, si Mic Sokoli, Ali Ibra, Isuf Sokoli, Col Delia, Çel Shabani ose Sef Kosharja, por edhe ideologëve ose udhëheqësve politikë të Lidhjes së Prizrenit, siç ishin Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Ali pashë Gucia, Haxhi Ymeri (Ymer Prizreni) etj.

    Të gjitha këngët popullore historike të këtyre viteve kanë karakter epik ose retorik. Pavarësisht se janë thurur nga rapsodë të viseve të ndryshme dhe në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, ato bashkohen qoftë nga boshti tematik, qoftë nga frymëzimi atdhetar. Nëpërmjet vargjeve të tyre të pasura me figura dhe shprehje poetike, autorët anonimë himnizojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi luftën atdhetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në të njëjtën kohë ata stigmatizojnë herë me tallje, herë me sarkazëm armiqtë, kryesisht “shtatë krajlat” (gjashtë Fuqitë e Mëdha së bashku me Perandorinë Osmane), rreshtimi i të cilëve kundër Shqipërisë shkaktonte te shqiptarët jo frikë, por krenari.

    Krenaria kombëtare, e lidhur ngushtë me besimin për të ardhmen, mbizotëron pothuajse në të gjitha këngët popullore historike të kësaj periudhe. Shqiptarët janë krenarë, sepse asnjëherë nuk i kanë lëshuar armët kundër sundimtarit osman: “Se Shqipnia e ka pas adet / Nga një pashë me mbyt për vjet!”, thuhet në një këngë popullore të këtyre viteve. Sef Kosharja nuk e ndien veten të turpëruar, si dikur kreshnikët mesjetarë, kur mareshali osman Dervish Pasha e dënoi me varje në majën e një lisi. Përkundrazi, ai është krenar se vdes për atdhe (“Po hije m’ka mue, o djemt’e mi / Se kam lanë shpirtin për Shqipni”). Në një këngë tjetër popullore, Dervish Pasha, pasi e shtyp Lidhjen e Prizrenit pyet: Ku ndodhet Sulejman Vokshi, që nuk po e kap dot? Ku u zhduk populli që shkon pas tij? Dhe rapsodi përgjigjet: Janë atje lart në bjeshkë, atje ku zbardhin retë dhe së shpejti do të takohen përsëri me të (“N’ato bjeshkë, te retë e bardha / Q’atje nelt, ku zbardhin ret’/ Kjoft kysmet do’i shihsh opet!”). As Abdyl Frashëri nuk e ndien veten të mundur ose të turpëruar kur kalonte përmes Manastirit i lidhur me hekura dhe i shoqëruar nga xhandarët osmanë, të cilët po e çonin në burgun e Prizrenit. Përkundrazi, këndon rapsodi popullor, “emiri i Shqipërisë” (“udhëheqësi” i Shqipërisë) iu drejtua me krenari e me optimizëm një konsulli të huaj, i cili qeshi me ironi kur e pa të lidhur me pranga: “Ne e mbollëm këtë farë / Po të tjerë shqiptarë / Do ta korrin më të mbarë!”.

    Edhe letërsia artistike e këtyre viteve u dallua për karakterin më të theksuar kombëtar luftarak, për lidhjen e ngushtë me detyrat politike, për rolin më të fuqishëm edukativ atdhetar dhe për vëllimin më të pasur të krijimeve letrare.
    Vrulli i lëvizjes atdhetare që shpërtheu gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit tërhoqi në fushën e letërsisë mjaft pena të reja, por shumica e krijimeve të tyre letrare mbetën të pabotuara. Përveç “Alfabetares” dhe “Kanonizmës” së Shoqërisë së Stambollit, të cilat ishin një përjashtim, Porta e Lartë nuk lejoi asnjë shkrim tjetër shqip që të botohej në Perandorinë Osmane. Por edhe jashtë kufijve të saj mundësitë e botimit ishin të kufizuara. Vetëm pak shkrime shqipe arritën të botoheshin në ndonjë organ periodik të jashtëm, siç ishte gazeta “I foni tis Alvanias” që dilte në Athinë, ose revista “Iris”, që shtypej në Bukuresht. Për të siguruar një përhapje më të gjerë në rradhët e bashkatdhetarëve, disa krijime letrare shqipe, siç ishte poema “Mori Shqypni” e Pashko Vasës dhe himni me titull “Marsejeza” i Thimi Mitkos, u botuan në fletë qarkulluese dhe u shpërndanë në atdhe me anën e veprimtarëve të Lidhjes së Prizrenit.

    Pati gjithashtu krijime letrare, të cilat u shpërndanë në dorëshkrim midis bashkatdhetarëve. Kështu ndodhi, për shembull, me poemën “Shqipëria”, të shkruar nga Naim Frashëri.
    Lëvizja letrare shqipe u zhvillua kryesisht në gjininë e poezisë luftarake. Kjo u lidh me detyrat politike e kulturore më të ngutshme që shtroheshin para lëvizjes kombëtare në përgjithësi dhe Lidhjes së Prizrenit në veçanti. Si rrjedhim, tematika e rrahur prej saj ishte po ajo që trajtoi edhe letërsia politike e atyre viteve. Në çdo poezi spikat thirrja për bashkimin e shqiptarëve si një trup i vetëm pavarësisht nga dallimet fetare. Të gjithë autorët e tyre dënojnë armiqtë e atdheut - Perandorinë Osmane, Fuqitë e Mëdha, monarkitë ballkanike dhe institucionet klerikale. Të gjithë lëshojnë kushtrimin për të rrëmbyer armët jo vetëm për të fituar lirinë e Shqipërisë, por edhe për të mbrojtur tërësinë e saj tokësore. Në të njëjtën kohë ata ftojnë bashkatdhetarët e tyre për të shkruar gjuhën amtare, lëvrimin e së cilës e vlerësonin si një armë të fuqishme jo vetëm për përparimin e vendit, por edhe për thellimin e lëvizjes atdhetare.

    Krijimi letrar më i frymëzuar i viteve të Lidhjes së Prizrenit dhe në të njëjtën kohë një nga poezitë më përfaqësuese të mbarë Rilindjes Kombëtare është poema “Mori Shqypni” e Pashko Vasës. Me një pasuri figurash poetike, me një patos romantik atdhetar dhe me një gjuhë të rrjedhshme, autori synon të ngrejë peshë zemrat e bashkatdhetarëve në luftë për lirinë e atdheut. Ai e fillon poemën e vet duke kundërvënë mjerimin e atëhershëm të Shqipërisë me madhështinë e saj të dikurshme. Shqipëria, këndon poeti, dikur zonjë e nderuar, nënë trimash të dëgjuar, të cilët në të kaluarën i kallnin tmerrin armikut, tani ishte e shtrirë përdhe si një lis i lartë, gjithkush e shkelte me këmbë trupin e saj dhe askush nuk e thoshte një fjalë të ëmbël për të. Pse ndodhte kjo? Kjo ndodhte, theksonte autori, jo se shqiptarët e kishin humbur trimërinë dhe atdhedashurinë e dikurshme, por se ishin të përçarë nga institucionet fetare, se ishin të ndarë nga krerët në njëqind “çeta” dhe, si rrjedhim, në vend që të bashkoheshin kundër armiqve, luftonin kundër njëri-tjetrit.

    Pas tablosë dramatike, fillon shpërthimi epik i poetit atdhetar, i cili i fton shqiptarët të lënë mënjanë fetë, të bashkohen të gjithë si vëllezër, të lidhen të gjithë në një besë, të rrëmbejnë të gjithë armët dhe “Para se të humbasë kështu Shqipnia / Me pushkë në dorë le të vdesë trimnia”. Poema arrin pikën e vet kulmore kur autori lëshon thirrjen për të mbrojtur me çdo kusht tokën shqiptare: “Asht toka jonë, t’parët na e kanë lanë / Kush mos e preki! Të vdesim të tanë! / Të vdesim si burrat qi diqen motit”.

    Këtë kalim nga nota heroike për të kalurën në gjëmën elegjiake për të tashmen, e përdorën edhe autorë të tjerë të këtyre viteve, si Thimi Mitkoja, Naim Frashëri dhe Nikolla Çako, pasi u jepte dorë që të ndiznin me patos atdhetar zemrat e bashkatdhetarëve në luftën për çështjen e madhe të Shqipërisë.
    Të gjithë krijuesit letrarë të periudhës së Lidhjes së Prizrenit janë krenarë për të kaluarën e shqiptarëve, e cila zë fill me pellazgët parahistorikë, ata krenohen për figurat e mëdha që kanë hyrë në historinë e njerëzimit, si Aleksandri i Maqedonisë, Pirroja i Epirit, sidomos Skënderbeu (që, siç theksonte Naim Frashëri, i dha “dërmën” Perandorisë Turke) ose Marko Boçari (që, siç shprehej Nikolla Çako, fitoi kundër “skllavërisë” osmane). Nëpërmjet këtyre evokimeve ata i përgjigjeshin në të njëjtën kohë atij opinioni konservator evropian, që e paraqiste kombin shqiptar si një popull pa histori. Madje, si poetë, ata reagonin më me pasion sesa si prozatorë, duke arritur deri në atë shkallë sa lashtësinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve nuk e shprehnin me argumente historike, por me hiperbola letrare (për Naimin Shqipëria ka qenë gjallë që kur u krijua bota, për Mitkon shqiptarët kanë lindur para se të formohej hëna).

    Ashtu si Pashko Vasa, edhe poetët e tjerë e përshkruajnë gjendjen e Shqipërisë së atyre viteve me ngjyrat më të errëta. Ata kanë pika takimi edhe kur trajtojnë detyrat që shtroheshin para vendit. Ç’na duhet trimëria, theksonte Naimi, në qoftë se prej saj nuk fiton gjë Shqipëria? Madje, vijonte ai, sot Shqipëria ka nevojë jo vetëm për trimërinë e bijve të saj, por edhe për diturinë e tyre e në mënyrë të veçantë për lëvrimin e gjuhës amtare. Në një thirrje të vargëzuar Thimi Mitkoja u kujtonte bashkatdhetarëve se për të shpëtuar nga sundimi i huaj dhe për ta ndritur kombin e tyre, duhej të luftonin për tri çështje: për lirinë, për vetëligjësinë (autonominë) dhe për shkrimin e gjuhës shqipe, përveç detyrës që ishte në rend të ditës - mbrojtja e trojeve shqiptare. Madje, të pushtuar nga patosi atdhetar, shpeshherë ata shkuan më larg se kërkesat që përmbante programi politik i Lidhjes së Prizrenit. Në shumicën e rasteve ata u bënë thirrje vëllezërve të tyre jo aq për “vetëligjësi”, sesa për “zbimin e Turqisë” dhe “lirinë e Shqipërisë”, si në kohën e Skënderbeut.

    Karakteristikë tjetër e përbashkët e poetëve të këtyre viteve ishte optimizmi për të ardhmen e atdheut. Ashtu si në shkrimet politike, edhe në krijimet letrare autorët ishin të bindur se, me djem trima si ata që luftuan në Guci dhe me udhëheqës të ndritur si Abdyl Frashëri me shokë, Shqipëria e robëruar dhe e prapambetur do ta fitonte një ditë lirinë e humbur e do të hynte shpejt në rrugën e qytetërimit. Në një poezi greqisht, një poet anomin e shprehte optimizmin e vet për luftën e mëtejshme të shqiptarëve me këto katër vargje: “Sa kohë jetojnë bijtë e Gjergjit të Madh / në Shqipëri, / Sa kohë që ata kanë moshën rinore / dhe shquhen për trimëri, / Sapo të vijë pranvera dhe tërfili / të mbijë përsëri, / Karejfili? i shqiptarit do të ushtojë / prapë për liri!”.

  10. #50
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    7. LUFTA PËR REALIZIMIN E AUTONOMISË
    DHE SHTYPJA E LIDHJES SË PRIZRENIT






    Kryengritja e armatosur dhe formimi i qeverisë së përkohshme (dhjetor 1880-janar 1881)



    Pas dorëzimit të Ulqinit forcat politike shqiptare dhe veçanërisht Lidhja Shqiptare e Prizrenit e përqendruan vëmendjen në dy çështje kryesore: në atë të pretendimeve greke ndaj Çamërisë dhe në problemin e të drejtave autonomiste të Shqipërisë. Në këtë periudhë u rrit më tej vendosmëria e shqiptarëve për të mos i lëshuar Greqisë asnjë pëllëmbë tokë të Çamërisë.
    Të gjitha forcat atdhetare kishin qëndrim të njëjtë për këtë çështje, vijuan të kërkonin që Protokolli nr.13 të korrigjohej në mënyrë të tillë që Greqia të kënaqej jo me vise shqiptare, por me troje greke në Thesali.
    Edhe Porta e Lartë, duke qenë e bindur se përdorimi i dhunës për t’i detyruar shqiptarët të hiqnin dorë nga Çamëria do të shkaktonte një kryengritje të re, me përmasa të mëdha në Shqipëri, po kundërshtonte zbatimin me forcë të këtij vendimi. Stambolli u përpoq të përfitonte nga zvarritja e çështjes së Çamërisë për të marrë masat për rivendosjen e autoritetit të tij të tronditur në Shqipëri dhe për të shtypur lëvizjen autonomiste. Megjithëse krahu i moderuar i Lidhjes Shqiptare hoqi dorë nga lufta për autonominë e Shqipërisë, atdhetarët radikalë e vazhduan atë më me forcë pas ngjarjeve të Ulqinit. Në një mbledhje të veçantë që u mbajt në Prizren në nëntor, në të cilën mori pjesë edhe Abdyl Frashëri, u vendos që ky (Abdyl Frashëri) të nisej për në Stamboll për t’i paraqitur edhe njëherë Portës së Lartë kërkesën për bashkimin e vilajeteve dhe veç kësaj kryengritja kundërosmane të niste sapo të shihej se Porta e Lartë do të kalonte në sulm kundër Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

    Qysh në javën e parë të muajit dhjetor 1880 Porta e Lartë filloi të kalonte shkallë-shkallë në sulm kundër lëvizjes autonomiste shqiptare. Goditjen e parë ua dha forcave atdhetare në Shkodër. Menjëherë pasi përfundoi dorëzimin e Ulqinit, Dervish Pasha u turr me egërsi të jashtëzakonshme kundër organeve të Lidhjes së Prizrenit në vilajetin e Shkodrës, të cilat arriti t’i shpërndante me terror, duke rivendosur pushtetin e administratës centraliste osmane. Mareshali turk u tregua më i egër me partizanët e lëvizjes autonomiste, sesa me pjesëmarrësit e luftës së Ulqinit. Më 11 dhjetor ai arrestoi pabesisht dhe internoi në Anadoll edhe figura të tilla si Hodo Sokolin e Preng Bibë Dodën, të cilët nuk morën pjesë në luftën e Ulqinit, por ishin përkrahës të kërkesave autonomiste, ndërsa Daut Boriçin e izoloi në Stamboll. Arrestime të tjera ndërmori ai në qytetin e Shkodrës.

    Disa ditë më vonë Porta e Lartë e thirri në Stamboll Dervish Pashën dhe i ngarkoi detyrën të hartonte planin e një ekspedite të madhe ushtarake kundër Shqipërisë, për të shtypur në mbarë vendin Lidhjen Shqiptare dhe prirjen e saj për kryengritje të armatosur kundërosmane. Në relacionin që i paraqiti sulltanit më 27 dhjetor, Dervish Pasha kërkonte që lëvizja autonomiste shqiptare të shtypej para se të shpërthente një kryengritje e përgjithshme e armatosur dhe për këtë qëllim të dërgoheshin në Shqipëri 40 batalione ushtarësh me dy qendra drejtuese, njëra në Shkodër, tjetra në Shkup, që ekspedita ushtarake të fillonte në Veri dhe pas zgjidhjes së çështjes së Çamërisë të shtrihej edhe në Shqipërinë e Jugut. Në të njëjtën kohë sulltan Abdyl Hamiti II u drejtoi shqiptarëve një thirrje të jashtëzakonshme, ku i cilësonte të gjithë ata që kërkonin krijimin e një vilajeti të vetëm shqiptar si armiqtë më të rrezikshëm të Perandorisë Osmane.
    Udhëheqësit shqiptarë i morën vesh synimet e Stambollit, prandaj i shpejtuan përgatitjet për organizimin e aksionit të armatosur autonomist. Sipas planit të tyre, ai do të fillonte në vilajetin e Kosovës, do të shtrihej menjëherë në vilajetin e Janinës dhe pastaj do të përhapej në viset shqiptare të dy vilajeteve të tjera.
    Në Kosovë veprimet e armatosura filluan në sanxhakun e Prizrenit, qysh në muajin dhjetor 1880, me një varg sulmesh nga ana e fshatarëve kundër administratës osmane. Fill pas tyre u ngritën banorët e Prizrenit, të cilët dëbuan nga qyteti mytesarifin e sanxhakut së bashku me nëpunësit e huaj. Këtu mbërriti në ato ditë edhe Abdyl Frashëri, që u largua fshehurazi nga Stambolli. Brenda pak ditëve qytete e krahina të tjera, si Shkupi, Gjakova, Luma e Gucia, u çliruan e u pastruan nga administrata perandorake dhe u bashkuan me pushtetin e ri që u ngrit në Prizren.

    Vrulli i lëvizjes kundërosmane i nxiti udhëheqësit kryesorë të rrymës radikale, të grumbulluar në Prizren, të bënin hapat e parë për zbatimin e programit të tyre autonomist. Në fund të dhjetorit ata riorganizuan Komitetin Kombëtar të Lidhjes Shqiptare, ku mbeti shumica e anëtarëve të mëparshëm, që ishin edhe ndër themeluesit e saj, si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Shuaip Spahiu, Ali Ibra etj. Komiteti Kombëtar mori vendime të rëndësishme: të përhapte kryengritjen kundërosmane në krejt vilajetin e Kosovës dhe të thërriste mbledhjen e Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare për të formuar qeverinë e përkohshme.

    Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Shqiptare u mblodh në Prizren në fillim të dhjetëditëshit të dytë të muajit janar. Në Kuvend mbajti një fjalim programatik Abdyl Frashëri, në të cilin tha, midis të tjerave: “Porta e Lartë nuk do që të bëjë asgjë për Shqipërinë. Ajo i trajton me përbuzjen më të madhe si lutjet tona, ashtu edhe neve… Le të mendojmë e le të punojmë për vete dhe të mos ketë asnjë ndryshim ndërmjet toskëve e gegëve. Të jemi të gjithë shqiptarë dhe të formojmë një Shqipëri të bashkuar”. Me këtë formulim Abdyl Frashëri nënkuptonte krijimin e “një shteti autonom shqiptar”, i cili, nëse nuk do të njihej nga Stambolli dhe do të sigurohej me anën e kryengritjes së armatosur, do të shpinte vetvetiu në shpalljen e pavarësisë së plotë të Shqipërisë.

    Në përfundim të punimeve Kuvendi i Jashtëzakonshëm miratoi, me pak ndryshime, Komitetin Kombëtar të mëparshëm të Lidhjes Shqiptare. Duke marrë parasysh detyrën e re që shtrohej para vendit - zëvendësimin e administratës osmane me administratën shqiptare autonome - Kuvendi e veshi organin qendror të Lidhjes Shqiptare me funksione të plota pushtetore. Për këtë qëllim ai e shpalli Komitetin Kombëtar qeveri të përkohshme me kryetar Ymer Prizrenin, nënkryetar Shuaip Spahiun dhe me dhjetë anëtarë, midis të cilëve ishin Abdyl Frashëri, i ngarkuar për punët e jashtme dhe Sulejman Vokshi, i ngarkuar për punët ushtarake.
    Fill pas formimit të saj qeveria e përkohshme u përpoq ta përhapte flakën e kryengritjes çlirimtare në viset e tjera të vilajetit të Kosovës e të shtrinte pushtetin e saj në gjithë vilajetin e Kosovës dhe shkallë-shkallë edhe në tre vilajetet e tjera shqiptare. Në të njëjtën kohë ajo iu përvesh organizimit të forcave ushtarake. Brenda pak ditëve u formuan njësi ushtarake të rregullta dhe pranë tyre reparte shëtitëse që do të shërbenin ku ta lypte nevoja. Në viset e çliruara u ngrit menjëherë administrata shqiptare, e cila hyri nën vartësinë e qeverisë së përkohshme të Prizrenit.

    Lëvizja e armatosur autonomiste u përhap me shpejtësi edhe në viset e tjera të vilajetit të Kosovës. Në saje të përkrahjes që gjetën në masat popullore, repartet e Lidhjes Shqiptare të komanduara nga Sulejman Vokshi, më 4 janar shtinë në dorë Shkupin, më 18 janar çliruan pa luftë Prishtinën (kryeqendrën e vilajetit) dhe më 25 janar Mitrovicën. Ndërkohë u lidhën me qeverinë e përkohshme edhe qytetet e tjera të vilajetit të Kosovës, si Peja, Ferizaj, Vuçiterna etj. Nëpunësit e lartë turq u dëbuan nga të gjitha këto qendra, ku u vendos autoriteti i Lidhjes. Garnizonet e dobëta turke u detyruan të mbylleshin në pika të caktuara, prej nga nuk mund të dilnin pa dorëzuar më parë armët. Forcat e Lidhjes Shqiptare zunë urat hekurudhore në mënyrë që të pengohej ardhja e përforcimeve ushtarake osmane. Shoqëria e trenave me qendër në Shkup mori urdhër të mos transportonte trupa e municione për ushtrinë turke.

    Në shkurt autoriteti i qeverisë së përkohshme u shtri në Tetovë, në Gostivar e në Dibër. Në Dibër dëbimi i nëpunësve turq ndeshi në kundërshtimin e feudalëve sulltanistë, që kryesoheshin nga Sadik pashë Hoxholli, të cilët, duke mos pasur mbështetje në popullsinë vendase, thirrën në ndihmë dy batalione turke nga Manastiri. Qeveria e përkohshme e Prizrenit dërgoi në Dibër Abdyl Frashërin, që u vendos drejtpërdrejt në selinë e prefekturës, para së cilës u mbajt një miting i madh. Duke iu përgjigjur thirrjes së Abdylit, që në fjalën e tij u kërkoi dibranëve të bashkoheshin me qeverinë e përkohshme, popullsia e Dibrës së Sipërme, qytetarë e malësorë, dëboi më 19 shkurt mytesarifin turk dhe vendosi pushtetin e Lidhjes Shqiptare. Dibra u lidh kështu me qeverinë e përkohshme.

    Porta e Lartë u përpoq t’i mbyste me anën e censurës lajmet mbi ngjarjet tronditëse që po zhvilloheshin në Kosovë. Madje jo vetëm shtypi turk, por edhe shtypi ndërkombëtar nuk botoi asgjë mbi këto ngjarje. Atdhetarëve shqiptarë nuk u mbeti asnjë mjet në dorë për të njoftuar zhvillimin e lëvizjes autonomiste, përveçse letrave personale që shkëmbenin fshehurazi ndërmjet tyre. Në një letër të tillë që Sami Frashëri i dërgonte nga Stambolli Jeronim de Radës në Itali në valën e këtyre ngjarjeve, më 20 shkurt 1881, shkruante: “Lidhja e Shqiptarëve që ka kërthizën në Prizren, në Gegëri, ka kërkuar shumë herë, që nga tre vjet e tëhu, bashkimin e Shqipërisë me një provincë me autonomi; po mbretëria gjer më sot e kish gënjyer me fjalë. Këtë herë shqiptarët e kuptuan fort mirë që mbretëria nuk do të bënjë gjë kurrë për ta, dhe Lidhja e Prizrenit ka nevojë të bashkojë Shqipërinë e ta bënjë një me autonomi, a mbase me shkëputje fare pas punësë. Kështu Lidhja mori emrin e guvernës së përdorme (qeverisë së përkohshme - shën. i aut.) dhe përzuri guvernatorët turq nga gjithë vilajeti i Kosovës dhe nga Prizreni, nga Gjakova, nga Tetova, nga Dibra etj. 10 000 shqiptarë të armatosur kanë zënë Shkupin dhe udhënë e hekurtë; 10 000 të tjerë po bëhen gati për t’u unjur në Toskëri. Për pak kohë do të dëgjoni një kryengritje të madhe në Shqipëri”.

    Në të vërtetë, në fund të shkurtit qeveria e përkohshme arriti të shtrinte autoritetin e saj në katër nga pesë sanxhakët e vilajetit të Kosovës (me përjashtim të Novi Pazarit): në të Prizrenit, të Pejës, të Shkupit e të Prishtinës. Pushteti i ri u krijua nëpërmjet shndërrimit të komiteteve të mëparshme të Lidhjes në organe pushteti në çdo sanxhak. Po kështu ndodhi edhe me komitetet e kazave që vareshin nga ato të sanxhakëve.
    Qeveria e përkohshme synonte ta shtrinte kryengritjen e armatosur çlirimtare në krejt viset shqiptare, në vilajetin e Shkodrës, në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Një kujdes të veçantë i kushtoi ajo sanxhakut të Dibrës, si një hallkë që lidhte gjithë trevat shqiptare.

    Veprimtaria e qeverisë së përkohshme u përqendrua në ngritjen e forcave të armatosura shqiptare, në vendosjen e rendit publik, në organizimin e administratës së re e sidomos të gjykatave shqiptare (që u krijuan në çdo sanxhak duke zëvendësuar ato osmane), në krijimin e një buxheti të shtetit shqiptar, nëpërmjet përqendrimit në duart e Lidhjes të taksave shtetërore.
    Krahas veprimeve ushtarake, të cilat çuan në çlirimin e shpejtë të vilajetit të Kosovës dhe të disa viseve të vilajetit të Manastirit, qeveria e përkohshme i kushtoi kujdes të veçantë edhe ngritjes së pushtetit të ri shqiptar. Administrata e re që u ngrit në viset e çliruara u pastrua jo vetëm nga funksionarët turq, por edhe nga ata sulltanistë shqiptarë. U morën masa të rrepta kundër veprimeve arbitrare dhe shpërdorimit të funksioneve pushtetore nga nëpunësit e pandërgjegjshëm. Duke i dhënë një rëndësi të madhe vendosjes së një qetësie shembullore, organet e Lidhjes Shqiptare ndoqën me ashpërsi të gjithë keqbërësit e arratisur. Masa të rrepta u morën gjithashtu edhe kundër parisë reaksionare, që u përpoq të minonte pushtetin e ri me veprimtarinë e saj armiqësore. Mjaft prej përfaqësuesve të saj u arrestuan. Për sukseset që pati pushteti i ri i vendosur nga Lidhja Shqiptare në viset e Kosovës, kryekonsulli austro-hungarez raportonte nga Shkodra, më 5 mars 1881, midis të tjerave: “ ... Edhe nëpunësit më të vegjël janë caktuar nga Lidhja; gjyqtar është një qytetar i Prizrenit; taksat që nxirren nga popullsia derdhen në llogari të Lidhjes; nëpunësit i marrin rrogat rregullisht. Lidhja ka kujdes për mbajtjen e rendit qoftë në qytet, qoftë në fshat. Sigurimi publik tani është shumë më në rregull se ç’ishte në kohën kur administratën e drejtonin funksionarët e sulltanit”.

    Sukseset që arriti lëvizja çlirimtare në Kosovë ngjallën një entuziazëm të madh në radhët e atdhetarëve shqiptarë. Madje shumë prej tyre filluan të shpresonin se me këtë hov që po merrte aksioni revolucionar çlirimtar po krijohej mundësia për të fituar jo vetëm autonominë e Shqipërisë, por “mbase”, siç shprehej Sami Frashëri ato ditë, edhe shkëputjen e saj të plotë nga Perandoria Osmane. Në këto rrethana qarqet atdhetare filluan të mendonin edhe për formën e qeverisjes që duhej të kishte shteti i ardhshëm shqiptar. Lidhur me formën e regjimit, opinioni publik shqiptar anonte kryesisht nga regjimi monarkist. Ai e përfytyronte Shqipërinë e lirë si një principatë a si një mbretëri me një fisnik shqiptar ose të huaj në krye. Sipas këtij koncepti, Shqipëria nuk duhej të bënte përjashtim nga vendet e tjera të Ballkanit që u formuan si shtete monarkiste. Përkrahësit e regjimit republikan ishin më të pakët. Ndër ta u shqua Sami Frashëri, i cili propozonte për Shqipërinë një zgjidhje origjinale, një republikë me një kryesi kolegjiale. “Në u bëftë dot Shqipëria më vete, - shkruante Sami Frashëri në letrën e përmendur drejtuar De Radës, - nuk do të kemi nevojë për princër as të krishterë as muhamedanë që të na rrjepnë e të na pinë gjaknë. Vendi ynë mund edhe do të guvernohet (të qeveriset - shën. i aut.) prej një farë dhimokratije, prej pleqet”. Kjo pikëpamje për të vendosur në Shqipëri një regjim republikan me një presidencë kolegjale përfaqësonte mendimin më përparimtar të shprehur deri atëherë nga lëvizja demokratike shqiptare.

    Pas sukseseve që korri lëvizja në vilajetin e Kosovës e në sanxhakun e Dibrës, pritej që ajo të shtrihej edhe në viset e tjera të vendit. Në të vërtetë, në Shqipërinë e Jugut atdhetarët prisnin çastin e përshtatshëm për t’u hedhur në veprim. Shenjën do ta jepte Abdyl Frashëri në varësi të ecurisë të bisedimeve turko-greke dhe të zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë. Meqenëse këtu Porta e Lartë kishte përqendruar forca ushtarake të mëdha për të përballuar një sulm të mundshëm nga ana e Greqisë, qeveria e përkohshme e Prizrenit filloi të përgatiste reparte vullnetarësh për të ndihmuar kryengritësit e vilajetit të Janinës, sapo këta të hidheshin në veprim. Por pikërisht ato ditë u krijua një gjendje ndërkombëtare shumë e ndërlikuar, e cila e pengoi shtrirjen e lëvizjes në viset jugore.

    Ngjarjet e reja në Shqipëri, të cilat po çonin në prishjen e status quo-së në Evropën Juglindore, pra në ndryshimin e hartës politike të Kongresit të Berlinit, shqetësuan jo vetëm Portën e Lartë, por edhe Fuqitë e Mëdha. Shqetësimin e tyre e rriti më tej qëndrimi i Greqisë, e cila, duke përfituar nga kryengritja shqiptare, filloi ta kërcënonte Perandorinë Osmane me luftë për ta detyruar që t’i lëshonte asaj Çamërinë e Thesalinë. Ndërlikimet e mëdha që po krijoheshin në Gadishullin Ballkanik nga sukseset e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare i detyruan Fuqitë e Mëdha të ndërhynin energjikisht për t’i detyruar Stambollin e Athinën që t’i jepnin fund çështjes së kufirit turko-grek, me qëllim që Porta e Lartë t’i kishte duart të lira për të shtypur Lidhjen e Prizrenit dhe kryengritjen e saj të armatosur.

    Për t’i bërë ballë këtij komploti ndërkombëtar që po organizohej kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit u orvatën përsëri të siguronin një pikëmbështetje të jashtme. Rastin ua dha Greqia me gatishmërinë e saj për të hyrë në luftë kundër Perandorisë Osmane. Në këto rrethana, udhëheqësit e lëvizjes kombëtare me Abdyl Frashërin në krye, u kthyen te projekti i tyre i vjetër për të lidhur një aleancë politike e ushtarake me Greqinë, sipas së cilës, në përfundim të luftës së përbashkët kundër Stambollit, Athina do të aneksonte provincën greke të Thesalisë, kurse shqiptarët do të fitonin pavarësinë kombëtare në kufijtë e tyre etnikë, duke përfshirë këtu edhe viset shqiptare të Çamërisë.

    Në fillim qeveria e Athinës u tregua e interesuar për bisedimet shqiptaro-greke, të cilat u zhvilluan në Korfuz. Por shpejt u pa se ajo nuk kishte hequr dorë nga platforma e saj, që parashikonte aneksimin e vilajetit të Janinës nga Greqia dhe bashkimin e Shqipërisë me Greqinë në formën e një shteti dualist. Veç kësaj, ndërsa vijonin bisedimet e Korfuzit, presioni i Fuqive të Mëdha ndaj Stambollit dhe Athinës u rrit aq shumë, sa Porta e Lartë e qeveria greke u detyruan të bënin lëshime dhe t’i jepnin fund grindjes rreth kufirit të tyre të ri. Sipas protokollit, që u nënshkrua më 27 mars 1881, Perandoria Osmane pranoi t’i lëshonte Greqisë pjesën më të madhe të Thesalisë, afërsisht deri në lumin Selemvria dhe një pjesë shumë të vogël në këndin juglindor të Epirit, konkretisht qytetin e Artës së bashku me rrethinat e tij. Ky vendim i Fuqive të Mëdha u mor për shkak të qëndresës gati trevjeçare të Lidhjes Shqiptare, e cila luftoi me vendosmëri për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë tokë shqiptare në vilajetin e Janinës (Epir).

    Qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare dhe ndërhyrjet e konsujve të tyre kundër lëvizjes autonomiste ushtruan një ndikim negativ në zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve në Shqipërinë e Jugut. Veç kësaj, me nënshkrimin e marrëveshjes turko-greke, Athina nuk dëshironte më trazira në vilajetin e Janinës. Madje tani lindi rreziku që, sapo të shpërthente kryengritja autonomiste në Shqipërinë e Jugut, Greqia t’i sulmonte shqiptarët prapa krahëve për të bërë aneksimin e vilajetit të Janinës. Në këto rrethana atdhetarët shqiptarë të viseve jugore ngurruan të fillonin veprimet kryengritëse kundër Portës së Lartë.

  11. #51
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    Betejat e fundit të Lidhjes dhe shtypja e saj (prill 1881)


    Sapo u bind se çështja e kufirit turko-grek po hynte në rrugën e zgjidhjes, Porta e Lartë mendoi se tashmë i kishte duart të lira për të shtypur me forcë lëvizjen autonomiste shqiptare. Për këtë qëllim, disa ditë përpara se të nënshkruhej protokolli i marrëveshjes së kufirit, ajo i dha urdhër Dervish Pashës që të vinte në zbatim planin e ekspeditës ushtarake kundër Shqipërisë. Atij iu dha grada e kryegjeneralit dhe detyra e kryekomandantit të Rumelisë, domethënë të forcave të armatosura të dislokuara në vilajetet e Kosovës, të Manastirit, të Janinës, të Shkodrës e të Selanikut. Ekspedita e tij, e përbërë nga 30 batalione, do të ndihmohej edhe nga garnizonet ushtarake të vendosura në qytetet e Kosovës. Ekspedita do të kishte edhe 7 gjeneralë të tjerë nën komandën e Dervish Pashës.
    Goditjen e parë ushtria osmane ia dha Komitetit të Lidhjes Shqiptare në Shkup, të kryesuar nga Jashar bej Shkupi. Ky komitet, ndryshe nga ata të qyteteve të tjera te Kosovës, nuk preku as administratën osmane, as mytesarifin dhe as garnizonin turk të qytetit. Ai nuk pengoi gjithashtu futjen e forcave të tjera ushtarake osmane më 27 shkurt 1881 dhe vendosjen këtu të Ibrahim Pashës si komandant i garnizonit. Më 23 mars Ibrahim Pasha thirri në selinë e tij 11 anëtarët e Komitetit të Lidhjes për Shkupin me Jashar bej Shkupin në krye, të cilët i arrestoi pabesisht.

    Pushtimi i Shkupit, pati rëndësi të madhe për forcat osmane, pasi për nga madhësia dhe pozita strategjike qyteti ishte një pikëmbështetje e fortë për zhvillimin e ekspeditës së tyre në mbarë vilajetin e Kosovës. Për këtë arsye, gjatë ditëve të mëvonshme u shpërngulën nga Selaniku në Shkup forcat kryesore të ekspeditës ushtarake osmane (30 batalione me rreth 20 mijë ushtarë). Më 7 prill 1881 arriti edhe vetë Dervish Pasha, i cili vendosi këtu shtabin e vet. Në të njëjtën kohë aty u shpall shtetrrethimi dhe filluan arrestimet. Për të ngjallur terror në popull, të gjithë anëtarët e arrestuar të Komitetit të Lidhjes, pasi i shëtitën në rrugë të lidhur me hekura, i dërguan në burgun e Selanikut dhe më vonë i internuan në ishullin e Rodosit, në detin Egje.

    Sapo ra Shkupi, Lidhja Shqiptare lëshoi kushtrimin në mbarë Kosovën për të rrëmbyer armët dhe për t’i bërë ballë ekspeditës osmane. Qeveria e përkohshme formoi shtabin e mbrojtjes me 25 anëtarë, nga të cilët njihen deri më sot Sulejman Vokshi (që ishte edhe komandant i tij), Ali Ibra, Mic Sokoli, Binak Alia, Sef Kosharja, Halim Efendiu, Zeqirja Aga, Mullah Hyseni, Mustafa Aga, Halil Efendiu etj. Në kohën e fillimit të ekspeditës ushtarake shtabi kishte vetëm 5 mijë luftëtarë. Përpjekjet për mobilizimin e forcave të tjera nuk u kurorëzuan me sukses. Qeverisë së përkohshme i mungonin edhe mjetet financiare për armatimin dhe mbajtjen e tyre. Udhëheqësit e saj vendosën t’i përqendronin forcat ushtarake në rrugën Ferizaj-Prizren dhe ta zhvillonin luftën e armatosur në qafat e maleve midis Ferizajt e Suharekës, të cilat kontrollonin rrugën nga mund të kalonte ushtria turke për në Prizren. Për këtë arsye forcat e para vullnetare u përqendruan kryesisht në dy pika strategjike: në Shtimje, ku u vendos edhe shtabi i tyre nën kryesinë e Sulejman Vokshit; pjesa tjetër zuri vend në pozita më të përparuara, në afërsi të fshatit Slivovë. Për të siguruar ndërlidhjen e shpejtë të shtabit me Prizrenin, u ngrit me të shpejtë në Shtimje një stacion telegrafik. Sipas planit të shtabit të ushtrive shqiptare, në rast se qëndresa e Shtimjes do të thyhej, prita tjetër kundër ushtrive osmane do të organizohej në Grykat e Carralevës.

    Krahas përgatitjeve ushtarake, Lidhja e Prizrenit më 15 prill 1881 u drejtoi një memorandum ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Stamboll, që ishte dhe akti i fundit diplomatik i saj, me anën e të cilit, pasi shprehte vendimin që kishte marrë për të mbrojtur me armë të drejtat kombëtare, për të siguruar autonominë e Shqipërisë dhe për ta futur vendin në rrugën e përparimit e të qytetërimit, kërkonte ndërhyrjen e kancelarive evropiane për të ndaluar ekspeditën ndëshkimore osmane.

    Por pikërisht në këtë çast vendimtar u dukën pasojat e dëmshme të qëndrimit të butë që kishte mbajtur qeveria e përkohshme ndaj forcave reaksionare, të cilat u vunë në lëvizje për të penguar mobilizimin në masë të forcave vullnetare dhe organizimin e shpejtë të qëndresës së armatosur.
    Në këtë gjendje tensioni të jashtëm e të brendshëm, dy javë pasi ra Shkupi, Dervish Pasha u dha urdhër ushtrive të veta të marshonin drejt Kosovës dhe të zinin qytetin Ferizaj. Për të ngjallur terror në popullsinë shqiptare, gjatë marshimit ushtria osmane, pasi theu qëndresën e parë që ndeshi në Grykën e Kaçanikut, bombardoi me artileri fshatrat që ndodheshin gjatë rrugës. Më 7 prill ajo hyri në Ferizaj. Të nesërmen arriti këtu edhe Dervish Pasha së bashku me shtabin e vet. Sapo u vendos në Ferizaj, ai u dërgoi një ultimatum forcave të Lidhjes duke i kërcënuar se do të merrte masa ndëshkimore të rrepta kundër atyre që do të qëllonin me armë ushtritë osmane. Krerët dhe vullnetarët e Lidhjes nuk lëvizën nga pozitat e tyre. Vetëm disa krerë, midis tyre edhe Ali pashë Gucia, u paraqitën te Dervish Pasha duke i shprehur besnikërinë e tyre ndaj sulltanit dhe duke dënuar aksionin autonomist të Lidhjes së Prizrenit.

    Dervish Pasha u përgatit për më shumë se dhjetë ditë para se të nisej ekspedita nga Ferizaj në Prizren. Pasi dështuan orvatjet e tij për të përçarë udhëheqësit e Lidhjes, ai ndërmori për katër ditë me radhë (16-19 prill) disa operacione ushtarake të kufizuara për të zbuluar numrin e vullnetarëve shqiptarë dhe pozitat e tyre. Më 20 prill 1881 ushtritë osmane të ndara në dy kolona morën urdhër të fillonin sulmin kundër forcave shqiptare të vendosura në Slivovë dhe në Shtimje.
    Ndeshja e parë me ushtritë osmane ndodhi më 20 prill në Slivovë. Edhe pse me municion të pakët, në saje të qëndrueshmërisë së tyre shqiptarët e ndalën për mjaft orë përparimin e armikut. Por gjendja e tyre u keqësua kur hyri në veprim artileria fushore turke. Duke parë dëmin që po u shkaktonte luftëtarëve një bateri e armikut, komandanti i këtij sektori, Mic Sokoli nga Bujani i Malësisë së Gjakovës, së bashku me disa luftëtarë të tjerë, lanë pozicionet mbrojtëse dhe u hodhën drejt kodrës ku ishte vendosur artileria turke. Qëllimi i tyre ishte të sulmonin dhe të asgjësonin baterinë e armatosur, që po u shkaktonte dëme shqiptarëve. Por të gjithë këta luftëtarë trima, së bashku me komandantin e tyre Mic Sokolin, u vranë përpara grykave të topave të artilerisë osmane. Përballë epërsisë së armikut në numër e në armatime, shqiptarët, me gjithë heroizmin që treguan, u detyruan të tërhiqeshin nga Slivova në Shtimje, ku qëndronin forcat kryesore të Lidhjes së Prizrenit.

    Beteja e dytë ndodhi të nesërmen, më 21 prill 1881, në Shtimje. Këtu luftimet qenë më të përgjakshme se në Slivovë. Në luftimet e ashpra, të cilat vazhduan më tepër se 2 orë, morën pjesë edhe vetë anëtarët e shtabit shqiptar, si Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Binak Alia, Rustem Sadria e të tjerë. Edhe këtu vullnetarët shqiptarë luftuan me heroizëm të rrallë, por nën breshërinë e dendur të artilerisë së armikut dhe kur municioni i armëve të tyre filloi të shteronte, u detyruan të tërhiqeshin në drejtim të Suharekës.
    Në betejat e Slivovës e të Shtimjes të dyja palët patën shumë të vrarë e të plagosur: turqit rreth 800 veta, ndërsa shqiptarët 1 200 veta.
    Pas Shtimjes forcat e Lidhjes Shqiptare u bënë më 22 prill 1881 tri prita të tjera ushtrive osmane, në Grykën e Carralevës, në fshatin Dule dhe në hyrje të Suharekës, por marshimin e tyre nuk e ndalën dot. Të nesërmen, më 23 prill 1881, pasi theu qëndresën e shqiptarëve, Dervish Pasha, i shoqëruar nga 7 gjeneralë dhe me 24 batalione, hyri në Prizren ku shpalli menjëherë shtetrrethimin dhe bëri arrestime të shumta.

    Qëllimi i Portës së Lartë nuk ishte vetëm që të shtypte kryengritjen e armatosur kundërosmane, por të mbyste edhe idenë e autonomisë së Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe kërkesën për formimin e një vilajeti të vetëm shqiptar. Për këtë, pasi shtypi qëndresën në Prizren, Dervish Pasha thirri këtu më 30 prill krerët e dikurshëm të Lidhjes për sanxhakët e Prizrenit, të Prishtinës, të Pejës, të Mitrovicës, të Shkupit, të Dibrës, të Shkodrës, të Manastirit etj., si edhe përfaqësuesit e qarqeve sulltaniste. Ai u kërkoi atyre të nënshkruanin një deklaratë, ku dënohej veprimtaria e Lidhjes Shqiptare dhe sidomos kërkesa e saj për bashkimin e vilajeteve shqiptare, të cilën e quante një akt armiqësor. Këtu erdhën kryesisht krerët sulltanistë dhe vetëm disa nga drejtuesit e moderuar të Lidhjes, si Ali pashë Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Dervalla dhe Esat pashë Tetova, të cilët e nënshkruan deklaratën e Dervish Pashës. Si rrjedhim, krerët e moderuar, që e dënuan me shkrim idenë e vilajetit autonom, u quajtën nga sulltani të falur, madje disa prej tyre, si Ali pashë Gucia etj., u emëruan në poste të rëndësishme në administratën e vilajeteve të Kosovës e të Manastirit.
    Epërsia e ushtrisë osmane, kapitullimi i elementëve të moderuar dhe pushtimi i shpejtë i Prizrenit shkaktuan tronditje të thellë në opinionin publik të vendit. Megjithatë, udhëheqësit e Lidhjes vendosën ta vazhdonin më tej qëndresën kundër ushtrive osmane. Vatrat e qëndresës tani duhej të organizoheshin në Gjakovë e në Dibër. Për organizimin e tyre shkuan Sulejman Vokshi në Gjakovë dhe Abdyl Frashëri në Dibër.

    Sipas planit të ri, forcat dibrane duhej të sulmonin Shkupin për t’u marrë krahët ushtrive osmane, gjë që do të ndihmonte vullnetarët gjakovarë të kundërsulmonin për të rimarrë Prizrenin. Por në Dibër Abdyl Frashëri gjeti një gjendje të ndryshuar. Këtu dibranët nuk deshën të largoheshin nga Dibra për të luftuar kundër Dervish Pashës në Kosovë, sepse mendonin se forcat turke do të sulmonin fshatrat rreth qytetit. Prandaj malësorët dibranë vendosën që ta kundërshtonin ushtrinë osmane në viset e tyre.

    Në Gjakovë Sulejman Vokshi gjeti kushte më të favorshme. Me gjithë reaksionin e disave prej parisë feudale, qyteti e malësia ndodheshin ende nën autoritetin e degës së Lidhjes Shqiptare. Udhëheqësit e saj arritën të mobilizonin forca të shumta, sidomos nga radhët e malësorëve të Krasniqit e të Gashit. Por vullnetarët e mobilizuar nuk ishin të mjaftueshëm për një sulm kundër Prizrenit. Si rrjedhim, edhe forcat gjakovare qëndruan në mbrojtje të krahinës së tyre. Vendosmëria e tyre e detyroi Dervish Pashën të priste ardhjen e forcave të tjera përpara se të ndërmerrte sulmin kundër Gjakovës. Sulmi u zhvillua një muaj më vonë, në maj 1881. Pasi morën Gjakovën, ushtritë osmane shtinë nën kontrollin e tyre të gjitha qytetet e tjera të Kosovës. Por në malësitë e Gjakovës, të Dibrës e të Lumës qëndresa e armatosur kundër ushtrive osmane vazhdoi me sulme e kundërsulme nga të dyja palët, deri në vjeshtë 1881.

    Në përfundim të ekspeditës ushtarake osmane, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shpërnda. Pushtetin në vilajetin e Kosovës e mori kudo administrata e Portës së Lartë. Vendosja e saj u shoqërua me një terror të pashembullt për Shqipërinë. Dervish Pasha arrestoi dhe dënoi pa gjyqe rreth 7 mijë veta, udhëheqës e veprimtarë të Lidhjes, 3 mijë në Kosovë dhe 4 mijë në vilajetet e Shkodrës, të Manastirit e të Janinës. Midis të vrarëve në luftimet që u bënë në Slivovë e në Shtimje, përveç Mic Sokolit, qenë edhe veprimtarë të tjerë të Lidhjes dhe luftëtarë të ushtrisë së saj, si Rustem Sadria, Seit Suhareka, Mehmet Smaili, Ali Ibrahimi e të tjerë, ndërsa nga ata që u kapën dhe u ekzekutuan pa gjyq Ali Nimani (oficer karriere), Mulla Hyseni e Sef Kosharja.

    Dervish Pasha u përpoq të shtinte në dorë me çdo kusht udhëheqësit e lëvizjes autonomiste shqiptare dhe të qëndresës së armatosur kundërosmane. Kryetari i qeverisë së përkohshme, Ymer Prizreni, u fsheh për disa kohë në Malësinë e Gjakovës, pastaj mërgoi në Mal të Zi (Ulqin). Ai nuk pranoi asgjë nga ofertat për falje e për ofiqe të larta që i dha sulltani dhe qëndroi në mërgim derisa vdiq (1884). Sulejman Vokshi qëndroi gati pesë vjet i arratisur gjithashtu në Malësinë e Gjakovës. Gjatë kësaj kohe ai organizoi një kryengritje tjetër kundër pushtuesit osman, që shpërtheu në Kosovë më 1885. Me shtypjen e saj u kap dhe u dënua rëndë. Abdyl Frashëri u nis në këtë kohë për në Shqipërinë e Jugut. Por Dervish Pasha, i cili donte ta shtinte me çdo kusht në dorë, u dha urdhra të rreptë organeve të xhandarmërisë turke për të zënë të gjitha shtigjet nga mund të kalonte ai drejt jugut dhe caktoi një shumë të madhe për atë që do ta kapte të gjallë ose të vdekur. Abdyli u shpëtoi ndjekjeve qeveritare gjatë udhëtimit të fshehtë në rrethet e Dibrës, të Matit, të Krujës e të Tiranës, por në kohën kur po kapërcente Shkumbinin, në vahun e fshatit Buqës, afër Elbasanit, u kap nga një patrullë turke dhe u dërgua në Prizren. Këtu u dënua nga një gjyq special me vdekje, dënim i cili u kthye në burgim të përjetshëm. Abdyli u mbajt tre vjet i burgosur në kalanë e Prizrenit, pastaj u internua së bashku me familjen në zonën e Marmarasë. Duke qenë i sëmurë rëndë nga vuajtjet në burg dhe në internim, Abdyl Frashëri u lejua më 1886 të kthehej në Stamboll, ku jetoi i izoluar nën vëzhgimin e policisë derisa vdiq më 1892. U arrestuan gjithashtu udhëheqës të tjerë të Lidhjes, si Shuaip Spahiu, Zija Prishtina, Omer efendi Narta, Jusuf Dohoshishti etj., që u dënuan me burgime e internime të rënda.

    Të njëjtin qëndrim Porta e Lartë mbajti edhe në vilajetin e Janinës. Edhe këtu, pasi u dënuan veprimet e lëvizjes atdhetare, valiu i vilajetit, Mustafa Asim pasha, në fillim të muajit thirri në një mbledhje të posaçme në Prevezë të gjithë anëtarët e degëve të Lidhjes Shqiptare të krahinave të Jugut (49 veta) për të dënuar idenë e autonomisë së Shqipërisë. Ashtu si në Prizren, edhe në Prevezë, krerët që nuk pranuan të hiqnin dorë nga kërkesa për formimin e një vilajeti të vetëm shqiptar, si Mustafa Nuri Vlora, Omer pashë Vrioni, Mehmet Ali Vrioni, Dalip bej Përmeti, Seit bej Gjirokastra, Sulejman bej Dino, Qazim bej Preveza etj., u arrestuan pabesisht dhe u internuan në Çanak-Kala.

    Pas valës së burgimeve dhe të internimeve, Dervish Pasha iu përvesh detyrës së tretë me të cilën e kishte ngarkuar Porta e Lartë, funksionimit të rregullt të administratës shtetërore osmane dhe në mënyrë të veçantë çarmatimit të popullsisë, vjeljes së taksave, rekrutimit të nizamëve dhe ngritjes së gjykatave perandorake në të gjitha trojet shqiptare. Për plotësimin e kësaj detyre ai qëndroi në Shqipëri bashkë me forcat e tij deri në fund të vitit 1881.
    Por, me gjithë terrorin e egër, Porta e Lartë nuk arriti ta nënshtronte plotësisht vendin. Ajo nuk mundi ta shuante idenë që kishte pushtuar masat popullore për autonominë e Shqipërisë, as aspiratën e tyre për zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare. Administrata centraliste osmane u vendos vetëm në qytete e në fshatrat fushore. Fshatrat e viseve malore nuk pranuan as të dorëzonin armët, as të jepnin taksa, as të shkonin nizamë. Çështja e taksave, e nizamëve dhe e armëve mbetën një plagë e hapur për Portën e Lartë. Në kuadrin e lëvizjes autonomiste shqiptare ato u bënë shkak për shpërthimin e konflikteve të reja ndërmjet popullit shqiptar dhe pushtuesve osmanë.



    Rëndësia historike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit




    Lëvizja kombëtare, të cilën e udhëhoqi Lidhja Shqiptare e Prizrenit, lindi nga vrulli atdhetar i shtresave më të ndryshme të popullsisë së Shqipërisë dhe u zhvillua në truallin historik të përgatitur gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm nga lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ajo shënoi një hap të madh cilësor nga pikëpamja e platformës ideologjike, e kërkesave politike dhe e frontit luftarak, në krahasim me lëvizjen çlirimtare të dhjetëvjeçarëve të kaluar. Lidhja e Prizrenit ishte e para lëvizje çlirimtare me karakter kombëtar, në të cilën morën pjesë të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe në të cilën u kombinuan të gjitha format e luftës çlirimtare, që nga kuvendet popullore deri te parashtresat politike, që nga misionet diplomatike deri te kryengritjet e armatosura. Ajo ishte e para lëvizje masive, e cila synoi të përmbushte programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në kushtet e Krizës Lindore të viteve 70 të shek. XIX - njohjen e kombit shqiptar si një bashkësi të pandarë, mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe formimin e një shteti shqiptar autonom e demokratik.

    Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënonte, si organizatë, një hap të madh cilësor nga pikëpamja e funksioneve politike, e shtrirjes territoriale dhe e mjeteve të luftës në krahasim me besëlidhjet e mëparshme. Ajo ishte e para organizatë kombëtare që krijoi degë të saj në të gjitha krahinat shqiptare dhe e para organizatë atdhetare që përdori për interesat e lartë të atdheut krahas pushkës edhe penën. Për më tepër, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e para organizatë, e cila jo vetëm u vesh qysh në fillim me funksione pushtetore, por arriti në fund të fitonte atributet e një qeverie të përkohshme shqiptare, pothuajse krejtësisht të pavarur nga autoriteti i Perandorisë Osmane.

    Lidhja Shqiptare e Prizrenit për herë të parë sfidoi prepotencën e Fuqive të Mëdha, agresivitetin e monarkive fqinje dhe arrogancën e Portës së Lartë. Nën udhëheqjen e atdhetarëve më të përparuar ajo mundi t’i nënshtronte armiqtë e brendshëm, t’i izolonte bashkudhëtarët e përkohshëm dhe të merrte karakterin e një fronti të gjerë, duke e udhëhequr Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në mënyrë të shkallëzuar, por gjithnjë në ngritje, derisa arriti në veprën e saj më kulmore, në formimin e qeverisë së përkohshme shqiptare.

    Lidhja e Prizrenit u shtyp pasi erdhi deri në pragun e sendërtimit të programit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Materialisht ajo u shtyp nga dhuna ushtarake dhe nga terrori policor i Perandorisë Osmane. Në të vërtetë ajo u mbyt edhe nga konspiracioni ndërkombëtar që organizuan kundër saj Fuqitë e Mëdha. Por edhe pse u shtyp, ajo pati një varg arritjesh me rëndësi të madhe historike.
    Gjatë viteve 1878-1881 u bënë hapa më të mëdhenj sesa gjatë dhjetëvjeçarëve të kaluar në procesin e bashkimit të shqiptarëve, pavarësisht nga dallimet fetare, përkatësia shoqërore, shpërndarja krahinore dhe pikëpamjet politike, në një bashkësi të vetme kombëtare, e cila, për më tepër, u sanksionua edhe në llogoret e luftës së udhëhequr prej saj për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin kombëtar shqiptar.
    Me qëndresën e armatosur që zhvilloi për mbrojtjen e Plavës, të Gucisë, të Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Ulqinit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit tregoi se trojet shqiptare nuk mund të trajtoheshin si plaçkë tregu për të kënaqur interesat e Fuqive të Mëdha ose lakmitë pushtuese të monarkive fqinje. Madje, në saje të kësaj qëndrese ajo i detyroi Fuqitë e Mëdha jo vetëm të rishikonin tri herë me radhë vendimet e tyre në lidhje me përfitimet e Malit të Zi në dëm të trojeve shqiptare, por edhe të hiqnin dorë përfundimisht nga lëshimi i Çamërisë shqiptare në dobi të Mbretërisë Greke.

    Me karakterin kombëtar që përshkoi veprimtarinë e saj trevjeçare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit e përmbysi tezën që mbronin Fuqitë e Mëdha dhe shtetet fqinje ballkanike, sipas së cilës mohohej ekzistenca e kombit shqiptar; ajo vërtetoi në shkallë ndërkombëtare se populli shqiptar ishte një komb i formuar, liridashës, atdhetar, me aspiratat e veta dhe i vendosur për të krijuar shtetin e vet kombëtar. Edhe pse shqiptarët nuk i fituan gjatë Krizës Lindore të drejtat e tyre kombëtare, në saje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit çështja shqiptare hyri tanimë në veprimtarinë diplomatike ndërkombëtare si një nga problemet e mprehta që kërkonte zgjidhje në çdo rregullim të ardhshëm të Evropës Juglindore.
    Me veprimtarinë pushtetore, që zhvilloi sidomos gjatë muajve të fundit të jetës së saj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit hodhi gjithashtu poshtë tezën tjetër të propaganduar aq shumë nga armiqtë e Shqipërisë mbi paaftësinë e shqiptarëve për vetëqeverisje dhe provoi në truallin konkret se ata tashmë ishin të përgatitur politikisht për të pasur shtetin e tyre kombëtar.

    Lidhja Shqiptare e Prizrenit i dha një shtytje të paparë deri atëherë edhe lëvizjes kulturore shqiptare; përparimet e arritura brenda tre vjetëve të jetës së saj në fushën e mendimit shoqëror, të letërsisë publicistike dhe të krijimtarisë letrare ishin më të mëdha, sesa hapat e kryer gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm.
    Lidhja e Prizrenit krijoi më në fund një pikë të shëndoshë referimi si me programin e saj politik, ashtu edhe me formën e saj organizative për lëvizjet e mëvonshme çlirimtare të shqiptarëve deri në fitoren e pavarësisë kombëtare, në nëntor të vitit 1912.

    Nga ana tjetër, Lidhja e Prizrenit u dha shqiptarëve edhe një varg mësimesh të rëndësishme. Sukseset e saj treguan se autonomia e Shqipërisë ishte një synim i realizueshëm, por shtypja e saj tregoi se fitorja përfundimtare e autonomisë kalonte nëpër rrugë të vështira dhe se duheshin përpjekje të tjera vigane për arritjen e saj. Historia e Lidhjes tregoi se pengesa kryesore për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar nuk vinte vetëm nga Perandoria Osmane, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Shqiptarët u bindën se luftën çlirimtare duhej ta zhvillonin duke u mbështetur në radhë të parë në forcat e tyre njerëzore e materiale dhe se duhej të punonin njëkohësisht për të siguruar përkrahjen e Fuqive të Mëdha, sidomos të atyre që kishin filluar të anonin nga zgjidhja e drejtë e çështjes kombëtare shqiptare. Lidhja provoi gjithashtu se brenda vendit Lëvizja Kombëtare Shqiptare mbështetjen politike, morale, materiale e luftarake duhej ta kërkonte te shtresat e gjera të popullit dhe te bashkimi i të gjitha forcave shoqërore e politike të kombit shqiptar, pa dallim feje, krahine e përkatësie shoqërore. Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit tregoi, më në fund, rëndësinë e madhe që kishte për betejat e ardhshme çlirimtare edukimi i popullit shqiptar me ndërgjegjen kombëtare nëpërmjet shkollës shqipe, të letërsisë shqiptare dhe të publicistikës patriotike.

  12. #52
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    K R E U VI

    ZHVILLIMI I LËVIZJES KOMBËTARE NË SHQIPËRI
    NË VITET 1882 - 1895






    1. KUSHTET E REJA POLITIKE PAS SHTYPJES
    SË LIDHJES SË PRIZRENIT





    Gjendja politike pas Lidhjes së Prizrenit



    Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u krijua një gjendje e rëndë politike për lëvizjen kombëtare dhe për mbarë popullin shqiptar. Forcat e shumta ushtarake osmane të komanduara nga Dervish Pasha, pasi shpërndanë qeverinë e përkohshme shqiptare, rivendosën administratën osmane në zonat ku kishte vepruar kjo qeveri dhe u përpoqën të forconin kudo autoritetin e Portës së Lartë.
    Qeveria e Stambollit ishte tronditur thellë nga vrulli dhe nga arritjet e Lidhjes së Prizrenit. Prandaj vendosi në Shqipëri një regjim terrori politik, që ishte i lidhur me emrin e sulltan Abdyl Hamitit II ose të “sulltanit gjakatar”, siç e quanin rilindësit. Në Shqipëri, veçanërisht në Kosovë, vepruan për një kohë të gjatë shtetrrethimi dhe gjykatat ushtarake. Qindra e mijëra atdhetarë shqiptarë u ndoqën, u burgosën dhe u internuan. Qëllimi i këtyre masave të ashpra ishte që të pengohej zhvillimi i mëtejshëm i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

    Porta e Lartë u dha kompetenca të veçanta organeve të xhandarmërisë e të policisë, për të cilat u përdor pjesa më e madhe e buxheteve lokale të sanxhakëve dhe të vilajeteve shqiptare. Sipas buxhetit të vitit 1889, për xhandarmërinë dhe për policinë u caktuan në sanxhakun e Elbasanit 63% të shpenzimeve lokale, në atë të Korçës 64% dhe në atë të Dibrës 70%, pa përfshirë këtu garnizonet ushtarake, të cilat mbaheshin nga buxheti perandorak. Në fund të kësaj periudhe (më 1898), nga 982 857 groshë shpenzime të vilajetit të Kosovës, për xhandarmërinë u përdorën 977 116 groshë.

    Krahas dhunës politike, administrata sunduese osmane rëndoi edhe shtypjen ekonomike, duke shtuar taksat e detyrimet e mëparshme dhe duke vendosur të reja; ajo mori masa të rrepta për nxjerrjen e tyre, duke përfshirë edhe ato të prapambeturat nga vitet e Lidhjes. Si rrjedhim, u keqësua më shumë gjendja ekonomike e popullsisë së fshatit dhe e qytetit. Megjithëse vendi ishte i varfër e i prapambetur, miliona groshë të nxjerrë nga popullsia shqiptare vazhdonin të merrnin rrugën e Stambollit. Ndër të tjera paguhej edhe për rrugët e për shkollat, por rrugë e shkolla nuk ndërtoheshin. Në sanxhakun e Korçës, ku grabitja fiskale osmane ishte më e theksuar, buxheti i vitit 1889 parashikonte të vilte nga taksat një shumë prej 9 671 mijë groshë, nga e cila, për të përballuar shpenzimet administrative të vendit, do të përdoreshin vetëm 1 795 mijë groshë, kurse pjesa tjetër, rreth 81% e të ardhurave, do të dërgoheshin në Stamboll.

    Gjendjen ekonomike të popullsisë e keqësonin edhe më shumë korrupsioni e abuzimet e nëpunësve osmanë. Lidhur me këtë, konsulli austriak Shmuker shkruante në gjysmën e dytë të vitit 1881, se “korrupsioni dhe keqadministrimi i mëparshëm i nëpunësve qeveritarë ka filluar përsëri..., lakmia e ditur e tij (e Dervish Pashës - shën. i aut.) për të holla shfaqet gjithmonë e më qartë në të gjitha veprimet e tij”.

    Po kështu plagë të rënda për popullsinë ishin shërbimi i detyruar ushtarak, i cili kryhej për vite me radhë dhe në vise të largëta të Perandorisë, si edhe gjykatat osmane, të cilat i zgjatnin së tepërmi proceset gjyqësore dhe nuk zgjidhin asnjë çështje pa ryshfet. Krahas dhunës së drejtpërdrejtë, Porta e Lartë përdori edhe mjete të tjera kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Gjatë ekspeditave ushtarake për shtypjen e Lidhjes dhe më vonë, duke shpërndarë para, grada e dekorata, ajo arriti të tërhiqte në anën e saj disa krerë feudalë e bajraktarë të lëkundur e konservatorë. Porta e Lartë vuri në poste të rëndësishme edhe disa krerë shqiptarë që kishin marrë pjesë në Lidhjen e Prizrenit, që kishin pranuar të bashkëpunonin me të dhe që kishin ndikim në popull. Përveç kësaj, ajo nxiste përçarjet fetare e krahinore për të penguar bashkimin e shqiptarëve në luftën çlirimtare. Çdo pakënaqësi kundër pushtetit osman paraqitej si e nxitur nga jashtë, nga armiqtë e fesë islame e të Perandorisë Osmane, kurse atdhetarët shqiptarë etiketoheshin si agjentë të shteteve të huaja.

    Si pasojë e të gjitha këtyre masave, Lëvizja Kombëtare Shqiptare mori një goditje të rëndë. Megjithatë qeveria e Stambollit, për shkak të qëndresës së vazhdueshme të shqiptarëve, nuk arriti të vendoste “rendin” e “qetësinë” e dëshiruar. Masat e saj shtypëse, administrative, fiskale e ushtarake, ndonëse të mbështetura nga bajonetat e ushtrisë, arritën të zbatoheshin vetëm në qytetet e në viset fushore, madje edhe atje në mënyrë jo të plotë, kurse përpjekjet për të shtrirë administratën e centralizuar osmane edhe në viset malore nuk dhanë rezultat; atje vijuan të ruheshin venomet e mëparshme.

    Duke vlerësuar në mënyrë të saktë pozitën e qeverisë osmane në Shqipëri pas Lidhjes së Prizrenit, konsulli austriak i Korfuzit A. Varsberg (A. Warsberg), i shkruante Vjenës në vitin 1884: “Pasi e pashë gjendjen, ngul këmbë se do të ishte gabim të mos shihej sundimi i tanishëm turk (në Shqipëri) si një sundim krejt i kalbur, i dobët, i urryer dhe i përbuzur prej të gjithëve”.

  13. #53
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    Politika e Fuqive të Mëdha dhe e shteteve ballkanike ndaj Shqipërisë



    Përveç shtypjes së gjithanshme osmane, vështirësi jo të pakta iu krijuan Lëvizjes Kombëtare Shqiptare edhe nga politika që ndoqën Fuqitë e Mëdha pas Kongresit të Berlinit, si edhe nga qëndrimi që mbajtën shtetet fqinje ballkanike ndaj çështjes shqiptare.

    Pas zgjidhjes së Krizës Lindore të viteve 70, në Evropë u vendos një farë stabiliteti politik i përkohshëm. Për shkak të interesave të tyre, Fuqitë e Mëdha ishin të prirura të ruanin për një farë kohe status quo-në e Perandorisë Osmane dhe hartën politike të Ballkanit, që u vendos prej tyre në Kongresin e Berlinit.
    Dy nga Shtetet e Mëdha, Anglia e Franca, e përkrahën, ashtu si më parë, ekzistencën e Perandorisë Osmane në Ballkan për të ruajtur pozitat e tyre të privilegjuara, që i kishin siguruar prej kohësh brenda territoreve të saj dhe për të penguar daljen e Rusisë në ngushticat e Bosforit e të Dardaneleve, si edhe të Austro-Hungarisë në Selanik. Rusia e Austro-Hungaria, nga ana e tyre, nuk e shikonin të mundshëm realizimin e synimeve të tyre për të mbizotëruar në këtë rajon pa u përgatitur politikisht e ushtarakisht jo vetëm kundër njëra-tjetrës, por edhe kundër fuqive të tjera të interesuara në Çështjen Lindore.

    Prandaj, si Peterburgu, ashtu edhe Vjena, në pritje të një kohe më të përshtatshme, nuk kishin ndër mend të cenonin hartën e Gadishullit Ballkanik. Edhe Italia, duke qenë e pazonja për të shmangur kalimin e Ballkanit dhe në mënyrë të veçantë të bregdetit shqiptar të Adriatikut në duart e Austro-Hungarisë rivale, parapëlqente të ruhej sundimi osman në këtë zonë. Në këtë periudhë Gjermania po rritej me shpejtësi si një fuqi e madhe dhe po ushtronte presion të fuqishëm. Kancelari gjerman Bismarku kërkonte të pengonte një koalicion antigjerman ndërmjet Francës e Rusisë së pakënaqur nga vendimet e Kongresit të Berlinit, prandaj përpiqej të mbante në anën e vet, krahas Austro-Hungarisë, edhe dy rivalet e Vjenës, Peterburgun e Romën. Meqenëse fusha ku ndesheshin interesat e kundërt austro-rusë dhe austro-italianë ishte kryesisht trashëgimi osman në Ballkan, “zbutja” e këtyre kontradiktave shihej vetëm nëpërmjet ruajtjes së status quo-së në këtë zonë. Ky qëndrim u sanksionua edhe në përtëritjen e “Aleancës së tre perandorëve” më 18 qershor 1881 ndërmjet sovranëve të Gjermanisë, të Rusisë e të Austro-Hungarisë.

    Por stabiliteti politik që u vendos në Evropë ishte i përkohshëm. Secila fuqi e madhe përpiqej ta shfrytëzonte këtë periudhë “qetësie” për t’u përgatitur politikisht e ushtarakisht për arritjen e synimeve të veta në rastin e një krize të re politike. Në fushën diplomatike fuqitë evropiane po vepronin me ngulm për krijimin e aleancave e të blloqeve politiko-ushtarake. Më 20 maj 1882, ndërmjet Gjermanisë, Austro-Hungarisë e Italisë u nënshkrua aleanca e njohur në histori me emrin Lidhja Tripalëshe; më 1894 Rusia u afrua me Francën dhe lidhi me të Aleancën Dypalëshe. Këto shënuan ndarjen e botës në dy blloqe imperialiste.
    Kështu, për shkak të raportit të forcave në arenën ndërkombëtare dhe të kontradiktave që kishin midis tyre, Fuqitë e Mëdha përkrahnin ekzistencën e Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik e si rrjedhim edhe sundimin mesjetar osman në Ballkan e në Shqipëri; në këtë mënyrë frenonin luftërat çlirimtare të popujve që ende vuanin nën robërinë osmane. Në këto rrethana, asnjë nga Fuqitë e Mëdha në atë kohë nuk kishte interes të përkrahte idenë e krijimit të një shteti shqiptar autonom ose të pavarur. Ato jo vetëm nuk e shikonin me sy të mirë lëvizjen çlirimtare shqiptare, por ishin të gatshme ta ndihmonin Perandorinë Osmane që të shtypte çdo kryengritje të brendshme të armatosur.

    Një dëm të madh i shkaktoi luftës së popullit shqiptar për çlirim kombëtar edhe qëndrimi i shteteve fqinje ballkanike, të cilat, siç shkruante gazeta “Shqipëtari” e Bukureshtit e vitit 1888, “nuk u kënaqën me plagët që i bënë (Shqipërisë - shën. i aut.) gati për vdekje (gjatë Krizës së fundit Lindore të vitit 1878), po bëheshin gati ta gllabëronin fare për të forcuar trupin e tyre”.
    Shtetet fqinje ballkanike u detyruan ta pranonin politikën e status quo-së që diktuan Fuqitë e Mëdha. Por, duke parashikuar se periudha e stabilitetit mund të merrte fund në një të ardhme të afërt, ato shtuan përpjekjet politiko-ushtarake e propagandistike për të shtënë në dorë zotërimet osmane në Ballkan. Pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, për shtetet fqinje (Serbinë, Greqinë, Malin e Zi e Bullgarinë) ishte bërë edhe më e qartë se në përpjekjet për sendërtimin e pretendimeve të tyre territoriale ndaj trojeve shqiptare, ato do të ndesheshin me qëndresën e shqiptarëve që ishin të vendosur të mbronin tërësinë e atdheut. Prandaj, secila prej tyre u orvat t’i tërhiqte shqiptarët pas vetes dhe forcën e tyre luftarake ta vinte në shërbim të politikës së saj pushtuese.
    Këtij qëllimi i shërbenin nxitjet që monarkitë ballkanike u bënë shqiptarëve gjatë gjithë kësaj periudhe për t’i hedhur në kryengritje të parakohshme, që do t’i lidhnin duart Perandorisë Osmane, do të dobësonin forcën ushtarake të shqiptarëve dhe do të lehtësonin plotësimin e planeve të tyre aneksioniste ndaj Shqipërisë.

    Nga ana tjetër, fuqitë ballkanike vijonin në mënyrë të ethshme përpjekjet për asimilimin e shqiptarëve me anën e kishës, të shkollës, të propagandës etj. dhe mundoheshin me çdo mjet që në arenën ndërkombëtare të mohonin qenien e kombit shqiptar. Kjo veprimtari i krijoi vështirësi të shumta Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, nxiti grindjen e përçarjen midis popujve të Ballkanit, ndezi konflikte midis vetë shteteve ballkanike, prapa të cilave qëndronin disa fuqi të mëdha, e pengoi dhe e ndërlikoi procesin e çlirimit përfundimtar të Gadishullit Ballkanik. Këtë politikë të monarkive ballkanike e shfrytëzoi edhe Porta e Lartë për të nxitur përçarjen midis popujve të Ballkanit, për të larguar vëmendjen e popullit shqiptar nga kontradikta e tij me sunduesin shekullor osman dhe për ta drejtuar atë vetëm kundër rrezikut të jashtëm. Por as politika përçarëse e Portës së Lartë, as edhe qëndrimi shovinist i shteteve ballkanike nuk i larguan shqiptarët nga lëvizja për çlirimin kombëtar dhe nga kërkesat e tyre të pavarura.
    Pas qeverisë osmane ishte Greqia ajo që zhvilloi në këto vite një veprimtari të madhe armiqësore ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kjo veprimtari u zhvillua në dy rrugë të ndryshme, të cilat plotësonin njëra-tjetrën. Qeveria e Athinës, e përkrahur fuqimisht nga patrikana dhe nga gjithë rrjeti i dendur i shkollave, i kishave që vareshin nga patrikana dhe i konsullatave greke të vendosura në viset jugore e të mesme të Shqipërisë, si edhe nga grekomanët vendas, e shumëfishoi veprimtarinë e saj për helenizimin e shqiptarëve.

    Në Shqipërinë e Jugut ishin çelur mjaft shkolla greke. Për helenizimin e shqiptarëve punonte gjithashtu Patrikana greke e Stambollit, që mbronte me ngulm interesat e borgjezisë shoviniste greke, si edhe klerikët e lartë ortodoksë, që emëroheshin prej saj e që ishin kryesisht të huaj (grekë). Veprimtaria e klerikëve grekë e grekomanë përqendrohej kryesisht në luftën kundër shkollave shqipe. Përdorimi i shqipes në ceremonitë fetare dhe në librat “e shenjta” paraqitej si një veprim antifetar. Mallkimi, shkishërimi, helmimi etj. binin mbi çdo shqiptar ortodoks që guxonte të punonte për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
    Krahas kësaj veprimtarie që zhvillohej lirisht dhe nën mbrojtjen e ligjeve osmane, veprimtarët grekë e grekomanë, klerikë e laikë, zhvilluan në mënyrë të fshehtë edhe një veprimtari politike në të mirë të Greqisë e gjoja edhe të të krishterëve shqiptarë. Madje ata u përpoqën të shfrytëzonin për këtë qëllim edhe prirjet antifeudale të popullsisë vendase. Duke u kapur pas faktit se në lëvizjen kombëtare ishin përfshirë edhe disa çifligarë dhe për t’i larguar atdhetarët shqiptarë nga kjo lëvizje, grekomanët në fushatën e tyre propagandistike u përpoqën ta paraqitnin në mënyrë krejt të shtrembër përmbajtjen kombëtare të lëvizjes shqiptare, duke e quajtur atë një lëvizje të maskuar të feudalëve myslimanë shqiptarë, me fitoren e së cilës Shqipëria do të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të krishterët ortodoksë do të humbnin mbrojtjen e Patrikanës e do të hynin në një zgjedhë të re më të rëndë.

    Nga ana tjetër, qeveritarët e Athinës nuk mund t’i varnin shpresat për arritjen e synimeve të tyre politike ndaj Shqipërisë vetëm në një grusht elementësh grekomanë vendas, aq më tepër kur në radhët e shqiptarëve po rritej gjithnjë e më shumë lëvizja kombëtare për një shtet shqiptar më vete. Për të shfrytëzuar këtë lëvizje, ata themeluan një varg komitetesh e shoqatash, duke aktivizuar kryesisht arvanitët (arbëreshët) e helenizuar. Të tilla ishin Komiteti politik i Korfuzit, i themeluar më 1883, shoqata kulturore “Vllamët shqiptarë”, e themeluar në Athinë më 1884, Komiteti i fshehtë greko-epiriot i Korfuzit, rikrijuar në fillim të vitit 1885 etj. Agjentët e këtyre komiteteve e shoqërive vepronin deri në Mirditë, në Mat e në Dibër. Këtij qëllimi i shërbenin edhe një varg organesh të shtypit, të cilat, krahas atyre brenda Greqisë, dilnin edhe në Stamboll, në Bukuresht, në Trieste etj.

    Gjatë viteve 1883-1884 Komiteti i Korfuzit u përpoq t’i nxiste shqiptarët të rrëmbenin armët kundër Turqisë, duke hedhur përsëri parullën e vjetër për formimin e një shteti të përbashkët greko-shqiptar, nën kurorën e mbretit të Greqisë. Për ta popullarizuar këtë ide u dërguan agjitatorë si në Shqipëri, ashtu edhe në kolonitë shqiptare të mërgimit.
    Por këto orvatje nuk patën sukses. Rilindësit demaskuan karakterin antishqiptar të idesë së formimit të një shteti të përbashkët greko-shqiptar, që synonte t’i hidhte shqiptarët në një aventurë kundër Portës së Lartë, për të shtënë në dorë pastaj me lehtësi territoret e tyre. Duke iu përgjigjur disa personaliteteve evropiane, që nuk e kuptonin synimin e vërtetë të propagandës së Athinës, “Fiamuri i Arbërit” (Corigliano Calabro, 1883-1885) shkruante në shkurt 1886: “Disa zotërinj të shquar na qortojnë përse ne e shkëputim fatin e Shqipërisë nga ai i Greqisë, duke shkaktuar kështu dobësimin e të dy vendeve. Ata nuk e kuptojnë se sot ekzistenca jonë e veçuar bën që ne të vazhdojmë të ekzistojmë dhe bashkimi do t’i jepte fund ekzistencës sonë”.

    Duke filluar nga viti 1884 qeveria e Athinës, tanimë jo me anë të Komitetit të Korfuzit, por drejtpërdrejt, disa herë me radhë u bëri thirrje shqiptarëve të fillonin kryengritjen kundër Perandorisë Osmane dhe të merrnin pjesë në të ashtuquajturën Federatë të Shteteve Ballkanike, që përpiqej të formonte kryeministri grek Trikupis. Qarqet drejtuese të Athinës e shikonin Federatën si një mjet për të ndarë ndërmjet shteteve ballkanike zotërimet evropiane të Perandorisë Osmane pa e prishur ekuilibrin e forcave në Ballkan. Por kryeministri grek nuk mori asnjë zotim konkret ndaj shqiptarëve.

    Rrethet atdhetare shqiptare iu përgjigjën propozimit të Trikupisit me argumentin se Shqipëria nuk mund të fillonte asnjë kryengritje kur askush, madje as vetë kryeministri grek, nuk tregohej përkrahës i shtetit shqiptar. Në atë kohë rilindësit mendonin se shqiptarët mund ta shqyrtonin çështjen e pjesëmarrjes në një federatë ballkanike vetëm pasi të viheshin në kushte të barabarta me popujt e tjerë të Ballkanit dhe pasi të kishin dhe ata shtetin e tyre kombëtar. Duke iu përgjigjur propozimit të Trikupisit, “Fiamuri i Arbërit” shkruante në mars të vitit 1884: “Greqia, Rumania, Serbia, Bullgaria dhe Mali i Zi, të cilat janë zonjat e vetvetes dhe i kanë duart të lira, le të federohen. Edhe Anglia - ose kush të dojë, le t’i përkrahë nëse Turqia ose ndonjë tjetër ato i kundërshton. Dhe atëherë (pasi të formohet federata) Shqipëria do të vendosë vetë pasi të shohë diçka përpara syve të saj. Përndryshe do të kërkojmë të zbulojmë gjarprin e zi që e këshillon (Shqipërinë - shën. i aut.) të ngrejë krye për diçka që nuk ekziston dhe që ta fillojë ajo, e përçarë, pa të holla, pa armë, pa taktikë ushtarake dhe me krahë të pakët, luftën kundër Turqisë që i ka të gjitha këto me shumicë dhe më shumë aleatë që e ndihmojnë”.

    Shqiptarët u nxitën për të rrëmbyer armët kundër Stambollit edhe nga Mali i Zi, i cili gjatë këtyre viteve bashkëpunonte për këtë çështje me Greqinë. Ata ishin në dijeni të këtij bashkëpunimi dhe të rolit të dyfishtë që luante Komiteti i Korfuzit për t’i shërbyer jo vetëm Athinës, por edhe Cetinës.

    Te këto përpjekje, që zhvilloheshin pa kundërshtimin e qeverisë së Stambollit, rilindësit shikonin një rrezik serioz për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Në saje të veprimtarisë shekullore të Fanarit në dobi të helenizimit të popullsive të krishtera jogreke të Perandorisë Osmane, në një pjesë të opinionit publik evropian dhe të literaturës politike e shkencore të kohës ishte përhapur pikëpamja e gabuar se ortodoksët shqiptarë ishin grekë. Veç kësaj, pretendimet shoviniste të qarqeve politike të Athinës ndaj trojeve shqiptare vazhdonin të gjenin përkrahje në disa nga kancelaritë e Fuqive të Mëdha.

    Për të gjitha këto arsye patriotët shqiptarë shikonin në këto vite te Greqia dhe te aleatja e saj, Patrikana e Stambollit, armiq po aq të rrezikshëm për lëvizjen kombëtare, sa ishte edhe vetë Perandoria Osmane.

  14. #54
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    Vija politike e rilindësve



    Kushtet e reja të vështira të krijuara në Shqipëri pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, rreziku i copëtimit të tokave shqiptare ndërmjet fqinjëve lakmitarë dhe politika e ruajtjes së status quo-së e ndjekur nga Fuqitë e Mëdha në këtë periudhë diktuan nevojën e përpunimit të një taktike të re të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

    Ndonëse tani pa një organizatë qendrore kombëtare, rilindësit, në saje të lidhjeve që kishin ndërmjet tyre, mbajtën pak a shumë të njëjtin qëndrim për problemet politike të lëvizjes. Pikëpamjet e tyre të përbashkëta shërbyen si program në këtë periudhë zbatice të lëvizjes së armatosur.

    Rilindësit e kuptuan se tani kishte marrë fund përkohësisht periudha e sulmit të drejtpërdrejtë kundër sundimtarëve osmanë dhe kishte filluar një periudhë e re e grumbullimit të forcave. Ata me të drejtë e vlerësuan situatën e re si të papërshtatshme për një kryengritje të përgjithshme të armatosur, së cilës do t’i kundërviheshin jo vetëm forcat ushtarake osmane, por edhe ato të Fuqive të Mëdha që nuk donin të cenohej status quo-ja në Turqinë Evropiane.

    Si rrjedhim, rilindësit nuk shikonin ende kushtet e mundësitë për të arritur në ato vite shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Por ata këtë gjendje e shihnin si të përkohshme, aq më tepër kur mendonin, sikurse shkruante Sami Frashëri, se Perandoria Osmane nuk do të jetonte gjatë në Ballkan.
    Në këtë periudhë stabiliteti politik të përkohshëm, rilindësit u kufizuan me disa kërkesa të karakterit kulturor-arsimor dhe administrativ që nuk preknin status quo-në e Perandorisë Osmane. Ata kërkuan nga Porta e Lartë zbatimin e reformave të parashikuara në artikullin 23 të Traktatit të Berlinit që vetë Turqia e kishte pranuar nën trysninë e Fuqive të Mëdha. U kërkua gjithashtu që të ktheheshin nga viset e ndryshme të Perandorisë shqiptarët e internuar gjatë shtypjes së Lidhjes së Prizrenit.

    Por theksi kryesor gjatë kësaj periudhe u vu në zgjerimin e lëvizjes kulturore kombëtare për përhapjen e shkrimit shqip, të shkollës e të letërsisë kombëtare, me qëllim që të ngrihej më tej ndërgjegjja politike e popullit, të njihej kombësia shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe të mbrohej nga orvatjet shkombëtarizuese të armiqve. Për këtë arsye lufta për shkollën e për letërsinë shqiptare mbeti edhe në këtë periudhë stabiliteti, ashtu siç kishte qenë para Lidhjes së Prizrenit, përmbajtja kryesore e lëvizjes kombëtare. Gjuha e kultura kombëtare u bënë hallka të rëndësishme, me anën e të cilave rilindësit punuan për të bashkuar gjithë popullin shqiptar pavarësisht nga dallimet fetare, krahinore e klasore.

    Lëvizja kombëtare brenda vendit u zhvillua në kushtet e një ilegaliteti të plotë. Për këtë arsye një rëndësi të madhe morën kolonitë shqiptare të mërgimit, sidomos ato të Rumanisë, të Bullgarisë, të Egjiptit etj. Në to, pikërisht në këtë periudhë, filloi jetën e vet shtypi shqiptar, ku rilindësit patën mundësinë të shprehnin hapur pikëpamjet e tyre. Më 20 korrik 1883 në Kalabri doli numri i parë i organit mujor “Fiamuri i Arbërit” në dy gjuhë, në të folmen e arbëreshëve të Kalabrisë dhe në italisht, nën drejtimin e Jeronim de Radës. Ai vazhdoi botimin deri në vitin 1887 dhe dha një ndihmesë të shquar për njohjen dhe për afirmimin e të drejtave të popullit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
    Në vitin 1884 filloi të botohej në Stamboll revista mujore me emrin “Drita” e më vonë “Dituria” (1884-1885) dhe më 1888 botohet në Bukuresht gazeta “Shqipëtari” (1887-1903).

    Si në letërkëmbimin që patën rilindësit ndërmjet tyre brenda e jashtë Shqipërisë, ashtu edhe në organet e para të shtypit shqiptar, atdhetarët theksonin veçanërisht nevojën e përhapjes së arsimit e të kulturës shqiptare, si mjete që do të futnin kombin shqiptar në rrugën e zhvillimit e të përparimit, që do ta mbronin nga rreziku i shkombëtarizimit dhe do ta radhitnin atë krahas kombeve të tjera të përparuara të Ballkanit e të Evropës.

    Patriotët i kushtuan rëndësi gjithashtu njohjes së kombit shqiptar në qarqet politike e diplomatike evropiane dhe mbrojtjes së të drejtave të tij legjitime.
    Pasi doli nga burgu i Prizrenit dhe nga internimi i Anadollit, Abdyl Frashëri u drejtoi disa letra e memorandume personaliteteve të Fuqive të Mëdha. Tri prej tyre ia dërgoi Françesko Krispit, me origjinë nga arbëreshët e Italisë dhe në atë kohë kryeministër i Italisë. Letrën e parë ia çoi në nëntor 1887 dhe të dytën në shtator 1888, por këtë e nënshkroi së bashku me Mehmet Ali Vrionin. Me anën e saj ata i parashtronin F. Krispit “dëshirat dhe ndjenjat e shqiptarëve”, theksonin se Shqipëria ndodhej “para jetës ose vdekjes së saj, para ringjalljes ose copëtimit të saj”. Pasi përmendnin qëndresën energjike e të vazhdueshme të kombit shqiptar kundër pushtuesve osmanë, shkruanin: “Si rrjedhim, Shqipëria meriton pavarësinë më shumë se çdo komb tjetër i Ballkanit. Ne shpresojmë se ajo do të tregohet më e denja për përkrahjen e Evropës dhe më e afta për të qeverisur vetveten”. Pavarësisht nga taktika e re që u detyruan të ndiqnin rilindësit në atë periudhë, letra e përmendur tregonte qartë se, edhe në ato vite reaksioni të egër, synimi kryesor i shqiptarëve dhe i lëvizjes së tyre kombëtare mbetej i njëjtë: fitorja e pavarësisë kombëtare të Shqipërisë dhe ruajtja e tërësisë së saj territoriale.

    Në letrën e tretë drejtuar Françesko Krispit, Abdyl Frashëri i shprehte edhe një herë mendimin e tij të njohur se “Çështja e Lindjes nuk do të mund të zgjidhet kurrë në qoftë se Evropa nuk merr parasysh fatin e Shqipërisë, e cila zë një vend me shumë rëndësi në Gadishullin Ballkanik”; ai shprehte gjithashtu bindjen se “Shqiptarët janë të gatshëm më mirë të vdesin të gjithë me armë në dorë sesa ta lënë veten e tyre të copëtohen midis kombesh të tjera, të cilat do t’ua shkatërronin gjuhën e karakterin e tyre”; po aty i kërkonte që në interes të paqes e të drejtësisë të plotësohej dëshira legjitime e fisnike e kombit shqiptar, duke e njohur Shqipërinë si një shtet autonom ose të pavarur, në kufijtë e saj natyrorë dhe etnografikë.

    Po kështu në vitin 1892 Nikolla Naçoja, kryetar i Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, së bashku me rregulloren e Shkollës Normale të çelur prej tij në Bukuresht, u dërgoi letra e promemorje disa personaliteteve politike e shkencore rumune dhe evropiane, si Dimitër Butkuleskut, kryetar nderi i Shoqërisë “Drita” dhe deputet në parlamentin rumun, kancelarit gjerman Bismark, mbretit të Italisë, albanologut çek Jan Urban Jarnik, profesor në Universitetin e Vjenës etj.

    Në letrën dërguar Bismarkut, në korrik 1892, në emër të Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit dhe të popullit shqiptar, Nikolla Naçoja e vinte në dijeni për gjendjen jashtëzakonisht të rëndë politike, kulturore dhe ekonomike të popullit shqiptar, për rrezikun e shkombëtarizimit të tij nga shkollat e huaja e nga propaganda pansllaviste dhe ajo e “Megali Idesë” greke, të cilat përhapeshin duke shfrytëzuar tolerancën dhe indiferencën ndaj tyre të Perandorisë Osmane. Në të njëjtën kohë shprehte bindjen se kancelari gjerman do t’i tërhiqte vërejtjen Perandorisë Osmane për “të drejtat e shenjta” të shqiptarëve, për krijimin e mundësive për zhvillimin e tyre dhe për mbrojtjen nga rreziqet që u kanoseshin.

  15. #55
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    2. KRYENGRITJET SHQIPTARE NË VITET 1883-1895






    Kryengritjet kundërosmane në vitet 1883-1885



    Megjithëse pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit rilindësit e vlerësonin gjendjen politike të brendshme e të jashtme të vendit si të papërshtatshme për një kryengritje të përgjithshme, qëndresa e armatosur e shqiptarëve kundër sundimit osman e masave të tij shtypëse vijoi pa ndërprerje. Por tani ajo pati karakter lokal dhe u zhvillua në përmasa më të kufizuara.
    Vatra të pashuara kryengritjesh e konfliktesh të armatosura mbetën malësitë shqiptare (të Kosovës, të Shkodrës, të Lumës, të Mirditës, të Himarës etj.). Por lufta e armatosur përfshiu herë pas here edhe zonat fushore e qytetet (si Podrimën, Rekën e Zadrimën dhe qytetet e Prizrenit, të Gjakovës, të Pejës, të Shkodrës etj.).

    Kryengritja e parë pas shtypjes së Lidhjes ishte ajo e Malësisë së Mbishkodrës, ku pakënaqësia kishte ardhur gjithnjë duke u rritur. Në vitin 1882 ajo u shtua edhe më shumë për shkak të veprimeve arbitrare dhe të krimeve të bylykbashit të krahinës. Shaljanët dogjën shtëpitë e disa zaptijeve që ishin të lidhura me bylykbashin dhe dërguan te qeveritari i Shkodrës një përfaqësi të përbërë prej 60 vetash të armatosur, e cila i njoftoi atij se kundërshtimi ndaj qeverisë do të vazhdonte derisa të emërohej një bylykbash i përshtatshëm për ta. Në dhjetor të po atij viti u vra nga malësorët komisari i policisë së bajraqeve malore, i cili kishte ngjallur urrejtjen e gjithë Malësisë.

    Situata u acarua edhe më shumë kur autoritetet qeveritare osmane hynë në bisedime me Malin e Zi, lidhur me konfliktet kufitare, për të siguruar asnjanësinë e tij në rast se organizohej një ekspeditë ushtarake për nënshtrimin e Malësisë së Mbishkodrës. Për t’i dalë përpara situatës, më 26 prill 1883 përfaqësuesit e Malësisë organizuan në Kastrat një mbledhje, në të cilën vendosën të kundërshtonin shtimin e trupave ushtarake osmane në Malësi dhe çdo lëshim të territorit të tyre Malit të Zi. Në mbledhjen e Kastratit u vendos që të formohej një lidhje mbrojtëse e malësisë, e cila do të merrte masa si kundër Portës së Lartë, ashtu edhe kundër Malit të Zi. Qeveritarët osmanë nga ana e tyre po përgatisnin me shpejtësi një ekspeditë ushtarake për nënshtrimin e Malësisë. Më 2 qershor 1883 u vunë në lëvizje shtatë batalione dhe një bateri malore, e komanduar nga gjenerali Hafiz Pasha. Në ndihmë të tyre u vunë edhe dy luftanije në liqenin e Shkodrës me dy kompani ushtarësh. Me kastratasit u bashkuan forcat e Shalës, të Shkrelit, pjesërisht të Hotit, të Grudës e të Kelmendit. Përpara qëndresës këmbëngulëse të kryengritësve Hafiz Pasha u detyrua të kërkonte ndërprerjen e luftës, duke u premtuar “kushte të ndershme”: do të respektoheshin privilegjet e tyre tradicionale dhe do të gjendeshin “kompensime të tjera” për lëshimet tokësore ndaj Malit të Zi.

    Por luftimet vazhduan gjatë 15 ditëve. Forcat osmane morën masa të egra terrori ndaj popullsisë. Me shtypjen e kryengritjes turqit shpallën një falje gjysmake. Një numër krerësh malësorë u hodhën në arrati për të mos rënë në dorë të tyre.
    Ngjarje të tjera ndodhën gjatë vitit 1883 në Llap të Kosovës, ku u ngritën rreth 300 burra për të kundërshtuar bylykbashin turk, i cili ishte dërguar për të mbledhur taksat qeveritare. Po kështu, në Dibër, nën trysninë e popullsisë së pakënaqur të qytetit e të malësisë, u hoqën nga detyra mytesarifi dhe kryetari i gjyqit ushtarak. Në këtë rast dibranët u çliruan edhe nga puna angari në rrugën ushtarake Ohër-Strugë-Dibër, ndërtimi i së cilës u pezullua.

    Vatër e qëndresës kundërosmane mbeti gjithnjë Kosova. Megjithëse pesha kryesore e ekspeditës ushtarake të komanduar nga Dervish Pasha kishte rënduar pikërisht mbi të, Stambolli nuk arriti ta qetësonte këtë krahinë veçse përkohësisht. Në gusht e shtator të vitit 1884 popullsia e Prizrenit dhe e rretheve të tij e kundërshtoi pagimin e taksës për kokë që do të vilej me rastin e regjistrimit të popullsisë, si edhe shtesën prej 25% të së dhjetës. Rreth 500 podrimas, fandas e lumjanë të armatosur hynë në Prizren. Në këto rrethana autoritetet e vendit premtuan se do të hiqnin dorë nga detyrimet e reja. Mirëpo, kur nga mesi i shtatorit ato i kërkuan përsëri këto detyrime, një numër edhe më i madh malësorësh të armatosur hynë në Prizren dhe dëbuan prej qytetit mytesarifin e drejtorin e financës.

    Për të qetësuar gjendjen, Porta e Lartë i hoqi nga Prizreni nëpunësit e dëbuar dhe premtoi edhe njëherë anulimin e taksave e lirimin e atdhetarëve të burgosur e të internuar gjatë ekspeditës së komanduar nga Dervish Pasha. Por pas kësaj qeveria osmane dërgoi përforcime ushtarake në Prizren dhe arrestoi e internoi pjesëmarrësit e ngjarjeve të shtatorit 1884. Reagimi i popullsisë ishte i menjëhershëm. Në shkurt të vitit 1885 shpërtheu një kryengritje e re. Këtë radhë, krahas uljes së taksave dhe të drejtës për mbajtjen e armëve, kryengritësit kërkuan edhe faljen e të burgosurve e të të internuarve të shumtë, të cilët mbaheshin në burgjet e në viset e Anadollit që nga koha e shtypjes së Lidhjes së Prizrenit.

    Lëvizja u shtri në rrethet e Prizrenit, të Ferizajt dhe në krahinën e Lumës. Krerët e saj mbanin lidhje edhe me organizatat atdhetare të mërgimit. Veprimet luftarake vazhduan nga fundi i shkurtit deri në mesin e marsit. Kryengritësit prenë linjat telegrafike, sulmuan e rrethuan Prizrenin. Më 20 shkurt 1885 midis Prizrenit e Ferizajt u bë ndeshja e parë e një pjese të kryengritësve kosovarë me repartet osmane. Atë ditë kryengritësit, të pakët në numër dhe të armatosur keq, u tërhoqën përpara zjarrit të dendur të topave dhe të mitralozave të armikut. Por shumë shpejt e rifilluan kundërsulmin: “... më 1 mars, - thuhet në letrën që një atdhetar prizrenas u dërgoi disa ditë më vonë organizatave të mërgimit, - kryengritësit ..., pasi u grumbulluan, sulmuan Prizrenin nga të gjitha anët pasdite në orën 9 allaturka dhe luftuan trimërisht deri në mëngjes... Dhe, me gjithë mitralimin e tmerrshëm e të vazhdueshëm, luftuan deri në shtëpitë e para të qytetit dhe i pushtuan”.

    Autoritetet osmane dërguan atëherë një ekspeditë të madhe ushtarake me mareshalin Vesel Pasha në krye. Kryengritësit, të ndodhur përballë forcave të mëdha armike, u detyruan të hiqnin rrethimin e qytetit e të tërhiqeshin, ndërsa udhëheqësit e tyre qëndruan në arrati dhe u përpoqën të mbanin gjallë kryengritjen. Vesel Pasha, krahas masave që mori për të siguruar qetësinë në Prizren, në gusht 1885 iu drejtua papritmas Gjakovës, ku, nën drejtimin e Sulejman Vokshit, po bëheshin përgatitje për të formuar një lidhje të re. Në fillim ai arrestoi Sulejman Vokshin e bashkëpunëtorët e tij. Popullsia e zemëruar, duke dashur të përsëriste ngjarjet e zhvilluara tetë vjet më parë kundër mareshalit Mehmet Ali pasha, sulmoi trupat osmane që kishin bllokuar qytetin. Ndërmjet tyre u zhvilluan luftime të ashpra, por në saje të përforcimeve ushtarake që erdhën nga Prishtina, Vesel Pasha mundi t’i sprapste sulmet e shqiptarëve.

    Kur në Gjakovë zhvilloheshin luftimet, në Rumelinë Lindore shpërtheu kryengritja çlirimtare kundër Stambollit dhe disa ditë më vonë u shpall bashkimi i saj me Bullgarinë. Duke parashikuar keqësimin e mëtejshëm të gjendjes në Ballkan, Porta e Lartë u detyrua të ndryshonte qëndrimin e vet ndaj shqiptarëve. Ajo pezulloi veprimet ushtarake, e anuloi edhe njëherë urdhrin për zbatimin e reformave centralizuese, ua njohu malësorëve të drejtën të mbanin armë, liroi nga burgu e nga internimi shqiptarët e arrestuar, duke përfshirë edhe udhëheqës të Lidhjes së Prizrenit, si Abdyl Frashërin e Sulejman Vokshin dhe, më në fund, premtoi se do të lejonte përdorimin e gjuhës shqipe në shkollat e Shqipërisë.



    Kryengritjet shqiptare të viteve 1887-1893




    Meqenëse bashkimi i Rumelisë Lindore me Bullgarinë (1885) cenonte status quo-në në Ballkan, u vunë në lëvizje si Fuqitë e Mëdha, ashtu edhe monarkitë ballkanike. Rusia dhe Austro-Hungaria e kundërshtuan këtë veprim që “prishte” ekuilibrin politik të Ballkanit. Por në Konferencën e Fuqive të Mëdha, që u mblodh në Stamboll posaçërisht për këtë çështje, fitoi teza e Anglisë, e cila, duke e parë rritjen e Bullgarisë, që tani ishte prishur me Peterburgun, si një pengesë për shtrirjen ruse në Ballkan, kërkoi që bashkimi i Rumelisë Lindore me Bullgarinë të njihej si fakt i kryer. Serbia e Greqia, nga ana e tyre, nuk u pajtuan me këtë akt; ato kërkuan shpërblime territoriale për të kundërbalancuar zgjerimin e Bullgarisë dhe filluan përgatitjet ushtarake. Me nxitjen edhe të Austro-Hungarisë, Serbia, në nëntor 1885, i shpalli luftë Bullgarisë që përfundoi pas dhjetë ditësh me disfatën e serbëve. Greqia hoqi dorë nga lufta kundër Bullgarisë, por u orvat të siguronte shpërblime territoriale duke e kërcënuar Turqinë me luftë. Porta e Lartë iu përgjigj këtij kërcënimi, duke forcuar kufijtë turko-grekë. Me këtë rast edhe në Shqipërinë e Poshtme, në afërsi të kufirit grek, u përqendruan ushtri të mëdha osmane. Edhe këtë radhë Stambolli u bëri thirrje shqiptarëve të inkuadroheshin në ushtrinë osmane për t’i bërë ballë kërcënimit grek.

    Në këto kushte, kur për shkak të masave ushtarake të Athinës lindi përsëri rreziku i copëtimit të vendit, jo vetëm ata krerë feudalë që nuk donin të shkëputeshin nga Perandoria Osmane, por edhe rilindësit që udhëhiqnin lëvizjen kombëtare, nuk ndryshuan qëndrimin e tyre ndaj Perandorisë Osmane dhe nuk shtruan si detyrë të ditës çështjen e shkëputjes prej saj. Duke shprehur gatishmërinë për të luftuar kundër rrezikut grek që kërcënonte tokat shqiptare, rilindësit theksuan njëkohësisht përballë opinionit publik evropian dhe qeverisë së sulltanit, karakterin e veçantë kombëtar të qëndresës shqiptare.

    Por gjendja e jashtme politike e Perandorisë Osmane u përmirësua shpejt. Fuqitë e Mëdha, konsekuente në politikën e ruajtjes së status quo-së, formalisht nuk lejuan të bëheshin ndryshime territoriale në Ballkan. Me traktatin bullgaro-turk që u nënshkrua në mars të vitit 1886 në Bukuresht, ato e njohën bashkimin e Principatës Bullgare me Rumelinë Lindore, por me kusht që të ruhej në dukje gjendja e mëparshme. Fuqitë e Mëdha e ndaluan edhe Greqinë të ndërmerrte veprime luftarake kundër Turqisë dhe e detyruan me forcë të bënte çmobilizimin.
    Sapo u qetësua gjendja e saj e jashtme, Porta e Lartë u kthye në qëndrimin e mëparshëm ndaj shqiptarëve, duke shkaktuar kështu riacarimin e marrëdhënieve shqiptaro-osmane. Abuzimet e nëpunësve turq dhe rritja e papërmbajtur e taksave u bënë shkak për lëvizje të reja protestash në krahina të ndryshme të vendit. Gjatë viteve 1887-1892 protestuan e ngritën krye popullsia e Mirditës, e Zadrimës, e Prishtinës, e Drenicës, e Dibrës, e Himarës etj. Autoritetet osmane arritën t’i shtypnin këto lëvizje me anën e forcës ose t’i shpërndanin kryengritësit duke u bërë premtime të rreme.

    Për të qetësuar gjendjen në vilajetin e Kosovës, Porta e Lartë përqendroi atje forca të mëdha ushtarake. Megjithatë, lëvizja atdhetare e udhëhequr nga Haxhi Zeka, Bajram Curri etj., po përhapej gjerësisht në pranverën e vitit 1893. Në fund të majit Haxhi Zeka i bëri thirrje popullit të Pejës e të rrethinave të saj që të ngrihej në luftë kundër pushtetit osman.

    Pasi dështuan në orvatjet për t’i bindur kryengritësit të shpërndaheshin, turqit dërguan në Pejë forca nga Mitrovica, nga Berana e nga Shkupi. Haxhi Zeka ishte tërhequr nga qyteti dhe ishte vendosur në fshatin Leshan, ku i shkuan në ndihmë 2 000 malësorë të krahinës së Gjakovës të udhëhequr nga Bajram Curri. Veprimet luftarake filluan më 11 korrik, por nuk vijuan gjatë. Turqit, duke përdorur forcën e premtimet, si edhe duke pasur përkrahjen e disa çifligarëve vendas, e shtypën kryengritjen, e cila, për mungesë organizimi, mbeti e kufizuar vetëm në rrethet e Pejës e të Gjakovës. Haxhi Zeka u arrestua në mënyrë të pabesë dhe u mbajt në Stamboll për disa vjet.

    Pa u shtypur mirë kjo kryengritje, në Lumë shpërtheu një kryengritje e re. 3 000 lumjanë të armatosur iu afruan Prizrenit dhe kërkuan dëbimin e mytesarifit turk. “Tërë Luma është ngritur me armë dhe kërkon përzënien e mytesarifit të Prizrenit e të disa bejlerëve të atjeshëm”, shkruante konsulli serb i Prishtinës. Valiu i Kosovës dhe Porta e Lartë, për t’i prerë rrugën zgjerimit të konfliktit, shkarkuan nga detyra mytesarifin e Prizrenit, Salih Pashën.

    Kryengritjet kundërosmane të këtyre viteve nuk ishin të organizuara në shkallën e duhur dhe as të lidhura ndërmjet tyre. Edhe kërkesat e paraqitura ishin të kufizuara. Megjithatë, Abdyl Frashëri shihte tek ato synimet e shqiptarëve për t’u çliruar nga zgjedha osmane.“Shqiptarët, - shkruante Abdyli në vitin 1888, - nuk kanë pushuar kurrë së shfaquri pakënaqësinë e tyre kundrejt qeverisë osmane dhe dëshirën e tyre për pavarësi”.
    Ndonëse u shtypën, këto kryengritje patën disa rezultate të pjesshme, siç ishin ulja e barrës së taksave dhe lirimi i të burgosurve dhe i të internuarve politikë.

  16. #56
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    3. PËRPJEKJET PËR ZHVILLIMIN E ARSIMIT DHE TË KULTURËS KOMBËTARE.
    KONTRIBUTI I DIASPORËS SHQIPTARE








    Organizimi dhe veprimtaria e diasporës shqiptare



    Për shkak të reaksionit të egër osman që u vendos pas Lidhjes së Prizrenit dhe të keqësimit të mëtejshëm të gjendjes ekonomike, mërgimi jashtë vendit e sidomos jashtë kufijve të Perandorisë Osmane mori përmasa gjithnjë e më të mëdha. Qindra e mijëra shqiptarë u detyruan të lënë vatrat e tyre dhe të mërgojnë në Rumani, në Bullgari, në Egjipt etj. Të mërguarit forcuan kështu kolonitë e vjetra shqiptare që ndodheshin në këto vende. Në këto vite filluan gjithashtu mërgimet e para të shqiptarëve në Rusi e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
    Duke qenë se në atdheun e robëruar lëvizja kombëtare zhvillohej në kushte ilegale dhe zbatimi i programit të saj, qoftë edhe për arsimin e kulturën, ishte gati i pamundur, një rëndësi gjithnjë e më të madhe mori veprimtaria e diasporës shqiptare. Me gjithë vështirësitë e shumëllojshme që duhej të kapërcenin, shqiptarët e mërguar mbajtën lidhje të vazhdueshme me atdheun dhe dhanë një kontribut shumë të madh në lëvizjen kombëtare, veçanërisht për zhvillimin e arsimit e të kulturës shqiptare. Veprimtaria atdhetare e shqiptarëve të mërguar filloi tani të organizohej e të udhëhiqej nga shoqëritë që u krijuan gjatë kësaj periudhe. Këto shoqëri atdhetare, të ngritura jashtë Perandorisë Osmane, vepruan legalisht dhe në kushte më të mira politike.

    Ndonëse kishin synime të qarta politike, për të përgatitur çlirimin e atdheut nga robëria dhe mbrojtjen e tij nga copëtimi, ato paraqiteshin si shoqëri kulturore, gjë që pasqyrohej edhe në programet e statutet e tyre. Kjo bëhej për të shfrytëzuar mjetet legale në të mirë të lëvizjes shqiptare dhe për të shmangur çdo pengesë që mund të nxirrej, nën presionin e qeverisë osmane, nga organet qeveritare të vendit ku vepronin. Bashkëkohësi dhe veprimtari i këtyre shoqërive, Visar Dodoni, ka shkruar më vonë: “Ahere fytyr’ e dëshirës së shqiptarëve ishte përlindja e letraturës shqipe; po qëllimi që mshifnin dëshirat ish liria kombiare...”.
    Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip, e themeluar në Stamboll në vitet e Lidhjes së Prizrenit, pati jetë të shkurtër. Pas tronditjes që pësoi gjatë reaksionit të vitit 1881 dhe pasi mbeti me pak anëtarë, ajo nuk mundi ta vijonte veprimtarinë e saj në forma të organizuara e legale si më parë. Disa nga anëtarët e kësaj Shoqërie i larguan nga Stambolli, kurse disa të tjerë hoqën dorë vetë prej saj. Megjithatë, një bërthamë anëtarësh aktivë si dhe kryetari i saj Sami Frashëri e vijuan veprimtarinë në fushën kombëtare më shumë në forma individuale dhe në kushte ilegaliteti.

    Në këto rrethana, për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të lëvizjes kombëtare, patriotët u detyruan ta kalonin një pjesë të madhe të veprimtarisë jashtë Perandorisë Osmane, por gjithnjë në afërsi të Shqipërisë, në vende si Rumania e Bullgaria, të çliruara nga zgjedha e huaj, ku kishte koloni shqiptare të mërgimit.
    Shteti rumun, i formuar nga bashkimi i principatave të Vllahisë e të Moldavisë (më 1859), sidomos pas sigurimit të pavarësisë (më 1878), vijoi të jetë vendi kryesor i strehimit të emigrantëve të krahinave të ndryshme të Turqisë Evropiane, pra edhe të një numri të madh shqiptarësh. Për shkak të lidhjeve tradicionale ndërmjet dy popujve dhe të interesave të përbashkët politikë në Ballkan, shteti rumun e përkrahte luftën çlirimtare të shqiptarëve dhe veprimtarinë e kolonisë shqiptare në Rumani. Po kështu shteti i ri bullgar, i çliruar më 1878 dhe i bashkuar me Rumelinë Lindore më 1885, nuk e pengoi organizimin dhe veprimtarinë e kolonisë shqiptare në Sofje e në qendra të tjera të Bullgarisë.
    Kolonitë shqiptare në Rumani e në Bullgari, duke qenë numerikisht më të mëdha, materialisht më të forta dhe në rrethana politike më të favorshme morën përsipër një rol të veçantë e me shumë rëndësi në lëvizjen kombëtare, duke ndihmuar për ngritjen e shtypshkronjave, për botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, për nxjerrjen e gazetave shqiptare, për hapjen e shkollave kombëtare etj.
    Pikërisht kur po shtypej Lidhja e Prizrenit dhe kur ishin krijuar kushte të vështira për veprimtarinë e Shoqërisë së Stambollit, zuri fill Shoqëria e Bukureshtit, e cila si nga numri i anëtarëve, ashtu edhe nga veprimtaria, u bë shoqëria më e rëndësishme kulturore e kësaj periudhe.

    Kriza e fundit e Lindjes dhe lufta 3-vjeçare e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit ushtruan ndikimin e tyre në gjallërimin e veprimtarisë atdhetare të shqiptarëve të Rumanisë. Përveç kontakteve që mbanin me Shqipërinë, ata filluan të lidheshin edhe me shqiptarët e Stambollit e të Egjiptit, veçanërisht me Sami Frashërin.
    Në korrik të vitit 1881 u organizua në Bukuresht një mbledhje e atdhetarëve shqiptarë të asaj kolonie, të cilët formuan Shoqërinë “Deg’ e Shoqërisë së Stambollit”. Pas krijimit të kësaj Shoqërie, shkuan në Bukuresht Jani Vretoja e Pandeli Sotiri, të dërguar nga Shoqëria e Stambollit. Vitin tjetër në Egjipt u themelua një degë tjetër e Shoqërisë së Stambollit me të njëjtin emër, por për shkak të vështirësive politike kjo degë përkohësisht nuk mundi të zhvillohej. Për disa kohë edhe “Deg’ e Shoqërisë së Stambollit” në Bukuresht mbeti e dobët dhe me veprimtari të kufizuar. Por me shtimin e numrit të anëtarëve të saj dhe për të përballuar më mirë nevojat që shtronte zhvillimi i mëtejshëm i lëvizjes kombëtare, sidomos në fushën kulturore, u bë një hap i ri përpara.

    Në dhjetor të vitit 1884 u mblodh në Bukuresht një kuvend i posaçëm, i cili themeloi një shoqëri kulturore më vete me emrin “Drita”. Në dokumentet e kësaj mbledhjeje dhe në statutin e shoqërisë u përcaktua edhe programi. Mbledhja zgjodhi komitetin drejtues me kryetar Anastas Avramidhi Laçke, një pasanik shqiptar nga Korça, nga i cili shoqëria shpresonte të siguronte shuma të rëndësishme për qëllimet e saj. Qysh në këtë mbledhje u hartua një listë ndihmash për blerjen e një shtypshkronje. Kryetari i Shoqërisë “Drita” premtoi se do të jepte për këtë qëllim 100 mijë franga dhe se do të linte me testament në dobi të lëvizjes kulturore shqiptare gjithë pasurinë e tij.
    Qysh në muajt e parë numri i anëtarëve të shoqërisë arriti në 300 veta. Ndonëse ajo kishte synime të qarta politike kombëtare, statuti e paraqiste atë si një shoqëri kulturore-letrare. Në nenin 1 të tij thuhet se Shoqëria e shqiptarëve “Drita” themelohej duke pasur si qëllim të vetëm zhvillimin e përparimin e gjuhës shqipe. Në nenin 2 thuhej se shoqëria nuk do të përzihej në çështje politike dhe se për t’ia arritur qëllimit të vet do të shtypte libra në gjuhën shqipe dhe do të çelte shkolla shqipe në Shqipëri, të cilat do të ndihmonin për ngritjen e vetëdijes kombëtare. Në nenin 3 kërkohej që në shkollat shqipe gjuha turke të ishte fakultative si gjuhë e Perandorisë, kurse në nenin 4 përcaktohej që si alfabet i shqipes të përdorej ai i Stambollit. Me 43 nenet e statutit rregullohej tërë veprimtaria e Shoqërisë “Drita”, si dhe marrëdhëniet me degët e saj.

    Shoqëria “Drita” e Bukureshtit, duke ecur në gjurmët e Shoqërisë së Stambollit, filloi të punonte për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe me anën e shkollave, të librave didaktike, të gazetave etj. Mbështetur në programin e në statutin e saj, shoqëria shtroi si detyrë kryesore blerjen e një shtypshkronje për botimin e librave shqip. Për këtë qëllim mblodhi si ndihmë 10 828 lej, përveç shumës që kishte mbledhur më parë dhe, pas një kohe, shtypshkronja e porositur në Vjenë u vendos në Bukuresht. Ndërkohë Sami Frashëri, Naim Frashëri dhe Jani Vretoja përgatitën tekstet e para mësimore dhe ia dërguan Shoqërisë së Bukureshtit, e cila në muajt e parë të vitit 1886 filloi t’i botonte në shtypshkronjën e saj. Në vitin 1886 u botua nga Naim Frashëri: “E këndimit të çunave këndonjëtoreja”, “Dëshir’ e vërtetë e shqipëtarëvet” (greqisht), “Istoria e përgjithshme”, “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “Bagëti e bujqësija”; nga Sami Frashëri: “Abetare e gjuhësë shqip” dhe “Shkronjëtorja e gjuhësë shqip” (gramatika); nga Jani Vretoja: “Numërmësonjë” dhe “Mirëvetija” (Mësime morali). Po kështu Shoqëria “Drita” kërkoi nga qeveria osmane që shkollat në gjuhë të huaj në Shqipëri të shndërroheshin në shkolla shqipe ose që në to të mësohej edhe gjuha shqipe.
    Themelimi i kësaj shoqërie kulturore, pjesëmarrja e qindra shqiptarëve ortodoksë, në mënyrë të veçantë e korçarëve, që në rini kishin ndjekur shkollën e kishën greke, i shqetësoi kundërshtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe veçanërisht qarqet shoviniste greke, të cilat kishin pretendime mbi Korçën dhe mbi tërë Shqipërinë e Poshtme. Duke shprehur këtë shqetësim gazeta e Athinës “Konfederata Lindore” shkruante në janar të vitit 1885: “Morëm vesh me një habi të dhimbshme se në Bukuresht u themelua një silog (komitet) për lëvrimin e gjuhës shqipe ... për ta përpunuar dhe bërë sa më të kulluar ... Për ta shkëputur përgjithmonë Shqipërinë nga Greqia, deshën të nxjerrin në dritë një gjuhë shqipe. Sepse lindja e kësaj gjuhe nuk do të thotë gjë tjetër veçse ndarje dhe shkëputje e shqiptarëve prej nesh...”.

    Në Bukuresht në atë kohë vepronin disa gazeta e shoqëri greke të lidhura me Patrikanën e Stambollit e me Athinën, të cilat ndiqnin hap pas hapi si shtypin, ashtu edhe tërë lëvizjen kombëtare. Në Bukuresht ishte gjithashtu filiali i Komitetit Pansllavist me ambasadorin rus në krye, i cili mbante lidhje me konsujt e shteteve ballkanike (grekë, serbë, bullgarë), si dhe me komitetet e tyre që vepronin në Rumani. Silogu grek në Bukuresht u angazhua për të penguar me çdo mënyrë veprimtarinë e Shoqërisë “Drita”. Kundër saj veproi edhe konsulli rus në Bukuresht, Hitrovo, i cili, ashtu si konsulli i atjeshëm grek, nxiti përçarje ndërmjet anëtarëve të kryesisë së Shoqërisë “Drita” dhe së bashku u përpoqën ta pengojnë e ta paralizojnë veprimtarinë e shoqërisë shqiptare.
    Disa nga drejtuesit e Shoqërisë “Drita” u lëkundën përballë presionit grek. Madje, vetë kryetari i saj Anastas Laçke, i mikluar nga ledhatimet e lavdërimet e mbretit të Greqisë (që e dekoroi për “besnikëri”), dhe i kërcënuar në fshehtësi nga elementët grekomanë, hoqi dorë nga veprimtaria e tij në dobi të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe u bashkua me grekomanët.
    Ndërhyrjet dhe intrigat e jashtme bënë që në radhët e Shoqërisë së Bukureshtit të futej fara e grindjes dhe e përçarjes dhe që veprimtaria e saj të binte përkohësisht. Lëkundjet e grekomanëve dhe mosmarrëveshjet ndërmjet dy grupimeve politike që u formuan në gjirin e Shoqërisë, bënë që kjo të shpërndahej në vitin 1886. Në vendin e saj u krijuan dy shoqëri.

    Grupi i kryesuar nga Nikolla Naço (1843-1913), në mbledhjen që u mbajt në janar të vitit 1887, themeloi një shoqëri më vete po me emrin “Drita”, në të cilën morën pjesë përkrahësit e tij. Pjesa tjetër e atdhetarëve shqiptarë formoi nga mesi i vitit 1887 një shoqëri tjetër me emrin “Dituria”, sipas emrit të dytë të revistës shqipe të botuar në Stamboll.
    Në themel të konfliktit ndërmjet dy shoqërive qëndronin pikëpamjet e tyre të ndryshme për një varg çështjesh të lëvizjes kombëtare. Nikolla Naçoja vlerësoi drejt rrezikun që i kërcënohej lëvizjes kombëtare nga politika e qarqeve drejtuese të Greqisë, nga pansllavizmi dhe nga ndikimi i kishës e i kulturës greke mbi shqiptarët. Por, në të njëjtën kohë, ai mendonte se shqiptarët do të mund të përballonin lakmitë aneksioniste të shteteve fqinje nëpërmjet bashkëpunimit me vllehët e Shqipërisë, të Maqedonisë e të Pindit dhe, nëpërmjet tyre, me Rumaninë. Sipas tij, vetëm një bashkëpunim i tillë do t’u jepte mundësinë të dy palëve, shqiptarëve dhe vllehëve, që t’u bënin ballë rreziqeve të përbashkëta që u vinin nga shovinistët grekë, serbë e bullgarë.
    Pikëpamjet e Nikolla Naços për t’u mbështetur në ndihmën e një shteti të huaj, sikurse ishte Rumania, nuk përputheshin me mendimin e forcave të tjera politike të lëvizjes kombëtare, të cilat ishin për një qëndrim më të ashpër kundër sulltanit e Perandorisë Osmane dhe nuk ishin kundër bashkëpunimit edhe me grekët e me rusët.

    Shoqëritë e riformuara “Drita” e “Dituria” e vijuan veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur. E para krijoi degët e saj në qytete të tjera të Rumanisë, si në Brailë, në Fokshan, në Kostancë, në Marashesht, në Krajovë, në Ploesht etj., ku kishte mjaft shqiptarë të mërguar. Këto degë krijuan fondet e tyre për përhapjen e mësimit shqip e për botimin e librave dhe mbanin lidhje me Shoqërinë “Drita” të Bukureshtit, që ishte shoqëri qendrore. Kjo bëri disa botime të tjera didaktike. Po kështu dega e Shoqërisë “Drita” në Brailë (në maj 1887) nxori gazetën letrare-shkencore “Drita” (rumanisht “Lumina”), e cila pati gjithsej 11 numra. Në gusht të vitit 1888 doli numri i parë i gazetës “Shqipëtari” (“Albanezul”), organ i Shoqërisë “Drita”, gazetë javore në gjuhën shqipe e rumune, e cila, me ndërprerje, vijoi të dalë deri më 1903.

    Në artikullin me titull “Çfarë kërkojmë”, botuar në numrin e parë të gazetës “Shqipëtari”, jepej në mënyrë të përmbledhur programi i Shoqërisë “Drita”, në të cilin kërkohej: “1) Përdorimi i gjuhës shqipe në shkolla dhe në kisha; 2) Themelimi i degëve kulturore dhe hapja e shkollave shqipe; 3) Zhvillimi i gjuhës, i historisë dhe i letërsisë kombëtare; 4) Botimi i teksteve shkollore, i revistave dhe i gazetave në gjuhën shqipe”. Në vazhdim të programit gazeta shpallte gjithashtu një thirrje në formë manifesti, drejtuar gjithë shqiptarëve, me të cilën i grishte ata, kudo që jetonin e pa dallim feje, të ngriheshin “si një trup i vetëm, për të kontribuar me punën e tyre, me pasuri, me fjalë, me mendje, me zemër dhe në rast nevoje edhe me jetën për zhdukjen e robërisë së popullit shqiptar”. Siç shihet, programi dhe thirrja nuk kanë vetëm përmbajtje kulturore e arsimore, por edhe politike e atdhetare. Megjithatë, veprimtaria e Shoqërisë “Drita” zyrtarisht nuk drejtohej hapur kundër sulltanit dhe nuk kërkonte drejtpërdrejt pavarësinë e Shqipërisë. Kjo motivohej me rrezikun e madh që i kanosej popullit shqiptar nga politika shoviniste e shteteve fqinje. Një qëndrim i tillë taktik i Shoqërisë “Drita” shpjegohet edhe me koniunkturën politike të kohës, me interesimin e qeverisë rumune për të mos cenuar marrëdhëniet e mira të Rumanisë me Portën e Lartë.
    Një luftë të ashpër Shoqëria “Drita” dhe gazeta “Shqipëtari” bënë kundër politikës aneksioniste greke të “Megali Idesë” dhe kundër grekomanizmit si pjellë e saj. Mirëpo vetë përpjekjet për ngritjen kulturore kombëtare ishin të gërshetuara me luftën politike për lirinë kombëtare.

    Shoqëria “Drita” dhe Nikolla Naçoja, që ishte udhëheqësi kryesor i saj, u përpoqën të tërhiqnin vëmendjen e opinionit publik evropian për çështjen shqiptare, duke u dërguar thirrje e memorandume personaliteteve politike të kohës, qeverisë osmane etj. Shoqëria “Drita” ndihmoi gjithashtu për mbajtjen e shkollave shqipe dhe për furnizimin e tyre me libra shqip.
    Shoqëria “Dituria”, me të cilën u bashkuan shumica e shqiptarëve të Bukureshtit, me kryetar Kostaq Duron, pasi miratoi programin, vijoi veprimtarinë e vet me botimin e librave, të dorëshkrimeve që vinin kryesisht nga Naimi e Samiu, të cilët jetonin në Stamboll. Tani disa shqiptarë të pasur ishin larguar nga Shoqëria, kurse disa të tjerë kishin kaluar në pasivitet. Në fillim Shoqëria “Dituria” nuk mundi të krijojë degët e saj dhe arkën e kishte pothuajse të zbrazur. Në vitin 1888 ajo botoi tekstet “Dheshkronja” (Gjeografia) të përgatitur nga Sami Frashëri dhe “Dituritë” (Njohuri të shkencave shoqërore e natyrore) të Naim Frashërit. Më vonë ajo botoi “Rradhuashkronjën” e Jani Vretos, “Abetaren” e gjuhës shqipe në gegërisht, veprat e Naim Frashërit “Lulet’ e verës”, “Mësime” etj. Për shkak të censurës, Samiu dhe Naimi i nënshkruanin veprat e tyre vetëm me inicialet, i pari S. F. dhe i dyti N. H. F. Botimet e Bukureshtit u shpërndanë në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë atdheut.

    Një kthesë e rëndësishme në veprimtarinë e Shoqërisë “Dituria” u shënua në vitin 1896, kur në krye të saj u zgjodh Pandeli Evangjeli, që ishte mjaft aktiv dhe me aftësi drejtuese e organizative. Shoqëria “Dituria” dha ndihmesë të madhe për hapjen e shkollave shqipe në atdhe, veçanërisht në qarkun e Korçës. Ajo dërgoi pa pagesë tekste shkollore dhe ndihmoi në mbajtjen e mësuesve të shqipes.
    Në vitet 90 të shek. XIX lëvizja kombëtare në diasporë mori zgjerim më të madh. Ashtu si në Rumani, mërgimtarë shqiptarë në Bullgari ishin vendosur edhe më parë, por tani ky numër sa vinte e shtohej. Shqiptarët e mërguar në Bullgari merreshin me punë të ndryshme. Pjesa më e madhe e tyre bënte punë krahu, si gurëgdhendës, punëtorë rrugësh, hekurudhash e ndërtimesh, kopshtarë etj., por kishte edhe zejtarë, si rrobaqepës, këpucarë, zdrukthëtarë etj. Një pjesë tjetër merrej me tregti të vogël, sidomos në qendër të Sofjes.
    Me kohë lokalet e disave prej tyre u shndërruan në qendra ku takoheshin atdhetarët shqiptarë që jetonin në Sofje e në vise të tjera të Bullgarisë ose ata që kalonin për në Rumani, në Turqi e në Rusi.

    Në Bullgari një rol të rëndësishëm në përhapjen e ideve kombëtare dhe të shkrimit shqip midis shqiptarëve të mërguar luajti Dhimitër Mole, i cili shkoi atje nga Bukureshti qysh në fillim të vitit 1886. Me punën e tij këmbëngulëse Dhimitër Mole grumbulloi rreth vetes një numër të madh shqiptarësh që jetonin në Sofje. Në vitin 1889 atje u themelua bërthama e parë e Shoqërisë për Arsim në Shqipëri. Me zgjerimin e numrit të shqiptarëve që interesoheshin për fatin e atdheut të robëruar, në janar të vitit 1893 u formua në Sofje Shoqëria shqiptare me emrin “Dëshira”, me statutin dhe me fondin e saj. Programi i kësaj shoqërie ishte i njëjtë me atë të shoqërive të Stambollit e të Bukureshtit. Shoqëria do të përpiqej “për të lartësuar frymën e shqiptarizmit” dhe “për skoli në Shqipëri”. Kryetari i komitetit të zgjedhur nga shoqëria ishte Ligor P. Marko dhe sekretar Dhimitër Mole. Në nenin 2 të statutit të saj thuhet: “Qëllimi i Shoqërisë “Dëshira” është për të përhapur dituri e mësimin e gjuhës, si edhe për të përhapur mësonjëtore në gjuhën shqipe në Shqipëri”. Meqenëse në fillim në Shoqërinë “Dëshira” mbizotëronin punëtorët e zejtarët, u ndje nevoja e bashkëpunimit me intelektualë shqiptarë. Prandaj shpejt shoqëria e re hyri në marrëdhënie me atdhetarët dhe me shoqëritë e tjera shqiptare jashtë Bullgarisë, si me Sami Frashërin e Naim Frashërin në Stamboll, me Shoqërinë “Drita” në Bukuresht; ajo pati lidhje edhe me atdhetarë brenda Shqipërisë. Shoqëria krijoi degët e saj në qytetet ku kishte më shumë mërgimtarë shqiptarë, si në Varnë e Plovdiv, por shqiptarë kishte edhe në Plevën, në Rila, në Samakov etj. Aktivitetet e ndryshme artistike e argëtuese, si edhe përhapja e mësimit shqip, ndihmuan si për bashkimin e shqiptarëve, ashtu edhe për ngritjen e tyre politike e kulturore. Veprimtaria e Shoqërisë “Drita” u zgjerua më shumë në vitet e fundit të shek. XIX, kur në Sofje u ngrit shtypshkronja me emrin simbolik “Mbrothësia” (Përparimi), në të cilën u botuan shumë libra e gazeta në gjuhën shqipe.

    Një qendër tjetër e rëndësishme e lëvizjes shqiptare gjatë kësaj periudhe ishte Egjipti. Nismat e para të Thimi Mitkos e të Jani Vretos për të formuar këtu një shoqëri kulturore nuk patën sukses. Megjithatë, Thimi Mitkoja, Spiro Dineja, Grigor Nukoja etj. e vijuan vetë veprimtarinë atdhetare. Krahas kësaj, Thimi Mitkoja u përpoq disa herë të organizonte një shoqëri me shqiptarët e Egjiptit, por vetëm në vitin 1894 u arrit që ata të formonin një shoqëri me emrin “Vëllazëria e Shqiptarëve”.
    Një rol të rëndësishëm në dobi të lëvizjes kombëtare vijuan të luanin në këtë periudhë edhe arbëreshët e Italisë. Megjithëse i moshuar, në krye të lëvizjes arbëreshe qëndronte gjithnjë shkrimtari dhe atdhetari i shquar Jeronim de Rada. Arbëreshët mbanin lidhje me qendrat e tjera të shqiptarëve të mërguar dhe me atdhetarët shqiptarë brenda Shqipërisë, si edhe me personalitete politike përparimtare italiane e evropiane. Me anën e letërkëmbimeve, të artikujve në shtypin e kohës dhe sidomos me organin “Fiamuri i Arbërit” (Corigliano Calabro, 1883-1885), arbëreshët e Italisë bënin të njohura e mbronin të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. Intelektualët arbëreshë punuan me zell në fushën e studimit të gjuhës e të kulturës shqiptare. Në tetor të vitit 1895 ata organizuan në Koriliano Kalabro (Corigliano Calabro) një kongres gjuhësor, në të cilin u vendos të formohej edhe një shoqëri, që mori emrin Shoqëria Kombëtare Shqiptare, e cila krijoi degë në të gjitha kolonitë arbëreshe.

    Veprimtaria e arbëreshëve në dobi të lëvizjes kombëtare u zhvillua në kushte më të favorshme se ajo e kolonive të tjera; qeveria italiane, për shkak të interesave të saj ekonomikë e politikë, në dukje pajtohej me parimin e ndjekur nga arbëreshët “Shqipëria për shqiptarët”. Me këtë ajo synonte të ndalte si shtrirjen e Austro-Hungarisë e të shteteve sllave drejt Jugut e Perëndimit të Ballkanit, ashtu edhe zgjerimin e Greqisë drejt Veriut. Por, krahas kësaj, qarqet politike italiane kishin filluar të bënin përpjekje për ta vënë lëvizjen arbëreshe në shërbim të interesave politikë të Romës në Shqipëri.

  17. #57
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    Përhapja e mësimit shqip dhe e shkollave kombëtare



    Në vitet e reaksionit osman që shpërtheu pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, veprimtarët e lëvizjes kombëtare i dhanë rëndësi të veçantë zbatimit të programit të tyre kulturor, i cili ishte pjesë përbërëse e programit kombëtar të Rilindjes. Mirëpo detyrat e rëndësishme me karakter politik, kulturor e ekonomik, që shtronte zhvillimi i vendit dhe periudha historike në fushën e arsimit, nuk mund të zgjidheshin me sistemin arsimor që ishte atëherë në Shqipëri, sepse ai përbëhej nga një numër jo i madh shkollash të një niveli të ulët, në gjuhë të huaja (turke, greke, italiane etj.), me përmbajtjen përgjithësisht skolastike, me frekuentim të pakët dhe me cikle jo të plota. Shkollat ishin të ndara veç për popullsinë myslimane dhe veç për atë të krishtere. Ato administroheshin, si rregull, nga institucionet fetare islamike, ortodokse e katolike. Përveç kësaj, ky sistem arsimor ishte shndërruar në një mjet të fuqishëm ndikimi politik e kulturor si të sunduesit osman, ashtu edhe të shteteve të tjera. Ndërkaq kërkesat e zhvillimit të vendit, por sidomos rreziku i asimilimit të kombit shqiptar, diktonin si një nevojë të ngutshme përhapjen e arsimit e të kulturës kombëtare, e bënë atë një domosdoshmëri historike, me të cilën ishte e lidhur qenia dhe e ardhmja e Shqipërisë. Duke shprehur këtë nevojë të madhe të kohës, Kostandin Kristoforidhi shkruante më 1888: “Ndë mos u shkroftë gjuha e shqipes edhe sot mbë këtë ditë nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do të ketë më Shqipëri ndë faqe të dheut dhe as nuk do të shënohet më emri i Shqipërisë ndë hartë të botës”.

    Megjithëse ishte bërë detyrë e rëndësishme dhe e ngutshme, në kushtet e atëhershme të Shqipërisë përhapja e arsimit kombëtar ndeshte në vështirësi e në pengesa të shumta. Pengesat kryesore i nxirrte Perandoria Osmane, e cila ishte përpjekur gjithnjë t’i mbante shqiptarët në errësirë e në padituri. Megjithëse me reformat e Tanzimatit ishte shpallur se të gjitha kombësitë e Perandorisë do të lejoheshin të ushtronin lirisht gjuhët e tyre në institucionet arsimore e fetare, Porta e Lartë i përjashtoi shqiptarët nga kjo e drejtë kombëtare. Duke u mbështetur në parimin mesjetar absurd të identifikimit të kombësisë me fenë, Porta e Lartë, edhe pas reformës arsimore turke të vitit 1844, nuk ua njohu shqiptarëve të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare, por vijoi t’i quante ata sipas besimit fetar “turq”, “grekë” e “latinë”.

    Në përputhje me parimin teokratik islam, pas reformës arsimore Porta e Lartë krijoi për shqiptarët myslimanë një rresht të ri shkollash shtetërore fillore (iptidajie), qytetëse (ruzhdije) dhe pastaj gjimnaze (idadije). Ashtu si në shkollat e mëparshme fetare, edhe në shkollat shtetërore osmane mësimet zhvilloheshin vetëm në gjuhën turke dhe, megjithëse quheshin laike , në planet e tyre mësimore bënin pjesë edhe lëndë fetare islamike. Sipas statistikave të viteve të fundit të shek. XIX, në të katër vilajetet e atëhershme (të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës), në të cilat shqiptarët përbënin një tërësi kompakte e shumicën e popullsisë, kishte 1 187 shkolla turke nga të cilat 1 125 shkolla fillore, 57 shkolla qytetëse (ruzhdije) e 5 shkolla të mesme (idadije). Ndërkaq sunduesit osmanë, për shkak të presionit të huaj, u lanë pak a shumë dorë të lirë shteteve ballkanike dhe evropiane, veçanërisht institucioneve të tyre fetare të krishtera, për të vepruar në Shqipëri si në fushën fetare, ashtu edhe në atë arsimore. Shtetet që në projektet e tyre parashikonin përfshirjen ose copëtimin e trojeve shqiptare, në gjysmën e dytë të shek. XIX, e rritën më tej veprimtarinë në fushën arsimore e fetare, duke shtuar numrin e shkollave në gjuhë të huaj, duke i krijuar vështirësi shkollës e kulturës shqiptare. Ato nuk ngurronin në këtë rast të përpiqeshin për t’i paraqitur shqiptarët si një popull “të egër”, “pa kulturë” e me zakone “të rënda”, kurse veten e tyre si “shpëtimtarë”, si “përhapës të arsimit e të kulturës” etj.

    Përhapje të madhe mori, veçanërisht në Shqipërinë e Poshtme, shkolla në gjuhën greke. Me gjithë programin e tyre laik, shkollat greke ishin nën mbikqyrjen e peshkopëve grekë dhe përshkoheshin nga një frymë intolerance fetare. Shkollat greke arritën të përhapeshin deri në Durrës e në Tiranë. Sipas të dhënave të konsullatës franceze të Janinës, në vitin 1882 vetëm në vilajetin e Janinës, që përfshinte gjithë Shqipërinë e Poshtme (duke përjashtuar rrethet e Kolonjës, të Korçës e të Pogradecit) dhe që shumicën dërrmuese të popullsisë e kishte shqiptare, kishte 643 shkolla greke për djem e mikse me 736 mësues dhe 22 shkolla për vajza me 40 mësuese. Në vitin 1894 në sanxhakun e atëhershëm të Gjirokastrës kishte 84 shkolla fillore greke e po kaq edhe në krahinën e Beratit.
    Organizimi e plani mësimor i shkollave në gjuhën greke në Shqipëri ishin të njëjtë me ato të shkollave në Greqi. Hapja e këtyre shkollave bëhej nga mitropolitë ortodokse greke, të cilat, në marrëveshje me konsujt grekë, emëronin drejtorët e shkollave dhe personelin mësimor. Mjetet kryesore financiare për mbajtjen e këtyre shkollave siguroheshin nga qeveria e Athinës, nëpërmjet silogut që ishte krijuar aty për përhapjen e gjuhës e të kulturës greke. Me anën e këtyre shkollave e të propagandës qarqet politike të Athinës përpiqeshin t’i paraqisnin shqiptarët ortodoksë si grekë dhe me kohë t’i asimilonin ata. Në fundin e shek. XIX në Shqipëri kishte më shumë se 1 000 shkolla greke.
    Përveç shkollave turke e greke, në trojet shqiptare ishin çelur edhe shkolla serbe, bullgare, vllahe etj. Sipas statistikave të asaj kohe kishte mbi 300 shkolla serbe, bullgare e vllahe, pa përmendur shkollat në gjuhën italiane, të cilat ishin nën administrimin e Austro-Hungarisë e të Italisë.

    Shkollat e huaja, me gjithë kufizimet e mangësitë e programeve, ndihmonin në pajisjen me dije të fëmijëve, por ato, padyshim, shërbenin si mjedise të propagandave të shteteve të huaja për asimilimin e shqiptarëve dhe si të tilla nuk mund t’i shërbenin as përparimit kulturor kombëtar të shqiptarëve, as emancipimit të tyre politik e kombëtar. Prandaj rilindësit i trajtonin ato si një pengesë në lëvizjen për çlirimin kombëtar të popullit shqiptar dhe kërkonin mbylljen ose kthimin e tyre në shkolla shqipe.
    Në këto rrethana, patriotët e Rilindjes punuan me përkushtim për zhvillimin e arsimit kombëtar. Rilindësit tanë iu drejtuan në radhë të parë gjuhës amtare, që kishte luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e popullit shqiptar dhe që u kishte bërë ballë me sukses trysnive shekullore asimiluese të pushtuesve të huaj. Te rilindësit në përgjithësi ishte formuar bindja se tani vetëm duke e shkruar mund të ruhej gjuha shqipe, se vetëm me gjuhën amtare mund të zhvillohej arsimi e kultura kombëtare, mund të shkolloheshin të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga gjendja ekonomike, mund të edukohej atdhetarizmi dhe mund të mbrohej kombi nga asimilimi. Pikërisht në atë periudhë Kostandin Kristoforidhi shkruante: “Shqipëria nuk mësonet dot, as nuk ndritet sot, as nuk qytetëronet dot me gjuhë të huaj, përveç me gjuhën e mëmës ... Edhe ndë u shkroftë gjuha e shqipes në këtë kohë që gjendemi sot, edhe ndë futet ndëpër skolirat e Shqipërisë, kemi shpresë se do të na njohën për komp e për vendarë ndë dhe t’onë, edhe do të kemi pjesë e vent ndë rretht e ndë shoqërit të kombevet tjerë që gjenden në Evropë...”. Të njëjtën ide mbronte Sami Frashëri kur disa vjet më vonë shkruante: “S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqip, s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkolla në të cilat do të mësohet shqipja”.

    Rilindësit bënë përpjekje të shumta për të nxjerrë nga Porta e Lartë lejen e përdorimit të gjuhës amtare në shkollat e vendit, për botimin e librave shqip, për shpërndarjen e tyre në Shqipëri dhe për nxjerrjen e një organi periodik shqip, qoftë edhe me përmbajtje krejtësisht kulturore.
    Për disa kohë këto kërkesa ndeshën në kundërshtimin e vendosur të qeverisë osmane. Por në verën e vitit 1884, e shqetësuar nga përpjekjet e Greqisë për t’i nxitur shqiptarët të hidheshin në kryengritje kundër Stambollit, si dhe nga themelimi në Athinë i shoqatës kulturore “Vllamët Shqiptarë”, Porta e Lartë dha lejen për botimin e një organi kulturor shqip. Megjithatë, edhe në këtë rast ajo u qëndroi besnike parimeve të veta, sepse ajo lejen nuk ua dha shqiptarëve myslimanë, të cilët vijonte t’i quante turq, por vetëm shqiptarëve ortodoksë, me qëllim që t’i largonte nga mundësia e bashkëpunimit me grekët.
    Leja për botimin e një reviste shqipe u dha nga Ministria turke e Arsimit në emrin e Petro Pogës. Pas kësaj, më 10 gusht 1884 doli në Stamboll numri i parë i revistës “Drita”. Për shkak të censurës, lënda e revistës u kufizua në shkrime letrare e arsimore. Meqenëse Porta e Lartë ua ndalonte shqiptarëve myslimanë shkrimin e shqipes, Sami Frashëri e Naim Frashëri, nga penda e të cilëve u përgatit shumica e lëndës, nënshkruanin me pseudonime, i pari me tre yje, kurse i dyti me shkronjën “D”. Në revistën “Drita” botuan shkrimet e tyre edhe Jani Vretoja, Pandeli Sotiri, Koto Hoxhi etj.

    Qëllimi i kësaj reviste ishte përhapja e diturisë, zhvillimi i arsimit dhe ngritja e vetëdijes kombëtare. Revista kryente njëherësh edhe misionin e mësuesit për përhapjen e ideve iluministe të rilindësve. “Drita” u botua me alfabetin e Stambollit dhe në këtë mënyrë ndikoi në përhapjen e këtij alfabeti te lexuesit e saj shqiptarë.
    Ndonëse përmbante vetëm shkrime me karakter arsimor-kulturor, botimi i revistës “Drita” shkaktoi shqetësimin e qarqeve klerikale e politike greke, të cilat ushtruan trysni të fortë ndaj Petro Pogës dhe e detyruan të hiqte dorë nga revista, pas botimit të numrit të saj të tretë. Por atdhetarët shqiptarë të Stambollit nxorën në emrin e Pandeli Sotirit një leje të dytë për një revistë të re me emrin “Dituria”, e cila u bë vazhdim i “Dritës”. Duke bërë fjalë për misionin e revistës “Dituria”, Sami Frashëri shkruante në një artikull të numrit të parë të saj: “Dituria është ajo që e bëri njeriun të quhet njeri”. Artikujt me karakter shkencor e pedagogjik që u botuan në “Drita” dhe në “Dituria” shërbyen si bazë për hartimin e teksteve shkollore shqipe. Revista “Dituria” u mbyll në numrin 12 të saj, në korrik të vitit 1885.

    Edhe përhapja e shkrimit dhe e shkollës shqipe ndeshte gjithnjë në pengesa të shumta. Në kohën kur në Shqipëri po shtohej numri i shkollave greke, serbe e bullgare, Porta e Lartë ndalonte hapjen e shkollave shqipe. Madje Ministria turke e Arsimit tërhoqi edhe lejen që kishte dhënë për botimin e fjalorit të Kostandin Kristoforidhit. Përhapja e shkrimit dhe e shkollës shqipe pengohej edhe nga fanatizmi fetar e nga konservatorizmi të kultivuar prej shekujsh, sikundër edhe më fort nga kundërshtimet e turkomanëve e të grekomanëve.
    Megjithëse në kushte shumë të vështira, shkrimi i gjuhës shqipe vijoi të mësohej fshehurazi në vise të ndryshme të Shqipërisë. Nën shembullin e mësuesit të tij Koto Hoxhi, Petro Nini Luarasi, ndonëse ishte fare i ri në moshë dhe punonte si mësues i greqishtes në shkollat e fshatrave Bezhan, Katund e Luaras, gjatë viteve 1882-1887 u bë një përhapës i flaktë i shkrimit të gjuhës shqipe dhe i ndjenjave kombëtare. Po kështu Kostandin Kristoforidhi, me t’u kthyer në atdhe në vitin 1884, hyri si mësues i greqishtes në shkollën e Elbasanit dhe, ashtu siç kishte bërë dikur në Tiranë, filloi t’u mësonte nxënësve fshehurazi gjuhën shqipe. Në Shkodër mësimi i gjuhës shqipe kishte krijuar tashmë një farë tradite dhe vijonte të mësohej në disa shkolla private për djem e për vajza. Po ashtu, në vitin 1885, Gjerasim Qiriazi kishte hapur në Manastir një shkollë private shqipe për djem e për vajza.

  18. #58
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    Rilindësit shfrytëzuan në të mirë të lëvizjes kombëtare edhe gjendjen e vështirë, në të cilën u ndodh Perandoria Osmane në fund të vitit 1885 e në fillim të 1886 si pasojë e bashkimit të Rumelisë Lindore me Bullgarinë, si edhe gjendjen e acaruar të marrëdhënieve turko-greke. Meqenëse qeveria osmane kundërshtonte formimin e organizatave politike, rilindësit kërkuan të themelonin brenda në Shqipëri një shoqëri kulturore. Ndërkaq qeveria turke premtoi se do të lejonte futjen e mësimit të shqipes në shkollat shtetërore.
    Në fund të vitit 1885 atdhetarët shqiptarë zgjodhën si vend më të përshtatshëm për formimin e një shoqërie të tillë qytetin e Korçës. Në këtë mënyrë do t’i jepej një goditje edhe propagandës helenizuese të qarqeve shoviniste të Athinës dhe klerikëve grekomanë ortodoksë që u shërbenin atyre. Për të ndihmuar atdhetarët brenda vendit Shoqëria “Drita” e Bukureshtit dërgoi në Korçë Thimi Markon, një nga anëtarët më aktivë të kryesisë së saj. Sipas udhëzimeve të Shoqërisë, ai i paraqiti pleqësisë së Mitropolisë, si dhe vetë mitropolitit grek të Korçës, Filotheu, kërkesën e shqiptarëve të mërguar të Bukureshtit për të vënë “gjuhën shqipe nëpër gjithë mësonjëtoret” e qytetit që administroheshin nga silogu grekoman i Korçës. Por shumica e anëtarëve të pleqësisë dhe të silogut të qytetit, të cilët ndodheshin nën ndikimin e mitropolitit grek, e hodhën poshtë këtë kërkesë. Me gjithë kundërshtimin e tyre kërkesa gjeti mjaft përkrahës në radhët e qytetarëve; ajo u mbështet edhe nga disa anëtarë të dhimogjerondisë? së komunitetit të krishterë të qytetit, ndër të cilët më aktiv u tregua Jovan Cico Kosturi.
    Në lëvizjen për përhapjen e gjuhës shqipe u përfshinë jo vetëm qytetarët ortodoksë të Korçës, por edhe ata myslimanë. Për të drejtuar këtë lëvizje, u krijua brenda në Korçë në muajt e parë të vitit 1886 një Komitet Kombëtar i fshehtë, i përbërë nga Jovan C. Kosturi, Orhan Ç. Pojani e Thimi Markoja.
    Në fund të vitit 1886, me përmirësimin e gjendjes së jashtme politike të Perandorisë Osmane, u duk qartë se Porta e Lartë nuk kishte ndër mend ta mbante premtimin e dhënë për të futur mësimin e shqipes në shkollat shtetërore dhe as të lejonte krijimin e organizatave kulturore shqiptare. Nga ana tjetër, për t’i vënë njëfarë gardhi politikës antiturke, që zhvillonin me anën e mësimit agjentët grekë, qeveria e Stambollit dha të kuptohej se ajo nuk do t’i pengonte shqiptarët ortodoksë të futnin në shkollat e komuniteteve të tyre mësimin e gjuhës amtare dhe të kishin klubet kulturore shqiptare, duke përjashtuar gjithnjë nga kjo e drejtë shqiptarët myslimanë.

    Duke e parë të pamundur futjen e gjuhës shqipe në shkollat e huaja, Komiteti Kombëtar i Korçës në fillim të vitit 1887 vendosi të ngrinte shkolla shqipe të veçanta, të pavarura nga shkollat që administroheshin nga silogu grekoman. Ndërsa atdhetarët e Korçës e të Bukureshtit po përpiqeshin të siguronin pajisjet, librat mësimorë dhe lokalin për shkollën, Sami Frashëri e Naim Frashëri, sipas kërkesave të reja që i paraqitën qeverisë së Stambollit, shkëputën prej saj lejen në emrin e Pandeli Sotirit për çeljen e një shkolle private shqipe në Korçë.
    Pas një lufte këmbëngulëse gati dyvjeçare, më 7 mars 1887 u çel shkolla e parë shqipe e Korçës, drejtor i së cilës ishte Pandeli Sotiri. Si lokal për shkollën shërbeu shtëpia e dhuruar nga atdhetari i mërguar korçar Mandi Tërpo.
    Çelja e shkollës shqipe të Korçës ishte një ngjarje e shënuar dhe një fitore për gjithë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjeve të përbashkëta të organizatave atdhetare të të mërguarve shqiptarë dhe të atdhetarëve brenda vendit. Mësonjëtorja shqipe e Korçës nuk varej e nuk financohej prej asnjë shteti a shoqërie të huaj. Ajo u hap, u financua e u mbrojt nga populli dhe nga shoqëritë shqiptare të mërgimit.
    Dita e përurimit të saj u kthye në një ditë feste. Të nesërmen e kësaj ngjarjeje, më 8 mars 1887, Thimi Markoja i shkruante Visar Dodanit në Bukuresht: “... dëshira tonë u mbarua, shkolla shqipe u hap. druri që vumë në dhet këtu e dy vjet sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla... Mendimet tona dhe të luftuarit e faqezinjve grekomanë gjersa mbaruam këtë të shënjtëruarë punë janë aqë shumë sa nuk mund t’ua shkruaj ndë kartë”.

    Qysh ditën e parë në këtë shkollë u regjistruan 35 nxënës. Numri i tyre erdhi duke u rritur dhe në vitin e dytë arriti në 200. Ajo ishte një shkollë fillore laike me fizionomi të plotë kombëtare, ku gjithë mësimet jepeshin shqip. Turqishtja mësohej si gjuhë e huaj, më vonë u fut edhe frëngjishtja. Si tekste mësimore përdoreshin ato që ishin përgatitur nga Naim Frashëri, Sami Frashëri etj., dhe që qenë shtypur e ishin dërguar pa shpërblim nga kolonia shqiptare e Bukureshtit. Mësonjëtorja e Korçës u bë qendër e përhapjes së shkrimit e të këndimit të gjuhës shqipe edhe për të rriturit. Ajo ishte gjithashtu qendër e përhapjes së ideve kombëtare shqiptare. Duke qenë shkollë e përbashkët për fëmijët e besimeve të ndryshme, ajo ndihmonte bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga feja dhe ngrinte tek ata ndërgjegjen kombëtare. Përveç Pandeli Sotirit, që qe drejtori i parë i kësaj shkolle, në të punuan si drejtorë e mësues edhe atdhetarë të tjerë të shquar, si Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi etj.
    Çelja e shkollës kombëtare të Korçës ngjalli entuziazëm te patriotët brenda e jashtë atdheut. Poeti i shquar i Rilindjes, Naim Frashëri, duke përshëndetur Mësonjëtoren e çelur në Korçë, shkruante plot frymëzim: “Hapu, hapu errësirë, / Pa jakë tëhu o dritë! / Se arriti koh’ e mirë, / U gdhi nata u bë ditë... / Lumja ti, moj Korç’ o lule! / Q’i le pas shoqet e tua / Si trimi në ball’ u sule, / Ta paçim për jetë hua!”.

    Hapja e Mësonjëtores së Korçës u bë nxitje edhe për çeljen e shkollave të tjera në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe në Pogradec, me mësues Koço Sotirin (vëllai i Pandeli Sotirit), në Rekë e në Ohër dhe u bënë përgatitje për të tilla shkolla në Elbasan, në Leskovik, në Ersekë etj. Filloi të mësohej shkrimi shqip edhe në mjaft fshatra.
    Komitetit Kombëtar të Korçës filluan t’i vinin nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, bashkë me përgëzimet, edhe kërkesa të shumta për t’u dërguar tekste shkollore që të përhapnin mësimin e shqipes qoftë në shkollë, qoftë jashtë saj. Në një letër të Thimi Markos, dërguar nga Korça në Bukuresht më 1887 thuhej: “Sot nuk ka vend të Shqipërisë që të mos ndodhen burra shqiptarë, në fyejt e të cilëve të mos lëvrinjë gjak shqiptari dhe të cilët të mos përpiqen për këtë të shenjtëruar punë. Nga të gjitha anët e Shqipërisë marrim karta hiri dhe gëzimi për shkollën që hapmë... Megjithëqë na dërguat afro 600 copë vivlla, u lutemi të na dërgoni edhe të tjera”.
    Këto suksese e lejuan Komitetin të bënte një hap tjetër: ai formoi në Korçë një shoqëri shqiptare, që u quajt Shoqëria e Mësimit Shqip. Në krye të kësaj Shoqërie u vu Alo Dishnica. Shoqëria kishte si detyrë kryesore të organizonte e të drejtonte veprimtarinë e atdhetarëve shqiptarë në krahina të ndryshme të vendit për mbajtjen e shkollave të çelura, për hapjen e shkollave të reja shqipe, për grumbullimin e fondeve të nevojshme dhe shtypjen e teksteve shkollore a të ndonjë organi periodik.

    Në vitin 1889 në Prizren ishte çelur një shkollë shqipe nën kujdesin e Austro-Hungarisë. Për vite me radhë punoi në këtë shkollë, si mësues i gjuhës shqipe, atdhetari Mati Logoreci, i cili shfrytëzoi të gjitha mundësitë për të përhapur mësimin e gjuhës shqipe te nxënësit dhe në popullsinë shqiptare të Prizrenit. Futja e shqipes si gjuhë mësimi dhe veprimtaria e mësuesit Mati Logoreci bënë që shkollën e Prizrenit, me gjithë kërcënimet e autoriteteve osmane, ta ndiqnin edhe nxënës myslimanë. Kur u shtua numri i nxënësve, pranë Mati Logorecit filloi të punonte si mësues edhe Lazër Lumezi. Po kështu, Austro-Hungaria gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shek. XIX futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi edhe në 24 shkolla fillore, të administruara prej saj, në qytetet e në fshatrat e Shqipërisë së Sipërme dhe të asaj Qendrore.
    Përveç shkollave të përmendura, në shumë vise të Shqipërisë, si në Elbasan, në Dibër, në Krujë, në Korçë, në Berat, në Gjirokastër, në Kolonjë, në Pogradec, në Vlorë, në Përmet, në Skrapar, në Çamëri etj., u çelën dhe funksiononin pranë shtëpive private ose pranë dyqaneve kurse e shkolla të fshehta shqipe, në të cilat mësuesit atdhetarë u mësonin fëmijëve dhe të rriturve abetaren e gjuhës shqipe. Në këto qendra dhe në qytete të tjera të vilajeteve shqiptare, si në Durrës, në Tiranë, në Prizren, në Prishtinë, në Shkup, në Manastir etj., mësuesit shqiptarë atdhedashës, që punonin në shkollat turke, greke etj. të Shqipërisë, u mësonin fshehurazi nxënësve shkrimin shqip.

    Por përpjekjet për hapjen e shkollave shqipe ndeshën në vështirësi të shumta. Valë të furishme kundërshtimi shpërthyen kundër Shoqërisë së Mësimit Shqip dhe Mësonjëtores së Korçës që në ditët e para të themelimit të tyre. Nën nxitjen e mitropolitit të Korçës dhe të Patrikanës së Stambollit, autoritetet osmane filluan të pengonin zgjerimin dhe madje vetë ekzistencën e shkollave shqipe, si dhe veprimtarinë e Shoqërisë së Mësimit Shqip. Propaganda fetare, shpifjet, presionet, frikësimet e shtrëngimet e tjera kundër mësuesve, nxënësve, prindërve dhe përkrahësve të shkollës, qenë mjetet e zakonshme që autoritetet osmane dhe agjentët grekë përdorën në luftën kundër tyre. Në vitin 1890 autoritetet qeveritare ndaluan fëmijët myslimanë që të ndiqnin shkollën shqipe.
    Nën këtë trysni të dyfishtë përpjekjet për të hapur shkolla të tjera shqipe nuk patën sukses. Për më tepër edhe shkollat e hapura gjatë vitit 1887-1888 u mbyllën njëra pas tjetrës me përjashtim të shkollës së Korçës, e cila me sakrifica të mëdha e në luftë të vazhdueshme me autoritetet klerikale greke dhe me administratën osmane e vijoi veprimtarinë e vet, ndonëse me një numër të kufizuar nxënësish.

    Viktimë e këtij reaksioni antishqiptar ra edhe vetë drejtori i shkollës së Korçës, Pandeli Sotiri, i cili u vra rreth vitit 1891 në Stamboll nga agjentët grekomanë. Atdhetarë të tjerë shqiptarë, si Jovan Cico Kosturi, Thimi Marko etj., iu nënshtruan ndjekjeve të pashembullta. Një luftë e ashpër e në forma të ndryshme u bë kundër Alo Dishnicës, i cili qëndronte në krye të Shoqërisë së Mësimit Shqip. Pasi dështuan orvatjet për ta tërhequr në anën e tyre me dekorata e me mjete të tjera, agjentët e Patrikanës bënë kundër tij një varg shpifjesh e ankesash që ua dërguan autoriteteve lokale. Por të gjitha këto nuk dhanë rezultat.
    Edhe shkolla shqipe e Prizrenit ndeshi në pengesa të shumta dhe në qëndrimin armiqësor të autoriteteve osmane. Përparimin e saj e shihnin me sy të keq edhe shovinistët serbë, sepse ajo vepronte në kundërshtim me planet e tyre për shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare të Kosovës nëpërmjet kishës e shkollës serbe. Nën këto trysni edhe vetë konsullata austro-hungareze ndërmori masa të ndryshme kundër saj.

    Një ndihmesë tjetër të çmuar për shkollën shqipe dha familja e Qirjazëve dhe veçanërisht Gjerasim D. Qiriazi. Bir i një tregtari shqiptar të vendosur në Manastir, qysh i vogël u edukua prej të atit me dashurinë për atdheun dhe për gjuhën amtare. Duke qenë në shërbim të Shoqërisë Biblike Angleze, në vend të Kostandin Kristoforidhit, ai i kushtoi një vëmendje të veçantë përhapjes së shkrimit të gjuhës shqipe dhe të ndjenjës kombëtare. Qysh në vitin 1888, kur u vendos në Korçë, ai bëri përgatitjet e nevojshme për të çelur një shkollë shqipe për vajza. Këtu erdhi, pasi mbaroi kolegjin në Stamboll, edhe e motra e tij, Sevasti Qiriazi, që, së bashku me të vëllanë, Gjerasimin, iu vunë punës për çeljen e kësaj shkolle. Në këtë vepër ata u ndihmuan edhe nga Naim Frashëri, i cili ndërhyri që t’u jepej iradeja (urdhri) nga qeveria osmane.
    Më 23 tetor 1891 u çel në Korçë shkolla e parë shqipe për vajza. Në kushtet e ndjekjeve nga qeveria osmane, hapja e saj u bë në saje të pasaportës së huaj që mbante themeluesi i saj Gjerasim Qiriazi. Qysh në vitin e parë numri i nxënëseve u rrit në 27. Më vonë shkolla kishte çdo vit 30-50 nxënëse. Edhe në këtë shkollë mësuan vajza të besimeve të ndryshme. Mësueset e para të saj ishin Sevasti Qiriazi, Fanka Efthimi, më vonë edhe Polikseni Luarasi e Parashqevi Qiriazi.

    Gjerasim Qiriazi kishte lidhje me Komitetin Kombëtar të Korçës dhe me kolonitë shqiptare jashtë atdheut. Ai u ndihmua veçanërisht nga Shoqëria “Drita” e Bukureshtit. Me gjithë pengesat e shumta të armiqve, shkolla e vajzave mbeti e hapur edhe pas vdekjes së parakohshme të Gjerasim Qiriazit dhe u bë vatër e rëndësishme për përhapjen e arsimit, të kulturës dhe të ndërgjegjes kombëtare.
    Krahas Korçës, krahinat e Kolonjës e të Vakëfeve u bënë vatra të rëndësishme të përhapjes së arsimit kombëtar. Vepra e nisur nga mësuesi atdhetar Petro Nini Luarasi u zgjerua edhe më shumë në fillim të viteve 90. I ndihmuar nga ish-nxënësit e tij, nga kolonitë e mërgimit, në mënyrë të veçantë nga shoqëria “Drita”, si dhe me përkrahjen e mbrojtjen e popullsisë së këtyre zonave, ai çeli gjashtë shkolla të reja shqipe, në fshatrat Luaras, Gostivisht, Rehovë, Vodicë, Selenicë e Pishës dhe në Treskë, të cilat filluan të funksiononin që në vjeshtën e vitit 1892. Midis mësuesve të këtyre zonave ishin dhe Nuçi Naçi, Kristo Luarasi, Vasil Thanasi e Balil Tahiri.

    Lajmi për hapjen e këtyre shkollave të reja shqipe shkaktoi një kundërveprim të ri të klerikëve të lartë ortodoksë grekë dhe të autoriteteve osmane. Mitropoliti i Kosturit, Fillareti, në bashkëpunim me atë të Korçës, lëshoi kundër Petro Nini Luarasit mallkimin. “Me pikëllim të madh, - thuhet në aktin e mallkimit, - pamë syfaqeza dhe dëgjuam në udhëtimin tënë që bëmë në ato vise se i mallëkuari dhe i çvetëmuari prej Perëndisë, Petro Luarasi ... erdhi rreth e përqark në katundet e ndryshme të kazasë së Kolonjës, duke u zotuar të emërojë mësonjës shqiptarë, gjoja për të mësuar gjuhën shqipe, e cila nuk ekziston...Për këto shkaqe pra... ju porositim të gjithë ju, të vegjël e të mëdhenj, të vobegtë e begatorë, burra e gra, që të mos u jepni besë fjalëve dhe zotimeve të këtyre të mallkuarve femohues, që t’i mbyllni veshët tuaj kundër blasfemivet të tyre...”.

    Atdhetarët nuk u sprapsën as nga mallkimet dhe as nga shkishërimet e mitropolitit grek. Por në ndihmë të tij vajtën autoritetet osmane të vilajetit të Manastirit, të cilët dërguan në vend shefin e policisë së vilajetit. Në këto rrethana, shkollat shqipe të Kolonjës u mbyllën njëra pas tjetrës. E fundit u mbyll shkolla e Luarasit, në vitin 1896. Megjithëkëtë, Petro Nini Luarasi dhe shokët e tij e vijuan veprimtarinë e tyre për të përhapur shkrimin shqip në forma ilegale.
    Duke vlerësuar nevojën e madhe për përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe që po hapeshin në atdhe, Shoqëria “Drita” e Bukureshtit filloi përgatitjet për të çelur në Bukuresht një shkollë normale. Sipas vendimit të Komitetit drejtues të kësaj shoqërie Shkolla Normale Shqipe e Bukureshtit u çel më 10 maj 1892. Drejtor i kësaj shkolle ishte Nikolla Naço, kryetar i Shoqërisë “Drita”. Shkolla pati edhe konviktin e saj për nxënësit që do të vinin nga Shqipëria. Në nenin 2 të rregullores së Shkollës thuhej se ajo fillimisht do të kishte “të paktën 15 nxënës”, të cilët do të ushqehen dhe do të vishen me të prishurat e Shoqërisë “Drita”. Në nenin 4 parashikohej që “Në këtë mësonjëtore të përgatiten mësonjëtorë shqiptarë”, pa dallim feje, kurse neni 5 përmbante planin mësimor të shkollës, që përfshinte 11 lëndë, si gjuhën shqipe, turke e rumune, histori e gjeografi të përgjithshme, veçanërisht të Perandorisë Osmane, pedagogji, matematikë, dituri natyre, muzikë, gjimnastikë, mësim feje, një gjuhë të huaj, e cila të ishte më e folur e më e njohur në botë etj.

    Meqenëse Shkolla Normale kishte edhe konvikt, ishin vënë në dijeni të gjitha qendrat ku jetonin shqiptarë, veçanërisht ato të trojeve shqiptare, si dhe të diasporës, prej nga mund të vinin nxënës për të ndjekur këtë shkollë. Në rregullore ishte parashikuar që mësuesit e përgatitur në këtë shkollë të dërgoheshin për të hapur shkolla shqipe kudo ku kishte shqiptarë. Shoqëria “Drita” kishte detyrë t’i mbronte ata si gjënë “më të shtrenjtë të kombit, nga çdo e keqe” dhe t’i mbante me shpenzimet e saj. Në rast se mësuesve u ndodhte ndonjë rrezik, Shoqëria merrte përsipër të ndihmonte familjet e tyre “sa të rrojnë”. Mësuesit kishin si detyrë të punonin ku t’i dërgonte Shoqëria, për të forcuar te nxënësit “shpirtin e mendjen me mësime e të tjera”.
    Fondet për Shkollën Normale të Bukureshtit siguroheshin nga ndihma që jepnin anëtarët e Shoqërisë “Drita”, nga disa punë publike që ndërmerrte Shoqëria dhe vetë Nikolla Naçoja, nga organizimi i llotarive, i koncerteve muzikore dhe i fondeve të tjera. Po kështu një ndihmë për këtë shkollë u sigurua edhe nga Ministria rumune e Kulturës. Në këtë shkollë mësuan një numër të rinjsh shqiptarë, si Kristo Luarasi, Jashar Erebara, Mihal Grameno, Asdreni etj. Por, në përgjithësi kjo shkollë pati një veprimtari të kufizuar. Sapo mësuan për çeljen e saj, autoritetet osmane morën masa për të penguar ardhjen e nxënësve shqiptarë në këtë shkollë. Pas disa vjetësh Shkolla Normale e Bukureshtit u mbyll.

  19. #59
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    K R E U VII

    NGRITJA E LËVIZJES KOMBËTARE NË VITET 1896-1900.
    LIDHJA SHQIPTARE E PEJËS (1899-1900)







    1. LËVIZJA AUTONOMISTE NË VITET 1896-1897





    Shqipëria dhe çështja maqedone


    Lëvizja kombëtare u zhvillua në këtë periudhë në rrethana të ndërlikuara ndërkombëtare, kur si pasojë e ashpërsimit të çështjes maqedone në mesin e viteve 90, u shtuan ndërhyrjet e shteteve fqinje ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha në Turqinë Evropiane.
    Ngjarjet që u zhvilluan këtu në vitet 1894-1896 treguan se përveç çështjes shqiptare, që ishte shtruar për zgjidhje nga koha e Krizës Lindore të viteve 1876-1881 dhe e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lindi edhe ajo maqedone, përmbajtjen themelore të së cilës e përbënte lufta e popullsisë sllave-maqedone për çlirimin nga zgjedha osmane.

    Qarqet monarkiste të Sofjes, të Beogradit dhe të Athinës ndërhynë në çështjen maqedone, jo aq për të çliruar popullsitë sllavo-maqedone, serbe e greke të Turqisë Evropiane, sesa për të përmbushur aspiratat e tyre pushtuese ndaj territoreve shqiptare e maqedone, që kishin një pozitë të rëndësishme strategjike, kontrollonin rrugët nga Danubi drejt detit Egje dhe nga Adriatiku, nëpër Via Egnacia, për në Egje e në Lindje. Ato shfrytëzuan faktin se Maqedonia nuk ekzistonte si njësi e veçantë administrative-territoriale e Perandorisë Osmane dhe nuk banohej nga një masë e vetme etnike-kombëtare. I ringjallur në shek. XIX, emri Maqedoni kishte ardhur nga antikiteti (shek. IV para erës së re), kur u themelua e lulëzoi shteti maqedon, i cili arriti kulmin e vet nën Aleksandrin e Madh. Në shekujt e mesjetës dhe në periudhën e sundimit osman ky emër përdorej vetëm për shkak të traditës historike, si një term gjeografik. Në shek. XIX, territoret e Maqedonisë së kohës antike, sipas ndarjes administrative të vendosur në Perandorinë Osmane, përfshinin vilajetin e Selanikut dhe një pjesë të vilajetit të Manastirit. Megjithatë, edhe në këto territore banonin popullsi të ndryshme.

    Qarqet qeveritare të Bullgarisë, të Serbisë e të Greqisë, duke iu referuar të ashtuquajturave argumente historike dhe të dhënave etnike të falsifikuara, u përpoqën t’i jepnin Maqedonisë një shtrirje më të gjerë duke përfshirë në kufijtë e saj, përveç vilajetit të Selanikut, gjithë sanxhakët e vilajeteve të Manastirit e të Kosovës. Mirëpo, në dy vilajetet e fundit shumicën dërrmuese të popullsisë e përbënin shqiptarët. Sipas statistikave zyrtare osmane të viteve 1896-1900, në vilajetin e Kosovës popullsia shqiptare, myslimane e katolike, edhe pse nuk ishte e regjistruar plotësisht, arrinte në 600 000 frymë (kundrejt 161 000 serbëve, 220 000 sllavo-maqedonëve, 79 000 turqve etj.) dhe përbënte rreth 60 % të popullsisë së përgjithshme prej 1 060 000 banorësh. Me përjashtim të sanxhakut të Shkupit, në të cilin ishin në pakicë, shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë në sanxhakët e Prishtinës, të Prizrenit e të Pejës dhe ishin në një numër të barabartë me sllavët në sanxhakët e Pazarit të Ri e të Tashllixhesë.
    Në vilajetin e Manastirit (pa sanxhakun e Selfixhesë, që iu bashkëngjit këtij në vitet 90, si një njësi e veçantë), sipas statistikave osmane, popullsia shqiptare, myslimane e ortodokse, arrinte në 460 000 frymë (kundrejt 214 000 sllavo-maqedonëve, 40 000 grekëve e vllehëve e 8 000 pomakëve) dhe përbënte 64% të popullsisë së përgjithshme prej 722 000 frymësh. Në sanxhakun e Manastirit shqiptarët myslimanë e ortodoksë përbënin rreth 42% të popullsisë duke qenë shumë afër me sllavo-maqedonët, të cilët bashkë me pomakët, zinin 51 për qind të popullsisë.

    Ndërsa në tre sanxhakët e tjerë të vilajetit të Manastirit, në ata të Dibrës, të Korçës e të Elbasanit, shqiptarët myslimanë, ortodoksë e katolikë përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë. Popullsitë joshqiptare (serbe dhe në një masë më të madhe ajo sllavo-maqedone) ishin vendosur në disa vise e sidomos në ato periferike të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, ndërsa në vilajetin e Selanikut, përveç popullsisë sllavo-maqedone që përbënte shumicën, kishte edhe popullsi greke, vllahe, turke dhe pakica të tjera.
    Në rrethana të tilla ndërhyrja e shteteve ballkanike dhe e Fuqive të Mëdha në çështjen maqedone prekte drejtpërdrejt interesat kombëtarë të popullit shqiptar dhe cenonte tërësinë e trojeve të tij. Një veprimtari të gjerë në të ashtuquajturën Maqedoni ndërmorën qarqet drejtuese të Bullgarisë, të cilat u orvatën të vënë nën kontrollin e tyre luftën e drejtë çlirimtare që popullsia sllavo-maqedone, e udhëhequr nga Organizata e Brendshme Revolucionare e Maqedonisë (e themeluar në vitet 1893-1894), zhvillonte kundër pushtuesve osmanë. Ato përpiqeshin t’ua nënshtronin këtë lëvizje synimeve ekspansioniste të Mbretërisë Bullgare, për të krijuar një Bullgari të Madhe, me kufijtë e caktuar nga Traktati i Shën-Stefanit i vitit 1878. Këtij qëllimi i shërbente edhe kërkesa që qeveria bullgare, duke filluar nga viti 1894, u parashtroi Fuqive të Mëdha për formimin e një “Maqedonie autonome”, ku të përfshiheshin edhe viset shqiptare të vilajeteve të Manastirit e të Kosovës, e cila shihej si një fazë kalimtare për aneksimin e territoreve të saj nga Bullgaria.

    Të njëjtat aspirata pushtuese vijuan të ushqenin edhe qarqet sunduese të Serbisë e të Greqisë, që lakmonin gjithashtu të pushtonin gjithë Shqipërinë e Maqedoninë. Në Serbi kishte shpërthyer me një forcë të re propaganda serbomadhe e ushqyer nga qarqet drejtuese dhe po punohej me të gjitha mjetet për të zbatuar programin e “Naçertanies”, të rimëkëmbjes së Perandorisë së Stefan Dushanit, ku të përfshihej, në fillim vilajeti i Kosovës dhe më pas gjithë Shqipëria. Edhe në Greqi qarqet politike dhe një varg organizatash shoviniste (“Shoqëria Kombëtare”, “Helenizmi” etj.), të krijuara në mesin e viteve 90, vijuan veprimtarinë e tyre për të përgatitur pushtimin e territoreve shqiptare e maqedone.

    Rivaliteti ndërmjet Bullgarisë, Greqisë e Serbisë u shfaq në fillim me grindjen kishtare, që shpërtheu me forcë gjatë viteve 1894-1896, midis Patrikanës greke të Stambollit, e cila përpiqej të ruante të drejtën tradicionale për të pasur në varësi ortodoksët e Perandorisë Osmane, Ekzarkatit bullgar, që ishte shkëputur prej saj qysh më 1870, dhe kishës serbe. Në vitin 1895 qeveria e Sofjes kërkoi nga Stambolli emërimin e pesë peshkopëve bullgarë në viset shqiptare e maqedone. Kjo kërkesë u hodh poshtë atëherë nga kryeministri turk Said Pasha.
    Në vitin 1896 Serbia shkëputi nga Porta e Lartë urdhëresën për emërimin e një mitropoliti serb në Prizren, për të cilin po punonte prej kohësh, ndërsa në janar të vitit 1897 Stambolli caktoi një administrator serb në dioqezën e Shkupit, që Beogradi synonte ta vinte nën kontrollin e kishës së vet.
    Rritja e ndikimit të kishave bullgare e serbe në viset shqiptare, çelja më 1890 e një shkolle bullgare në Korçë, si edhe orvatjet e reja për t’i futur dioqezat e krahinave lindore shqiptare nën varësinë e Ekzarkatit dhe ato të Kosovës nën varësinë e kishës serbe dhe për t’i paraqitur ato si sllave, i shtyu atdhetarët shqiptarë që, krahas qëndresës kundër Patrikanës greke të Stambollit, që punonte prej kohësh për të asimiluar të krishterët shqiptarë, të luftonin edhe kundër ekspansionit bullgar e serb e të kishave të tyre.

    Në këto rrethana, në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare u hodh përsëri ideja e shfaqur prej kohësh për të krijuar një kishë shqiptare të pavarur nga Patrikana e Stambollit si një nga mjetet që do t’i jepte fund ndikimit që qarqet shoviniste fqinje ushtronin mbi popullsinë ortodokse shqiptare me anë të kishës së tyre dhe do t’u hiqte mundësinë për ta përdorur atë dhe klerin e lartë ortodoks si një mjet politik për të përmbushur lakmitë e tyre pushtuese ndaj territoreve shqiptare.
    Atdhetarët shqiptarë të Rumanisë protestuan disa herë me anë të peticioneve që i dërguan Patrikanës kundër politikës asimiluese të kishës së huaj e të asaj greke patriarkiste në veçanti. Po kështu, më 1894 iu dërgua sulltanit një memorandum nga Shqipëria në emër të treqind fshatrave shqiptare të disa krahinave të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, ku parashtrohej ankesa ndaj Portës së Lartë, që u jepte mundësi bullgarëve, serbëve dhe grekëve të ngrinin në viset shqiptare, si në Dibër, në Prizren, në Prishtinë e gjetkë, shkolla, peshkopata e seminare në gjuhët e tyre. Në këtë memorandum kërkohej gjithashtu leje për hapjen e shkollave shqipe në këto vise. Autoritetet turke jo vetëm që nuk i morën parasysh këto kërkesa, por përkundrazi i internuan nismëtarët e memorandumit.

    Qarqet drejtuese të shteteve fqinje ngritën gjithashtu komitetet e tyre, që merreshin me organizimin dhe dërgimin e bandave të armatosura në viset maqedone e shqiptare. Në pranverën e vitit 1895 komitetet bullgare hodhën bandat e armatosura, të komanduara nga oficerë bullgarë, në vilajetet e Selanikut, të Manastirit dhe të Kosovës. Nga mesi i viteve 90 edhe Serbia, duke ndjekur shembullin e Bullgarisë, filloi të hedhë bandat e saj në territoret periferike të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, ndërsa bandat greke, të përbëra nga ushtarë e oficerë grekë, në verën e vitit 1896, vepronin në viset e Maqedonisë e të Shqipërisë, deri në rrethet e Prespës, të Peristerit etj.
    Organizatat nacionaliste bullgaro-maqedone dhe ato greke me bandat e tyre sulmonin popullsinë e fshatrave krishtere shqiptare e maqedone për ta detyruar atë të braktiste kombësinë e vet dhe, sipas përkatësisë fetare, të shpallej bullgare ose greke. Përveç kësaj, gjatë viteve 1896-1897 bandat e armatosura bullgare, serbe e greke zhvilluan në qendra të ndryshme të vilajeteve të Selanikut, të Manastirit e të Kosovës përleshje të armatosura jo vetëm kundër forcave ushtarake osmane, por edhe kundër njëra-tjetrës, duke tërhequr në këtë luftë edhe kombësitë e ndryshme të këtyre vilajeteve.

    Edhe qëndrimi që Fuqitë e Mëdha mbanin ndaj çështjes shqiptare, nuk ndihmonte në zgjidhjen e saj. Politika e tyre ndaj Shqipërisë përcaktohej nga interesat e tyre ekonomike e politike në këtë zonë dhe nga pozita gjeostrategjike e territoreve shqiptare, përmes të cilave kalonin rrugët tregtare, si edhe ato të një ekspansioni të mundshëm të këtyre fuqive drejt lindjes, në thellësi të Ballkanit e drejt jugut për në Selanik, në detin Egje, në Mesdhe e në Afrikë.
    Ndërkaq, Shtetet e Mëdha evropiane, sidomos Rusia, Austro-Hungaria e Italia, sado që aspironin të vendosnin kontrollin mbi zotërimet ballkanike të Perandorisë Osmane e në mënyrë të veçantë mbi Shqipërinë, për një kohë të gjatë u detyruan të ndiqnin politikën e ruajtjes së status quo-së së Perandorisë Osmane. Kjo politikë shihej si një mjet që do të ruante, qoftë edhe përkohësisht “ekuilibrin” ndërmjet tyre në luftën për ndikimin në Lindjen e Afërme dhe në veçanti në zotërimet evropiane të Turqisë.

    Megjithatë, Anglia, duke dashur ta largonte Rusinë nga çështjet e Lindjes së Largme dhe të fuste shtetet evropiane në luftë me njëri-tjetrin për “trashëgimin osman”, që nga viti 1895 disa herë i propozoi Gjermanisë e më vonë Rusisë, që ta ndanin Perandorinë Osmane, e cila, sipas shprehjes së kryeministrit të atëhershëm anglez Salsbori, “ishte e pafuqishme për të jetuar”. Anglia propozonte me këtë rast që “Italinë ta kënaqte në Tripoli dhe në Shqipëri”. Gjermania kundërshtoi atëherë çdo projekt për copëtimin e Perandorisë Osmane dhe këmbënguli të ruhej status quo-ja. Me këtë qëndrim Berlini kërkonte të shmangte një përleshje të Gjermanisë ose edhe të aleatit të saj Austro-Hungarisë me Rusinë dhe ta hidhte këtë të fundit në luftë me Anglinë në Lindjen e Largme.

    Rusia, e angazhuar në Lindjen e Largme, ndonëse nuk kishte hequr dorë nga pretendimet e saj të vjetra mbi Stambollin e Ngushticat, nuk pranoi të kthehej në këtë kohë në çështjet e Lindjes së Afërme, prandaj, preferoi që përkohësisht të ruhej status quo-ja në Perandorinë Osmane. Rusia u gjend atëherë në një pozitë kontradiktore: nga njëra anë kundërshtonte të gjitha propozimet e Anglisë për ndarjen e “trashëgimit osman”, ndërsa nga ana tjetër, ashtu si më parë, Rusia përkrahte synimet e shteteve sllave të Ballkanit për t’u zgjeruar në Turqinë Evropiane dhe për të pushtuar territoret shqiptare.

    Austro-Hungaria, nga ana e saj, kërkonte të shtinte në dorë një pjesë të mirë të territoreve ballkanike të Perandorisë Osmane, duke përfshirë edhe vilajetet shqiptare të Shkodrës, të Kosovës e të Manastirit dhe të dilte në Selanik. Por kjo nuk mund të arrihej pa përleshje me Rusinë, me të cilën do të bashkoheshin edhe shtetet sllave të Ballkanit dhe do të përfundonte me forcimin e pozitave të Rusisë në Turqinë Evropiane. Në këto rrethana Austro-Hungaria, duke qenë edhe nën trysninë e Gjermanisë, që nuk donte konflikte në Lindjen e Afërme, ndoqi politikën e ruajtjes së status quo-së në Perandorinë Osmane. Ndërkaq, Vjena përpiqej që të siguronte epërsinë ekonomike e politike në Shqipëri e në Maqedoni dhe, “kur të vdiste i sëmuri i Bosforit, që ndodhej në shtratin e vdekjes”, të vendoste kontrollin mbi to. Austro-Hungaria shfrytëzonte për të forcuar pozitat e saj në Shqipëri edhe të drejtën e protektoratit fetar mbi klerin katolik e katolikët e Perandorisë Osmane, të siguruar prej kohësh. Nga 240 institucione kishtare katolike, që Vjena mbante nën drejtimin e saj në Perandorinë Osmane, 220 ishin ngritur në Shqipëri.

    Italia, e cila, njëlloj si Austro-Hungaria, punonte për t’u zgjeruar drejt bregdetit shqiptar të Adriatikut e të Jonit, që zinin një pozitë kyçe në kanalin e Otrantos dhe për depërtimin në brendi të Ballkanit, preferoi të respektonte në atë kohë status quo-në në Perandorinë Osmane e në Shqipëri.
    Politika e ruajtjes së status quo-së në Perandorinë Osmane, ashtu si Fuqitë e tjera të Mëdha, edhe Austro-Hungarinë e detyronte të kundërshtonte çdo lëvizje politike autonomiste dhe të armatosur të popullit shqiptar, e cila, bashkë me çlirimin e tij, do të sillte fundin e sundimit osman në Ballkan. Megjithatë, Vjena nxiste dhe përkrahte zhvillimin arsimor e kulturor të shqiptarëve dhe përpjekjet që bëheshin për zgjimin e tyre kombëtar. Në të njëjtën kohë ajo shfrytëzonte politikën pushtuese të shteteve sllave të Ballkanit ndaj Shqipërisë dhe rrezikun që përfaqësonte ajo për të ardhmen e saj, për të krijuar te shqiptarët bindjen se e vetmja rrugë shpëtimi ishte protektorati austro-hungarez mbi territoret shqiptare.

    Shtetet evropiane, sidomos Austro-Hungaria, Italia e Franca, kishin ngritur në qytetet e vilajeteve shqiptare konsullatat dhe agjencitë tregtare, që u shërbenin jo vetëm marrëdhënieve me këto treva, por edhe synimeve politike të qeverive të tyre në Shqipëri.
    Lakmitë pushtuese të qeverive ballkanike, të nxitura edhe nga qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare, si edhe rreziku i ri i copëtimit të trojeve shqiptare i dhanë një shtytje luftës së popullit shqiptar për autonominë e Shqipërisë dhe për ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit.

  20. #60
    Deny Ignorance Maska e Darius
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    13,887
    Faleminderit
    0
    674 falenderime në 479 postime
    Kërkesat për autonominë e Shqipërisë (1896)



    Qeveria turke nuk ishte në gjendje as të zgjidhte çështjen maqedone, as të ndalonte ndërhyrjet e shteteve fqinje e të Fuqive të Mëdha në Turqinë Evropiane. Nën presionin e tyre dhe me shpresën që të dilte nga gjendja e vështirë, sulltan Abdyl Hamiti shpalli, më 22 prill 1896, dekretin “Mbi reformat në vilajetet e Rumelisë”, që përfshinte masa të tilla, me të cilat Porta e Lartë mendonte të siguronte “barazinë” e të krishterëve me myslimanët, si emërimi në vilajetet e Edrenesë, të Selanikut, të Manastirit e të Kosovës i ndihmësvalinjve të krishterë (maqedonë, serbë ose grekë) dhe futja e përfaqësuesve të tyre në këshillat administrativë (mexhliset) e këtyre vilajeteve, plotësimi i policisë dhe i xhandarmërisë me të krishterë të po këtyre kombësive, që do të përbënin 10 për qind të efektivit të tyre etj.

    Për zbatimin e këtyre masave sulltani dërgoi në vilajetet e Selanikut e të Manastirit një komision të veçantë, të kryesuar nga Haki Beu. Në vilajetin e Kosovës u ngarkua me këtë detyrë vetë valiu, Hafiz Mehmet pasha. Megjithatë, ato nuk bënë efektin që priste Porta e Lartë as mbi bullgarët, serbët e grekët, as edhe mbi Fuqitë e Mëdha, që vijuan veprimtarinë e tyre politike në Turqinë Evropiane. Meqë nuk zgjidhën asnjë nga problemet politike, ekonomike e shoqërore të popujve të shtypur të Turqisë Evropiane, reformat nuk arritën të parandalonin lëvizjen e tyre çlirimtare.

    Shpallja nga sulltani e reformave të prillit vuri në lëvizje tërë klasat dhe forcat politike të shoqërisë shqiptare. Pavarësisht nga dallimet që kishin në pikëpamjet dhe në qëndrimet e tyre ndaj sunduesve osmanë, përfaqësuesit e shtresave të ndryshme të popullsisë shqiptare e pritën me shqetësim e me pakënaqësi dekretin e reformave. Shqiptarët e dinin se përfshirja e vilajeteve të Manastirit e të Kosovës në zonën e reformave do të çonte në shkëputjen e tyre nga dy vilajetet e tjera shqiptare (i Shkodrës dhe i Janinës) dhe në pranimin e tyre zyrtar si toka sllavo-maqedone. Ky rrezik ishte real në kushtet kur qarqet shoviniste bullgare kërkonin të futnin në kufijtë e Bullgarisë ose të Maqedonisë “autonome”, të projektuar prej tyre, në perëndim të vilajetit të Manastirit viset shqiptare deri në Boboshticë e në Drenovë (afër Korçës) dhe në veriperëndim Dibrën së bashku me një pjesë të Kosovës deri në Kumanovë.

    Shqiptarët kundërshtuan përfshirjen e viseve të tyre në zonën e reformave maqedone dhe njëherazi kërkuan nga qeveria e sulltanit reforma të veçanta për tërë vilajetet shqiptare. Për shkak të qëndresës së popullsisë shqiptare të vilajeteve të Manastirit, Komisioni i reformave, i kryesuar nga Haki Beu, që mbërriti këtu në maj të vitit 1896, qëndroi vetëm tri javë, u detyrua të largohej menjëherë nga kazaja e Kërçovës dhe nuk guxoi të shkojë në sanxhakët e Elbasanit e të Dibrës, që u kthyen në vatra të qëndresës kundër reformave. Propagandë të dendur për përhapjen e ideve kombëtare dhe për qëndresën ndaj reformave osmane zhvillonin atëherë në vilajetin e Manastirit dhe sidomos në Shqipërinë e Mesme, në Dibër, në Ohër, në Strugë, në Elbasan, në Tiranë, në Krujë dhe në qendra të tjera, atdhetarët Hamdi Ohri e Dervish Hima (Ibrahim Naxhi).

    Në vilajetin e Kosovës urdhri për zbatimin e reformave u dha me vonesë, në nëntor të vitit 1896, por ndeshi kudo (në Prizren, në Pejë, në Gjakovë, në Gjilan, në Shkup etj.) në kundërshtimin e popullsisë shqiptare, e cila kërkoi gjithashtu reforma të veçanta për Shqipërinë, që do t’i siguronin asaj autonominë. Në organizimin e kësaj qëndrese, që në shumë qendra mori formën e luftës së armatosur, u shqua atdhetari kosovar Haxhi Zeka. Qëndresa ndaj reformave u shtri në verën e vitit 1896 edhe në vilajetin e Shkodrës dhe në atë të Janinës, në Shqipërinë e Jugut.

    Përgjithësisht, përpjekjet e Portës së Lartë për zbatimin e reformave në vilajetet e Rumelisë dhe sidomos në ato shqiptare dështuan plotësisht. Në këto rrethana, kur lindi përsëri rreziku i copëtimit dhe i aneksimit të tokave shqiptare, atdhetarët rilindës nëpërmjet peticioneve, protestave e memorandumeve, që iu paraqitën në vitin 1896 Portës së Lartë e Fuqive të Mëdha, shtruan një varg kërkesash, që do të çonin në njohjen zyrtare të kombit shqiptar dhe të së drejtës së tij për mësimin e përdorimin e lirë të gjuhës amtare. Përfaqësuesit më të ngritur të lëvizjes parashtruan kërkesa më të përparuara, siç ishte ajo e autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë, të cilën e quanin si zgjidhjen më të drejtë të çështjes shqiptare në ato kushte.
    Në maj të vitit 1896, kur Komisioni i Inspektimit (i Reformave) të Rumelisë ndodhej në vilajetin e Manastirit, një grup atdhetarësh i dorëzoi kryetarit të tij, Haki Beut, një promemorje, e cila ishte hartuar nga Dervish Hima dhe mbante nënshkrimin “Një dashamirës i atdheut”.

    Në hyrje të saj përshkruhej me shprehje shumë të rrepta dhe me një qartësi të veçantë gjendja e rëndë e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar nën Perandorinë Osmane, dhunimet që ushtronin “nëpunësit e pandershëm që merrnin ryshfete, taksa të jashtëligjshme dhe bënin lloj-lloj veprimesh arbitrare mbi popullin…”. “Të flasim shkurt, - thuhej në këtë dokument, - … qeveria e jonë na shtyp, na pi gjakun dhe pak nga pak po na shkatërron”. Atdhetarët shqiptarë e vinin theksin gjithashtu te rreziku i jashtëm që kërcënonte Shqipërinë, për shkak të lakmive pushtuese të Bullgarisë, të Serbisë e të Greqisë dhe të ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha.

    Në këtë dokument, atdhetarët shqiptarë i parashtronin Portës së Lartë e sulltanit, të cilët i quanin përgjegjës për këtë gjendje të vendit, një varg kërkesash politike-kulturore, që i vlerësonin si tepër të ngutshme e të domosdoshme për parandalimin e rrezikut të jashtëm dhe për afirmimin kombëtar të shqiptarëve, siç ishin: ndalimi i propagandave dhe i shkollave të huaja në Shqipëri; dëbimi i mësuesve të huaj dhe zëvendësimi i tyre me mësues shqiptarë, myslimanë e të krishterë; zhvillimi i arsimit në gjuhën amtare, duke çelur shkolla shqipe, që do të ndihmonin në konsolidimin e kombit shqiptar, do të mbronin vetëqenien e tij, do të çrrënjosnin ndikimet e huaja dhe do të çonin në njohjen e kombësisë shqiptare nga Porta e Lartë e nga shtetet e huaja.
    Promemorja e majit të vitit 1896 zë vend të rëndësishëm në mendimin politik të Rilindjes, si për kërkesat kombëtare që përmbante, ashtu edhe për faktin se ajo kishte dalë nga pena e atdhetarëve shqiptarë, që vepronin e jetonin brenda vendit dhe shprehte pikëpamjet e tyre.

    Në korrik të vitit 1896 iu dërgua kryeministrit turk dhe nëpërmjet tij sulltanit një memorandum nga një komitet i reformës shqiptare jashtë atdheut (në Bukuresht), në emër të banorëve të krishterë e myslimanë të Ballkanit e të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë me porosi të delegatëve e të krerëve të vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës. Memorandumi, që mbante nënshkrimin “Në emër të popullit shqiptar” dhe që ishte shkruar në gjuhën turke nga doktor Ibrahim Temoja, atdhetar nga Struga (në atë kohë i arratisur nga Stambolli dhe i vendosur në koloninë shqiptare të Rumanisë), iu dërgua Portës së Lartë me nismën e tij, të Nikolla Naços e të Faik Konicës.
    Pasi shprehej në këtë memorandum protesta kundër propagandave të huaja, të Bullgarisë, të Serbisë, të Greqisë e të Malit të Zi, që synonin të asimilonin dhe të shkombëtarizonin popullsinë shqiptare, kërkohej që qeveria osmane t’i njihte shqiptarët, myslimanë e të krishterë, si një komb më vete dhe që përkatësia fetare të mos përzihej me atë kombëtare.

    Memorandumi i korrikut të vitit 1896 nuk shtroi drejtpërsëdrejti çështjen e autonomisë së Shqipërisë, por duke u kufizuar me nevojën e zbatimit në vilajetet e Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës të Ligjit organik, të parashikuar në nenin 23 të vendimeve të Kongresit të Berlinit, kërkoi këto reforma: lirimin e gjithë shqiptarëve të burgosur e të internuar për arësye politike; ndalimin e propagandës shkollore-kishtare greke e sllave në Shqipëri; çeljen e shkollave kombëtare shqipe; themelimin e kishës shqiptare dhe përdorimin e gjuhës shqipe në kishat greke e sllave.

    Zbatimi i këtyre masave, që diktoheshin më shumë nga rreziku i jashtëm, do të çonte në njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare, të përkatësisë etnike shqiptare të vilajeteve të banuara nga shqiptarët, në vendosjen e një administrate vendase dhe do të shënonte kështu një hap të rëndësishëm drejt sendërtimit të programit të autonomisë dhe të sigurimit të tërësinë së trojeve shqiptare.
    Po në vitin 1896 iu dërgua Fuqive të Mëdha një memorandum tjetër, me titull “Peticion për të kërkuar mbështetjen dhe mbrojtjen e qeverive të Fuqive të Mëdha”, i hartuar në frëngjisht, me nënshkrimin “Në emër të popullit shqiptar”. Një kopje e tij i është dërguar qeverisë angleze më 18 shtator 1896 nga Shoqëria “Dëshirë” e Sofjes. Megjithatë, variant i parë i tij ka dalë nga kolonia shqiptare e Rumanisë dhe është hartuar në gjuhën turke nga doktor Ibrahim Temoja. Meqë ky peticion nuk i është dërguar vetëm Anglisë, por edhe qeverive të Fuqive të tjera të Mëdha, ka shumë mundësi që këtyre t’u jetë çuar nga Bukureshti, ku kishte edhe prejardhjen e tij.

    Në peticion kërkohej mbështetja e Fuqive të Mëdha për zgjidhjen e çështjes shqiptare duke zbatuar një varg reformash radikale, të cilat do të çonin në formimin e një njësie shtetërore autonome shqiptare. Përmbajtjen themelore të këtij dokumenti e përbënte kërkesa e bashkimit të vilajeteve (të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës) në një vilajet të vetëm, me kryeqendër Manastirin, me një guvernator (vali) shqiptar në krye, me një administratë të veçantë të përbërë nga funksionarë shqiptarë, myslimanë e të krishterë. Aty përcaktohej gjithashtu struktura organizative e vilajetit të bashkuar shqiptar: në kryeqendrën e tij, pranë guvernatorit të përgjithshëm, do të funksiononte një Këshill i Pleqve, i përbërë prej 24 anëtarësh (nga 6 për çdo vilajet), që do të ishin nga njerëzit më të aftë, myslimanë e të krishterë, sipas përbërjes së popullsisë së sanxhakëve dhe të kazave. Në memorandum kërkohej gjithashtu hapja e shkollave në qytetet dhe në fshatrat e Shqipërisë, ku krahas me shqipen do të mësohej edhe turqishtja, e cila njihej si gjuhë zyrtare. Kombësive të tjera, që banonin në vilajetet shqiptare, u njihej e drejta e shkollimit në gjuhën e tyre amtare. Shërbimi ushtarak do të ishte i përgjithshëm për myslimanët e të krishterët dhe do të kryej në Evropë, për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë.
    Në peticion kërkohej gjithashtu që konsujt e Fuqive të Mëdha, të cilët ndodheshin në Manastir, të ngarkoheshin për të kontrolluar vendimet e Këshillit të Pleqve, derisa të përmbusheshin reformat e parashikuara.

    Në vjeshtën e vitit 1896, në Shqipëri e sidomos në qendrat e vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, që kërcënoheshin më shumë nga rreziku i copëtimit për shkak të reformave osmane, u bënë përpjekje për një qëndresë të organizuar e të përbashkët kundër ndërhyrjeve të shteteve fqinje dhe Portës së Lartë. Kjo do të arrihej duke themeluar një lidhje të re shqiptare, e cila, sipas shembullit të Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) do të merrte përsipër këtë detyrë. Nën drejtimin e udhëheqësit të lëvizjes kombëtare në Kosovë, Haxhi Zekës, që u vu në krye të këtyre përpjekjeve, në fundin e tetorit të vitit 1896 u mbajtën në Prishtinë njëra pas tjetrës dy mbledhje të përfaqësuesve të popullsisë shqiptare, ku u diskutuan kërkesa e autonomisë, e vetëqeverisjes së vendit dhe nevoja e organizimit dhe e armatosjes së popullit për mbrojtjen e atdheut nga rreziku i jashtëm. Për blerjen e armëve u vendos një kontribut në masën 10% të të ardhurave të çdo shqiptari, që filloi të vilej menjëherë. Në fundin e tetorit e në fillim të nëntorit u zhvilluan bisedime për bashkimin e shqiptarëve në një lidhje të re në Prishtinë, në Pejë, në Dibër, në Elbasan dhe në qendra të tjera.

    Gjatë këtyre takimeve shqiptarët e Shkupit, të Prizrenit, të Pejës, të Dibrës e të të gjitha viseve të Veriut shtruan edhe kërkesën e autonomisë, duke shpresuar se edhe sulltani nuk do ta kundërshtonte atë, se ai do të pranonte ta bënte Shqipërinë një principatë autonome. Në fundin e tetorit përfaqësuesit e popullsisë së Kosovës, të mbledhur në Prishtinë, kërkuan haptazi nga sulltani që t’i jepte Shqipërisë vetëqeverisjen, të vinte në krye të saj një princ të pavarur dhe ajo të kishte të drejtë t’i mbante vetë të ardhurat nga viset shqiptare, duke i dhënë një pjesë Stambollit. Edhe atdhetarët dibranë kërkuan, në nëntor të vitit 1896, që të formohej një vilajet i bashkuar shqiptar, i cili do të përbënte bërthamën e shtetit autonom kombëtar.

    Në kushtet kur Porta e Lartë kundërshtonte çdo reformë, që mund të cenonte sundimin e saj në Shqipëri e në Ballkan, ndërsa Fuqitë e Mëdha këmbëngulnin për ruajtjen e status quo-së së Perandorisë Osmane, kërkesa e autonomisë së Shqipërisë, që u parashtrua nga përfaqësuesit e popullsisë shqiptare brenda vendit dhe nga kolonitë shqiptare të mërgimit, si edhe përpjekjet për të formuar një lidhje të re nuk dhanë rezultat.

Faqja 3 prej 6 FillimFillim 12345 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  2. Biblioteka kombëtare në 80-vjetor
    Nga Eni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 07-01-2003, 09:32

Ruaj Lidhjet

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •