Close
Faqja 4 prej 12 FillimFillim ... 23456 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 31 deri 40 prej 116
  1. #31
    Një gare m'u rodh te kurmi,
    Si garea mbrëmjes te shtrati,
    Kur vajza e ngrohët
    Ndien për të parëzën
    Sist çë m'i frihjen."



    Takimi i parë i Milosaos me të bijën e bareshës në këngën e dytë bëhet, ashtu siç ndodh shpesh në poezinë popullore shqiptare, te burimi i fshatit. Ai ka shërbyer si i vetmi vendtakimi në shoqërinë tradicionale shqiptare, ku të dy sekset, po t'u ecte, mund të këmbenin dy-tri fjalë para se vashat virgjëresha, me sytë e turpshëm ulur përdhe, të ktheheshin në strehën mbrojtëse të familjes.


    "Vreshtat in të verdhullore:
    Erth ka malji dheljpëra
    Me të ljodhëta të bijlat
    Porsa paru in të vjelja;
    E te hera çë ndër sheshet
    Sqepet djelli, si te bota
    Ëma çë këntuan një valle,
    Vet Fjokat u m'u hjimisa.
    E përveshurëz, e ljart,
    Me këshen të pjeksurith
    Ndë një jetullëz të bardh,
    Ish te kroi një vash. Te balli,
    Një këshill i kish hje.
    I ljidhur te brezi kaljthër,
    Skemantilj' i ngit mbë truall.
    Mua sa më ndieti,
    Shtuara vasha m'u pruar,
    Gjifritur, pjono hje.
    Me të trëmbur një gare.
    Trimi: 'Vajz, më jep ti një pik uj?'
    Vajza: 'Sa të duash, ti, birë zoti.'
    'Kuj e bilje je ti, vash?'
    'Mos më je ti e dheut guaj?'
    Kur jesh djalj e Salloniq
    Vajta, vajza nëng ishin
    Ndë katund me aqë gadhi.
    Ndë çerët e dhezurës,
    Vucën ajo ngrënej.
    'Jam e bilje Kollogres',
    Ngrejti ballët e sbuljuar.
    Na vejim asaj udh,
    Gjëmbat çë virëshin tek udha
    Së gërvishtëtin at kopilje:
    Me llort të përgjakura,
    Ka ballt u më ja reshta.
    Di buz të qeshëme,
    Nji herje të bardh,
    At mbrëma dukëshim."



    Më fort se familjet, janë pushteti i zakoneve shoqërore dhe ndërgjegja klasore ato që i pengojnë të rinjtë të lidhen ashtu si dëshirojnë. Për më tepër e detyrojnë vashën që t'i shmanget të dashurit të saj të mundshëm. Ndodh edhe një ndarje, gjatë së cilës Milosaon e pushton dyshimi e dëshpërimi, të cilat nuk i ndahen deri në bashkimin përfundimtar. Në këtë poemë, të rralla janë rastet kur dashnorët takohen vërtet për të folur me njëri-tjetrin. Në këngën e katërt kemi një skenë prekëse të mbrujtur me motivin erotik, që nuk është karakteristik për poezinë shqiptare:


    "Ish e diella menat
    E i biri zonjës madhe
    Ngjitej tek e bukura
    Të m'i ljipën një pik uj,
    Se ish et' i djegurith.
    Vetëm e çoi ndë vatërët,
    Çë këshen më pjeksënej.
    Ata duhëshin e s'e thoshin.
    Vajza, me buzën mbë gaz:
    'Ç'ësht e ikën si ajri?'
    'Më presën ndë roljiet.'
    'Di moll t'ardhura
    Qëndro, u tij t'i ruata.'
    Me një dor ngrëjturith
    Mbanej mbi veshin e bardh
    Ljesht e saj të shpjeksurith;
    Kalli jetërën te gjiri
    E më goljq mollëzit,
    Më ja e vu ndë dorjet,
    Ndë çerët e dhezurëz.
    Thomnie ju, të dashurit,
    Nd'ëmbëlj aqë të puthurit."


    Edhe 'Këngët e Serafina Topisë' na kthejnë prapa te bota romantike e mjegullt e Shqipërisë së mesit të shekullit të pesëmbëdhjetë. Serafina Topia, bija e dukës së Artës, dhe Bozdar Stresa janë nga dy dyer rivale të kohës së Mesjetës, një Romeo e një Zhuljetë shqiptarë, dashuria e të cilëve ka për të mbetur e papërmbushur. Në këtë romancë gotike të mbushur me magji dhe folklor kalabrez-shqiptar, Serafina sakrifikon lumturinë vetjake për interesat e shtetit, dhe martohet me princin Nikollë Dukagjini me qëllim që, në prag të pushtimit turk, Shqipëria e jugut dhe ajo e veriut të bashkohen. Rruga e jetës e të gjithë personazheve të poemës është e mbushur me fatkeqësi, vuajtje e madje vdekje të parakohshme, pasqyrë kjo e jetës së vetë poetit. Ashtu si me 'Këngët e Milosaos', De Rada i ndryshoi e i rishikoi disa herë 'Këngët e Serafina Topisë', e në çdo variant gjejmë të pasqyruar gjendjen e tij vetjake.

    Vepra letrare e tretë më e madhe e De Radës në shqipe është Scanderbeccu i pa-faan (Skënderbeu i pafat) (64), që ai e konsideroi si kryeveprën e tij. Përsëri, edhe kjo seri baladash romantike doli në një radhë botimesh të ndryshme që pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të poetit në kohë të ndryshme. Në vija të trasha, ajo mbulon historinë e bëmave të para të Skënderbeut nga viti 1418 deri më 1444 dhe ndërthuret me shumë intermezo që kanë pak lidhje me të tërën. Skënderbeu, në të vërtetë, del pak në vepër. Edhe pse përmban shumë fragmente me poezi

    __________________________________________________ _________________

    64 kr. Camaj 1969a.
    __________________________________________________ _________________

    emocionuese, Scanderbeccu i pafaan nuk është ajo poemë epike tradicionale që mund të pritej prej një pishtari të parë të lëvizjes kombëtare shqiptare. Ajo kalon sa në një çështje në një tjetër, e kjo vihet re sidomos në botimet e mëvonshme. Forcën e vet letrare De Rada nuk e kishte në saktësinë klasike apo unitetin strukturor të veprës. Në përgjithësi, korpusi i poezisë në gjuhën shqipe të Jeronim De Radës është vështirë të gjykohet e madje të skicohet për shkak të një mungese gjithandej të unitetit tematik në të tri veprat e tij kryesore, si dhe për shkak të prirjes së tij për ndryshime të vazhdueshme e botime të rishikuara, çka pasqyron gjendjen shpirtërore, nevojat emocionale dhe pëlqimet letrare në periudha të ndryshme të jetës së tij të gjatë. Në më të shumtën e rasteve, botimet e rishikuara duket se i kanë ulur vlerat letrare të veprave në fjalë. Ndonëse poezia e De Radës në dukje është ndërtuar mbi tema shqiptare, po t'i hysh më thellë, del e bëhet e qartë se, mbi të gjitha, ajo është për vetë De Radën. Nuk është pa baza që albanologu britanik Stuart Man (Stuart Mann, 1905-1986) e ka cilësuar poezinë e De Radës 'të dobësuar për mungesë subjekti e strukture, për gjuhë të errët, dialog të rëndomtë dhe irrelevancë politike' (65). Ndonëse shkrimtar me vlera kulturore të paçmueshme, De Rada nuk është kurrsesi poeti i poetëve. Nuk kemi përshtypje se ishte në gjendje të krijonte në zhanre poetikë të tjerë përveç baladës romantike. Ka kritikë që kanë shkuar aq larg, sa të mos i japin fare merita si poet e shkrimtar (66). Pavarësisht nga këto, Jeronim De Rada prapëseprapë mbetet një figurë e lartë në historinë e letërsisë shqiptare të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ai luajti një rol të dukshëm në zgjimin e arbëreshëve nga errësira kulturore e krahinorizmi letrar dhe veproi si katalizator, jehona e të cilit u ndie fort përtej detit në Shqipëri në që ende vuante nën zgjedhën osmane.

  2. #32
    7.5 Poetë romantikë: Françesk Santori, Gavril Dara i Riu dhe Zef Serembe




    Zgjimi kulturor romantik i arbëreshëve në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë solli një tjetër shkrimtar me talent origjinal. Françesk Anton Santori (67) (ital. Francesco Antonio Santori, 1819-1894) lindi më 16 shtator 1819 në Picilia (ital. Santa Caterina Albanese) në krahinën e Kozencës. Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç filloi mësimet për prift dhe më 1842 hyri në manastirin françeskan të Urdhërit të Reformuar në San Marko Arxhentano fqinje (San Marco Argentano). Atje jetoi tetëmbëdhjetë vjet deri më 1860 dhe pasi nuk arriti të themelojë një manastir në Latariko (Lattarico), aty nga viti 1858, e braktisi jetën e murgut njëherë e përgjithmonë. I kthyer prapë në Picilia, ai tani nisi të shtyjë ditët me një jetë modeste si mësues e si shitës i një vegje të bërë me duart e veta me tri apo katër fije. Më 1885 u caktua prift në famullinë e Shën Japkut (ital. San Giacomo di Cerzeto), ku edhe vdiq në shtator 1894. Santori është autor poezish, pjesësh teatrale, tregimesh, romanesh, përshtatjesh të 112 fabulave të Ezopit si dhe autor i një gramatike të shqipes të shkruar në vargje. Deri vonë pjesa më e madhe e shkrimeve, me një drejtshkrim të tijin e mjaft të vështirë, pati mbetur e

    __________________________________________________ _________________

    65 kr. Mann 1955, f. 21.

    66 kr. Petrotta 1932, f. 219.

    67 kr. Straticò 1896, f. 221-238, Z. Kodra 1954a, Gradilone 1974, f. 7-77, Altimari 1982, Qosja 1984, vëll. 2, f. 185-232, K. Kodra 1987, 1990, 1991, Fortino 1991a, 1993, dhe Santori 1993/1994.
    __________________________________________________ _________________

    pabotuar (68). Ishte ende në të njëzetat kur përfundoi poezinë e parë Canzoniere albanese (Këngëtorja arbëreshe). Kjo poemë e gjatë kushtuar dashurisë dhe bukurive të natyrës doli vetëm tre vjet pas botimit të parë të Këngëve të Milosaos të De Radës dhe në shumë anë mban vulën e De Radës. U ripërgatit për botim më 1975 nga Françesko Solano (l. 1914) dhe më pas në Tiranë nga Andrea Varfi (69). Me rastin e hyrjes në fuqi të kushtetutës napolitane më 1848, ai kompozoi edhe një himn shqip me titullin Vale garees madhe (Vallja e haresë së madhe), e cila u botua në revistën L'Albanese d'Italia të De Radës më 23 shkurt të atij viti. Il prigionero politico, Napoli 1848 (I burgosuri politik) është një rrëfim poetik në italishte, me disa pjesë në shqipe, për peripecitë e një familjeje të përndjekur gjatë revolucionit italian më 1848.

    Spontaniteti dhe lirshmëria me të cilën Santori kalon nga italishtja në shqipe dëshmon për talentin e tij krijues në shprehjen kulturore dygjuhëshe. Santori është gjithashtu autori i dy veprave fetare në shqipe të botuara gjatë viteve që kaloi si murg në manastirin San Marko Arxhentano: Rozhaari i S. Myriis Virgkiyry, Kozencë 1849 (Ruzaria e Shën Mërisë së Virgjër), poemë fetare, dhe Kryšten i šyityruory, Napoli 1855 (I krishteri i shenjtëruar), 230 faqe vargje fetare, përmbledhje lutjesh, tekste kishtare në prozë e poezi dhe përkthime këngësh fetare nga Cuneus prophetarum (1685) i Pjetër Bogdanit, të cilat Santori i përfshiu në librin e tij në shenjë vazhdimësie të letërsisë fetare shqiptare.

    Me rëndësi më të madhe letrare, nga pikëpamja historike janë dramat e Santorit. Emira njihet si e para dramë origjinale në gjuhën shqipe. U botua në mënyrë mjaft të çrregullt, disa pjesë në revistën Fiàmuri Arbërit në nëntor 1887, kurse të tjera në antologjinë shqiptare të De Radës të vitit 1896. Në vitin 1984 vepra u ribotua nga Françesko Solano (70). Santori shkroi një numër pjesësh melodramatike të tjera si komedi dhe tragjedi, disa të papërfunduara, që i mbetën në dorëshkrim për tërë jetën. Ndër to janë tragjedia Jeroboam dhe melodrama Alessio Ducagino (Lekë Dukagjini) të shkruara midis viteve 1855 dhe 1860, që janë botuar tani nga Françesko Solano(71).

    Përveç përkthimit të fabulave të Ezopit që përmendëm më lart, Santori hartoi edhe 1845 vargje satirike që kanë dalë në dritë vetëm tani vonë (72). Në këto vargje më mirë se kudo mund të vërehet ndjeshmëria e thellë fshatare dhe lidhja e ngushtë e tij me folklorin, pikërisht në këto vargje shfaqet më së ploti vokacioni i vërtetë poetik i tij. Që Santori ishte edhe prozator me rëndësi për historinë e letërsisë shqiptare, është bërë përherë e më e qartë me anë të botimeve të sotme. Me dy romanet dhe gjashtë tregimet e tij ai mund të konsiderohet tani shkrimtari më i hershëm shqiptar që të ketë krijuar një korpus të rëndësishëm proze letrare ndonëse, me kriteret e sotme, asnjëra prej këtyre veprave, të cilat i mbetën të pabotuara në të gjallë, nuk ka ndonjë vlerë estetike të jashtëzakonshme. Romani i tij i papërfunduar Sofia Kominiate u shkrua në dy variante: një variant 282 faqesh në shqipe dhe një 714 faqesh në italishte, ndërsa Il soldato albanese (73) (Ushtari shqiptar) u shkrua vetëm në

    __________________________________________________ _________________


    68 kr. Gangale 1973 për dorëshkrimet ende të pabotuara që gjenden në Koleksionin Shqiptar në Kopenhagë, sidomos, f. 46 (III 5), (III 17), 102 (V 26) dhe 134 (V 58).

    69 kr. Santori 1975, 1980.

    70 kr. Santori 1984. Shih edhe Santori 1959, dhe K. Kodra 1977.

    71 kr. Santori 1983.

    72 kr. Santori 1982.

    73 kr. Santori 1976.
    __________________________________________________ _________________

    italisht. Tregimet e tij, të njohur me emrat e personazheve kryesorë Panaini e Dellja (74), Kolluqi e Sorofina, Brisandi Lletixja e Ulladheni (75), Neomenia (76), Filaredo, Rosarja, Emilja, Miloshini, Virgjinia, Gnidhja e Kusari dhe Fëmija Pushtjerote (77) trajtojnë motive nga jeta në fshat. Të mbushur me mjaft elemente folklorike dhe etnografike konvencionale, ata vuajnë nga zgjidhje të lumtura sentimentale e naive, që vijnë në shumë raste me një 'deus ex machina'.

    Santori e ushtroi penën e tij në shumë gjini: poezi, romanca në vargje, prozë, drama, përkthime dhe vjersha humoristike, dhe mu për këtë shumanëshmëri e ka të siguruar vendin e nderit në letërsinë arbëreshe, menjëherë pas De Radës. Krijimtaria e tij letrare është në përgjithësi më e kapshme për lexuesin se ajo e De Radës, me gjithë vështirësitë që paraqet drejtshkrimi i tij (veprat e Santorit tani botohen detyrimisht me transliterim). Nga ana tjetër, ajo është larg përsosmërisë artistike apo lëmimit estetik, nëse këto mund të shpresoheshin prej shkrimtarëve shqiptarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Megjithëse kishin kaluar katër shekuj me traditë shkrimi, gjuha shqipe ishte ende mjaft e papërpunuar për letërsinë, dhe do të mbetej e tillë deri në shekullin e njëzetë.

    Rrjedha ende e ngadaltë e letërsisë arbëreshe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të cilën Jeronim De Rada e kishte kanalizuar aq thellë brenda lëvizjes romantike, do të nxirrte një vepër me frymëzim të vërtetë Osianik nga Gavril Dara i Riu (78) (1826-1885), i njohur edhe si Gabriele Dara. Dara lindi më 8 janar 1826 në Pallac (ital. Palazzo Adriano) në Sicili në një familje të lashtë arbëreshe me emër, duke qenë një nga të parat familje që kishte ikur nga Shqipëria pas vdekjes së Skënderbeut më 1468. Studioi në Seminarin grek në Palermo dhe më vonë kreu studimet e larta për drejtësi, dhe e ushtroi avokaturën disa kohë në Agrixhento. Dara u bë përherë e më aktiv në ngjarjet e bujshme politike të përmbysjes së Mbretërisë së Dy Sicilive prej Garibaldit dhe shërbeu në detyra të ndryshme. Pas emërimit të parë si kryekëshilltar i prefekturës së Palermos, ai shërbeu nga viti 1867 deri më 1869 si prefekt i qytetit të Trapanit. Nga 1871 deri më 1874 ishte edhe drejtor i periodikut La Riforma në Romë dhe vdiq më 19 nëntor 1885. Interesimet letrare e shkencore të Darës ishin të gjera dhe përfshinin poezinë, folklorin, filozofinë, arkeologjinë dhe drejtësinë. Ai shkroi vjersha në italishte si dhe një poemë fetare në shqipe kushtuar Shën Llazarit, por ka mbetur në histori kryesisht për baladën romantike Kënka e sprasme e Balës, Katanxaro 1906. Entuziazmi që shkaktoi poeti skocez Xhejms Mekferson (James Macpherson, 1736- 1796) me gjoja zbulimin e tij dhe botimin më 1760 të 'Fragmenteve nga poezia e lashtë e mbledhur në malësinë e Skocisë', e ndezi imagjinatën romantike të shkrimtarëve dhe studiuesve në mbarë Evropën gjatë më shumë se një shekulli. Mekfersoni hiqej se pati përkthyer poemat epike kelte të kalorësit dhe rapsodit legjendar Osian (Ossian), por, kur u shprehën dyshime për këtë, ai nuk paraqiti dot 'dorëshkrimet e vërteta të lashta' për të cilat bëhej fjalë. Lëvizja Romantike, me kultin e saj për sublimen dhe me primitivizmin e saj 'të vrazhdë fisnik', zgjoi pasionin për letërsinë gojore dhe traditat folklorike anembanë Evropës, kurse studiues të shumë gjuhëve iu vunë kërkimeve e studimeve për eposet e lashta të popujve të tjerë. Kështu një

    __________________________________________________ _________________

    74 kr. Santori 1979.

    75 kr. Santori 1977.

    76 kr. Fortino 1993.

    77 kr. Santori 1979.

    78 kr. Petrotta 1932, f. 228-232, 1950a, f. 8-24, K. Kodra 1975a, Varfi 1981, dhe Qosja 1984, vëll. 2, f. 349-374.
    __________________________________________________ _________________

    shembull, Johan Volfgang fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832) ishte adhurues i madh i poezisë 'Osianike'. Nuk ka dyshim se tamam nën ndikimet e vona të Osianizmit, Gavril Dara mëtoi se kishte njohur në përmbledhjen me këngë popullore të gjyshit fragmente nga një poemë e lashtë epike shqiptare e një rapsodi malësor me emrin Balë. Kjo poemë në katër pjesë, që rrëfen për bëmat e Nik Petës dhe Pal Golemit, heronj shqiptarë gjatë periudhës së motit të madh të Skënderbeut, u botua së pari pjesë-pjesë më 1887 në periodikun Arbri i Ri nga Zef Skiroi (Giuseppe Schirò), kurse e plotë doli në italishte e në shqipe në revistën La Nazione Albanese (Kombi shqiptar) nga korriku i vitit 1900 e më tej. Skiroi e cilësoi atë që mendohej si autor i kësaj poeme epike, me këto fjalë:

    "Bala ka qenë një luftëtar i lashtë ndër ata që, pas pushtimit të Shqipërisë, erdhën në Sicili dhe themeluan ngulimin e Pallacit. Pleqtë e moshuar e tregojnë si njeri kuqalash e harbut. Ai u ikte shokëve dhe kalonte ditë e muaj me radhë duke u endur nëpër malësi e duke hipur majave për të përshëndetur Shqipërinë. Kishte raste kur, në thellësi të pyjeve, fliste me veten dhe vajtonte për shokët e rinisë. Nganjëherë, kur dimri ishte i ashpër dhe malet e fushat i zbardhonte dëbora, ai ulej pranë zjarrit dhe u rrëfente fëmijëve e të rinjve bëmat e epokës për të cilën vajtonte. Ai ishte poet luftëtar, si Osiani, që jetoi i veçuar e i tërhequr në kujtimet e veta." (79)

  3. #33
    Nuk vonoi shumë dhe u njoh se Kënka e sprasme e Balës, me nëntë këngët e saj, ishte e penës së vetë Gavril Darës. Fjalën që ai hedh sikur ka zbuluar fragmente të një poeme epike shqiptare të lashtë, mund ta konsiderojmë më shumë si një vlim romantik tipik për kohën sesa si sajesë me ndërgjegje. Cilatdo të kenë qenë synimet e autorit, poema nuk është pa merita letrare në vetvete dhe sidoqoftë ka unitet e harmoni më të madhe se veprat e paraardhësit dhe mësuesit të Darës, Jeronim De Radës. Trajtimi me frymë heroike që ai i bën periudhës epike të historisë së Shqipërisë, ndonëse i paraqitur në një këndvështrim romantik që në letërsitë bashkëkohore do të vështrohej si i tepruar, është të paktën edhe më i kuptueshëm se endjet e ngatërruara poetike të De Radës te Milosao e te Serafina Thopia. Madje, Kënka e sprasme e Balës përbën diçka mjaft të këndshme për t'u lexuar nga radha e letërsisë romantike arbëreshe të shekullit të nëntëmbëdhjetë e për më tepër vazhdon të lexohet me ëndje nga studentët edhe sot.

    Poeti lirik Zef Serembe (80) (ital. Giuseppe Serembe, 1844-1901) ka qenë një shpirt i shqetësuar i parathënë për të mbajtur barrën e rëndë të vuajtjeve njerëzore. Ajo atmosferë tragjike dëshpërimi, që e ndoqi gjatë gjithë jetës, shfaqet herë pas here e duket edhe në vargun e tij. Serembja lindi më 6 mars 1844 (81) në Strigar (ital. San Kosmo Albanese) në krahinën kalabreze të Kozencës dhe ndoqi mësimet në kolegjin e Shën Adrianit. Në moshë të re, ra në dashuri me një vajzë nga fshati i lindjes, e cila emigroi në Brazil me familjen dhe vdiq atje. Humbja e saj nuk iu shqit nga mendja dhe, me shpresë se mos të paktën ia gjente varrin, Serembe mori detin për në Brazil më 1874 në kërkim të një jete të re. Me një letër rekomandimi në dorë nga Dora d'Istria (1828-1888), ai u prit në oborrin e perandorit Dom Pedro II. Pas një historie të shkurtër dashurie atje, u kthye në Evropë, i mërzitur e i brengosur. Me të mbërritur

    __________________________________________________ _________________

    79 kr. Arbri i ri, 3 (1 qershor 1887).

    80 kr. Gradilone 1960, f. 142-161, 1989, K. Kodra 1970, 1971, 1975b, Shuteriqi 1961, 1974, f. 143-196, 1977, f. 251-309, Qosja 1979b, f. 9-38, 1986, vëll. 3, f. 7-66, Belmonte (red.) 1988, dhe Belmonte 1991.

    81 Mbi ditëlindjen e Serembes, kr. Serembe 1985, vëll. 1, f. 10.
    __________________________________________________ _________________

    në Botën e Vjetër në shtator të vitit 1875 rrota e fatit i eci prapë ters. Mbetur pa para, se ia vodhën me sa duket në portin e Marsejës, u detyrua të kthehet në Itali më këmbë, dhe mendohet se gjatë udhëtimit humbi shumë dorëshkrime. Në Livorno e ndihmoi Dhimitër Kamarda (ital. Demetrio Camarda), i cili i dha paratë e trenit për pjesën e mbetur të rrugës deri në Kozencë. Kudo që shkonte e kapte dëshpërimi, pa dyshim nga ndonjë depresion kronik apo ndonjë formë tjetër çrregullimi psikik, dhe ndihej i vetmuar e i pasigurt. Prehje gjente në ëndërrimet e tokës së stërgjyshëve, vizion ky i turbulluar nga realiteti i pushtimit turk të Shqipërisë dhe nga indiferentizmi i fuqive Perëndimore ndaj vuajtjeve të saj. Në këtë izolim shpirtëror të tij, Italia po bëhej përherë e më tepër dheu i huaj. Më 1886, Serembja vizitoi ngulimet arbëreshe në Sicili dhe më 1893 vajti në Shtetet e Bashkuara, ku jetoi rreth dy vjet. Një vëllim me vjersha të tij në italishte u botua në Nju Jork më 1895. Më 1887, emigroi nga Kalabria e tij në Amerikën e Jugut për herë të dytë dhe u mundua ta nisë jetën për së pari në Buenos Aires. Pas një viti ra sëmurë dhe vdiq më 31 dhjetor 1901 në Sao Paolo.

    Shumë nga veprat e Serembes (vjersha, drama dhe një përkthim i Psalmeve të Davidit), të cilat ai vazhdimisht i rishikonte e i ripunonte, humbën gjatë ndërrimeve të shpeshta të vendbanimit. Në të gjallë ai botoi vetëm: Poesie italiane e canti originali tradotti dall'albanese, Kozencë 1883 (Poezi italiane dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja) në italishte e shqipe, Il reduce soldato, ballata lirica, Nju Jork 1895 (Kthimi i ushtarit, baladë lirike), vargje vetëm në italishte, dhe Sonetti vari, Napoli 189? (Tingëllima të ndryshme), një përmbledhje tepër e rrallë prej dyzet e dy tingëllimash në italishte të pajisura me një hyrje, të gjitha të ngjeshura në katër faqe me shkronja të imëta. Një vjershë doli gjithashtu në gazetën e Xhuzepe Skiroit Arbri i Ri më 31 mars 1887. Nga vjershat në gjuhën shqipe, tridhjetë e nëntë iu botuan pas vdekjes në përmbledhjen Vjersha, Milano 1926, nga i nipi Kozmo Serembe (ital. Cosmo Serembe). Krijime të tjera i janë gjetur në dorëshkrime dhe arkiva (82) të ndryshme në vitet e fundit, kurse disa vjersha madje kanë ardhur deri në ditët tona duke kaluar gojë më gojë ndër fshatarët e Strigarit. Kjo provë e popullaritetit të tij është disi për t'u habitur, po të kemi parasysh se një pjesë të mirë të jetës e kaloi larg fshatit të lindjes.

    Vargu i Serembes, i pikëlluar e i trishtuar nga karakteri, por shpesh patriotik dhe idealist për nga frymëzimi, konsiderohet nga një numër i madh njerëzish si poezia më e mirë lirike në shqipe, të paktën para kohëve të reja. Gama tematike e tij përfshin lirika melodioze për dashurinë dhe himne për vendlindjen (qoftë Italia, toka e lindjes së tij, qoftë Shqipëria, toka e ëndrrave të tij), vjersha elegante për miqësinë dhe po ashtu për bukuritë e natyrës, si dhe vargje me frymëzim fetar. Lirikat që i kushtohen atdheut të humbur janë vjersha romantike me frymë kombëtare e me ndjenjë të ndezur malli, vjersha që çimentojnë lidhjet letrare me brezin që po lindte të poetëve të Rilindjes në Shqipërinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Po të tilla janë edhe
    ato që i kushtohen Ali pashë Tepelenës, Dora d'Istrias dhe Domeniko Mauros. Sado atdhetar që mund të ketë qenë, Serembja nuk ishte nga ata poetë intelektualë që mund të na jepnin një kronikë poetike të së kaluarës së Shqipërisë. Ai ishte një poet i ndjenjës, e sidomos i vetmisë e
    i zhgënjimit. Në vargun e tij ndihen disa nga anët më intime të poetëve italianë Françesko Petrarka, Dante Aligieri dhe Xhakomo Leopardi, të cilët i kishte lexuar dhe adhuruar të gjithë. Lirikat e tij të dashurisë, disa kushtuar vajzës që kishte dashur, përbëjnë një ditar të vërtetë të zemrës së tij, për shembull Kënthimë tharosi, e njohur edhe nën titullin Kënkë malli:

    "Rri e pikosur me mua, ku e di çë ke,
    O ti e të bjerrit Parrajs molla më e mirë!
    Thuomë çë të bëra u i shkret e kështu më le


    __________________________________________________ _________________
    82 Për fragmente të veprës së tij në Koleksionin Shqiptar në Kopenhagë, shih Shuteriqi 1963a, dhe Gangale 1973, f. 53 (III 24), 61 (IV 5).
    __________________________________________________ _________________

    Sa gjellen bën - e rronj pa fare hirë.


    Oh! si të tharëta më shkuon kto dit, çë fare
    Nkë pe ninat e qeshur nd'ata si
    Çë shpirtin, dreq, m'e mbijin ndë gavnare
    Çë m'e pataksjin lart me mallëmadhi.

    Ballet terjorisur rrëmba dielli
    Ka jotja dritsorë u më nkë pe,
    Ne buzen me at çerë çë i qeshnej qielli,
    Se të vrëret m'i mbuluon paru shum re.

    Te gjiri, vash, mua zëmra mbëshon me zjarr,
    Gjith trutë më vruntullisnjin me noere,
    Pushimë u nkë mun çonj, paq nk' mun marr
    E gjellen kështu ti, vash, m'e vret njëhere!"
    (83)

  4. #34
    7.6 Shkrimtarë të tjerë arbëreshë të shekullit të nëntëmbëdhjetë



    Ndër shkrimtarët arbëreshë më të vegjël të fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë mund të përmendet Benjamin Frashini (84) (ital. Beniamin Frascini), poet dhe prift nga Frasnita (ital. Frascineto) në krahinën e Kozencës, autor i një poeme të gjatë, por me interes letrar të paktë. Ajo trajton ngjarjet e vitit 1807 kur trupat frënge shkretuan krahinën. Kjo vepër me 168 strofa, me titullin italisht I Francesi in Frascineto-Porcile nel 1807. Triste conseguenze delle discordie degli abitanti, divisi in Giacobini, partigiani de' Francesi, e Realisti, devoti al Re Ferdinando IV di Borbone (Francezët në Frasnitë-Purçill më 1807. Rrjedhojat trishtuese të mosmarrëveshjeve midis banorëve të ndarë në Jakobinë, partizanë të francezëve, dhe ruajalistë, besnikë të mbretit burbon Ferdinand IV), u kopjua më 1900 nga profesor Domeniko Manjeli (ital. Domenico Magnelli) dhe u zbulua në një nga dorëshkrimet e tij më 1960. Një poemë e dytë historike në shqipe që flet për pushtimin francez në atë periudhë është shkruar nga Kostantino Askuri (85) (ital. Costantino Ascuri, 1810-1871) nga Ejanina (ital. Eianina), student në kolegjin e Shën Mitrit. Ajo ndodhet në një dorëshkrim të titulluar thjesht Kënka (Kënga), që mban datën 1834. Një tjetër poet arbëresh nga Shën Mitri dhe student në kolegj ishte Kostantin Beluçi Shalja (86) (ital. Costantino Bellucci Sciaglia, 1796-1867). Beluçi ishte poet satirik i njohur, që asokohe e nxirrte jetesën duke punuar si rrobaqepës, kurse më vonë si pylltar. Veprat

    __________________________________________________ _________________

    83 Transkriptim i Xhuzepe Gradilones nga një dorëshkrim i Koleksionit Shqiptar të Bibliotekës Mbretërore në Kopenhagë, kr. Gradilone 1989, f. 98-99.

    84 kr. Shuteriqi 1976, f. 162.

    85 kr. Shuteriqi 1976, f. 205.

    86 kr. Gradilone 1960, f. 218-232, Gangale 1973, f. 88 (V 10), dhe Shuteriqi, 1976, f. 249.
    __________________________________________________ _________________
    e tij u botuan pjesërisht nga Jeronim De Rada më 1884 (87) dhe u përkthyen në italishte nga Salvatore Braile (1872-1960) në Shkodër më 1924 nën titullin La commediante, satira ai galantuomini di San Demetrio Corone. Euxhenio Peta (ital. Eugenio Petta), prift dhe poet sicilian i cili, ashtu si Nikolë Filja (1693-1769), shërbeu në Qeuti në Puljen veriore më 1804 dhe 1807, ishte autor i dy distikëve shqip të gjetur në kishën e San Merkurio in Serrakapriola (ital. San Mercurio in Serracapriola). Ata u botuan nga Mikel Markianoi (88). Vinçenco Suli nga Pallaci (ital. Palazzo Adriano) në Sicili ka shkruar në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë një vjershë për verën (pije) (89). Françesko Parrino (90) (1754-1831) nga Hora e Arbëreshëvet ishte autor i dy vjershave shqip për Shën Llazarin. Thuhet se i ati, Demetrio Parrino (91), prift në Horën e Arbëreshëvet, ka përkthyer shqip pjesë të liturgjisë, disa në vargje, ndonëse këto përkthime nuk kanë ardhur deri në ditët tona. Një vjershë tjetër për Shën Llazarin na ka lënë Gavril Dara Plaku (92) (ital. Gabriele Dara, 1765-1832), gjyshi i Gavril Dara të Riut dhe folklorist nga Pallaci në Sicili, përmbledhja me këngë popullore arbëreshe e të cilit ka humbur. Edhe i biri, Andrea Dara (93) (1796-1872), babai i Gavril Dara të Riut, dëshmoi interesim të gjallë për folklorin arbëresh dhe qe autor jo vetëm i një përmbledhjeje me këngë popullore arbëreshe të Sicilisë dhe i një vepre mbi Usi e costumi di Palazzo Adriano, 1859 (Zakonet e Pallacit), por edhe i një fjalori 5000 fjalësh shqip-italisht (1862-1868), pas një gramatike të shkurtër të shqipes (1830) dhe një përkthimi të Ungjillit të Shën Mateut. Shumica e këtyre veprave mbetën të pabotuara dhe ruhen në formë dorëshkrimi në Koleksionin Shqiptar të Bibliotekës Mbretërore në Kopenhagë (94). Mosè Troiano (95) nga Pllatani (ital. Plataci) në veri të Kozencës njihet si përkthyes i dy vjershave italiane në shqipe duke përdorur alfabetin e përhapur nga Jeronim De Rada. Ato datojnë nga fillimi i mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Nja dy a tri vjersha humoristike në shqipe të shkruara nga Karlo Dulçi (ital. Carlo Dulci, 1765-1850), i njohur edhe me emrin Carlo Dolce ose Luz Glikjini, nga Hora e Arbëreshëvet, u botuan

    __________________________________________________ _________________


    87 kr. Fiàmuri Arbërit 1884, Nr. 11-12, f. 84-93.

    88 kr. M. Marchianò 1906.

    89 kr. Schirò 1923, f. 330-331.

    90 kr. Schirò 1907 dhe 1923.

    91 kr. Schirò 1923.

    92 kr. Schirò 1907, dhe Shuteriqi 1976, f. 201-202. Vjersha në fjalë ruhet në Koleksionin Shqiptar në Kopenhagë. kr. Gangale 1973, f. 68 (IV 16).

    93 kr. G. Dara 1906, f. 6-7, Schirò 1923, dhe Petrotta 1932, f. 81-82.

    94 kr. Gangale 1973, f. 16 (II 10), 21 (II 17), 25 (II 20a), 62 (IV 6), 82 (V 4), 126 (V 50) dhe 129 (V 53).

    95 kr. Shuteriqi 1976, f. 271.
    __________________________________________________ _________________
    nga Dhimitër Kamarda më 1866 (96). Akil Parapunja (97) (ital. Achille Parapugna, 1855-1883), të cilit De Rada i parashikoi një të ardhme të madhe si poet, vdiq para kohe më 16 mars 1883, duke mos lënë veçse disa këngë në dialektin e tij vendës të Ejaninës. Nga letërsia fetare e gjysmës së parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë kemi katekizmin shqip në dialektin kalabrez të Shën Vasilit (98) të vitit 1834 nga një i quajtur Bonifac Tamburi (ital. Bonifacio Tamburi, l. 1799), i njohur ndryshe me emrin Françesko Saverio Tamburi, si dhe një përkthim tjetër shqip të katekizmit të Shën Robert Belarminit (1542-1621) nga Zef Gualiata S. J. (99) (ital. Giuseppe Guagliata, l. rreth vitit 1814). Ky përkthim i Belarminit nën titullin Dottrina e Kerscten (Doktrina e krishterë), e botuar nga Propaganda Fide në Romë më 1845, ndjek traditën e përkthimit të Pjetër Budit (1618) e të Bernardit të Kuintianos të gjysmës së parë të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Thuhet se Gualiata, prift jezuit italian i dërguar si misionar në Shqipëri më 1841, ka qenë bashkautor (me Vinçenc Bazilen) i një gramatike tani të humbur të shqipes, të shkruar në italishte rreth vitit 1842. Përveç kësaj gramatike, Vinçenc Bazile S. J.(100) (ital. Vincenzo Basile, 1818-1882), edhe ky prift jezuit italian e misionar në Shkodër, botoi Ruga e parrisit, Romë 1845 (Rruga e parajsës), një përmbledhje 144 faqesh rrëfenjash moralizuese, ndër to edhe legjendën e ikjes së Shën Mërisë nga Shkodra për në Itali më 1567 (101). Propaganda Fide, përherë e shqetësuar për mendjet dhe zemrat e grigjës shqiptare të kishës, që po rrëmbeheshin nga Islami, botoi edhe një numër veprash të tjera fetare autorësh anonimë.

    Gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë që, me gjithë rrëzimin e dinastisë së Burbonëve, ishte një periudhë konfliktesh sociale të vazhdueshme në mbarë Italinë e jugut, na jep një shkrimtar i cili shpesh është cilësuar si poeti i parë socialist në letërsinë shqiptare, Vinçenc Stratigo (102) (ital. Vincenzo Straticò, 1822-1885). Ai ishte nga katundi kalabrez Ungër në provincën e Kozencës ku lindi më 16 dhjetor 1822 dhe studioi në Shën Mitër në Kolegjin e Shën Adrianit. Mori pjesë në ngjarjet e vitit 1848 ku për pak kohë ishte kapiten ushtrie. Me t'u kthyer në qytetin e lindjes, ku edhe kaloi pjesën tjetër të jetës, iu përkushtua me gjithë shpirt mbrojtjes së të drejtave sociale e politike të fshatarësisë së varfër të Kalabrisë dhe luftës së saj për një jetë më të mirë. Poezitë e tij me tema atdhetare, shoqërore e dashurie, nga të cilat një numër i vogël dolën në dritë, dëshmojnë për një vetëdije të mprehtë sociale të shfrytëzimit

    __________________________________________________ _________________

    96 kr. Camarda 1866, f. 195-197. Shih edhe Schirò 1923, Petrotta 1932, f. 157, 187,
    dhe Shuteriqi 1976, f. 237, 271, dhe për dorëshkrimet e Dulçit në Kopenhagë, Gangale 1973, sidomos f. 11 (II 6) dhe 157 (V 81).

    97 kr. Selvaggi 1962.

    98 kr. Solano 1983.

    99 kr. Shuteriqi 1976, f. 244-245.

    100 kr. Shuteriqi 1976, f. 245.

    101 Sipas legjendës, kur turqit zunë Shkodrën, ikona e Zojës së Shkodrës ose Zojës së Bekueme (ital. Madonna di Scutari) u shkëput nga muri i një kishe në rrëzë të kalasë së Rozafës dhe u arratis nëpër Adriatik. Atë e ndoqën dy shqiptarë, Gjorgji dhe De Sklavisi, të cilët pas shumë gjurmimesh e zbuluan në Genazzano afër Romës, ku edhe sot e kësaj dite është vend i shenjtë i Zojës së Shkodrës, ku shkojnë e falen katolikët shqiptarë.

    102 kr. Straticò 1896, f. 263-270, dhe Z. Kodra 1965.
    __________________________________________________ _________________

    klasor, një tipar krejt unikal në letërsinë arbëreshe.
    Pak e njohur deri vonë ka qenë poezia e Zef Engjëll Noçitit (103) (ital. Giuseppe Angelo Nociti, 1832-1899) nga Spixana (ital. Spezzano Albanese) në Kalabri. Ashtu si Stratigoi, Noçiti studioi në kolegjin arbëresh të Shën Adrianit në Shën Mitër, ku edhe mori një arsim klasik të qëndrueshëm. Përmbledhja e tij prej njëzeteshtatë vjershash lirike me titull Rëmenxa t'arbresha (Rima shqiptare), e hartuar midis viteve 1858 e 1876 së bashku me një përkthim italisht, ka qenë botuar me një fjalor nga Italo Costante Fortino (104).

    Bernard Bilota (105) (ital. Bernardo Bilotta, 1843-1918), ishte vjershëtor amator, filolog e mbledhës folklori që krijoi një numër të madh vjershash fshatarake. Lindur më 29 nëntor 1843 në Frasnitë në Kalabrinë e veriut, ai ndoqi kolegjin e Shën Adrianit dhe shërbeu si klerik më 1866, dhe më vonë si mësues. Mik dhe pasues i Jeronim De Radës, nga i cili trashëgoi vrullin e zjarrtë për të rizbuluar kulturën shqiptare, Bilota ishte antar i 'Consiglio Albanese d'Italia' (Këshillit Shqiptar të Italisë) dhe nismëtar, bashkë me De Radën dhe Anselm Lorekion, i kongresit të parë gjuhësor arbëresh në Koriliano Kalabro më 1895. Bilota ishte autor prodhimtar, ndonëse botoi pak. Përveç një numri veprash pak të njohura në italishte për historinë biblike, arkeologjinë dhe origjinën 'pellazgjike' të shqiptarëve, ai ishte autori i një Dizionario filologico albanese, 1888 (Fjalori filologjik të gjuhës shqipe) prej 6000 fjalësh, i cili përmban dyqind faqe me material gjuhësor në dialektin e Frasnitës si dhe disa sprova të habitshme etimologjike; i një Monografia di Frascineto, 1891 (Monografia e Frasnitës), kronikë poetike e papërfunduar në pesë pjesë për vendlindjen që përfshin rreth 2000 vargje njëmbëdhjetërrokshe, dhe Zakonet e Frasnitës, 1894, ku përshkruan traditat e fshatit, ritualet dhe ceremonitë e përvitshme, në 1710 vargje njëmbëdhjetërrokshe. Deri tani asnjë nga këto vepra nuk e ka gjetur dritën e botimit. Të pabotuara janë edhe një numër rrëfenjash në vargje, me tipare prozaike, fjala vjen E bukura e Jetës, 1895, sipas përrallës shqiptare të së Bukurës së Dheut; E Bukura Harezë, 1896, dhe Minosi, nga e cila gjenden tri variante, të viteve 1903, 1909 dhe 1918. Poema e tij satirike me 150 faqe, 8664 vargje, Minosi (106), na jep një tablo fshatarake e herë herë therëse satirike të skëterrës, në flakët e së cilës Bilota ndjen kënaqësinë Danteske të ndëshkimit të kundërshtarëve dhe armiqve të tij nga Frasnita. Ndër veprat e tjera të pabotuara, mbi 20,000 vargje gjithsej, janë Jeta e Shën Mërisë, 1896, me 1720 vargje; Të vdekurit, 1896; Monografi i Shën Nilit dhe një komedi me 3500 vargje Don Kishoti, 1908.

    Në të gjallë Bilota botoi vetëm dy përmbledhje modeste me poezi shqipe: Versi lugubri, Kastrovillari 1894 (Vargje të zymtë), që përmban rreth dyzet sonete elegjiake me përkthim në italisht, dhe Stima agli ottimi, biasimo ai tristi, Kastrovillari 1898 (Nder më të mirëve, përbuzje të trishtuarve), një përmbledhje e vogël kushtuar Pjetër Buljarit (ital. Pietro Bugliari), që përmban edhe disa përkthime në italishte. Bilota lëvroi edhe temën shumë të dashur në letërsinë shqipe, atë të Skënderbeut, me poemën epike popullore me 10,000 vargje Shpata Skanderbekut ndë Dibrët Poshtë, Tiranë 1967. Kjo poemë historike në 13 këngë plot patos heroik u nis më 1874 dhe përfundoi më 1890, dhe është me interes të veçantë për shqiptarët në kontekstin e zgjimit kombëtar në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Si në të tjerat, edhe në këtë vepër Bilotën e shohim shkrimtar që të habit me forcën e tij imagjinuese, të ndezur me vrull dhe entuziazëm patriotik, por pa ndonjë talent letrar e stil të spikatur. Skenave të zgjatura me

    __________________________________________________ _________________

    103 kr. Laviola 1991, Acquafredda 1991, dhe Francesco Marchianò 1993.

    104 kr. Nociti 1992.

    105 kr. Giordano 1959.

    106 kr. Gangale 1973, f. 137 (V 61).
    __________________________________________________ _________________

    përshkrime betejash në Shpata Skanderbekut ndë Dibrët Poshtë u mungon dukshëm dramaticiteti, kurse vepra e tij në përgjithësi është pak e përpunuar. Ajo që duhet nënvizuar është merita që ka Bilota në përdorimin e gjuhës amtare për herë të parë në një gamë aq të gjerë temash, duke i hapur kështu horizonte së idiomës fshatare të arbëreshëve.

  5. #35
    7.7 Ndihmesa e shkrimtarëve dhe studiuesve arbëreshë që shkruan italisht



    Fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë shënoi kështu daljen e një numri të mirë poetësh e autorësh arbëreshë që provuan të shkruanin shqip. Por, çka është më e rëndësishme për zgjimin e kulturës së tyre, kishte një grup tjetër shkrimtarësh e studiuesish arbëreshë që shkruanin italisht. Të nxitur në fillim nga lëvizja e romantizmit evropian, e cila zgjoi jo vetëm interesimin për dijen, por edhe respektin e dashurinë e fortë për folklorin, këto figura filluan të hetojnë rrënjët dhe traditat e tyre shqiptare duke e drejtuar vëmendjen e energjinë në zhvillimin e kulturës së vet arbëreshe dhe në veçanti, në studimin e letërsisë gojore. Nga ana e tij, ky studim jo vetëm i dha shtytje krijimtarisë së mëtejshme në gjuhën shqipe, të zgjuar nga veprimtaria e Jeronim De Radës, por edhe i bëri arbëreshët t'i kushtojnë vëmendje përherë e më shumë atdheut të largët në Ballkan dhe vëllezërve të tyre shqiptarë që hiqnin e vuanin barrën përherë e më të padurueshme të sundimit turk.

    Engjëll Mashi (107) (ital. Angelo Masci, 1758- 1821), ishte një studiues arbëresh nga Shën Sofia në krahinën e Kozencës, ku edhe studioi pranë të sipërpërmendurit Stefan Bafa (vd. 1808). Ai kreu detyra zyrtare të rëndësishme në Mbretërinë e Dy Sicilive. Mashi është autor i një vepre në italishte me titull Discorso sull'origine, costumi e stato attuale della nazione albanese, Napoli 1807 (Fjalë për prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar), që u botua menjëherë pas daljes në frëngjishte të studimit të Konrad Malt-Brën (Conrad Malte-Brun, 1775-1826) Essai sur l'origine, les moeurs et l'état actuel de la nation albanaise (108) (Ese për prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar). Historiani Xhovani Skiroi (ital. Giovanni Schirò) nga Hora e Arbëreshëvet studioi e analizoi lidhjet midis Shqipërisë dhe Italisë së jugut në punimin e tij Rapporti tra l'Epiro e il Regno delle Due Sicilie, 1834 (Marrëdhëniet midis Epirit dhe Mbretërisë së Dy Sicilive)109. Një tjetër studiues i shquar ishte Zef Krispi (ital. Giuseppe Crispi, 1781-1859), nga Pallaci i Sicilisë. Ai ishte prift, profesor i letërsisë greke në Universitetin e Palermos dhe rektor i seminarit grek atje. Mbahet mend për punimin e tij Memoria sulla lingua albanese, Palermo 1831 (Shënime mbi gjuhën shqipe), ku orvatej të provonte prejardhjen pellazgjike të popullit shqiptar, një teori kjo e përhapur asokohe, që as vitet e fundit nuk është lënë përfundimisht. Ai është edhe autor i një përmbledhjeje këngësh popullore arbëreshe të Sicilisë, shoqëruar nga përkthime në italishte, të titulluar Canti degli Albanesi di Sicilia (Këngë të shqiptarëve të Sicilisë), botuar në Canti popolari siciliani, Katania 1857 (Këngë popullore siciliane), të Leonardo Vigos dhe i Memorie storiche di alcune costumanze appartenenti alle colonie greco-albanesi di Sicilia, Palermo 1853


    __________________________________________________ _________________


    107 kr. Shuteriqi 1976, f. 160-161, Kastrati 1987a, dhe Emmanuele 1988, f. 71.

    108 kr. Malte-Brun 1807-1809, vëll. 3, f. 145-234.

    109 Botuar në periodikun e Palermos 'Giornale di scienze, lettere ed arti di Palermo'.
    __________________________________________________ _________________

    (Shënime historike për disa zakone në ngulimet greko-shqiptare të Sicilisë). Rafaele Lopez (110) nga Shën Mitër, i cili ka dhënë mësim së bashku me De Radën në kolegjin e Shën Adrianit, ku të dy u arrestuan më 1851 për veprimtari revolucionare, përgatiti një përmbledhje këngësh popullore arbëreshe të përkthyera prej tij në italishte. Edhe një mik i ngushtë i tij, Luigj Petrasi (111) (ital. Luigi Petrassi, vd. rreth v. 1843), me prejardhje nga Qana (ital. Cerzeto), mblodhi këngë popullore kalabreze. Po Petrasi përktheu këngën e parë të Çajlld Haroldit të Lord Bajronit dhe Dei Sepolcri të Ugo Foskolos, që janë përkthimet e para në shqipe të njohura deri tani të poezisë romantike evropiane. Feliçe Stafa (112) (ital. Felice Staffa) nga Fallkunara (ital. Falconara Albanese) në provincën e Kozencës ndoqi studimet në Napoli më 1820-1821 pranë Gabriele Rossettit, baba i para-rafaelitëve anglezë Kristina e Dante Rossetti. Thuhet se ka marrë pjesë në Revolucionin e vitit 1848 dhe është dënuar me tre vjet burg. Një kopje fort e rrallë e një përmbledhjeje 32 faqesh me këngë popullore shqiptare, Canti albanesi, Napoli 1845 (Këngë shqiptare), ruhet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

    Gjatë Revolucionit të vitit 1848 në Napoli ishte edhe Engjëll Bazile (113) (ital. Angelo Basile, 1813-1848) nga Pllatani. Nga veprat e tij të shumta, në të gjallë u botua vetëm një dramë në italishte, Ines de Castro, Napoli 1847, kushtuar Jeronim De Radës dhe frymëzuar nga Os Lusiades e poetit kombëtar portugez Luis de Camoes (1524-1580). Përmbledhja e tij me këngë popullore arbëreshe të përkthyera në italisht, Raccolta di canti popolari albanesi (Përmbledhje këngësh popullore shqiptare) u botua nga miku i tij i ngushtë Jeronim De Rada. Një mbledhës tjetër këngësh popullore shqiptare ishte dramaturgu, poeti dhe prozatori arbëresh Emanuel Bidera (114) (ital. Emmanuele Bidera, 1784-1858) nga Pallaci i Sicilisë. Përsiatjet e tij tepër të lirshme për prejardhjen e shqiptarëve si popull u botuan në katërvëllimshin Quaranta secoli racconti su le Due Sicilie, Napoli 1846-1850 (Dyzet shekuj të rrëfyera për Dy Sicilitë). Vëllimi i parë përmban disa poezi popullore arbëreshe. Themelues dhe drejtor i një shkolle të gojëtarisë në Napoli, Bidera shkroi edhe librete operash për kompozitorin Gaetano Donixeti (ital. Gaetano Donizetti, 1797-1848) në të ri të tij. Domenik Mauri (115) (ital. Domenico Mauro, 1812-1873) ishte poet i njohur kalabrez me prejardhje arbëreshe që shkroi vetëm italisht. Lindur më 13 janar 1812 në Shën Mitër, ai qe njëri prej udhëheqësve të kryengritjes së vitit 1848 në Kalabri, dhe pas një periudhe mërgimi në ishujt e Jonit e në Romë u bë një nga një mijë 'këmishëkuqtë' e Xhuzepe Garibaldit, duke i vajtur pas deri në Marsejë. Ai vdiq në Firence më 17 janar 1873. Ndër botimet e tij letrare janë: Versi sciolti in occasione della morte di mio padre in risposta all'amico, Napoli 1835 (Vjersha të zgjedhura me rastin e vdekjes së babait tim, në përgjigje të një miku), Errico, Novella calabrese, Cyrih 1845 (Erriku, tregim kalabrez), Poesie varie, Napoli 1862 (Vjersha të ndryshme), dhe Errico, poemetto in cinque canti, Napoli 1869 (Erriku, poemth në pesë këngë). Vargu i tij në stil bajronian është i frymëzuar e i gjallë, ndonëse vende-vende i mungon disiplina poetike.

    Shkrimtarët dhe studiuesit arbëreshë të gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë


    __________________________________________________ _________________

    110 kr. Shuteriqi 1976, f. 223.

    111 kr. Straticò 1896, f. 276, dhe Shuteriqi 1976, f. 229-230.

    112 kr. Shuteriqi 1976, f. 246-247, 1977, f. 219-233.

    113 kr. Shuteriqi 1974, f. 120-142, 1976, f. 228, 260, 261.

    114 kr. Mann 1955, f. 111, dhe Shuteriqi 1976, f. 253-254.

    115 kr. Cingari 1965, dhe Gradilone 1974, f. 282-291.
    __________________________________________________ _________________

    u nxitën mjaft nga shenjat e qarta që vinin nga Shqipëria për zgjimin politik e kulturor të saj. Përpjekjet e tyre qenë të dyfishta: t'i jepnin përkrahje këtij rizgjimi në atdhe dhe të luftonin për njohjen e kulturës së tyre shqiptare në Italinë e jugut. Letërsia gojore dhe folklori, të hulumtuara për herë të parë mbi një bazë më sistematike e shkencore, përbënin një pikënisje për veprimtarinë e intelektualëve arbëreshë, ndërkaq që problemi qendror politik, që ishte lufta e përpjekjet e mundimshme për pavarësi nga Perandoria Osmane në rënie, do të vihej shumë shpejt në qendër të vëmendjes së tyre. Kësisoj, qëllimi i përbashkët i shqiptarëve në Ballkan e në Itali gjatë gjithë luftës për të mbajtur gjallë kulturën, u bë ideali për një Shqipëri sovrane. Shkrimtarët, studiuesit dhe personalitetet publike arbëreshe u dhanë ndihmë homologëve të tyre shqiptarë aty ku mundën, dhe u forcuan lidhjet midis dy palëve për nxitjen e veprimtarisë kulturore. Shekujve të gjatë të izolimit absolut nga Shqipëria po u vinte fundi për arbëreshët. Ishin ruajtur lidhjet e pashlyeshme të gjakut.

    Ndër udhëheqësit kulturorë të arbëreshëve në shekullin e nëntëmbëdhjetë, botimet e të cilëve në gjuhën dhe letërsinë shqipe u dhanë hov jo vetëm shqiptarëve në Itali, por edhe lëvizjes së Rilindjes në atdhe, ishte filologu dhe folkloristi Dhimitër Kamarda (ital. Demetrio Camarda, 1821-1882). Ai lindi në Horën e Arbëreshëvet në Sicili më 23 tetor 1821 dhe studioi për prift në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë. Pasi u shugurua në ritin bizantin më 1844, banoi në Napoli e në fshatin e lindjes deri më 1848 kur u dëbua nga Mbretëria e Dy Sicilive prej autoriteteve burbone me akuzën se kishte bashkëpunuar me liberalët. Në fillim vajti në Romë e pastaj në manastirin benediktin të Çezenës. Më 1852 u emërua mësues në shkollën e mesme në Livorno, ku edhe kaloi pjesën tjetër të jetës si famullitar. Vdiq më 13 prill 1882. Kamarda përmendet për veprën e tij Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese, Livorno 1864 (Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe), një nga të parat vepra të filologjisë diakronike shqiptare, ku u orvat të provonte afërinë e gjuhës shqipe me greqishten, në kundërshtim me gjuhëtarin komparativist gjerman Franc Bop (gjerm. Franz Bopp, 1791-1867), i cili kishte demonstruar prejardhjen e drejtpërdrejtë indo-evropiane të saj më 1854 (116). Kjo vepër u pasua nga Appendice al saggio di grammatologia comparata, Prato 1866 (Shtojcë për sprovën e gramatologjisë krahasuese), një përmbledhje këngësh popullore arbëreshe. Kamarda shkroi edhe një gramatikë të gjuhës shqipe (117) dhe botoi një libër me poezi shqiptare kushtuar Dora d'Istrias, me titullin A Dora d'Istria gli Albanesi, Livorno 1870 (Dora d'Istrias, shqiptarët), që përmbante vjersha nga Preng Doçi, Zef Jubani, Thimi Mitko, Jeronim De Rada, Françesk Anton Santori, Zef Serembe etj.

    Dora d'Istria (118) (1828-1888), pseudonimi i Helena Gjikës, ka qenë një figurë interesante e kulturës shqiptare dhe evropiane të mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kjo shkrimtare rumune me prejardhje shqiptare pati lindur në Bukuresht në familjen aristokrate Gjika të ardhur nga Maqedonia. I ungji, Grigore IV, ishte vojvodë në Vllahi. Që në moshë të re Dora d'Istria udhëtoi me prindët dhe vizitoi oborret e Vjenës, Drezdenit dhe Berlinit, dhe kudo
    u adhurua për talentin dhe bukurinë. Më 1849 martesa me princin Aleksandër Masalski e shpuri në Rusi, ku kaloi gati gjashtë vjet. Pas ndarjes me të më 1855, u shpërngul e vajti në Zvicër, ku u bë e para grua që ngjiti Malin Jungfrau, kurse më 1860 bëri një udhëtim në Greqi. Pjesën tjetër të jetës e kaloi kryesisht në Itali. Përkushtimi i parreshtur i Dora d'Istrias ndaj aspiratave të pakicave kombëtare në Perandorinë Austro-Hungareze, ndaj barazisë së gruas e ndaj arsimit për popullin e bëri të mirënjohur në mbarë Evropën. Edhe pse disa e kanë konsideruar amatore

    __________________________________________________ _________________

    116 kr. Bopp 1855.

    117 kr. Camarda 1962.

    118 kr. Bala 1967 dhe Goçi 1989.
    __________________________________________________ _________________

  6. #36
    në shkrimet e para, nuk ka kurrfarë dyshimi se studimi i saj La nationalité albanaise d'après les chants populaires (Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore), botuar më 1866 në revistën letrare të Parisit Revue des deux mondes, luajti rol në lëvizjen kombëtare shqiptare të periudhës së Rilindjes. Ishte Dhimitër Kamarda ai që këtë studim e përktheu në gjuhën shqipe me titullin Fylétia e arbenoré prèj kanekate laoshima, Livorno 1867, dhe botoi për nder të saj atë antologji poetike që e përmendëm më lart. Për historinë e familjes së vet Dora d'Istria botoi edhe një vepër 455 faqesh me titull Gli Albanesi in Rumenia. Storia dei principi Ghica nei secoli XVII, XVIII e XIX, Firenze 1873 (Shqiptarët në Rumani. Historia e princëve Gjika në shekujt e 17-të, 18-të dhe 19-të).

    Vëllai më i vogël i Dhimitër Kamardës, Zef Kamarda (ital. Giuseppe Camarda, 1831-1878), përktheu Ungjillin e Shën Mateut në dialektin e Horës së Arbëreshëvet, variant ky i rishikuar nga Dhimitër Kamarda e i botuar në Londër më 1868 nga princi Louis-Lucien Bonaparte (119) (1813-1891). Zef Kamarda ishte edhe autor i disa poezive fetare, i një përralle e i një përmbledhjeje me këngë popullore arbëreshe.

    Një variant kalabrez i Ungjillit të Shën Mateut, edhe ky i rishikuar nga Dhimitër Kamarda e i botuar në Londër më 1869 nga princi Louis-Lucien Bonaparte, u përkthye nga një studiues tjetër i shquar arbëresh, Vinçenc Dorsa (ital. Vincenzo Dorsa, 1823-1885). Lindur në Frasnitë në provincën e Kozencës më 26 shkurt 1823, Dorsa ndoqi studimet në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër e më pas në kolegjin e Propaganda Fides në Romë. Për shumë vjet qe mësues i greqishtes dhe latinishtes në shkollën e mesme të Telesios në Kozencë. Vepra me të cilën u shqua është Su gli Albanesi, ricerche e pensieri, Napoli 1847 (Mbi shqiptarët, hulumtime e mendime), kushtuar alla mia nazione divisa e dispersa ma una (kombit tim, të ndarë e të shprishur, por një i vetëm), që synonte, siç e thotë vetë Dorsa në parathënie, "të tërheqë vëmendjen e opinionit publik ndaj të drejtave të një kombi të shquar por të panjohur".

    E ndarë në njëzet krerë, vepra përmban të dhëna të bollshme, të para në dritën e mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, për prejardhjen dhe historinë e shqiptarëve deri në kohën e Skënderbeut, për ngulimet shqiptare në Italinë e jugut dhe për poezinë popullore, zakonet dhe letërsinë. Më pas Dorsa botoi Studi etimologici della lingua albanese, Kozencë 1862 (Studime etimologjike për gjuhën shqipe) dhe La tradizione greco-latina nei dialetti della Calabria citeriore, Kozencë 1876, 1884 (Tradita greko-latine në dialektet e Kalabrisë së Epërme). Të pabotuara kanë mbetur vepra e tij Discorso in lingua albanese, një traktat fetar i shkruar shqip gjatë studimeve në Romë më 1842 (120), dhe dorëshkrimi për afro gjashtëdhjetepesë këngë popullore arbëreshe nga Kozenca, me titullin Canti popolari albanesi (121) (Këngë popullore shqiptare), të cilat i shërbyen Jeronim De Radës në përmbledhjen që ky hartoi me material folklorik arbëresh.

    Anton Argondica (ital. Antonio Argondizza, 1839-1918) ishte folklorist, poet dhe botues nga Mbuzati (ital. San Giorgio Albanese) në krahinën e Kozencës. Studimet i përfundoi në kolegjin e Shën Adrianit, ku edhe qe mësues më vonë. Argondica bashkëpunoi me një varg periodikësh me artikuj mbi folklorin dhe gjuhën shqipe. Më 1890 vizitoi Spanjën, Francën dhe Shtetet e Bashkuara, ku themeloi gazetën L'Emigrato italiano. Më pas vizitoi Shqipërinë.

    __________________________________________________ _________________

    119 Koleksioni Shqiptar në Kopenhagë ruan një numër tekstesh e dokumentesh të Dhimitër dhe Zef Kamardës, ndër to një dorëshkrim të përkthimit origjinal nga Zef Kamarda të Shën Mateut, të bërë me alfabetin grek. kr. Gangale 1973, f. 62 (IV 6).

    120 kr. Shuteriqi 1976, f. 228.

    121 kr. Shuteriqi 1976, f. 270, dhe Gangale 1973, f. 32 (II 28).
    __________________________________________________ _________________

    Argondica ka mbetur kryesisht si botues i Ili i Arbrešvet (122) (Ylli i Arbëreshëve), revistë e themeluar më 1896 me porosi të kongresit të parë albanologjik në Koriliano Kalabro të kryesuar nga Jeronim De Rada më 1895. Kjo ishte një revistë me peshë në botën letrare arbëreshe, por, ashtu si shumë organe shqiptare shtypi të shekullit të nëntëmbëdhjetë, nuk e pati jetën të gjatë dhe u zëvendësua një vit më pas nga La Nazione albanese e Anselm Lorekios. Përveç shkrimeve në italishte për folklorin dhe gjuhën, dhe përveç një vepre mbi Collegio italo-greco di S. Adriano, Koriliano Kalabro 1884 (Kolegji italo-grek i Shën Adrianit), Argondica ishte edhe autori i disa vjershave shqip. Ato nuk kanë ndonjë nivel të dukshëm, vetëm mund të përmenden për interesa gjuhësore (123).

    Gazetar, jurist dhe njeri i letrave, Pjetër Kjara (ital. Pietro Chiara, 1840-1915), lindi në Pallac në Sicili. Kushëri i Gavril Darës së Riut (1826-1885), Kjara bëri udhëtime në Shqipëri e në Ballkan më 1879 dhe, si shqipfolës që ishte, arriti të depërtojë thellë në gjendjen politike gjatë atyre viteve të ndera e vendimtare të Lidhjes së Prizrenit. Është autor i dy librave italisht për Shqipërinë: L'Albania, Palermo 1869 (Shqipëria), monografi në dymbëdhjetë krerë për gjuhën, letërsinë, historinë dhe politikën shqiptare, dhe L'Epiro, gli Albanesi e la Lega, Palermo 1880 (Epiri, shqiptarët dhe Lidhja), përmbledhje shkrimesh informative të botuara së pari në gazetën e Romës La Riforma, redaktuar në vitet 1871 deri 1874 nga Gavril Dara i Riu. Kjara, që ishte edhe deputet në parlament, botoi artikuj në të përmuajshmen e De Radës Fiàmuri Arbërit, e themeluar më 1883, si dhe shkroi disa poezi lirike modeste (124).

    Sikundër e pamë, letërsia arbëreshe lindi dhe lulëzoi në truallin pjellor të qytetërimit italian, për të formuar një degë të letërsisë që nga fillesat e veta dhe nga zhvillimi që mori ishte krejt e pavarur nga ajo e Shqipërisë. Gjatë shekullit të tetëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit nëntëmbëdhjetë, vetëm në Italinë e jugut kushtet politike, sociale e ekonomike, sado të zymta të kenë qenë, po të shihen me syrin e kohëve më të reja, ishin mjaft të qëndrueshme për t'u dhënë mundësi shqiptarëve që të zhvillonin kulturën e tyre modeste të shkrimeve, çka do të hidhte themelet e letërsisë së sotme shqiptare.

    Por në shekullin e nëntëmbëdhjetë, edhe Shqipëria më në fund po zgjohej nga pikëpamja politike e kulturore. Në kujtesën kolektive të arbëreshëve, të flakur tej në brigjet e dheut të huaj, të cilin ata do ta shihnin gjithmonë me një farë dyshimi, Shqipëria po dilte nga mjegulla e kujtimeve të hershme e po shfaqej para syve të tyre si një realitet konkret, si një mëmëdhe që lëngonte e luftonte, e që i frymëzonte ata për të ruajtur kulturën e vet të brishtë. I palodhshmi Jeronim De Rada kishte çimentuar lidhjet midis ngulimeve arbëreshe, të shpërndara andej këndej në mbarë vargmalet e veçuara e të thella të Italisë së jugut, dhe mëmëdheut të tyre në Ballkan, që luftonte të ruante njëjtësinë e vet. Që atëherë e më pas gjatë mbarë shekullit të nëntëmbëdhjetë, lidhjet politike, kulturore dhe letrare u zhvilluan e u forcuan, çka u dëshmua e frytshme dhe e dobishme për të dy palët. Letërsia arbëreshe kishte lulëzuar vetë, dhe pa dyshim ishte aq e pjekur në këtë kohë sa për të ecur me këmbët e veta, por lidhjet me gjakun e shprishur, i dhanë mundësi të mbetej pjesë përbërëse e pandashme e kulturës shqiptare. Nga ana tjetër, as letërsia shqiptare vetë nuk mund të përfytyrohet e të merret me mend pa rrënjët arbëreshe.


    __________________________________________________ _________________

    122 kr. Sammarra 1984.

    123 kr. Mbuzati 1959, Gangale 1973, f. 7-8 (II 1), 38 (II 35), dhe Laudone 1983.

    124 kr. Gangale 1973 (II 12).
    __________________________________________________ _________________

  7. #37
    8. LETËRSIA MYSLIMANE DHE BEKTASHIANE
    1850-1950






    8.1 Arti bektashian





    Ndonëse forcat më krijuese dhe novatore të letërsisë dhe kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë ishin inkuadruar brenda lëvizjes së Rilindjes kombëtare, letërsia shqiptare e shkruar me alfabet arab nuk u dobësua krejt. Madje, letërsia myslimane dhe bektashiane e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit të njëzetë, me tiparin e vet kryesisht fetar, vazhdoi të zhvillohej në pajtim me traditat letrare, kulturore e sidomos me traditat shpirtërore të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe, në rrugë e sipër, erdhi e shfaqi jo vetëm nivel më të lartë mjeshtërie, disipline dhe horizonti dijesh, por edhe një rritje të mëtejshme të shkallës së përsosmërisë artistike e gjuhësore. Megjithatë, duhet theksuar se përqëndrimi më i drejtpërdrejtë në tema fetare, në këtë periudhë të letërsisë shqiptare me alfabet arab, shpuri dalëngadalë në një përdorim më të kufizuar të saj si mjet shprehjeje letrare e, si rrjedhim, në largimin nga shtrati kryesor i rrjedhës së letërsisë dhe kulturës shqiptare.

    Lidhjen midis lëvizjes kombëtare shqiptare dhe traditave kulturore të Orientit në shekullin e nëntëmbëdhjetë e ruajtën më fort se të tjerët pikërisht bektashinjtë (1). Karakteri relativisht më liberal e i hapur i praktikave të tyre fetare e i besimit të tyre panteist, me elemente edhe islame edhe kristiane, u dha mundësi atyre të kapërcenin pengesat që ndanin bashkësitë myslimane, katolike e ortodokse. Autori më i mirënjohur bektashi ka qenë Naim bej Frashëri (1846-1900), veprat fetare, kombëtare dhe didaktike të të cilit, për shkak të rëndësisë dhe ndikimit të jashtëzakonshëm në zgjimin kombëtar në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, qëndrojnë si pjesë e letërsisë së Rilindjes dhe mund të analizohen më mirë në kuadrin e saj.

    Ndër poetët e shumtë bektashinj të kësaj periudhe (2) ishte Baba Muharrem Mahzuni ose Mehzuni (vd. 1867) nga Gjirokastra, i cili që nga viti 1845 e deri sa vdiq jetoi në teqen e famshme bektashiane të Durballisë në Thesali, një nga më të vjetrat në Ballkan. Shkroi vargje turqisht e shqip. Ndër nxënësit e tij në teqenë e madhe të Durballisë ka qenë Baba Abidin Leskoviku nga Leskoviku në Shqipërinë e jugut, themelues i teqesë së Leskovikut. Baba Abidin shkroi vargje fetare turqisht e shqip, ndër to edhe një himn kushtuar Durballisë. Një autor tjetër i talentuar me shumë vjersha mistike ishte Baba Adem Vexhi (1841-1927) nga Gjakova. Bëri shumë udhëtime, veçanërisht për haxhillëk në Mekë, Medinë dhe Qerbela. Më 1877 e dërguan si baba në Prizren, ku hapi një teqe. Nga viti 1922 e deri sa vdiq ishte i pari i teqes së vendlindjes së tij në Gjakovë. Baba Meleq Shëmbërdhenji (1842-1947), i njohur edhe me emrin Meleq Staravecka, ishte nga krahina e Skraparit në Shqipërinë e jugut, dhe arsimin e mori në teqenë bektashiane tani të braktisur të Kajros, ku edhe u bë dervish. U kthye në

    __________________________________________________ _________________


    1 Për fenë dhe bashkësinë e bektashinjve në Shqipëri e në Ballkan, kr. M. Hasluck 1925, Choublier 1927, Babinger 1929, F. W. Hasluck 1929, Birge 1937, K. Halimi 1957, Kissling 1962, Kallajxhi 1964, Bartl 1968, f. 98-111, Rexhebi 1970, 1984, Stadtmüller 1971, Popovic 1986, 1992, Popovic & Veinstein 1986, Clayer 1990, dhe Trix 1993.

    2 Për letërsinë bektashiane dhe myslimane të kësaj periudhe, kr. Tomori 1934/35, Rexhebi 1970, Mufaku 1981, 1983, Salihu 1987 dhe Kaleshi 1991.
    __________________________________________________ _________________

    Shqipëri dhe mori pjesë në lëvizjen kombëtare, sidomos duke shpërndarë libra fshehurazi e duke përhapur idetë e reja. Shëmbërdhenji mbajti titullin baba në teqenë me emrin e tij derisa kjo u shkatërrua më vonë, më 1914. Ai është autor vjershash shqip me frymë kombëtare e fetare, të përmbledhura në një vëllim e të botuara në vitet njëzetë, por që tani gjendet me vështirësi. Shëmbërdhenjin e mbajnë si njerin nga poetët më të mirë bektashinj të periudhës. Ai ishte edhe mik e adhurues i Naim Frashërit, të cilin e quajti "Zemra e Shqipërisë, gurra e urtësisë, pishtar i vegjëlisë, shejntor i njerëzisë".

    Tradita bektashiane e poezisë fetare e atdhetare, e frymëzuar si nga besimi mistik e panteist i këtij sekti, ashtu edhe nga aspiratat kombëtare, eci mirë dhe vazhdoi me fillimin e shekullit të njëzetë. Baba Ibrahimi nga teqeja e Qesarakës afër Kolonjës në Shqipërinë e jugut ishte mjaft aktiv, ashtu si dhe shumë udhëheqës të tjerë bektashinj, në shpërndarjen fshehurazi të librave e të letërsisë shqiptare dhe për këtë u burgos nga forcat ushtarake turke. Më 1913 u arrestua edhe nga autoritetet greke, por u lirua më pas nga figura kombëtare, poeti e luftëtari kryengritës Sali Butka (1852-1938). Kur hynë përsëri grekët në Kolonjë, Baba Ibrahimi u shtrëngua të arratiset, kurse teqenë ia dogjën me themel. Në njërën nga vjershat e tij, Dimri, ai e krahason kombin shqiptar, të rrënuar nga lufta e shtypja, me barrën e një dimri të gjatë e të vështirë. Baba Salihu nga fshati Matohasanaj afër Tepelenës në Shqipërinë e jugut e ktheu teqenë e tij në një shkollë fillore të fshehtë për mësimin e gjuhës shqipe.

    Ai ishte gjithashtu aktiv në përhapjen e librave shqip, e për këtë u burgos nga turqit më 1902. Aty në burg ai shkroi një pjesë të mirë të poezive dhe përktheu poemën epike Hadîqatû as-su'adâ (Kopshti i të bekuarve) të poetit të madh azerbajxhanas Fuzûlî (1494-1556), vepër nga e ka marrë frymëzimin edhe poeti i shekullit të nëntëmbëdhjetë Dalip Frashëri për poemën e tij shqip Hadika. Po nga krahina e Tepelenës ishte edhe Baba Ahmed Turani (vd. 1928), i cili në vitet e rinisë bëri udhëtime në Lindjen e Afërme. Titullin baba e mori më 1908 në fshatin e lindjes Turan. Më 1914 teqenë e tij (3), ashtu si shumë të tjera, i dogjën andartët grekë, kështu që u shtrëngua të shpërngulet në Vlorë. Thuhet se ka qenë poet me talent. Një tjetër autor bektashian vjershash fetare në këtë periudhë ka qenë Salih Nijazi Dedei (1876-1941) nga Starja e Kolonjës, i cili u rrit në Anadoll, u bë baba më 1908 dhe kryegjysh i bashkësisë bektashiane më 1916. Mbeti në Turqi edhe pas mbylljes së teqeve atje. U kthye në Shqipëri në fund të vitit 1930 dhe u vra më 28 nëntor 1941 në Tiranë, me sa duket pse kundërshtoi sundimin italian. Edhe Baba Hamza Gjakova (1882-1952) nga Gjakova bëri udhëtime në Lindjen e Afërme në moshë të re dhe, kur u kthye, mori titullin baba në teqenë e Shtipit në Maqedoni më 1912.

    Ishte autor i shumë vjershave me frymëzim bektashian e shiit. Një nga shkrimtarët bektashinj më me kulturë të kohës ka qenë Baba Selim Ruhi (1869-1944) nga Elbasani, që u bë baba më 1907 dhe ishte autor i tri divaneve poetike në arabishte, turqishte e persishte. Aty nga fundi i jetës shkroi edhe shqip. Studiuesi orientalist gjerman Franz Babinger (1891-1967), që e ka vizituar Baba Selimin në teqe, e cilëson poezinë e tij si jashtëzakonisht të bukur. Poeti, shkrimtari dhe përkthyesi Baba Ali Tomori (vd. 1947) pati lindur në Shalës afër Tepelenës dhe ndoqi studimet në Janinë ashtu si edhe Naim e Sami Frashëri. Pas djegies së teqeve më 1913-1915, u shpërngul në Kajro, për t'u kthyer në Shqipëri vetëm pas Luftës I Botërore. Ndihmoi për organizimin e të tre Kongreseve te Bektashinjve, që u mbajtën në Shqipëri në vitet njëzetë (1921 në Prishtë, 1926 në Gjirokastër, dhe 1929 në Korçë), të cilët shpunë në themelimin e një bashkësie fetare të njohur në vend. Tomori është autor i të paktën gjashtë librave me letërsi apo histori të bektashinjve, ndër to edhe poezi të përkthyera apo origjinale, një pjesë e të cilave është botuar

    __________________________________________________ _________________

    3 Për një studim mbi teqetë ekzistuese në këtë periudhë, kr. F. W. Hasluck 1929, vëll. 2.
    __________________________________________________ _________________

    me pseudonimin Ali Tyrabiu (4). Me shkrimet e tij ai u vu kundër çdo shfaqjeje të fanatizmit fetar dhe u përpoq të bashkërendonte elemente kristiane dhe bektashiane. Tomori qe ndër të rrallët autorë bektashinj që braktisën alfabetin arab e që përdorën në botime alfabetin latin, ndryshim ky që ia vlen të theksohet. Disa nga veprat e tij dolën në gazeta e revista të kohës. Më 1947 u akuzua për spiunazh, u dënua me vdekje e u ekzekutua. I fundit i poetëve bektashinj të kësaj tradite është Ibrahim Hasnaj (1912-1995) nga Tirana, i cili përdor pseudonimet Hima, Bardhyl Nizami, Cen Qytyku etj. Hasnaj, i cili përmendet edhe për rizbulimin që i bëri poetit bektashian të fillimit te shekullit të nëntëmbëdhjetë Zenel Bastari, u bë vetë bektashi më 1937, viti kur nisi të shkruajë vjersha. Ka qenë sekretar i përgjithshëm i bashkësisë bektashiane të paraluftës dhe kryeredaktor i periodikut bektashi Djersa, që doli në tetë numra deri më 1947. Ibrahim Hasnaj u burgos dhe kaloi dhjetë vjet, nga viti 1947 deri më 1957, në burg në Tiranë, në fillim në një qeli me shkrimtarët Petro Marko, Andrea Varfi dhe Mitrush Kuteli, pastaj vuajti edhe pesë vjet të tjera internim. Është autori i tre vëllimeve ende të pabotuar me poezi mistike të frymëzimit bektashi: Unë dhe ndiesitë e mia, 1939, Lot skamnorësh, 1940, dhe Rreze të zjarrta, 1980. Është e qartë se këto vëllime, të shkruara me alfabetin latin, u mbajtën fshehur në periudhën e gjatë kur feja përndiqej në Shqipëri dhe çdo shprehje letrare e saj ishte me rrezik të madh. Me heqjen më në fund të ndalimit të fesë, shtatëdhjetëvjeçari Ibrahim Hasnaj u zgjodh Kryetar i Komitetit të përkohshëm të bashkësisë bektashiane, e cila u rithemelua me solemnitet në Tiranë më 27 janar 1991.

    Edhe pse në vitet '30 bektashinjtë ia kishin dalë mbanë pak e nga pak që të njiheshin plotësisht si bashkësi fetare, ata nga ana kulturore kishin rënë mjaft. Plaçkitja dhe djegia e teqeve të Shqipërisë jugore nga ekstremistët grekë gjatë Luftës Ballkanike dhe Luftës I Botërore qenë një humbje kulturore e pamatë nga e cila letërsia e bektashinjve nuk e mori veten kurrë. Përveç kësaj, kalimi në përdorimin e alfabetit latin, i cili jepte mundësi më të mëdha për botimin dhe përhapjen masive të veprave letrare e fetare, u bë në shkallë të pamjaftueshme. Madje, ishte padyshim paaftësia e asaj që kishte mbetur nga letërsia bektashiane për t'iu përshtatur alfabetit latin dhe mënyrave bashkëkohore të botimit, që dha shenjën e vdekjes së saj përfundimtare.

    Edhe pse grupi më i fortë, bektashinjtë nuk ishin i vetmi sekt dervishësh (5) i përkushtuar poezisë fetare me alfabet arab. Dervish Salihu (vitet 1820 - vitet 1890), lindur në fshatin Libizhdë të Hasit afër Prizrenit, i përkiste sektit Kadiri. U rrit në Rahovec, ku shehu i teqesë së atjeshme vuri re prirjen dhe interesimin për filozofi e misticizëm, prandaj e dërgoi në Koçan, në Maqedoninë lindore, për të vazhduar shkollën si kadiri te Myhliz Dedja. Atje u bë dervish dhe u kthye në vendlindje në Libizhdë të Hasit për të hapur një teqe kadiri. Në moshë të thyer mbështeti fuqishëm Lidhjen e Prizrenit dhe pati shumë përkrahës, ndër ta edhe një figurë politike si Bajram Curri (1862-1925). Ndonëse dorëshkrimet me poezitë e tij humbën të gjitha, sidomos gjatë luftërave ballkanike, disa vjersha janë ruajtur në liturgjinë e sektit Alevi. I biri i Dervish Salihut, Sheh Kadria, (vd. rreth v. 1903), ishte një tjetër poet Kadiri dhe figurë e shquar, që u vra në Gjakovë rreth vitit 1903. Nga Sheh Emini i Sadive (vd. 1918), figurë udhëheqëse fetare e politike nga Gjakova, për të cilin thuhet se ka qenë i pari i një teqeje të

    __________________________________________________ _________________

    4 kr. Tomori 1924, 1927, 1928, 1929, 1934, 1935.

    5 Ndër sektet e tjera të dervishëve që kanë qenë aktivë ndër shqiptarët, qoftë në Shqipëri e qoftë në Kosovë, janë: Bedevi, Desuki, Halveti, Kadiri, Melami, Mevlevi, Nakshibendi, Rufai, Sa'di, Shahzeli, Sinani, Tixhani dhe Xhelveti. Nga të dhënat del se më 1976 ende ishin në Kosovë shtatëdhjetë e gjashtë teqe (kr. Glasnik vrhovnog islamskog starješinstva 39/3, 1976, f. 299).

    __________________________________________________ _________________


    atjeshme për shtatëdhjetepesë vjet me rradhë, kemi një fragment vjershe fetare me titull Thirr me zemër. Sheh Jonuzi (1848-1909), i njohur edhe me emrin Hajdar e me pseudonimin Sabri, ka qenë një dervish Melami nga Jashanica e Toplicës në Kosovë. Studioi për teologji në Stamboll dhe u kthye në Kosovë për të hapur një shkollë në Suhadollin e Ulët afër Mitrovicës, ku mësimi jepej në gjuhën shqipe, punë që asokohe bëhej krejt fshehurazi. Shpesh ra në konflikt me autoritetet shtetërore e fetare të kohës dhe u përndoq mjaft. Sheh Jonuzi është autor i nëntë ilahi-ve, një elifi-e, d.m.th. një përmbledhje me njëzet e nëntë vjersha për të mësuar alfabetin arab, si dhe i rreth dhjetë vjershave të tjera. (6)

    Letërsia myslimane në Shqipëri e madje letërsia shqiptare në përgjithësi ishte privilegj vetëm i meshkujve dhe, me pak përjashtime, kështu do të mbetej deri në vitet 1960. Megjithatë, në zgrip të shekullit, biem në gjurmët e asaj që mund të quhet e para poete femër në Shqipëri, Nesibeja nga Gjirokastra, autorja e një kasideje (arab. qasîde 'odë historike') me tridhjetenjë strofa katërshe, që mban datën 1897 [1313 A.H.], e që flet për betejën në kufirin jugor të Shqipërisë. Në njërën nga këto përpjekje të zakonshme kufitare grekët kishin bombarduar Sarandën dhe me sa duket po kërcënonin Gjirokastrën vetë. Kasideja apo gjyfteja e Nesibes u zbulua në vitet 1950 nga Osman Myderrizi në një dorëshkrim (7) prej 48 faqesh që përmban njëzet e pesë vjersha autorësh të ndryshëm, ndër ta Nezim Frakulla, e që kaloi nëpër Shkodër e Durrës për të përfunduar në Tiranë. Megjithatë, mundet që emri Nesibe është vetëm një gabim ortografik për ndonjë Nesib mashkull; bile kemi poetin e quajtur Nesib Mezini, ndonëse ky, në njërën nga vjershat e tij, e këshillon Nesibenë "t'i lerë kasidetë rehat". Sidoqoftë, për jetën e saj nuk dihet gjë tjetër. Në dorëshkrimin në fjalë gjenden edhe disa vjersha me tema historike, ndonëse jo të po atij niveli, të një farë Abdulhamidi nga Gjirokastra, si dhe poezi fetare me frymëzim bektashian nga Hoxhë Dobi, të dy padyshim në zgrip të shekullit.

    Tradita orientale e mevlud-it (8), poezi fetare festive për lindjen e profetit Muhamed, për të cilën është bërë fjalë në krijimtarinë letrare të autorëve shqiptarë më të hershëm, sidomos Hasan Zyko Kamberi, Abdullah Sulejman Konispoli dhe Ismail Floqi, vazhdoi t'u pëlqejë një numri autorësh myslimanë gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë e madje në shekullin e njëzetë (9). Burim më i drejtpërdrejtë frymëzimi për shkrimtarët shqiptarë mbeti mevludi i famshëm i poetit turk Sulejman Çelebi (10) (vd. 1422). Hafëz Ali Ulqinaku (1853- 1913), shkrimtar mysliman nga Ulqini (sikundër e thotë edhe mbiemri), port me popullsi shqipfolëse në bregdetin malazez, bëri një përkthim të mevludit të Çelebiut, të titulluar thjesht Ter—ume-i mevlud 'alâ lisân-i arnavûd (Përkthim i mevludi në gjuhën shqipe), të cilin e botoi në Stamboll në fillim të vitit 1878 [1295 A.H.]. Ulqinaku qe edhe autori i disa përkthimeve të tjera nga turqishtja si dhe i një fjalori të madh turqisht-shqip, shqip-turqisht (11), të hartuar në alfabet arab aty nga viti 1897. Pjesa turqisht-shqip e fjalorit përbën 915 faqe, ndërsa pjesa e dytë shqip-turqisht, origjinali i së cilës ruhet, përfshin vetëm 168 faqe me rreth 4000 leksema të

    __________________________________________________ _________________


    6 kr. Pirraku 1979, f. 207-217.

    7 kr. Myderrizi 1959.

    8 Për mevludin, kr. Lamaj 1982.

    9 kr. Kaleshi 1958.

    10 kr. MacCallum 1943. Mevlude vendëse ka edhe në serbisht, greqisht dhe çerkezisht.

    11 kr. Myderrizi 1961.

    __________________________________________________ _________________

    ndryshme të shqipes. Edhe Tahir efendi Halil Popova (1856?-1949), i njohur edhe si Mehmet Tahir efendiu, nga fshati Popovë afër Vushtrrisës në Kosovë, ka shkruar një mevlud duke u mbështetur te ai i Çelebiut dhe arriti ta botojë në Stamboll aty rreth vitit 1876 (12). Mevludi i Popovës, për të cilin thuhet se është kënduar gjerësisht në qarqet myslimane të Kosovës deri vonë, si dhe ai i Ulqinakut janë kësisoj më të hershmet vepra në gjuhën shqipe të botuara me alfabet arab, plot një dhjetëvjeçar para variantit të ripunuar me alfabet latin nga Jani Vretoja të Ervehesë së Muhamet Kyçykut, të shkruar në fillim në alfabet arab më 1820. Mevlude të tjera, qoftë origjinale apo përkthime të Çelebiut, dihet se janë shkruar shqip nga njerëz të lindur në shekullin e nëntëmbëdhjetë, si Haxhi Çiçkoja nga Korça, Tahir efendi Lluka (vd. 1908), Hafëz Ali Korça (13) (1874-1957), anëtar i Këshillit të Lartë të Sheriatit (mevludi që mban datën 1909), dhe Hafëz Abdullah Sëmlaku, mevludi i të cilit pati katër botime, i fundit në Korçë më 1944. Hafiz Ibrahim Dalliu (1878-1952), shkrimtar i njohur për satirën e tij therëse dhe botues i gazetës së përjavshme Dajti nga 1923 deri më 1926, ishte autori i një mevludi prej 250 faqesh, më i gjati në dialektin gegërisht.

  8. #38
    8.2 Rënia e traditës myslimane



    Pothuajse të gjithë autorët e mbetur të letërsisë myslimane të shekullit të njëzetë që njohim sot janë nga Kosova. Njëri nga më pjellorët ndër ta ka qenë Hilmi Abdyl Maliqi (14) (1856?-1928), i njohur edhe si Sheh Mala i Rahovecit apo Sheh Maliqi. Ka lindur në Kopila Gllavë afër Rahovecit dhe mori një shkollim të mirë në Rahovec dhe në medresenë e Mehmet Pashës në Prizren, duke mësuar jo vetëm shqipen e serbo-kroatishten, por edhe turqishten, persishten dhe arabishten. Poezia e tij mistike, përshkruese dhe sentimentale në një divan prej shtatëdhjetë e shtatë vjershash, ende pjesa më e madhe e pabotuar, shënon një kalim nga poezia orientale tradicionale në poezinë e periudhës së vonë të Rilindjes. Maliqi është autor edhe i gjashtëmbëdhjetë risaleteve apo letrave fetare dhe i disa përkthimeve nga turqishtja, persishtja dhe arabishtja, ndër to edhe një përkthim katërqind-faqesh i Wâridât të poetit, juristit dhe kryengritësit arab Bedr ed-Dîn nga Samauna (1358-1416).

    Thuhet se dorëshkrimet e Maliqit ruhen në teqenë e Rahovecit. Bashkëkohësi i Maliqit Haxhi Ymer Lutfi Paçarizi (15) (1871-1929) ishte poet dhe klerik mistik nga Prizreni që ndoqi studimet në medresenë Fatih në Stamboll. Ndonëse i mbrujtur me traditën islame, ai e përshëndeti Revolucionin e Tetorit dhe mbështeti Partinë Komuniste të sapoformuar në Shkup që më 1920, veprimtari që e vuri në konflikt me policinë serbe. Nxënës i shquar i Hilmi Maliqit ka qenë Shaip Zurnaxhiu (1884-1951), një dervish melami nga fshati Mamushë. Ai është autor i shtatëmbëdhjetë vjershave shqip, njëzet në turqisht dhe pesë në serbokroatisht, të gjitha të shkruara me alfabet arab. Poezia e tij me ngarkesë të mirë emocionale e me një shqipe pak të përzier me fjalor oriental përfshin tema fetare dhe lirika dashurie.

    __________________________________________________ _________________

    12 kr. Kaleshi 1956, 1958, dhe Shuteriqi 1976, f. 206.

    13 kr. I. D. Hoxha 1996.

    14 kr. M. Krasniqi 1953, Pirraku 1979, f. 226-235, dhe për një studim gjuhësor Ajeti 1966 dhe 1985, vëll. 2, f. 217-248.

    15 kr. M. Krasniqi 1955 dhe Kaleshi 1962.
    __________________________________________________ _________________

    Edhe pse alfabeti arab ishte përdorur për shqipen për gati dy shekuj, ai kurrë nuk i shkoi plotësisht për shtat sistemit fonologjik të shqipes dhe kishte raste që shkaktonte keqkuptime për lexuesin pa përvojë. Rexhep Voka (16) (1847-1917), studiues nga Tetova, iu përkushtua këtij problemi dhe propozoi një alfabet me shkronja arabe të përbërë prej dyzetekatër shkronjash, bashkëtingëllore e zanore, të cilin e botoi në librin e tij Elifbaja shqip, Stamboll 1911 [1327 A.H.] (Abc-ja shqip). Rexhep Voka, lindur në fshatin Shipkovicë të rajonit gjerësisht shqipfolës në Tetovë, i nisi studimet në Stamboll më 1868 ku dhe më vonë punoi si mësues dhe gazetar. U kthye në Tetovë më 1895 dhe u aktivizua si myfti në Manastir gjatë revolucionit të xhonturqve si dhe anëtar i shoqërisë Bashkimi. Voka është autor i tri veprave të tjera të shquara: Vendimet e Kongresit të Dibrës, Manastir 1909 [A.H. 1325];Mendime, Stamboll 1911 [A.H. 1328], në të cilën parashtron gjendjen e prapambetur të Shqipërisë dhe nevojën për arsim; dhe Arnavudçe müfessal ilmihal, Stamboll 1911 (Abetare shqip për fenë). Alfabeti i Rexhep Vokës nuk kaloi pa u ndjerë dhe u përdor një vit pas botimit nga një i quajtur Fadil Bodinaku (17) (1870?-1932) ose Fazili nga Tirana, i cili shtypi një gramatikë 32-faqesh të shqipes me titullin turqisht Sarfi iptidai arnavudi, Stamboll 1911 (Gramatikë elementare e shqipes). Por në këtë kohë, shkrimi i shqipes me alfabet arab për veprat jofetare i pati ditët të numëruara.

    Po nga kjo periudhë kemi një numër poetësh myslimanë pak të njohur, nga të cilët vetëm pak vjersha kanë ardhur deri në ditët tona. Ndër ta janë: Dervish Veseli (1887-1950) nga Rahoveci, i cili ka bërë shumë udhëtime në Lindjen e Afërme dhe vdiq nga një aksident në teqenë e madhe Sadiu në Gjakovë më 1950; Hafiz Imer Shemsiu (1893-1945), imam në Talinovc, që hapi një shkollë fillore në gjuhën shqipe në Sazli-Talinovc dhe nga tridhjetë vjershat fetare të çmuara të të cilit kemi vetëm tri; Dervish Idrizi, kovaç nga Gjakova dhe autor i një vjershe me datë 1908; mësuesi Faik Maloku (1900-1935), i njohur edhe si Faik efendiu nga Prishtina, Sheh Osmoni i Junikut nga të cilët kemi nga një vjershë; dhe Hafiz Islami (rreth v. 1910 - rreth v. 1934), pseudonim i Islam Mehmet Bytyqit, nga fshati Mllanaviq i Llapushës, i cili pas studimeve fetare në Gjakovë nën Fahri Efendiun vdiq i ri gjatë shërbimit ushtarak në Slloveni. Edhe një i quajtur Sheh Ahmedi nga Shkodra, dervish i sektit Rufai, ka qenë pak i njohur deri vonë, kur njëzet e tre nga vjershat e tij me tema fetare apo me frymë të hollë kombëtare u zbuluan në një dorëshkrim në Strellc të Epërm afër Deçanit (18). Sheh Hyseni i Halvetive (1873-1926) ka qenë studiues feje i sektit Halveti në Prizren dhe nga ai kemi një ilahi (himn fetar) me njëzetekatër vargje pa kurrfarë vlere letrare apo teologjike të veçantë. Me sa duket, asgjë nuk ka mbetur nga veprat e Azem Efendi Ollurit (1825-1913) nga Kroimiroc në Kosovë ose nga bashkëkohësi i tij Hasan Efendi Hoti prej Drenice të Kosovës, divanin shqip të të cilit e ka pasur i biri deri më 1945 (19).

    Dy poetë aktivë në vitet 1930 e 1940 i japin fund dhe e mbyllin historinë e letërsisë shqipe me alfabet arab. Vejsel Xhelaludin Guta (1900-1979) ka lindur në fshatin Zaskok afër Ferizajt në Kosovë; studioi në medresenë e Mehmet Pashës në Prizren, ku mësoi arabishten dhe persishten. Më vonë shërbeu si imam dhe mësues shkolle në Vojnoc afër Shtimes. Nga poezia e tij kemi pesë ilahi dhe një vjershë tjetër të vitit 1942. Mulla Hysein Hysni Statovci (l. 1900), lindur në Batllavë, jetoi në Prishtinë dhe Podujevë, ku edhe shërbeu si nëndrejtor i shkollës fillore myslimane të hapur nga Faik Maloku, që përmendëm më sipër. Ai mori pjesë në jetën

    __________________________________________________ _________________

    16 kr. Kaleshi 1956, f. 372-383, Pirraku 1979, f. 221-225, dhe Voka 1991.

    17 kr. Kaleshi 1956, f. 383.

    18 kr. Salihu 1987, f. 436.

    19 kr. Pirraku 1979, f. 204-206.
    __________________________________________________ _________________

    politike e shoqërore të Kosovës së paraluftës dhe ishte luftëtar i flaktë për mësimdhënien në gjuhën shqipe. Shkroi vjersha midis viteve 1935 dhe 1947.

    Me këta dy poetë të fundit fetarë, ende aktivë gjatë Luftës së Dytë Botërore, tradita e shkrimit shqip Alhamiado (span. aljamiado) merr fund një herë e mirë. Edhe pse letërsia shqiptare me alfabet arab kishte qenë gjithmonë e ndikuar fuqishëm nga Islami dhe traditat kulturore të Orientit, në shekullin e njëzetë ajo ishte kthyer në një veprimtari fetare e liturgjike të kohës së lirë, e ushtruar thuajse vetëm nga dervishë, imamë dhe klerikë vendorë, kryesisht në Kosovë. Edhe pse anakronike në vetvete, ajo e ruajti njëfarë flake të kulturës shqiptare në Jugosllavinë jugore në një kohë kur librat dhe shkollimi në gjuhën shqipe as mund të mendoheshin e kur njerëzit që e mbronin haptas këtë çështje u nënshtroheshin menjëherë përndjekjeve të egra të autoriteteve serbe. Në një atmosferë të tillë të rëndë shtypëse, kjo letërsi Alhamiado u shërbeu shkrimtarëve shqiptarë si liman shpëtimi, meqë alfabeti i saj arab dhe karakteri i dukshëm fetar e bënin tepër të largët e tepër të mbyllur për sulmet dhe shtypjen e mundshme nga ana e autoriteteve të Beogradit; e bënin një botë të pakuptueshme misticizmi oriental të ushqyer në teqetë e veçuara, xhamitë dhe medresetë nga një pakicë myslimane në dukje pa shkollë, pa pasuri e jo fort e kuptueshme brenda mbretërisë kristiane të sllavëve të jugut.

    Vepra të tjera myslimane me alfabet arab janë shkruar pa dyshim midis dy luftërave edhe në Shqipëri, krahas letërsisë 'së vërtetë' me alfabet latin, që u zhvillua me vrull, por pak gjurmë të së parës kanë dalë në dritë. Është e sigurt që krijime të tilla me alfabet arab, qoftë me pretendime letrare apo jo, janë zhdukur ose kanë humbur gjatë fushatës revolucionare për heqjen e fesë në Shqipëri më 1967, e cila shpuri në fakt në shkatërrimin fizik të të gjitha xhamive, teqeve, kishave dhe manastireve në mbarë vendin. Mendimi i përgjithshëm sot në Shqipëri është se shumë vepra arti kanë përfunduar thjesht në koshin e plehrave ose janë djegur. Me sa duket të tri vëllimet me vjersha të poetit bektashi Ibrahim Hasnaj bëjnë një përjashtim. Vitet që vijnë do të tregojnë se çfarë tjetër ka mbetur nga kjo traditë letrare e shuar.

  9. #39
    9. PERIUDHA E RILINDJES.
    LETËRSIA E ZGJIMIT KOMBËTAR SHQIPTAR






    9.1 Fillimet e ndërgjegjes kombëtare (1830-1850)




    Tatëpjeta graduale politike dhe ekonomike e Perandorisë Osmane në shekullin e tetëmbëdhjetë, e shoqëruar me një shpërbërje të ngadalshme por të vazhdueshme territoriale, krijoi një zbraztësi pushteti në Shqipëri. Kjo shpuri në formimin e dy pashallëqeve gjysmautonome: ai i Shkodrës në veri, i sunduar nga dera e Bushatllinjve dhe ai i Janinës në jug, i cili më 1787 ra nën sundimin e fortë e të ashpër të Ali pashë Tepelenës (1741-1822), i njohur edhe si Asllani i Janinës (1). Ndërsa autonomia e pashallëkut të Shkodrës mori fund me vdekjen e Kara Mahmud pashës më 1796, Ali pasha, duke përdorur me shkathtësi e zgjuarsi edhe terrorin edhe diplomacinë, ia doli mbanë të shtrijë sundimin e tij deri më 1822.

    Rimarrja e pushtetit nga Sulltani e la Shqipërinë një vend djerr, ku sundonte varfëria dhe korrupsioni provincial. Reformat centralizuese të Tanzimatit që u shpallën më 3 nëntor 1839 e që synonin modernizimin e krejt Perandorisë Osmane, ndeshën në kundërshtimin e vendosur të bejlerëve vendës në Shqipëri, të cilët donin që privilegjet të mos u iknin nga dora. As fiset e prapambetura të veriut, gjithmonë skeptike e të pabindura ndaj çfarëdo urdhri që jepnin turqit, nuk do të josheshin nga premtimet për barazi të përgjithshme apo për reforma administrative e tatimore. Reformat e Tanzimatit ndikuan sidomos në këto zona malore të thyera, dhe sollën një sërë kryengritjesh kundër Portës së Lartë, gjatë të cilave u hodh e u mboll fara e idesë kombëtare shqiptare. Lëvizja romantike, e cila ndër shumë kombe të vogla të Evropës veriore kishte ngjallur vetëdijen e identitetit kombëtar, nuk do të kishte ndonjë jehonë të veçantë ndër shqiptarët. Ndërkaq, lufta shqiptare kundër sundimit turk kishte marrë tani një përmasë kombëtare të qartë, sidomos duke parë përparimin e bërë nga fqinjët kristianë të Shqipërisë. Serbia kishte mundur të fitojë një autonomi të kufizuar si shtet haraçpagues i Perandorisë Osmane më 1817; Vllahia dhe Moldavia, sot Rumania, formuan principata vetëqeverisëse më 1829, kurse Greqia më 1830 fitoi pavarësinë pas luftës së gjatë e të përgjakshme të filluar më 1821. Por lufta për autonomi e sovranitet kulturor në Shqipëri do të ecte me një ritëm shumë më të ulët, dhe kjo kryesisht për shkak të pranisë së islamizmit e sidomos për mungesën e unitetit brenda vendit.

    Ndërkaq fara e zgjimit kombëtar, e fjetur për një kohë të gjatë në Shqipëri, kishte nisur të lëshojë filiza jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në ngulimet aktive shqiptare jashtë, në Stamboll, Greqi, Rumani, Bullgari dhe Egjipt, si dhe ndër arbëreshët e Italisë së jugut. Zgjimi kulturor, i cili shkonte krahas prise de conscience kombëtare e politike, nxiste dhe nënkuptonte nevojën e përdorimit të shqipes në të gjitha fushat e jetës, sidomos në shkrim e në shkollim në gjuhën shqipe, të ndaluara nga Porta. Që në fillim lindi problemi i vështirë i gjetjes së një alfabeti të përshtatshëm e të pranueshëm nga të gjithë, një barrë e rëndë që do të vinte në provë të gjithë intelektualët luftëtarë të zgjimit kombëtar gjatë gjithë shekullit të

    __________________________________________________ _________________

    1 Për Ali pashën, një nga figurat më interesante në historinë shqiptare, i cili veçanërisht mahniti djaloshin Lord Bajron, kr. Ibrahim 1827, Boppe 1914, Remérand 1928, Plomer 1936, 1970, Baggally 1938, dhe Christowe 1941.
    __________________________________________________ _________________

    nëntëmbëdhjetë e madje edhe në të njëzetin (2). Traditat e letërsisë së hershme shqiptare të shekujve të gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë, të lidhura ngushtë me kishën katolike, qenë tretur prej kohësh, dhe bashkë me to edhe alfabeti latin. Alfabeti grek i përdorur nga shqiptarët ortodoksë në jugu dhe alfabeti arab i përdorur nga myslimanët nuk i përshtateshin fort mirë sistemit tingullor të shqipes e, për më tepër, secili prej tyre qe i papranueshëm për shqiptarët e fesë tjetër. Një nga figurat më të hershme që iu përkushtuan krijimit të një alfabeti të ri të shqipes e njëherazi një nga të parët që formuloi idealet dhe objektivat e lëvizjes kombëtare shqiptare që në hapat e para të saj ishte Naum Veqilharxhi (3) (1797-1846), i njohur gjithashtu me emrin e tij më të plotë Naum Panajot Haxhi Llazar Bredhi. Lindi në një familje të fshatit Bredh afër Vithkuqit në krahinën e Korçës. Pas shkatërrimit të Vithkuqit më 1819 Veqilharxhi, emër që vjen nga turqishtja, emigroi në Rumani në kërkim të një jete më të mirë. Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e Vllahisë kundër turqve, kurse pjesën tjetër të jetës e kaloi si avokat, me sa dimë, në portin e Brailës në Danub. Thonë se vdiq i helmuar në Stamboll nga duart e fanatikëve ortodoksë grekë të lidhur ndoshta me Patrikanën e Stambollit. Megjithëse kjo mbetet për t'u vërtetuar, dihet fare mirë se Patrikana kundërshtonte vazhdimisht të gjitha manifestimet e ideve kombëtare jogreke në Ballkan.

    Në një letër greqisht, që thuhet se ka qarkulluar, Naum Veqilharxhi nënvizonte prapambetjen dhe mjerimin e shqiptarëve për shkak të sundimit shumëshekullor turk, dhe vinte në dukje nevojën për një alfabet të ri të shqipes si mjet për të kapërcyer amullinë e për të bashkuar vendin. Rënia morale dhe politike vinte sidomos nga "lënia pas dore e lërimit të gjuhës sonë kombëtare dhe zëvendësimi i saj me një gjuhë të huaj". Por si mund të lëvrohej gjuha shqipe pa një alfabet të pranueshëm për shqiptarët myslimanë, ortodoksë e katolikë bashkë? Më 1824 dhe 1825 Veqilharxhi e kishte nisur tashmë punën për një alfabet të tijin me tridhjetë e tre shkronja dhe më 1844 shtypi një abetare shqip prej tetë faqesh. Ky libër i vogël drejtshkrimi, Fort i shkurtër e i përdorçim ëvetar shqip, u shpërnda në mbarë Shqipërinë e jugut, nga Korça në Berat, dhe me sa duket u prit me shumë entusiazëm. Kjo broshurë u zgjerua deri në dyzet e tetë faqe në një botim të dytë po aq të rrallë në vitin 1845 me titull Faré i ri abétor shqip per djélm nismetore. Një kopje e këtij libri, prej kohësh kujtuar i humbur, u zbulua nga Shkëlzen Raça dhe Rexhep Qosja në Bibliotekën Gennadius në Athinë dhe u rishtyp më 1983 (4).

    Rëndësia e alfabetit të Veqilharxhit, i cili në shikim të parë të kujton stilin e shkronjave armene, qëndron në faktin se nuk qe lidhur me traditën e ndonjë bashkësie fetare të caktuar dhe, si krijim politikisht asnjanës, mund të kishte gjetur pëlqimin e të gjithë shqiptarëve, po t'i kishte bërë ballë provës së kohës. Folkloristi Spiro Dine (1846?-1922) ka pohuar se e kishte mësuar alfabetin e Veqilharxhit që fëmijë në anët e Vithkuqit. Megjithatë, jehona e këtij alfabeti origjinal ishte në fakt e kufizuar, pjesërisht për shkak të vdekjes së parakohshme të autorit një vit më pas dhe pjesërisht pa dyshim për arsye vogëlsirash financiare e teknike. Në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur edhe në Ballkan botimet po bënin hapa të mëdhenj përpara, një alfabet i ri kërkonte edhe një komplet të ri tipografik, me shkronja e stile përkatëse, çka do të shpinte në shpenzime të papërballueshme nga çdo botues i mundshëm. Në këto kushte, ndonëse

    __________________________________________________ _________________

    2 Për historinë e alfabetit të shqipes, kr. Rrota 1936, Skendi 1960, Janura 1969, Ibrahim Hoxha 1986 dhe Osmani 1987a.

    3 kr. Islami 1967, 1975, 1977, Shuteriqi 1974, f. 218-268, 1977, f. 310-334, Faensen 1980, f. 22-31, Qosja 1983, 1984, vëll. 2, f. 7-34, Osmani 1987b dhe Shushka 1994.

    4 kr. Qosja 1983.
    __________________________________________________ _________________

    fonetikisht i arsyeshëm dhe fetarisht asnjanës, alfabeti i Veqilharxhit nuk zuri rrënjë. Veqilharxhi shquhet si i pari njeri i letrave në shekullin e nëntëmbëdhjetë që ka shprehur idealet e lëvizjes kombëtare në rritje nëpërmjet qarkores së tij, hyrjes për abetaren dhe letrave të tij të tjera. Midis letërsisë shqiptare dhe synimeve të zgjimit kombëtar ishte krijuar një lidhje e brendshme. Ndihmesa e Veqilharxhit është tipike për drejtimin që do të merrte shtrati kryesor i letërsisë shqiptare në vitet e tjera të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Larg nga belles lettres e stërholluar e estetëve në vendet më fatlume, shkrimi shqip në këtë periudhë zgjimi kombëtar do të bëhej mjet i një populli që luftonte për identitet dhe afirmim kombëtar, madje për shpëtimin e kulturës së tij.

  10. #40
    9.2 Letërsia katolike shkodrane e mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë



    Edhe pse shprehja e idealeve të lëvizjes kombëtare do të përbënte élan vital të letrave shqipe në shekullin e nëntëmbëdhjetë, sidomos në shpërthimin e gonxheve të para të gazetarisë në gjuhën shqipe, krijimtaria e parë letrare e mirëfilltë në këtë periudhë lindi nën patronazhin e kishës katolike, po ashtu siç kishte ndodhur në shekujt e gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë (5).

    Kisha katolike shqiptare me fuqinë që kishte në veri të vendit, kryesisht në Shkodër e në malësi, ishte tradicionalisht e orientuar nga Italia. Në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, edhe katolikët në këtë rajon ranë nën ndikimin e Austrisë në Kultusprotektorat-in (6) e saj (protektorati fetar), një e drejtë kjo që Vjena ia kishte rrëmbyer Portës gjatë një vargu traktatesh paqeje me sulltanët duke filluar që më 1616. Kultusprotektorat-i i rikonfirmuar pas luftës austro-turke të viteve 1683-1699, e autorizonte Austrinë të shërbente si mbrojtëse e popullsisë katolike në Ballkan, ku bënin pjesë edhe katolikët e Shqipërisë së veriut. Gjithmonë me qëllime politike pragmatiste në mendje më fort se me qëllime ungjillizuese altruiste, Austria tani filloi t'i shtojë veprimtaritë e veta në kuadrin e protektoratit si mjet për të ushtruar ndikim politik në Shqipërinë e veriut në mënyrë që të dobësonte fuqinë e Perandorisë Osmane nga brenda e të kundërshtonte çdo ambicje politike që mund të kishin sllavët ortodoksë të jugut. Me ndihmën e Austrisë, në Shqipërinë e veriut u ndërtuan e u meremetuan shkolla e kisha, kurse kisha katolike filloi të luajë një rol më aktiv në fushat e arsimit e të kulturës. Shkodra pa kaluar shumë kohë do të bëhej qendra letrare e kulturore jo vetëm për katolikët shqiptarë, që përbënin rreth një të dhjetën e popullsisë të Shqipërisë, por për të gjithë vendin.

    Edhe pse urdhra të ndryshëm të kishës, sidomos Benediktinët dhe Dominikanët, kishin qenë aktivë në Shqipëri që në mesjetën e vonë, ndikimin vendimtar në kulturën shqiptare në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë do ta kishin Françeskanët e më pas Jezuitët. Historia e urdhrit Françeskan (7), të themeluar nga Shën Françesku i Asizit (1181-1226) më 1209, e ka zanafillën në Shqipëri në vitin 1248, kur një grup murgjish u soll në këtë vend

    __________________________________________________ _________________

    5 Për letërsinë katolike shkodrane, kr. edhe Elsie 1991f.

    6 kr. Ippen 1902, Benna 1954, Schwanda 1965, dhe Schanderl 1971.

    7 Për françeskanët në Shqipëri, kr. Schizzo s.a., Fabianich 1930 dhe V. Malaj 1990, 1996.
    __________________________________________________ _________________

    nga misionari Xhovani da Piano Karpine (ital. Giovanni da Piano Carpine, 1182-1252). Një dokument i datës 1283 përmban një listë manastiresh në Shqipëri, kurse në shekullin e katërmbëdhjetë françeskanët, të njohur edhe si Urdhri i Fretërve Minorë (lat. Ordo Fratrum Minorum - O.F.M.), kishin themeluar protektoratin e tyre në Durrës, Custodia Durracensis. Në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë ky urdhër u bë përherë e më aktiv në fushën e arsimit e të kulturës. Më 1855 ai themeloi një Shkollë Françeskane, të njohur më vonë me emrin Illyricum, shkolla e parë ku u dha gjuha shqipe. Më 1861 u themelua një Seminar Françeskan ku gjithashtu jepeshin mësime shqip. Më pas françeskanët ngritën një shtypshkronjë, ku shtypën një numër librash fetarë dhe laikë shqip, si dhe organe periodike me interes të madh letrar e kulturor si Hylli i Dritës, 1913-1944, dhe Zâni i Shna Ndout, 1913-1944.

    Urdhri Jezuit, i themeluar nga Shën Injac Lojola (lat. Ignatius Loyola, 1491-1556) më 1534, erdhi në Shqipëri shumë më vonë (8). Vetëm më 1841 arritën në Shqipëri nga Sicilia për të ngritur një mision tre misionarët e parë jezuitë italianë, ndër ta shkrimtarët Zef Gualiata dhe Vinçens Bazile. Ndonëse erdhi vonë, Shoqata e Jezusit (lat. Societas Jesu - S.J.) siç quhet ky urdhër, luajti një rol të çmueshëm në arsimin dhe kulturën e Shqipërisë veriore për rreth njëqind vjet. Edhe pse objektivat kryesorë të Jezuitëve ishin stërvitja e seminaristëve për t'u bërë klerikë dhe propagandimi i fesë, për çka ata ngritën shkolla, kisha dhe lokale publike, veprimtaritë e tyre dhe talentet e tyre intelektuale të fuqishme dhanë gjithashtu një ndihmesë të ndjeshme për ngritjen e nivelit arsimor e kulturor të atdheut të tyre të ri. Më 1859 jezuitët hapën Kolegjia Papnore Shqyptare në Shkodër, kurse më 1870 ngritën aty një shtypshkronjë, Shtypshkroja e Zojës s'Paperlyeme, e cila gjashtë vjet më pas do të nxirrte librin e saj të parë shqip, Dotrina e kerscten, Shkodër 1876, e Ëngjëll Radojës. Deri në vitin 1928, shtypi jezuit kishte botuar gjithsej 471 vepra në shqipe, italishte dhe latinishte. Sikundër françeskanët, edhe jezuitët nxorën organe periodike të shquara si Elçija i Zemers t'Jezu Krisctit, 1891-1944, që nga viti 1914 e këndej pati emrin Lajmtari i Zemers t'Jezu Krishtit, revistë e kulturës fetare; Përparimi, 1914-1916, revistë historike dhe shkencore që nuk doli gjatë, dhe Leka, 1929-1944, revistë e përmuajshme kulturore. Më 1877, ata themeluan Kolegjin e Shën Françesk Saverit, i njohur edhe si Kolegja Saveriane (9) në Shkodër, e cila u kthye në një qendër të madhe të arsimit të lartë për të gjithë në Shqipëri, duke e vënë theksin te arsimi në gjuhën shqipe përveç atij në italishte. Kjo shkollë nxori shumë figura kombëtare dhe shkrimtarë të mëdhenj shqiptarë të fillimit të shekullit të njëzetë. Ndër figurat që kanë studiuar në Kolegjin Saverian janë poeti Ndre Mjeda (1866-1937), shkrimtari dhe publicisti Faik Konica (1875-1942), udhëheqësi politik dhe shkrimtari Luigj Gurakuqi (1879-1925), poeti dhe folkloristi Vinçenc Prenushi (1885-1949), poeti, prozatori dhe studiuesi Ernest Koliqi (1903-1975), dramaturgu Kolë Jakova (l. 1916), revolucionari komunist dhe shkrimtari Qemal Stafa (1921-1942) dhe poeti e kritiku Mark Gurakuqi (1922-1970).

    Ishin këta shqiptarë me shkollim katolik e deri diku edhe klerikët italianë të vendosur tani me banim në Shqipërinë veriore, që filluan në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë të krijojnë bazat e një letërsie të re shqiptare. Kjo letërsi me frymëzim fetar përfshinte poezi, që në fillim ishin imitime, dhe përkthime nga poezia italiane e latine, kurse më vonë, ndonëse në masë më të vogël, prozë dhe dramë. Ajo madje u bë nxitje për një pjesë të mirë të letërsisë shqiptare të shekullit të njëzetë e deri në Luftën e Dytë Botërore. Poeti më i hershëm katolik i shekullit të nëntëmbëdhjetë ishte Pjetër Zarishi (10) (1806-

    __________________________________________________ _________________

    8 Për urdhërin Jezuit në Shqipëri, kr. Jesuits... 1988.

    9 kr. Kolegja... 1928.

    10 kr. F. Fishta 1940c, Ressuli 1941, f. 142-152, dhe Çobani 1988, f. 5-52.
    __________________________________________________ _________________

    1866) nga fshati Blinisht i krahinës së Zadrimës. Studioi për prift në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë dhe u kthye në Shqipëri për të punuar si prift fshati. Më pas Zarishi u bë abat në krahinën me popullsi krejt katolike të Mirditës dhe vdiq në Kallmet të Zadrimës së tij. Ai është kryesisht, por jo tërësisht, autor vjershash fetare që i shkruante duke thurur bukur elemente të huaja (italisht, latinisht dhe turqisht) me elemente vendës të Shqipërisë së Veriut. Ai gjithashtu ishte i pari që përdori e pastaj përhapi një numër metrash poetikë, p.sh. njëmbëdhjetërrokëshin dhe vargun e Safos, ende të panjohura nga poezia shqiptare. Disa nga krijimet e tij poetike u botuan më vonë në revistën e Shkodrës Hylli i Dritës, por shumë të tjera mbetën të pabotuara.

    Ëngjëll Radoja (11) (1820-1880) nga Shkodra, i njohur italisht si Dom Angelo Radoja, ishte një tjetër prift katolik që studioi në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë. Si edhe shumë shkrimtarë të tjerë katolikë shkodranë ai u nxit për të shkruar jo vetëm nga edukimi fetar, por edhe nga ndjenja kombëtare. Flitet se Radojën e kanë helmuar pikërisht për angazhim e tij në çështjen kombëtare. Radoja është autor veprash fetare shqip dhe përkthimesh, nga të cilat sot kemi tre: Jesu Criscti n'semer t'mesctaarit, Romë 1862 (Jezu Krisht në zemër të meshtarit); Concilli i Dhèut Scciypniis baamun n'viet 1703 n'coh t'paps scciyptarit Clementit t'Gnimdhettit, Romë 1872 (Kuvendi shqiptar i mbajtur në vitin 1703 në kohën e Papës shqiptar Klementi XI), një përkthim i ri shqip i dokumenteve të të famshmit Kuvendi i Arbënit më 1703; dhe Dotrina e kerscten me msime e me spieghime, Shkodër 1876. Kjo e fundit thuhet se përbënte të vetmin katekizëm të hershëm origjinal në shqipe, për vetë faktin se Doktrinat Kristiane të mëparshme, si ato të Pjetër Budit (1618), Bernard de Kuintianos (1675) dhe Zef Gualiatës (1845), kishin qenë të gjitha përkthime të 'katekizmës së vogël' të Shën Robert Belarminit.

    Një autor tjetër prozash të hershme fetare në gjuhën shqipe ishte Dario Buçareli (ital. Dario Bucciarelli, 1827-1878). Prift dhe misionar françeskan i lindur në Kastelpiano më 4 prill 1827, Buçareli u emërua nga Piu IX më 1860 ipeshkëv i Pultit, kurse katër vjet më pas u bë kryeipeshkëv në Shkup. Ai është autori i Udha e sceites cryc' e tiera pun' t'divocme, Romë 1862 (Udha e kryqit të shenjtë dhe të tjera punë të devotshme), një përmbledhje prej 276 faqesh rrëfimesh fetare të mbështetura në jetën e shenjtorëve. Ai shkroi edhe një gramatikë të shqipes në italishte, dorëshkrimi i së cilës ka qenë ruajtur deri vonë në Shkodër.

    Ndër poetët e traditës shkodrane të shekullit të nëntëmbëdhjetë, por me nivel më të lartë artistik se të tjerët, është Leonardo De Martino (12) (1830-1923) nga fshati Greçi i Kampanjës në krahinën e Avelinos. Ai u dërgua si prift françeskan në Shkodër me punë misionare më 1865. Atje, duke pasë siguruar mbështetjen e ministrit italian të arsimit, Françesk Krispi, i cili ishte arbëresh, De Martino mori pjesë aktive në hapjen e së parës shkollë italiane në Shqipëri. Në pjesën më të madhe të kohës së shërbimit në Shqipërinë veriore ai punoi në dioqezën e Zadrimës dhe Lezhës. Për një farë kohe shërbeu si sekretar i Prenk pashës, princ i Mirditës, dhe ishte kujdestar i të birit Prenk Bibë Doda (1858-1920). Ai ishte gjithashtu mësues i Gjergj Fishtës (1871-1940) në rini, i cili do ta ngrinte traditën e poezisë së Shqipërisë veriore në maja më të larta. De Martino u largua nga Shqipëria në fund të shekullit, ose për të dalë në pension ose nën ndikimin e vazhdueshëm të qeverisë austro-hungareze, e cila po vendoste juridiksionin e saj të Kultusprotektorat-it, dhe vdiq në moshën nëntëdhjetetre vjeç në kuvendin e Sarnos në Itali më 12 korrik 1923.

    Leonardo De Martino ishte poet i lindur, talenti poetik i të cilit habiti shumë nga bashkëkohësit, sidomos ngaqë nuk shkruante në gjuhën amëtare, por në dialektin gegë të Shqipërisë së veriut, që e pati mësuar gjatë dyzet vjetëve si misionar atje. Ai është autor përkthimesh në shqipe nga literatura fetare italiane dhe autor poezish me frymëzim kryesisht
    __________________________________________________ _________________

    11 kr. Ressuli 1941, f. 152-157.

    12 kr. F. Fishta 1940a.

    __________________________________________________ _________________

Faqja 4 prej 12 FillimFillim ... 23456 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  2. Video e ushtarëve grekë në Internet indinjon shqiptarët
    Nga Ingenuous në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 207
    Postimi i Fundit: 22-09-2011, 14:58
  3. Letersia Shqiptare
    Nga new-man në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-01-2009, 12:28
  4. Mesjeta e hershme shqiptare
    Nga DYDRINAS në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 15-11-2006, 15:10
  5. Rruga e modernitetit dhe koha e artë e letërsisë shqiptare
    Nga Eni në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-10-2002, 14:04

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •