Close
Faqja 7 prej 12 FillimFillim ... 56789 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 61 deri 70 prej 116
  1. #61
    Burr' i dheut, shkruar më 1907. Ajo u pasua nga komedia origjinale në një akt Pas vdekjes, shkruar më 1910 dhe botuar, ashtu si dhe tragjedia, më 1937 nga Sofokli Çapi. Një tjetër dramë në vargje, që mbeti e pabotuar sa qe gjallë, është një komedi në katër akte Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër. Po të gjykojmë sipas kritereve bashkëkohore, asnjëra nga këto pjesë dramatike, të shkruara kur dramaturgjia shqiptare ishte në shpërgenj, nuk të ngjall frymëzim. Pjesa teatrale Detyra ka humbur, sikundër ka humbur edhe përmbledhja poetike e Çajupit Kenge dhé vomé, vargje të Luftës së Parë Botërore. Ndër krijimet më minore të këtij autori janë dy tregime të shkurtra të shkruara frëngjisht, një pamflet për 'Klubin e Selanikut' të botuar më 1909 në të përmuajshmen e Jani Vruhos në Kajro Rrufeja, dhe një letërkëmbim me Visar Dodanin, Jani Vruhon dhe Asdrenin. Çajupi s'ishte aspak poet modern. 'Weltanschauung'-u i tij ishte i lidhur me luftën e lëvizjes kombëtare dhe me kulturën e Rilindjes. Njëkohësisht, nëse krahasojmë vargun e tij me atë të Naim Frashërit, do të vëmë re një evoluim të qartë. Ky hap përpara drejt një kulture sovrane për një komb sovran bëhet edhe më i dukshëm në veprat e bashkëkohësit të tij nga Shqipëria e veriut, Ndre Mjeda prej Shkodre, i cili do të ushtronte një ndikim shumë më të gjerë në kulturën shqiptare të fillimit të shekullit të njëzetë.

    Sikundër Çajupi, poeti klasik Ndre Mjeda (89) (1866-1937) është një urë që lidh kulturën e Rilindjes të periudhës së fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë me krijimtarinë letrare dinamike të periudhës së pavarësisë. Mjeda ka lindur më 20 nëntor 1866 në Shkodër dhe, ashtu si shumë shkrimtarë të tjerë gegë të kësaj kohe, shkollimin e mori nga jezuitët. Në edukimin e tij patën ndikim shkrimtari jezuit Anton Xanoni (1863-1915) dhe poeti françeskan Leonardo De Martino (1830-1923). Shoqata e Jezuit e dërgoi djaloshin Mjeda jashtë për studime e specializime. Në fillim ndenji tre muaj në pranverë 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien afër Lavalit në perëndim të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian të Porta Coeli-t në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi për letërsi. Më 1883 e gjejmë në Kroaci, ku studion retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin dalmat. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në një kolegj që drejtohej atje nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti.

    Në këto vite Ndre Mjeda filloi të shkruajë poezi shqip, ndër to edhe vjershën melankolike mjaft të lexuar Vaji i bylbylit, botuar më 1887 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha Vorri i Skanderbegut. Tema e shqiptarit në mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga pena e tij u kushtohen temave të tilla kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij Leonardo De Martino, poetit katolik shkodran, përmbledhja poetike e të cilit e përpunuar bukur me 442 faqe e në dy gjuhë L'Arpa di un italo-albanese (Harpa e një italo-shqiptari) kishte dalë në Venedik më 1881. Po aq ndihet në vargun e Mjedës edhe ndikimi i poetëve bashkëkohës të Italisë: atdhetarit Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907), medituesit Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli, 1855-1912), të ndjeshmit Gabriele D'Anuncio (Gabriele D'Annunzio, 1863-1938) si dhe i letërsisë latine të lashtësisë klasike.

    Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin Marko Xhirolamo Vida (Marco Girolamo Vida) në Kremona buzë lumit Po, qytet i kompozitorit Klaudio Monteverdi (1568-1645) dhe i Antonio Stradivarit (1644-1737). Atje, dhe në Soresina, ai vazhdoi të shkruajë poezi e njëkohësisht iu përkushtua përkthimit të letërsisë fetare. Më 1888 Propaganda Fide në Romë

    __________________________________________________ _________________

    89 kr. Gradilone 1960, f. 162-206, Shuteriqi 1963b, M. Gurakuqi 1980, Idrizi 1980, Qosja, Historia, vëll. 3 (1986), f. 427-510, dhe Quku 1990.
    __________________________________________________ _________________

    botoi librin e tij Jeta e sceitit sc' Gnon Berchmans (Jeta e Shën Gjon Berhmansit), për një shenjtor jezuit nga Brabanti (1599-1621), kurse më 1892 T' perghjamit e Zojs Bekume (Përngjasim i Zojës së Bekueme), përkthyer nga spanishtja. Më pas ai do të botonte një përkthim nga Katekizmi i madh në tre vëllime, Historia e shejtë, dhe një jetëshkrim të Shën Alojsius nga Gonzaga (1568-1591).

    Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit në Poloninë katolike. Atje u njoh me veprat filologjike të albanologëve Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900) dhe Holger Pedersen (1867-1953). Vjersha e Mjedës Gjûha shqype, e shkruar në dhjetor 1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer, vepra monumentale e të cilit Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe) kishte qenë botuar një vit më parë në Strasburg. Veprat e Majerit dhe Pedersenit zgjuan te Mjeda interesimin për historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që do të vazhdonte edhe në vitet e mëvonëshme dhe do të kthehej në një ndihmesë për vetë problemin e alfabetit, nëpërmjet punës së tij me tekstet shkollore dhe studimet për autorët e vjetër katolikë Pjetër Budi (1566-1622) dhe Pjetër Bogdani (rr. 1630-1689). Më 1893 poetin e gjejmë në Goricia buzë kufirit italo-slloven, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Thuhet se më 1898, në gjirin e jezuitëve të Kraljevicës shpërtheu një konflikt, me sa duket për lidhjet e tyre me Austro-Hungarinë dhe me Vatikanin. Hollësitë e skandalit nuk njihen me saktësi, por dihet se Ndre Mjeda u përfshi njëfarësoj në këtë konflikt dhe menjëherë u përjashtua apo dha dorëheqjen atë vit nga Urdhri Jezuit.

    Më 1899, me ndihmën e të vëllait Lazër Mjeda, peshkop i Sapës që më 1896 e më pas kryepeshkop i Prizrenit e kryepeshkop i Shkodrës, e sidomos me ndihmën e Preng Doçit (1846-1917), abati me influencë i Mirditës dhe vetë poet i lëvizjes kombëtare, Ndre Mjeda u emërua mësues në Vig, në krahinën malore të Mirditës. Gjithashtu mori pjesë në fillim në veprimtarinë e shoqërisë letrare Bashkimi, që ishte themeluar atë vit në Shkodër me mbështetjen austro- hungareze nga Preng Doçi, Ndoc Nikaj dhe Gjergj Fishta. Më 1901, për shkak të pikëpamjeve të ndryshme lidhur me alfabetin, Ndre dhe Lazër Mjeda themeluan një organizatë tjetër, shoqatën letrare Agimi, e cila gjithashtu propagandonte përdorimin e shqipes në tekste shkollore e letërsi, e që ishte për një sistem shkronjash me kroatishten si model. Me këtë alfabet Ndre Mjeda dhe Anton Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, ndër to Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë, i cili përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga Mjeda. Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve, ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e palataleve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe). Interesimi i zjarrtë i Mjedës për çështjen e alfabetit të shqipes bëri që ai, pavarësisht nga problemet me autoritetet osmane, të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908, ku alfabeti i tij Agimi humbi para atij Bashkimi të Gjergj Fishtës. Mjeda ishte anëtar i Komisisë Letrare të ngritur në Shkodër më 1 shtator 1916 nën administratën austro-hungareze, kurse nga 1920 deri më 1924 ishte deputet në parlament. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit të Fan Nolit dhe vendosjes përfundimtare të diktaturës së Zogut në fund të vitit 1924, ai u tërhoq nga politika dhe punoi më pas si famullitar në Kukël, një fshat midis Shkodrës dhe Shëngjinit. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht 1937.

    Poezia e Mjedës, sidomos përmbledhja e tij Juvenilia, Vjenë 1917, shquhet për stilin klasik dhe pastërtinë e gjuhës. Ndoshta nuk është rastësi që titulli i kësaj vepre më të shquar të Mjedës është po ai i vëllimit poetik të Xhozue Karduçit Iuvenilia i botuar pothuajse një gjysëm shekulli më parë. Juvenilia e Mjedës përfshin jo vetëm poezi origjinale, por edhe përshtatje nga poezia e huaj - nga Tomaso Grosi (Tommaso Grossi, 1790-1853), Xhuzepe Kaparoco (Giuseppe Capparozzo, 1802-1848), Çarls Vulf (Charles Wolfe, 1791-1823) dhe nga Johan Volfgang fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832). Një cikël i dytë poezish i nisur nga Mjeda do t'u kushtohej qyteteve të lashta të Ilirisë: Lissus (Lezha), Scodra (Shkodra), Dyrrachium (Durrësi) dhe Apollonia (Pojani). Por vetëm dy pjesët e para të këtij cikli mundën të shohin dritën e botimit. Lissus, e përbërë prej dymbëdhjetë sonetesh, doli në maj 1921 në të përmuajshmen françeskane Hylli i Dritës, kurse Scodra u botua pas vdekjes së autorit më 1939.

    Po nga kjo periudhë e jetës së tij është cikli Lirija i përbërë prej gjashtë sonetesh, si dhe oda e shkëlqyer Shqypes arbnore, e botuar së pari nga Fulvio Kordinjano S.J. (Fulvio Cordignano, 1887-1952) më 1931, e cila fillon me këto vargje:


    "Nalt përmbi re, mbi qeta
    Shndritsa për bor' amshore,
    Porsi 'j vetimë, si zhgjeta,
    Me flatra fishkullore
    Sielle ndër thepa e shita,
    Shqype, t'aguemit drita.

    T' kaltërt e qiellës mbi krye,
    Hyjzit ke shokë, që shndrisin
    Si gur t' paçmuem, e ty
    Petkun t' nusisë t' qëndisin
    O e bardha natë, ku dijen
    Shprazi nji Zot, e shijen.

    Qeti mbretnia yte,
    Shqype, pengim liria;
    E npër hapsina t' tyte
    E hyjve harmonia
    T'argton e t' dalmen hana
    Ndihet përmallshën zana.

    Por ndër fushore t'veja
    N'vrrije ku rrinë zogjt' t'tu,
    Me bumullina rrfeja
    Shkrepet përmnerë tu' ushtue
    E tine n'ato maje
    Nuk ndien ushtim' as vaje.

    Oh, zbrit ndër ne, mbretnore
    Shqype, edhe 'j herë, si zbrite
    Kur përmbi ball' madhnore,
    T'madhit Kastriot i shndrite,
    E u trand gjith' bota unji.
    Prej vringllit t'shpatës s'tij."



    Edhe pse nuk mbulon ndonjë gamë të gjerë tematike, poezia e Mjedës dëshmon një gjuhë mjaft të përpunuar nën ndikimin e klasikëve italianë të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe, përgjithësisht një nivel të lartë përsosmërie metrike. Sikundër Andon Zako Çajupi, ai ngre një urë kalimi midis letërsisë së Rilindjes dhe asaj të periudhës së pavarësisë, por, po ashtu si Çajupi, mbetet i ngulur fort në fillimet e këtij kalimi.

  2. #62
    Në dhjetëvjeçarët e parë të pavarësisë kombëtare Naim Frashëri vazhdoi të ishte burim i madh frymëzimi dhe pishtar për shumë poetë dhe intelektualë shqiptarë. Ndikimi i tij është veçanërisht i dukshëm në veprat e para të bashkatdhetarit të tij toskë Asdreni (90) (1872-1947), pseudonim i Aleks Stavre Drenovës, i cili është njëherazi i pari poet i periudhës kalimtare që mund ta vendosim, si të thuash në anën tjetër të urës. Sikundër Naimi, Asdreni jetoi pak në Shqipëri dhe qe po aq i flaktë për vetëdijen kombëtare. Asdreni ka lindur më 11 prill 1872 në fshatin Drenovë, rreth pesë kilometra larg Korçës. Në fshatin e lindjes ndoqi shkollën fillore në gjuhën greke dhe sapo kishte nisur gjimnazin në Korçë kur i ati i vé Stavri Thimiu vdiq dhe e la Aleksin trembëdhjetëvjeçar jetim.

    Gjatë gjithë shekullit të nëntëmbëdhjetë krahina e Korçës kishte qenë burim kryesor i emigracionit shqiptar. Tërmeti i fuqishëm që goditi këtë qytet më 1879 vetëm sa e shtoi dëshpërimin, pra edhe vargun e kurbetlinjve punëtorë e fshatarë që linin vendlindjen për të kërkuar punë dhe jetë më të mirë gjetiu. Një numër i madh nga këta kurbetlinj shqiptarë u vendosën në Egjipt, disa vajtën në Bullgari dhe shumë të tjerë më vonë në Shtetet e Bashkuara, por synimi i parë i emigracionit nga Shqipëria juglindore në shekullin e nëntëmbëdhjetë ishte Rumania, ku kishte lindur një koloni shqiptare e gjallë (91). Në vjeshtë të vitit 1885, Aleksi trembëdhjetëvjeçar mbërriti në Bukuresht me të dy vëllezërit më të mëdhenj. Pikërisht këtu, në koloninë shqiptare mjaft të gjallë nga ana kulturore, ai erdhi në kontakt me idetë dhe idealet e lëvizjes kombëtare në mërgim. Në verë 1881 Jani Vretoja (1820-1900) kishte ardhur nga Konstantinopoja në Bukuresht për të themeluar degën e Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip dhe ngriti të parën shtypshkronjë në gjuhën shqipe, që nisi të botojë libra më 1886. Po në kryeqytetin rumun, pishtari i lëvizjes kombëtare, Naim Frashëri, botoi për herë të parë ato vepra letrare që do të përcaktonin rrugën e mëtejshme të letërsisë shqiptare të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë: Bagëti e Bujqësija, Bukuresht 1886, Luletë e verësë, Bukuresht 1890, dhe Istori' e Skenderbeut, Bukuresht 1898. Më 15 maj 1887, në qytetin Braila buzë Danubit të poshtëm, doli numri i parë i së përjavshmes Drita, për t'u ndjekur vitin tjetër nga organi me katër faqe Shqipëtari/Albanezul, i botuar në Bukuresht nga shoqëria Drita. Botuesi i saj, Nikolla Naço (1843-1913) nga Korça, që ishte si të thuash tutor i Asdrenit, do të themelonte më pas një institut kulturor shqiptaro-rumun për përgatitjen e mësuesve shqiptarë. Bukureshti ishte përgjigjësisht vend i përshtatshëm për veprimtarët kombëtarë shqiptarë të kohës. Kurse Asdreni i ri, me gjithë skamjen dhe vështirësitë e fillimit, bëri përpara në këtë qytet, më kozmopoliti i Ballkanit, 'Parisi i Lindjes'.

    Asdreni në fillim punoi si qymyrxhi e çirak, kurse më pas ndoqi studimet në mënyrë private dhe, për një kohë të shkurtër, pranë Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Bukureshtit. Në janar 1899, qe ndër themeluesit e Qarkut të studentëvet shqiptarë, i cili në mars 1902 u shndërrua në shoqëri me emrin Shpresa, e themeluar nga Asdreni dhe nga shoku i tij shkrimtar Kristo Anastas Dako (1878-1941). Në verë të vitit 1899, në moshën njëzet e shtatë vjeç, poeti u kthye në Korçë duke kaluar nga Stambolli për ta vizituar vendlindjen për herë të parë si i rritur. Pasi ndenji pesë muaj mes asaj atmosfere fshatare të fëminisë, u kthye në Bukuresht. Tani e dinte fare mirë se vendin e kishte në Rumani. Më 1905 Asdreni ishte mësues në një shkollë shqipe në portin e Konstancës, kurse një vit më vonë u bë kryetar i degës së re të Bukureshtit të shoqërisë Dija, e cila qe themeluar së pari në Vjenë. I entuziazmuar nga krijimi i shtetit të pavarur shqiptar, ai zbriti në Durrës buzë Adriatikut në pranverën e vitit 1914 për të përshëndetur kryetarin e sapocaktuar të shtetit, princin Vilhelm Vid, nga i cili shpresonte të emërohej si arkivist në administratën e re mbretërore. Por u duk menjëherë se nuk kishte ç'të

    __________________________________________________ _________________

    90 Për një studim të shkëlqyer të Asdrenit, shih Qosja 1972.

    91 Për kolonitë shqiptare në Rumani e Bullgari, kr. Dërmaku 1987.
    __________________________________________________ _________________

    qeverisej e nuk kishte nevojë për shërbime të atilla. Pas një vizite të shkurtër në Shkodër, Asdreni u kthye në Bukuresht në korrik 1914, ndërkohë që Evropa përgatitej për luftë. Në vitet më pas Asdreni vazhdoi të marrë pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare shqiptare. Sidoqoftë, e pa të udhës të qëndrojë në Rumani, si sekretar i konsullatës shqiptare, e cila u hap atje në mars 1922. Bëri një vizitë tjetër në Shqipëri në nëntor 1937 me rastin e njëzet e pesë vjetorit të pavarësisë, me shpresë se pas kaq vjetësh shërbimi ndaj shtetit shqiptar do të merrte pension shtetëror. Ndenji ca kohë në Tiranë dhe pastaj bëri një vizitë në Shkodër, ku takoi Gjergj Fishtën në shkurt 1938.

    Asdreni në fillim përshëndeti pushtimin e Shqipërisë nga Italia në pashkët e vitit 1939 dhe shkroi Credere, obedire, combatere, por rrëmuja e shkaktuar nga pushtimi dhe lufta ia bëri fare të qartë dhe me dhimbje se shpresat për pension qenë të kota. Prandaj u kthye përsëri në Bukuresht në korrik të vitit 1939, ndërkohë që Evropa po përgatitej përsëri për luftë. Vdiq në skamje më 11 dhjetor të vitit 1947, në moshën shtatëdhjetepesëvjeçare. Asdreni kishte nisur të shkruajë poezi e të botojë artikuj në shtypin vendor që në fillim të shekullit të njëzetë. Më 1904 botoi përmbledhjen e tij të parë me nëntëdhjetenëntë vjersha, Rézé djélli, Bukuresht 1904, të cilën ia kushtoi heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut. Ky vëllim u prit mirë nga lexuesit shqiptarë e nga kritika e kohës dhe e vuri emrin e Asdrenit në krye të vendit si poet shqiptar katër vjet pas vdekjes së Naim Frashërit dhe një vit pas vdekjes së Jeronim De Radës. Temat ishin tipike rilindëse: malli për atdheun e largët dhe thirrje popullit të tij për t'u bashkuar e për t'u ngritur kundër pushtuesve turq. Ndërkaq gjejmë edhe vargje të holla për bukuritë e natyrës si dhe disa lirika filozofike në stilin e Naim Frashërit. Asdreni kishte bindje të patundur se poezia lypset të ndihmojë për fuqizimin e vetëdijes kombëtare e për t'i provuar botës se gjuha shqipe ishte gjallë. Me gjithë se u pëlqye nga të gjithë për patosin kombëtar që shprehte, vlera artistike e poezisë së Asdrenit në këtë periudhë të hershme qe e kufizuar, si në pikëpamje të formës së shprehjes ashtu dhe në pikëpamje të thellësisë së mendimit. Ajo mbeti poezi e bukur emocionuese për antologji shkollore.

    Vëllimi i dytë i Asdrenit Endra e lote, Bukuresht 1912, i botuar tetë vjet më pas, shfaq një pjekuri më të madhe. Kjo përmbledhje, po me nëntëdhjetë e nëntë vjersha si e para, ndahet në tre cikle: atdheu, natyra, mendimi dhe bukuria, dhe i kushtohet udhëtares dhe mikes së Shqipërisë Edith Durham (1863-1944). Me një gamë më të gjerë temash e motivesh e me një mjeshtëri gjuhe më të lartë, Asdreni dëshmoi me këtë se poezia e tij nuk ishte thjesht propagandë atdhetare. Nën ndikimin e poetëve bashkëkohës rumunë, vendin e thirrjeve shpesh të cekëta me frymë romantike kombëtare tani po e zinte kulti universal i bukurisë, gjë që ndihmoi për ta ngritur letërsinë shqiptare në një nivel artistik më të lartë, që i shkonte më shumë kulturës së një vendi evropian. Rritja e mjeshtërisë në formë, stil e teknikë dhe zgjerimi i gamës ideore e tematike bie në sy edhe më shumë në vëllimin e tretë poetik të Asdrenit Psallme murgu, Bukuresht 1930, i botuar tetëmbëdhjetë vjet pas vëllimit Endra e lote. Psallme murgu, e fundit përmbledhje që Asdreni arriti të botojë, shënon kulmin e krijimtarisë së tij poetike. Ndër vjershat më të mira në këtë përmbledhje është Adriatikut e botuar së pari në dhjetor 1913, fryt i vizitës së parë të Asdrenit në Durrës.


    "Të pashë, det Adriatik, të pashë,
    Si zanë je prej qiellit i pikuar,
    Plot me margaritarë je trazuar
    Dhe gjiri i yt plot hire si një vashë.

    Më gjunj si perëndeshe ty të rashë
    Për hijet, bukurin' e patreguar,
    Prej gazit madh që ndjeva, pa duruar
    Me lot për faqe shkova dhe të lashë.

    Si ar i derdhur dritët të shkreptijnë,
    Pallate prrallash çfaqen plot magjie
    Tek valle vajza dredhin mbi lendinë.

    Të rinj për dorë, tek po ven' e vinjë,
    Kujtime t'ëmbla, botë lumërie:
    M'u duk se pashë vetë Perëndinë!"


    Së bashku me dy përmbledhje të përkryera të Lasgush Poradecit (1899-1987), botuar në Rumani më 1933 dhe 1937, dhe me vëllimin e hollë Vargjet e lira, 1936, nga Migjeni i ri (1911-1938), Psallme murgu shënon kthesë në letërsinë shqiptare. Në truallin më fort shkëmbor të letërsisë shqiptare po hidhte rrënjë edhe fryma e modernizmit. Në horizontin e largët ishte shfaqur periudha bashkëkohore. Në vitet e fundit të jetës, në skamje e brengë, shtatëdhjetëvjeçari Asdren përgatiti një përmbledhje të katërt me vjersha, Kambana e Krujës, por nuk arriti ta shohë të botuar. Në këtë vëllim elementi universal vjen më i zbehtë, kurse patosi kombëtar vjen e bëhet përsëri mbizotërues, siç kishte qenë në veprën e tij të parë, por tani në dëm si të gamës tematike ashtu edhe të nivelit të përgjithshëm artistik. Për t'i dalë më krah poetit të moshuar, duhet thënë se Asdreni ka gjasa të mos i ketë dhënë dorën e fundit shumicës së vjershave të kësaj përmbledhjeje, e cila u botua së pari nga Rexhep Qosja më 1971. Mungesa e freskisë dhe e spontaneitetit ka të ngjarë të jetë edhe pasqyrë e moshës.

    Sikundër është menduar, Asdreni është ndikuar mjaft nga Naim Frashëri dhe kultura e Rilindjes, sidomos në përmbledhjen e tij të parë Rézé djélli. Megjithatë, periudha e tij e pjekurisë vjen në harmoni më të plotë me veprat e paraardhësve dhe bashkëkohësve të tij rumunë. Duke jetuar në pjesën më të madhe të kohës në Bukuresht, Asdreni u ndikua thellë nga rrymat e letërsisë rumune, të cilat gjatë gjithë shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në dekadat e para të shekullit të njëzetë shfaqën një nivel më të lartë zhvillimi e mjeshtërie sesa shkrimet letrare shqiptare. Edhe Lasgush Poradeci rrugën drejt frymës moderne e gjeti në truallin rumun (92). Në poezitë e hershme të Asdrenit spikatin dukshëm elemente të një romantizmi kombëtar të ndikuara nga lirikat patriotike të poetit dhe dramaturgut rumun Vasile Aleksandri (Vasile Alecsandri, 1821-1890). Kënga e bashkimit në vëllimin Endra e lote është madje dukshëm përshtatje e poezisë Hora unirii të Aleksandrit, 1857 (Vallja e bashkimit). Poeti kombëtar rumun Mihai Eminesku (Mihai Eminescu, 1850-1889) natyrisht luajti një rol të madh në veprat e Asdrenit, sikundër në ato të Lasgush Poradecit, jo vetëm me idealizmin e tij panteist, por edhe me elementet konkrete të fjalorit poetik. Shprehja e angazhimit të fortë social e politik të Asdrenit pasqyrohet në poezinë e George Koshbukut (Gheorghe CoÕbuc, 1866-1918), poet i fshatarësisë rumune, poezia e fuqishme e të cilit Noi vrem p|mînt, 1894 (Ne duam tokë), gjen refleks në vjershën e Asdrenit Zëri i kryengritësvet të vitit 1912. Ndikimi i Aleksandru Maçedonskit (Alexandru Macedonski, 1854-1920), babai i simbolizmit rumun, dhe i të guximshmit Tudor Argezi (Tudor Arghezi, 1880-1967) është më i dukshëm në përmbledhjen e tretë të Asdrenit Psallme murgu. Tre vjet para daljes së këtij libri, ish murgu Argezi kishte botuar lirikat e tij mjeshtërore Psalmul de tain| 1927 (Psallmet e fshehtësisë) dhe ishte vënë nën zjarrin e polemikave letrare që zienin në Rumani asokohe. Shkrimtarët shqiptarë të Bukureshtit, në ballë të të cilëve qenë Asdreni, Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli (1907-

    __________________________________________________ _________________

    92 Për lidhjet letrare shqiptaro-rumune kr. Bala 1965 dhe Qosja 1972, f. 262-268.
    __________________________________________________ _________________

    1966) nuk mund të mos ndikoheshin nga një kulturë më kozmopolite siç ishte kultura rumune e kohës. Përgjithësisht, Asdreni nuk ishte ndër ata që mund të quheshin poetë modernë, si Lasgush Poradeci apo Migjeni, as nuk ishte sublim e vërtet poet i madh si Gjergj Fishta, por roli që luajti ishte me të vërtetë vendimtar në vënien e poezisë shqiptare në rrugën drejt modernitetit. Përmbledhja e tij Psallme murgu me përsosmërinë e vet klasike ende konsiderohet si një nga vëllimet më të mira poetike shqiptare të botuar në këtë shekull.

  3. #63
    10.3 Faik bej Konica, Fan Noli dhe të tjerë me banim në Amerikë




    Në vitet e para të shekullit të njëzetë emigrimi në shkallë të gjerë i shqiptarëve kishte zbuluar një destinacion tjetër përveç Egjiptit dhe Rumanisë: Amerikën e Veriut. Është e vështirë të datohet se kur zbritën shqiptarët e parë në Amerikë, përderisa kombësia e tyre atëherë nuk njihej. Kur mbërrinin atje, ata regjistroheshin si qytetarë të Perandorisë Osmane, d.m.th. turq, ose shqiptarët ortodoksë të jugut si grekë. Në fakt, shumica e mërgimtarëve shqiptarë vërtet ishin të krishterë ortodoksë nga jugu, sidomos nga krahina e Korçës, të cilët merrnin rrugën e mundimshme në fillim me tokë drejt Selanikut, Pireut apo Stambollit e pastaj me anije për në Nju Jork dhe Boston. Ndryshe nga grupet e tjera etnike, vala e parë e mërgimtarëve shqiptarë nuk kishin ndër mend aspak të qëndronin në Amerikë. Me gratë dhe fëmijët në vendlindje, ata shpresonin thjesht të gjenin punë për njëfarë kohe sa për të ushqyer e mbajtur familjet në shtëpi e pastaj të ktheheshin një ditë në Shqipërinë e lirë.

    Mërgimtarët më të parë shqiptarë, shumica e të cilëve kishin zbritur në Nju Jork, i tërhoqi rajoni Nju England (New England). Përveç zonës së Bostonit, ngulime shqiptare për t'u përmendur në këtë periudhë ishin ato në Uuster (Worcester), Natik (Natick) dhe Sauthbrixh (Southbridge) në Masaçusets; Brixhport (Bridgeport), Uoterberi (Waterbury) dhe Hartford (Hartford) në Konetikët; Poutakit (Pawtucket) në Roud Ajlend; Mançester (Manchester) dhe Konkord (Concord) në Nju Hemshër, dhe Bideford-Sako (Biddeford-Saco) në Mein. Mërgimtarë të tjerë u ngulën natyrisht në Nju Jork (sidomos në Bronks), Xhejmstaun (Jamestown) dhe Roçester (Rochester) të shtetit Nju Jork, në Filadelfi (Philadelphia) dhe Pitsburg (Pittsburgh) të Pensilvanisë, si dhe deri në Detroit, Çikago dhe Sejnt Luis (Saint Louis). Sa kohë që nuk e quanin veten banorë të përhershëm, shqiptarët nuk kishin ndonjë arsye të veçantë për të shkuar nga perëndimi, e si rezultat harta e ngulimeve të tyre në Shtetet e Bashkuara sot është në thelb po ajo që ishte në fillim të shekullit (93).

    Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në nëntor 1912 e sidomos pas vitit 1920, mendohet se rreth 10000 shqiptaro-amerikanë u kthyen në atdhe për të ndihmuar në ndërtimin e një vendi të ri. Me ndihmën amerikane u ngrit administrata shtetërore dhe u hapën shkolla, si Shkolla Teknike Amerikane në Tiranë, Shkolla shqiptaro-amerikane bujqësore dhe ekonomike në Kavajë si dhe Instituti Kyrias ose Qiriazi për vajza në Tiranë. Por, për fshatarin e zakonshëm shqiptar, pavarësia nuk solli ndonjë përmirësim të madh as në nivelin e jetesës e as në liritë politike, e si pasojë mërgimi vazhdoi pa ndërprerje deri në Luftën e Dytë Botërore. Mërgimtarët e kësaj vale të dytë, përsëri shumica nga jugu, veçse tani më shumë myslimanë, morën familjet me vete kësaj radhe me synimin për t'u ngulur atje njëherë e përgjithmonë. Sot numri i shqiptaro-amerikanëve vlerësohet nga 70000 deri në 220000.

    __________________________________________________ _________________

    93 Për historinë e bashkësisë shqiptare në Amerikë, kr. The Albanian Struggle... 1939, Demo 1960, Noli 1960, Pipa & Prifti 1980 dhe Nagi 1989.
    __________________________________________________ _________________

    Shoqëritë dhe institucionet e para kulturore të bashkësisë shqiptaro-amerikane lindën në fillim të shekullit të njëzetë. Ndër to qenë shoqata Malli i mëmëdheut në Buffalo, Nju Jork, (1906) e themeluar nga Petro Nini Luarasi (1865-1911), Koha e lirisë në Nju Jork (1906), Besa- Besën në Boston (1907), Lidhja në Sent Luis (1907), dhe shoqatat Katundi (1908) e Panariti në Boston, këto dy të fundit me emrat e fshatrave nga vinin anëtarët. Më 28 prill 1912, pas disa muaj bisedimesh, këto shoqata u bashkuan për të formuar Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra, me seli në Boston. Me degët e veta në të gjithë vendin federata Vatra shpejt erdhi e u vu, si grup politik lobist, në shërbim të pavarësisë së Shqipërisë e më pas si zë i interesave të Shqipërisë jashtë saj. Ajo ushtroi mjaft ndikim edhe brenda vetë Shqipërisë. Gazeta e parë në gjuhën shqipe Kombi ishte themeluar në Boston më 15 qershor 1906. Kjo e përjavshme, e drejtuar nga Sotir Peci (1873-1932), jetoi tre vjet dhe u zëvendësua më 1909 nga Dielli i Bostonit, i themeluar nga shoqëria Besa-Besën, një organ që nga 2 mai 1912 erdhi "nën kontrollin moral të Federatës së Shqiptarëve të Amerikës Vatra". Ndër figurat kryesore që dhanë ndihmesë për të forcuar bashkësinë e shqiptarëve në Amerikën e Veriut në ato vite të para ishin Faik bej Konica (1875-1942), Fan Noli (1882-1965), Sotir Peci (1873-1932), Kristo A. Dako (1878-1941) dhe Kostantin A. Çekrezi (1892-1959).

    Nga të gjithë shkrimtarët dhe publicistët shqiptarë në zgrip të shekullit më i shquar ka qenë sigurisht Faik bej Konica (94) (1875-1942). Ai lindi në prill 1875 në qytetin e vogël Konica në malet e Pindit, jo larg nga kufiri shqiptar i tanishëm. Pasi kreu shkollën fillore turqishte në vendlindje, ai studioi në Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës, edhe pse vinte nga nga familje myslimane. Atje mori jo vetëm shkollim në gjuhën shqipe, por edhe kontaktin e parë me kulturën e Evropës qendrore e me idetë Perëndimore. Prej andej vajti dhe ndoqi shkollën e mesme perandorake të Gallatës në gjuhën frënge, në Stamboll. Më 1890, pesëmbëdhjetë vjeç, u dërgua për studime në Francë ku bëri shtatë vjet. Pasi ndoqi në fillim shkollat e mesme në Lisjë (Lisieux, 1890) dhe Karkason (Carcassonne, 1892), u regjistrua në Universitetin e Dizhonit, të cilin e kreu më 1895 për filologji romane. Pastaj vajti në Paris, ku për dy vjet studioi frëngjishten mesjetare, latinishten dhe greqishten në Collège de France. Studimet i përfundoi në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara, ndonëse pak gjëra dihen për këtë periudhë të jetës së tij. Nga shkollimi jashtëzakonisht i larmishëm që mori, ai qe në gjendje të fliste e të shkruante rrjedhshëm shqipen, italishten, frëngjishten, gjermanishten, anglishten dhe turqishten. Qëndrimi në Francë, vend me tradita liberale demokratike të hershme, do të kishte një ndikim të thellë mbi Konicën, i cili arriti të përvetësojë e t'i bëjë të vetat modelet e mendimit Perëndimor si asnjë intelektual shqiptar para tij. Djaloshit Konica i la mbresa të thella sidomos liria e pakufizuar e shtypit frëng në vitet e debatit të hapur e të ashpër për çështjen Drefys (Alfred Dreyfus, 1859-1935). Pikërisht në këto vite atij iu ngjall interesi për gjuhën amtare e për historinë e letërsinë e vendit të vet dhe nisi të shkruajë artikuj për Shqipërinë në një gazetë franceze. Më 1897 u shpërngul në Bruksel, ku në moshën njëzetedyvjeçare më 25 mars 1897 botoi numrin e parë të organit Albania, i cili pas pak do të bëhej organi më i rëndësishëm i shtypit shqiptar në zgrip të shekullit. Më 1902 u shpërngul në Londër dhe vazhdoi ta botojë atje revistën deri më 1909. Në Londër u miqësua me poetin dhe kritikun francez Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire, 1880-1918). Në vjeshtë të vitit 1909 Faik Konica mërgoi në Shtetet e Bashkuara. Ndalesa e parë qe Bostoni, ku së bashku me Fan Nolin, më 1909 themeloi gazetën Dielli, dhe më tej u bë botuesi i saj. Dielli qe organ i Federatës së rëndësishme panshqiptare Vatra të Bostonit, sekretar i përgjithshëm i së cilës Konica u bë më 1912. Ai nxori gjithashtu një organ tjetër jetëshkurtër, të përdyjavshmen Trumbeta e Krujës në Sent Luis, Misuri, që doli vetëm në tre numra më 1911. Më 1912 vajti në Londër në emër të federatës Vatra për të

    __________________________________________________ _________________

    94kr. Petrotta 1932, f. 302-309, Koliqi 1967, Ressuli 1987, f. 65-81, Hamiti 1991, Karjagdiu 1993, Kastrati 1995, Pirraku 1995, dhe Z. Rrahmani 1996.
    __________________________________________________ _________________

    mbrojtur interesat e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve. Kjo konferencë e mbajtur në vjeshtë të atij viti, do të merrte në shqyrtim çështjen e njohjes së shtetit të sapolindur shqiptar, i cili kishte shpallur pavarësinë nga Perandoria Osmane më 28 nëntor 1912. Më 17 dhjetor 1912 ambasadorët pranuan të njohin autonominë e Shqipërisë, ndonëse fillimisht ajo të vazhdonte nën suzerenitetin e Sulltanit. Në ditët e para të marsit 1913, Konica pasi ishte grindur me Ismail Qemal bej Vlorën dhe pasi në fillim kishte përkrahur qeverinë e Esad pashë Toptanit (1863-1920), foli para treqind delegatëve në Kongresin Shqiptar të Triestes, të mbledhur për të diskutuar për fatin e vendit gjatë anarkisë politike të shpejtuar nga Luftëra Ballkanike. Ai u zhgënjye nga politika e Austro-Hungarisë, të cilën më parë e kishte mbështetur, kur u bë e qartë se Vjena qe e interesuar vetëm për përcaktimin e kufirit verior të Shqipërisë dhe kur qyteti i tij i lindjes Konica iu dha Greqisë. Në prill 1914 Faik Konica u dërgua nga qeveria e dobët e Esad pashë Toptanit për të përfaqësuar Shqipërinë si konsull i përgjithshëm në Uashington. Por pas pak kohe do të kthehej në Evropë dhe me fillimin e Luftës së Parë Botërore do të vendosej në Austri (Vjenë, Feldkirh dhe Baden). Këtu, në atë atmosferë të nderë politike të krijuar nga lufta, u përhapën fjalë se spiunonte për Italinë dhe, kështu, u detyrua të lërë perandorinë austro- hungareze në coptim e sipër e të shkonte në Zvicrën asnjanëse. Në Lozanë u takua me Mid'hat e Mehdi Frashërin, kurse më 2 nëntor 1915 botoi atje një traktat me titullin L'Allemagne et l'Albanie (Gjermania dhe Shqipëria), në të cilin i kundërvihej mbështetjes që Gjermania i kishte dhënë një propozimi për ndarjen e Shqipërisë midis grekëve dhe sllavëve. Në mars 1916 e shohim në Sofje me Dervish Himën, kurse në korrik të atij viti përsëri në Baden të Austrisë. Më pas u shtrëngua të ikë nga Austria përsëri, kësaj radhe në Itali për shkak të kritikave të tij kundër politikës së Austrisë dhe Gjermanisë ndaj Shqipërisë e për shkak se për këtë, autoritetet austriake e trajtonin si të dyshimtë. Më 1921, përsëri në Shtetet e Bashkuara, ai u zgjodh kryetar i federatës Vatra të Bostonit dhe rimori drejtimin e gazetës Dielli, ku tani ai mbante rubrikën e tij Shtylla e Konitzës. Në verën e viti 1926, Faik Konica u emërua ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara nga diktatori Ahmet Zogu (1895-1961), detyrë që e mbajti deri në pushtimin e vendit nga Italia në pashkët e vitit 1939. Vdiq në Uashington më 15 dhjetor 1942 dhe u varros në varrezat Forest Hills në Boston (95).

    Faik Konica për fat të keq shkroi pak letërsi të mirëfilltë, por si stilist, kritik, publicist dhe figurë politike, pati një ndikim të fuqishëm në shkrimet dhe kulturën shqiptare të atyre viteve. Me shkrimet e shumta të Albania, e botuar frëngjisht dhe shqip nën pseudonimin Thrank Spirobeg, jo vetëm bëri që kultura dhe çështja shqiptare të njihen në Evropë, por edhe hapi rrugën për zhvillimin e mëtejshëm të prozës letrare në dialektin toskë. Nga një pjesë e mirë e opinionit ajo trajtohet si periodiku më i rëndësishëm shqiptar para Luftës së Dytë Botërore. Nga faqet e këtij organi, botimit të të cilit Faik Konica nuk iu nda për dymbëdhjetë vjet, u bënë të njohur për herë të parë për publikun e gjerë shkrimtarë si Thimi Mitko (1820-1890), Kostandin Kristoforidhi (1830-1895), Andon Zako Çajupi (1866-1930) dhe Gjergj Fishta (1871-1940). Albania (96), e financuar deri diku nga autoritetet austro-hungareze nën kujdesin e Kultusprotektorat-it dhe duke marrë shpeshherë anën austriake, përmbante artikuj dhe informacione për një gamë të gjerë fushash: histori, gjuhë, letërsi, folklor, arkeologji, politikë, ekonomi, fe dhe art, dhe si e tillë ajo përbën një enciklopedi të vogël të kulturës shqiptare të kohës. Konica e çmonte këmbimin e lirë të ideve dhe shtyllat e Albania-s i vuri edhe në dispozicion të rivalëve të vet, të cilëve u kundërvihej duke i thumbuar me zgjuarsi. Në fushën e letërsisë ai kritikonte shpërthimet nacionaliste shpesh vulgare për virtytet e larta të shqiptarëve

    __________________________________________________ _________________

    95 Konica i la amanet Fan Nolit dhe Sejfulla Malëshovës që trupin e tij ta çonin të prehej në Shqipëri. Kjo dëshirë u përmbush vetëm pas shndërrimeve demokratike në Shqipëri.

    96 kr. Schmidt-Neke 1980.
    __________________________________________________ _________________

  4. #64
    dhe bënte thirrje për një qëndrim më realist e më kritik ndaj vendit të vet me të gjitha të metat e tij. I mbrujtur me kulturë perëndimore, ai e ndiente të vështirë të çmonte poetët e hershëm romantikë kombëtarë si Naim Frashëri, idealet dhe shijet e të cilëve kishin mbetur prapa nga koha, dhe për më tepër poezia e tyre, sipas mendimit të tij, ishte e papërpunuar. Me shprehjen e zjarrit patriotik, si mund të krahasoheshin ata me nivelin e lartë letrar e artistik që kishte ndeshur në Francë, me shkrimtarë si Verleni, Bodleri dhe Apolineri? Sarkazma therëse me të cilën ai shprehte intransigjencën e vet kundrejt naivitetit të bashkatdhetarëve e kundrejt shumë tabuve të kulturës dhe historisë shqiptare lëshoi një fllad të freskët në kopshtin e letrave shqiptare. Konica u përpoq për një kulturë më të përpunuar perëndimore në Shqipëri, por ai vlerësonte edhe traditat e vendit. Ai, për shembull, ishte një nga të parët që propagandoi idenë e botimit të teksteve të letërsisë së vjetër shqipe. Në një artikull me titullin Për themelimin e një gjuhës letrarishte shqip, të botuar në numrin e parë të Albania-s, Konica gjithashtu theksonte nevojën e krijimit të një gjuhe letrare të njësuar. Ai sugjeronte zgjidhjen më të kuptueshme, që të dy dialektet kryesore, toskë e gegë, të të shkriheshin e të njësoheshin shkallë-shkallë. Stili i tij i rrjedhshëm, bashkë me atë të Fan Nolit, ndikoi mjaft në përsosjen e prozës në toskërishte, e cila dekada më vonë do të përbënte bazën e gjuhës së sotme letrare. Lidhjet e Konicës me regjimin e Zogut në vitet e mëvonëshme do të sillnin një farë ftohjeje e largimi ndër shumë intelektualë shqiptarë, dhe qe pikërisht kjo rrethanë më fort se gjithçka tjetër që e bëri ndikimin e tij mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare të nënçmohet e të mos përfillet nga kritikët e pasluftës në Tiranë. Komentet dhe polemikat e tij sarkastike në Albania e gjetiu, dhe karakteri zemërak e arrogant i tij shpesh e penguan të bëhej i dashur për këdo (97), por spontaneiteti dhe përsosmëria e prozës së tij pranohen e adhurohen nga të gjithë.

    Megjithatë, duhet thënë se krijimtaria letrare e paktë dhe karakteri i saj fragmentar ishin ato që i bënë shumë bashkatdhetarë të qaheshin e të ankoheshin për të sa ishte gjallë. Përveç një numri të madh artikujsh e të tjerë për çështje të politikës, gjuhës, letërsisë dhe historisë, shumica e të cilëve dolën në Albania e vogël, shtojcë e përdyjavshme e Albania-s, që u botua me radhë në dialektet toskërisht e gegërisht nga 1899 deri më 1903, Konica ka shkruar edhe një vepër tjetër, që mund të quhet roman, ndonëse nuk arriti ta përfundojë. Është vepra satirike Dr. Gjëlpëra zbulon rënjët e dramës së Mamurrasit, ku ai bën disa vrojtime të këndshme therëse për prapambetjen dhe nivelin e ulët të higjienës së bashkatdhetarëve të tij. Prejardhjen Dr. Gjilpëra e ka nga një ngjarje historike. Më 1924 dy turistë amerikanë u vranë pranë fshatit Mamurras, thuhet se nga njerëz të Ahmet Zogut. Përballë një proteste të qeverisë amerikane, qeveria shqiptare, tani nën kryesinë e Fan Nolit, i nxori të pandehurit në gjyq dhe i dënoi me vdekje më 18 dhjetor 1924. Për qeverinë e Nolit, ndërkaq, Konica kishte mendimin se ishte treguar tepër e butë me vetë Zogun. Ai nisi të botojë Dr. Gjëlpëra në disa numra njëri pas tjetrit në gazetën Dielli të Bostonit më 1924. Kur vitin tjetër Konica u pajtua me përfaqësuesit e Zogut, botimi u ndërpre. I vetmi libër i Konicës i botuar në gjuhën shqipe është një përkthim përrallash arabe nga 'Një mijë e një netët', me titullin Nën hien e hurmave, Boston 1924. Në Dielli nga viti 1929 e këndej botoi edhe përshkrimet e tij të udhëtimit nëpër Shqipëri, një seri shkrimesh nën titullin Shqipëria si m'u-duk, në të cilat ai nuk druhet e nuk kursehet të fshikullojë lloj-lloj tipash e karakteresh që kishte ndeshur atje: burokratë, karrieristë, aristokratë të rënë nga vakti etj. Pjesë të zgjedhura nga vepra e tij iu botuan pas vdekjes në anglishte nga Qerim M. Panariti në vëllimin 175-faqesh Albania, the rock garden of south-eastern Europe and other essays, Boston 1957 (Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës juglindore dhe shkrime të tjera).

    __________________________________________________ _________________

    97 Publicisti aristokrat Eqrem bej Vlora (1885-1964) vërente për shembull, "Faik Konica si person nuk durohej dot: zemërak, arrogant, fodull, sarkastik e, për fat të keq, dembel". kr. Vlora 1968, f. 51.
    __________________________________________________ _________________

    Fan Noli (98) (1882-1965), ose Theofan Stilian Noli, nuk ishte vetëm udhëheqës i spikatur i bashkësisë shqiptaro-amerikane, por edhe figurë e shquar dhe e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politikës shqiptare. Noli ka lindur në fshatin Qytezë (turq. Ibrik Tepe), në jug të Edrenesë, në Turqinë Evropiane, më 6 janar 1882. I ati, Stilian Noli, një fetar i shquar dhe psalt në korin e kishës e kish ushqyer të birin me dashuri për muzikën dhe traditën bizantine të kësaj kishe. Fan Noli ndoqi shkollën e mesme greke në Edrene, dhe më 1900, pas një qëndrimi të shkurtër në Stamboll, u vendos në Athinë, ku mundi të gjejë punë të rastit e me pagë të ulët si kopist, sufler apo aktor. Me njërën nga shoqëritë teatrore shetitëse që shkonte nëpër ngulimet greqishtfolëse në Mesdheun lindor Noli mbërriti për herë të parë në Egjipt. Duke e lënë shoqërinë teatrore në Aleksandri, gjeti punë nga marsi 1903 deri në mars 1905 si mësues i greqishtes dhe psalt i korit kishtar në Shibin el Khom, kurse nga marsi 1905 deri në prill 1906 në El Faiyum, ku ishte ngulur një koloni e vogël shqiptare. Këtu ai shkroi një numër artikujsh greqisht dhe përktheu greqisht veprën e Sami Frashërit Shqipëria - Ç'ka qënë, ç'është e ç'do të bëhetë?, të cilat u botuan në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në Egjipt Noli u njoh më tej me traditat e muzikës bizantine me ndihmën e murgut Nilos, dhe aq shumë e tërhoqi ajo, saqë vendosi të bëhej edhe vetë prift ortodoks. Ai gjithashtu erdhi e u lidh me udhëheqës të tillë të bashkësisë shqiptare si Spiro Dine (1846?-1922), Jani Vruho (1863-1931) dhe Athanas Tashko (1863-1915), të cilët e nxitën të emigronte në Amerikë, ku mund të zhvillonte më mirë talentin. Djaloshi Noli pranoi.

    Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, të paguar nga Spiro Dinia, Fan Noli u nis për në Botën e Re duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Pas tre muajsh në Buffalo, ku punoi në një sharrë, Noli vajti në Boston. Atje botuesi Sotir Peci (1873-1932) i dha një punë me pagë minimale si zëvendësredaktor i gazetës së Bostonit Kombi, ku punoi deri në maj 1907 e ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza. Gjatë këtyre muajve të vështirë nga ana financiare, Noli nuk po mësohej dot me Amerikën dhe po mendonte seriozisht të emigronte në Bukuresht. Por pak e nga pak u lidh ngushtë me bashkësinë shqiptare dhe më 6 janar 1907 bashkëthemeloi shoqërinë Besa-Besën në Boston. Në këtë kohë, shqiptarëve ortodoksë të Amerikës po u humbte durimi nga kontrolli grek mbi kishën. Gjendja u bë e nderë dhe arriti kulmin më 1907, kur një prift ortodoks grek nuk pranoi të bëjë meshën në një ceremoni varrimi të një shqiptari në Hudson, Masaçusets, për arsye se i ndjeri, si nacionalist, kishte qenë vetvetiu i shkishëruar. Noli e ndjeu detyrën dhe thirri një mbledhje të shqiptarëve ortodoksë nga mbarë Nju Englandi, ku delegatët morën vendim të themelonin një Kishë Ortodokse Shqiptare Autoqefale, pra autonome, me Nolin si të parë. Më 9 shkurt 1908, në moshën njëzetegjashtë vjeç, Fan Noli u bë dhjak në Bruklin, kurse më 8 mars 1908 Platoni, kryepeshkopi ortodoks rus i Nju Jorkut, e shuguroi prift ortodoks. Vetëm dy javë më pas, më 22 mars 1908, djaloshi Noli mbajti kryelartë liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë, në Sallën 'Knights of Honor' në Boston. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale.

    Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën Dielli, tribunë e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 u nis për në Evropë ku, për katër muaj kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjev, Odesë, Bukuresht dhe Sofje. Bashkë me Faik bej Konicën, i cili erdhi në Shtetet e Bashkuara më 1909, ai themeloi më 28 prill 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës, e cila shumë shpejt do të bëhej organizata më e fuqishme dhe më e rëndësishme e shqiptarëve në Amerikë. Tani, Fan Noli ishte bërë i njohur si udhëheqës i bashkësisë ortodokse shqiptare dhe si shkrimtar e gazetar i afirmuar i lëvizjes kombëtare. Në nëntor 1912 Shqipëria u shpall e pavarur, kurse Noli tridhjetëvjeçar, pasi kishte

    __________________________________________________ _________________

    98 kr. Kuteli 1945, Noli 1960, Bala 1972, Raifi 1975, 1995, Tako 1975, Arapi 1980, Liço 1982, Pipa 1984, Kodra 1989, Puto 1990 dhe Dodona 1996.
    __________________________________________________ _________________

    mbaruar Universitetin e Harvardit, u kthye me ngut në Evropë. Në mars 1913, ndër veprimtari të tjera, ai ndoqi Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik Konica. Në korrik 1913 Fan Noli vizitoi Shqipërinë për herë të parë, dhe këtu më 10 mars 1914, kreu të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në këtë vend, në prani të princit Vilhelm Vid, i cili kishte zbritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro- hungareze. Në gusht 1914 Noli vajti për herë të parë në Vjenë, por meqë retë e zeza të luftës po bëheshin më të dendura, u kthye në maj 1915 në Shtetet e Bashkuara. Nga 21 dhjetori 1915 e deri më 6 korrik 1916 ai qe përsëri kryeredaktor i Diellit të Bostonit, tani gazetë e përditshme. Në korrik 1917 ai u bë përsëri president i Federatës Vatra e cila, përballë gjendjes së rrëmujëshme dhe zbraztësisë politike në Shqipëri, zuri ta shohë veten si njëfarë qeverie shqiptare në mërgim. Në shtator 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në gjuhën angleze The Adriatic Review, e cila u financua nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë e për të propaganduar çështjen e saj. Këtë organ, për gjashtë muajt e parë e redaktoi Noli dhe më pas, më 1919, Kostandin Çekrezi (1892-1959). Me fondet e Vatrës të mbledhura nën drejtimin e Nolit, delegatët shqiptaro-amerikanë u dërguan në Paris, Londër dhe Uashington për të propaganduar për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë. Më 24 mars 1918, Noli u emërua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, kurse në fillim të korrikut të atij viti ndoqi një konferencë të popujve të shtypur në Mount Vernon, Virxhinia, ku u takua me presidentin Vudro Uillson (Woodrow Wilson, 1856-1924), mbrojtës i të drejtave të pakicave në Evropë. Më 27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, në këtë kohë përfundimisht një dioqezë e pavarur. Vitin tjetër, me qenë se figura e tij si udhëheqës politik e fetar i bashkësisë shqiptare, dhe talenti i tij si shkrimtar, orator dhe komentator politik ishte rritur mjaft, ishte shumë në vend që ai të zgjidhej kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Në këtë aktivitet Noli doli fitimtar me pranimin e Shqipërisë më 17 dhjetor 1920. Me të drejtë Noli e shihte pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve si arritjen më të madhe politike të tij. Antarësia në këtë organizatë i dha Shqipërisë për herë të parë njohje ndërkombëtare dhe, po të kthejmë sytë prapa, ishte pa dyshim më e rëndësishme se shpallja e pavarësisë më 1912 nga Ismail Qemal bej Vlora. Në një koment më 23 korrik 1924, gazeta The Manchester Guardian e cilësonte Nolin si "një burrë që në çdo vend do të ishte i shquar. Diplomat i përkryer, specialist për politikën ndërkombëtare, polemist i zoti, që në fillim ai la mbresa të thella në Gjenevë. Ai i rrëzoi të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas me një mënyrë mjeshtërore, por gjithmonë me buzë në gaz. Njeri me kulturë të gjerë, që ka lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglishte dhe frëngjishte". Suksesi i Nolit në Lidhjen e Kombeve e përcaktoi atë një herë e mirë si figurë udhëheqëse në jetën politike shqiptare. Nga Gjeneva u kthye në Shqipëri, dhe nga 1921 deri më 1922 përfaqësoi Federatën Vatra në parlamentin shqiptar. Më 1922 u emërua ministër i jashtëm në qeverinë e Xhafer bej Ypit (1880-1940), por dha dorëheqjen disa muaj më pas. Më 21 nëntor 1923, Noli u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit. Tani ai qe edhe kreu i Kishës Ortodokse në Shqipëri, edhe udhëheqës i një partie politike liberale, opozita kryesore kundër forcave konservatore të Ahmet Zogut (1895-1961), të cilat mbështeteshin kryesisht nga çifligarët feudalë dhe klasa e mesme. Më 23 shkurt 1924 Zogut iu bë një atentat në parlament, kurse pas dy muajsh, më 22 prill 1924, deputeti dhe personaliteti kombëtar Avni Rustemi (1895-1924) u vra, thuhet se nga forcat zogiste. Në varrimin e Rustemit, Fan Noli mbajti një ligjëratë të zjarrtë që e ndezi aq fort opozitën liberale, saqë Zogu u shtrëngua të arratiset në Jugosllavi në kohën e asaj periudhe që quhet Revolucioni i Qershorit.

    Më 17 qershor 1924 Fan Noli u shpall zyrtarisht kryeministër dhe pas pak kohe regjent i Shqipërisë. Gjatë gjashtë muajve, ai drejtoi një qeveri demokratike, e cila u mundua me mish e me shpirt të përballonte problemet politike dhe ato ekonomike të shtetit të ri shqiptar që ishin

  5. #65
    tej mase të rënduara. Por programi i tij njëzetpikash për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, përfshirë reformën agrare, doli se qe tepër i nxituar e tepër idealist për një vend të prapambetur e pa tradita parlamentare. Në një letër dërguar një miku anglez, ai do të shënonte më vonë arsyet e dështimit të tij: "Duke ngulur këmbë për reformat agrare, unë ndeza zemërimin e aristokracisë çifligare. Duke mos i kryer ato, humba mbështetjen e masave fshatare". Me rrëzimin e qeverisë së tij nga forcat zogiste në prag të Krishtlindjeve 1924, Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria dhe kaloi disa muaj në Itali me ftesë të Benito Musolinit (1883-1945). Kur Duçja në fund arriti marrëveshje me Zogun për koncesionet e naftës në Shqipëri, Noli dhe ndjekësit e tij e kuptuan se prania e tyre në Itali nuk qe më e dëshirueshme. Më pas Noli kaloi disa vjet në Evropën qendrore, kryesisht në Gjermani dhe Austri. Në nëntor 1927 vizitoi Rusinë si delegat ballkanas në Kongresin e 'Miqve të Bashkimit Sovjetik' në kremtim të dhjetëvjetorit të Revolucionit të Tetorit, kurse më 1930, pasi mori një vizë gjashtëmujore, u kthye në Shtetet e Bashkuara. Përsëri në Boston, Noli themeloi të përjavshmen Republika, që vetë me emrin e saj i bënte një kundërshtim të hapur Ahmet Zogut, i cili më 1 shtator 1928 e kishte shpallur veten Zog I, Mbret i Shqiptarvet. Republika u botua edhe si opozitë ndaj Diellit, që tani e kishte në dorë Faik Konica, i cili ishte pajtuar me mbretin Zog dhe ishte bërë ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Uashington. Pas gjashtë muajsh Noli u shtrëngua të kthehej në Evropë me përfundimin e afatit të vizës, kurse Republikën e tij e mori në dorë Anastas Tashko, deri sa u mbyll më 1932. Me ndihmën e disa ndjekësve të tij ai ia doli të kthehej nga Gjermania në Shtetet e Bashkuara më 1932, kur iu dha edhe lejeqëndrim i përhershëm. U tërhoq nga jeta politike dhe rifilloi detyrën në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Në dhjetor 1933, Noli u sëmur rëndë dhe nuk qe në gjendje të përballonte shpenzimet e shërimit, prandaj qe i detyruar të pranonte si dhuratë 3,000 franga ari nga Shqipëria, për ironi pikërisht nga armiku i tij i betuar Ahmet Zogu. Ky gjest, siç edhe e kishte pasur qëllimin, solli njëfarë pajtimi midis Nolit dhe Zogut, dhe i zbuti marrëdhëniet shpesh të ndera me Faik Konicën. Më 1935 iu kthye njërit prej pasioneve të tij më të mëdha, muzikës, dhe në moshën pesëdhjetë e tre vjeç u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Bostonit, ku u diplomua më 1938. Më 12 prill 1937, ëndrra e madhe e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare u përmbush kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale. I pakënaqur vetëm me detyrat ekleziastike Noli iu kthye studimeve pasuniversitare në Universitetin e Bostonit, ku mori doktoratën më 1945 me një disertacion për Gjergj Kastriotin -Skënderbeun. Në vitet e para pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore Noli mbajti marrëdhënie deri diku të mira me regjimin e ri komunist në Tiranë dhe ushtroi ndikimin e vet në mënyrë që qeveria amerikane ta njihte. Nami si 'peshkop i kuq' i bëri mjaft armiq ndër qarqet e mërgimtarëve në Amerikë si dhe shkaktoi polarizime mes tyre. Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua një shumë prej 20,000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi në Fort Llodërdejll (Fort Lauderdale), Florida, ku edhe vdiq më 13 mars 1965 në moshën tetëdhjetë e tre vjeç.

    Politika dhe feja nuk qenë të vetmet fusha ku Fan Noli bëri emër. Ai qe edhe dramaturg, poet, historian, muzikolog dhe sidomos përkthyes i shkëlqyer me një ndihmesë të konsiderueshme në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe. Vepra e parë letrare e Nolit është drama në tre akte Israilitë dhe Filistinë, Boston 1907. Kjo tragjedi dyzet e tetë faqesh e shkruar më 1902 mbështetet në Librin e Gjyqtarëve 13-16 të Dhiatës së Vjetër, historia e njohur e Samsonit dhe Dalilës. E botuar në një kohë kur dramaturgjia shqiptare ishte në foshnjëri, ajo është një nga të rrallat pjesë teatrore shqiptare të kohës, që nuk vlon nga sentimentalizmi para se të arrijë fundin melodramatik të sipërfaqshëm. Të tilla ishin shijet e kohës, prandaj dhe pjesa e Nolit pak u pëlqye nga lexuesit. Jo vetëm subjekti ishte tepër i largët e filozofik, por edhe gjuha tepër arkaike e dialektore për t'u shijuar nga lexuesi dhe publiku.

    Kur u shugurua prift ortodoks dhe mbajti të parën liturgji ortodokse në gjuhën shqipe më 1908, Noli e ndjeu nevojën e teksteve liturgjike shqip dhe prandaj i hyri përkthimit të liturgjive dhe ritualeve ortodokse, të cilat u botuan në dy vëllime: Librë e shërbesave të shënta të kishës orthodoxe, Boston 1909, dhe Libre é te krémtevé të medha te kishes orthodoxe, Boston 1911, me 315 faqe. Pasuan përkthime të tjera fetare, me një gjuhë elegante e solemne që u shkonte për shtat traditave të çmuara bizantine. Këto përkthime ishin arritjet që i sollën Nolit më shumë kënaqësi në jetë. Vepra më popullore e Fan Nolit sot është një studim historik për jetën dhe epokën e heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut. Një variant shqip 285 faqesh u botua nën titullin Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit), mbretit të Shqipërisë1412-1468, Boston 1921, kurse një variant anglisht, fryt i disertacionit të doktoratës në Universitetin e Bostonit më 1945 mbante titullin George Castrioti Scanderbeg (1405-1468), Nju Jork 1947. Një studim tjetër shkencor, që pasqyron sa fort e tërhiqnin figurat e mëdha të së kaluarës (Jezui, Jul Cesari, Skënderbeu dhe Napoleoni) si dhe sa fort e donte muzikën, është ai me 117 faqe Beethoven and the French revolution, Nju Jork 1947 (Bethoveni dhe Revolucioni Frëng). Noli ka mbetur edhe si poet, ndonëse poezia e tij e fuqishme deklamative është e paktë. Poezia e tij është përmbledhur në një vëllim me titullin e thjeshtë Albumi, Boston 1948, të cilin e botoi me rastin e dyzetvjetorit të qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara. Albumi përmban kryesisht poezi politike, që pasqyrojnë aspirata e frymë kombëtare si dhe ndjenja të zjarrta sociale e politike të viteve njëzet e tridhjetë. Tipike për këtë gjini është vjersha Syrgjyn-Vdekur, elegjia prekëse që e shkroi në Berlin kur vdiq shkrimtari dhe personaliteti politik Luigj Gurakuqi (1879-1925), i vrarë në Bari më 2 mars 1925 nga një agjent i Ahmet Zogut.

    "Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
    Me tre plumba na i ranë,
    Na e vran' e na e shanë,
    Na i thanë trathëtor.

    Se të deshte dhe s'të deshnin,
    Se të qante kur të qeshnin,
    Se të veshte kur të çveshnin,
    Nëno moj, të ra dëshmor.

    Nëno moj, vajto, merr malin,
    Larot ta përmbysnë djalin,
    Që me Ismail Qemalin
    Ngriti flamur trimëror.

    Nëno moj, ma qaj në Vlorë
    Ku të dha liri, kurorë, S
    hpirt i bardhë si dëborë,
    Ti s'i dhe as varr për hor.

    Nëno moj, ç'është përpjekur
    Gojëmjalt' e zemërhekur, S
    yrgjyngjall' e syrgjynvdekur,
    Ky Vigan Liberator."


    Po aq e fuqishme është vjersha Anës lumenjve, e cila përbën ndoshta poezinë më bindëse të shkruar ndonjëherë me temën e mërgimit në gjuhën shqipe dhe më tej. Gjatë qëndrimit në Gjermani Noli u shqetësua thellë në shpirt për fatin e atdheut, të cilin ai e shumë bashkëkohës të tij e krahasonin me një vashë të braktisur e të poshtëruar, sikundër kishte bërë Pashko Vasa një gjysëm shekulli më parë në poezinë e tij O moj Shqypni. Vjersha e Nolit e trajton kështu këtë temë:

    "Arratisur, syrgjinosur,
    Rraskapitur dhe katosur,
    Po vajtonj pa funt pa shpresë,
    Anës Elbës, anës Spre-së.

    Ku e lam' e ku na mbeti
    Vaj vatani e mjer mileti,
    Anës detit i palarë,
    Anës dritës i paparë,
    Pranë sofrës i pangrënë,
    Pranë dijes i panxënë,
    Lakuriq dhe i dregosur,
    Trup e shpirt i sakatosur!..."


    Në këtë vëllim janë përfshirë edhe vjershat prekëse me frymëzim biblik, si Moisiu në mal dhe Marshi i Krishtit. Megjithatë, ndihmesa kryesore e Fan Nolit për letërsinë shqipe ishte si stilist, çka vihet re sidomos në përkthimet. Ai mund të konsiderohet si njëri nga stilistët më të mëdhenj në dialektin toskë, duke rreshtur përkrah tij edhe Faik bej Konicën. Përvoja e tij si aktor dhe orator, njohja me gjuhët e tjera të mëdha të kulturës botërore, sidomos me greqishten, anglishten dhe frëngjishten, i dhanë mundësi ta zhvillojë shqipen e ta ngrejë në shkallën e një gjuhe të përpunuar, të rrjedhshme e plot elegancë.
    Me vlera të mëdha janë sidomos përkthimet që Noli i ka bërë Shekspirit. Otello e përkthyer prej tij u botua më 1916, kurse përkthimet po aq shprehëse të Makbethit, Hamletit, dhe Jul Qesarit u botuan të gjitha në Bruksel më 1926. Po në këtë kohë ai përktheu, nga anglishtja, dy pjesë të dramaturgut norvegjez Henrik Ibsen (1828-1906), një autor tjetër ky ndaj të cilit Noli qe shumë i dhënë: Armiku i popullit, Bruksel 1926 (En Folkefiende 1882), dhe Zonja Ingra e Ostrotit, Bruksel 1926 (Fru Inger til Østeraad 1857). Gjashtë vjet më pas doli përkthimi i fuqishëm shqip i pjesës së parë të Don Quixote të Miguel De Servantesit (1547-1616) nën titullin Sojliu mendjemprehtë don Kishoti i Mançës, Boston 1932/1933. Pjesa e dytë e Don Kishotit u përkthye më vonë nga Petro Zheji (l. 1929) dhe u botua bashkë me përkthimin e Nolit në Tiranë më 1977. Përkthime të tjera të Nolit janë: Kasollja 1921 (La barraca 1898) e romancierit spanjoll Visente Blasko Ibanjez (Vicente Blasco Ibañez, 1867-1928), e sidomos Rubairat, Bruksel 1924 (The Rubáiyát of Omar Khayyám) nga poeti anglez Eduard Ficxherëlld (Edward Fitzgerald, 1809-1883). Përkthimi i Rubairave të poetit të madh dhe matematikanit persian Omar Khajam (vd. 1122), që i botoi me pseudonimin Rushit Bilbil Gramshi e që ua kushtoi poetëve persianë Nizami (1140-1209) dhe Hafiz (1326-1390), është ndër veprat më të përkryera të Nolit. Ajo është një kryevepër krijuese po aq e lartë sa dhe përkthimi në anglisht i Eduard Ficxherëlldit. Për më tepër, ky është i vetmi përkthim letrar i Nolit që nuk është yshtur nga synime didaktike. Nëse krahasojmë përkthimin shqip të Nolit me atë anglisht të Ficxherëlldit, do të vëmë re se teksti në shqip është në shumë anë po aq i madhërishëm sa dhe origjinali (anglisht). Ja tri strofat e para:

    "Natën kur flinja, më tha shpirti: 'Pi!
    Në gjumë dhe në Varr s'ka lumëri;

  6. #66
    Ngrehu! Sa rron, zbras Kupa dhe puth Çupa;
    Ke shekuj që të flesh në qetësi.'

    Në ëndërr, kur agimi zbardhëllonte,
    Një zë që nga Taverna po gjëmonte:
    Çohuni, djem, e Verë sillnani,
    Se Fati na e thau lëngun sonte.

    Dhe posa në Tavernë këndoi gjeli,
    Besnikët jashtë thirrë: 'Portat çeli!' E
    shkurtër është Jeta, ja, u mplakmë
    Dhe mbetmë si kofini pas të vjeli."



    Awake! for Morning in the Bowl of Night
    Has flung the Stone that puts the Stars to Flight:
    And Lo! the Hunter of the East has caught
    The Sultan's Turret in a Noose of Light.

    Dreaming when Dawn's Left Hand was in the Sky
    I heard a Voice within the Tavern cry,
    "Awake, my little ones, and fill the Cup
    Before Life's Liquor in its Cup be dry."

    And, as the Cock crew, those who stood before
    The Tavern shouted - "Open then the Door!
    You know how little while we have to stay,
    And once departed, may return no more."


    Noli gjithashtu përktheu poezi të autorëve të ndryshëm evropianë e amerikanë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ndër ta Johan Volfgang fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832), Sër Uollter Skot (Sir Walter Scott, 1771-1832), Hajnrih Hajne (Heinrich Heine, 1797-1856), Viktor Hygo (Victor Hugo 1802-1885), Fjodor Tjutçev (1803-1873), Aleksis- Feliks Arver (Alexis-Félix Arvers, 1806-1850), Henri Uodsuorth Longfellou (Henry Wadsworth Longfellow, 1807-1882), Edgar Allen Po (Edgar Allen Poe, 1809-1849), Herman Melvil (Herman Melville, 1819-1891), Sharl Bodler (Charles Baudelaire, 1821-1867), Arman Syli Prydom (Armand Sully-Prudhomme, 1839-1907) dhe Pol Verlen (Paul Verlaine, 1844-1896). Në pjesën dërrmuese të tyre, në sajë ndoshta edhe të veshit të tij prej muzikanti, ia ka dalë mbanë të pasqyrojë stilin, shijet dhe ngjyrimet ritmike të origjinaleve.

    Është për të ardhur keq që Fan Noli dhe Faik Konica, këta dy stilistë më të mëdhenj të gjuhës moderne shqipe, të dy banues jo në Shqipëri por në Shtetet e Bashkuara, t'i kenë kushtuar kaq pak energji krijimtarisë letrare. Por e tillë qe koha. Për arsye historike e politike, kulti i frymës kombëtare ka pasur përherë përparësi ndër shqiptarët ndaj kultit të së madhërishmes estetike. Ndonëse shkroi relativisht pak letërsi të mirëfilltë, Noli prapëseprapë mbetet gjigand i letërsisë. Ai dha ndihmesë të madhe që gjuha shqipe të arrinte potencialin e vet të plotë letrar e krijues. Kështu, ishte krijuar një gjuhë letrare moderne, një gjuhë që ende priste dhe kërkonte letërsinë e vet.

    Një tjetër shqiptar i shquar me banim në Shtetet e Bashkuara ishte publicisti dhe personaliteti politik Sotir Peci (1873-1932), që e hasim edhe të shkruar Sotir Pettsy, nga fshati Dardhë i Korçës. Para se të mërgonte në Amerikë më 1906 Peci kishte studiuar për fizikë dhe matematikë në Universitetin e Athinës. Me të mbërritur në Botën e Re, themeloi në Boston gazetën e përjavshme shqip Kombi, e cila u shpall si e para dhe e vetmja gazetë shqiptare në Amerikë dhe organ i interesave shqiptarë. Numri i parë i kësaj së përjavshmeje politike, kulturore e letrare të botuar shqip, herë pas here me artikuj anglisht, frëngjisht dhe italisht, doli më 15 qershor 1906. Ndër bashkëpunëtorët e afërt të Pecit në redaksinë e gazetës ishte Fan Noli, i cili kishte ardhur në Nju Jork më 10 maj 1906. Pas pak kohe Peci e la Nolin të merrej me gazetën, e cila vazhdoi të dalë deri më 1909, kurse vetë u kthye në Shqipëri, ku mendoi se mund të ndihmonte më shumë për çështjen kombëtare. Ai përfaqësoi bashkësinë shqiptaro-amerikane në Kongresin e Manastirit më 1908 dhe, pas pavarësisë, punoi si mësues në Elbasan e në Korçë. Në Kongresin e Lushnjës më 1920, i cili hodhi themelet e një pavarësie të vërtetë të Shqipërisë, Peci u emërua ministër i arsimit, kurse pas një viti u zgjodh deputet i Korçës në parlament. Nga 24 dhjetor 1921 deri 31 janar 1925 ishte edhe anëtar i Këshillit të Lartë. Përveç veprimtarisë botuese, Peci është autor i një gramatike të shqipes (1912) dhe i disa teksteve shkollore. Vdiq më 8 prill 1932.

    Nga anëtarët e tjerë të shquar të bashkësisë shqiptaro-amerikane në zgrip të shekullit, mund të përmendim gazetarin dhe veprimtarin Kristo Anastas Dako (angl. Christo Anastas Dako, 1878-1941). Për herë të parë në lëvizjen kombëtare Kristo Dakoja mori pjesë si student në Bukuresht, ku për veprimtarinë e kryer atje u burgos për një farë kohe. U martua me Sevasti Qiriazin (1871-1949), një figurë e shquar e arsimit për vajza, dhe mërgoi në Shtetet e Bashkuara më 1907. Atje rivalizoi me Nolin për drejtimin e bashkësisë shqiptare në Masaçusets, kurse më 1913 u bë president i Federatës Vatra dhe redaktor i organit kryesor të saj, së përjavshmes Dielli në Boston. Ai ishte gjithashtu redaktor i periodikut jetëshkurtër Biblioteka zëri i Shqipërisë i botuar më 1915 në Sofje dhe më 1916 në Sauthbrixh (Southbridge), Masaçusets. Veç këtyre, Dakoja ishte edhe autor tekstesh shkollore dhe veprash historike-politike si studimi Cilët janë Shqipëtarët, Manastir 1911; Albania, the master key to the Near East, Boston 1919 (Shqipëria, çelësi kryesor për Lindjen e Afërt); studimi i shkurtër historik Liga e Prizrenit, Bukuresht 1922; e më pas Shënime historike nga jeta dhe veprat e Nalt Madhërisë së tij Zogu i parë Mbreti i Shqiptarvet, Tiranë 1937, përkthyer anglisht nga vetë autori nën titullin Zogu, the first king of the Albanians. A sketch of his life and times, Tiranë 1937. Është e tepërt të themi se kjo e fundit bëri që të mos e kujtonin fort me dëshirë në Shqipërinë komuniste të pasluftës.

    Aktiv në Shtetet e Bashkuara ka qenë edhe publicisti dhe shkrimtari i shquar Kostandin Anastas Çekrezi (99) (angl. Constantine Anastasi Chekrezi, 1892-1959). Ka lindur në fshatin Ziçisht të Korçës dhe, pasi humbi vendin e punës si përkthyes i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit nga shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, mërgoi në Shtetet e Bashkuara duke kaluar nga Italia. Në Boston u ngarkua për një farë kohe me gazetën Dielli derisa e mori Fan Noli. Sikundër Konica, Çekrezi studioi dhe u diplomua në Universitetin e Harvardit. Po në Boston ai botoi periodikun Illyria, që zgjati vetëm gjashtë muaj, nga marsi në nëntor 1916, kurse në fillim të vitit 1919 u bë redaktor i së përmuajshmes së Nolit The Adriatic review. Çekrezi punoi si komisioner i lartë i Shqipërisë në Uashington dhe ishte autor i një numri librash shqip dhe anglisht, sidomos i disa veprave të vëllimshme për historinë e Shqipërisë, të cilat, për horizontin që hapnin, ishin mjaft të spikatura për kohën. Ndër këta libra janë: Albania past and present, Nju Jork 1919 (Shqipëria në të kaluarën e në të tashmen); Kendime për rjeshten e funtme te shkollave filltare, Boston 1921; Histori e Shqipërisë, Boston 1921; Histori e vjetër që në kohërat e Pellazgëve gjer në rrënien e Perandorisë romane, Boston 1921; Histori e re e Evropës, Boston 1921; Historia mesjetare e Evropës që në rënien e Romës gjer në rënien e Kostantinopojës (478-1453), Boston 1921; dhe i pari fjalor anglisht-shqip, Chekrezi's English- Albanian dictionary, Fjalor inglisht-shqip i Çekrezit, Boston 1923.

    __________________________________________________ _________________

    99 kr. Koliqi 1959b.

    __________________________________________________ _________________

  7. #67
    10.4 Gjergj Fishta, zëri i kombit



    Figura më e madhe dhe më e fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë është ati françeskan Gjergj Fishta (100) (1871-1940), i cili më shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit të ri sovran shqiptar. I dëgjuar e i ngritur lart deri në Luftën e Dytë Botërore si 'poet kombëtar i Shqipërisë' dhe 'Homeri shqiptar', Fishta do të binte menjëherë në harresë kur komunistët morën pushtetin në nëntor 1944. Edhe vetëm përmendja e emrit ishte një tabu për shqiptarët, që zgjati dyzet e gjashtë vjet me radhë. Kush ishte Gjergj Fishta dhe a mund ta mbajë epitetin 'poet kombëtar'edhe gjysmë shekulli më vonë?
    Fishta lindi më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës, ku dhe u pagëzua nga misionari françeskan dhe poeti Leonardo De Martino (1830-1923). Ndoqi shkollat françeskane në Troshan dhe Shkodër, ku që fëmijë u ndikua mjaft nga i talentuari De Martino dhe nga misionari boshnjak Lovro Mihaçeviq, i cili i ushqeu këtij çuni të zgjuar dashurinë për letërsinë dhe për gjuhën amtare. Më 1886, kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç, Fishta u dërgua nga françeskanët në Bosnjë për t'u bërë prift, si dhe shumë djem të tjerë shqiptarë. Në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjeskë, Livno dhe Kreshevo, djaloshi Gjergj studioi teologji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos latinisht, italisht e serbo-kroatisht. Kështu, ai po përgatitej për karrierë ekleziastike dhe letrare. Gjatë qëndrimit në Bosnjë ra në kontakt me shkrimtarin boshnjak Gërga Martiq (Grga Martiƒ, 1822-1905) dhe me poetin kroat Silvije Strahimir Kranjçeviq (Silvije Strahimir Kranj…eviƒ, 1865-1908), të cilët i zgjuan talentin letrar e me të cilët lidhi miqësi. Më 1894 Gjergj Fishta u shugurua prift e u pranua në urdhrin françeskan. Me t'u kthyer në Shqipëri në shkurt të atij viti, filloi punën si mësues në kolegjin françeskan në Troshan e më pas si famullitar në fshatin Gomsiqe. Më 1899 ai bashkëpunoi me Preng Doçin (1846-1917), abati me influencë i Mirditës, me prozatorin dhe priftin dom Ndoc Nikaj (1864-1951) dhe me folkloristin Pashko Bardhi (1870-1948) për të themeluar shoqërinë letrare Bashkimi të Shkodrës, e cila i hyri punës për zgjidhjen e problemit shqetësues të alfabetit të shqipes. Kjo shoqatë dha ndihmesë të madhe për botimin e një numri tekstesh shkollore në gjuhën shqipe dhe të fjalorit shqip-italisht Bashkimi më 1908 (1), ende fjalori më i mirë i dialektit gegë. Në këtë kohë Fishta ishte bërë figurë udhëheqëse e jetës kulturore e publike në Shqipërinë e veriut e sidomos në Shkodër.

    Më 1902 Fishta u emërua drejtor i shkollës françeskane në qarkun e Shkodrës, ku përmendet sidomos se zëvendësoi italishten me shqipen për herë të parë si gjuhë në shkollë. Kjo masë ndikoi për t'i dhënë fund mbisundimit kulturor italian në katolikët e Shqipërisë së veriut dhe u ushqeu të rinjve shqiptarë që studionin në këto shkolla një ndjenjë identiteti kombëtar. Më 14-22 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi. Ky kongres, ku morën pjesë delegatë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë nga Shqipëria dhe jashtë saj, u mbajt për të vendosur përfundimisht një alfabet të gjuhës shqipe,

    __________________________________________________ _________________

    100 kr. Çabej 1941, Dema 1941, Ercole 1941, Lambertz 1949, Schirò 1959, Shêjzat 5, 1961, 11-12 (Numër përkujtimuer për 90 vjetorin e lindjes së Gjergj Fishtës) Koliqi (red.) 1941, Stadtmüller 1942b, 1942d, Koliqi 1972b, Nekaj 1981, Gradilone 1983, Jeta e re, Prishtinë, 11-12, 1990 (Atë Gjergj Fishtës me rastin e 50 vjetorit të vdekjes), Berisha & Musliu 1990, Duka-Gjini 1992, Zamputi 1993b, S. Çapaliku 1995, dhe A. Plasari (red.) 1996.

    1 kr. Fialuer... 1908.
    __________________________________________________ _________________

    problem ky i studiuar hollësisht nga Fishta. Për më tepër, ishte Gjergj Fishta ai që u zgjodh nga kongresi për të kryesuar komisionin prej njëmbëdhjetë delegatësh që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara. Pas tri ditë diskutimesh Fishta dhe komisioni vendosën të mbështesin dy alfabete: një formë të modifikuar të alfabetit të Stambollit të Sami Frashërit i cili, edhe pse jo praktik për shtyp, përdorej më gjerësisht në atë kohë, dhe një alfabet të ri latin pothuajse të njëjtë me alfabetin e Bashkimit të Fishtës, me qëllim që shtypja e librave jashtë vendit të bëhej më e volitshme.

    Në tetor 1913, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, Fishta themeloi dhe filloi të nxjerrë të përmuajshmen françeskane Hylli i Dritës, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë. Me përjashtim të viteve të turbullta të Luftës së Parë Botërore dhe viteve menjëherë pas saj, 1915-1920 si dhe të viteve të hershme të diktaturës së Ahmet Zogut, 1925-1929, kjo revistë me influencë e me nivel të lartë letrar doli rregullisht deri në korrik 1944 dhe ndihmoi për zhvillimin e kulturës gege të veriut ashtu si revista Albania e Faik Konicës në Bruksel kishte ndihmuar për kulturën toske të jugut. Nga 5 dhjetori 1916 deri në nëntor 1918 Fishta botoi gazetën e Shkodrës Posta e Shqypniës, një gazetë politike e kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat pushtuese nuk para kishin besim te Fishta për shkak të aspiratave të tij kombëtare. Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), Ndre Mjedën (1866-1937) dhe Mati Logorecin (1867-1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej austro- hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për të vendosur në lidhje me çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Pas disa diskutimeve Komisia vendosi me të drejtë që të përdorej dialekti qendror i Elbasanit si një kompromis asnjanës për gjuhën letrare. Ky vendim binte mjaft në kundërshtim me dëshirat e Gjergj Fishtës, për të cilin dialekti i Shkodrës ishte më i përshtatshmi. Fishta shpresonte se koineja shqiptare e veriut së shpejti do të shërbente si normë letrare për të gjithë vendin, ashtu si gjuha e Dantes kishte shërbyer si udhërrëfyese për italishten letrare. Gjatë gjithë këtyre viteve Fishta vazhdoi të japë mësim e të drejtojë shkollën françeskane në Shkodër, me emrin Collegium Illyricum (Kolegji Ilirian) nga viti 1921, i cili ishte bërë institucioni kryesor arsimor në Shqipërinë e veriut. Tani ai ishte edhe një figurë me autoritet në letërsinë shqiptare.

    Në gusht 1919 Gjergj Fishta qe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe, me këtë cilësi, iu kërkua nga kryetari i delegacionit, imzot Luigj Bumçi (1872-1945) të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në Shtetet e Bashkuara për t'u kujdesur për interesat e shtetit të ri shqiptar. Atje ai vizitoi Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin. Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin shqiptar dhe u zgjodh në gusht të atij viti si zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojëtari e ngriti mjaft në detyrat e tij si personalitet politik apo si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë (1930), Sofje (1931) dhe Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për t'ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta. Nga viti 1935 deri më 1938 mbajti funksionin e provincialit të të gjithë françeskanëve shqiptarë. Këto vite, më të frytshmet e jetës së tij, i kaloi i veçuar në qetësinë e kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër, në hajatin, kishën dhe kopshtin e tij plot trëndafila, ku Fishta ulej në hije dhe merrej me poezinë e vet. Si poet kombëtar i brezit të tij, Gjergj Fishta është nderuar me diploma, çmime e tituj të ndryshëm, brenda e jashtë vendit. Ka marrë Ritterkreuz-in austro- hungarez më 1911, është dekoruar nga papa Piu XI me çmimin Al Merito më 1925, i është dhënë medalja prestigjioze Feniks nga qeveria greke, është nderuar me titullin Lector jubilatus honoris causae nga urdhëri françeskan, dhe është bërë antar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe Arteve më 1939. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.

    Ndonëse Gjergj Fishta është autor i gjithsej tridhjeteshtatë botimeve letrare, emri i tij është i lidhur në mënyrë të pashlyeshme me një vepër të vetme, madje me një nga krijimet më mahnitëse në mbarë historinë e letërsisë shqiptare, me Lahuta e malcís, Shkodër 1937. Ajo është një poemë epike historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për autonomi e pavarësi e, në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga 1858 deri 1913. Kjo kryevepër letrare ishte shkruar në fillim midis viteve 1902 e 1909, pastaj u ripunua nga autori gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare. Është e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore.

    Më 1902 Fishta ishte dërguar në një fshat të vogël për të zëvendësuar përkohësisht famullitarin vendor. Atje u njoh e u miqësua me fshatarin e moshuar Marash Uci (vd. 1914) nga Hoti, të cilin do ta përjetësonte më vonë në vargje. Në mbrëmjet që i kalonin së bashku Marash Uci i rrëfente priftit djalosh për betejat heroike midis malësorëve shqiptarë dhe malazezë, në veçanti për betejën e famshme në urën e Rrzhanicës, ku Marash Uci kishte marrë pjesë vetë. Pjesët e para të Lahuta e malcís, me titullin Te ura e Rrzhanicës, u botuan në Zadar më 1905 e 1907, e u ribotuan më pas të zgjeruara më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. Botimi përfundimtar i veprës në tridhjetë këngë u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të njëzetepesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Me gjithë suksesin e Lahuta e malcís dhe personalitetit të shquar të autorit, kjo vepër dhe të tjera të Gjergj Fishtës u ndaluan pas Luftës së Dytë Botërore kur komunistët erdhën në pushtet. Megjithatë, kjo poemë epike, e ribotuar në Romë më 1958, në Lubjanë më 1990 dhe në Romë më 1991, gjendet edhe në përkthime në gjermanisht dhe italisht (2).

    Në përmasat e veta historike, Lahuta e malcís nis me përleshjet kufitare midis fiseve të Hotit e të Grudës dhe fqinjëve po aq të rreptë malazezë më 1858. Thelbi i veprës (këngët 6-25) u kushtohet ngjarjeve të viteve 1878-1880, që lidhen me Kongresin e Berlinit, i cili i dha toka kufitare shqiptare Malit të Zi dhe shpuri në krijimin e Lidhjes së Prizrenit për të mbrojtur interesat e kombit. Këngët e tjera mbulojnë periudhën e Revolucionit të Xhonturqve, i cili në fillim u ngjalli shpresa nacionalistëve shqiptarë për një farë autonomie, si dhe luftërat ballkanike të viteve 1912 e 1913, që shpunë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Ngjarjet e kësaj poeme epike mund të përmblidhen si vijon:

    Kënga I - Cubat

    Më 1858, me gjithë pesë shekujt e gjatë nën zgjedhën turke, shqiptarëve nuk u ishte shuar dëshira dhe vullneti për të fituar lirinë. Cari i Rusisë, për të shtrirë ndikimin në Ballkan, i shkruan një letër mikut të vet, princit Nikolla të Malit të Zi. Në këtë letër ai i premton atij ndihmë dhe i kërkon që të përvetësojë një copë të Shqipërisë së veriut duke mos i lënë turqit të qetë. Letra, duke kaluar male e lugina në duart e të dërguarit personal të Carit, mbërrin në oborrin e Cetinës dhe mirëpritet nga sundimtari malazez, i cili e bind trimin Vulo Radoviq, serdar i Vasoviqit, të gatisë banditët e tij për të shkretuar Vraninën në liqenin e Shkodrës.

    Kënga II - Oso Kuka

    Vulo Radoviqi e merr Vraninën pa qëndresë. A do të zbresin malësorët nga malet për të dëbuar banditët malazezë? Avdi Pasha në Shkodër ankohet se në Shqipëri nuk kanë mbetur burra të vërtetë, se ajo është bërë vend vashash. Djaloshit Oso Kuka i hipën gjaku në kokë kur dëgjon një fyerje të tillë dhe i kundërvihet duke i thënë se shqiptarët e kanë mbrojtur vendin e tyre kurdoherë me trimëri pa u kursyer para asnjë sakrifice. Në krye të javës, vetë Oso Kuka organizon një grup prej dyzet luftëtarësh të zgjedhur, që

    __________________________________________________ _________________

    2 kr. Fishta 1925, 1958b, 1968-1970.
    __________________________________________________ _________________

  8. #68
    përmenden të gjithë në poezi në mënyrë homerike, dhe niset për në Vraninë.

    Kënga III - Preja

    Në një kullotë pranë Vraninës, Vulo Radoviqi vret bariun shqiptar Avdi Hisa dhe ia merr tufën si pre. E motra e Avdiut, Turkina, e vajton të vëllanë sipas traditës malësore. Kur dëgjon vajin e saj, Oso Kuka thërret luftëtarët e tij për të marrë hak. Ata vihen në ndjekje dhe i arrijnë vjedhësit e tufës mu në breg të Moraçës, ku pas një beteje të ashpër ua rimarrin tufën. Sllavët humbin dy burra, kurse shqiptarët përgatiten për t'u tërhequr, të kënaqur se ia morën gjakun Avdiut dyfish. Rrugës në të kthyer Oso Kuka sheh se i mungon njëri prej luftëtarëve, Kerrni Gila nga Zagorja. Kthehet dhe e sheh Kerrni Gilën të mbërthyer në një dyluftim për jetë a vdekje me luftëtarin malazez Jovan, të cilin poeti e karakterizon me përmasa vërtet epike. Oso Kuka i ndan nga njëri tjetri dhe ia fal jetën Jovanit, duke i thënë të shkojë në shtëpi "e thuej nânës e nuses s' ré se per s' dytit sod ké lé."

    Kënga IV - Vranina

    Figura e Oso Kukës përshkruhet me imtësi. Ai është hero me fuqi të mbinatyrshme, të cilit i trembet princ Nikolla. Princi mbledh komandantët e ushtrisë së tij dhe u paraqet planet që kishte bërë. Dyqind luftëtarë do të dërgohen në ishullin e Vraninës në liqenin e Shkodrës. Këshilltari i tij Mirko Kapidani e këshillon të mbjellë farën e përçarjes mes shqiptarëve si mjet për t'i mundur. Poeti u bën thirrje zanave të njoftojnë Oso Kukën për këtë mësymje që po përgatitet.

    Kënga V - Deka

    Oso Kuka ka parë një ëndërr. Duke ngrënë bashkë me burrat, ai pyet Soko Tonën, që ishte i zoti për të parathënë të ardhmen. Nga blana në shpatullën e një bishe të vrarë, Soko Tona sheh varre, tym dhe gjak. Kaçel Doda merr lahutën dhe këndon këngën e famshme të Gjergj Elez Alisë dhe Harapit të zi. Oso Kukës i hyn meraku dhe dërgon roje në va. Por, në mes të rojeve është edhe një tradhtar, Zeliq Gjuka, i cili u rrëfen udhën malazezëve nëpër një va natën. Në betejën më pas luftëtarët shqiptarë munden. Tridhjetë të vrarë dhe dhjetë të plagosur. Ndër ata që shpëtojnë është Oso Kuka, i cili me burrat që i kishin mbetur gjeti strehë në një xhebehâne, depo baruti e fortifikuar. Malazezët mësyjnë, kurse Oso Kuka, për të mos iu dorëzuar armikut, hedh në erë kullën, duke u vrarë vetë, shokët e tij të plagosur dhe mësymësit. Ndërkohë që poeti i jep bekimin Oso Kukës, flamuri malazez ngrihet mbi Vraninë.

    Kënga VI - Dervish Pasha

    Njëzet vjet më pas një lajmëtar shqiptar ndalet te porta e Sulltanit në Stamboll dhe rrëfen për vuajtjet e gjata të Shqipërisë nën sundimin e Malit të Zi. Sulltani vendos të dërgojë një ushtri prej pesëdhjetë batalionesh nën komandën e Dervish Pashës për të sprapsur malazezët. Poeti u bën një thirrje kushtrimtare bashkëvendësve për t'u ngritur për liri, kurse turqit korrin fitore. Në tri mësymje, pushtohen Podgorica, Kernica, liqeni i Shkodrës dhe kryeqyteti Cetinë. Princ Nikolla tërhiqet maleve. Por Kongresi i Berlinit do të vendosë ndryshe. Poeti konkludon:

    "Vall, a hîn Pasha n'Cetinë?..
    Nuk e diej a hîn n'Cetinë;
    Por n'Cetinë e diej se s'rrin;
    Diç po vlon atje n'Berlin."
    (3)

    Kënga VII - Kuvendi i Berlinit:

    Poeti pyet muzën e tij, zanën, se ç'është ai gjëmim që vjen nga larg. Ka shpërthyer lufta ruso-turke. Krerët e shteteve të Evropës, të personifikuar në shtatë krajlat e letërsisë gojore shqiptare, janë mbledhur në Berlin për të vendosur për fatin e popujve të Ballkanit. Të gjithë kanë mbrojtësit e tyre, përveç shqiptarëve. Princ Nikolla i Malit të Zi del para kongresit i reckosur dhe kërkon ndihmë. Atij i jepen tokat me popullsi shqip- folëse të Plavës, Gucisë, Shkodrës dhe Alpeve të Shqipërisë së veriut deri poshtë në lumin Drin. Poeti mallkon të gjithë ata që nënshkruajnë dhënien e këtyre territoreve dhe parathotë fatkeqësi për pushtuesit malazezë. Princi i ngazëlluar kthehet në Cetinë dhe urdhëron Pal Milanin të marshojë mbi Shqipëri me pesë batalione. Milani shpreh droje, por princi përgjigjet duke u tallur me të.



    Kënga VIII - Ali Pasha i Gucís:

    Ali pashë Gucia niset më të aguar, duke i lënë lamtumirën nënës dhe së shoqes. Rrugës nëpër male, ulet nën një lis për të pushuar dhe takon aty orën. Ajo i qorton shqiptarët për mungesë patriotizmi dhe i thotë Aliut të mos harrojë se ç'i ka dhënë vendi i tij: hije, ujë gurrash, livadhe pranverore. Ai betohet mbi gurin e varrit se nuk do ta kursejë as veten e as të birin për të mirën e Shqipërisë. Me një bisk rozmarine, ora i fal atij fuqi magjike për të shkulur pemë e për t'i mbjellë prapë.[/indent]

    Kënga IX - Lidhja e Prizrendit:

    Ndërkohë që dielli ngrihet mbi majën e Cukalit, zanat dhe orët janë mbledhur për t'u këshilluar për ngjarjet e Prizrenit, ashtu si perënditë dhe perëndeshat e Olimpit bisedonin për rrjedhat e Luftës Trojane. Vendin e nderit nuk e ka zënë Agamemnoni, por Ali pashë Gucia. Nga bjeshkët ato vrojtojnë ngjarjet dhe numërojnë pjesëmarrësit e Lidhjes të mbledhur në Prizren më 1878. Abdyl Frashëri dhe patriotë të tjerë shqiptarë i drejtohen Lidhjes me fjalë të zjarrta dhe marrin vendim t'i shkruajnë letër Kongresit të Berlinit për të shprehur kundërshtimin ndaj planeve sllave në dëm të tokave të tyre.

    "Shkrepi dielli buzës s'Cukalit,
    Eja e t'kndojm, oj Zâna e malit,
    Eja e t'kndojm më Lahutë t'Malcís,
    Si atà Krenët e Shqyptarís
    Në Prizrend na janë bashkue,
    Per me folë, me bisedue,
    Shqyptarín se si m'e pshtue
    Prej çapojve t'Malit t'Zí,
    Qi ká dyndun top e ushtrí,
    Me hî n'Plavë, me hî n'Gucí,
    Me marrë Shkodren me Malcí,
    Dér kû dán vendi me Drî;
    Pse, po thonë, Mbreti i Stambollës
    Dorë i dhânka Knjaz Nikollës
    Me ndezë zjarm aj m'votra t'ona,

    __________________________________________________ _________________

    3 Lahuta e malcís VI. 480-484.
    __________________________________________________ _________________

    Me ngá qét aj n'ara t'ona,
    Me bâ drû n'zabele t'ona,
    E me grá e me vasha t'ona
    Me luejtë Shkjau harushë nder né, T
    hue se s'ká Shqyptarë mbí dhé."
    (4)

    Kënga X - Mehmet Ali Pasha

    Telegramet sjellin lajmin se Sulltani ka caktuar një pasha tjetër. Në Gjakovë, krerët e malësisë shqiptare mblidhen në shtëpinë e Abdullah Drenit për të takuar të dërguarin e ri. Mehmet Ali pasha i përshëndet krerët me ngrohtësi dhe shtrëngohet të rrëfejë se Sulltani ka vendosur t'i lëshojë pe princ Nikollës. Shqiptarët revoltohen kurse Mehmet Ali pasha i zë e i burgos. Miqtë dhe të afërmit e pengjeve i kërkojnë Abdulla Drenit t'ua dorëzojë pashën. Sipas kanunit të rreptë të mikpritjes shqiptare, Abdulla Dreni natyrisht nuk mund t'u dorëzojë mikun, kështuqë shtëpinë e marrin me sulm. Pasha dhe një numër nga paria e shqiptarëve vriten. Poeti ankohet se, edhe kësaj radhe, shqiptarët luftojnë me njëri tjetrin për shkak të turqve. Krerët shqiptarë i dërgojnë Sulltanit një letër që t'u sjellë një pashë tjetër. Ata janë betuar të mos pranojnë kurrë të jetojnë nën sundimin e princ Nikollës të Malit të Zi.

    Kënga XI - Lugati:

    Princ Nikolla po kalon një mbrëmje të qetë në sarajet në Cetinë me të shoqen, Milenën, duke u mburrur për heroizmin e tij në të kaluarën e për bëmat e mëdha që e prisnin. Milena i thotë të mos e marrë me aq vrull. Ajo i jep verë, duhan dhe gështenja të pjekura para se të bien për të fjetur. Gjen çastin dhe i thotë se fëmijët kishin frikë të binin në shtrat ngaqë u kishte dalë lugati një natë më parë. Princ Nikolla e quan besimin në lugetër e fantazma gjepur kalamajsh. Pas gotës së fundit të verës dhe llullës së fundit me duhan, princi bie për të fjetur. Natën i del një lugat. Është hija e Mehmet Ali pashës së vrarë, që i rrëfen për vdekjen e tij në duart e shqiptarëve dhe që e këshillon të marrë në dorë malësinë e tyre. Hija zhduket, siç na thotë poeti: "tue lânë mbrapa nji qelbsinë qi dér vonë u ndie n' Cetinë." Princi hidhet nga shtrati, thërret gjeneralin e tij Mark Milanin dhe e urdhëron të prijë forcat malazeze drejt Shqipërisë.

    Kënga XII - Marash Uci

    Kjo këngë qe e para nga Lahuta e malcís që u botua, dhe përmban mjaft vargje të spikatur. Ajo sillet rreth figurës së Marash Ucit, dikur luftëtar trim i Sulltanit, kurse tani një bari i moshuar, i urtë e plot përvojë. Kënga fillon kështu:

    "Te nji mriz, te nji lejthí
    Kishin ndollun tre barí,
    Dy me dhên e nji me dhí,
    Njâni plak e dy të rí:
    Marash Uci e t'bijt e Calit,
    Dy djelm t'letë si shpezt e malit."
    (5)

    Lart në bjeshkë, Marash Uci këshillon barinjtë e rinj të ruajnë traditat burrërore të

    __________________________________________________ _________________

    4 Lahuta e malcís IX.1-20.

    5 Lahuta a malcís XII.1-6.
    __________________________________________________ _________________

  9. #69
    kulturës së tyre fisnore dhe gjithmonë të mbajnë besën. Pastaj ai kalon nga mali në mal e shkon te Çun Mula, bajraktari i Hotit, dhe i bën thirrje të mbledhë krerët në kishën e Shën Gjonit në Brigje.

    Kënga XIII - Te kisha e Shnjonit:

    Krerët e bajrakut të Hotit janë mbledhur në kishën e Shën Gjonit. Çun Mula e hap kuvendin dhe aty Marash Uci mban një fjalë të gjatë e prekëse për marrëdhëniet e vështira të Shqipërisë me turqit, për autonominë fisnore e për Kanunin e lashtë të Lekë Dukagjinit. Tani punët kanë ndryshuar, shton ai. Evropa, kurva e motit, i ka tradhtuar shqiptarët, që kur Kongresi i Berlinit i dha princit të Malit të Zi tokat e Hotit, Grudës, Plavës dhe Gucisë.

    "Uh! Europë, ti kurva e motit,
    Qi i rae mohit besës e Zotit,
    Po a ky â shêji i gjytetnís:
    Me dá token e Shqypnís
    Per me mbajtë klysht e Rusís?"
    (6)

    Krerët e fisit vendosin të shkojnë në luftë për të mbrojtur malësinë, me Çun Mulën komandant. Të gjithë burrat e bajrakut, të rinj e pleq, rrëmbejnë armët, duke lënë shtëpitë, arat dhe bagëtinë nën kujdesin e grave.

    Kënga XIV - Te ura e Rrzhanicës:

    Riza Pasha, komandanti turk i kalasë në Shkodër, hedh vështrimin nga veriu dhe sheh se mjegulla ka mbuluar liqenin. Nuk është mjegull, i thotë myftiu, por tymi i barotit në përleshjet e përgjakshme midis forcave malazeze nën komandën e Mark Milanit dhe malësorëve të Grudës e të Hotit. Poeti thërret zanat për të marrë vesh numrin e trupave sllave, të cilat pastaj radhiten në një mënyrë homerike. Dymijë e shtatëqind trupa malazeze ngjishen në Urën e Rrzhanicës përballë njëzet malësorëve dhe njëzet pushkëve, e ndër ta janë Halil Haka e Palokë Gjoka. Beteja që pason përshkruhet në të gjitha imtësitë e veta heroike, derisa sllavët munden dhe Mark Milani detyrohet t'ia mbathë me të katra.

    Kënga XV - Kasneci:

    Një sorrë ogurzezë ulet e zë vend në pullaz të pallatit në Cetinë ndërkohë që arrin lajmëtari me lajmin se ushtria malazeze është mundur dhe malësorët kanë ndërmend të hyjnë në Mal të Zi.

    Kënga XVI - Kulshedra:

    Kënga XVI përbën një interlud pas lufte me një analogji mitologjike për betejën. Në kohë stuhie, nje kulshedër e tërbuar shtatë-krerëshe ka ikur nga një shpellë në Shalë për të marrë hak mbi një drangue, Vocërr Bala. Drangojt, që personifikojnë heronjtë e malësisë, mblidhen për t'i bërë ballë e për të mundur përbindëshin gjigant. Pasi korrin fitore, drangojt marrin pjesë në një drekë me grurë, bukë, mish dreri dhe mjaltë, të ftuar nga orët e Shalës që e kanë soditur betejën nga një shkëmb aty pranë. Pas buke orët ia nisin valles dhe këndojnë këngën e vashës Eufrozinë nga Janina, e cila zgjodhi vdekjen e nuk iu dorëzua tiranit Ali pashë Tepelena:

    __________________________________________________ _________________

    6 Lahuta e malcís XIII. 40-44.
    __________________________________________________ _________________

    "Varza ká e varza s'ká,
    Por, si ká nji vajzë n'Janinë,
    Kurkund shoqen s'i a ké pá,
    Kah bje diell e serotinë:
    Sínin diell, ballin si hâna,
    Ardhun shtatit si silvija,
    Eufrozinë e quejti nâna,
    Augur t'mirë m'e pasë Shqypnija.
    Atê e páka aj Alì Pasha,
    Dalë si vida në balkue,
    Edhè fort pelqye i âsht vasha:
    Çon Harapin m'e kerkue.
    Vjen Harapi e i thotë te dera:
    Shpejt tash, vashë, ti ktû me zdrypun
    E me mue me ardhë nji hera;
    Persè Pasha të ká lypun.
    T'u thafët goja! shka po thue?
    I a kthen vasha fjalen marë;
    Se un nji vajz-o kam qillue:
    S'diej me folë me Pashallarë,
    Jo, po, Ali Pashë Tepelena
    Mundet kryet aj me m'a pré,
    Si i ká pré kushdi sá krena;
    Gjallë por s'lshoj un erz as fé.
    Asht mushë Pasha me mëní,
    Prap harapin çon e e thrret:
    Pa ndigio harap i zí,
    Se dy herë Pasha nuk flet:
    A se vjen ktû sande goca,
    A se ndryshe n'fund t'liqênit
    T'a bâj gjumin me bretkoca.
    More vesht, bre qên i qênit?
    I shkon naten vashës harapi,
    Edhè e mêrr e e çon m'liqê,
    Kû tue pritun ishte trapi,
    Per me i bartë neper kurrnê.
    N'mes të liqênit si kan dalë,
    Atí trapi vend ká zânun,
    Edhè nisë harapi fjalë,
    Nisë aj vashës kështû me i thânun:
    Nuk ká tjeter, tash, lum vasha:
    E s'jam nieri fjalës qi i luej:
    A me shkue sande te Pasha:
    A shî ktû me t'mytë ty n'ujë.
    Jo, po, i thotë vasha tue qeshë,
    Se un te Pasha due me shkue;
    Por due t'shkoj nji herë me u veshë,
    Pse sido ktû kam qillue.
    E kështû tue i thânë harapit,
    Atij qênit, t'birit t'qênit,
    Mêrr e hidhet n'ujë prej trapit,
    Edhè zhduket n'fund t'liqênit.
    Doli fjala neper dhé:
    Njekso varzash ká n'Shqypní,
    Qi per erz edhè per fé
    T'rijt e jeten i bâjn flí." (7)

    Kënga XVII - Në Qafë-Hardhi:

    Pas betejës në këngën XVI, orët dhe drangojt kanë ikur në shtëpi të vet. Mbeten vetëm dy drangoj, Rrustem Uka dhe Xhem Sadrija, që do të përgatiten për dasmën. Ata fluturojnë e ngjiten në Qafë-Hardhi. Aty bëjnë një pushim, duke pirë duhan e duke pastruar armët. Mark Milani është kthyer me tetë batalione të reja, i vendosur të pushtojë Plavën e Gucinë. Dy drangojt shqiptarë shtrëngohen të mbrojnë qafën nga treqind trupa malazeze. Ata zihen ngushtë, por u vijnë në ndihmë barinj të ndodhur andej afër, dhe fitojnë betejën. Mark Milani vendos t'i tërheqë trupat për një betejë tjetër në Sutjeskë. Zanat, të cilat përsëri e kanë soditur betejën nga një majë aty afër, zënë vend tani në një majë shkëmbi që sheh nga Sutjeska dhe rrinë në pritje.

    Kënga XVIII - Te Ura e Sutjeskës:

    Trupat e Mark Milanit mblidhen te Ura e Sutjeskës për të marrë Gucinë, por Ali pashë Gucia u ka zënë pritë me dymijë ushtarë shqiptarë. E gjithë kënga i kushtohet betejës së egër, përshkrimit të luftëtarëve të veçantë dhe bëmave të tmerrshme në një përleshje për jetë a për vdekje. Vjen pastaj një interlud me vajin prekës të një zogu të zi për vdekjen e Smajl Arifit. Por është edhe nëna e Cen Brahimit për t'u vajtuar, sepse i biri e ka turpëruar veten duke mos i marrë hakun probatinit të tij Sadri Çuni të vrarë në betejë. Kokën e Sadriut e kanë vënë majë një huri dhe e kalojnë para shqiptarëve për t'u tallur:

    "Do me t'thashë, me giasë, or Pashë,
    Se t'bân êmer Mark Milani,
    Mark Milani Kapidani,
    Me i a ndreqë cilen n'Xhamí,
    Dreken n'Plavë, darken n'Gusí."
    (8)

    Kënga XIX - Pater Gjoni:

    Duke bërë një mallkim të zjarrtë patriotik, Pater Gjoni i Kelmendit dënon bëmat e poshtra të sllavëve, që për pesëqind vjet nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë munduar shqiptarët dhe u kanë marrë tokat. Por malësorët janë kockë e fortë dhe kanë mbijetuar. Po të mos ishte prift, ai vetë do të kishte rrëmbyer armët e do të dilte në mbrojtje të maleve të atdheut. Sa të ketë ujë lumi i Drinit, sllavët nuk kanë për të shkelur në tokën shqiptare. Kur fillon të derdhet gjaku, Lulash Ndreu këndon një këngë patriotike, Patër Gjoni niset për në Sutjeskë me burrat e Kelmendit prapa.

    Kënga XX - Lekët:

    Skena edhe më të përgjakshme beteje në Urën e Sutjeskës. Luftëtarët shqiptarë të malësisë si dhe kundërshtarët e tyre sllavë po aq të vendosur përshkruhen një nga një, si

    __________________________________________________ _________________

    7 Lahuta e malcís XVI. 524-579.

    8 Lahuta e malcís XVIII. 329-333.
    __________________________________________________ _________________

  10. #70
    luftëtarët e Agamemnonit dhe Priamit nën muret e Trojës së lashtë. I ngjashëm me episodin e Glaukut dhe Diomedit te Iliada është takimi i probatinëve të vjetër, sllavit Mil Spasi dhe shqiptarit Bec Patani. Në përleshje e sipër, të dy e njohin njëri tjetrin, këmbejnë fjalë përshëndetjeje dhe mbështetin kokat në supet e njëri tjetrit, siç e do zakoni. Në interlud rrëfehet si kishte lindur miqësia e tyre. Kur Rrustem Uka mbërrin me përforcime nga Gucia, Bec Patani e shpëton probatinin e tij. Mbi atë kasaphanë bie nata.

    Kënga XXI - Ndërmjetsija:

    Pas një përshkrimi të gjatë të skenave të betejës të mbushur plot me gjak, gjymtyrë dhe koka të prera, shfaqet Patër Gjoni i këngës XIX. Ai i kërkon pashait t'i japë leje të shkojë te Mark Milani për një armëpushim, për të varrosur të vrarët. Pashai pranon. I shoqëruar nga një gjakon, Patër Gjoni niset për në kampin e komandantit malazez. Atje e presin me nderime. Pason një dialog midis patriotit Patër Gjoni dhe Mark Milanit, që tregohet fisnik, dhe armëpushimi vendoset. Por disa luftëtarë nuk duan t'ia dinë dhe mezi ç'presin të luftojnë. Me njëzet shokë besnikë me vete, Bec Patani mësyn në një tufë dhensh në Mal të Zi. Hyjnë në një vathë natën dhe e rrëmbejnë tufën. Skena të kujton Iliadën, plaçkitjen e Odiseut dhe Diomedit natën në kampin trojan. Rrugës në kthim ata marrin vesh se Mark Milani kishte ndërmend t'i mësynte përsëri sapo të mbaronte armëpushimi, kësaj radhe në Nokshiq. Nxitojnë që t'ia japin këtë lajm Ali pashës.

    Kënga XXII - Tringa:

    Veprimi ndodh në Nokshiq (pa dyshim Novshiqi i sotëm) në luginën e Limit të sipërm në juglindje të Malit të Zi. Për t'i shpëtuar kërdisë, të gjithë banorët janë larguar, madje edhe kafshët e egra. Mbetet në shtëpi vetëm vajza trime shqiptare Tringa, për t'u kujdesur për të vëllanë Curr Ula që po vdes. Përkushtimi dhe vetmohimi i motrës së ndershme e sypatrembur, figurë e marrë nga letërsia gojore shqiptare, jepet nga poeti me imtësi të holla. Curr Ula vdes dhe i bie Tringës ta varrosë në tokën e vet, megjithëse pas pak do të shpërthejnë luftimet. Një luftëtar sllav që kalon aty, Gjur Kokoti, e kallëzon dhe kërkon ta marrë "si ré nanës t'm'i ndihmojë n'shpi", por Tringa nuk do t'ia dijë. Ajo rrëmben pushkën dhe e qëllon në krahëror, duke marrë edhe vetë një plumb në kokë nga shoku i Gjur Kokotit, Vasil Ndreka. Kënga mbyllet:

    "Edhè dielli dheut i rá,
    Gjallë por Tringa Shkjaut n'dorë s'rá"
    (9)

    Kënga XXIII - Ke tbanat e Curr Ulës:

    Luftëtari shqiptar Gjetë Gega nga Shllaku mbërrin në vend dhe merr hak për Tringën duke vrarë Vasil Ndrekën. Më tej Gjetë Gegën e sulmon sllavi Millosh Pera në një duel, që poeti e krahason me një përleshje për jetë a vdekje midis një luani e një tigri. Në përleshje e sipër Millosh Pera pengohet te kufoma e Vasil Ndrekës dhe vritet nga Gjetë Gega, i cili i pret kokën Vasilit dhe e flak në oborr pranë trupit pa jetë të Tringës. Më tej në këtë këngë përshkruhen duele të tjera, ku trimat shqiptarë e malazezë përqeshin e shpotitin njëri tjetrin në një mënyrë epike.

    Kënga XXIV - Zana e Vizitorit:

    Zana e Madhe kundron betejën e përgjakshme nga më e larta pikë e malit Vizitor mbi

    __________________________________________________ _________________

    9 Lahuta e malcís XXII. 881-882.
    __________________________________________________ _________________

    Plavë, ashtu si Zeusi sodiste Luftën e Trojës nga maja e lartë e malit Ida. E zemëruar në kulm kur sheh Tringën e virtytshme, e cila që fëmijë kishte qenë nën mbrojtjen e zanave të malit, ajo zbret për t'ia marrë trupin e për ta sjellë në rudinat e malit Vizitor. Trupin e saj e lajnë me ceremoni, e ndërrojnë dhe e varrosin rrëzë një bliri, ndërsa Zana e Madhe e vajton. Tringës i duhet marrë haku. Ky është vullneti i Zanës së Madhe që ngrihet mbi malësi dhe u lëshon burrave kushtrimin për të shpejtuar për në fushëbetejën e Nokshiqit. Retë e luftës mblidhen në horizont ndërsa fiset e Shalës, Shoshit, Shllakut, Temalit, Merturit, Gjâjit dhe Dushmanit përgatiten për betejë.

    Kënga XXV - Gjaku i marrun:

    Kjo këngë, më e gjata nga të gjitha, me 1184 vargje, i kushtohet përsëri ashpërsisë së betejës, të cilën poeti shpirtbutë françeskan e përshkruan me kënaqësi. Nga vendi ku është ulur në majën e lartë të Durmitorit, ora e Malit të Zi dëgjon kushtrimin therës të Zanës së Madhe të Vizitorit dhe niset për të lajmëruar Mark Milanin, duke vajtuar:

    "Si gjithmonë Shqyptár e Shkjá
    Janë lá n'gjak, q'se fati i zí
    Flakë e agzot vûni per brî,
    Vû per brî Shqypní e Mal t'Zí!"
    (10)

    Ora i del Mark Milanit me fytyrën e poetit epik malazez Petar Njegosh për t'i njoftuar se shqiptarët po bëhen gati të zbresin në Nokshiq e ta tërheqin për të hyrë në betejë. Mark Milani trim i hyn orvatjes së fundit të pasuksesshme për të pushtuar malësinë shqiptare. Ai u bën thirrje luftëtarëve të vet të hidhen në sulm, duke u premtuar "cilen n'Plavë, dreken n'Gusí, zamren n'Hot e darkën n'Shkodër." Beteja ndizet e përgjakshme dhe përshkruhet edhe një herë me gjithë vrullin e heroizmit e batërdinë e saj. Zanat e maleve, ashtu si perënditë dhe perëndeshat e Greqisë së lashtë, ndërhyjnë për të mbrojtur luftëtarët e dashur e për t'i dërguar të tjerët në atë botë. Mark Milani e kupton se malazezët janë të rrethuar dhe kërkon nën një rrebesh shiu Mirko Kapidanin, për t'i thënë që të tërhiqet. Mirkoja është kapur rob nga shqiptarët në një urë mbi Lim. Këtu ora malazeze dhe zana shqiptare, të mbështetura nga dy shtriga mbi kurriz breshke, zënë e përleshen vetë. Ora mundet, e lodhur në pemën e blirit mbi varrin e Tringës, ku e rrahin gjarpërinjtë. Hakmarrja është kryer. Zana e Madhe këndon:

    "A t'kam thânë, 'or' Knjaz Nikolla,
    Se un, dér sande pa marrë dielli,
    Tringen do t'a kish' pague:
    Treqind krena un tue t'i pré,
    Treqind rob un tue t'i zanun,
    Trí mij çika e nuse t'reja
    Para kohës tue t'i lânë veja."
    (11)

    Kënga XXVI - Koha e re:

    Pas skenash të gjata me beteja, kënga XXVI bën kontrast me karakterin idilik të skenave të saj. Këtu hyn vetë poeti. Ai po e kalon pranverën në Lezhë për të përfunduar Lahuta

    __________________________________________________ _________________

    10 Lahuta e malcís XXV. 52-55.

    11 Lahuta e malcís XXV. 1165-1171.
    __________________________________________________ _________________

    e Malcís, dhe fton për vizitë zanën, muzën e tij. Bukuritë e Lissusit të lashtë në ato ditë pranvere e frymëzojnë poetin të rikujtojë historinë e krahinës: ndërtimin e kështjellës së Lezhës me muret e saj ciklopike, jetën e mbretërve legjendarë të Ilirisë, varrin e Skënderbeut, legjendat dhe mitologjinë. Tani, pas pesë shekujsh sundimi turk, po agon një kohë e re, ajo e lirisë dhe e pavarësisë së Shqipërisë.

    Kënga XXVII - Xhemjeti (Komiteti):

    Ka ardhur shekulli i njëzetë. Në brigjet e Bosforit, gjatë revoltes së xhonturqve më 1908, mblidhet një pseudokomitet pashallarësh turq për të vendosur për fatin e Shqipërisë. Liberalizmit të Sinan Pashës i kundërvihen Xhavit dhe Turgut Pasha, për të cilët në Perandori ka vetëm një kombësi, ajo turke, dhe që kërkojnë të përdoret forca për të mposhtur kryengritësit shqiptarë.

    Kënga XXVIII - Dedë Gjo' Luli:

    Fryma e qëndresës ndaj malazezëve vazhdon të gjallojë në Shqipërinë moderne në figurën e Dedë Gjo' Lulit, kryeluftëtar i çështjes kundër turqve. Jemi në vitin 1911, një vit para luftërave ballkanike, kur turqit nisën orvatjen e tyre të fundit për t'i nënshtruar malësorët shqiptarë nën sundimin osman. Me Dedë Gjo' Lulin dhe çetën e tij prej njëzet petritash është edhe plaku Marash Uci nga Rapsha e Hotit, që e kemi parë në këngën XII. Turgut Pasha me shtatëdhjetë batalionet e tij kërkon që malësorët të dorëzohen brenda pesë ditësh, dhe pastaj përgatitet për sulm, por tani gjendja e mjerueshme e Shqipërisë i ka rënë në sy edhe Evropës.

    Kënga XXIX - Lufta e Balkanit:

    Perandori i Austrisë Franc Jozefi e këshillon Sulltanin të mos i ngacmojë shqiptarët, se përndryshe do të ketë me ta më shumë probleme nga sa kujton ai. Cari i Rusisë shtyn miqtë e vet sllavë t'i shpallin luftë Turqisë dhe kështu nis Lufta Ballkanike e vitit 1912. Nga humbja e Turqisë do të përfitojnë bullgarët, dhe përsëri sllavët sulmojnë Shqipërinë. Mbreti i Anglisë fton gjashtë mbretërit e tjerë, përfaqësues të Fuqive të Mëdha, në Konferencën e Londrës për të zgjidhur këtë problem, sepse "prej Balkanit hajr nuk ké!"

    Kënga XXX - Konferenca e Londonit:

    Pas tridhjetë vjetësh pune me Lahuta e malcís, poeti e mbyll këngën duke i bërë thirrje zanës, e cila prej kohësh e ka ndjekur pa u ndarë andej-këndej nëpër lëndinat e Parnasit. Ashtu si Horaci në exegi monumentum, poeti na thotë:

    "Ndertue kemi 'i pomendare,
    Rrfé as mot mos m'e dermue."
    (12)

    Përshkrimit nga poeti të ngjarjeve të Konferencës së Londrës, ku të 'shtatë krajlat' bisedojnë për fatin e Shqipërisë, nuk i mungon një notë humori e ironie. Pas shumë debatesh, pjesëmarrësit pranojnë të njohin shtetin e ri e të pavarur shqiptar. Flamuri kuq e zi, "porsì fleta e Engllit t'Zotit", valëvitet tani mbi tokën e Skënderbeut.

    Lahuta e malcís është pa dyshim poema epike më emocionuese e më e fuqishme e shkruar në gjuhën shqipe. Ajo qëndron mbi të gjitha sprovat e tjera në këtë gjini: nga poema me

    __________________________________________________ _________________

    12 Lahuta e malcís XXX. 23-24.
    __________________________________________________ _________________

Faqja 7 prej 12 FillimFillim ... 56789 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  2. Video e ushtarëve grekë në Internet indinjon shqiptarët
    Nga Ingenuous në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 207
    Postimi i Fundit: 22-09-2011, 14:58
  3. Letersia Shqiptare
    Nga new-man në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-01-2009, 12:28
  4. Mesjeta e hershme shqiptare
    Nga DYDRINAS në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 15-11-2006, 15:10
  5. Rruga e modernitetit dhe koha e artë e letërsisë shqiptare
    Nga Eni në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-10-2002, 14:04

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •