Close
Faqja 9 prej 12 FillimFillim ... 7891011 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 81 deri 90 prej 116
  1. #81
    përkthime autorësh rusë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të parapëlqyer prej tij: Nikollaj Gogol, Ivan Turgeniev, Ivan Krillov (1769-1844) dhe Mihail Salltikov-Shçedrin (1826-1889). Përveç këtyre përkthimeve të shumta nga rusishtja dhe të tjerave nga rumanishtja (Mihai Eminesku, Mihai Sadoveanu), nga spanjishtja (Pablo Neruda), dhe nga frëngjishtja (Andre Morua, Pol Elyar), etj. Kuteli përmendet në veçanti për përshtatjen në prozë të një përmbledhjeje me poezi popullore shqiptare, ndër to edhe cikli heroik i Mujit dhe Halilit, në librin Tregime të moçme shqiptare, Tiranë 1965. Gjithashtu arriti të botojë edhe poezi e tregime për fëmijë, fusha më e parrezikshme për shkrimtarët evropianolindorë në periudhën staliniste. Një roman me temën e Ilirisë mbeti i papërfunduar. Mitrush Kuteli vdiq nga një krizë zemre në Tiranë më 4 maj 1967, pa pasur respektin dhe nderin që i takonin njeriut që e kishte bërë tregimin e shkurtër zhanër popullor në Shqipëri dhe që përndryshe, po të mos e kishte penguar politika, mund të ishte bërë prozatori kryesor i viteve pesëdhjetë.

    Nga prozatorët dytësorë të periudhës së pavarësisë, mund të përmenden sidomos Milto Sotir Gurra (1884-1972), Foqion Postoli (1889-1927) dhe Haki Stërmilli (1895-1953).

    Gazetari dhe tregimtari Milto Sotir Gurra (1884-1972) ka qenë me prejardhje nga fshati Marjan afër Oparit në krahinën e Korçës. Vitet më krijuese të jetës i kaloi jashtë vendit: në fillim në Odesë buzë Detit të Zi, kurse më pas në Amerikë, Stamboll, Sofje dhe Konstancë. Ai bashkëpunoi aktivisht me shumë organe shtypi kombëtare e letrare në mërgim shpesh me pseudonimet Nomadhi, Gjon Zeza dhe D.Toçkas (44). Ndërkaq vetë qe botues apo bashkëbotues i një numri revistash të tilla si i organit politik e letrar Atdheu të Konstancës më 1912 dhe të Durrësit më 1914, i së përmuajshmes Shkëndia të Korçës më 1921, i organit satiro-humoristik Zegthi të Korçës më 1922, dhe i së përdyjavshmes Zëri i popullit të Korçës më 1922. Në këto organe Gurra botoi tregimet e para, më të mirat e të cilave qenë shkruar gjatë viteve që jetoi në Rusi. Pjesën më të madhe të jetës Gurra e kaloi në mërgim, dhe kështu e kuptonte fare mirë vetminë e mërgimtarëve. Prandaj dhe mjaft nga tregimet e tij, të shkruara me një stil narrativ pa pretendime, pasqyrojnë mallin dhe hidhërimin e shqiptarëve të jugut, të shtrënguar për të lënë atdheun e për të vajtur në mërgim për punë e jetë më të mirë. Një përmbledhje me njëzet e dy nga këto tregime u botua me titullin Plagët e kurbetit, Tiranë 1938. Milto Sotir Gurra, sikundër Mitrush Kuteli më pas, përktheu letërsi ruse, ndër të tjera vepra në prozë të Ivan Turgenievit (1818-1883), Leon Tolstoit (1828-1910), Anton Çehovit (1860-1904) dhe Maksim Gorkit (1868-1936).

    Romancieri dhe dramaturgu sentimental Foqion Postoli (1889-1927) lindi në Korçë në një familje tregtare. Studioi dy vjet për tregti në Stamboll ku kishte të afërm, kurse më pas, si shumë korçarë të kësaj periudhe, emigroi me familjen në Shtetet e Bashkuara, duke u vendosur në Masaçusets. Atje punoi si sekretar për degën e Federatës 'Vatra' në Brokton (Brockton) dhe bashkëpunoi me organin kryesor të saj, gazetën Dielli të Bostonit, ku u botuan mjaft nga shkrimet e tij të para. Më 1921, pas një mungese katërmbëdhjetëvjeçare, u kthye në Shqipëri për të ndihmuar në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Dy romane dhe një pjesë teatrale, për të cilat përmendet, u shkruan në Amerikë në vitet 1910-1919 dhe u botuan së pari në faqet e Diellit.
    Romani i parë i Postolit Për mprojtjen e atdheut, 1921, është një krijim tipik në frymën e romantizmit kombëtar të viteve të fundit të Rilindjes dhe nuk është nga ato që lexohen me kënaqësi sot. Në këtë histori dashurie sentimentale plot me ideale e virtyte patriotike, fisnikun mysliman Estref, bir i Rakip bej Frashërit, e shpëton, pasi e godet kali, vasha e krishterë Nica, me të cilën ai martohet me gjithë kundërshtimet e prindërve të tij myslimanë. Luftërat ballkanike e detyrojnë Estrefin të largohet për të luftuar kundër grekëve 'për mprojtjen e atdheut', kurse Nica, e mashtruar nga i vjehrri, që i thotë se edhe i shoqi, edhe vajza e

    __________________________________________________ _________________

    44 Njihen 22 pseudonime të përdorura prej Milto Sotir Gurrës.
    __________________________________________________ _________________

    sapolindur kanë vdekur, endet si e meruar nëpër male, derisa e mban një bari. Pas sa e sa aventurash të dy ribashkohen në Shqipërinë e lirë. Tema e birit të beut, që martohet me vajzë fshatare me gjithë dallimin në fe, kishte qenë trajtuar edhe nga Mihal Gramenoja në tregimin Oxaku, të botuar më 1909. Në të dyja veprat ideja është e qartë: dallimet klasore e fetare duhen kapërcyer për të shpëtuar kombin shqiptar, i cili po luftonte kundër turqve dhe grekëve për pavarësi e bashkim, e për të mbajtur gjallë kulturën e vet.

    Romani i dytë i Postolit, Lulja e kujtimit, Korçë 1924, ndonëse vuan nga po ai artificialitet e cektësi e subjektit, nga pikëpamja artistike është njëfarë hapi përpara për ata që mund të tresin një sentimentalizëm të tillë. Sidoqoftë, ky rrëfim në dy pjesë i një historie dashurie e atdhetarie, u bë më popullor dhe është ribotuar disa herë. Në të vërtetë, ishte një nga romanet shqiptare më të mira të viteve njëzet e tridhjetë. Në romanin Lulja e kujtimit ngjarjet zhvillohen në Korçë në fillim të shekullit të njëzetë. Është historia romantike e dashurisë së djaloshit Dhimitër me Olimbinë, të bijën e filogrekut Kristo. Dhimitri është atdhetar i zjarrtë, që e don gjuhën amtare, lexon libra shqip të ndaluar dhe e shpall hapur identitetin e tij kombëtar. Olimbisë i flet me entusiazëm: "Po jam i sigurtë se do të vinjë dita, kur Shqipëria të çlirohet nga thonjt e Turqisë e të Patrikanës. Ajo ditë do të jetë përlindja e kombit shqiptar dhe e gjuhës sonë." Tregtari Kristo, pronari i Dhimitrit të varfër, merr në punë si sekretar të vet një grek tinëzar me emrin Niko. I kënaqur me punën e Nikos, Kristoja i ofron atij dorën e së bijës. Por Olimbia dashuron vetëm Dhimitrin dhe nuk pranon të martohet me Nikon, çka bën që ky dhe i ati të kurdisin një rreng për ta hequr qafe djaloshin Dhimitër. Hapin fjalë nëpër Korçë se Dhimitri është në të vërtetë udhëheqës komit i lidhur me nacionalistët shqiptarë jashtë. I lajmëruar nga Olimbia për rrezikun e arrestimit nga trupat turke, Dhimitri arratiset nga qyteti dhe merr rrugën në mes të atij dimri të ashpër për në Manastir. Duke çarë natën nëpër dëborë e suferinë, heroin tonë e sulmon një lukuni ujqish, që ia hanë kalin. Edhe pse atë vetë e shpëtojnë komitët shqiptarë të asaj krahine, në Korçë hapet fjalë se Dhimitri është vrarë. Olimbia e pangushëllueshme humbet kujtesën për gjashtëmbëdhjetë muaj, derisa një ditë sheh një lule, 'lulen e kujtimit', që Dhimitri e kishte mbjellë dikur në shenjë të dashurisë së tyre, e cila e ringjall e i risjell kujtesën. Më pas Dhimitri hyn në Korçë në krye të kryengritësve që luftonin për çlirimin e Shqipërisë dhe shpëton Olimbinë me të atin nga mashtruesi Niko. Romani mbyllet me shpalljen e kushtetutës nga xhonturqit, çka i jep mundësi Dhimitrit të kthehet përfundimisht në shtëpi e të martohet me Olimbinë e dashur.

    Flaka e atdhedashurisë që përshkon romanet e Postolit pasqyrohet edhe në pjesët e tij teatrore e sentimentale: drama e rëndomtë atdhetare Detyra e mëmës, e botuar në Boston më 1925, dhe pjesa me një akt Martesa e një avokati, shkruar më 1927 pak përpara vdekjes, komedi e pabotuar për mërgimtarët shqiptarë në Nju Inglënd (New England). Edhe veprën Lulja e kujtimit Postoli e kishte botuar si dramë në vitin 1921. Të gjitha veprat e Foqion Postolit janë po aq të cekëta e pa peshë, e mund të lexohen vetëm për hir të kohës kur zhvillohen ngjarjet, si pasqyrim i vonuar i romantikës nacionaliste të kulturës së periudhës së fundit të Rilindjes.

    Haki Stërmilli (45) (1895-1953) ka qenë një tjetër prozator e dramaturg mjaft sentimental. Lindi më 7 maj 1895 më Dibër. Shkollën e kreu në Selanik. Ndoqi edhe një shkollë të mesme në gjuhën turke në Manastir, drejtor i së cilës qe atdhetari shqiptar Bajo Topulli (1868-1930). Gjatë Luftës Ballkanike të vitit 1913 Stërmilli me gjithë familje u shtrënguan të arratisen nga Dibra, e pushtuar prej ushtrisë serbe, dhe të gjejnë strehë në Shqipëri. Në fillim u ngulën në Elbasan e më pas në Durrës. Stërmilli dëshironte të studionte në Evropën Perëndimore, por nuk mundi, sepse familja e detyroi të martohet me të venë e të vëllait më të madh, të vrarë më 1912. Në krahinën e Matit gjeti punë si sekretar nënprefekture, kurse më 1918 u bë vetë zëvendës nënprefekt. Mati ishte vendlindja e çifligarit feudal Ahmet Zogu (1895-1961), që më pas do të

    __________________________________________________ _________________

    45 kr. Jorgaqi 1960, dhe Rrecaj 1983, 1985, 1987, 1988a, 1988b.
    __________________________________________________ _________________

    bëhej Mbret i Shqiptarvet. Në fillim Stërmilli shkonte mirë me Zogun, meqenëse ishte mësues i motrave të shumta të tij, princeshave të ardhshme. Më 1920 u emërua sekretar i Ministrisë së Brendshme në Tiranë, por shumë shpejt u bë armik i betuar i Zogut të etshëm për pushtet. Së bashku me Avni Rustemin (1895-1924), të adhuruar nga rinia e Shqipërisë për vrasjen e çifligarit Esad Pashë Toptani (1863-1920) në Paris më 13 qershor 1920, Stërmilli themeloi më 1922 shoqërinë demokratike 'Bashkimi', e cila pati përkrahje të gjerë në atë kohë, kur mbizotëronin trazira politike. Zogu organizoi vrasjen e Avni Rustemit dhe më në fund mori fuqinë pas rënies së qeverisë së Fan Nolit më 1924. Stërmilli u shtrëngua kështu të largohet nga vendi, sikundër edhe shumë intelektualë dhe demokratë të tjerë. Pas një viti në Itali e në Francë, vajti në Bashkimin Sovjetik, ku, gjatë katërmbëdhjetë muajve të qëndrimit atje, u takua me Ali Kelmendin (1900-1939) e me brezin e parë të revolucionarëve komunistë shqiptarë, që studionin atje. Nga Bashkimi Sovjetik vajti në Austri dhe bashkëpunoi në Vjenë si gazetar dhe veprimtar politik kundër regjimit zogist në Shqipëri. Më 19 mars 1929, Stërmilli u kap nga policia jugosllave dhe iu dorëzua autoriteteve shqiptare, një akt ky që shkaktoi protesta energjike në qarqet e majta në Evropë. Kongresi i Dytë i Lidhjes Antiimperialiste, i mbledhur në Frankfurt në pranverë 1929, dërgoi letra e telegrame proteste në Jugosllavi e Shqipëri, të nënshkruara ndër të tjerë nga shkrimtari francez Anri Barbys (Henri Barbusse, 1873-1935), fizikani Albert Ajnshtajn (Albert Einstein, 1879-1955), udhëheqësi komunist bullgar Georgi Dimitrov (1882-1949), social-demokrati japonez Tecu Katajama (1887-1945), filozofi gjerman Teodor Lesing (Theodor Lessing, 1872-1933), e në veçanti nga Fan Noli (1882-1965). Me gjithë këto protesta, Stërmilli u dënua në fillim me pesë vjet burg, kurse në gusht 1935 me një afat të dytë burgimi. Gjatë Luftës II Botërore, mori pjesë në lëvizjen nacional-çlirimtare dhe kryesoi komitetin ekzekutiv të Këshillit Nacionalçlirimtar në krahinën e vendlindjes Dibër. Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, Stërmilli u zgjodh anëtar i Kuvendit Popullor. Në tetor 1946 u emërua gjithashtu drejtor i Bibliotekës Kombëtare, kurse në tetor 1949 drejtor i Muzeut të Luftës Nacional Çlirimtare. Haki Stërmilli vdiq më 17 janar 1953 pas një sëmundjeje të gjatë, duke mbetur autor i tre romaneve, mbi tridhjetë tregimeve, pesë pjesëve teatrale, dy ditareve dhe dhjetëra artikujve nëpër gazeta.

    Më e shquara ndër veprat e Stërmillit është romani Sikur t'isha djalë, Tiranë 1936, i cili rrëfen në formë ditari përpjekjet e një vajze të re, me emrin Dije Kërthiza, për t'u çliruar nga prangat e shoqërisë. Dijen nuk e ka lejuar i ati patriarkal, Sula, të vejë në shkollë dhe e ka mbyllur brenda mureve të shtëpisë gati që në fëmini. Ajo do që të martohet me atë që dashuron, Shpend Rrëfenë, por dëshira nuk i plotësohet, sepse e martojnë me forcë siç kërkonte i ati, me një tregtar të pasur e të moshuar, të cilin ajo nuk e do. Ankthi e vuajtjet shpirtërore, bashkë me sëmundjen që e ka zënë (tuberkulozin), e bëjnë Dijen të hedhë në ditar përsiatjet e saj për domosdoshmërinë e ndryshimeve sociale në jetën e gruas shqiptare përgjithësisht. Shpresat i ka mbështetur vetëm tek ardhja një ditë e një udhëheqësi, mbinjeriu migjenian, për t'i çliruar gratë nga fati i tyre i vajtueshëm.

    Si një nga romanet më popullore shqiptare të viteve tridhjetë, Sikur t'isha djalë ishte e para vepër e rëndësishme në letërsinë shqiptare me temën e emancipimit të gruas. Shumë vajza shqiptare të kohës u ulën e mësuan shkrim e këndim, siç thuhet, vetëm e vetëm që të mund të lexonin këtë libër. Ai ishte ndër romanet e para shqiptare në formë ditari, çka i jepte dorë të shtjellonte karakteret e protagonistëve me një monolog dramatik të fuqishëm. Ndonëse në përgjithësi bindës në ide dhe i pasur në elemente leksikorë të dialektit të gegërishtes së mesme të autorit, romani prapëseprapë nuk ka shpëtuar nga shumë dobësi stilistikore, të cilat bëjnë të mos ngrihet deri në shkallën e një letërsie të madhe. Ai është shkruar me një stil narrativ shumë realist plot me psherëtima romantike, pasthirrma e mallkime. Me gjithë qëllimin e mirë për ta nxitur lexuesin që të ndalej e të mendonte për një problem social të rëndësishëm, Stërmilli nuk ishte në gjendje të kapërcente sentimentalizmin lotndjellës të kohës, të cilin ai e ndihmoi të

  2. #82
    rrënjosej në letrat shqiptare. Për këtë arsye, Sikur t'isha djalë, revolucion modest për mesin e viteve tridhjetë, do të vjetërohej shpejt si vepër letrare. Megjithatë, romani u prit me shumë interes në Kosovën e pasluftës, ku pozita e gruas në shoqëri nga shumë aspekte ngjante me pozitën e gruas në shoqërinë e Shqipërisë së kohës kur u shkrua romani.

    Romani i dytë i Stërmillit, pa ndonjë përmbajtje sociale, ishte po aq sentimental, sa i pari. Kalorësi i Skënderbeut, Tiranë 1967, i nisur më 1938 dhe i përfunduar më 1950, e që u botua pas vdekjes sipas një dorëshkrimi me titull Dy zemra, dy shemra, ka kapur temën mjaft të rrahur të qëndresës shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut (1405-1468), në veçanti jetën e heroit dhe luftërat gjatë viteve 1451-1456. Ajo është një legjendë romantike e shndërruar jo pa vështirësi, në një roman historik, e përsëri plot me sentimentalizëm të papërmbajtur.

    Haki Stërmilli gjithashtu botoi sa qe gjallë tri pjesë modeste: pjesën me katër akte Dibranja e mjerueme, Tiranë 1923, atë me gjashtë akte Dashuni e besnikeri, Tiranë 1923, dhe atë me pesë akte Agimi i lumnuëshëm, Tiranë 1924, të cilat formojnë një trilogji për historinë e krahinës së Dibrës gjatë Luftërave Ballkanike të viteve 1912 e 1913. Dy ditaret, ai me 328 faqe Burgu, Tiranë 1935, për vitet e burgimit në Tiranë nga 1929 deri më 1934, dhe ai i botuar pas vdekjes Shtigjet e lirisë, Tiranë 1967, për veprimtarinë e tij partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore, janë me interes letrar të kufizuar.

    Një shkrimtar tjetër, që i shpëtoi kalimit të përgjakshëm të pushtetit më 1944-1945 pakashumë i padëmtuar e që ia doli të ndjekë karrierën e shkrimeve gjatë periudhës enveriste, qe Sterjo Spasse(46) (1912-1989). Romancier dhe tregimtar, Sterjo Spasse qe me prejardhje maqedonase; ai lindi më 16 shtator 1914 në Gollomboç, një nga fshatrat maqedonishtfolëse në brigjet e liqenit të Prespës. Ndoqi shkollën fillore në Korçë dhe të mesmen në Shkollën Normaletë Elbasanit, një nga më të mirat në vend, ku pati për mësues shkrimtarin rilindës Simon Shutëriqi (1883-1951) dhe gjuhëtarin Aleksandër Xhuvani (1880-1961). Aty në Elbasan filloi të mësojë gjuhë të huaja dhe të lexojë çdo libër letrar apo filozofik të huaj, që mund t'i binte në dorë: Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900), Artur Shopenhauer (Arthur Schopenhauer, 1788-1860), Fjodor Dostojevski (1821-1881), Leon Tolstoi (1828-1910), Gi dë Mopasan (Guy de Maupassant, 1850-1893), dhe Knut Hamsun (1859-1952) etj. Më 1932 hyri në punë si mësues, në fillim në fshatin Derviçan në jug të Gjirokastrës. Më pas kreu një kurs kualifikimi me korrespondencë për mësues në Firence, por nuk arriti të marrë provimin e fundit.

    Aty në fshatin e vogël të Derviçanit tetëmbëdhjetëvjeçari Spasse nisi të shkruajë romanin e parë, dhe kryeveprën e tij, Nga jeta në jetë - Pse!?, Korçë 1935, që përmendet shkurt vetëm me titullin Pse!?. Kapitujt e parë të kësaj vepre u botuan më 1934 në të përjavshmen Demokratia të Gjirokastrës, kurse nga 9 gushti 1935 në disa numra të Gazeta e Korçës. Ky roman doli edhe si libër më vete në fund të vitit 1935 me një parathënie nga Vangjo Nirvana, pseudonim i Vangjel Koçës (1900-1943). Pse!?, sikundër dhe Sikur t'isha djalë i Haki Stërmillit, botuar një vit më vonë, është shkruar në formë ditari dhe ka në qendër dilemën tragjike të një intelektuali të ri në një shoqëri fshatare të prapambetur. Gjon Zaveri është një i ri inteligjent, që pas studimeve kthehet në fshatin e lindjes. Prindët, duke iu përmbajtur zakoneve dhe traditave, ngulin këmbë që të martohet me vajzën e zgjedhur prej tyre, fshataren Afërdita. Gjoni e ndien fare mirë se një martesë e tillë do të ishte një gabim fatal, por pas shumë mëdyshjesh, ankthesh e lufte shpirtërore, ai pranon pa dëshirë, duke bërë kështu një lëshim e duke iu nënshtruar pushtetit të traditës e të shoqërisë patriarkale, e njëherazi duke marrë dhe tatëpjetën e vet. Pse!? është një vepër nihiliste, 'roman i mohimit'. Heroi pesimist i tij Gjon Zaveri vuan gjithë Weltschmerz-in e Verterit të ri të Gëtes, heroi me të cilin ndien afri të madhe shpirtërore. Në fund, i nënshtruar fatit, Gjon Zaveri mbytet vetë në liqen. Dy javë më pas, në një vëllim të

    __________________________________________________ _________________

    46 kr. B. Krasniqi 1991, dhe I. Spasse 1995.
    __________________________________________________ _________________

    Faustit të Gëtes, gjejnë një letër lamtumire, me të cilën mbyllet romani:

    "Më mirë të sundohesh prej sendi të pashpirt, por të dukëshëm, se nga filosofia, që është një gjë e padukëshme! Më mirë të jesh vrasës me pushkë, se sa vrasës me mëndje. Me pushkë vret disa njerës, por me mëndje vret nji turmë njerëzish! E dij se librat më larguan nga jeta edhe filosofia ma humbi ndjenjën si njeri. Për mua dashuri nuk paska lindur, për mua njëmëndsì nuk qënka krijuar! Kam lindur i tepërtë në këtë Botë, jam unjur gabimisht në këtë sofrë. Për mua - që kam dashur aqë fort për t'i ndrequr disi të metat e njeriut, s'ka t'afërmë në këtë Botë, por as që jam vetë i afërmë i vehtes s'ime. Po tundem si kallam në mes t'Oqeanit dhe shpejt e shpejt dua të zhytem në detin e pafund. Dhe kam për t'u zhytur, mbassi si i gjallë qënkam, si i vdekur qënkam, për mua është një!... Asnjeri nuk dua të m'i fali që i quan Bota mëkata, mbassi edhe unë nuk po fal njeri, sidomos filosofët. Për mbas vdekjes për trupi t'em jam një Dhiogjen. Le të kalbet atje ku do të përplaset herën e parë, le të shqyhet prej atyre kafshëve, që do ta gjejnë të parët. Por, në qoftë se njerëzia nuk duron një gjë të tillë e do të dojë për të më kallur në dhé, atëherë po çfaq një dëshirë: të më varrosin në vetmì, i rrethuar me driza e me ferra, pa derdhur as lote e as vaje, pa ndarë gjë për shpirt dhe pa mbajtur as zi, sepse për mua:

    'Bota e Hiçit, prej Hiçit, për Hiçin,
    Rrotullohet rreth qëllimit të Hiçit!'

    Fshatarët e varrosnë me nderime të mëdha intelektualin e tyre të vetëm, por në vetmì për mbi një kodër, që sundon fshatin dhe ku fryn era e paqme nga të katër anët, dhe nënë hijen e njëj trëndafili t'egër është vendosur varri i thjeshtë i të riut. Sipër nuk ka as emër, as datë e as shenjë, vetëm janë shkruar fjalët e tij të fundit:

    'Bota e Hiçit, prej Hiçit, për Hiçin,
    Rrotullohet rreth qëllimit të Hiçit!'
    Një i ri që ndoqi gjurmën e filosofëvet"

    Me romanin Pse!? dhe me dy përmbledhje tregimesh, shumica sentimentale, Kurorë rinije, Korçë 1934, dhe Në krahët e një femre, 1934, Sterjo Spassja nisi një roman të dytë, më ambicioz, në periudhën 1936-1938. Afërdita, Tiranë 1944, është historia e një mësueseje fshati, Afërdita Skënderaj, e cila lë qytetin e lindjes për t'u sjellë arsim dhe kulturë fshatarëve. Me gjithë konfliktin e pashmangshëm me pleqtë e fshatit e me autoritetet, e me gjithë peshën e paragjykimeve, padijes dhe zakoneve të trashëguara, ajo kurrë nuk e humbet besimin në misionin që kryen. Tema qendrore e Afërditës didaktike nuk ndryshon nga ajo e romanit të parë të Spasses: intelektuali i vetmuar, që lufton kundër padijes dhe pushtetit të traditës në fshat. Por Afërdita Skënderaj është heroinë pozitive, që i zgjidh problemet e veta e nuk mbytet në to në atë mënyrën e përulur e pesimiste të Gjon Zaverit. Ndërkohë që romani Afërdita i ofronte lexuesit shqiptar një model pozitiv, ai kurrsesi nuk zgjonte aq mendime sa Pse!?, dhe nuk dha ndonjë ndihmesë të ndjeshme për zhvillimin e romanit shqiptar. Stili narrativ i Spasses, si në këta dy romane edhe në veprat e mëvonëshme, është elementar dhe pa ndonjë përpunim gjuhësor të veçantë. Kryesore mbetet ideja. Kritikët marksistë të pasluftës nuk qenë në gjendje të merreshin me romanin Pse!?, edhe pse ai mund të quhet si një nga romanet më të mëdha shqiptare të shekullit të njëzetë. Pesimizmi shopenhauerian dhe Weltschmerz-i binin ndesh me heroin pozitiv që kërkonte realizmi socialist, prandaj ata e hodhën poshtë veprën thjesht si produkt të shtypjes dhe vuajtjeve të masave punonjëse në shoqërinë feudo-borgjeze të paraçlirimit.

    Ai përmendej në publik vetëm për të dëshmuar se ç'përparim kishte bërë Spassja me romanet e mëvonshëm të realizmit socialist. Nga një pikëpamje thjesht letrare e vërtetë është pikërisht e kundërta. Edhe pse romani Pse!? është vepër me frymë rinore e një shkrimtari ende të pastërvitur mirë me mjeshtëri, ky roman i parë bën një kontrast në të mirë të tij me të gjitha veprat klasike të realizmit socialist që ai krijoi më pas, si: Ata nuk ishin vetëm, Tiranë 1952, Buzë liqenit, Tiranë 1961, dhe Zgjimi, Tiranë 1974 (përkth. angl. The awakening, Tiranë 1980).Kur kujtojmë masën e tejskajshme të përndjekjeve të gjithë shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë gjatë marrjes së pushtetit nga komunistët dhe gjatë viteve më pas, bëhemi mjaft kureshtarë për të kuptuar se me çfarë lehtësie Spassja kaloi nga shkrimtar i paraluftës me frymë niçeane në ithtar i letërsisë socialiste. Më 15 shkurt 1944, nën pushtimin gjerman, Spassja kishte bashkëthemeluar periodikun Revista letrare, e cila më pas do të demaskohej si fashiste, e ku deri më 15 gusht të atij viti kishte botuar jo më pak se pesëmbëdhjetë tregime e fragmente prozash të tjera. Në fundin e vitit 1944, pak pas fitores komuniste, ai e kishte botuar veprën e tij të parë të realizmit socialist në organin partiak, gazetën Përpara të Korçës: Si e pashë Tiranën e porsaçliruar (47). Mjaft shkrimtarë të tjerë përparimtarë të së majtës, fjala vjen Petro Marko (1913-1991), pas lufte ose heshtën ose e panë veten në burg.
    Në vitet e para të pavarësisë së Shqipërisë pati një numër të mirë figurash të reja letrare, që dhanë ndihmesë të shquar, ndonëse jo të vazhdueshme, për zhvillimin e prozës në vitet njëzetë e tridhjetë.

    Politikani Mehdi bej Frashëri(48) (1874-1963), kushëri i publicistit dhe politikanit Mid'hat bej Frashëri (1880-1949), është autori i romanit me frymë romantike, me 144 faqe, Nevruzi, Tiranë 1923. Lindur në fshatin e famshëm të Shqipërisë së jugut Frashër, më 28 shkurt 1874, Mehdi beu u bë funksionar i lartë në administratën osmane para Luftës së Parë Botërore, bej në Jerusalem dhe guvernator i përgjithshëm në Palestinë (1911), si dhe zëvendëskomisioner i lartë në Egjipt (1912). Pas pavarësisë së Shqipërisë, u bë prefekt i qarkut të Beratit, kurse në gusht 1913 u emërua anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Pas largimit nga Shqipëria të princit gjerman Vilhelm Vid (1876-1945), qëndrimi gjashtëmujor i palavdishëm i të cilit në këtë principatë të rrëmujëshme ballkanase kishte përfunduar më 3 shtator 1914, Frashëri shkoi në mërgim, te kushëriri Mid'hat beu në Lozanë dhe, pas një orvatjeje jo të mbarë për t'u kthyer në Shqipëri në mars 1915, vitet e luftës i kaloi në Shën Mitër (ital. San Demetrio Korone), një ngulim arbëresh në Italinë e jugut. Pas Luftës së Parë Botërore ai u kthye në Shqipëri si figurë publike, që mbështeste politikën e lidhjeve të ngushta me Italinë. Mbajti poste politike të ndryshme, ndër ta ministër i brendshëm (1918-1920), anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (qershor 1919), ministër i jashtëm (1919), përfaqësues në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë (1923), ministër i ekonomisë (1930-1931), dhe kryeministër (21 tetor 1935 deri më 7 nëntor 1936). Me gjithë prirjet italofile, Mehdi beu u shpreh kundër pushtimit të Shqipërisë nga Musolini më 1939 dhe u internua për njëfarë kohe në Romë. Më 22 tetor 1943 u zgjodh në postin e palakmueshëm të kryetarit të të ashtuquajturit këshill i regjencës nën pushtimin gjerman, post që e pranoi edhe pse simpatizonte më shumë Aleatët sesa Boshtin. Me fitoren e komunistëve më 1944, Mehdi beu iku në Itali dhe vdiq në Romë më 25 maj 1963.

    Romani me144 faqe Nevruzi, ngjarjet e të cilit zhvillohen në periudhën 1866-1878, është një vepër me shumë veprim, e shkruar me një stil rrëfimtar të thjeshtë që, megjithë peripecitë, përmban pak emocion të vërtetë. Studiuesi britanik Stuart Man (Stuart Mann, 1905-1986), e përshkruan kështu subjektin:

    __________________________________________________ _________________

    47 kr. Tönnes 1980, f. 105-109.

    48 kr. Koliqi 1973a.
    __________________________________________________ _________________

  3. #83
    "Nevruzin, një djalosh aristokrat i varfëruar, e ftojnë në dasmën e një fisniku fqinjë, por nuk ka para për shpenzimet e peshqeshit që i duhet dhënë sipas zakonit. Kur kthehet nga dasma, i del njëri përpara për gjakmarrje, por ky mposhtet dhe vritet. Miqtë e viktimës e informojnë Pashanë e tmerrshëm të qarkut për aktin e Nevruzit, dhe ky i fundit shtrëngohet t'i kalojë ditët në arrati. Pas shumë peripecish mbërrin në Selanik, ku ndërron emër dhe fshihet. Por meqë kujton se ngjarja është harruar, hyn në punë te një be i vendit me detyrë për të kapur një hajdut. Më pas i bën bisht një thirrjeje këmbëngulëse për t'u kthyer në Shqipëri e për të shtypur diku një kryengritje. Duke pasur ende frikë nga përndjekjet dhe burgu, mbetet në mërgim, dhe ikën në Stamboll. Por këtu e pikasin, e kapin dhe e burgosin. Me ndihmën e një prifti, të cilin dikur e kishte shpëtuar nga burgu, ai arratiset, ndërron emrin përsëri dhe bëhet kapiten policie. Duke qenë i tillë arrin të shpëtojë një vajzë kaukaziane nga haremi i Sulltanit, por e pikasin përsëri dhe e syrgjynosin në ishullin Rodos për tërë jetën. Vdekja e Sulltanit e bën Nevruzin të fitojë lirinë, të kthehet në Shqipëri e të martohet. Është koha e Kongresit të Berlinit më 1878, kur fati i Shqipërisë vihet në fije të perit. Në Shqipëri kanë filluar të zbarkojnë irredentistë nga Korfuzi, dhe në një përleshje me ta Nevruzi vritet." (49)

    Mehdi bej Frashëri gjithashtu botoi një dramë historike në pesë akte me titullin Tradhëtia, Tiranë 1926, me subjekt nga koha e Skënderbeut, si dhe shkrime mbi ekonominë, filozofinë, historinë dhe politikën, ndër to edhe një traktat 380 faqesh turqisht për sovranitetin ligjor të Perandorisë Osmane: Imtiyazat-i ecnebiyenin Tatbikat-i haziresi, Samsun 1907 [A. H.1325] (Mbi zbatimin e privilegjeve dhe tatimeve të huaja).

    Filip Papajani(1878-1945) nga Elbasani, me pseudonimin Lipi, studioi mjekësi në Rumani, ku, sikundër shumë intelektualë të tjerë shqiptarë, u njoh së pari me lëvizjen kombëtare. Me t'u kthyer në Shqipëri, shërbeu si mjek, por iu përkushtua mjaft edhe letërsisë. Papajani qe prozator dhe poet, dramaturg dhe botues, veprat e të cilit pasqyrojnë më shumë problemet e periudhës së vonë të Rilindjes se ato të viteve njëzet, kur ishte në kulm të energjive të veta. Botoi gazetën e përjavshme politike e letrare që nuk zgjati shumë, Shkumini, në qytetin e lindjes Elbasan nga prilli 1921 deri në janar 1922. Kjo gazetë kishte edhe një shtojcë letrare të quajtur Shkumini letrar, ku patën mundësi të botonin talente të reja të Shqipërisë së mesme. Papajani përmendet për një numër prozash të gjata, disa prej tyre me temë historike. Ndër to janë: Pelazgë, qytetnim, vllazni!, 1923; Bardhushi, letra atdhetare, Tiranë 1930; dhe Fatbardhi,1934. Veç tyre, ai shkroi një pjesë teatrale me titullin Moisi Golemi, 1928, dhe botoi disa vëllime me vjersha: Osman-Marija, Bukuresht 1913, Vjersha, Korçë 1922, dhe Ndreka, 1925. Asnjë prej këtyre krijimeve, të botuara kryesisht në revista të viteve njëzet, nuk dëshmon për ndonjë talent apo mjeshtëri letrare të veçantë. Papajani vdiq në Tiranë më 25 mars 1945.

    Prifti jezuit Zef M. Harapi (50) (1891-1946) nga Shkodra botoi në fillim romanin sentimental Pushka e trathtarit, Shkodër 1914, gjatë Luftës së Parë Botërore, në të përmuajshmen jezuite Përparimi. Pushka e trathtarit është një orvatje e hershme për të shkruar një roman me frymë romantike. I shkruar me një stil të gjallë por të ngatërruar, ai vë në qendër hakmarrjen dhe drejtësinë sipas kanunit në malësinë e Shqipërisë së veriut në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Sikundër mjaft vepra të kësaj kohe në prozë, ky roman 200 faqesh është aq shumë i ngjeshur me veprim, me imtësi të tepërta e digresione, sa që lexuesi e ka të vështirë të ndjekë fillin e ngjarjeve. Një roman i dytë i këtij autori, Peng a rob?, u botua numër pas numri

    __________________________________________________ _________________

    49 kr. Mann 1955, f. 95-96.

    50 kr. Koliqi 1973b, dhe Kongoli 1983.
    __________________________________________________ _________________

    në të përmuajshmen jezuite Leka të Shkodrës nga 1930 deri më 1933, dhe nuk përbën ndonjë hap përpara në krahasim me të parin. Zef M. Harapi, që nuk do ngatërruar me Anton ose Ndue Harapin (1888-1945), ka qenë edhe autor i dy pjesëve historike: Oso Kuka, 1921, dhe i pjesës me pesë akte Mustafë Pasha i Shkodrës, Shkodër 1923, që u luajt për herë të parë nga ansambli Bogdani më 28 nëntor 1923. Zef Harapi kishte studiuar në Kolegjin Saverian në Shkodër, të themeluar nga jezuitët më 1877, dhe kishte qenë mësues në Pejë, Durrës e më pas në qytetin e lindjes Shkodër. Përmendet si një bashkëpunëtor i rregullt i revistave periodike shkodrane si Hylli i Dritës, 1913-1944, Përparimi, 1914-1916, Lajmtari i Zemers t'Jezu Krishtit, 1914-1944, Leka, 1929-1944 dhe i almanakëve Vepra pijore.

    Tregimtari Kolë Mirdita (1900-1936), që përdorte edhe pseudonimin Helenau (akronimi i emrave Heine dhe Lenau), lindi në Shkodër më 24 janar 1900 dhe studioi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Gracit në Austri. Në vitet njëzet ky universitet kishte pranuar një numër të mirë studentësh shqiptarë. Sikundër Migjeni dhe Gaspër Pali, Mirdita vdiq në moshë të re nga tuberkulozi (3 tetor 1936) pa e zhvilluar talentin deri në fund. Helenau përmendet për tregimet e shkurtra, ndonëse shkroi edhe poezi dhe dy pjesë, ndër to edhe një tragjedi për vdekjen e Skënderbeut. Poezia dhe nëntë tregimet e shkurtra iu përmblodhën pas vdekjes në vëllimin modest Trandafila që s'çelin për ne, Tiranë 1959.

    Një prozator i së majtës që, ashtu si Sterjo Spasse, nisi të shkruajë e të botojë në vitet tridhjetë e që vazhdoi karrierën letrare, me bekimin e autoriteteve komuniste, në dekadat e para të periudhës enveriste ishte Nonda Bulka (51) (1906-1972). Lindur në fshatin Leusë të Përmetit, Bulka studioi në liceun francez të Korçës, ku ka studiuar edhe Enver Hoxha (1908-1985). E përfundoi atë më 1929 dhe vazhdoi studimet, ashtu si Hoxha, për pak kohë në Francë. U kthye në Shqipëri në fillim të viteve tridhjetë për të punuar si mësues dhe shumë shpejt do të shfaqte prirje për letërsi e gazetari. Bulka bëri emër si publicist e satirik duke trajtuat tema të ndryshme shoqërore, kurse më pas si tregimtar e poet. Sprovat plot humor e herë-herë me ironi të mprehtë si dhe skicat në prozë, të botuara me pseudonimin Chri-Chri, u bënë të njohura për kritikën therëse ndaj kushteve politike e shoqërore nën regjimin e Zogut. Në artikullin e shkurtër Horizonte të reja për letërsinë kombëtare, të botuar më 1932 në të përmuajshmen e Tiranës Minerva, ai mundohej të bindë lexuesin se, ndonëse letërsia klasike kishte vendin e vet të paprekshëm në kulturë, në letërsinë e shekullit të njëzetë ndihej nevoja për diçka të re, që do të pasqyronte njeriun bashkëkohës dhe aspiratat e tij.

    "Në botën e qytetëruar filloi qysh prej kohe revolucioni letrar: një Rolan në Francë, një Ada Negri në Itali, Mani në Gjermani, Shou dhe Uellsi në Angli, Gorki në Rusi, Drajzeri dhe Sinkleri në Amerikë, Unamunoja në Spanjë, Tagora në Lindje, janë flamurtarë të një bote të re, nga e cila duhet zhdukur hipokrizia dhe interesi. Përkthimet e Dantes dhe të Petrarkës janë xhevahirë të çmuar në letërsinë kombëtare, por atdheu ynë do të kishte nevojë për vepra më të gjalla, më moderne, më të përshtatshme, se njerëzit paralelisht me artin, duhet të stërvitin edhe logjikën."

    Kjo pikëpamje për letërsinë ishte krejtësisht e kundërt me atë të shkrimtarit më tradicional Gjergj Fishta (1871-1940) dhe të shkollës katolike shkodrane, si dhe të mjaft prozatorëve sentimentalë të romantizmit kombëtar më të vonshëm. Bulka, së bashku me Migjenin (1911-1938) dhe me veteranin e luftës civile të Spanjës Petro Marko (1913-1991), i dha kështu tonin letërsisë përparimtare e të angazhuar në Shqipëri në vitet tridhjetë. Skicat e tij

    __________________________________________________ _________________

    51 kr. M. Gurakuqi 1961, Xhaxhiu 1979, Qosja 1988, f. 252-273, dhe S. Gashi
    1995.
    __________________________________________________ _________________

    të shkurtëra u botuan fillimisht në vëllimin Kur qan e qesh bilbili, Korçë 1934, dhe pas lufte Bulka u ngrit lart nga kritikët marksistë. Ndonëse ishte një zë kritik i kohës dhe i kulturës që i përkiste, Nonda Bulka nuk na u prezantua si publicist i madh, ndërsa si talent letrar nuk mund të lëvdohet. Ndër botimet e tij pas lufte, nga viti 1950 e derisa vdiq, kemi tregime të shkurtra deri në njëzet faqe dhe poezi, që për nga niveli artistik shkojnë nga niveli mediokër deri tek ai tmerrësisht i dobët. Ajo zemërata e zjarrtë e Chri-Chrisë që pati në moshën e rinisë shkoi e vate. Janë tregime artificiale e jobindëse, jo vetëm për mungesë talenti, por sidomos sepse hipokrizia politike e periudhës enveriste nuk lejonte më kritikë sociale të vërtetë. Një përmbledhje me krijime të tij është botuar gjithashtu anglisht me titullin Sketches and short stories, Tiranë 1984.

    Vedat Kokona (l. 1913), prozator, poet, kritik dhe përkthyes, ka lindur më 7 gusht 1913 në Izmir, Turqi, në një familje të nderuar të shtresës së mesme nga Gjirokastra. I ati Elmaz Kokona kishte punuar në shërbimin civil osman si avokat. Pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, familja Kokona u vendos në Tiranë, ku Vedati ndoqi shkollën fillore. Më pas, pati fatin e mirë të pranohej në liceun francez në Korçë, një nga shkollat e mesme më të mira asokohe në Shqipëri. Viteve të kësaj shkolle u përkasin dhe vjershat e tregimet e para të tij. Kur po kryente këtë shkollë më 1935, Kokona fitoi çmim në një konkurs letrar, çka i dha mundësinë financiare për të udhëtuar jashtë. Si fryt i udhëtimit atë vit në Itali, Gjermani, Suedi dheDanimarkë ishte botimi i ditarit me shënime udhëtimi Nga Tirana në Stokholm, Tiranë 1935, një nga librat e parë të këtij lloji të botuar në gjuhën shqipe. Po më 1935 Kokona nisi të studiojë për drejtësi në Paris, ku ndenji deri në fillim të vitit 1939, vite që do të ushtronin një ndikim të thellë mbi pikëpamjet dhe stilin e prozës së tij. Me t'u kthyer në Shqipëri, punoi si mësues i gjuhës frënge në po atë shkollë të mesme të Korçës, ku kishte qenë nxënës, dhe botoi një numër vjershash dhe prozash origjinale në revistën e përmuajshme të Ernest Koliqit Shkëndija. Më 1941 u transferua në gjimnazin e shtetit në Tiranë, ku dha mësim për një vit. Për shkak të trysnisë politike dha dorëheqjen më 1942 dhe i hyri profesionit të tij të fillimit, avokatisë. Në shkurt 1944, së bashku me Mitrush Kutelin, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen, ai themeloi dhe kryesoi redaksinë e së përdyjavshmes Revista letrare, jetëshkurtër, por me ndikim në jetën kulturore, e cila më pas do të damkosej si fashiste. Prejardhja e tij gjirokastrite dhe studimet në liceun e Korçës, të cilin e kishte kryer në tetor 1930 edhe Enver Hoxha (1908-1985), kanë qenë ndoshta ato që e shpëtuan nga përndjekjet e drejtpërdrejta gjatë spastrimeve të intelektualëve pas luftës. Në vitet e para të pasluftës, i padëshirueshëm si avokat, ai iu kthye punës si mësues i frëngjishtes në një shkollë të mesme në Tiranë, kurse nga 1949 deri më 1965 si përkthyes në shtëpinë botuese shtetërore Naim Frashëri. Nga 1965 e derisa doli në pension dha frëngjishten në Universitetin e Tiranës.

    Pjesa më e madhe e veprave me interes letrar të Kokonës u botuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndër to janë dy vëllime me poezi: Dritë dhe hije, Tiranë 1939, përmbledhje me nëntëmbëdhjetë vjersha introspektive dashurie, dhe ai me satira Shtatë prilli, Mussoliniada, Tiranë 1943. Si prozator, Kokona përmendet kryesisht për vëllimin Yje të këputur, Tiranë 1940, përmbledhje e shtatë tregimeve me frymë moderniste, që e paraqitnin si një ndër prozatorët më të talentuar e më origjinalë të viteve të luftës. Në këto rrëfime e në dhjetë tregime të tjera të botuara veç e veç në revista të kohës, lexuesi ndien lidhjet e autorit me rrymat e prozës franceze që nga Gystav Floberi (Gustave Flaubert, 1821-1880) e deri te letërsia intelektuale e viteve tridhjetë. Ndër veprat e mëvonëshme të Kokonës janë romani me dy pjesë Me valët e jetës, Tiranë 1961, 1965, dhe drama Hijet e natës, Tiranë 1966. Vedat Kokona gjithashtu përktheu shumë klasikë të letërsisë së përbotshme, si Pier Kornej (Pierre Corneille, 1606-1684), Zhan Rasin (Jean Racine,1639-1699), Uilliam Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616), dhe Leon Tolstoi (1828-1910), Maksim Gorki (1868-1936) dhe Xhon Gollsuorthi (John Galsworthy, 1867-1933), si dhe hartoi fjalorët mjaft të kërkuar frëngjisht-shqip (1966) dhe shqip-frëngjisht (1977).

    Figura ndoshta më interesante ndër prozatorët minorë të periudhës parakomuniste, qoftë si njeri e qoftë si autor, është Musine Kokalari (52) (1917-1983) nga Gjirokastra. Kokalari ka qenë e para shkrimtare femër në Shqipëri, dhe e vetmja deri në vitet 1960. Lindur më 10 shkurt 1917 në Adana, në Turqinë jugore, në një familje atdhetare dhe politikisht aktive me prejardhje nga Gjirokastra, Kokalari u kthye në Shqipëri me familjen më 1920. Që në moshë të njomë do të hidhej pas librave dhe dijes, duke përfituar edhe ngaqë i vëllai Vejsim mbante një librari në Tiranë në mesin e viteve tridhjetë. Në janar 1938 vajti në Romë për të studiuar letërsi në universitet dhe e përfundoi atë më 1941 me një studim për Naim Frashërin. Qëndrimi në qytetin e përjetshëm i çeli një dritare për të parë për pak kohë një botë magjepsëse krijimtarie intelektuale, dhe synimi i saj i vetëm me t'u kthyer në Shqipëri ishte që të bëhej shkrimtare. Më 1943 i tha një shoqeje: "Dua të shkruaj, të shkruaj, e vetëm të shkruaj letërsi artistike dhe të mos kem të bëj fare me politikë." Dhe vërtet, në moshën njëzet e katër vjeç, kishte botuar tashmë një përmbledhje të parë 80 faqesh me dhjetë rrëfime rinore në prozë, të shkruara në dialektin e vendlindjes Gjirokastër: Siç më thotë nënua plakë, Tiranë 1941. Kjo përmbledhje historike, e frymëzuar fuqishëm nga folklori toskë dhe nga mundimet e përditshme të grave në Gjirokastër, mendohet se është e para vepër letrare e shkruar dhe e botuar nga një grua në Shqipëri. Kokalari e quajti këtë libër "pasqyrë e një bote të perënduar, shtegu i kapërcimit nga vajzëria në mes të këngëve, një nusëri për ta hedhur gruan prapë në vargonjtë e rëndë të robërisë së fanatizmit." Tre vjet më pas, me gjithë peripecitë e luftës civile, Kokalari, tani njëzet e shtatë vjeç, mundi të botojë një përmbledhje të vëllimshme me tregime e skica me titull ... sa u-tunt jeta, Tiranë 1944, gjithsej 348 faqe. Kjo vepër e afirmoi si shkrimtare me brumë, ndonëse për një kohë të shkurtër. Një vëllim i tretë me rrëfime me frymë popullore qe Rreth vatrës, Tiranë 1944. Ndërsa Luftës së Dytë Botërore po i vinte fundi, Kokalari vetë hapi një librari dhe u ftua të bëhej anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve, të themeluar më 7 tetor 1945 nën kryesinë e Sejfulla Malëshovës (1901-1971). Gjithë kohën asaj i fanitej ekzekutimi pa gjyq i dy vëllezërve të saj, Mumtaz dhe Vejsim, më 12 nëntor 1944 nga komunistët dhe haptazi kërkonte drejtësi e shpagim. Duke pasë qenë e lidhur ngushtë më 1944 me Partinë Socialdemokrate Shqiptare të sapolindur dhe me organin e saj Zëri i lirisë, ajo u arrestua më 17 janar 1946 në atmosferën e terrorit, që shoqëroi rënien e Malëshovës, kurse më 2 korrik 1946 u dënua me njëzet vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si 'sabotatore dhe armike e popullit'. Tetëmbëdhjetë vitet e tjera të jetës i kaloi në burgun famëkeq të Burrelit, e veçuar dhe në vëzhgim të vazhdueshëm, e përndjekur dhe e ngacmuar nga zyrtarët harbutë e të pashkollë të burgut. Grua e vrarë shpirtërisht, u lirua rreth vitit 1964 dhe e caktuan të punojë fshesare në qytetin e Rrëshenit. Musine Kokalari, dikur rrëfimtare e talentuar, u përndoq deri në ditët e fundit të jetës. Ajo vdiq më 14 gusht 1983.

    Krijime të tjera modeste në prozë në periudhën e pavarësisë dhanë Lazër Lumezi (1870-1941) nga Prizreni, autor tregimesh, dramash dhe tekstesh shkollore; ati françeskan Anton (Ndue) Harapi (53) (1888-1946) nga Shkodra, i ekzekutuar në Tiranë më 19 shkurt 1946, i cili përmendet për romanin e shkurtër Valë mbi valë të botuar në disa numra në revistën Hylli i Dritës nga 1939 deri më 1942, dhe për veprën në prozë, me 222 faqe e njëzet e dy kapituj Andrra e Prêtashit, Romë 1959, botuar pas vdekjes; Ismet Toto (1908-1937), botues dhe prozator nga Progonati i Labërisë; Aliko Vançi, autor i dy romaneve të shkurtra dhe i një përmbledhjeje me tregime; Andon S. Frashëri (1892-1965), botues i Diellit të Bostonit dhe autor i romaneve të shkurtër: Patrioti, Korçë 1933, dhe I funtmi i Kastriotëvet, Tiranë 1944; Llambi Dardha, autor i dy romaneve me temë kombëtare: Kthimi i Skënderbeut në Krujë,

    __________________________________________________ _________________

    52 kr. Mandia 1995.

    53 kr. Plasari 1994a.
    __________________________________________________ _________________

    Korçë 1929, dhe Dëshmorët e lirisë, Korçë 1933; Dionis Miçaço, publicist dhe gjykatës i mbajtur në burg nga 1947 deri më 1957; si dhe Mustafa Greblleshi (1922-1986), autor i romanit sentimental Gremina e dashunis, Tiranë 1944, i cili u burgos për dy vjet më 1947. Pas shpalljes së pavarësisë në nëntor 1912 proza u zhvillua e u kthye në një gjini që mund ta quajmë me peshë në letërsinë shqiptare. Megjithatë, krahasuar me letërsinë Perëndimore, niveli letrar i përgjithshëm në vitet njëzet e në fillim të viteve tridhjetë të kujton në rastin më të mirë romanin sentimental evropian të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe mjaft nga letërsia moralizuese e mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, për shembull atë të fillimeve të Anglisë Viktoriane. Fryma e romantizmit kombëtar të Rilindjes vazhdoi të jehojë në shpirtin e shumë shkrimtarëve pa mjeshtëri teknike e pa aftësi për të krijuar vepra me nivel të mirëfilltë artistik.

  4. #84
    10.8 Zhvillimi i dramaturgjisë shqiptare deri më 1944




    Teatri profesionist është prerogativë e një shoqërie qytetare. Në Shqipëri, e cila gjithmonë ka patur një popullsi shumicën fshatare, pa qendra të mëdha qytetesh deri vonë, dramaturgjia nuk u zhvillua kurrë deri aty ku u zhvilluan poezia dhe proza, dhe as pati ndonjë forcë të madhe tërheqëse për publikun shqiptar. Prandaj, lidhur me dramaturgjinë shqiptare pak gjë mbetet për të thënë për periudhën para gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe, në të vërtetë, po ashtu pak për teatër profesionist para gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Megjithatë, me fillimin e shekullit të njëzetë, në Shqipëri drama lindi të paktën si gjini letrare e pavarur. Pjesët e para teatrale shqiptare u shkruan në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë e madje disa prej tyre u vunë në skenë nga grupe amatore.

    Në moshë të re Jeronim De Rada (1814-1903), figura kryesore e letërsisë arbëreshe e shekullit të nëntëmbëdhjetë, shkroi një pjesë teatrale shqip, të cilën për arsye botimi e përktheu italisht. Kjo ishte tragjedia 75-faqëshe I Numidi, Napoli 1846 (Numidët). Këtë vepër, me ngjarje që zhvillohen në Kartagjenën e lashtë në kohën e Hanibalit, e kishte shkruar më 1841, por nuk ia pëlqyen as miqt e as adhuruesit e tij të shumtë. Një gjysmë shekulli më pas, në moshë të thyer, autori iu kthye dhe e ripunoi, përsëri në përkthimin italisht, duke e kthyer në pjesën me pesë akte Sofonisba, dramma storico, Napoli 1892 (Sofonisba, dramë historike).

    Drama origjinale shqiptare më e hershme e ruajtur deri më sot është një vepër melodramatike, Emira e shkrimtarit arbëresh Françesk Anton Santori (1819-1894) nga fshati Picilia (ital. Santa Caterina Albanese) në krahinën e Kozencës. Emira u botua me mjaft gabime, pjesërisht në revistën e përmuajshme arbëreshe Fiàmuri Arbërit në nëntor 1887 dhe më tej në antologjinë shqipe të Jeronim De Radës më 1896. Një botim bashkëkohor është bërë më 1984 nga Françesko Solano (l. 1914). Veprimi ndodh në Kalabrinë e autorit në kohë revoltash sociale të shkaktuara nga fushata e vitit 1861 kundër cubave. Personazhet kryesore në këtë dramë të parë në gjuhën në shqip, dorëshkrimin e së cilës e kemi, janë Emira dhe Kalina, dy vajza fshatare që dashurojnë të dyja Mirjanin, birin e një bujku të pasur. Mirjani, i plagosur në përpjekje me cubat, burgoset pa të drejtë nga kolonel Fumeli. Lirimi i tij më pas dhe martesa e Emirës me Mirjanin e sjellin dramën drejt një fundi të lumtur në mos të sipërfaqshëm. Santori ka shkruar edhe një numër pjesësh të tjera melodramatike, komedi e tragjedi, por jo të gjitha të përfunduara. Këto mbetën vetëm në dorëshkrim. Ndër to janë tragjedia Jeroboam dhe melodrama skënderbejane Alessio Dukagino, kjo e dyta e shkruar midis viteve 1855 e 1860, që u botuan më 1983 nga Françesko Solano.

    Ideologu dhe dijetari i Rilindjes Sami Frashëri (1850-1904) është autori i një pjese me 180 faqe në turqishte me titull Besa yahud ahde vefa (Besa ose mbajtja e fjalës). U shfaq për herë të parë më 6 prill 1874 në skenën e 'Osmanli Tiyatrosu' (Teatri Osman) në Konstantinopojë dhe u botua atje një vit më vonë. Besa u përkthye shqip nga Abdyl Ypi Kolonja më 1901, kurse anglisht nga Nelo Drizari (1902-1978) me titullin Pledge of honour, an Albanian tragedy, Nju Jork 1945 (Besa, një tragjedi shqiptare). Në këtë vepër me temë shqiptare, disi melodramatike për shijet e sotme, shkrimtari përdëllehet për dilemën tragjike të një babai shqiptar, i cili më mirë mund të vrasë të birin sesa të shkelë besën, fjalën e dhënë.

    Drama e parë në gjuhën shqipe e shkruar brenda në Shqipëri është një pjesë e shkurtër fetare me titullin Nata Këshnellavet, Shkodër 1880, nga prifti dhe poeti françeskan Leonardo De Martino (1830-1923) me prejardhje nga fshati arbëresh Greçi në krahinën e Avelinos. Një tjetër autor katolik shkodran, Pashko Babi (1843-1905), ka shkruar nga të parat pjesë teatrale shqiptare I biri i çifutit, që dihet se është shfaqur më Kolegjin Saverian të Shkodrës në shkurt 1882.

    Një yll i ndritur, në qiellin e zbehtë të teatrit shqiptar, në agim të shekullit të njëzetë ka qenë aktori Aleksandër Moisiu (54) (1879-1935). Moisiu ka lindur në Trieste, asokohe pjesë e Austro-Hungarisë, me baba shqiptar nga Kavaja e me nënë arbëreshe. Pas fëmijërisë në Trieste, Durrës dhe Grac, Aleksandri njëzetvjeçar u vendos me të ëmën dhe dy motrat në Vjenë. Aty në Vjenë, me nxitjen dhe përkrahjen e aktorit austriak Jozef Kainz (1858-1910), nisi karriera e njërit prej aktorëve më të mëdhej të skenës në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë. Vitet e tjera e çuan në Pragë e pastaj në Berlin, ku gëzoi ndihmën dhe përkrahjen e Maks Rajnhardit (Max Reinhardt, 1873-1943). Moisiu e shoqëroi Ansamblin e Rajnhartit në Rusi më 1911 dhe u ngrit lart në Sankt Petërburg nga kritiku dhe dramaturgu Anatoli Lunaçarski (1875-1933) për interpretimin e rolit te Edipit. Ndër rolet e tjera për të cilët Aleksandër Moisiu përmendet më shumë janë Hamleti, Fausti, Fedja në pjesën Kufoma e gjallë të Lev Tolstoit, dhe Dubedati në Dilema e doktorit të Xhorxh Bernard Shout. Edhe pse në radhë të parë aktor i skenës, Moisiu luajti edhe në dhjetë filma nga viti 1910 deri më 1935, nga të cilët shtatë qenë pa zë dhe tre me zë. Pjesa e shkruar prej tij 'I burgosuri', për vitet e fundit të Napoleonit në ishullin e Shën Helenës, nuk pati sukses. Aleksandër Moisiu vdiq më 22 mars 1935 dhe prehet në varrezat Morkote (Morcote) mbi liqenin e Luganos në Zvicër.

    Brenda në Shqipëri, në fillim të shekullit të njëzetë u vu re një rritje e madhe e numrit të pjesëve të shkruara, por pak u vunë në skenë. Një numër trupash amatore ishin krijuar në të dy qendrat kryesore kulturore të Shqipërisë, Shkodra dhe Korça, ndër to edhe shoqëria dramatike 'Vaso Pasha' e ngritur në Shkodër më 1913. Kjo bërthamë e parë e teatrit shqiptar u krijua me nismën e shkrimtarit dhe personalitetit politik Hilë Mosi (1885-1933), i cili ishte jo vetëm themeluesi, por edhe sekretar i saj. Për më tepër ai interpretoi vetë në shfaqjet e para. Trupa të tjera amatore lindën edhe nëpër qendra më të vogla: Durrës, Vlorë, Pogradec, Elbasan, Berat, Gjirokastër dhe Boboshticë, por shfaqjet qenë të rralla dhe pa ndonjë mjeshtëri artistike. Një pjesë e mirë e këtij kapitulli të teatrit shqiptar është ende e padokumentuar. Kurse teatri profesionist mbeti një institucion i huaj për këtë periudhë në Shqipëri.

    Shumica e autorëve të periudhës së vonë të Rilindjes u përqëndruan në poezi e në fushën e botimeve, por qenë edhe disa që u morën diçka edhe me dramaturgjinë. Shkrimtari dhe komiti Mihal Grameno (1871-1931) nga Korça është autori i komedisë me tri akte në vargje Mallkimi i gjuhës shqipe, Bukuresht 1905, me ngjarjet që shtjellohen në Korçë më 1886, e që satirizon orvatjet greke 'për të qytetëruar' shqiptarët; si dhe tragjedia me temë historike në katër akte Vdekja e Piros, Sofje 1906, për mbretin e Epirit (319-273 para erës sonë). Kjo pjesë kushtuar 'të pavdekurit vjershëtor edhe të madhit mëmëdhetar: Naim Be Frashërit', u vu në skenë në Uuster

    __________________________________________________ _________________

    54 kr. Kosova 1971, V. Moisiu 1979, 1980, dhe Foniqi 1994.
    __________________________________________________ _________________

    (Worcester) të Masaçusetsit në SHBA në janar 1914 dhe vazhdoi të ishte një nga pjesët shqiptare më popullore deri në vitet 1940.

    Një tjetër dramaturg tipik rilindës ishte gazetari dhe poeti Namik Selim Delvina (1875-1933), autor i dramës në tetë akte Dashurija e mëmëdheut, Selanik 1909, e ngjeshur me ndjenja të larta e plot sentimentalizëm, që pëlqeheshin nga lexuesit e kohës. Poeti i Rilindjes së vonë Andon Zako Çajupi (1866-1930), i cili pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Egjipt, mori emër si dramaturg pas vdekjes me Burr' i dheut, Kajro 1937, tragjedi në vargje e shkruar më 1907. Kjo dramë mjaft e dobët me temën fort të rrahur të Skënderbeut u botua më 1937 pas vdekjes së poetit. Çajupi ka shkruar edhe një komedi origjinale me një akt, Pas vdekjes, 1910, edhe kjo e botuar së pari në Kajro më 1937 nga Sofokli Çapi. Komedia në katër akte në vargje Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër mbeti e pabotuar sa qe gjallë, kurse një pjesë tjetër në vargje, me titull Detyra, ka humbur.

    Sikundër mund të pritet, shkrimtarët e shkollës katolike shkodrane, përveç temave kombëtare, trajtuan edhe ato fetare. Shtjefën Gjeçovi (1873-1929), prift françeskan dhe folklorist nga fshati i Janjevës në jug të Prishtinës, ka qenë autori i një numri veprash letrare e shkencore të shkruara në disa famulli fshati në malësinë e Shqipërisë së veriut, ku dhe shërbeu. Gjeçovi gjithashtu ka lënë gjithsej tridhjetë e tetë vepra origjinale të pabotuara. Ndër to janë shtatë pjesë me tema kombëtare, që trajtojnë kryesisht epokën historike të Skënderbeut. Nga këto pjesë mund të përmenden Dashtnia e atdheut, 1901, Prijës i dy Dibrave, 1902, Mojsi Golemi dhe tragjikomedia Mark Kuli Kryenqitës, të cilat edhe pse aspak të përpunuara, kanë vendin e tyre në historinë e hershme të dramaturgjisë shqiptare. Gjeçovi gjithashtu ka përkthyer dhe botuar Atil Reguli, Shkodër 1912, përkthim i tij në shqip i pjesës me tri akte 'Atilio Regolo' nga poeti dhe melodramaturgu italian Pietro Metastazio (1698-1782).

    Një prift tjetër françeskan, Gjergj Fishta (1871-1940), personaliteti letrar kryesor e më i fuqishëm në Shqipërinë e paraluftës, ka qenë autor jo vetëm i poezive të shquara epike e lirike, por edhe i disa pjesëve teatore që kanë ndihmuar për zhvillimin e dramaturgjisë shqiptare. Vepra e parë dramatike e tij, një pjesë satirike, Shqyptari i gjytetnuem 1911, edhe pse herë-herë jo e zhdërvjellët, paraqitet si një vepër me mjeshtëri të jashtëzakonshme gjuhësore. Më vonë, ai shkroi pjesën tjetër me titull Shqyptarja e gjytetnueme. Fishta shpesh ishte ankuar për mungesën e dramaturgjisë shqiptare dhe, duke u përpjekur për ta mënjanuar këtë mungesë, përshtati një numër klasikësh të huaj për lexuesin shqiptar, ndër ta I ligu per mend, Shkodër 1931, të Molierit dhe Ifigenija n'Aullí, Shkodër 1931, të Euripidit. Kjo e fundit bën aludime për klimën politike të kohës. Ndër veprat e tjera dramatike që shkroi ose përshtati, janë pjesë teatrore të shkurtra me frymë fetare, si pjesa me tri akte për Krishtlindjet Barìt e Betlêmit; pjesa me 99 faqe Sh' Françesku i Asisit, Shkodër 1912; tragjedia Juda Makabé (55), Shkodër 1923; pjesa 76 faqesh Sh. Luigji Gonzaga, Shkodër 1927; Hajrija, një tragjedi kombëtare në kohën e vezirëve; dhe Jerina, ase mbretnesha e luleve, Shkodër 1941, që është dhe vepra e fundit e botuar prej tij sa ishte gjallë. Me kriteret e sotme, asnjëra nga këto drama nuk mund të quhet e arritur, ndonëse aty-këtu gjuha e disave prej tyre është e përpunuar. Por po të krahasohen me vepra të natyrës sentimentale e të romantizmit kombëtar të autorëve të tjerë, atëhere subjekti i këtye dramave është njëfarë lehtësimi.

    Prifti jezuit Anton Xanoni (1862-1915), i shkolluar në kolegje katolike të Spanjës, Kroacisë, Italisë dhe Polonisë, përmendet jo vetëm për poezinë, legjendat, përkthimet, një gramatikë, tekste shkollore dhe një roman, por edhe për një pjesë me temë historike me titullin Skënderbegu ose t'liruemit prej zgjedhës së turkut, Shkodër 1917, një nga dramat e shumta shqiptare të kohës me temën e Skënderbeut (1405-1468), heroi kombëtar i Shqipërisë. Kjo pjesë me pesë akte, e shkruar më 1914 dhe e botuar tre vjet më pas, nuk pati ndonjë nivel të lartë për

    __________________________________________________ _________________

    55 kr. Hamiti 1995b.
    __________________________________________________ _________________

  5. #85
    teatrin. Por u ka mbetur besnike fakteve të historisë siç interpretoheshin në atë kohë, duke u dalluar nga veprat e tjera letrare me këtë temë.

    Nga të gjitha trupat teatrore të ngritura në Shqipëri midis dy luftërave, ato që ecën më mirë, qenë të Shkodrës, ndër to shoqëria Vllaznia, e cila jetoi nga 1919 deri më 1922, shoqëria Rozafat, dhe shoqëria Bogdani, e cila qe formuar më 1919 dhe vazhdoi deri më 1939. Drejtues i kësaj të fundit nga 1922 deri më 1928 ka qenë prifti jezuit dhe shkrimtari nga Shkodra Zef M. Harapi (1891-1946). Në fillim të viteve njëzet shoqëria Bogdani vuri në skenë një numër dramash historike të tij, si Oso Kuka,1921, Flamuri i Shqipërisë do të mbretnojë, 1922, dhe Mustafë Pasha i Shkodrës, kjo e fundit e dhënë për herë të parë në Shkodër më 28 nëntor 1923.

    Nga autorët e tjerë katolikë shkodranë, që provuan të shkruajnë drama në këtë periudhë, duhet përmendur prifti jezuit dom Ndoc Nikaj, (1864-1951), shpesh i cilësuar si babai i prozës shqiptare të shekullit të njëzetë. Përveç shumë vëllimesh në prozë, studimesh dhe veprimtarish botuese, Nikaj ka shkruar edhe një dramë modeste për vajza me titullin Motra për vllàn, 1921,me interes të paktë letrar.

    Më tepër sukses si dramaturg ka pasur prifti katolik Ndre Zadeja (1891-1945) nga Shkodra. Lindur më 3 nëntor 1891, Ndre Zadeja ndoqi kolegjin jezuit në Shkodër para se të dërgohej në Insbruk për kualifikim fetar. Me t'u kthyer në Shqipëri, u emërua sekretar i kryepeshkopit të Shkodrës Jak Serreqi, kurse më pas qe famullitar në një numër fshatrash të Shqipërisë së veriut, si në Dush, Bogë, Shkrel dhe Sheldi, ku pjesën më të madhe të kohës së lirë e kalonte duke shkruar. Krijimtaria e tij përfshin poezi, një pjesë e së cilës është botuar, ndër to edhe një vjershë 291 vargjesh (56) drejtuar bashkëkohësit të vet, studiuesit të shquar jezuit Fulvio Kordinjano (Fulvio Cordignano, 1887-1952). Por Zadeja përmendet më shumë si autor i një numri pjesësh teatrale me frymë kombëtare me tema nga historia e nga legjendat, të cilat u vunë në skenë në Shkodër në vitet njëzet e tridhjetë. Ndër to janë melodrama Ora e Shqipnis, 1919; Hijet e zeza, 1921, legjendë, që u shfaq për herë të parë nga shoqëria Bogdani më 8 maj 1921; Ruba e kuqe, pjesë me tri akte e shfaqur për herë të parë nga Schola Cantorum e Katedrales së Shkodrës më 19 dhjetor 1937; melodrama me tri akte Rozafa, Shkodër 1941, legjendë e rëndë për ndërtimin e kështjellës së Shkodrës, shfaqja e parë e së cilës u dha më 26 prill 1936 nga Schola Cantorum për nder të imzot Gasper Thaçit e imzot Vinçenc Prennushit; pjesa me temë patriotike Rreth flamurit; Shpella e Bogdanit, 1937, pjesë që ka humbur, si dhe Rrethimi i Shkodrës 1477-1478. Kjo e fundit e ka marrë frymëzimin nga vepra De obsidione Scodrensi, Venedik 1504 (Rrethimi i Shkodrës), e historianit Marin Barleti (rreth 1450-1512), dhe u dha për herë të parë më 25 prill 1937 në Kolegjin Saverian. Mjaft nga krijimtaria e Ndre Zadejës mbeti e pabotuar dhe pas Luftës së Dytë Botërore ai pak u njoh si shkrimtar. Zadeja u arrestua më 4 shkurt 1945 dhe pas një gjyqi të rremë u ekzekutua më 25 mars të atij viti.Thuhet se para se të vihej në rresht për muri te oborri i kishës për t'u pushkatuar, priftin dramaturg së bashku me nëntë të tjerë i torturuan e i detyruan të hapin varrin me duart e tyre.

    Fan Noli (1882-1965), shtetar, udhëheqës fetar ortodoks, shkrimtar e përkthyes, shkrimet e të cilit, së bashku me ato të Gjergj Fishtës, përfaqësonin një hap cilësor përpara në letërsinë shqiptare të fillimit të shekullit të njëzet, karrierën letrare e nisi me një dramë me tri akte me titull Israilitë dhe Filistinë, Boston 1907. Kjo tragjedi me dyzet e tetë faqe u shkrua në Athinë, kur Noli po mundohej të nxirrte jetesën si aktor i ri. Duke u nisur nga gjuha dhe nga karriera teatrore e Nolit në Greqi në atë kohë, ka të ngjarë që autori njëzetvjeçar ta ketë shkruar në fillim në greqishten popullore dhe pastaj ta ketë hedhur në shqipe, ose tek e fundit t'i ketë shkruar të dyja paralelisht. Kjo pjesë, e mbështetur në Librin e Gjyqtarëve 13-16 të Dhiatës së Vjetër, ka në qendër betejën e Samsonit kundër Filistinëve dhe tradhtinë që i bëri Dalila. Është nga të rrallat pjesë shqiptare të kohës që nuk e mbyt sentimentalizmi para se të mbyllet në

    __________________________________________________ _________________

    56 kr. Zadeja 1942.
    __________________________________________________ _________________

    mënyrë të cekët melodramatike. Por për shkak të arsyetimeve të zgjatura filozofike dhe të gjuhës arkaike ajo nuk pati jehonë në publikun e gjerë shqiptar. Noli vetë e shihte si 'sqelet drame' dhe si 'foshnjë-dramë pa shpërginj fare', kurse më pas u pendua edhe që e kishte botuar. Për autorin mund të ketë qenë thjesht punë rinore, por ajo mbetet në nivelin e dramave të tjera shqiptare të kohës.
    Me sa duket Noli ka shkruar edhe pjesë të tjera greqisht atëherë, por asnjëra nuk ka mbetur. Çka gjenden sot, janë përkthimet e shkëlqyera prej tij të pjesëve të Uilliam Shekspirit (1564-1616) e të dramaturgut norvegjez Henrik Ibsen (1828-1906), krijime që e njohën për herë të parë publikun shqiptar me disa nga klasikët e dramaturgjisë botërore. Me Shekspirin ai ishte njohur për herë të parë që në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare si nxënës shkolle në Edrené. Një trupë teatri greke kishte ardhur një ditë në qytet për të vënë në skenë Hamletin dhe, meqë dy nga aktorët qenë analfabetë, Noli i ri hyri në punë si sufler, duke mësuar kësisoj tekstin e Hamletit dhe të Otellos më mirë se aktorët vetë. Një nga punët e para të Nolit me të mbërritur në Shtetet e Bashkuara më 1906, na e thotë vetë ai, ishte vajtja në Teatrin Kesll Skuer (Castle Square) në Boston për të parë në origjinal pjesët e Shekspirit. Më pas Faik Konica i propozoi t'i ndanin bashkë të gjitha pjesët e Shekspirit për t'i përkthyer shqip. Noli, nga ana e tij, filloi nga kjo punë. Përkthimi i Otellos u shtyp më 1916, kurse përkthimet po aq shprehëse të Makbethit, Hamletit dhe Jul Qesarit u botuan të gjitha në Bruksel më 1926. Po në atë kohë ai përktheu, pa dyshim nga anglishtja, dy pjesë të Ibsenit, një tjetër autor ky i dashur fort prej tij:En Folkefiende, 1882 (Armiku i popullit, Bruksel 1926), dhe Fru Inger til Østeraad, 1857 (Zonja Ingra e Ostrotit, Bruksel 1926).

    Kristo Floqi (1873-1951) nga Korça ishte ndoshta dramaturgu më popullor shqiptar në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë. Lindur më 1873 (disa burime japin vitin 1876), Floqi studioi për drejtësi në Athinë, ku dhe e ushtroi këtë profesion me mbarimin e studimeve e deri më 1899. U kthye më pas në vendlindje, Korçë, qyteti më i pasur i Shqipërisë asokohe, dhe vazhdoi të ushtrojë profesionin për gjashtë vjet. Kaloi një kohë në Stamboll, me sa duket për të mësuar turqishten, por pjesëmarrja aktive në lëvizjen kombëtare e detyroi të mos rrinte në një vend, por të shkonte sa në Korçë, në Greqi ku i ati punonte tregtar, në Vlorë e deri në Shtetet e Bashkuara. Në Boston, Floqi u bë botues i së përjavshmes në gjuhën shqipe Dielli në shtator 1911, si dhe ishte bashkëthemelues me Fan Nolin dhe Faik Konicën i shoqërisë Vatra. Në Nju Jork, botoi të përjavshmen jetëshkurtër Zër' i popullit në dimrin 1912-1913.

    Me shpalljen e pavarësisë Floqi u kthye në Shqipëri te Ismail Qemal bej Vlora (1844- 1919) në Vlorë dhe punoi për të ngritur një sistem të ri gjyqësor për këtë shtet të vogël sovran. Thuhet se ka qenë i pari që ka shkruar procedurë gjyqësore në gjuhën shqipe. Kur Vlora u pushtua, Floqi u shpërngul në Shkodër ku ngriti një zyrë juridike që ushtroi veprimtari gjatë Luftës së Parë Botërore. Në maj 1919 nisi botimin e së përmuajshmes Agimi, organ i shoqërisë Vllazenija. Më 1920 u bë kryetar i gjykatës së apelit në Shkodër. Në dhjetor të atij viti u caktua ministër i arsimit e më pas këshilltar shteti. Atij i takojnë edhe disa nga tekstet e para juridike të shkruara shqip. Pas Luftës së Dytë Botërore Floqi u arrestua nga komunistët, sikundër dhe mjaft intelektualë të paraluftës që nuk kishin ikur nga vendi, dhe vdiq aty nga viti 1951 pas shtatë vjetësh burgimi. Kristo Floqi qe shkrimtar prodhimtar. Popullaritetin ia solli jo aq niveli letrar i veprave të tij sesa kënaqësia e thellë që pjesët e tij u jepnin shikuesve dhe lexuesve. Është autor i katër tragjedive me tema historike kombëtare, shtatëmbëdhjetë komedive dhe skeçeve, i disa vëllimeve poetike, teksteve juridike, politike e pedagogjike si edhe i disa përkthimeve nga Sofokliu, Euripidi e Molieri. Drama e tij me katër akte në vargje Fe e kombsi, 1909, me ngjarje që shtjellohen në fshatin shqiptar më 1831, tregon për një bej të ri mysliman, me emrin Gani, që bie në dashuri me vajzën e krishterë Maro, shërbëtore në sarajet e të atit. Drama të tjera historike janë Karllo Topija, 1916, me pesë akte; tragjedia po në pesë akte Pirro Neoptolemi, 1923, e frymëzuar nga Andromache e Rasinit; dhe pjesa me katër akte Triumfi i lirisë, Korçë 1938. Ndër shtatëmbëdhjetë komeditë me humor, më të njohurat përmenden: farsa me katër akte Qerthulli politik, Tiranë 1922; skeçet me një akt Dhëndërr me përdhuni, botuar në Diellin e Bostonit më 1912; Vllazní e interesë; si dhe E bija e bankjerit.

    Një autor tjetër i kësaj periudhe, veprat dramatike të të cilit nuk janë harruar krejtësisht është Milo Duçi (1870-1933), jo vetëm figurë kombëtare e botues, por edhe poet e dramaturg, sidomos në vitet e fundit të jetës në Egjipt. Duçi është autori i të paktën gjashtë pjesëve, ndonëse asnjëra me nivel. Pjesa e tij me tri akte Nderi, Konstancë 1921, kushtuar dramaturgut Viktor Eftimiu (1889-1972), është një rrëfim melodramatik i një tragjedie familjare, që i ndodh djaloshit Mitë kur e detyrojnë të martohet me Vesën, në mënyrë që prindët të shtien në dorë prikën e saj. Pjesa me dy akte I bir' i begut, Kajro 1921, mendohet se është përshtatje nga një origjinal francez. E thëna, Kajro 1922, me tri akte, është pjesërisht autobiografike, por, ashtu si të tjerat, pa ndonjë emocion të vërtetë. Gruaja e parë e la Duçin me të dy djemtë dhe u martua me një tjetër. Edhe Duçi u martua prapë dhe pati fëmijë të tjerë me gruan e dytë. Marrëdhëniet e ndërlikuara të këtyre fëmijëve nga martesa të ndryshme përbëjnë subjektin e kësaj drame skematike. Pjesët e tjera të Duçit, si ajo me katër akte Nora, drama në vargje Gjaku, e vënë në skenë në Vlorë më 1920, dhe tragjikomedia me një akt Të vdekurit e të gjallët janë më pak të njohura.

    Foqion Postoli (1889-1927) nga Korça ka qenë autor i një proze dhe dramaturgjie tepër sentimentale edhe po të gjykohet me kriteret e kohës së vet. Ndër veprat e tij përmenden: pjesa melodramatike me katër akte Detyra e mëmës, Boston 1925, e vënë në skenë në Korçë në maj 1927 nga autori e nga piktori Vangjush Mio (1891-1957) dhe në Durrës më 1936 nga Sokrat Mio (l. 1902); pjesa me gjashtë akte Lulja e kujtimit, Korçë 1921, e botuar më vonë edhe si roman po aq sentimental;Për mprojtjen e atdheut, e vënë në skenë më 1936, po nga Sokrat Mio; dhe pjesa me një akt Martesa e një avokati, e shkruar më 1927 pak para vdekjes. Kjo e fundit është një komedi e pabotuar për jetën e mërgimtarëve shqiptarë në Nju Inglënd (New England).

    Si rival i tij në aspektin sentimental e melodramatik ka qenë Haki Stërmilli (1895-1953) nga Dibra. Trilogjia e Stërmillit me temë kombëtare, e përbërë prej pjesës me katër akte Dibranja e mjerueme, Tiranë 1923, prej asaj me gjashtë akte Dashuni e besnikeri, Tiranë 1923, dhe prej pjesës me pesë akte Agimi i lumnuëshëm, Tiranë 1924, mbështetet në ngjarje historike të Dibrës e të viseve pranë saj, krahinave të Manastirit e të Matit gjatë Luftërave Ballkanike më 1912 e 1913. Dy personazhet kryesorë në pjesën e parë, Ali Vorfi dhe Zejnel Drini, janë dy studentë në Akademinë ushtarake turke në Manastir, që përpiqen për të afirmuar qenien e tyre kombëtare në një kohë konfliktesh e rrëmuje. Ngjarjet në pjesën Dashuni e besnikeri, e cila u botua pak muaj më vonë dhe ka kryesisht po ata personazhe, shtjellohen në Dibër më 1913 dhe në Tiranë më 1920. Pjesa e tretë dhe e fundit, Agimi i lumnuëshëm, fillon me vitin 1921 dhe mbulon në retrospektivë ngjarjet nga 1913 deri në 1921. Kjo trilogji, ndonëse një nga krijimet kryesore të dramaturgjisë shqiptare në vitet njëzet, mund të vlerësohet vetëm në lidhje me kohën kur u shkrua. Artistikisht është e dobët në kompozicion, subjekti është artificial dhe i paorganizuar mirë, personazhet nuk janë jetësorë e të besueshëm. Drama shqiptare ishte në shpërgënj në atë kohë, dhe Stërmilli i ndjente fare mirë dobësitë e veta. Në parathënien për pjesën Dibranja e mjerueme, ai shprehej se e kishte shkruar për t'i shërbyer letërsisë dhe historisë së Shqipërisë, duke shtuar: "Besoj se të tjerët ma të zotët e pendës se unë, do të përpiqen me qitë në dritë të këtilla vepra më të çmueshme e kështu kanë me e pasunue bibliotekën e dramave shqiptare."

    Mehdi bej Frashëri (1874-1963) ishte një tjetër prozator e figurë politike e shquar në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, veprat e të cilit janë shpërfillur mjaft për arsye politike. Pjesa me temë historike në pesë akte e Mehdi Frashërit Trathëtia, Tiranë 1926, është një krijim tipik i dramaturgjisë shqiptare në mesin e viteve njëzet. Me ngjarjet shtjelluar në shekullin e

  6. #86
    pesëmbëdhjetë, epoka e qëndresës së Skënderbeut kundër turqve,Trathëtia vuan nga po ato dobësi të shumë pjesëve të tjera të periudhës. Veprimi është aq i bollshëm dhe detajet janë aq të shumta, saqë lexuesi shpesh hutohet e nuk di nga t'ia mbajë për të ndjekur fillin e subjektit. Kurona i moshuar, sundimtar i Beratit, i çon fjalë Skënderbeut në Krujë për t'i thënë se turqit kanë mbledhur forca afër Përmetit dhe kanë ndër mend të marrin Beratin sapo të vdesë Kurona. Kjo do të ishte humbje strategjike për princin shqiptar dhe braktisje e mbesës së bukur të Kuronës, Maries, në duart e armikut. Maneshi, mëkëmbës i Skënderbeut, nxiton për në Berat me trupa shqiptare dhe merr në dorë kështjellën, për çka dëshpërohet shumë rivali i tij Araniti. Me vdekjen e Kuronës, Araniti kryen një akt tradhtie duke marrë anën e turqve dhe me ndihmën e tyre e shpall veten sundimtar të Beratit. Marien, e cila ka rënë në dashuri me përkthyesin e Maneshit, Gjeloshin, e marrin dhe e shpien në harem në Stamboll. Gjeloshi në fund e gjen Marien, kur dëgjon dhe njeh këngën e saj të vajit brenda mureve të haremit, e shpëton dhe e shpie, të veshur si djalë, në një anije venedikase, që e pret në breg. Të dy të rinjtë e dashuruar venë në Shqipëri për të takuar në kështjellën e Krujës Skënderbeun, i cili pastaj çliron Beratin dhe kap rob Aranitin, duke marrë hak kështu për aktin e ulët të tradhtisë.

    Dramaturgu dhe poeti Etëhem Haxhiademi(57) (1902-1965), lindur më 8 mars 1902 në Elbasan, ka qenë ndoshta dramaturgu më i mirë i periudhës së pavarësisë. Shkollën e mesme e ndoqi në Leçe (Itali) rreth vitit 1918 e në Insbruk (Austri) më 1919-1923, dhe studioi për shkenca politike në Berlin (1923) dhe Vjenë. Në këto vite ai bashkëpunoi me revistat letrare Kopështi letrar të Elbasanit dhe Djalëria, organ i shoqatës së studentëve shqiptarë në Vjenë. Në vjeshtën e vitit 1928 Haxhiademi u kthye në Shqipëri për të punuar në detyra qeveritare. Ishte prefekt i Lushnjës etj., si dhe drejtor drejtorie në Ministrinë e Brendshme në Tiranë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte drejtor i administratës bashkiake në Shqipëri dhe anëtar i Institutit të ri të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Më 1945, menjëherë pas luftës, u bë anëtar i Lidhjes së sapoformuar të Shkrimtarëve dhe kryetar i degës së saj për Elbasanin. Më 1946 qe edhe mësues i gjuhës shqipe në Shkollën Normale të Elbasanit. Në kohën e gjuetisë së shtrigave më 1946-1947, Haxhiademi u arrestua e u dënua me vdekje. Bibliotekën dhe dorëshkrimet ia konfiskuan. Me ndërhyrjen e njerëzve me influencë Aleksandër Xhuvani (1880-1961) dhe Omer Nishani (1887-1954) dënimi me vdekje iu kthye me burgim të përjetshëm. Vdiq më 17 mars 1965, pasi kishte punuar për shumë vjet si përkthyes në burgun e Burrelit.

    Haxhiademi ishte autor i një përkthimi të shquar në hekzametër të Bukolikeve të Virgjilit (1932) dhe të një vëllimi 73 faqesh me poezi të trishtuar Lyra, Tiranë 1939. Megjithatë, formimi i thellë evropian perëndimor i tij gjeti shprehje më të plotë në tragjeditë klasike sipas modeleve greke e latine. Tri tragjeditë e para në pesë akte të Haxhiademit u botuan si trilogji: Ulisi, Tiranë 1931, shkruar në Berlin më 1924; Akili,Tiranë 1931, shkruar në Vjenë më 1926; dhe Aleksandri,Tiranë 1931, shkruar në Lushnjë më 1928. Pastaj vjen Pirrua, shkruar në Gjirokastër më 1934, tragjedi kjo mbi një temë tashmë të trajtuar nga Mihal Gramenoja më 1906 dhe Kristo Floqi më 1923. Pjesa me pesë akte Skënderbeu, Tiranë 1935, e përfunduar në Gjirokastër më 1 maj 1935, u pasua nga dy kryevepra të mrekullueshme: Diomedi, Tiranë 1936, dhe Abeli, 1939 në varg njëmbëdhjetërrokësh. Edhe pse trajtonte figura të mitologjisë dhe historisë së lashtë, Haxhiademi ato i shihte sikur të ishin pjesë e trashëgimit të vetë Shqipërisë.

    Në mesin e viteve tridhjetë ai shkruante:

    "Në tragedit e mija të maparëshme mâ tepër më ka tërhekun landa në vetëvehte se sá themat kombëtare. Me 'Ulisin' e 'Akilin' kam dashun të thur dy tragedi me dy kryetrimat e epopevet homerike Odyssen e Iliada. Me 'Aleksandrin' e 'Pirron' dy tragedi qi të kenë për protagonista dy kreshnikë të historis s'onë përpara Krishtit, ndonse për ta dyshohet

    __________________________________________________ _________________

    57 kr. Matraxhiu 1991b.
    __________________________________________________ _________________

    vërtetësija Shqiptare. Këtë herë, tyke e ditun se popullit t'onë i pëlqejnë themat kombëtare, paraqis tragedin 'Skënderbeu' me protagonist heron t'onë kombëtar."

    Dy pjesët e fundit të Haxhiademit iu kushtuan temës së vëllavrasjes. Në Diomedi, mbreti Daun i Ilirisë ikën në Itali ku formon një mbretëri në Pulje. Në luftën me fqinjët e tij mesapë, Daunin e shpëton Diomedi, i cili ka ardhur aty nga Troja. Si shpërblim Dauni i ofron Diomedit dorën e së bijës Euipe, por ajo dashuron fshehurazi vëllanë e Diomedit, Alanin. Dy të dashuruarit e mashtrojnë mbretin duke i mbushur mendjen se Diomedi po komploton për t'i marrë fronin, gjë që e bën Daunin të njoftojë se të bijën do t'ia japë për grua atij që vret rivalin. Alani, i errur sysh nga ambicja dhe i çmendur pas Euipes, e vret të vëllanë në gjumë dhe mëton të marrë Euipen për grua. Por mbreti Daun është tepër i tronditur nga vëllavrasja e ulët dhe e dëbon Alanin nga mbretëria. Abeli më 1939, një tjetër histori vëllavrasjeje, merr temën e mirënjohur nga Dhiata e Vjetër, temën e Kainit dhe Abelit. Kur perdja bie në atë skenë dëshpërimi, dëgjojmë zërin e Adamit që mallkon birin e vetëm të mbetur gjallë:

    "Qofsh i mallkuë, i poshtun, ti për jetë;
    Prej nesh edhe prej Zotit të vërtetë.
    Zemra e jote kurr mos paft gëzime;
    N'mjerimin tand na gjetshim ngushullime.
    Ti qi na dhe për pleqëni kët' tmerr,
    Të bift n'vend t'grunit n'arën tande ferr'.
    Jo vetëm ti por edhé fëmijt t'uëj,
    Mënin e madhe paçin të gjithkuëj.
    Paçin bashk' me urrenjtjen e njerzis,
    Mallkimet e Krijuësit të gjithsìs."

    Me tragjeditë e Haxhiademit aktorët shqiptarë për herë të parë patën në dorë një material që i kapërcente dramat me tema kombëtare, ndonëse me nivel të ulët, ku nuk mungojnë shfrimet sentimentale të periudhës së vonë të Rilindjes. Publiku i gjerë mund të ketë pëlqyer më shumë farsat humoristike të shtresave të mesme të Kristo Floqit, nacionalizmin pa peshë të Mihal Gramenos dhe sentimentalizmin patetik të Foqion Postolit, ndërkaq edhe tragjeditë e Etëhem Haxhiademit nuk kaluan pa u vlerësuar. Ato u luajtën mjaft në vitet tridhjetë e në fillim të viteve dyzet, në fillim nga trupa amatore të dala nga Shkolla Normale e Elbasanit e më pas edhe në Tiranë e gjetkë. Hapi cilësor i letërsisë shqiptare në mesin e viteve tridhjetë mund të mos ketë qenë aq i madh në dramaturgji sa ç'kishte qenë në poezi e në prozë, por e rëndësishme është se ky hap është bërë edhe në dramaturgji, dhe prandaj, për të parë krijimtarinë më të mirë në këtë fushë, duhet t'u kthehemi dramave klasike të Etëhem Haxhiademit tani për tani të harruara.

    Nga dramaturgët minorë të dekadave para Luftës së Dytë Botërore mund të përmenden edhe: Lazër Lumezi (1870-1941) nga Prizreni, autori i komedisë me një akt Makaronat e shejtanit, 1935; Filip Papajani (1878-1945) nga Elbasani, i njohur me pseudonimin Lipi, autor i dramës Moisi Golemi, 1928; Vinçenc Prennushi (1885-1949), autor, përveç poezive, edhe i pjesës me pesë akte Prej robnije në liri, Shkodër 1931, me subjekt nga vitet e para të Krishterimit; studiuesi, botuesi dhe poeti Ilo Mitkë Qafëzezi (1889-1964) nga Korça, autor i një komedie didaktike me titull Dhaskal Gjoka, apo shkolla korçare e qëmoçme, Korçë 1936, si dhe një përkthim i Salome, Korçë 1926, të Oskar Uajlldit (1854-1900); Kostandin Kotte (vd.ca.1974 në burgun e Burrelit?) që përmendet për pjesën me tri akte Shperblimi i gjaksís, Zadar 1929, me subjekt nga koha e ashpër e Ali pashë Tepelenës (1740-1822); Petro Harizi, botues gazete dhe autor i krijimit modest Triumphi i legalitetit, Korçë 1933; si dhe studiuesi klasik Henrik Lacaj (1910-1991) nga Shkodra, që përmendet për përkthimet e veprave të Plautit.

  7. #87
    10.9 Zeniti kulturor i mesit të viteve tridhjetë



    Për gati një çerek shekulli pas shpalljes së pavarësisë (28 nëntor 1912), shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë vazhduan të frymëzohen nga idetë dhe idealet e lëvizjes së Rilindjes të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Por me vitet tridhjetë kultura shqiptare pati hyrë në një etapë të re. Vërshimi i ideve të reja nga jashtë dhe shkalla më e lartë e arsimimit të rregullt dhe formimit të intelektualëve i hapi portat drejt përparimit kulturor. Gjatë një dhjetëvjeçari letërsia dhe kultura shqiptare lulëzuan si kurrë më parë, në fillim në Shkodër e më pas në Tiranë e në mbarë vendin.

    Në mesin e viteve '30, brenda pesë vjetësh ishte hedhur një hap cilësor përpara në letërsinë shqiptare. Në poezi Lasgush Poradeci botoi përmbledhjet me lirika mahnitëse Vallja e yjeve, Konstancë 1933, dhe Ylli i zemrës, Bukuresht 1937; Migjeni i sëmurë nga tuberkulozi ia kishte dalë mbanë ta çonte në shtyp përmbledhjen e tij Vargjet e lira, Tiranë 1936, para se ta ndalonin për të qarkulluar e para se vdekja ta ndërpriste karrierën e tij të shkurtër letrare; kurse Gjergj Fishta doli me variantin përfundimtar të poemës së tij të pashoqe Lahuta e malcís, Shkodër 1937, me tridhjetë këngë. Proza shqiptare përjetoi botimin e romanit nihilist Nga jeta në jetë - Pse!?, Korçë 1935, të Sterjo Spasses; e përmbledhjes së dytë me tregime të Ernest Koliqit, Tregtar flamujsh, Tiranë 1935; e romanit shumë të lexuar e me kritikë sociale Sikur t'isha djalë, Tiranë 1936, të Haki Stërmillit; e vëllimit të parë me rrëfenja Netë shqipëtare, Bukuresht 1938, të Mitrush Kutelit. Migjeni, gjithashtu, brenda pesë vjetësh nga 1933 deri 1938, botoi njëzet e katër nga skicat e tij të fuqishme në prozë në organe shtypi dhe përfundoi dorëshkrimin e Novelat e qytetit të veriut, 1936. Në dramaturgji, Etëhem Haxhiademi bëri për vete publikun intelektual me tragjeditë e tij klasike që, edhe pse jonovatore në konceptim e në brendi, dëshmuan një përpunim gjuhësor të paparë në skenën shqiptare.

    Gazetaria e publicistika, që kishin vazhduar të luanin rolin kryesor në afirmimin e kulturës kombëtare në Shqipëri që nga epoka e Rilindjes, përparuan me ritëm aq të vrullshëm sa edhe vetë letërsia. Nga një numër i madh të përjavshmesh me frymë kombëtare e me jetë të shkurtër dhe revistash mujore të dorës së dytë që dolën në qytete të ndryshme të Ballkanit, lindi një industri gazetarie e botuese me nivel të mirë në shërbim të përhapjes së informacionit, qoftë ky politik, kulturor apo letrar. Me gjithë strukturat politike primitive që mbizotëronin në Shqipëri nën regjimin despotik të Ahmet Zogut (1895-1961), tani Zogu I, Mbret i Shqiptarvet, shtypi pati për çudi një zhvillim liberal. Sa kohë që botuesit nuk e sulmonin familjen mbretërore dhe politikën e jashtme të monarkisë, ata mund të shtypnin pak a shumë çdo gjë që dëshironin. Censurë kishte, si në çdo diktaturë, dhe disa organe shtypi edhe u mbyllën, por ajo nuk arriti kurrë ato përmasa të tmerrshme kontrolli si në periudhën pas 'çlirimit'. Krahasuar me vende të tjera në vitet tridhjetë e dyzet, në Shqipëri u botuan më pak libra. Në radhë të parë për shkak se mungonte një zhvillim ekonomik i përgjithshëm, sepse Shqipëria qe vendi më i varfër në Evropë dhe sepse shkalla e analfabetizmit qe akoma mjaft e lartë. Mundësia për të lexuar ishte privilegj i një pakice të vogël, e kryesisht i meshkujve. Prandaj rritja e menjëhershme e krijimtarisë letrare serioze, madje lulëzimi i një kulture të qëndrueshme shqiptare të të shkruarit, qe në një masë të madhe në varësi të organeve letrare të shtypit të kohës, të cilët jo vetëm u ofronin shumë shkrimtarëve dhe ideve tribuna për t'i shprehur, por edhe i vinin këta shkrimtarë e këto ide në dispozicion të njerëzve anembanë vendit.

    Organet e shtypit katolik të Shkodrës vazhduan të luanin një rol madhor në përhapjen e ideve. E përmuajshmja françeskane Hylli i dritës, e themeluar dhe redaktuar nga Gjergj Fishta, rifilloi botimin në janar 1930 dhe vazhdoi të ndikojë në jetën kulturore gjatë Luftës së Dytë Botërore derisa u detyrua të ndërpresë botimin në korrik 1944, shumë kohë pas vdekjes së Fishtës. Një e përmuajshme tjetër françeskane, Zâni i Shna Ndout, edhe pse me orientim më të madh fetar, ofroi mjaft material letrar derisa u mbyll më 1944. Leka, e përmuajshme jezuite për arsim, kulturë dhe zbavitje, gjithashtu u botua në Shkodër nga prilli 1929 deri më 1944. Për bashkësinë myslimane, që përbënte shumicën në Shqipëri, ishte e përmuajshmja Zâni i naltë, e botuar në Tiranë nga tetori 1923 deri më 1939, e cila i njihte dhe i informonte lexuesit me të kaluarën dhe të tanishmen e kulturës islame në Shqipëri e në Lindjen e Mesme. Për fuqizimin e kulturës së shkruar në Shqipëri rol thelbësor luajtën sidomos tri revista. E përmuajshmja e ilustruar Minerva, e cila dilte si revistë e madhe letrare e jetës moderne, ishte një organ liberal që u botua në Tiranë nga gushti 1932 deri më 1936 me një këshill botues ku bënin pjesë Tajar Zavalani (1903-1966), skulptori Odhise Paskali (1903-1985), Nebil Çika (vd.1944) dhe Stefan Shundi (1906 - rreth v. 1944). Mjaft nga këta gazetarë qenë aktivë edhe në botimin nga marsi 1934 deri më 1936 në Tiranë të së përjavshmes kulturore Illyria, ku Migjeni botoi prozat dhe poezitë e para. Edhe Përpjekja shqiptare, e botuar nga tetori 1936 deri më 1939 nga Branko Merxhani (1894-1981) dhe e administruar për një farë kohe nga Petro Marko (1913-1991) pasqyronte një hap përpara e cilësor të letërsisë shqiptare. Jetëshkurtër, por jo pa peshë në përhapjen e ideve të reja të majta, qenë ABC, revistë dyjavore e botuar në Tiranë nga Petro Marko në mars 1936 dhe e mbyllur menjëherë nga autoritetet zogiste, dhe Bota e re e Korçës, organ i përdyjavshëm i organizatës komuniste të Korçës, i botuar nga prilli 1936 deri në shkurt 1937.

    Revista më e madhe letrare e viteve të luftës ka qenë e përmuajshmja Shkëndija, korrik 1940-1943, e themeluar dhe drejtuar nga ministri i arsimit Ernest Koliqi (1903-1975). Madje edhe më 1944, në mes të asaj rrëmuje të luftës civile, ia dolën të botohen disa revista letrare jetëshkurtër por serioze: e përmuajshmja Fryma, e themeluar në janar 1944 nga Muzafer Pipa; e përdyjavshmja Revista letrare, e themeluar në shkurt 1944 nga Mitrush Kuteli (1907-1967), Vedat Kokona (l. 1913), Nexhat Hakiu (1917-1978) dhe Sterjo Spasse (1912-1989); dhe e përmuajshmja Kritika, e botuar në mars 1944 nga Arshi Pipa (l. 1920).

    Me kalimin e kohës kultura e periudhës së vonë të pavarësisë erdhi e pasqyroi polarizimin midis Lindjes dhe Perëndimit. Shqipëria pak ishte takuar me idetë dhe idealet e Revolucionit të Tetorit në Rusi, ndonëse një numër i vogël figurash letrare kishin qenë në Bashkimin Sovjetik në kohën e Stalinit: Fan Noli (1882-1965), i cilësuar më pas si 'peshkopi i kuq', romancieri Haki Stërmilli (1895-1953), poeti rebel Sejfulla Malëshova (1900-1971) dhe Tajar Zavalani (1903-1966). Pabarazia tepër e dukshme në këtë vend të varfër të Ballkanit, e acaruar edhe më shumë nga një regjim diktatorial i prapambetur e moskokëçarës, si dhe rritja e fuqisë së Italisë fashiste, bënë që shumë intelektualë të viteve tridhjetë ta shihnin me interesim komunizmin sovjetik, ose të paktën socializmin në një formë të tij, si rrugë të ardhshme për kapërcimin e dallimeve klasore e për zhdukjen e shfrytëzimit të egër të shumicës së popullsisë. Ora e shkurtër e demokracisë kushtetuese në kohën e Fan Nolit më 1924 kishte marrë fund, kurse të gjitha orvatjet për reformë agrare, aq fort e nevojshme, ishin shtypur nga sundimtarët çifligarët. Polarizimi në ideologji u bë më i dukshëm më 1936 me shpërthimin e Luftës Civile në Spanjë. Poeti dhe romancieri i ri Petro Marko (1913-1991), së bashku me përkthyesin Skënder Luarasi (1900-1982) dhe një grup prej dyzet shqiptarësh, vajtën në fushëbetejat e Katalonjës për të marrë pjesë në Brigadat Internacionale. Marko pati rastin e mahnitshëm të takohej atje me Ernest Heminguein (1899-1961) dhe me shkrimtarë të tjerë të angazhuar. Idetë socialiste po fuqizoheshin në Shqipëri. Por, njëherazi, po fuqizohej edhe fashizmi.

    Një nga figurat më interesante gjatë viteve tridhjetë ka qenë Branko Merxhani (58) (1894-1981), i cili pati bashkëpunuar me të përjavshmen Illyria të drejtuar nga Asim Jakova nga marsi 1934 deri më 1936 para se të botonte revistën e vet me influencë Përpjekja shqiptare në tetor 1936. Kjo e përmuajshme, që vazhdoi të botohej deri në fillim të vitit 1939, u ofroi lexuesve shqiptarë ja vetëm pjesë nga poezia e proza bashkëkohore shqiptare dhe përkthime nga letërsia e përbotshme, por edhe recensione librash e artikuj të hartuar mirë për filozofinë, sociologjinë, historinë, gjuhësinë, arkeologjinë, duke e njohur publikun shqiptar me veprat e filozofit Rene Dekart (René Descartes, 1596-1650) e të sociologëve Ogyst Komt (Auguste Comte, 1798-1857) dhe Emil Dyrkhaim (Emile Durkheim, 1858-1917). Revista u përpoq për një kritikë letrare serioze dhe për një ndihmesë të re intelektuale për të pasqyruar realitetin bashkëkohës. Merxhani ishte i vetëdijshëm dhe ndiente dhimbje për prapambetjen intelektuale të vendit prandaj bënte thirrje për një ringjallje shpirtërore, të cilën e quante Neoshqiptarizëm. Neoshqiptarizmi qe një rrymë intelektuale filozofike që lindi në shoqërinë shqiptare aty nga viti 1928, ndonëse rrënjët, sikundër theksonin ithtarët e saj, duheshin kërkuar në lëvizjen e Rilindjes. Nacionalistët shqiptarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë i patën përqendruar të gjitha energjitë e tyre për të fituar pavarësinë nga Perandoria Osmane, por pavarësia vetë qe vetëm gjysma e punës. Ajo çfarë kërkohej tani, ishte të krijohej e të çimentohej një identitet kombëtar, një vetëdije shqiptare për ta nxjerrë popullin nga errësira e padija, d.m.th. ishte nevoja për një lëvizje kombëtare të dytë. Merxhani e quante Shqipërinë "një qënie e kufizuar së jashtëmi dhe e pakufishme së brëndshmi". Për herë të parë, së bashku me Vangjel Koçën (1900-1943), ai kishte mbrojtur e propaganduar ideologjinë nacionaliste të Neoshqiptarizmit më 1929 në faqet e së përjavshmes me tirazh të mirë Demokratia të Gjirokastrës dhe në revistën e përmuajshme jetëshkurtër me titull Neo-Shqiptarizmi, që kishte nisur botimin në korrik 1930 (59). Neoshqiptarizmi mbështetej në ideologjinë nacionaliste. Ai luftonte për progres social si themel të procesit intelektual, por nuk përkrahte rrugën e angazhimit të drejtpërdrejtë politik për shndërrime sociale ose për zhdukjen e strukturave tradicionale politike e sociale. Në formën e vet fillestare qe një lëvizje kulturore, jo politike, siç shihet edhe në parullën e Merxhanit Politikë s'ka! Vetëm kulturë! Megjithatë, vetvetiu, Neoshqiptarizmi erdhi e u bë kundërpeshë e ideologjive më fort politike të socializmit e të internacionalizmit të majtë. Ndonëse krijesë shqiptare, Neoshqiptarizmi do parë brenda kontekstit të ideologjive të tjera nacionaliste (60), që lindën në mbarë Evropën në vitet njëzet e tridhjetë dhe që, me hapa të ngadaltë por të sigurtë, u shkrinë për të formuar fashizmin evropian, i cili shumë shpejt do të degjeneronte në një diktaturë të egër e çnjerëzore. Themeluesi tjetër i Neoshqiptarizmit, Vangjel Koça (1900-1943), përkthyes i Epiktetit, Lukianit dhe Dekartit, dhe i njohur si gazetar me pseudonimet gazmore orientale Vangjo Nirvana apo Vangjo Knishna, do të bëhej udhëheqës i Partisë Fashiste pas pushtimit të Shqipërisë nga Musolini më 1939. U mbyt kur po orvatej të arratisej për në Itali më 7 gusht 1943.

    Shkrimtarët shqiptarë të viteve tridhjetë qenë të magjepsur nga Perëndimi por edhe të shqetësuar për vendin që do të zinte Shqipëria në një Evropë që tani kishte një zhvillim të vrullshëm. Në revistat e kohës kjo ishte tema madhore e debateve letrare. Tashmë një numër i

    __________________________________________________ _________________

    58 kr. Merxhani 1996.

    59 U botua vetëm një numër.

    60 d.m.th. hellênikótêta greke, sidomos nën diktaturën e viteve 1936-1940 të gjeneralit Joannis Metaksa (1871-1941), italianitá të diktatorit italian Benito Musolini (1883- 1945), dhe hispanidad të Spanjës fashiste në regjimin e gjeneralit Francisko Franko (1892-1975).
    __________________________________________________ _________________

    madh intelektualësh kishin qenë jashtë dhe kishin parë me sytë e tyre shoqërinë e industrializuar Perëndimore. Duke ardhur nga një vend që, të citojmë thënien, "Zoti e do aq shumë, sepse pak ka ndryshuar që nga Krijimi", ata e ndienin forcën tërheqëse të Perëndimit, por qenë edhe të çoroditur e të zhgënjyer nga lëngimi oriental i Shqipërisë nën një monark me të vërtetë bizantin. Kjo joshje ndaj Perëndimit, sikundër interpretohej prej tyre, u përgjithësua më së miri nga djaloshi Migjen në vjershën Shpirtent shtegtarë, pjesë e ciklit të shkurtër Kangët e përndimit, e shkruar në pranverë 1934:

    "Mramë një erë e ftohtë, acarr fryni nga ana e maleve
    I shkundi shpirtent t'onë - e bashkë me gjethë të kësaj vjeshte
    I muer andej kah dielli hijën si të përgjakët u a lëshon zallevet
    - në Përndim, ku shtret e shkimet drita në pamundsinë e vet.

    Enden shpirtent t'onë nepër vise të Përndimit të mrekullueshëm,
    Bajnë të fala dhe me thane vendeve të shuguruem,
    E të përtrimë ndër fluide të hekurit e të zjarmit - adhurueshëm
    E me një credo gëzojnë qiellën me çagjë e të tymuem...

    Në cilen, diku në skâj merimanga fatin trillon
    Vetes dhe njerzís poshtë, që damaret e rrahin
    (si të rrahunt trompete në vorresë) - ndërsá tue qa, kumbon
    E thret kumbon' e fabrikës e njëmijti fishkllim si një fsham shkynë ajrin.

    Shpirtent t'onë me një dashní tragjike ato vise i duejnë,
    N'etër të kulluet a bajnë flî ndjenjat e vet mâ të holla.
    E në nesërmen fatale kundrojmë një horizont me njolla...
    ... shtegtarë të mërguem, shpirtent t'onë n'origjinë po kthejnë."

    Për këta intelektualë Perëndimi qe një nocion i papërcaktuar qartë. Për ironi, në Shqipëri ai përfaqësohej nga Italia e Musolinit, vendi më i afërt perëndimor fqinjë, që asokohe rivalizonte me Jugosllavinë për të shtrirë ndikimin e vet në këtë mbretëri të vogël malore. Pa kaluar shumë kohë debati intelektual mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Perëndimin dhe rolin e saj në të u bë i tepërt e i kotë, kur trupat italiane kaluan Adriatikun dhe zbarkuan në Durrës, Vlorë e Shëngjin të Premten e Pashkëve, më 7 prill 1939, me synimin e patundur për të qëndruar aty, pavarësisht nga dëshira e vendësve.

    U mbetet historianëve të përcaktojnë nëse përfshirja nën ombrellën kulturore të Italisë dhe më pas aneksimi politik i drejtpërdrejtë i Shqipërisë prej saj ka qenë, asokohe, arritje kulturore për këtë vend të vogël ballkanik apo jo. Në këtë punë ndërhyri shpejt lufta botërore. Polarizimi i ideve në Evropë midis Lindjes së re dhe Perëndimit të ri, midis doktrinave të komunizmit dhe fashizmit, shpuri në një konflikt kulmor në Shqipëri dhe gjetiu, duke e lënë vendin në mëshirën e ekstremistëve politikë e ushtarakë dhe, më në fund, duke i ulur në gjunjë shkrimtarët e intelektualët e të gjitha ngjyrimeve politike. Jeta intelektuale në mesin e viteve tridhjetë dhe fillimin e viteve dyzet, kishte arritur maja të papara, një zenit në kulturën e shkruar shqiptare. Një letërsi moderne ishte krijuar në Shqipëri dhe shteti më në fund kishte kaluar fëmininë e kishte ardhur në moshë. Qe ky një lulëzim i shkurtër në hijen e apokalipsit që do të vinte e që do të shuante flakën e krijimtarisë së vërtetë letrare për njëzet vjet me radhë. Gonxhja e njomë e letërsisë shqiptare do të këputej së shpejti dhe po aq shpejt do të priteshin edhe rrënjët e lules së porsaçelur.

  8. #88
    11. LETËRSIA NËN REGJIMIN E ENVER HOXHËS (1944-1985) DHE DALJA NGA IZOLIMI





    11.1 Kushtet politike dhe historike




    Më 28 nëntor 1944 forcat fitimtare komuniste nën komandën e Enver Hoxhës (1908-1985) hynë në Tiranë, ku dhe vendosën selinë e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë. Trembëdhjetë muaj më pas, më 11 janar 1946, u shpall zyrtarisht Republika Popullore e Shqipërisë, kurse më 14 mars të atij viti hyri në fuqi një kushtetutë e modelit sovjetik, që ndryshoi rrjedhën e historisë shqiptare. Rrënjët e komunizmit shqiptar duhen kërkuar në fund të viteve njëzet. Grupe mërgimtarësh, ndër ta edhe shkrimtari e politikani Fan Noli (1882-1965), kishin ngritur një Komitet Nacional Revolucionar (KONARE) në Vjenë për t'iu kundërvënë diktatorit Ahmet Zogu (1895-1961), i cili pati marrë pushtetin në dhjetor 1924. Ky komitet vendosi lidhje me Internacionalen Komuniste (Komintern) në Moskë, nga edhe mori mbështetje financiare. Ndër figurat e para të lëvizjes komuniste shqiptare ka qenë Ali Kelmendi (1900-1939), i shkolluar në Bashkimin Sovjetik, i cili u kthye në Shqipëri më 1930 për të organizuar celula komuniste në Korçë, Tiranë e gjetiu. Përpjekja e tij për t'i bashkuar këto grupe nuk u arrit plotësisht, dhe kjo për shkak të grindjeve midis fraksioneve. Më 1941, komunistët jugosllavë të udhëhequr nga Josip Broz Tito (1892-1980) ngarkuan dy emisarë, Dushan Mugoshën (1914-1973) dhe Miladin Popoviqin (1910-1945), për t'i bashkuar grupet e ndryshme ilegale në luftën e përbashkët kundër pushtuesve fashistë. Partia Komuniste Shqiptare, e krijuar më 8 nëntor 1941, u rrit vrullshëm gjatë viteve të pushtimit italian e gjerman dhe doli fitimtare në luftën e përgjakshme civile me rivalin e vet, organizatën e rezistencës Balli Kombëtar. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie të re ishte ambiciozi Enver Hoxha nga grupi i Korçës, i cili kishte fituar mjaft përvojë në përballimin e intrigave të vazhdueshme dhe grindjeve fraksioniste për ta bashkuar partinë në një lëvizje të fuqishme.

    Me të filluar punën, qeveria e re mori masa të menjëhershme për të fuqizuar pushtetin. Në janar 1945 në Tiranë u ngrit një gjykatë speciale e kryesuar nga Koçi Xoxe (1917-1949), ministri i ri i brendshëm nga Korça, për të gjykuar 'kriminelët kryesorë të luftës'. Kjo gjykatë zhvilloi disa gjyqe spektakolare që zgjatën për muaj të tërë, në të cilët qindra kundërshtarë të vërtetë apo të dyshimtë të regjimit u dënuan me vdekje ose me afate të gjata burgimi. Me anë të një tatimi të posaçëm, u konfiskuan prona dhe pasuri private, duke eliminuar kështu klasën e mesme, kurse industria u shtetëzua. Në gusht 1945 filloi një reformë agrare rrënjësore, që në të vërtetë fshiu e zhduku të gjithë klasën e çifligarëve, e cila e kishte sunduar vendin që nga shpallja e pavarësisë më 1912. Në të njëjtën kohë, u bënë përpjekjet e para për të luftuar analfabetizmin, i cili mbante nën hijen e vet të errët 80% të popullsisë. Përveç ekonomisë së shkatërruar dhe revoltave antikomuniste në disa pjesë të vendit, regjimit të ri iu desh të përballej edhe me një varg problemesh të mëdha të politikës së jashtme. Greqia e quante veten ende në gjendje lufte me Shqipërinë, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara ishin keqësuar menjëherë, kurse lidhjet me Britaninë e Madhe u bënë shumë të ndera pas të ashtuquajturit incident të Kanalit të Korfuzit (61), ku një destrojer britanik u hodh në erë nga një minë në bregdetin shqiptar. Edhe marrëdhëniet me Jugosllavinë fqinje arritën në një fazë të pasigurtë lidhur me

    __________________________________________________ _________________

    61 kr. Gardiner 1966 dhe Leggett 1974.
    __________________________________________________ _________________

    çështjen e Kosovës. Kur gjermanët u tërhoqën nga Shqipëria veriore në fund të vitit 1944, Kosova, e cila kishte qenë ribashkuar me Shqipërinë disa vjet më parë, u mor nga partizanët jugosllavë. Atje u kryen masakra të fshehta kundër popullsisë shqiptare, që akuzohej për bashkëpunim me gjermanët. Problemi i Kosovës në fillim do të zgjidhej sipas parimit të vetëvendosjes, d.m.th. me plebishit, por Titoja, duke e kuptuar se kurrë nuk do të fitonte përkrahjen e nacionalistëve serbë, i bindi udhëheqësit komunistë shqiptarë më 1943 që të mos kishin më shpresë te zbatimi i 'një zgjidhjeje marksiste'. Një ide e propozuar si zgjidhje për problemin shqetësues të Kosovës qe bashkimi i Jugosllavisë dhe Shqipërisë në një shtet të vetëm.

    Udhëheqja komuniste në Shqipëri, pak kohë pasi mori pushtetin, qe e ndarë në dy kampe. Njëra palë, e përfaqësuar nga poeti Sejfulla Malëshova (1900-1971), i ngarkuar me punët e kulturës, mbronte tezën se Shqipëria duhet të zhvillonte një politikë të jashtme të pavarur, duke mbajtur lidhje si me Lindjen edhe me Perëndimin, dhe një politikë të brendshme më të moderuar për të nxitur ripajtimin kombëtar. Fraksioni projugosllav, i kryesuar nga ministri i brendshëm Koçi Xoxe, ishte për lidhje më të ngushta me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik, dhe ngulte këmbë për një politikë ekonomike e sociale më radikale e të bashkërenduar me atë politikë që ndiqej në Beograd. Fituan Xoxe dhe këshilltarët e tij jugosllavë, dhe në shkurt 1946 Malëshova u përjashtua nga Byroja Politik dhe u dënua si 'oportunist i djathtë'. Vetë Enver Hoxha duket se ka mbajtur një qëndrim taktikisht të vakët, duke mbetur në hije e duke pritur rastin për të eliminuar kundërshtarët e tij njëherë e mirë. Marrëdhëniet me Britaninë e Madhe e me Shtetet e Bashkuara u ndërprenë në korrik 1946, dhe Enver Hoxha nënshkroi një Traktat Miqësie, Bashkëpunimi e Ndihme Reciproke gjatë vizitës në Beograd, si hap i parë drejt bashkimit të të dy vendeve. Serbokroatishtja u përfshi në programin e të gjitha shkollave shqiptare si gjuhë e huaj e detyrueshme, kurse këshilltarët jugosllavë zunë pikat kyçe në qeveri e në çështjet ekonomike. Shqipëria do të mbetej kështu një koloni e vërtetë jugosllave deri më 1948. Gjatë kësaj periudhe, ministri i brendshëm Koçi Xoxe shfrytëzoi krejt pushtetin e vet mbi aparatin e policisë e të sigurimit për të eliminuar të gjithë armiqtë dhe rivalët e mundshëm. Këto gjueti shtrigash, që në historinë zyrtare të partisë cilësohen si periudhë e Koçi-Xoxes, përfunduan me ekzekutim apo burgosje të figurave politike por edhe të shumë shkrimtarëve apo intelektualëve të talentuar. Letërsia dhe kultura shqiptare u goditën rëndë.

    Grindja midis Titos dhe Stalinit më 1948 i siguroi Enver Hoxhës aleatin sovjetik me mbështetjen e të cilit tani do të ruante pozitën e vet e do t'ia dilte pas pak kohe të eliminonte rivalët. Shqipëria u bë i pari vend i Evropës Lindore që denoncoi Jugosllavinë pas përjashtimit të saj nga Kominformi, d.m.th nga blloku sovjetik, më 17 qershor 1948, dhe të gjithë këshilltarët jugosllavë u dëbuan menjëherë nga vendi. Kështu hyri Shqipëria në vathën sovjetike. Seria e gjyqeve spektakolare dhe e spastrimeve që pasuan, qe e ngjashme me ato që ndodhën edhe në vendet e tjera të Evropës Lindore në fund të viteve dyzet e në fillim të viteve pesëdhjetë. Në kongresin e saj të parë më 8-22 nëntor 1948, Partia Komuniste e Shqipërisë ndërroi emër e u quajt Partia e Punës e Shqipërisë. Sundimi me terror i Koçi Xoxes mori fund, kur u dënua për tradhëti në maj 1949 e u ekzekutua më 10 qershor të atij viti. Aleanca e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik pati disa epërsi. Sovjetët ofruan më shumë ndihmë ekonomike e ushqimore për të zëvendësuar humbjet e shkaktuara nga ndërprerja e ndihmës jugosllave. Po ashtu erdhi edhe ndihma ushtarake për t'u mbrojtur si nga Jugosllavia fqinje ashtu edhe nga Perëndimi në një kohë kur Lufta e Ftohtë arriti kulmin. Meqë Shqipëria nuk kishte kufi të përbashkët me Bashkimin Sovjetik, nuk kishte ndonjë rrezik të afërt për aneksim politik të drejtpërdrejtë, se udhëheqja shqiptare u tregua në shumë anë e kujdesshme për të ruajtur zyrtarisht pavarësinë e vendit. E përfshirë në sferën sovjetike, Shqipëria hyri në një periudhë izolimi të thellë nga pjesa tjetër e botës. 'Ndërtojmë socializmin duke mbajtur në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën' ishte parulla e përhapur nga Partia për të krijuar një mendësi rrethimi, që do të mbyste çdo kundërshtim. Me vitin 1955 Shqipëria ishte bërë shembull i një shteti stalinist, me modele sovjetike të kopjuara e të përshtatura për çdo fushë të jetës shqiptare. Mirëpo kur Nikita Hrushçovi (1894-1971) denoncoi krimet dhe kultin e individit të Stalinit në një raport të fshehtë para Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste Sovjetike në shkurt 1956, Enver Hoxha e dënoi revizionizmin.

    Pas disa manovrimeve politike dinake e të egra, ai ia doli mbanë të kapërcejë kritikat kundër politikës së tij staliniste e të mbajë pushtetin. Kurse ngjarjet në Hungari dhe Poloni e bindën se Hrushçovi përfaqësonte rrezikun më të madh për sovranitetin e Shqipërisë e për pushtetin e tij. Dallimet ideologjike midis dy partive dhe orvatjet e Hrushçovit për t'u marrë vesh me renegatin Tito shpunë në fillim në një çarje politike në marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, çarje që u thellua mjaft në vitet e ardhshme me gjithë varësinë e skajshme të Shqipërisë nga ndihmat dhe dërgesat ushqimore sovjetike. Në Konferencën e tetëdhjetë e një partive komuniste të mbajtur në Moskë në nëntor 1960, Enver Hoxha qe i patundur në mendimin për të mos i dënuar komunistët kinezë nën udhëheqjen e Mao Ce Dunit (1893-1976) dhe, në një fjalim të hapur e të pazakontë, sulmoi Hrushçovin për shmangie nga marksizëm-leninizmi. Marrëdhëniet midis dy partive u tejkeqësuan me shpejtësi deri në atë pikë sa në mars 1961 Hrushçovi pezulloi dërgesat ushqimore për Shqipërinë, aq të domosdoshme e të ngutshme për popullsinë atë vit. Në dhjetor 1961 Bashkimi Sovjetik prishi marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, kurse Enver Hoxha, në kërkim të një mbrojtësi të ri, ktheu sytë nga Lindja e Largët. Aleanca kino-shqiptare, e cila do të zgjaste nga 1961 deri në korrik 1978, e radikalizoi jetën politike, ekonomike e sociale në Shqipëri dhe e izoloi vendin edhe më shumë nga Evropa dhe nga pjesa tjetër e botës. Kina e ndihmoi shumë Shqipërinë për zhvillimin e saj, veç të tjerash me mallra dhe kredi me interes të ulët, por kjo ndihmë nuk doli e mjaftueshme për të nxitur rritjen ekonomike. Për të shuar valën e pakënaqësisë së popullit nga sundimi i tij, Enver Hoxha përdori taktikën e tij të zakonshme të kundërsulmit, duke filluar një fushatë të modelit kinez në fund të vitit 1965 për 'të revolucionarizuar të gjitha aspektet e jetës së vendit', fushatë që përkoi me Revolucionin Kulturor në Kinë.

    Një politikë kulturore revolucionare e re, e paraqitur në publik në tetor 1965 nga kryeideologu për çështjet kulturore, Ramiz Alia (l. 1925), kërkonte me vendosmëri shkëputjen e kulturës shqiptare nga të gjitha ndikimet e huaja. Tani, roli i letërsisë dhe arteve ishte që të imunizonte njerëzit përballë të gjitha prirjeve borgjeze e revizioniste, ngado që ato mund të vinin. Shkrimtarët duhet t'i përqëndronin energjitë e tyre në tema kombëtare si ajo e lëvizjes partizane dhe e ndërtimit të socializmit. Në praktikë kjo politikë shpuri në ndalimin e librave dhe filmave të huaj dhe në mbytjen edhe të asaj pak lirie intelektuale që ekzistonte ende në vend. Në përgjigje të letrës së hapur të Enver Hoxhës më 4 mars 1966, mijra punonjës të mendjes, ndër ta shumë shkrimtarë e artistë, 'dolën vullnetarë' për të vajtur në fshat e për të punuar tokën bashkë me fshatarët. Optimist pas fitores 99,99% të kandidatëve të Partisë në zgjedhjet e përgjithshme në korrik 1966, Kongresi i Pestë i Partisë, i mbajtur në nëntor të atij viti, orientoi që të intensifikohej më tej 'lufta e klasave', duke e bërë të detyrueshme për të gjithë punën fizike në sektorët prodhues të ekonomisë. Parulla e ditës ishte 'Të mendojmë, të punojmë e të jetojmë si revolucionarë'.

    Në një fjalim më 6 shkurt 1967 Enver Hoxha nxiti hapjen e një fushate kundër fesë, që përbënte njërin nga elementet e fundit të mbetur nga tradita. Brenda pak muajsh u mbyllën të gjitha xhamitë, kishat dhe teqetë bektashiane, shumica duke u shembur ose rikonstruktuar për t'u përdorur si salla kinemaje, pallate sporti (Katedralja Katolike e Shkodrës) apo depo. Shqipëria u shpall i pari shtet ateist në botë. Kjo, e ashtuquajtura dëshirë spontane e rinisë, jo vetëm e zhveshi Shqipërinë nga shumë tradita kulturore të saj, por edhe nga mjaft monumente të arkitekturës dhe të kulturës kombëtare. Fushata për çrrënjosjen e fesë, e zhvilluar me zellin

  9. #89
    e entuziazmin fetar të një kryqëzate, përbënte një akt të paparë vetëvrasjeje kulturore. Monumente kulture u fshinë nga faqja e dheut, ikona e libra të rrallë u dogjën, dorëshkrime të vjetra u lanë të kalben. Gjithçka sadopak e lidhur me fenë u bë tabu për dy dhjetëvjeçarët që pasuan. Në të njëjtën kohë sistemi arsimor u reformua rrënjësisht për ta pastruar nga ndikimet sovjetike. Rradhët e ushtrisë u spastruan dhe atë e morën në dorë komisarët e partisë. Periudha revolucionare, që nisi më 1965 dhe zgjati deri në mesin e vitit 1969, përfundoi me ftohjen e marrëdhënieve me Kinën.

    Pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë më 1968, që solli edhe tërheqjen përfundimtare të Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, udhëheqja kineze u mundua të përmirësonte marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe Rumaninë me qëllim që të dobësonte Bashkimin Sovjetik në Ballkan. Enver Hoxha nga ana e tij e kuptoi se aleanca me Kinën qe e pamjaftueshme për ta mbrojtur vendin nga kërcënimi ushtarak sovjetik. Në vitin 1971 ai po i lëshonte sinjale të matura Perëndimit, kurse vetë normalizoi marrëdhëniet diplomatike me Jugosllavinë dhe Greqinë fqinje. Në fillim të viteve shtatëdhjetë, politika kineze ndryshoi rrënjësisht kur e braktisi izolimin. Kontradiktat ideologjike me udhëheqjen shqiptare arritën kulmin kur presidenti i SHBA Riçard Nikson (1913-1994) vizitoi Pekinin në shkurt 1972. Enver Hoxha e dënoi përsëri revizionizmin. Me gjithë marrëdhëniet e jashtme të turbullta të Shqipërisë, pas revolucionit kulturor shqiptar brenda vendit mbizotëroi një periudhë e shkurtër qetësie, ndonëse jo e vërtetë. Pas disa vjetësh vetëmohimi e turbullire, populli ishte i mërzitur e i zemëruar, kurse intelektualët më të shqetësuar se kurrë.

    Megjithëse Partia vazhdonte t'i binte avazit të rrezikut të ndikimeve borgjeze, në rrugët e Tiranës po dukeshin modat perëndimore të veshjes, si dhe një pasqyrim i zbehtë i ndryshimeve sociale që po ndodhnin në Perëndim. Shihje të mbaheshin pantallona të tipit perëndimor, flokë të gjatë e në ndonjë rast funde të shkurtër, kurse programet me muzikë perëndimore të radiostacioneve italiane po dëgjoheshin gjithnjë e më shumë. Në Plenumin e katërt të Komitetit Qendror më 26-28 qershor 1973, Enver Hoxha ndërmori përsëri ofensivën dhe paraqiti një raport që sot mund të quhet si klasik në analet e obskurantizmit evropian: Të thellojmë luftën ideologjike kundër shfaqjeve të huaja e qëndrimeve liberale ndaj tyre. (62) Si shkak në këtë luftë të re të Hoxhës për të mbajtur pushtetin shërbeu Festivali i 11-të i Këngës më 25 dhjetor 1972, ndonëse ishte krejt i padëmshëm. Protagonistë të së ashtuquajturës lëvizje liberale, nëse vërtet ka pasur të tillë, qenë dramaturgu Fadil Paçrami (l. 1922), sekretar i partisë për çështjet ideologjike të Komitetit të Partisë së Tiranës, dhe Todi Lubonja (63) (l. 1923), drejtor i Radiotelevizionit, të cilët shërbyen si 'koka turku' për të trembur shkrimtarët e artistët e për t'i pasur ata pas vetes, dhe për pasojë gjithë vendin. Për ta u tha se kishin nxitur që ide e ndikime dekadente perëndimore të depërtonin në kulturën shqiptare. Lëvizja liberale u shtyp menjëherë, kurse dy figurat kryesore të saj u dënuan pa mëshirë për mëkatet e tyre si deviatorë dhe armiq të popullit. Todi Lubonja, i akuzuar për pikëpamje dhe shije estetike liberal- oportuniste të theksuara, u dënua më 27 korrik 1974 me pesëmbëdhjetë vjet burg. Pas trembëdhjetë vjetësh në burgun famëkeq të Burrelit, ai u lirua në qershor 1987 dhe u internua në fshatin Malecaj (rrethi i Lezhës) para se kalvari i tij të merrte fund.

    Fadil Paçrami, nga ana e tij, u lirua më në fund nga burgu i Kosovës së Madhe afër Elbasanit më 17 mars 1991, dy javë përpara zgjedhjeve të para pluraliste. Ajo çka ndodhi nga viti 1973 deri të paktën më 1975 qe mbretërimi i terrorit kundër shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë, që mund të krahasohet edhe me spastrimet staliniste të viteve 1930. Këto vite qenë një hap i madh prapa për zhvillimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare. Në pranverë 1973 njëqind e tridhjetë shkrimtarë e artistë shpallën se po largoheshin

    __________________________________________________ _________________

    62 kr. E. Hoxha 1973 dhe 1975.

    63 kr. T. Lubonja 1993, 1994.
    __________________________________________________ _________________

    nga qytetet për të punuar në ara e kantiere ndërtimi me qëllim që të forconin lidhjet e tyre me masat punonjëse. Poetë e prozatorë hynë në garë mes tyre duke dëshmuar një zell revolucionar dhe duke hedhur poshtë ndikimet e huaja e liberale. Ata që qenë më pak bindës ose me botime të prekura nga liberalizmi u dërguan në zona të largëta ose u burgosën. Më fatlumët humbën vetëm të drejtën e botimit. Pothuaj të gjithë shkrimtarët kryesorë e patën nga një vepër të hequr nga qarkullimi e 'të kthyer në karton'. Mësimi i gjuhëve të huaja në thelb qe ndaluar, kurse ata që kishin fatkeqësinë të dinin frëngjisht apo italisht u gjendën në pozitë të palakmueshme. Edhe piktorë të tillë si Maks Velo (l. 1935), Edison Gjergo (l. 1938) dhe Ali Oseku (l. 1944) u demaskuan në Plenumin e Katërt e u dërguan në burgje e kampe përqëndrimi, si në burgun famëkeq të minierës së bakrit në Spaç. Ata u dënuan për krimin e agjitacionit e të propagandës sepse kishin shprehur një farë interesimi për Pablo Pikason, Salvador Dalin apo Maks Ernstin.

    Në vitet më pas, vazhduan një radhë spastrimesh dukë përfshirë të gjithë sektorët e tjerë të shoqërisë, tërë popullsinë, në një atmosferë hutimi e pasigurie. Në tetor 1974, Beqir Balluku (1917-1975), ministër i mbrojtjes që më 1953, u spastrua bashkë me Petrit Dumen, shefin e shtabit, dhe Hito Çakon, drejtor i drejtorisë politike të ushtrisë, kurse një vit më vonë Abdyl Këllezi (1919-1977), kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, Koço Theodhosi (1913-1977), ministër i industrisë dhe i minierave, dhe Kiço Ngjela (l. 1920), ministër i tregtisë, u shkarkuan nga funksionet dhe u dënuan pa mëshirë. Kontradiktat ideologjike që kishin lindur me kinezët shpunë në fundin e aleancës kino- shqiptare më 1978. Tani Shqipëria qe e izoluar nga e gjithë bota, një ishull revolucioni në detin e revizionizmit.

    Vdekja misterioze më 17 dhjetor 1981 e rivalit të Hoxhës, Mehmet Shehu (1913-1981), i cili ishte në krye të aparatit ushtarak dhe aparatit të tmerrshëm të Sigurimit, si dhe përgjegjës kryesor për tmerrin, solli një tjetër fshesë spastrimi në qeveri e në parti. Në nëntor 1982, Hoxha i moshuar, në një nga deklaratat publike më qesharake të lëshuara ndonjëherë nga një tiran i regjur, shpalli para botës së shtangur se aleati më i ngushtë i dikurshëm i tij, Mehmet Shehu, kishte pasë punuar si agjent i huaj njëkohësisht për amerikanët, anglezët, sovjetikët dhe jugosllavët dhe, përballë akteve të poshtra të tij, kishte vendosur të vriste veten.

    Është e tepërt të themi se, deri pas vdekjes së Hoxhës, nuk është bërë asnjë orvatje për të devijuar nga kursi ideologjik i caktuar nga partia. Me vdekjen e Enver Hoxhës më 11 prill 1985, fuqia politike i takoi pasardhësit të tij Ramiz Alia (l. 1925) nga Shkodra, i cili e sundoi vendin me dorë pak më të butë, ndonëse pa bërë ndonjë ndryshim real në politikë. Në fund të viteve tetëdhjetë, me rënien e komunizmit evropiano-lindor, e sidomos me vdekjen e diktatorit rumun Nikolae Çaushesku, më 25 dhjetor 1989, udhëheqja e partisë e ndjeu se edhe në Shqipëri përmbysja e komunizmit ishte çështje kohe. Themelet e sistemit qenë tronditur në fillim të korrikut 1990, kur mijëra shqiptarë rrezikuan jetën duke kërkuar strehim politik në ambasadat gjermane, italiane dhe franceze në Tiranë. Brenda gjysmë viti diktatura njëpartiake, që kishte qenë sunduese në të gjitha aspektet e jetës shqiptare për gati gjysmë shekulli, mori fund. Pluralizmi politik u lejua në dhjetor 1990, kurse zgjedhjet e para shumëpartiake në vend u zhvilluan më 31 mars 1991.

    Sado e pabesueshme duket tani që kthehemi prapa - madje edhe për vetë shqiptarët - stalinizmi fanatik mbijetoi i pacenuar e i padobësuar për plot tridhjetë e shtatë vjet pas vdekjes së Stalinit më 1953. Ndonëse gjykimi përfundimtar për periudhën 'socialiste' në Shqipëri u duhet lënë historianëve dhe politologëve të së ardhmes, periudha dyzetegjashtëvjeçare e 'izolimit të shkëlqyer' nën regjimin marksist-leninist duket sikur i ka lënë vendit si trashëgim mjerim të përgjithshëm dhe një ekonomi që krahasohet me vendet më të prapambetura të Afrikës qendrore. Kur sistemi njëpartiak u hoq përfundimisht, në të vërtetë nuk kishte mbetur udhëheqje intelektuale për të mbushur zbrastësinë. Kultura shqiptare ishte rrënuar. Kështu, fillimi i viteve nëntëdhjetë e gjeti shtetin shqiptar në një gjendje politike e ekonomike katastrofike me rrjedhoja dramatike për zhvillimin e letërsisë dhe kulturës bashkëkohore. Vërtet, është e vështirë dalja nga izolimi, por nuk ka dyshim se së shpejti Shqipëria do të zërë vendin e vet në Evropë.

  10. #90
    11.2 Vërshimi i realizmit socialist. Letërsia shqiptare e pasluftës deri më
    1961




    Enver Hoxha dhe udhëheqësit e rinj partizanë që morën pushtetin në fund të vitit 1944, i shihnin me dyshim shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë të çdo ngjyre politike, duke i konsideruar shumicën e tyre si përfaqësues të 'regjimit të vjetër'. Një numër tepër i vogël shkrimtarësh si Vangjel Koça (1900-1943) dhe Vasil Alarupi (1908-1977) kishin qenë ithtarë të vërtetë të fashizmit, kurse një grup tjetër intelektualësh, edhe pse nuk qenë vetë fashistë, kishin bashkëpunuar me pushtuesit italianë e gjermanë në një mënyrë a në një tjetër. Shumica e tyre donin thjesht të shpëtonin të paktën kokën në ato kohë trazirash.

    Mjaft figura të shquara të jetës intelektuale shqiptare u arratisën nga vendi: Ernest Koliqi (1903-1975), Mehdi bej Frashëri (1874-1963), Mid'hat bej Frashëri (1880-1949) dhe Karl Gurakuqi (1895-1971) shkuan në Itali, Branko Merxhani (1894-1981) në Turqi, kurse shkrimtari i majtë Tajar Zavalani (1903-1966) në Britani. Të tjerë ushqenin shpresa se, pasi kishin dalë gjallë nga lufta, do të mund të merreshin vesh njëfarësoj me udhëheqësit e rinj komunistë e do të punonin gjallërisht me ta për ndërtimin e një Shqipërie të re, të një shoqërie të re socialiste. Por, pa kaluar shumë kohë, demagogjia e Enver Hoxhës, gjyqet spektakolare staliniste nën gjeneral Mehmet Shehun (1913-1981) dhe gjuetia e shtrigave nën Koçi Xoxen (1917-1949) e bënë të qartë se çlirimi dhe idealet e mëdha të socializmit ishin një fasadë për të mbuluar terrorin dhe diktaturën e egër. Mjeti i parë për t'i bindur njerëzit nuk u bë arsimi e propaganda, por frika e hapur dhe e pakursyer. Për shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë (64) periudha menjëherë pas luftës qe bërë një apokalips.

    Në mënyrë të veçantë vuajtën shkrimtarët e shkollës katolike shkodrane. Gjeneral Mehmet Shehu, në një fjalim publik të mbajtur në Shkodër më 28 janar 1945, e pati quajtur fortesën katolike 'çerdhe të reaksionit' dhe pati paralajmëruar se udhëheqësit kishtarë do të merrnin shpërblimin 'e merituar' para gjyqit të popullit. Dramaturgu Ndre Zadeja (1891-1945), poeti Lazër Shantoja (1892-1945), poeti Bernardin Palaj (1894-1947), romancieri Anton Harapi (1888-1946), dhe publicisti Gjon Shllaku (1907-1946) u ekzekutuan. Poeti Vinçenc Prenushi (1885-1949) vdiq në burg pas torturash të rënda, ashtu si dhe prozatori e botuesi dom Ndoc Nikaj (1864-1951), babai i prozës gege të shekullit të njëzetë. Ndër intelektualët e tjerë të shquar që u ekzekutuan janë botuesi arbëresh Terenc Toçi (Terenzio Tocci, 1880-1945), botuesi Nebil Çika (vd. 1944), shkrimtari bektashi baba Ali Tomori (Ali Tyrabiu, vd. 1947), dhe poeti Manush Peshkëpia (1910-1951). Ndër shumë shkrimtarë dhe intelektualë të tjerë që u arrestuan e u burgosën gjatë gjuetisë së shtrigave pas Luftës së Dytë Botërore qenë dramaturgët e njohur Kristo Floqi (1873-1951) dhe Etëhem Haxhiademi (1902-1965), shkrimtari dhe botuesi mysliman hafiz Ibrahim Dalliu (1878-1952), ministri i arsimit Mirash Ivanaj (1891-1953), të cilët vdiqën në burg, dhe poeti Dionis Gjergj Bubani (l. 1926); shkrimtari i prozës së shkurtër Mitrush Kuteli (1907-

    __________________________________________________ _________________

    64 Për ndjekjen e shkrimtarëve shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore, kr. Pipa 1959a dhe Plasari 1991b.
    __________________________________________________ _________________

    1967), romancieri Petro Marko (1913-1991), poeti Sejfulla Malëshova (1900-1971), shkrimtarja e prozës së shkurtër Musine Kokalari (1917-1983), poeti dhe studiuesi Arshi Pipa (l. 1921), poeti bektashian Ibrahim Hasnaj (1912-1995), poeti Nexhat Hakiu (1917-1978), poeti Andrea Varfi (1914-1992), përkthyesit Jusuf Vrioni (l. 1916) dhe Pashko Gjeci (l. 1918), romancieri Mustafa Greblleshi (1922-1986), publicisti Dionis Miçaço, poeti Kudret Kokoshi (1907-1991), romancieri dhe botuesi Anton S. Frashëri (1892-1965), humoristi dhe përkthyesi i palodhur Mid'hat Araniti (1912-1992) që ka shkruar në të folmen tiranase, gjuhëtari Selman Riza (1909-1988), kritiku Filip Fishta (l. 1901), folkloristët atë Donat Kurti (1903-1969) dhe Stavro Frashëri nga Kavaja, dhe shkrimtari Lazër Radi (l. 1916), i cili u lirua më 1991 pas një kohe të pabesueshme prej dyzet e gjashtë vjetësh burgu e internimi.

    Përndjekja e intelektualëve, sidomos e atyre që kishin qenë jashtë vendit para vitit 1944, dhe shkëputja faktike nga të gjitha traditat kulturore, krijuan në Shqipëri një zbrastësi letrare e kulturore e cila zgjati deri në vitet gjashtëdhjetë. Pasojat e saj mund të ndihen edhe sot. Nuk do të dihet kurrë saktë sa intelektualë dhe talente të reja letrare u dërguan gjatë viteve që pasuan, për të punuar në degë të rënda të industrisë, ose u syrgjynosën përgjithmonë në provincë, ose u internuan në ndonjë fshat të thellë malor pa shpresë për t'u kthyer më në vendbanimet e tyre.

    Martesa me përdhunë e letërsisë shqiptare me marksizëm-leninizmin u prangua fort që në fillim me themelimin në tetor 1945 të Lidhjes së Shkrimtarëve. Fillimisht politika kulturore në Shqipërinë e pasluftës iu ngarkua poetit Sejfulla Malëshova (1900-1971). Me prejardhje nga krahina e Përmetit, Malëshova kaloi një pjesë të mirë të jetës jashtë vendit. Studioi për mjekësi në Itali, kurse më 1924, në moshën njëzet e tre vjeç, u bë sekretari personal i Fan Nolit në qeverinë e tij demokratike. Me rrëzimin e Nolit, Malëshova iku në Paris, dhe së andejmi, i frymëzuar nga Revolucioni i Tetorit, vazhdoi në Moskë ku studioi dhe më vonë dha mësim marksizmin. Në Bashkimin Sovjetik hyri në Partinë Komuniste (1930-1932), por më pas u përjashtua si buharinist. Rreth vitit 1938 Malëshova emigroi në Evropën Perëndimore dhe jetoi në Paris deri në pushtimin gjerman, më tej në Grenoblë. Në verë të vitit 1943 u kthye në Shqipëri, përsëri anëtar partie dhe ende plot ideale. Këtu u bë anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të sapoformuar të Shqipërisë. Si ministër i kulturës në qeverinë e përkohëshme të sunduar nga komunistët, Malëshova organizoi kongresin e parë të shkrimtarëve shqiptarë më 7 tetor 1945. Në këtë kongres u bë edhe themelimi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë me shtatëdhjetë e katër anëtarë, komunistë e jokomunistë.

    Malëshova ndoqi një kurs relativisht liberal e pajtues për kohën, me qëllim që të inkurajonte riintegrimin e forcave jokomuniste në strukturat e reja të pushtetit. Ai nuk qe nga ata që dënonin të gjithë shkrimtarët e paraluftës si reaksionarë, si Gjergj Fishtën, as nuk qe për shkëputje të plotë nga Perëndimi. Nuk do të kalonte shumë dhe Malëshova do të bëhej zëdhënës i njërit nga dy fraksionet që rivalizonin për pushtet brenda në parti. Por me përkrahjen e komunistëve jugosllavë, fraksioni i kundërshtarit të tij Koçi Xoxe fitoi në fillim të vitit 1946 dhe Malëshova ra. Në një mbledhje të Komitetit Qendror më 21 shkurt 1946, Malëshovën e akuzuan për oportunizëm dhe devijim të djathtë dhe e përjashtuan nga Byroja Politike e nga Komiteti Qendror. Për çudi, Malëshova shpëtoi gjallë. Ky idealist i majtë, që dikur pati qenë anëtar i Kominternit, u internua për dy a tre vjet në Ballsh, kurse gjithë jetën pastaj e kaloi në internim të brendshëm si magazinier në Fier, ku, për vite me radhë, asnjë banor i qytetit nuk guxonte t'i fliste. Për të i vetmi shoqërim me të tjerët ishte të luante futboll me fëmijët. Sa herë që dikush i afrohej, vinte dy gishtat në buzë për t'i thënë se ishte betuar të mos hapte gojë, gjë që i siguroi mbijetesën. Malëshova vdiq më 11 qershor 1971 nga apendiciti në një vetmi të papërfytyrueshme. Edhe pse në qytet të gjithë ia dinin përmendsh vjershat, askush nuk guxoi të marrë pjesë në funeral. U varros në prani të së motrës, varrmihësit dhe dy agjentëve të Sigurimit.

    Pjesa më e madhe e poezisë së këtij poeti të vetëquajtur rebel është shkruar në mërgim me pseudonimin Lame Kodra dhe është botuar në vëllimin Vjersha, Tiranë 1945. Tipike për frymën e kësaj përmbledhjeje me 21 vjersha është Poeti rebel, e botuar për herë të parë më 1941:

    "Pa dëgjoni, gra e burra
    Anembanë,
    Dolli urdhëri për mua
    Në Tiranë,
    Nëpër male, nëpër fusha
    Në luadhe
    Po më ndjekin këmba-këmbës
    Me koshalle.
    Po s'kam frikë nga zagari
    Me dyfek;
    Kudo shkoj e hidhem unë
    Shtek më shtek
    Kudo vete e futem unë
    Prak më prak Shqipërinë anembanë
    Kam jatak.
    Jam rebel e jam hajdut
    Edhe mburrem;
    Kundër beut edhe fronit
    Un turrem.
    I kam dalë për zot unë
    Vegjëlisë,
    Edhe luftë i kam shpallur
    Skllavërisë."

    Ndër vjershat e tjera të kësaj përmbledhjeje janë Si e dua Shqipërinë, Klithma e Dragobisë, Internacionala, përkthimi shqip i himnit komunist, dhe Lasgush Poradecit, një vjershë satirike, ku poeti komunist akuzon Poradecin se ia ka shitur shpirtin kapitalit të huaj: "Të blenë me para, o zok liqeri." Malëshova gjithashtu përktheu shqip veprat e Marksit, Engelsit dhe Leninit si dhe hartoi një fjalor rusisht-shqip që më pas u botua me emrin e tjetërkujt.

    Gjuetia e shtrigave që pasoi spastrimin e Malëshovës i mpiu krejt shkrimet dhe mendimin krijues në Shqipëri. Mjaft intelektualë, që deri tani i kishin shpëtuar ekzekutimit, gjendeshin në burg ose qenë detyruar të mbyllnin gojën mirë. Në tetor 1949, pesë muaj pas eliminimit të Koçi Xoxes, u mblodh Konferenca e tretë e Lidhjës së Shkrimtarëve. Kjo konferencë përcaktoi drejtimin e letërsisë shqiptare, atë të realizmit socialist, drejtim që do të mbetej i pandryshuar për gjithë periudhën e viteve pesëdhjetë. Liria intelektuale, që për ironi kishte ekzistuar nën diktaturën zogiste të paraluftës dhe gjatë pushtimit italian, tani kishte marrë fund plotësisht. Partia nuk kërkonte gjë tjetër përveç bindjes absolute, dhe të gjithë shkrimtarët iu nënshtruan vëzhgimit dhe udhëzimeve kritike. Gjatë viteve të para të aleancës sovjeto- shqiptare, politika kulturore në Shqipëri u ndikua mjaft nga zhdanovizmi, doktrinë letrare e formuluar nga Andrej Aleksandroviç Zhdanov (1896-1948), që bëri kërdinë në letërsinë dhe kulturën sovjetike. Shkrimtarët shqiptarë u nxitën të përqëndronin gjithë energjitë krijuese në trajtimin e disa temave të veçanta, si lufta partizane e ashtuquajtur 'luftë nacional-çlirimtare' dhe ndërtimi i socializmit, si dhe t'u shmangeshin ndikimeve kozmopolite të Perëndimit. Ideja politike ishte elementi kryesor për ata që donin të shpëtonin. Subjekte që ishin pa ndonjë vlerë

Faqja 9 prej 12 FillimFillim ... 7891011 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  2. Video e ushtarëve grekë në Internet indinjon shqiptarët
    Nga Ingenuous në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 207
    Postimi i Fundit: 22-09-2011, 14:58
  3. Letersia Shqiptare
    Nga new-man në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-01-2009, 12:28
  4. Mesjeta e hershme shqiptare
    Nga DYDRINAS në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 15-11-2006, 15:10
  5. Rruga e modernitetit dhe koha e artë e letërsisë shqiptare
    Nga Eni në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-10-2002, 14:04

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •