Close
Faqja 6 prej 12 FillimFillim ... 45678 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 51 deri 60 prej 116
  1. #51
    9.7 Zbulimi i letërsisë gojore



    Zgjimi letrar dhe kulturor i popullit shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë nuk ishte thjesht çështje e përdorimit të gjuhës shqipe në shkolla apo e krijimit dhe botimit të prozës artistike, poezisë dhe publicistikës. Ajo kërkonte si domosdoshmëri kthimin te burimet, te rrënjët, te traditat. Letërsia e shkruar në gjuhën shqipe kishte qenë sporadike në shumë periudha të së kaluarës së saj dhe si e tillë nuk kishte mundur kurrë të shprehte gjithë potencialin e kulturës shqiptare. Kjo vinte edhe për arsye të rrugës të mundimshme të historisë së vetë popullit shqiptar. Ndërkaq letërsia gojore, d.m.th. traditat folklorike të Shqipërisë, vazhdimisht e ka kompensuar këtë mangësi. Kjo përbënte një thesar të vlefshëm kulturor në dorë të ideologëve të Rilindjes. Nuk dilte nevoja të krijohej një identitet kombëtar, mjafton që ai vetëm të rizbulohej.

    Lëvizja romantike në Evropë kishte ngjallur një interes të dukshëm për traditat folklorike dhe letërsinë gojore. Këngët popullore dhe përrallat popullore shqiptare kishin rrëmbyer imagjinatën jo vetëm të shkrimtarëve shqiptarë gjatë Rilindjes kombëtare, por edhe të studiuesve dhe gjuhëtarëve të huaj të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Madje përmbledhja më e hershme e letërsisë gojore shqiptare u botua në Gjermani nga Johan Georg fon Han (54) (Johann Georg von Hahn, 1811-1869) në trevëllimshin Albanesische Studien, Jena 1854 (Studime shqiptare). Hani, shpesh i konsideruar si babai i studimeve shqiptare, bëri udhëtime në mbarë Shqipërinë dhe Ballkanin si konsulli i Austro-Hungarisë në Janinë dhe, në gramatikën që hartoi për dialektin toskë, vuri si shtojcë dyzet e gjashtë faqe me këngë popullore, fjalë të urta dhe përralla. Dhjetë vjet më pas ai botoi një përmbledhje në dy vëllime Griechische und albanesische Märchen, Lajpcig 1864 (Përralla greke dhe shqiptare). Mjeku gjerman Karl

    __________________________________________________ _________________

    54 Për jetën dhe veprën e Johan Georg fon Hanit, kr. Grimm 1964.
    __________________________________________________ _________________

    Hajnrih Teodor Rajnholt (Karl Heinrich Theodor Reinhold, 1810-1880) nga Gëtingeni shërbeu në flotën greke kur u njoh së pari me folklorin shqiptar nga detarët e shumtë shqiptarë. Më pas ai botoi një përmbledhje të shquar me këngë popullore, rrëfenja dhe fjalë të urta shqiptare bashkë me një gramatikë të shqipes në librin e tij Noctes Pelasgicae, Athinë 1855 (Netë pellazgjike). Në Itali, përveç përmbledhjeve me poezi popullore të hartuara nga shkrimtarë të ndryshëm arbëreshë të shekullit të tetëmbëdhjetë e më pas, kemi edhe një përmbledhje përrallash popullore nga Sicilia, të botuara nga folkloristi Xhuzepe Pitre (Giuseppe Pitrè, 1841-1916) në librin e tij me katër vëllime Fiabe, novelle e racconti popolari siciliani, Palermo 1875 (Përralla, tregime e rrëfenja popullore siciliane). Konsulli francez Ogyst Dozon (Auguste Dozon, 1822-1891), që e kishte selinë në Janinë e Selanik, botoi përralla dhe këngë popullore shqiptare në fillim në librin e tij Manuel de la langue chkipe ou albanaise, Paris 1879 (Doracak i gjuhës shqipe ose albaneze), kurse dy vjet më pas në një vëllim të posaçëm me titull Contes albanais, recueillis et traduits, Paris 1881 (Rrëfenja shqiptare, të mbledhura e të përkthyera). Gjuhëtari çek Jan Urban Jarnik (1848-1923), profesor i gjuhëve dhe letërsive romane, botoi materiale folklorike shqiptare, ndër to një vjershë, dy përralla popullore dhe pesëdhjetë e tre fjalë të urta nga krahina e Shkodrës në librin e tij Zur albanischen Sprachenkunde, Laipcig 1881 (Mbi gjuhësinë shqiptare), si dhe një përmbledhje me rrëfenja dhe anekdota, përsëri nga Shkodra, në PÍíspvky ku poznání náÍe…í albánských, Pragë 1883 (Ndihmesë për njohjen e dialekteve të shqipes).

    Albanologu austriak Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900), profesor në Universitetin e Gracit, botoi katërmbëdhjetë rrëfenja shqiptare në Albanische Märchen, Laipcig 1884 (Rrëfenja shqiptare), si dhe një numër rrëfenjash toske si shtojcë e gramatikës së tij të shqipes, Kurzgefaßte albanesische Grammatik mit Lesestücken und Glossar, Laipcig 1888 (Gramatikë e shkurtër e shqipes me tekste e fjalor). Një pjesë e mirë e materialit të tij folklorik u ribotua në vëllimet pesë dhe gjashtë të Albanesische Studien të tij, Vjenë 1896-1897 (Studime shqiptare). Indoevropianisti i dëgjuar danez Holger Pedersen (1867-1954), profesor i Universitetit të Kopenhagës, vizitoi Shqipërinë më 1893 për të mësuar gjuhën e për të mbledhur material gjuhësor. Përmbledhja me tridhjetë e pesë përralla popullore shqiptare, që i regjistroi këtu dhe në Korfuz, u botua në librin e tij Albanesische Texte mit Glossar, Laipcig 1895 (Tekste shqipe me fjalor).

    Nuk mund të themi që ishin vetëm studiuesit e huaj ata që gjatë gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë sollën në Evropë materialin e parë për folklorin shqiptar, duke nxitur kështu studimet shkencore për letërsinë gojore shqiptare. Ndërkaq dallohen edhe një numër studiuesish shqiptarë që me botimet e tyre, kryesisht drejtuar bashkatdhetarëve të tyre, ushqyen lëvizjen e zgjimit kombëtar me ndjenjën e traditës e të identitetit.

    Një nga 'zbuluesit' e parë shqiptarë të kësaj trashëgimie kombëtare në Shqipëri ishte Zef Jubani (55) (1818-1880), i njohur edhe me emrin Zef Ndokillija ndërsa në italishte me emrin Giuseppe Jubany. Mendohet që Jubani të ketë lindur në Shkodër me baba shqiptar e nënë malteze. Rreth vitit 1830 u dërgua për të bërë shkollën te daja në Maltë, ku ndenji deri në vitin 1838. Pasi kreu atje studimet në një shkollë tregtare, u kthye në Shkodër dhe nga viti 1848 shërbeu për disa vite si 'dragoman' (përkthyes) i Lui Iasint Hekard-it (Louis Hyacinthe Hécquard, 1814-1866), konsulli frëng në Shkodër, i cili po përgatiste një libër për Shqipërinë e veriut. Hekardin e tërhiqte mjaft folklori dhe gjatë udhëtimeve nëpër malësinë shqiptare të veriut mori me vehte të rinjtë Zef Jubani e Halil Kopliku. Një numër këngësh popullore që mblodhi aty dolën në një përkthim frëngjisht në veprën pioniere të Hekardit, Histoire et description de la Haute Albanie ou Guégarie, Paris 1858 (Histori e përshkrim i Shqipërisë së Epërme ose Gegërisë). Përmbledhja e parë folklorike e vetë Jubanit, pa dyshim origjinalet e teksteve të këngëve të botuara nga Hekardi, humbi për fat të keq në përmbytjen që e shkretoi
    __________________________________________________ _________________

    55 kr. Kastrati 1955, 1987b dhe Jubani 1966.
    __________________________________________________ _________________

    qytetin e Shkodrës më 13 janar 1866. Më pas, për shkaqe që nuk dihen, Jubani iku në Itali për një farë kohe, dhe u prit atje nga Jeronim De Rada (1814-1903) me të cilin mbante letërkëmbim. Vepra për të cilën Zef Jubani përmendet më shumë është Racconti di canti popolari e rapsodie di poemi albanesi, Trieste 1871 (Përmbledhje këngësh popullore e rapsodish shqiptare). Ky libër përbën përmbledhjen e parë me këngë popullore gegërishte, madje vepra e parë folklorike e botuar nga një shqiptar për vetë Shqipërinë. Hyrja e kësaj përmbledhjeje të Jubanit përmban përsiatje politike për gjendjen e vendit, një shpjegim për 'sistemin e ri të shkrimit të shqipes me alfabet latin' të hartuar prej tij, por duhet theksuar se ky nuk ishte aspak praktik. Më tej përmban disa paradigma. Ndër këngët e përfshira janë ato të botuara më parë në frëngjishte nga Hekardi, një material që kishte dalë më parë në Cuneus prophetarum të Pjetër Bogdanit më 1685, dhe disa lirika bejtexhinjsh. Jubani është edhe autor i një historie të papërfunduar të Skënderbeut, e cila mbeti e pabotuar. Nga krijimtaria e tij poetike, vetëm dy vjersha kanë ardhur deri në ditët tona: njëra kushtuar Dora d'Istrias (1828-1888) dhe tjetra Skënderbeut.

    Përmbledhja e dytë e rëndësishme me letërsi gojore shqiptare e hartuar nga një shqiptar u botua nga folkloristi dhe personaliteti kombëtar Thimi Mitko (56) (1820-1890) nga Korça, përfaqësues i shquar i kolonisë shqiptare të Egjiptit. Xhaxhai i Thimit, Peti Mitko, kishte qenë udhëheqës i revoltës së të krishterëve në Korçë dhe Tepelenë kundër reformave turke të Tanzimatit dhe pikërisht me këtë xhaxha gati legjendar Thimi, pasi bëri shkollën greke në vendlindjen Korçë, u largua nga Shqipëria më 1850, në fillim në Athinë, pastaj në Plovdiv e në fund në Vjenë, ku edhe punoi disa vjet si rrobaqepës. Më 1865, në moshë të pjekur, Mitkoja emigroi në Egjipt, ku hapi një punë tregtie në Beni Suef, që i eci mbarë, dhe iu përkushtua lëvizjes kombëtare. Vdiq nga kanceri në grykë në Beni Suef më 22 mars 1890.

    Thimi (ose Euthimios) Mitko filloi të shfaqë interesim për folklorin rreth vitit 1859 kur ishte në Vjenë. Nga Spiro Dinia (1846?-1922) dimë se Mitkoja kishte nisur të regjistronte material folklorik para vitit 1866. Ai i dha Dhimitër Kamardës (1821-1882) këngë popullore, gjëegjëza dhe përralla për përmbledhjen e tij. Kurse përmbledhja e vetë Mitkos me folklor shqiptar, që përbëhej nga 505 këngë popullore, dhe 39 përralla e fjalë të urta kryesisht nga Shqipëria e jugut, u përfundua më 1874 dhe u botua me alfabet grek katër vjet më vonë, në vitin e Lidhjes së Prizrenit, me titullin greqisht Albanikê melissa dhe shqip Bëlietta shqipëtare, Aleksandri 1878 (Bleta shqiptare). Kjo vepër nuk qe vetëm e para përmbledhje e letërsisë gojore e destinuar për publikun shqiptar, por edhe e para përmbledhje e tillë me interes të vërtetë shkencor. Ndërkaq, flitet se një kopje e këtij libri është djegur publikisht në Athinë. Botimet e mëparëshme me këngë dhe përralla popullore shqiptare kishin qenë tepër të rralla e as kishin përfshirë aspektet më të bukura të letërsisë gojore shqiptare, as kishin mbuluar të gjithë trevat e gjithë tematikën. Mitkoja u përpoq që këtë trashëgimi kombëtare të letërsisë gojore ta paraqiste e ta ruante në mënyrë sa më të plotë. Në parathënie ai e shpreh kështu qëllimin e tij në formë të përgjithshme: "... shpëtimi edhe dhënia brezave që vinë, i fjalëvet dhe tekstevet shqipe, të cilat, para disa vjetësh i mblodha me shumë mundim e shpenzime, dhe besoj se do të kenë një vleftë, sepse në këto duket origjina, karakteri, zakonet e racës shqiptare; veçanërisht dua që t'u ipet një shkak e një nxitje bashkatdhetarëve shqiptarë për kulturën edhe për të studiuar gjuhën e tyre amtare, në këtë mënyrë t'u sjell dobi që të mundin edhe këta të përparojnë...". Materiali i 'Bletës Shqiptare' është klasifikuar dhe renditur sipas gjinive. Kështu, libri përfshin pjesë me këngë të vegjëlish, këngë për festat popullore të motmotit, këngë dashurie, këngë dasme, nizami, kurbeti, vaje e këngë vajë, balada, epika historike, si dhe përralla, fabula e anekdota, kurse si shtojcë ka një fjalor shqip-greqisht. Me këtë përmbajtje për

    __________________________________________________ _________________

    56 kr. Haxhihasani 1962, Qosja 1982, vëll. 2, f. 235-264, Shuteriqi 1979a, f. 201-218, dhe Mitko 1981.
    __________________________________________________ _________________

    atë kohë kjo përbënte një vepër themelore për letërsinë gojore shqiptare. Por në Evropën Perëndimore lëvizja e romantizmit kishte rënë prej kohësh dhe bashkë me të edhe interesimi për letërsinë gojore e për traditat folklorike. Kjo rrethanë bëri që përmbledhja e Mitkos të mos pritej në botë me atë vëmendje që meritonte. Vepra u ripërgatit për botim nga Gjergj Pekmezi (1872-1938) në Vjenë më 1924, duke përdorur alfabetin shqiptar të kohës, me titullin Bleta shqypëtare e Thimi Mitkos dhe në këtë variant u prit më mirë. Mitkoja hartoi edhe një përmbledhje tjetër shtojcë me letërsi gojore shqiptare, e cila njihet me emrin 'Bleta e vogël', por nuk mundi kurrë ta botojë. I pabotuar mbeti edhe fjalori i tij shqip-greqisht në rreth 3000 faqe dorëshkrim, i cili u zbulua më vonë në Aleksandri. Dorëshkrime të tjera të tij, që presin të studiohen, janë ato që gjenden në Koleksionin Shqiptar të Bibliotekës Mbretërore në Kopenhagë (57).

    Përveç interesimit për letërsinë gojore, Mitkoja ishte aktiv edhe në lëvizjen kombëtare, sidomos si autor i të paktën pesë artikujve në periodikë evropianë në mbështetje të çështjes shqiptare. Kur shpërtheu lufta me Malin e Zi në fund të vitit 1880, ai shpërndau një përkthim shqip të Marsejezës. Më 1881 Thimi Mitkoja qe një nga anëtarët themelues të seksionit egjiptian të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip e më pas ndërmori shpërndarjen në Egjipt të së përmuajshmes së Jeronim De Radës Fiàmuri Arbërit, që u botua nga korriku 1883 deri në nëntor 1887 në Kalabri. Ai shkroi edhe pak poezi, por të pesëmbëdhjetë vjershat që janë ruajtur - njëra prej tyre ndodhet në antologjinë e Dhimitër Kamardës A Dora d'Istria gli Albanesi, Livorno 1870 (Dora d'Istrias shqiptarët) - nuk kanë ndonjë vlerë letrare të veçantë. Me interes letrar dhe historik më të madh është letërkëmbimi i tij i vëllimshëm me albanologë të tjerë të shquar të kohës: Jeronim De Rada (1814-1903), Dhimitër Kamarda (1821-1882), Panajot Kupitori (1821-1881), Jan Urban Jarnik (1848-1923), Dora d'Istria (1828-1888), Kostandin Kristoforidhi (1830-1895), Vissar Dodani (rreth 1857-1939) dhe Gustav Majer (1850-1900).

    Përpjekjet e Thimi Mitkos në fushën e folklorit u vazhduan nga bashkatdhetari i tij Spiro Risto Dine (58) (1846?-1922) nga Vithkuqi në krahinën e Korçës. Siç thotë vetë, Dinia që fëmijë kishte mësuar alfabetin e Veqilharxhit nga mësuesi i tij i shkollës Than Xheka në fshatin Treskë. Dinia emigroi në Egjipt më 1866, në moshën njëzet vjeç, rreth një vit pas Thimi Mitkos, të cilin e takoi atje e me të cilin pas pak kohe do të bashkëpunonte për përmbledhjen e Mitkos me këngë dhe përralla popullore shqiptare. Ai ishte edhe anëtar themelues i seksionit të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip në Egjipt më 1881. Ndërkohë që ishte në Shibîn el Kôm, Spiro Dinia pati letërkëmbim me Jeronim De Radën dhe u frymëzua nga veprimtaria e vëllezërve Frashëri. Më vonë në jetë do të entusiazmohej sidomos nga botimi i poemës epike të Naim Frashërit Istori' e Skënderbeut, Bukuresht 1898, e cila ishte vepra poetike më e dashur për të. Vdiq më 12 prill 1922 në Egjipt. Libri për të cilin përmendet Spiro Dinia, madje i vetmi botim i rëndësishëm i tij, është një përmbledhje monumentale 856 faqesh me folklor e letërsi shqiptare, i titulluar Valët e detit, Sofje 1908. Këtë titull Dinia e zgjodhi për të simbolizuar rrugën e mundimshme të historisë së Shqipërisë si dhe dallgët e njëpasnjëshme të pushtimeve që kishin pllakosur atdheun e tij. Valët e detit është e ndarë në dy pjesë. Në 412 faqet e para kemi poezi atdhetare të vetë Dines, asnjë nga të cilat nuk është tërheqëse për lexuesin e sotëm, si dhe poezi të shkrimtarëve të tjerë e të udhëheqësve kombëtarë të periudhës së Rilindjes: Koto Hoxhi, Thimi Thoma Kreji, Kostandin Kristoforidhi, Anastas Kullurioti, Loni Logori dhe Jani Vreto. Ndonjë vjershë atdhetare, ndonëse disi e fryrë e në traditën e Rilindjes, iu kushtohet albanologëve të shquar si Johan Georg fon Han, Dora d'Istria dhe Kostandin Kristoforidhi. Pjesa e dytë e veprës i kushtohet letërsisë folklorike; ndër to gjejmë këngë dashurie, këngë dasme, vaje, vargje humoristike e

    __________________________________________________ _________________

    57 kr. Gangale 1973, f. 19 (II 13), f. 44 (III 1, III 2, III 19).

    58 kr. Mann 1955, f. 47-48, Faensen 1980, f. 95, dhe për gjuhën e tij Hidi 1987.
    __________________________________________________ _________________

  2. #52
    satirike, ndonjë vjershë fetare e didaktike, përralla dhe mitologji. Në kohën e botimit Valët e detit ishte libri më i madh në faqe se çdo libër tjetër shqip i botuar deri atëherë.

    Shtjefën Konstantin Gjeçov-Kryeziu, zakonisht i njohur me emrin Shtjefën Gjeçovi (59) (1874-1929) ishte i pari folklorist shqiptar që mblodhi letërsinë gojore në një mënyrë më sistematike e më shkencore. Ka lindur në fshatin Janjevë në jug të Prishtinës në Kosovë më 12 korrik 1874 (sipas burimesh të tjera, më 3 tetor 1873). Në shkollën e vendlindjes qe nxënësi më i mirë e me dhunti të jashtëzakonshme. Për këtë arsye, autoritetet kishtare të Shkupit e dërguan që të vogël në seminarin françeskan të Troshanit në veri të Lezhës. Më 1888, në moshën katëmbëdhjetë vjeç, u dërgua për të vazhduar shkollën në institucione arsimore françeskane në Bosnjë. Më 15 gusht 1892, hyri në seminarin e Fojnicës pranë Sarajevës, vazhdoi pastaj në Derventa (1893) dhe Banja Luka (1893) në Bosnjën veriore dhe më pas hyri në seminarin françeskan të Kreshevës, përsëri afër Sarajevës, ku studioi teologji së bashku me shokun e klasës Pashko Bardhi (1870-1948), i cili më vonë do të bëhej gazetar i njohur dhe pronar i revistës kulturore të Shkodrës Hylli i Dritës. Gjeçovi i ri u shugurua prift i urdhrit françeskan më 1896 dhe po atë vit u kthye në Shqipëri. Shërbeu si famullitar në Pejë dhe më 1905-1906 zuri vendin e shokut të tij Pashko Bardhi si mësues i shqipes në fshatin shqipfolës Arbanasi (ital. Borgo Erizzo), në rrethinat jugore të Zarës (Zadar) në bregun e sipërm dalmat. Më vonë, Gjeçovi jetoi në një numër vendbanimesh të malësisë së thepisur të Shqipërisë së veriut, përfshirë Laçin rrëzë malësisë së Kurbinit (rreth viteve 1899-1905), Gomsiqen, në lindje të Shkodrës (1907-1915), Thethin në cepin verior (1916-1917), dhe Rubikun në rrethin e Mirditës (rreth v. 1919-1921). Pikërisht këtu mes fisesh malësore ai filloi të mbledhë material për letërsinë gojore, kanunin fisnor, arkeologjinë, si edhe objekte të kulturës popullore.

    Ndër botimet më të para të Shtjefën Gjeçovit janë dymbëdhjetë vjersha që dolën nën pseudonimin Lkeni i Hasit në organin me influencë të Faik Konicës Albania më 1901-1902. Ai është autor edhe i disa krijimeve dhe përkthimeve fetare, të cilat i shkroi dhe i botoi alfabetin e shkrimtarëve katolikë të shekullit të shtatëmbëdhjetë (Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani). Disa prej tyre tani gjenden rrallë, si Pajtoria e Durzit a se Sc' Lucia, Shkodër 1902,1904 (Pajtorja e Durrësit ose Shën Luçia), dy kopje të së cilës gjenden në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë; Atil Rreguli, Shkodër 1912, përkthim shqip i pjesës me tri akte 'Atilio Regolo' të poetit dhe melodramaturgut italian Pietro Metastasio (1698-1782); Shna Ndou i Padues, Shkodër 1912, përkthim i një vepre të një të quajturi A.N. Dal-Gal; dhe Joana d'Ark, Shkodër 1915/1916, po kështu përkthimi i një vepre të një të quajturi A. F. nga Bergamo. Ai gjithashtu la pa botuar përkthime të sentencave të Sokratit, të romanit polak shumë të lexuar Quo vadis (1916) të Henrik Shenkieviçit (Henryk Sienkiewicz, 1846-1916) dhe pjesëve nga 'Scritti su Parga' të poetit neoklasik italian Ugo Foskolo (1778-1827). Përveç kësaj, Gjeçovi na ka lënë si trashëgim gjithsej tridhjetë e tetë vepra origjinale ende të pabotuara, ndër to shtatë pjesë teatrore dhe disa tregime. Nga pjesët teatrore mund të përmendim Mojsi Golemi dhe tragjikomedia kombëtare Mark Kuli Kryeqitas, të cilat, edhe pse aspak të përpunuara, kanë vendin e tyre në fillimet e historisë së teatrit shqiptar. Një numër nga këto vepra ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë.

    Vështruar nga ana stilistike, veprat e Gjeçovit nuk kanë ndonjë nivel artistik fort të lartë, ndonëse, si rregull, e tregojnë përkatësinë e fortë ndaj gegërishtes dhe njohjen e shkëlqyer të saj me fjalorin e pasur dhe frazeologjinë shprehëse e të larmishme. Ndërkaq gjuha e tij është përgjithësisht lakonike dhe e ngjeshur. Kritikët e kanë cilësuar purist në gjuhë, ashtu si Anton Xanoni (1862-1915) dhe Mati Logoreci (1867-1941). Po ashtu si këta, ai ndiente kënaqësi të thellë me fjalët e rralla dhe me shprehjet tipike veriore, që kuptoheshin vetëm në këto krahina. Ndër botimet e tij më me interes është libri 144 faqesh Agimi i gjytetniis, Shkodër 1910,

    __________________________________________________ _________________

    59 kr. Ajeti 1951, Mata 1982, Gjeçovi 1985, dhe Malaj 1990, f. 34-35.
    __________________________________________________ _________________

    kushtuar Gjergj Fishtës, i cili përmban një përmbledhje artikujsh didaktikë dhe aforizmash për Shqipërinë dhe gjuhën e saj. Në këtë monografi të shkruar gegërisht mendimet i enden nga njëri filozof a shkrimtar i madh tek tjetri dhe në epoka të ndryshme. Artikujt janë të grupuar në mënyrë disi të përgjithshme sipas kësaj tematike: shoqnija, besimi e atëdheu, atdhedashnija, dhe giuha. Ai është edhe autor i një numri artikujsh dhe studimesh, të botuara e të pabotuara, për historinë, etnografinë dhe arkeologjinë e Shqipërisë. Gjeçovi madje ishte arkeolog i flaktë, sidomos në Gomsiqe e më pas në Zym, një fshat në Has afër Prizrenit. Një dëshmi e entusiazmit të tij për gërmime, për të zbuluar lashtësinë e Shqipërisë, mund të gjendet në Trashigime thrako-ilirjane, një seri artikujsh studimorë të botuar në Hylli i Dritës më 1924. Në një studim tjetër, Nji argtim arheologjik, i cili doli në revistën françeskane Zâni i Shna Ndout në korrik 1920, ai na thotë: "Arheologjia asht nji argtim aq i kandshëm, sa s'kallxohet me gojë, e sa asht i kandshëm, aq e ma asht i vlefshëm... Shifni, pra, se gadi kurrnji ndryshim s'ka ndërmjet arheologut e letrarit, qëllimi i njanit e i tjetrit ka nji qandërr e asht e mira e vendit e të qitunit në dritë të visarit kombtar".

    Shtjefën Gjeçovi si studiues i kulturës shqiptare nuk la gjurmë vetëm në fushën e arkeologjisë. Ai përmendet kryesisht për kodifikimin monumental dhe botimin e së drejtës zakonore shqiptare, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër 1933, i cili së pari u botua pjesë-pjesë në Albania të Faik Konicës më 1898 dhe 1899, e pastaj më gjerë në revistën e Shkodrës Hylli i Dritës nga 1913 deri 1924. Kanuni i Lekë Dukagjinit është unikal si shkrim e përmbledhje e ligjit të pashkruar të fiseve malësore të Shqipërisë së veriut. Ky kanun ishte ai që drejtonte dhe rregullonte sjelljen në shoqëri, madje çdo anë të jetës në trevat e veçuara e të thella të malësisë së veriut. Ai respektohej me rreptësi nga fiset dhe kishte përparësi mbi çdo legjislacion tjetër, qoftë ekleziastik apo laik, që orvatej të zinte vend në malësi. Me anën e këtij kodi ligjor të lashtë fiset malësore qenë në gjendje të ruajnë identitetin e tyre, autonominë e tyre, edhe pse për pesë shekuj me radhë qenë zyrtarisht pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane. Vëzhguesit të sotëm mund t'i duken barbare disa aspekte të Kanunit si përcaktimi i gjakmarrjes si mjet i kërkimit të drejtësisë dhe statusi tepër inferior i gruas, së cilës i mohoheshin jo vetëm të drejtat e privilegjet e burrit, por edhe të gjitha detyrat e tij. Kanuni thotë shprehimisht: "grueja âsht shakull për me bajtë". Megjithatë, këto tipare vetvetiu pasqyrojnë realitetin social të fiseve patriarkale që aq shumë i nënshtroheshin gjakmarrjes.

    Gjakmarrja, ndonëse shumë e pakësuar në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, prapëseprapë ka mbetur një tipar i shoqërisë shqiptare në veri, sidomos në Kosovë, ku realisht mijëra familje kanë rënë në grackën e riteve të gjakut dhe kanë mbetur të ngujuara edhe sot e kësaj dite. Një fushatë kundër gjakmarrjes më 1990, e drejtuar nga një komitet intelektualësh të shquar shqiptarë të Kosovës dhe në veçanti nga etnografi Anton Çetta (1920-1995), shpuri në pajtimin e mbi nëntëqind gjaqeve nëpërmjet skenash emocionuese dramatike të tubimeve të mëdha. Një nocion i kanunit fisnor, që ende shihet me një farë adhurimi apo të paktën mrekullimi, është ai i besës, mbajtja absolute e fjalës së dhënë, çfarëdo që të ndodhë. Kanuni i Lekë Dukagjinit ka qenë objekt që ka tërhequr mjaft historianë, specialistë të drejtësisë dhe etnografë, jo vetëm në Shqipëri e në Kosovë por edhe më gjerë. Kanuni është përkthyer italisht nga Pal Dodaj (Romë 1941) dhe anglisht nga Leonard Foks (Leonard Fox) (Nju Jork 1989).

    Më 1926 atë Shtjefën Gjeçovi u transferua në famullinë e Zymit, një nga fshatrat katolike në krahinën e Hasit midis Prizrenit dhe Gjakovës në Kosovë. Atje, me famën që gëzonte si luftëtar kombëtar shqiptar i vendosur dhe si studiues i interesuar në zbulimin dhe nxjerrjen në dritë të lashtësisë së popullit të vet, ai ndezi urrejtjen e popullsisë serbe vendëse e të autoriteteve serbe. U vra afër Zymit më 14 tetor 1929, rrugës kur po kthehej në shtëpi nga Prizreni. Vrasja e Shtjefën Gjeçovit ishte një humbje për etnografinë dhe arkeologjinë shqiptare dhe shkaktoi një tronditje të madhe në popull anembanë vendit. Në Tiranë Parlamenti e përkujtoi vdekjen e tij me një radhë ligjërimesh prekëse më 11 nëntor të atij viti. Varri i Shtjefën Gjeçovit në Karashëngjergj afër Prizrenit ka mbetur një vend pelegrinazhi për shqiptarët e të gjitha besimeve edhe sot e kësaj dite me gjithë mospëlqimin dhe zemërimin e autoriteteve serbe, që ende përpiqen ta mbajnë Kosovën në zotërim të tyre me çdo çmim.

  3. #53
    9.8 Lindja e gazetarisë shqiptare



    Në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë Shqipëria po lëngonte nën kandilin që po fikej të Perandorisë Osmane. I Sëmuri i Bosforit nuk kishte më çfarë t'i ofronte këtij populli që tani po kërcënohej më shumë se kurrë nga asimilimi kulturor. Ishte lëvizja e Rilindjes, e zgjimit kombëtar, ajo që, sikundër e pamë, shprehu vullnetin e Shqipërisë për të mbijetuar. Në rrethana të tilla të vështira është e lehtë të vihet re e të çmohet fakti se shtrati kryesor i letërsisë
    në këtë periudhë ishte vetëm ai kombëtar dhe politik. Nuk ishte koha për ushtrime artistike e letrare abstrakte pa lidhje me realitetin kombëtar e politik. Shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë para së gjithash shqetësoheshin për çlirimin e popullit të tyre nga 'zgjedha turke', për arsimimin dhe përparimin kulturor të një populli të lënë prapa në pluhurin e historisë, për të ushqyer ndjenjën e identitetit kombëtar në mendjet dhe zemrat e bashkëkombasve shqiptarë, të ndarë sikundër qenë në fe të ndryshme e në sfera të ndryshme kulture të huaj. Fryma e romantizmit kombëtar në letërsinë që po lindte në këtë periudhë, pati vërtet ndikimin e vet në masat e gjera. Thirrja poetike e Pashko Vasës drejtuar bashkatdhetarëve për të shpëtuar Shqipërinë, nënën e tyre të "rrëxue e të bamun trok," ishte dëgjuar kudo, kurse vjershat patriotike të Naim Frashërit këndoheshin e pëlqeheshin gjithandej. E vërtetë është se poezitë politike do të zgjonin deri diku mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, por ato nuk do të mjaftonin.

    Përhapja e informacionit, e ideve, e veprave të letërsisë artistike të shkruara shqip, të gjitha këto tipare të një kulture të re në zhvillim, kërkonin gazeta dhe mjete botimi. Kjo është arsyeja që gazetaria luajti një rol vendimtar në letërsinë e Rilindjes të çerekut të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë, organe periodike në gjuhën shqipe shpërthyen e lindën në të gjitha qytetet më të mëdha të Ballkanit, si në Konstantinopojë, Bukuresht, Sofje, Selanik dhe Athinë, dhe i çuan idealet e Rilindjes edhe në qoshet më të humbura të trevave ku flitej shqip (60). Botimet në gjuhën shqipe në fillim qenë të rralla. Disa organe shtypi të vjetra në gjuhë të huaja në Ballkan botonin nganjëherë ndonjë artikull në gjuhën shqipe: Pellazgos, një e përjavshme politike shoqërore në gjuhën greke për shqiptarët dhe grekët, që u botua në Lamia nga Anastas Byku; Ishkodra, organi zyrtar në gjuhën turke i vilajetit të Shkodrës, që dilte çdo javë më 1879 e që një vit më pas u vu në shërbim të Lidhjes së Prizrenit; dhe e përjavshmja që e kemi përmendur e Anastas Kulluriotit, Hê fônê tês Albanias (Zëri i Shqipërisë), 1879-1880, që dilte në Athinë dhe kërkonte një Shqipëri të bashkuar e të pavarur.

    Vetë botimi i gazetave në gjuhën shqipe e ka zanafillën në Konstantinopojë me organin Drita, që më pas mori emrin Diturija, e cila u botua nga Shoqëria e të shtypuri shkronja shqip nga gushti 1884 deri në korrik 1885. Kryeredaktori i kësaj gazete të parë shqiptare në Perandorinë Osmane qe Pandeli Sotiri (1852-1890) nga fshati malor Selckë afër Gjirokastrës, i cili luajti një rol të dorës së parë në themelimin e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887. Në punën e botimeve, veçanërisht aktive, sikundër kemi theksuar, kanë qenë kolonitë

    __________________________________________________ _________________


    60 Për shtypin e Rilindjes, kr. Daka 1971-1974, Sokolova 1979, dhe Körner 1982.
    __________________________________________________ _________________

    shqiptare të Rumanisë (61). Pikërisht këtu filloi shtypjen e librave më 1886 e para shtypshkronjë në gjuhën shqipe, e ngritur nga Jani Vretoja. Më 15 maj 1887 në Braila, në Danubin e poshtëm, doli numri i parë i së përjavshmes Drita, më vonë në rumanishte Lumina. Një vit pas Dritës doli me katër faqe Shqipëtari/Albanezul, që u botua në Bukuresht më 7 gusht 1888 nga shoqëria Drita nën redaktimin e Nikolla Naços (1843-1913) nga Korça, i cili më vonë do të themelonte një institut kulturor shqiptaro-rumun për përgatitjen e mësuesve shqiptarë. Kjo e përjavshme, me artikuj në shqipe, rumanishte dhe frëngjishte, doli me ndërprerje pesë vjet deri më 1903, me një jetëgjatësi të shënuar për organet e shtypit shqiptar të kohës. Një e përjavshme tjetër e Bukureshtit, ku u shpallën qartë qëllimet e lëvizjes kombëtare, ishte Shqipëria, 1897-1899, në katër faqe, që botohej shqip, rumanisht, frëngjisht e greqisht nga një komitet i shoqërisë Dituria, vazhduese e shoqërisë Drita, e kryesuar nga Vissar Dodani dhe Jorgji Meksi. Ajo jep të dhëna të shkëlqyeshme për lëvizjen kombëtare në Rumani dhe gjetiu gjatë atyre dy viteve edhe për studiuesit e sotëm.

    Botuesi i gazetës Shqipëria Vissar Dodani (62) (rreth v. 1857-1939) prej Korçe u frymëzua ndër të tjera nga botimi i 'Bletës shqiptare' të Thimi Mitkos më 1878, për t'ia kushtuar energjitë e veta lëvizjes kombëtare. Në mars 1880 emigroi në Bukuresht, ku kishte xhaxhanë, për të gjetur punë si tregtar, kurse më 1884 u bë anëtar i shoqërisë Drita. E përjavshmja e tij, më pas e përdyjavshme, Shqipëria, që doli në gjashtëdhjetenjë numra nga 10 maj 1897 deri më 18 qershor 1899, kishte për qëllim forcimin e unitetit të shqiptarëve të të gjitha besimeve fetare. Por Vissar Dodani nuk qe vetëm botues. Ai qe autor i një letërkëmbimi të vëlllimshëm me figura të tjera udhëheqëse të Rilindjes, si dhe i një libri me titullin Mialt' é mblétese, Bukuresht 1898 (Mjalti i bletës), një antologji 244-faqesh me poezi, fjalë të urta dhe përralla popullore, që jo rastësisht të kujton 'Bletën shqiptare' të Thimi Mitkos të botuar njëzet vjet më përpara. Në të Dodani mblodhi poezinë e tij si dhe poezi të shkrimtarëve të tjerë të Rilindjes, ndër ta Jani Vreto, Pashko Vasa, Faik Konica, Thimi Mitko, Zef Skiroi dhe Naim Frashëri.

    Një pjesë e mirë e materialit të 'Mjaltit të bletës' ishte botuar më përpara në Shqipëria. Dodani botoi gjithashtu një poemë satirike me 1332 vargje me titullin Tringëllim a Serb'e zuzarëvet, Bukuresht 1903, dhe përktheu vepra mjaft të ndryshme nga njëra-tjetra, që nga përrallat arabe të Dervish Abdul Bekirit deri te libreti i operës së Verdit Trovatore, Bukuresht 1910. Më 1915, Dodani u shpërngul në Gjenevë dhe shërbeu në dhjetor 1918 si sekretar i komitetit kombëtar shqiptar të kryesuar nga Turhan pasha, kryetar i qeverisë së përkohëshme të Durrësit, e cila kërkonte njohje ndërkombëtare në Evropën pas Luftës së Parë Botërore. Në vjeshtë 1919 Dodani u kthye në Rumani. Më pas ai ka botuar librin 200 faqesh Memoriet e mija - kujtime nga shvillimet e para të rilindjes të kombit shqipëtar ndë Bukuresht, Konstancë 1930, ku përfshiu letërkëmbimin e tij me shumë figura udhëheqëse të periudhës së Rilindjes. Vdiq në kryeqytetin rumun më 16 mars 1939.

    Jorgji Meksi (63) (1860-1942), kishte studiuar gazetari në Athinë para se të emigronte në Bukuresht për të themeluar së bashku me Vissar Dodanin periodikun Shqipëria, ku botoi mjaft artikuj për gjuhën shqipe, arsimin dhe politikën. Gaetano Petrotta (1882-1952) e ka quajtur Nestor të gazetarisë shqiptare (64). Më pas Meksi bashkëpunoi në Gjirokastër me gazetën e përjavshme Demokratia të Xhevat Kallajxhiut (1904-1989), e cila doli nga 1925 deri 1939. Nga

    __________________________________________________ _________________

    61 Për një vështrim mbi shtypin shqiptar në Rumani, kr. Bala 1964.

    62 kr. Petrotta 1950b, f. 198-200.

    63 kr. Petrotta 1950b, f. 200-201.

    64 kr. Petrotta 1950b, f. 200.
    __________________________________________________ _________________

    janari 1932 deri në korrik 1934 si dhe nga shkurti 1938 e deri në fund këtë gazetë e redaktoi vetë Meksi.

    Jashar S. Erebara (1872-1953) ka qenë gazetar, politikan dhe atdhetar nga Dibra, i cili pati emigruar për t'iu shtuar radhëve të shumta të bashkësisë shqiptare të kolonisë së Bukureshtit. Atje ndoqi studimet në institutin kulturor shqiptaro-rumun për përgatitje mësuesish, i themeluar në vjeshtë 1892 nga Nikolla Naçoja (1843-1913), e më pas punoi në administratën osmane derisa u dëbua për shkak se jepte mësim gjuhën shqipe. Erebara bashkëpunoi me një numër organesh shtypi shqip, sidomos me Shqipërinë e Vissar Dodanit. Në qershor 1902 themeloi gazetën e vet Albanija në Beograd, e cila doli deri më 1906. Motoja e këtij organi ishte 'Shkipnija e Shkiptarvet'. Erebara mori pjesë aktive në komitetet revolucionare anembanë Ballkanit në mbrojtje të interesave shqiptare ndërkohë që gadishulli dalëngadalë po hynte në luftë. Në gusht 1911 themeloi një gazetë tjetër, Shkupi, në Shkup për të mbrojtur interesat e kombit. Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në nëntor 1912, Jashar Erebara u bë deputet në parlamentin shqiptar dhe u përpoq për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

    Aktiv si botues dhe figurë e lëvizjes kombëtare në Bukuresht, e më pas gjetiu, ka qenë edhe Dervish Hima (65) (1873-1928), pseudonimi i Ibrahim Mehmet Naxhiut nga Struga në breg të liqenit të Ohrit. Hima ndoqi shkollën në Manastir e Selanik, dhe studioi dy vjet mjekësi në Konstantinopojë, ku në fillim mbështeti lëvizjen e xhonturqve dhe nisi të mendojë për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Nga viti 1895 e deri në Luftën I Botërore u end pa u lodhur nga njeri vend në tjetrin, duke propaganduar çështjen shqiptare me artikuj e pamflete. Dervish Hima ishte kundërshtar i papajtueshëm i sundimit turk në Shqipëri dhe autor i një numri manifestesh radikale që bënin thirrje për luftë të përgjithshme kundër Portës. Si i tillë, ai u ndoq këmba- këmbës nga autoritetet osmane kudo që shkonte dhe u burgos disa herë. Në Bukuresht botoi gazetën jetëshkurtër Pavarësia e Shqipërisë, e cila doli më 1898 shqip, frëngjisht dhe rumanisht. Në tetorin e vitit tjetër u shtrëngua të ikë nga Rumania në Romë, ku bashkëpunoi me Mehmed bej Frashërin në të përdyjavshmen Zën' i Shqipënisë, që dilte frëngjisht dhe shqip. Më 1903 Dervish Hima botoi të përdyjavshmen L'Albanie në Gjenevë, e cila vazhdoi si e përmuajshme nga 1905 deri më 1906 në Bruksel. Më 1909 e gjejmë në Konstantinopojë ku nxirrte të përjavshmen Shqipëtari-Arnavud me Hilë Mosin, një organ periodik turqisht dhe shqip i financuar nga Austro-Hungaria. Kjo gazetë zgjati derisa u ndalua më 1910. Dervish Hima mori pjesë aktive në jetën publike edhe pas shpalljes së pavarësisë në nëntor 1912. Në vjeshtën e vitit 1917 u emërua nga autoritetet austro-hungareze inspektor arsimi për qarkun e Tiranës, kurse më 1920 u bë i pari drejtor i zyrës së shtypit në Shqipëri.

    Brenda Shqipërisë, i vetmi organ shtypi në gjuhën shqipe në shekullin e nëntëmbëdhjetë ka qenë e përmuajshmja fetare, e përmendur më parë, Elçija i Zemers t'Jezu Krisctit, që shtypej në Shkodër në Shtypshkroja e Zojës s'Paperlyeme, të ngritur nga jezuitët më 1870. Botimi i kësaj reviste, në fillim me katër faqe, filloi në mars 1891. Pak e nga pak faqet u shtuan në tetë, dymbëdhjetë e në fund në gjashtëmbëdhjetë, kurse nga 1908 deri më 1914 pati edhe një shtojcë letrare e kulturore. Më 1914 titulli u ndryshua për të tingëlluar më shqip, Lajmtari i Zemers t'Jezu Krishtit. Po atë vit, shtojca letrare e kulturore doli si revistë mujore më vete, Përparimi, që zgjati nga janari 1914 deri më 1916. Lajmtari i Zemers t'Jezu Krishtit qe themeluar nga padër Domeniko Pasi (66) (Domenico Pasi, 1847-1914) nga Verona, i cili kishte themeluar edhe qendrën misionare jezuite në Shkodër më 1888 dhe bashkëpunoi me revistën me përkthime të një numri himnesh në shqipe deri në fund të jetës së tij. Por Lajmtari i Zemers t'Jezu Krishtit

    __________________________________________________ _________________

    65 kr. Kaleshi në: Bernath (red.) 1974-, f. 161-164, Prifti 1987, dhe Kaleshi 1991, f. 88-97.

    66 kr. Cordignano 1933-1934, dhe Jesuits... 1988, f. 72.
    __________________________________________________ _________________

  4. #54
    mbeti një dukuri e veçantë, sepse në Shqipëri nuk kishte qendra banimi aq të mëdha sa të ofronin infrastrukturën e nevojshme për botim. As Shkodra e Korça, të vetmet qytete për të cilat mund të flitej në Shqipëri, nuk mund të krahasoheshin me ato qytete jashtë ku shqiptarët po emigronin në numër përherë e më të madh. Kryeqyteti i Bullgarisë Sofje, ashtu si Bukureshti, ishte bërë qendër e emigracionit shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë (67). Edhe këtu udhëheqësit e bashkësisë shqiptare, të nxitur nga kultura e zgjimit kombëtar, nisën të organizojnë veprimtari kulturore kombëtare. Ndër figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare në Sofje ishte Shahin bej Kolonja (68) (1865-1919) nga Starja e Kolonjës afër Korçës. Ai kishte kryer më 1895 Mülkijen, një shkollë e njohur e administrimit publik në Konstantinopojë, dhe kishte qenë mësues në disa shkolla të mesme turke. Mbahet mend sidomos si botues i së përdyjavëshmes Drita (69), që e nxori në Sofje në 101 numra nga nëntori 1901 deri më 1908 për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar. Kolonja ua shpërndau këtë gazetë shtatëqind pajtimtarëve në mbarë Perandorinë Osmane me ndihmën e konsullatave austro-hungareze. Drita, e shtypur në gjuhën shqipe me ndonjë artikull të rastit greqisht, turqisht apo frëngjisht, luajti rol në zgjimin e identitetit kombëtar ndër shqiptarët. Në këtë gazetë Sami Frashëri ribotoi manifestin e tij politik Shqipëria - Ç'ka qënë, ç'është e çdo të bëhetë? e po aty Kolonja e përktheu atë në turqishte dhe e botoi me titullin Arnavutluk ne idi, ne dir ve ne olacak; ai botoi në disa numra edhe tregimin Oxaku (Oxhaku) të Mihal Gramenos.

    Veprimtaria publicistike gazetare e Kolonjës qe lehtësuar mjaft nga shtypshkronja Mbrothësia e ngritur prej Kristo Luarasit (1875-1934) nga fshati Luaras i Kolonjës. Kristo Luarasi mësimet e para i mori në shkollën e fshatit Hotovë nga mësuesi dhe botuesi Petro Nini Luarasi. Më 1892, pasi autoritetet osmane i mbyllën shkollat në gjuhën shqipe, emigroi në Rumani dhe gjeti punë si tipograf. Më 1896 u shpërngul në Sofje dhe ngriti shtypshkronjën Mbrothësia, e cila do të luante një rol të jashtëzakonshëm në përhapjen e letërsisë shqiptare. Së bashku me Kosta Jani Trebickën dhe Mid'hat bej Frashërin (1880-1949), botoi almanakun kulturor Ditërëfenjës ose Kalendari kombiar, i cili doli çdo vit, me disa ndërprerje të gjata, nga 1897 deri 1928. Kalendarët kombëtarë qenë vepra relativisht të rëndësishme në historinë e letërsisë shqiptare përderisa, ashtu si almanakët familjarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë në bashkësitë fshatare të prerive të Amerikës së Veriut, lexoheshin në mjaft shtëpi. Këta almanakë e bënin publikun e gjerë ta ndiente se ekzistonte një letërsi shqiptare, publik që përndryshe kishte pak kontakt me veprat bashkëkohore të prozës dhe poezisë shqiptare. Por për Kristo Luarasin ky qe vetëm fillimi. Në shtypshkronjën Mbrothësia ai botoi edhe tridhjetë e shtatë monografi nga letërsia shqiptare, ndër to veprat e Spiro Dines, Mihal Gramenos, Papa Kristo Negovanit, Mid'hat bej Frashërit [Lumo Skëndo] dhe Hilë Mosit. Ai gjithashtu ribotoi veprat e Naim dhe Sami Frashërit, duke e mundësuar shpërndarjen masive të këtyre veprave të rëndësishme. Kristo Luarasi kreu udhëtime në Korfuz, Itali dhe Konstantinopojë për të bashkërenduar punët e lëvizjes kombëtare e për të nxitur botimet në gjuhën shqipe. Në Sofje bashkëpunoi me Shahin Kolonjën në themelimin e organit Drita, që përmendëm më lart. Pas revolucionit të xhonturqve Luarasi e transferoi shtypshkronjën në Selanik, ku gjatë një viti nxori rreth gjashtëdhjetë vepra: libra, gazeta, revista dhe mbi 10.000 abetare, që i shpërndau falas në popullsinë shqipfolëse. Në mars 1910, pasi autoritetet turke kishin filluar ta shihnin me

    __________________________________________________ _________________

    67 Për emigracionin shqiptar në Rumani e Bullgari e për kulturën e Rilindjes atje, kr. Dërmaku 1987 dhe Maksutovic 1992.

    68 kr. Zallëmi 1962, dhe Tako 1984.

    69 kr. Behri në: Bihiku (red.) 1981, f. 578-609.
    __________________________________________________ _________________

    dyshim veprimtarinë e tij, e ktheu prapë shtypshkronjën në Sofje. Këtu ai botoi gazetën e përjavshme Liria e Shqipërisë nga 1911 deri më 1915. Më 1921 u kthye në Shqipëri dhe themeloi Shtypshkronjën Luarasi, e cila do të bëhej shtypshkronja më e madhe në vend.

    Kosta Jani Trebicka (vd. 1944) ishte partner i Luarasit në themelimin e shtypshkronjës Mbrothësia dhe në botimin e Kalendarit kombiar, që pati një ndikim të madh në mbarë vendin. Trebicka është edhe autor i disa poezive që u botuan në Albania të Faik Konicës, dhe përkthimeve të një proze në tri pjesë me titull Fushatë e vdekura të Sibirit (70) Bukuresht 1896, dhe pjesës në pesë akte Gjenoveva, Sofje 1908. Më 1901 ai ishte kryetar i shoqërisë Dëshira, një klub patriotik i themeluar në Sofje më 1893 për përgatitje mësuesish të shqipes. Dihet se pas një viti Trebicka dha gjuhë shqipe në një shkollë nate të hapur nga kjo shoqëri.

    Ndër shqiptarët aktivistë të lëvizjes kombëtare në Sofje në vitet e para të shekullit të njëzetë ka qenë Josif Jovan Bageri (71) (1870-1915), gazetar dhe poet nga Nistrova e Rekës në krahinën e Dibrës. Më 1887, në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç, Bageri u shpërngul në Sofje për të kërkuar punë dhe, pasi kaloi vështirësitë e para, filloi të punojë si këpucar për të nxjerrë bukën e gojës. Në kryeqytetin bullgar mësoi së pari gjuhën amtare dhe u lidh me figura të tjera të lëvizjes kombëtare shqiptare që jetonin atje, ndër ta ishin Dervish Hima dhe Jashar S. Erebara nga krahina e tij e Dibrës. Më 1893 u bë anëtar aktiv i shoqërisë atdhetare Dëshira. Botimet e tij të para qenë vjersha me tema kombëtare me frymëzim të zakonshëm rilindës, të cilat dolën në faqet e organeve Kalendari kombiar, Drita e Sofjes dhe Shpnesa e Shcypeniis e Nikolla bej Ivanajt nga 1899 deri më 1909, kur Bageri nxirrte gazetën e vet të përdyjavshme. Shqypéja e Shqypënis ishte një revistë e vogël por e bujshme, e cila nisi të botohej në Sofje më 15 maj 1909 dhe vazhdoi më vonë me një ndryshim të vogël në emër - Shqiponja e Shqipënis. Aty botoheshin lajme dhe shkrime të redaksisë shqip e bullgarisht për çështje të ditës, si dhe mjaft poezi me përmbajtje shoqërore e politike. Me gjithë përpjekjet e tij, Shqiponja e Shqipënis falimentoi dhe nuk shkoi më përtej muajit prill 1911. Në janar 1914, më shumë se një vit pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Bageri u shpërngul në Durrës për të nxjerrë të përjavshmen Ushtimi i Krujës, për të cilën kishte filluar punën nga nëntori i vitit të kaluar 'për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar'. Po edhe Ushtimi i Krujës pas pak kohe ndeshi në vështirësi financiare dhe u shtrëngua të ndërpresë botimin më 1914. I varfër e i këputur, i sëmurë nga tuberkulozi dhe i pafuqishëm për t'i bërë ballë rrëmujës politike e shoqërore të vendit që tani kishte kryeqytet portin Makiavelian të Durrësit, Bageri vendosi të largohet nga Shqipëria e të kthehet në Sofje. Vdiq rrugës për në Prishtinë më 1915. Josif Bageri ishte jo vetëm botues dhe gazetar, por edhe autor i një vëllimi modest me poezi e prozë në frymë të Rilindjes, shkruar në dialektin e vendlindjes, me titull Kopësht malsori, msime të shqyptarueta dhe vjersha, Sofje 1910.

    Thoma Abrami (1869-1943) ose Thoma Avrami ishte gazetar e poet nga Korça, që luajti një rol më aktiv në botimet shqipe në zgrip të shekullit. Bëri mjaft udhëtime nëpër ngulimet shqiptare jashtë (Sofje, Bukuresht, Egjipt dhe Konstantinopojë) duke punuar si gazetar dhe redaktor për zgjimin kombëtar. Më 1903 u bë redaktor i së përdyjavshmes Vetëtima që doli vetëm një numër në Sofje, dhe po atë vit i së përdyjavshmes Përlindja shqiptare që botohej në Bukuresht. Më 1904 themeloi revistën mujore Besa në Kajro me Milo Duçin (1870-1933), e cila u shpall si organ i bashkimit të atdhetarëve të vërtetë shqiptarë. Bashkëpunoi edhe me organe të tjera të kohës: me Dritën e Shahin Kolonjës në Sofje, me Shqipërinë e Vissar Dodanit në Bukuresht, me Albanian e Faik Konicës në Bruksel e më pas në Londër. Më 1908 përfaqësoi Korçën në Kongresin e Manastirit. Më pas Abrami botoi një revistë arsimore 16 faqesh në

    __________________________________________________ _________________

    70 kr. Falk 1896.

    71 kr. Mata 1983, dhe Berani 1988.
    __________________________________________________ _________________

    Korçë me titull Përlindja arësimtare, numri i parë i së cilës doli në qershor 1922. Përveç veprimtarisë publicistike, Thoma Abrami ishte edhe autor proze e poezie, si dhe përkthimesh nga greqishtja dhe arabishtja. Këto të fundit u botuan më 1925. Poezitë e tij lirike, shpesh me tema kombëtare, u botuan në disa nga organet e sipërpërmendura.

    I angazhuar për qëllimet e larta të zgjimit kombëtar në Sofje ishte edhe botuesi dhe shkrimtari Nikolla Lako (1880-1962) nga Korça. Ai botoi mjaft prozë e poezi si dhe një numër artikujsh në Kalendari kombiar, kurse vetë themeloi një tjetër revistë me emrin Shqipëria në Sofje më 1907. Shqipëria e Lakos ishte një revistë që nuk pati jetë të gjatë megjithëse u kushtohej çështjeve politike e shoqërore, kulturës, letërsisë dhe folklorit, përfshirë dhe ilustrime. Objektivi i shpallur i saj ishte mbrojtja e të drejtave të kombit shqiptar dhe nxitja e qytetërimit dhe përparimit të tij. Pasi u vendos me banim në Francë, Lakoja botoi një abetare e një gramatikë për shkollat fillore shqiptare që tani po ngriheshin anembanë Ballkanit: Stërvitjetore për nxënësit shqipëtarë, Paris 1909, dhe Shkronjëtore e gjuhësë shqip, Paris 1910. Ai ka gjasa të jetë edhe autor i rrëfenjave Miresia dhé ligesia dhe Te nghiarat' e nje hajduti ndene sundim të Haldupit, botuar në Paris më 1910 me pseudonimin Gjin Kroja (72). Më 1919 Lako nisi botimin e revistës politike dhe letrare Opinga në Paris (Boulogne/Seine), e cila u dallua si një organ i popullit shqiptar që kërkonte një Shqipëri autonome. Revista përmbante artikuj shqip dhe frëngjisht. Pas kthimit në Shqipëri bashkëpunoi me periodikun Gazeta e Korçës e më pas u vendos me banim në Tiranë. Lako mbahet mend për veprimtarinë kombëtare e botuese në periudhën e fundit të Rilindjes, e më pas si bamirës bujar për shkollat dhe bibliotekat e Korçës, ndërkaq edhe si botanist i shquar.

    Një gazetë tjetër shqiptare që propagandoi idealet e pavarësisë e të arsimit në gjuhën shqipe në mbarë Ballkanin ishte e përjavshmja Shpnesa e Shcypeniis, e botuar nga 1905 deri më 1908 në shqip, italisht dhe serbo-kroatisht nga botuesi, shkrimtari dhe figura kombëtare Nikolla bej Ivanaj (1879-1951). Në fillim doli në Dubrovnik, më pas në Trieste e në fund në Romë. Ivanaj pati lindur në Grudë, në rajonin e sotëm kufitar shqiptaro-malazez, dhe u rrit në Podgoricë të Malit të Zi. Thuhet se ka ndjekur studimet në Beograd, Vjenë, Zagreb dhe Dalmaci. Ivanaj ka mbajtur funksione të ndryshme nëpunësie në Serbi, ndër to edhe atë të sekretarit dhe përkthyesit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë. Pas pavarësisë së Shqipërisë Ivanaj botoi në Shkodër gazetën e përjavshme Lidhja kombëtare më 1915 në mbrojtje të vetqeverisjes dhe të drejtave kombëtare të Shqipërisë. Më 1919 mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe u kthye në Shqipëri për të themeluar dhe botuar gazetën e përdyjavshme Koha e re më 1919 dhe 1925, si dhe të përjavshmen Republika nga 1923 deri më 1925, të dyja në Shkodër. Gjatë Luftës së Dytë Botërore botoi librin autobiografik Historija e Shqipëniës së ré. Vuejtjet e veprimet e mija. Pjesa e parë, Tiranë 1943; Historija e Shqipëniës së ré, Pjesa e II-të, Tiranë 1945, i cili merrej kryesisht me rolin e klerit katolik, si dhe një vëllim me vjersha po në Tiranë, ku edhe vdiq.

    Veprimtaria letrare dhe publicistike e figurës kombëtare Risto Siliqi (73) (1882-1936) mbulon periudhën 1905-1915. Siliqi lindi më 10 gusht 1882 në një familje ortodokse në Shkodër, ku ndoqi mësimet në një shkollë fillore serbe e më pas në një shkollë të mesme turke. I frymëzuar nga leximi i veprave të Naim dhe Sami Frashërit, që në moshë të re mori pjesë në lëvizjen kombëtare shqiptare dhe, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë të veriut, u shtrëngua të ikë në Malin e Zi të pavarur për të kërkuar strehë nga gjendja e rrëmujshme politike në atdheun e tij nën pushtimin turk. Në Cetinjë, asokohe kryeqytet i Mbretërisë së Malit të Zi, Siliqi gjeti punë në kuzhinën e një hoteli, dhe falë arsimit fillor që kishte marrë në serbishte, mundi të

    __________________________________________________ _________________

    72 kr. Gjika, Studime filologjike, Tiranë 1980, 4, f. 83; Hetzer 1991a, f. 145.

    73 kr. Fullani 1956, dhe R. Siliqi 1956.
    __________________________________________________ _________________

  5. #55
    përfundojë shkollën. Vitet 1905-1907 ishin vite veprimtarie të madhe revolucionare e të fshehtë të intelektualëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Kudo po ngriheshin komitete revolucionare për të përgatitur një kryengritje të përgjithshme kundër sundimit osman. Shumë shqiptarë në veri të vendit i shikonin si me dyshim këto veprime, dhe kjo për vetë synimet e njohura të Malit të Zi ndaj Shqipërisë. Risto Siliqi hapi në Cetinjë një han me emrin 'Albania', që shërbeu si vend takimesh për luftëtarët kombëtarë shqiptarë. Ai gjithashtu bëri mjaft udhëtime në emër të komiteteve revolucionare për organizimin e qëndresës. Më 1911 mori pjesë aktive në kryengritjen e armatosur, e cila më në fund shpërtheu kundër sundimit turk në malësinë e Shqipërisë së veriut. Ngjarjet e kësaj kryengritjeje i hodhi në kronikën e tij Pasqyra diteve pergjakshme në të pêstin shekull Shqypêniis të robënume,Trieste 1912, e cila përmban edhe një shtojcë me trembëdhjetë vjersha patriotike. Pas pavarësisë, së bashku me shkrimtarin dhe poetin Hilë Mosi dhe Karlo Sumën, botoi në Shkodër gazetën e përjavshme Shqypnia e re, gazetë që pa dritën më 15 qershor 1913 e që vazhdoi deri më 1914. Më pas punoi si avokat në Shkodër ku dhe vdiq më 1 maj 1936. Siliqi është edhe autor i rreth 4,000 vargjeve kryesisht patriotike me frymëzim të zakonshëm kombëtar, disa prej të cilave janë botuar në organe të kohës si Kalendari kombiar dhe Liria e Shqipërisë në Sofje.

    Shekulli i nëntëmbëdhjetë provoi emigrim të shqiptarëve jo vetëm në Rumaninë e Bullgarinë fqinje, por edhe në Egjipt, i cili asokohe, ashtu si vetë Shqipëria, ishte pjesë e Perandorisë Osmane (74). Më 1805, Muhamed Aliu (1769-1849), i njohur edhe me emrin Mehmed Ali, me prejardhje shqiptare nga Kavalla në Greqinë veriore, u bë pasha apo guvernator në Egjipt, i cili kishte qenë nën sundimin osman, të paktën sa për emër, që më 1517. Atje ai mundi të ngrejë një shtet me të vërtetë autonom, duke e kthyer sundimin turk në diçka formale, dhe themeloi një dinasti mbretërore që sundoi vendin deri me rrëzimin e mbretit Faruk (1920-1965) më 1952. Egjipti, asokohe, ashtu si në lashtësi, hambar i Mesdheut lindor, kishte përfituar nga rritja e tregtisë që erdhi prej hapjes së kanalit të Suezit nga Ferdinand de Lessepsi (1805-1894) më 1869. Në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë, shumë shqiptarë emigruan nga atdheu në brigjet e Nilit për të gjetur punë e për të siguruar një jetë më të mirë. Ata zunë vend jo vetëm në Aleksandri e në Kajro, por edhe në qytetet e Egjiptit të poshtëm si El Mansûra, Shibîn el Kôm, dhe Minya el Qamh, si dhe në bashkësi përgjatë luginës së Nilit si Beni Suef, Biba, El Fashn, Maghâgha, Manfalût dhe Er-Rodha. Nën suzerenitetin osman e më pas nën protektoratin britanik të vendosur më 1883, emigrantët shqiptarë, mjaft prej të cilëve kishin punuar shumë dhe u kishte ecur me tregtinë e pambukut, formuan bashkësi të mëdha. Prandaj nuk është për t'u habitur që disa prej shkrimtarëve dhe figurave kryesore të lëvizjes së Rilindjes kombëtare do të dilnin nga lugina e Nilit. Spiro Dine na thotë: "Karakollët e Kajros qenë plot gegë e toskë. Këngët e vallet nukë reshtnin; bozuku, tamburja e ballamaja buçisnin më në katër anët. Na dukej sikur gjindeshim në Shqipëri, tregu i armëve Suk el-silah përveç shqiptarëve tjetër nuk kish, me të shumët gegë musliman e të krishterë mirëditas..." Në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të njëzetë, ky ngulim mërgimtarësh u shqua sidomos për veprimtari kombëtare e botuese.

    Një nga organet më të hershme të shtypit shqiptar në Egjipt ka qenë Bashkim i Shqiptarëvet, që u botua për një kohë të shkurtër si e përdyjavshme nga shtatori 1900 shqip, frëngjisht dhe turqisht nga Ismail Haki bej. Po atë vit në tetor doli gazeta Besa-Besën, që e nxirrte Milo Duçi (75) (1870-1933), i njohur edhe me emrin Mihal N. Duçi. Duçi, nip i poetit rilindës Loni Logori (1871-1929), e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Kajro ku dhe

    __________________________________________________ _________________

    74 Për shqiptarët në botën arabe, kr. Mufaku 1981a, 1983, 1990, dhe Azemi & Halimi 1993.

    75 kr. Fullani 1963.
    __________________________________________________ _________________

    mbështeti aktivisht lëvizjen kombëtare shqiptare. Më 1897 u bë kryetar i shoqërisë Vllazëria, qendër ku mblidheshin gjithë shqiptarët e atjeshëm. Besa-Besën, e para në radhën e gazetave jetëshkurtra që botoi, zgjati katër vjet. Më 1901 Duçi nxori një revistë mujore me titull Toska në Minya el Qamh. Kjo gazetë me tetë faqe në gjuhën shqipe e ndonjë shkrim në frëngjishte, zgjati deri më 1902. Më 1904, së bashku me Thoma Abramin, botoi një tjetër, kësaj radhe një revistë të përmuajshme me 24 faqe me titullin Besa, e me nëntitullin: organ i bashkimit të patriotëve të vërtetë shqiptarë. Në tetor 1906 Duçi gjithashtu botoi Shqipëria në Kajro, organ i ortodoksëve shqiptarë. Me formimin e qeverisë së parë të Shqipërisë së pavarur Duçi u kthye në atdhe, ku botoi për një kohë të shkurtër, nga qershori deri në gusht 1914 gazetën e përdyjavshme Zâna në Durrës. Por grindjet vëllavrasëse midis grupeve të ndryshme politike në shtetin e saposhpallur, e shtrënguan pas pak kohe të ikë në Itali, nga ku u kthye përsëri në Egjipt. Më 1922 themeloi një shtëpi botuese në Kajro, me emrin Shoqeria botonjesé shqipetaré ose Société albanaise d'éditions, e cila botoi jo vetëm veprat e tij, por edhe përmbledhjen e vargjeve sanskritishte, të bërë nga Çajupi, Lulet e Hindit. Më 1925 në kryeqytetin egjiptian, ai botoi edhe një gazetë tjetër me emrin Bisedimet, një e përjavshme kombëtare që zgjati deri në fillim të vitit tjetër. Duçi vdiq në Kajro më 25 nëntor 1933. Milo Duçi nuk ishte vetëm botues dhe figurë kombëtare, por edhe poet e dramaturg, sidomos në periudhën e fundit të jetës. Dyzet e gjashtë vjershat e tij patriotike e të dashurisë, botuar pjesërisht me pseudonimin Lulo Malësori, dolën në organe të ndryshme midis viteve 1897 dhe 1925. Ai është edhe autor i të paktën gjashtë pjesëve teatrale. Më të mirënjohurat nga këto përpjekje modeste janë pjesa me tri akte Nderi, Konstancë 1921, me dy akte I bir' i begut, Kajro 1921, me sa duket sipas një origjinali frëngjisht, dhe me tri akte, pjesërisht autobiografike, E thëna, Kajro 1922. Pjesët e tjera teatrore të Duçit, si për shembull ajo me katër akte Nora, drama në vargje Gjaku dhe tragjikomedia me një akt Të vdekurit e të gjallët, kanë vlera letrare të kufizuara. Më me interes është Midis dy grash, Kajro 1922, një trekëndësh melodramatik dashurie i shfaqur në pesë letra si të dërguara prej autorit nga Napoli në verën e vitit 1922. Gjon Voda nuk di si t'ia bëjë, ndodhet midis së shoqes dhe së dashurës Suzanë. Historia me letrat përfundon kur Gjon Voda vret Suzanën në një çast tërbimi xhelozie dhe pastaj vret veten.

    Publicisti dhe figura kombëtare Jani P. Vruho (1863-1931) ishte nga Vërtopi i krahinës së Beratit. Që në moshë të re vajti e u ngul me banim në oazin pjellor të El Faiyûmit në Egjiptin e Epërm, ku edhe kaloi pjesën më të madhe të jetës derisa vdiq në shtator 1931. Shumë nga artikujt e tij polemikë dhe vjershat me frymë kombëtare dolën në organe periodike të kohës si Kalendari kombiar i Kristo Luarasit dhe Liria e Shqipërisë, të dyja në Sofje. Vruhoja ishte një propagandist i palodhur i çështjes shqiptare. Edhe pse gjatë shembjes përfundimtare të Perandorisë Osmane vetëqeverisja politike për atdheun e tij në Ballkan dukej tepër e pasigurt, ai vërente me kënaqësi se ndjenja e identitetit kombëtar kishte zënë rrënjë, fakt ky që përbënte një nga parakushtet për një shtet shqiptar. Më 1907 Jani Vruhoja botoi gazetën satirike shqip- greqisht Shkopi në Kajro, bashkë me Athanas Tashkon (1863-1915), një gazetë që i shërbeu bashkësisë shqiptare në Egjipt për dy vjet. Shtypej me alfabetin e Stambollit dhe kishte për synim mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar, duke lëvduar ata që meritojnë të lëvdohen e duke qortuar ata që meritojnë të qortohen për çështjen kombëtare. Më 1909 Jani Vruhoja botoi një gazetë të dytë në gjuhën shqipe në El Faiyûm me emrin Rruféja. Meqë xhonturqit e ndaluan këtë të përmuajshme të qarkullonte në Shqipëri, Vruhoja ia ndryshoi titullin e ia bëri Sëpata në prill 1910, dhe kështu u bë i mundur botimi dhe shpërndarja për një kohë të shkurtër.

    Ndër gazetat dhe revistat e tjera shqiptare të botuara në Egjipt në fillim të shekullit të njëzetë mund të përmenden e përdyjavëshmja Pellazgu dhe Zghimi, të dyja të botuara në Kajro më 1907 nga Sami Kulla Përzëreni, e përmuajshmja Vatra e botuar në Minya el Qamh më 1909, dhe e përjavshmja Shkreptima, e redaktuar më 1910-1911 nga gjuhëtari dhe mësuesi Aleksandër Xhuvani (1880-1961). Ndonëse mjaft prej tyre dolën për shumë pak kohë, organet e shtypit shqip në Egjipt dhanë ndihmesë për zgjimin e identitetit kombëtar jo vetëm ndër shqiptarët banues në brigjet e Nilit, por edhe brenda Shqipërisë, ku gazetat hynin shpesh kontrabandë fshehurazi doganierëve osmanë.

    Ndërkohë që shumë shqiptarë në shekullin e nëntëmbëdhjetë emigruan në Egjipt e në vise të tjera të Perandorisë Osmane për të gjetur punë dhe jetë më të mirë, të tjerë iknin një herë e mirë për në tokën e premtuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kulmin e emigrimit evropian në Amerikën e Veriut në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë e në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë, shumë shqiptarë, sidomos nga krahina e Korçës, e lanë vendin e tyre të varfër dhe u bashkuan me valën e emigrantëve grekë që niseshin me anije nga Selaniku e Pireu për lundrimin e gjatë e të lodhshëm drejt brigjeve lindore të Shteteve të Bashkuara, me shpresën për të filluar një jetë të re e për të gjetur atje liri e begati. Në fillim u ngulën në Nju Jork, Boston e përreth tyre, ku edhe sot gjenden ngulime jo të vogla shqiptare, si dhe në mbarë shtetet Masaçusets, Konetikët, Pensilvenia dhe Nju Xhërsi. Më pas valët e emigrantëve shqiptarë u shtynë më tutje, sidomos në Misuri, Miçigan e Ilinois, ndonëse shumica mbetën në bregun lindor. Zonat metropolitane të Nju Jorkut, Bostonit dhe Detroitit tani përbëjnë qendrat kryesore të ngulimeve shqiptaro-amerikane në Shtetet e Bashkuara. Mu në Boston më 28 prill 1912 u themelua federata panshqiptare Vatra për të bashkuar shoqërinë Besa-Besën dhe trembëdhjetë klube të tjera shqiptaro-amerikanësh në një organizatë. Kjo federatë, që ka arritur të ketë deri rreth shtatëdhjetë degë gjithsej, u kryesua në fillim nga Faik bej Konica (1875-1942) dhe Fan Noli (1882-1965). Edhe në Shtetet e Bashkuara u themeluan një numër gazetash shqiptare me rëndësi, roli i të cilave nuk do të kufizohej kurrsesi vetëm me shqiptarët që banojnë në Amerikën e Veriut.

    Gazeta e parë shqiptare në gjuhën shqipe në Amerikën e Veriut ishte Kombi i Bostonit, botuar nga Sotir Peci (anglisht Sotir Pettsy, 1873-1932) nga Dardha, një fshat afër Korçës. Numri i parë i kësaj së përjavshmeje politike, kulturore e letrare në gjuhhën shqipe, me ndonjë artikull në anglishte, frëngjishte apo italishte, doli më 15 qershor 1906. Peci e propagandoi si 'të parën dhe të vetmen gazetë shqiptare në Amerikë' dhe si 'organ të interesave shqiptare'. Kombi zgjati tre vjet deri më 1909, kur e pasoi Dielli, themeluar nga Fan Noli dhe Faik bej Konica në shkurt 1909. Dielli qe organi i federatës së rëndësishme panshqiptare Vatra në Boston, dhe si i tillë ishte edhe zëdhënës i bashkësisë shqiptare në përgjithësi. Periodikë të tjerë shqiptarë të botuar në Shtetet e Bashkuara para Luftës së Parë Botërore ishin: Flamuri i Bostonit, që doli vetëm pak kohë më 1910; po aq jetëshkurtër Trumbeta e Krujës e Sejnt Luisit (St. Louis) më 1911; dhe Zër' i popullit i Nju Jorkut më 1912-1913.

    Vitet e luftës 1914-1918 patën një vërshim të tërë gazetash jetëshkurtra shqiptare saqë duket sikur puna e parë e emigrantëve shqiptarë sapo vinin këmbën në Amerikë ishte të nxirrnin një gazetë. Ndër këta periodikë qenë Adriatiku botuar në Framingham, Masaçusets, më 1914; The Albanian era, 1915-1916, botuar në Denver e më pas në Çikago nga John Adams; Vullnetari në Natik (Natick), Masaçusets, shtypur më 1916-1917; Përparimi në Nju Jork, që zgjati nga 1916 në 1920; Mprojtja shqipëtare në Sejnt Luis më 1916; Luftëtari i drejtësisë në Boston më 1917; e përdyjavshmja Yll' i mëngjezit e Parashqevi Qiriazit në Boston, të cilën ajo e drejtoi nga 1917 deri më 1920; Përlindja më 1917 doli në Framingham, Masaçusets; Sazani dyjavor në Uuster (Worcester), Masaçusets, nga 1917 deri më 1918; Albania, 'organ zyrtar i partisë politike e kombëtare shqiptare', themeluar edhe kjo në Uorçester, dhe botuar në Nju Jork nga A. G. Naçe (Nache) nga 1918 deri më 1920, Shqipëria 'e përkohëshme e shoqërisë fetare muhamedane' në Uatërbëri (Waterbury), Konetikët, më 1918, si dhe e përmuajshmja e Fan Nolit The Adriatic Review e federatës Vatra në Boston, që doli nga shtatori 1918 deri më 1919. Edhe pse në zgrip të shekullit gazetat në gjuhën shqipe nuk ishin më diçka e pazakontë, botimet brenda vetë Shqipërisë, për shkaqe të kuptueshme, mbetën të rralla dhe vazhduan të

  6. #56
    jenë të kufizuara deri në shpërbërjen e Perandorisë Osmane. Gazetat dhe revistat qenë të shtrënguara të hynin fshehurazi nga jashtë. Një nga figurat e para që përfitoi nga shtimi i rrëmujës në Perandorinë Osmane e që filloi të botojë në Shqipëri në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të njëzetë, ishte Mihal Grameno (76) (1871-1931), botues, shkrimtar dhe figurë e shquar politike, veprimtaria letrare dhe atdhetare e të cilit kap periudhat e Rilindjes e të Pavarësisë. Gramenoja pati lindur në Korçë në një familje tregtare dhe ndoqi shkollën greke para se të emigronte djalë fare i ri në Rumani më 1885. Në Bukuresht ai mori pjesë në lëvizjen kombëtare dhe më 1889 u bë sekretar i shoqërisë Drita, që po zgjerohej. Mihal Gramenoja nuk ishte vetëm ideolog i lëvizjes së Rilindjes, por edhe njeri i veprimit. Më 1907 ai u bashkua me çetën e Çerçiz Topullit, një çetë e vjetër luftëtarësh kundër trupave turke në Shqipërinë e jugut. Me sytë e zjarrtë e mjekrën e lëshuar ai ishte vetë simboli i luftëtarit të lirisë dhe komitit ballkanas. Si mjaft figura të tjera kombëtare të periudhës, Gramenoja në fillim e përshëndeti revolucionin e xhonturqve, por shumë shpejt u vu përsëri kundër sundimit osman kur u bë e qartë se xhonturqit donin të mbanin regjimin e centralizuar. Për veprimtarinë e tij politike u arrestua disa herë. Më 10 korrik 1909 botoi numrin e parë të gazetës Lidhja orthodhokse në vendlindje, Korçë, një e përdyjavshme e re me frymë kombëtare që zgjati deri në qershor 1910, kur u mbyll nga censura.

    Të njëzet e dy numrat e Lidhjes orthodhokse, me nëntitullin gazetë 'politike, leterare dhe fetare', u bënë zëdhënës sidomos i kundërshtimit ndaj hierarkisë së kishës ortodokse greke, e cila vajti shumë larg me masat e saj për ta mbytur veprimtarinë kombëtare. Më 1 shkurt 1911 Gramenoja nisi të botojë një tjetër gazetë në Korçë, atë me emrin Koha, e përjavshme politike dhe letrare për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Më 1915, Mihal Gramenoja emigroi në Shtetet e Bashkuara dhe vazhdoi ta botojë të përjavshmen në Xhejmstaun (Jamestown), Nju Jork, deri më 1919. Të shqetësuar thellë për fatin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe gjendjen e saj pas tronditjeve të Luftës së Parë Botërore e për mungesën e vazhdueshme të një qeverie të qëndrueshme atje, bashkësia shqiptaro-amerikane dërgoi Mihal Gramenon dhe pesë delegatë të tjerë shqiptarë për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes të Parisit më 1919 e për të përfaqësuar interesat e Shqipërisë. Gramenoja e ndoqi konferencën si korrespondent i gazetës së Nju Jorkut Albania që botonte A. G. Naçe. Vitin tjetër u kthye në Shqipëri dhe më 10 korrik 1920 rifilloi botimin e gazetës Koha në Korçë. Gazeta jetoi deri në nëntor 1926. Koha mbrojti interesat e Shqipërisë kundër xhonturqve para Pavarësisë, edhe më pas kundër aspiratave ekspansioniste të shteteve fqinjë e të Austro-Hungarisë. Në fillim të viteve 1920 ajo mbështeti demokracinë dhe barazinë dhe shprehu miratimin e vet për qeverinë jetëshkurtër të Fan Nolit të vitit 1924. Por në vitet e fundit të saj, gazeta erdhi e u pajtua me qeverinë antidemokratike të Zogut, të cilën e pati kundërshtuar në fillim. Përveç organeve me influencë të shtypit, që nxori, Mihal Gramenoja bashkëpunoi edhe me një gamë të gjerë organesh të tjera shqiptare, ndër to me Albania të Faik Konicës në Bruksel e në Londër, Drita të Shahin Kolonjës në Sofje, Shpnesa e Shcypeniis të Nikolla bej Ivanajt në Dubrovnik, Kombi të Sotir Pecit në Boston, Shqipëria të Milo Duçit në Kajro, Korça në Korçë, Përlindj' e Shqipëniës në Vlorë, Gazeta e Korçës në Korçë, Albania e A. G. Naçe në Uorçester dhe Nju Jork, Shqipëri' e re në Bukuresht e Konstancë, dhe Dielli në Boston. I dëshpëruar, u tërhoq nga jeta publike rreth vitit 1927. Dihet se ra mjaft shpirtërisht në vitet e fundit të jetës dhe iu vu përherë e më shumë alkoolit. I sëmurë rëndë për ca kohë, vdiq në qytetin e lindjes Korçë më 5 shkurt 1931 në moshën pesëdhjetetetëvjeçare. Si figurë letrare Mihal Grameno u bë i njohur së pari më 1903 me vjershën atdhetare Vdekja, ndonëse frymës së lartë politike të kësaj vjershe dhe të tjerave më pas nuk iu përgjigj kurrë një nivel po aq i lartë gjuhësor. Më të lexueshme janë pjesët e tij teatrale dhe tregimet. Grameno është autor i komedisë me tri akte në vargje Mallkimi i gjuhës shqipe, Bukuresht

    __________________________________________________ _________________

    76 kr. Spasse 1956, Zallëmi 1963, Gjika 1972, 1974b, 1976, 1978, 1980, 1981, Grameno 1974, 1979, dhe Xhiku 1989, f. 153-159.
    __________________________________________________ _________________

    1905, subjekti i së cilës shtjellohet në Korçën e vitit 1886 dhe ku ai satirizon orvatjet greke për 'të civilizuar' shqiptarët; si edhe autor i tragjedisë me temë historike në katër akte Vdekja e Piros, Sofje 1906, për mbretin Piro (319-273 para erës sonë) të Epirit, humbjet e të cilit në beteja mbetën në histori me frazën 'fitore si e Piros'. Vepra përmban një përkushtim 'të pavdekurit vjershëtor edhe të madhit mëmëdhetar Naim be Frashërit', i cili qe burim i madh frymëzimi për të gjithë shkrimtarët shqiptarë në fillim të shekullit të njëzetë. Gramenoja botoi edhe një numër tregimesh të shkurtra me frymë sentimentale e me ndjenjë romantike kombëtare. Ndër to janë: Oxaku, Selanik 1909 (Oxhaku), në fillim botuar në disa numra në periodikun e Shahin Kolonjës Drita më 1904-1905, një histori dashurie midis djalit të një beu dhe një vajze fshatare, me subjekt që shtjellohet më 1821, në kohët e përgjakshme të Ali pashë Tepelenës; E puthura, Selanik 1909, kushtuar Hilë Mosit, një histori dashurie në pesë kapituj midis pjesëtarësh klasash shoqërore të ndryshme, me ngjarje që zhvillohen më 1815 e me shumë përshkrime të zakoneve vendore të asaj kohe; dhe Var' i pagëzimit, Korçë 1909, një satirë therëse kundër hierarkisë ortodokse greke, e cila e kishte shpallur gjuhën shqipe të mallkuar nga Zoti. Në këtë novelë pesëkapitujsh, me ngjarje të vendosura në Vithkuq më 1751, një prift ortodoks nuk pranon të thotë formulën e pagëzimit në gjuhën shqipe, dhe kësisoj shkakton rënimin e një familjeje të tërë. Në prag të pavarësisë së Shqipërisë, Gramenoja shtypi një vëllim me vargje të flakta kombëtare me titull Plagët, Manastir 1912, e më pas botoi kujtimet nga koha kur kishte qenë komit në Kryengritja shqiptare, Vlorë 1925.

    Mihal Grameno ishte figurë tipike e kulturës së Rilindjes së vonë, plot ndjenjë romantike kombëtare e energji krijuese për të ndryshuar fatin e dhimbshëm të popullit e për të mbrojtur të drejtat e tij. Ai personifikon shkrimtarin-hero kombëtar të kohës dhe prandaj gëzon simpati të madhe nëpër Shqipëri. Ndërsa pjesët teatrore dhe tregimet lexohen me kënaqësi si dokumente të kohës, megjithëse ato nuk dëshmojnë ndonjë talent letrar të veçantë në krahasim me shkrimtarë të tjerë bashkëkohorë. Prandaj me gjithë gamën e gjerë të gjinive letrare që trajtoi, vendi i Gramenos në letërsinë shqiptare është kryesisht si publicist e pamfletist i jetës politike.

    Një figurë tjetër e shquar, tek e cila veprimtaria publicistike dhe angazhimi politik për përmbushjen e qëllimeve të lëvizjes kombëtare lë në hije talentin letrar, ishte publicisti, politikani dhe prozatori Mid'hat bej Frashëri (77) (1880-1949), i shfaqur shpesh me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Mid'hat bej Frashëri qe i biri i politikanit dhe ideologut të Rilindjes Abdyl Frashëri (1839-1892) dhe nip i figurave po aq të shquara Naim dhe Sami Frashëri. Mendohet se ka lindur në Janinë dhe është rritur në Stamboll, ku familja e tij u bë qendër e lëvizjes kombëtare. Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç ndihmoi Kristo Luarasin (1875-1934) dhe Kosta Jani Trebickën për botimin e almanakut kulturor të njohur me emrin Kalendari kombiar, që shtypej në shtypshkronjën Luarasi në Sofje. Një vit pas vdekjes së të ungjit, Naim Frashërit, botoi një biografi të shkurtër të tij me titull Naim be Frashëri, Sofje 1901, me pseudonimin Mali Kokojka. Nga 1905 deri 1910 punoi në administratën osmane në vilajetin e Selanikut si drejtor për çështje politike. Në korrik 1908, kësaj radhe me pseudonimin Lumo Skëndo, nisi botimin e gazetës së përjavshme Lirija në Selanik, që zgjati deri më 1910. Ai ishte në drejtim të Kongresit të Manastirit më 14-22 nëntor 1908, kurse në janar të vitit tjetër nisi të botojë një revistë mujore me emrin Diturija, organ periodik i ilustruar me interes kulturor, letrar e shkencor që doli më 1909 në Selanik, më 1916 në Bukuresht dhe nga 1926 deri 1929 në Tiranë. Mid'hat Frashëri luajti rol të madh në klubin patriotik të Selanikut, i cili shquhej për qëndrimin relativisht pajtues ndaj xhonturqve e që më pas pati kundërshtimin e figurave kombëtare më radikale. Veprimtaria politike e Mid'hat Frashërit mori një karakter më kombëtar gjatë luftërave ballkanike dhe shembjes përfundimtare të Perandorisë Osmane, kur Shqipëria

    __________________________________________________ _________________

    77 kr. Petrotta, f. 316-320, Mann 1955, f. 51-55, dhe Bethell 1984, 1993.
    __________________________________________________ _________________

    ndodhej para rrezikut që të gllabërohej nga fqinjët e saj ballkanikë. Pas pavarësisë në nëntor 1912, u bë i pari ministër i vendit për punët botore, kurse më pas konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Beograd dhe drejtor i përgjithshëm i postave. Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore u internua në Rumani për një farë kohe, por, pasi u lirua, iu kthye përsëri botimeve. Nga 5 maji 1916 drejtoi të përdyjavëshmen e Bukureshtit L'indépendance albanaise, një nga të shumtat organe jetëshkurtra të lëvizjes kombëtare shqiptare gjatë Luftës së Parë Botërore. Më pas e shohim në Lozanë, ku banoi me kushëririn Mehdi Frashëri (1874-1953) e ku shkroi një numër artikujsh publicistikë e studimorë. Më 25 nëntor 1920 u emërua kryetar i delegacionit shqiptar në konferencën e paqes në Paris, ku jetoi deri më 1922. Në Paris vazhdoi veprimtarinë publicistike në shtypin francez për të propaganduar qëndrimin e Shqipërisë në ristrukturimin e Evropës së pasluftës. Artikujt e tij të kthjellët e racionalë dolën në organe si France-Orient, L'Europe nouvelle, Mercure de France, Revue de Genève dhe Les Peuples libres. Më pas mbajti disa poste minister dhe ishte ambasador i Shqipërisë në Greqi nga 1923 deri në 1926. Në periudhën e diktaturës Zogiste ai e la politikën për një farë kohe dhe hapi një librari në Tiranë. Vetë kishte një bibliotekë private jashtëzakonisht të pasur, me rreth 20,000 vëllime, më e madhja në Shqipëri në atë kohë, të cilën në shkurt 1938 e ofroi për krijimin e një Instituti Studimesh Shqiptare. Për fat të keq ky projekt nuk u realizua në vitet më pas. Në fund të vitit 1942 rihyri në arenën politike për të luftuar kundër pushtimit të vendit nga Boshti, dhe u caktua udhëheqës i Ballit Kombëtar, lëvizje antikomuniste e qëndresës, që rivalizonte për pushtet me partizanët komunistë. Në vjeshtë 1944, kur pa se në Shqipëri po fitonin komunistët, iku në Italinë e jugut. Biblioteka e tij në Tiranë u konfiskua dhe përfundoi në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Vitet e para të luftës së ftohtë e gjetën Mid'hat Frashërin në Perëndim në përpjekje për të formuar një koalicion të forcave opozitare antikomuniste në Angli e në Shtetet e Bashkuara. Vdiq nga një krizë zemre në hotelin Lexington në avenynë Lexington në Nju Jork më 3 tetor 1949.

    Mid'hat bej Frashëri është autor i një game të gjerë veprash edukative: tekste shkollore, përkthime, artikuj gazetash, broshura politike dhe rrëfenja didaktike. Deri më 1926 kishte botuar rreth njëzet vepra shqip. Nga botimet joletrare, në mund t'i quajmë kështu, në veçanti mund të përmenden: Istori e shkrimit shqip, botuar më 1901 në revistën Diturija, një nga historitë më të para të letërsisë shqiptare; Këndime për shkollat e para, Selanik 1910; Istori e mbretëris otomane, Konstantinopojë 1912; Letra mi një udhetim në Svicrë, Sofje 1915; dhe Plagët tona. Çë na mungon? Çë duhet të kemi?, Tiranë 1924, një traktat 61 faqesh për gjendjen morale, materiale dhe psikologjike të Shqipërisë. Kalendari kombiar për vitin 1926, Tiranë 1926, që ai e shtypi në shtypshkronjën Luarasi në kryeqytetin në zhvillim të Shqipërisë, mbahet mend për ribotimin e fjalorit greqisht-shqip të Marko Boçarit (1790-1823), të hartuar më 1809.

    Ndër përkthimet në shqip të Frashërit mund të veçojmë Gjyjom Telli prej Lamartin, Sofje 1898 (Guillaume Tell) të poetit dhe shtetarit frëng Alfons de Lamartin (1790-1869), i cili pati jetuar vetë ca kohë në Ballkan, dhe Bëj-e të mirën pa hith-e në det, Sofje 1900 (Thust du was gutes, wirf's ins Meer), një rrëfenjë moralizuese gjermane e Franc Hofmanit. Ai përktheu edhe pjesë nga Robenson, Selanik 1909 (Robinson Crusoe) i Daniel Defosë (1660-1731); Über die Geschichte und Sprache der Albaner und der Wlachen nga studiuesi suedez Johan Tunman (Johann Thunmann, 1746-1778); dhe Psikologji e edukatësë, Tiranë 1923 (Psychologie de l'éducation), nga psikologu frëng Gustave Le Bon (1841-1931). Në fushën e letërsisë origjinale Mid'hat bej Frashëri ishte një nga shqiptarët e rrallë të kohës që nuk botoi ndonjë vjershë, çka sjell një farë lehtësimi kur sheh shpërthimet nga të gjitha anët të vrullit kombëtar dhe thirrjeve poetike nga moria e poetëve rilindës me talent të kufizuar. Sidoqoftë, ai botoi një përmbledhje me poezi në prozë, tregime të shkurtra dhe përsiatje me titullin Hî dhe shpuzë, Sofje 1915. Këto tregime për vuajtjet nën zgjedhën turke, për gjakmarrjen mes shqiptarëve dhe për luftërat në Ballkan janë interesante, megjithëse përshkohen nga një notë pakëz e tepruar didaktike.

  7. #57
    9.9 Figura minore të letërsisë së Rilindjes



    Lindja e gazetarisë dhe botimeve në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillim të shekullit të njëzetë u dha intelektualëve dhe një numri të madh figurash kombëtare mundësi botimi për veprat e tyre letrare, që krijoheshin e shkruheshin me një gjuhë ende të papërpunuar. Problemi kryesor i këtyre autorëve ishte forcimi i identitetit kombëtar dhe çlirimi i vendit nga zgjedha turke, dhe këtij qëllimi ia kushtuan energjitë e veta në shumë fusha. Me sa duket, gati të gjitha figurat madhore e minore të periudhës së Rilindjes, në një shkallë a në një tjetër, janë marrë me poezi si mjet e mënyrë për të shprehur dëshirat e qëllimet e tyre atdhetare, dhe pikërisht kjo poezi me frymë romantike kombëtare përbën materialin kryesor letrar në shtypin e ditës, si në Shqipëri ashtu edhe në ngulimet shqiptare jashtë.

    Një nga poetët e shumtë minorë të periudhës, që botoi poezi të tillë për të zgjuar popullin nga letargjia ku kish rënë në dhjetëvjeçarë amullie dhe korrupsioni osman, është Koto Hoxhi (1824-1895), i njohur edhe me emrin Kostantin Hoxhi, nga Qestorati në krahinën e Gjirokastrës. Hoxhi mori mësimet në një shkollë greke e më pas në Konstantinopojë, ku u frymëzua nga takimet me vëllezërit Frashëri e me udhëheqës të tjerë të lëvizjes për t'iu përkushtuar çështjes kombëtare. Ai ishte anëtar themelues i Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip në tetor 1879. Hoxhi punoi shumë për zhvillimin e shkollës në vendlindje dhe prandaj u shkishërua nga mitropoliti ortodoks grek i Gjirokastrës, sepse kishte "krijuar një çështje shqiptare". Vdiq pasi e sulmuan mu përballë kishës në fshatin e lindjes Qestorat. Vjershat patriotike me frymë popullore të Koto Hoxhit dhe shkrimet e tjera didaktike e fetare u botuan pas vdekjes në antologjinë prej 244 faqesh të Vissar Dodanit Mialt' é mblétese, 1898, dhe në përmbledhjen letrare folklorike prej 856 faqesh të Spiro Risto Dines Valët e detit, Sofje 1908.

    Sali Butka (78) (1857-1938) ishte një tjetër poet popullor nga Shqipëria e jugut. Kjo figurë interesante vinte nga fshati Butkë i Kolonjës buzë kufirit me Greqinë dhe ishte një nga udhëheqësit kryesorë të forcave shqiptare qoftë kundër grekëve, po ashtu edhe kundër xhonturqve. Poezia e tij kombëtare e politike, e frymëzuar pjesërisht nga Naim Frashëri, u botua në përmbledhjen Ndjenja per atdhe, Korçë 1920.

    Murad Toptani (79) (1868-1918) lindi në Stamboll dhe u rrit në familjen Frashëri me të cilën kishte lidhje fisnore. U burgos nga autoritetet osmane për veprimtari kombëtare e u dërgua në Anadoll. Ka qenë i pranishëm në Vlorë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemal bej Vlora në nëntor 1912 dhe mori pjesë në themelimin e së parës shkollë shqipe në Tiranë. Poezia atdhetare e Murad Toptanit u botua në vëllimin Vjershat e Murad Toptanit, Tiranë 1924. Ai ishte edhe një skulptor i shquar.

    Poeti Thimi Thoma Kreji ishte një figurë udhëheqëse kombëtare e bashkësisë shqiptare në Egjipt. Shok i Thimi Mitkos, Jani Vretos dhe Spiro Risto Dines, ai qe një nga anëtarët themelues të klubit atdhetar në Shibin el Kôm më 1882 dhe i pari sekretar i saj. Kreji tregoi interesim të madh për çështjen e alfabetit të shqipes dhe shkroi greqisht një traktat për këtë temë. Asgjë nga poezia e tij nuk u botua sa qe gjallë. Një pjesë e saj, me tema tipike të periudhës së Rilindjes, doli më pas në Valët e detit të Spiro Risto Dines, Sofje 1908.

    __________________________________________________ _________________

    78 kr. Godo 1964.

    79 kr. Hudhri 1978.
    __________________________________________________ _________________

    Një tjetër poet i Rilindjes që jetoi në Egjipt ishte Loni Logori (80) (1871-1929), me prejardhje nga Korça, dajë i Milo Duçit (1870-1933). Vargu disi elegjiak me temë kombëtare dhe poezia sentimentale e dashurisë e kësaj figure me autoritet në bashkësinë shqiptare të Nilit u botua në Kalendari kombiar të Sofjes, në gazeta të kohës e në Valët e detit. Logori u kthye në Shqipëri në fillim të viteve 1920 dhe vdiq në Durrës.

    Një poet minor i Rilindjes nga Shqipëria e jugut ishte Mihal Dhosi (1873-1937), prift i lindur në fshatin Kosovë të krahinës së Përmetit. Dorëshkrimet e tij u zbuluan me vonesë, dhe një pjesë e vargjeve u botuan pas vdekjes në librin Ç'pate bilbil, pse pushove, Tiranë 1972. Në të dallohen tema të zakonshme kombëtare të asaj kohe, pa ndonjë frymëzim të veçantë.

    Josif Haxhimima(l. 1882) nga Elbasani përdori shpesh pseudonimin Rras' e Bardhë për vjershat dhe artikujt e botuar në Kalendari kombiar dhe në revistën Diturija. Ky poet studioi në Manastir e më pas punoi mësues në shkollën turke të qytetit të Elbasanit. Më 1915 e la mësuesinë dhe hyri në administratën juridike. Gazetari Namik Selman Delvina(1875-1933) ishte autor lirikash patriotike dhe dramash, ndër to dhe i përmbledhjes poetike Hidhërimet e zemërës, Selanik 1909, dhe i pjesës teatrore me tetë akte Dashurija e mëmëdheut, Selanik 1909. Ka qenë edhe kryeredaktor i gazetës tiranase Rilindja e Arbënis më 1930. Nga Çamëria, krahina në kufirin shqiptaro-grek përballë Korfuzit, ishte Qamil I. Çami (1885-1933), i cili mori pjesë aktive në lëvizjen kombëtare e më pas punoi si mësues. Rrëfenjat dhe përrallat popullore të tij në vargje u botuan pas vdekjes në Fabula dhe vjersha, Tiranë 1973. Të rrallë qenë shkrimtarët e periudhës së Rilindjes që ia kushtuan talentin e tyre prozës.

    Gjon Shiroka (vd. 1914) ishte përkthyes e publicist, lindur në një familje të kamur nga Shkodra. Përmendet për përkthimin e traktatit moral të Silvio Pellicos Ligjiratë mîi detyrat e trimit, Shkodër 1912 (Dei doveri degli uomini). E vranë më 30 gusht 1914. Shkrimtari dhe studiuesi Simon Shuteriqi ose Suteriqi (1883-1951) nga Elbasani ishte autor i një Abetare shqipe, Manastir 1911; Varri i dashnorëvet, Manastir 1911; dhe Jetëshkrimi i Konstandin Kristoforidhit, Manastir 1911.Ramiz Harxhi (1892-1966) nga Gjirokastra ishte një poet i periudhës së pavarësisë, po ta shohim ngushtë, por vargu i tij me frymë kombëtare është thellësisht rilindës. Pasi bëri shkollën në Konstantinopojë, Harxhi emigroi në Shtetet e Bashkuara dhe banoi në Masaçusets e në Nju Hampshir gjatë Luftës së Parë Botërore. Pas gjashtë vjetësh mërgimi në Amerikë, u kthye i përmalluar në vendlindje duke marrë dhe një detyrë në qeverinë e sapoformuar të pavarësisë. Poezia e tij modeste plot mall dhe dashuri për Shqipërinë u botua së pari më 1914 e u përmblodh në vëllimin Ndjenjat e zemrës, Boston 1917, me gjashtëdhjetë e një vjersha gjithsej. Ka shkruar edhe disa vargje sentimentale dashurie.

  8. #58
    9.10 Përfundime



    Mund të pohohet pa kurrfarë ngurrimi se periudha e Rilindjes pati rëndësi të shumë të çmueshme për ekzistencën kulturore e politike të Shqipërisë. Në historinë e saj politike Shqipëria kaloi nga një rajon i humbur, i panjohur e i prapambetur i Perandorisë Osmane, dhe zuri vendin e vet në gjirin e shteteve të Evropës. Epoka e Rilindjes krijoi vetëdijen e qenies si komb dhe e bëri gjuhën shqipe mjet të natyrshëm të shprehjes kulturore e letrare të popullit shqiptar.
    Në fillim nuk qe aspak e sigurtë se përpjekjet e shkrimtarëve, publicistëve dhe intelektualëve shqiptarë të kësaj periudhe për shtetformim e konsolidim kulturor do të

    __________________________________________________ _________________

    80 kr. Fullani 1961.
    __________________________________________________ _________________

    kurorëzoheshin me sukses. Lidhja e Prizrenit, e krijuar më 1878 si përgjigje ndaj vendimeve të Kongresit të Berlinit, në realitet dështoi. Ajo vërtetë pengoi aneksimin e një pjese të madhe të trojeve shqiptare nga Serbia dhe Mali i Zi, por ndërkohë nuk i doli mbanë në detyrën që i kishte venë vetës për të bashkuar të gjithë vendin në një vilajet të vetëm, d.m.th. në një njësi të vetme administrative të Perandorisë Osmane, çka konsiderohej si parakusht i dorës së parë për një shkallë të caktuar autonomie. Lidhja e Prizrenit u shkatërrua nga Porta e Lartë më 1881, kurse shumica e udhëheqësve të saj u vranë, u burgosën ose u syrgjynosën. Pjesa më e madhe e kryengritjeve në vitet që pasuan, ndonëse të shumta për nga numri, më fort se luftë për synime të larta kombëtare qenë shprehje dufi për të kërkuar përmbushjen e disa kërkesave praktike, për shembull - për të kundërshtuar çarmatosjen e fiseve të veriut nga ana e qeverisë turke, mbledhjen e taksave apo thirrjen e burrave nën armë.

    Ideja për autonominë politike e më tej për pavarësinë i vuri shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë në dilemë. Ata e ndienë fare mirë dhe qenë të vetëdijshëm se pavarësia mund të kthehej në bumerang për këtë vend të vogël të Ballkanit. Duke bërë pjesë në Perandorinë Osmane, edhe pse në rënie e sipër, shqiptarët të paktën qenë të mbrojtur nga synimet ekspansioniste të shteteve fqinjë të krishtera. Megjithë shkallën e lartë të korrupsionit e të paaftësisë së administratës turke, nën të cilën shqiptarët po vuanin në dhjetëvjeçarët e fundit të Perandorisë, për shumë udhëheqës rilindës ishte një përparësi e çmuar taktike që të sundoheshin nga Bosfori i largët e jo nga Cetinja, kryeqyteti i afërt i Mbretërisë së sapolindur të Malit të Zi, apo nga serbët dhe grekët. Kështu, ata u mjaftuan me luftën për forcimin e ndjenjës dhe vetëdijes kombëtare, duke mos nxitur ndonjë ballafaqim të drejtpërdrejtë politik me Portën. Në një memorandum dërguar Fuqive të Mëdha nga shqiptarët e Manastirit në tetor 1896, shqiptarë myslimanë e të krishterë bashkë protestonin me të drejtë se serbët, bullgarët dhe grekët gëzonin përkrahjen dhe mbrojtjen e Fuqive të Mëdha, kurse për ta mungonte çdo lloj përkrahjeje. Ata nuk kërkonin privilegje, e as nuk dëshironin pavarësi të plotë nga Turqia. Ata donin vetëm të jetonin si shqiptarë. Për këtë qëllim, kërkonin bashkimin e të pesë vilajeteve (Kosovë, Manastir, Selanik, Janinë dhe Shkodër) në një njësi të vetme administrative me kryeqytet Manastirin, me një administratë shtetërore dygjuhëshe (turqisht dhe shqip), me një kuvend përfaqësuesish të zgjedhur, me shkolla në gjuhën shqipe, me liri të plotë gjuhe dhe feje, si dhe me kufizimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak vetëm në pjesën evropiane të Perandorisë. Ndërkaq, Porta e Lartë ende nuk po shfaqte kurrfarë vullneti që të arrinte një kompromis për çështjen e autonomisë së shqiptarëve. Si rezultat, kryengritjet popullore kundër sundimit turk vazhduan në këtë periudhë pa ndërprerje, e sidomos në Shqipërinë e veriut dhe në Kosovë. Gjendjen e përgjithshme të rrëmujës dhe pasigurisë e rëndonin bandat e çetat anembanë vendit, të cilat prishnin edhe atë që kishte mbetur nga rendi ekonomik dhe helmonin marrëdhëniet ndëretnike.

    Shumë nacionalistë shqiptarë ushqyen besim të madh te lëvizja e xhonturqve, e cila do të shpinte në revolucionin e korrikut 1908 e në përmbysjen e Sulltan Abdyl Hamidit II (1842-1918) pas një viti. Mid'hat bej Frashëri sidomos i bëri thirrje parisë shqiptare t'u jepte mbështetje të plotë xhonturqve, të cilët e kishin selinë në qytetin e tij, në Selanik. Nuk ka dyshim se edhe shqiptarët vetë luajtën një rol me rëndësi në revolucionin e xhonturqve, i cili përshpejtoi fundin e kësaj periudhe stagnacioni të përgjithshëm, e që i dha Perandorisë kushtetutë dhe qytetarëve barazi në dukje pavarësisht nga feja. Por shpresat që shqiptarët kishin mbështetur te xhonturqit u shuan shpejt, kur u bë e qartë se administrata e re qe po aq centraliste sa e vjetra, në mos më shumë. Shqiptarët nuk do të bënin pjesë në atë valë nacionalizmi mbarëturk që po përhapej nëpër Evropë. Tipike për këtë qëndrim ishin fjalët e publicistit Dervish Hima në një ceremoni në Shkodër në gusht 1909 me rastin e kushtetutës së re, e cila në fillim qe pritur me mjaft entuziazëm naiv nga fiset e Shqipërisë së veriut (81). Qazim Beu, një

    __________________________________________________ _________________

    81 kr. përshkrimin prekës të Edith Durhamit në High Albania, 1909, f. 223-231.
    __________________________________________________ _________________

    oficer turk që e mori fjalën në ceremoni, u shpreh me këtë frymë të re të nacionalzmit turk: "Tani nuk ka më myslimanë e të krishterë, nuk ka më kombësi të ndryshme. Ka vetëm një popull osman." Duke ia ndërprerë fjalën, Dervish Hima kundërshtoi duke thënë se shqiptarët nuk janë tjetër veçse 'shqiptarë' dhe nuk do ta ndiejnë veten të kënaqur veçse kur të jenë të lirë në një Shqipëri të lirë, si pjesë e një konfederate shtetesh të pavarura ballkanike nën suzerenitetin e Sulltanit (82). Ndërsa shpresat për autonomi nuk po fuqizoheshin, shqiptarët arritën të përfitojnë nga reformat e xhonturqve dhe nga liberalizmi relativ në çështjet kulturore. Kështu, ata ngritën shkolla në gjuhën shqipe dhe themeluan gazeta në këtë gjuhë si dhe klube patriotike. Por rrethi tragjik i shtypjes dhe i kryengritjeve të përgjakshme vazhdonte.

    Po në këtë kohë u mblodh Kongresi i Manastirit (83) nga 14 deri më 22 nëntor 1908. Ky kongres, i mbledhur për të vendosur për problemin e ndërlikuar të alfabetit, u organizua nga shoqëria vendëse Bashkimi dhe u propagandua nga Mid'hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija:"... ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar' e papengim të punojmë për mbrodhësin' e lumtërin' e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundime të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë (84)." Mid'hat bej Frashëri e drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë. Ndër pjesëmarrësit e shquar qenë Shahin bej Kolonja dhe Petro Nini Luarasi nga Kolonja, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi nga Shkodra, Thoma Abrami nga Korça, Sotir Peci nga Bostoni, dhe Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri. Kongresi zgjodhi një komision prej njëmbëdhjetë antarësh nën kryesinë e atë Gjergj Fishtës për të studiuar problemin e alfabetit e për të dalë me propozime. U arrit menjëherë mendimi i përbashkët që, pavarësisht nga alfabeti që do të vendosej, kryesorja të mbetej forcimi i unitetit kombëtar. Këtë ide Fishta e shprehu duke thënë se "sado q'ësht' i dërguarë prej shoqërisë Bashkim, s'ka ardhurë për të mprojtur atë abece, po për të gjeturë një mënyrë që të bashkohemi të tërë (85)." Tre alfabetet kryesorë që u morën në shqyrtim qenë 1) alfabeti i Agimit, i shoqërisë letrare Agimi të Shkodrës i propozuar nga Ndre Mjeda; 2) alfabeti i Bashkimit, i shoqërisë letrare Bashkimi të Shkodrës i hartuar nga Prenk Doçi; dhe 3) alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami bejFrashëri. Toskët ishin më fort për alfabetin tradicional të Stambollit, kurse gegët zakonisht pëlqenin alfabetin e Bashkimit, i cili ishte më praktik për botimet, sepse nuk kishte shkronja jolatine. U shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjerë, alfabeti grek i përhapur për përdorim të shqipes nga Kostandin Kristoforidhi, dhe alfabeti arab, të cilin shumë myslimanë të devotshëm, sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për shumë kohë pas Kongresit. Pas disa ditësh plot me diskutime, e duke marrë gjatë kësaj kohe edhe telegrame nga mbarë Shqipëria me kërkesën që të vendosej njëri apo tjetri alfabet, komisioni vendosi të pranojë variantet e modifikuar të alfabeteve të Bashkimit e të Stambollit.

    Të dy mund të përdoreshin tani në shkolla e në botime. Megjithatë, pranimi nga të gjithë i vendimit të komisionit do të donte ende shumë kohë. Problemi i alfabetit qe një temë politike e diskutuar nxehtë gjatë Rilindjes, e kështu do

    __________________________________________________ _________________

    82 kr. Archives du Ministère des Affaires Etrangères de France, Shkodër, 26 gusht 1908, dhe Pinon 1909, f. 813.

    83 kr. Senkevi… 1959, f. 120-124, Skendi 1960, f. 276-278, Buda, Domi & Pollo (red.) 1972, Demiraj & Prifti 1978, dhe Ibrahim Hoxha 1986.

    84 kr. Lirija, Selanik, 8 vjesht' e 3-të [nëntor], 1908, f. 1, dhe Senkevi… 1959, f. 121.

    85 kr. Lirija, Selanik, 8 vjesht' e 3-të [nëntor], 1908, f. 2, dhe Skendi 1960, f. 276.

    __________________________________________________ _________________

    të mbetej edhe për disa vjet me radhë në të ardhmen. Sidoqoftë, me vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi, kongresi shtroi rrugën për një kalim shkallë-shkallë nga alfabeti i respektuar i Stambollit te alfabeti i tanishëm i shqipes i bazuar në shkronja latine, si dhe arriti të mënjanojë mjaft polemika e kundërshtime në vitet e mëvonëshme. Ndonëse një gjuhë letrare me një drejtshkrim përfundimtar për të gjithë leksikun u vendos vetëm më 1972 në kongresin e drejtshkrimit të Tiranës, vendimet e miratuara në Manastir, gjashtëdhjetë e katër vjet më herët, e lehtësuan mjaft formimin e disa normave gjuhësore në fushën e botimeve dhe ndihmuan në ecjen përpara të një letërsie shqiptare më të njësuar.

    Ndërkohë që mbijetesa e Perandorisë Osmane sa vinte e po bëhej më e pasigurt, kryengritjet shqiptare vazhdonin: më 1910 në Kosovë dhe në malësitë e Shqipërisë së veriut, më 1911 në krahinën katolike të Mirditës dhe në malësinë e veriut dhe më 1912 në Shkup, Dibër e Vlorë. Në tetor 1912, rënia përfundimtare e Perandorisë Osmane në Evropë e dha shenjën me shpërthimin e Luftës Ballkanike, në të cilën grekët, serbët, malazezët dhe bullgarët u bashkuan për të dëbuar turqit nga Evropa. Brenda dy muajsh, në të vërtetë e gjithë Shqipëria u pushtua nga shtetet fqinjë ballkanikë që, në fushatën e tyre antiturke e deridiku antimyslimane, nuk kishin ndërmend të njihnin aspiratat e ligjshme të popullit shqiptar. Në mes të asaj zbrastësie pushtetore e rrëmuje të krijuar nga humbja e menjëhershme e turqve, politikani shqiptar me parandjenjë të fuqishme Ismail Qemal bej Vlora (1844-1919), pasi siguroi përkrahjen austro- hungareze, thirri një kongres kombëtar të intelektualëve shqiptarë në Vlorë, ku morën pjesë tridhjetë e shtatë delegatë nga Shqipëria e mesme dhe e jugut. Në këtë mbledhje, më 28 nëntor 1912, Shqipëria u shpall përfundimisht e pavarur, duke i dhënë fund pesë shekujve të pushtimit turk. Nata e gjatë e sundimit osman mbaroi.

    Pas Konferencës së Londrës në dhjetor 1912, në të cilën Fuqitë e Mëdha de facto e njohën ekzistencën e shtetit shqiptar të sapolindur, u krijua një komision me detyrën e pakëndshme të përcaktimit të kufijve të shtetit të ri. Edhe pse pavarësia qe shpallur e të paktën përkohësisht qe siguruar në shkallë ndërkombëtare, nuk do të vononte shumë dhe entuziazmi i shqiptarëve do të binte. Nga shteti i ri ishin lënë jashtë më se gjysma e territorit shqipfolës dhe rreth dyzet përqind e popullsisë shqiptare. Dhe fakti më tragjik qe se Kosova, e cila kishte qenë çliruar' nga ushtria serbe, iu dha Serbisë, gabim ky i tmerrshëm, pasojat e të cilit në Ballkan ndihen edhe sot e kësaj dite.

    Periudha e Rilindjes për letërsinë shqiptare, e përcaktuar kryesisht nga rrjedha e historisë së Shqipërisë, është në të vërtetë periudhë e vështirë për t'u datuar me përpikmëri. Mendimi i përgjithshëm është se fillimin e periudhës së Rilindjes e shënon Lidhja e Prizrenit e mbledhur më 1878, ndonëse fazat paraprake të zgjimit kombëtar e kulturor, sikundër e pamë, mund të vëzhgohen në gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në nëntor 1912 vjen për mbarë të quhet edhe si datë e përfundimit të kësaj periudhe, por si lëvizje letrare periudha e Rilindjes vazhdoi po me atë forcë edhe në vitet e paqëndrueshme e të pasigurta të pavarësisë. Kështu, për autorë të Rilindjes mund të flitet deri në vitet 1930.
    Periudha e Rilindjes ishte ajo që, më shumë se çdo periudhë tjetër, mbrujti dhe formoi letërsinë shqiptare si dhe përcaktoi mjaft nga tiparet e saj të mëvonëshme. Më pas, në periudhën e pavarësisë e deri në Luftën e Dytë Botërore vjen, në një masë të madhe, rritja dhe fuqizimi i asaj peme luleshumë e me rrënjë të thella, që pati mbirë në truallin e larë me gjak të asaj epoke të turbullt por vendimtare. Pra, letërsia e Rilindjes hodhi themelet për zhvillimin e letërsisë së sotme shqiptare, jo vetëm në gazetari e poezi, si një élan vital e periudhës, por edhe në prozë, dramë e publicistikë, të cilat për herë të parë u zhvilluan si gjini letrare të qëndrueshme, ndoshta jo edhe me aq nivel të lartë artistik.

    Ndikimi i poetëve, publicistëve dhe shkrimtarëve të Rilindjes në rrugën e zhvillimit të letërsisë dhe kulturës shqiptare nuk mund të mbivlerësohet. Megjithatë, poqese i bëjmë vetes pyetjen objektive nëse ka ndonjë shkrimtar të Rilindjes me nivel të vërtetë letrar të barabartë me ato belles lettres më të mira të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë në Angli, Francë, Gjermani dhe Rusi, përgjigja ndoshta do të jetë mohuese. Letërsia shqiptare e kësaj periudhe karakterizohet nga një zhvillim i gjallë e i paparë, por nuk mund të thuhet se është një letërsi ku Muzat janë ulur këmbëkryq. Nuk ka gjini letrare që të arrijë përsosmërinë në një vend të pushtuar, të varfër e në më të shumtën analfabet e pa kulturë qytetare. Dramaturgjia në gjuhën shqipe, ende në foshnjërinë e saj, përbëhej më fort nga melodrama sentimentale, që nuk meritojnë një vëmendje dhe trajtim të veçantë, ndërsa proza letrare me disa përjashtime nuk paraqitej më mirë. As poezia vetë, gjithmonë shtylla e letrave shqipe, nuk e tregoi ndopak frymëzimin lirik e stilistik, edhe pse tema e kombit dhe e romantizmit kombëtar mund të jetë prekëse dhe emocionuese për të gjithë lexuesit me ndjenjë mirëkuptimi e dashamirësie për këtë komb të trajtuar aq padrejtësisht nga historia. Ajo duhet të shihet në kontekstin e vetë zhvillimit shumë të mundimshëm politik e shoqëror të Shqipërisë. Në fund, Shqipëria e shekullit të njëzet nuk mund të kuptohet aspak pa kuptuar periudhën e Rilindjes dhe kulturën e saj.

  9. #59
    10. RRYMAT E LETËRSISË SHQIPTARE NGA FILLIMI I SHEKULLIT XX DERI MË 1944







    10.1 Vështrim i përgjithshëm historik i periudhës së pavarësisë





    Pas pesë shekujsh sundimi osman Shqipëria u shpall e pavarur më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemal bej Vlora (1844-1919), i njohur më pas thjesht si Ismail Qemali, dhe nga një grup prej 36 delegatësh, shumica myslimanë nga Shqipëria e mesme dhe e jugut. U formua një qeveri e përkohëshme, pushteti i të cilës nuk dilte jashtë krahinës së Vlorës. Kryeministër u caktua Ismail Qemal bej Vlora dhe ministër i punëve të jashtme nga 5 korriku 1913 Myfit bej Libohova (1876-1927). U formua dhe një pleqësi prej tetëmbëdhjetë antarësh. Durrësi dhe Tirana mbetën në dorë të çifligarit Esad pashë Toptani (1863-1920), kurse kalaja e Shkodrës, fortesa e fundit turke në Ballkan, vetëm më 22 prill 1913 u braktis nga forcat osmane e iu la në dorë malazezëve, e pastaj iu kalua Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Përveç rrëmujës dhe intrigave të brendshme nga konflikte interesash ndërmjet çifligarëve të ndryshëm feudalë, fiseve dhe grupeve të ndryshme fetare brenda vendit, fqinjët Greqia, Serbia dhe Mali i Zi u përpoqën të gjithë të ushtronin ndikim sa më të madh në Shqipëri. Edhe pse pavarësia e Shqipërisë u njoh de facto më 17 dhjetor 1912 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, vetëm më 29 korrik 1913, pas Luftës së Dytë Ballkanike e pas zgjidhjes së problemit delikat të Shkodrës, bashkësia ndërkombëtare u mor vesh të mbështeste Shqipërinë si principatë asnjanëse, sovrane dhe e trashëgueshme. Dëtyra si kryetar i këtij shteti të ri të Ballkanit i takoi princ Vilhelm Vidit (Wilhelm zu Wied, 1876-1945). Ky princ gjerman pa të keq, një zgjidhje kompromisi ndërmjet fuqive, mbërriti në portin e Durrësit më 7 mars 1914.

    Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore princi Vilhelm e humbi gjithë mbështetjen ndërkombëtare zyrtare dhe u largua nga Shqipëria më 3 shtator 1914 pas jo më shumë se gjashtë muajsh sundimi të palavdishëm. Ndonëse Esad pashë Toptani ia doli të mbajë pushtetin kryesisht në Shqipërinë e mesme për një farë kohe, një pjesë e mirë e vendit u shkel me radhë nga trupat italiane, greke, serbe, bullgare, malazeze, austriake dhe franceze. Kësaj periudhe të mbrapshtë i dha fund Kongresi i Lushnjës nga 28-31 janar 1920, ku Tirana u shpall kryeqytet i ri i vendit e ku u formua një qeveri e re me Sulejman pashë Delvinën (1884-1932) si kryeministër e me njëzetekatërvjeçarin Ahmet Zogu (1895-1961) si ministër të brendshëm. Në shtator 1920, praktikisht e gjithë Shqipëria ishte në dorë të qeverisë së re dhe më 17 dhjetor të atij viti ajo u pranua në Lidhjen e Kombeve si shtet sovran.

    Në vitet më pas u pa ngjitja autoritare e Ahmet Zogut (86), në fillim si ministër i brendshëm e pastaj më 2 dhjetor 1922 si kryeministër. Zogu, i mbështetur kryesisht nga aristokracia e çifligarëve dhe klasa e mesme, u shtrëngua të ikë nga vendi në kohën e Revolucionit të Qershorit 1924, gjatë të cilit peshkopi Fan Noli (1882-1965) e drejtoi vendin për një periudhë të shkurtër prej gjashtë muajsh si kryetar i një qeverie pak a shumë demokratike. Njeri me shkollim amerikan, Noli u hyri ndryshimeve të thella, përfshirë edhe një reformë agrare tepër të domosdoshme në Shqipëri, por pa kaluar shumë kohë, idealizmi i tij do të pësonte disfatë nën peshën e traditës. Me ndihmën e Beogradit e të mbeturinave të ushtrisë ruse të gjeneral Vrangelit, i eturi për pushtet Ahmet Zogu u kthye në Shqipëri dhe mori në dorë vendin me një

    __________________________________________________ _________________

    86 Për Shqipërinë nën Ahmet Zogun, kr. Fischer 1984 dhe Schmidt-Neke 1987.
    __________________________________________________ _________________

    grusht shteti më 24 dhjetor 1924. Më 21 janar 1925, Shqipëria, zyrtarisht ende principatë, u shpall republikë me Ahmet Zogun si të parin president të saj. Duke mbytur çdo opozitë brenda vendit e duke luajtur herë me Italinë e herë me Jugosllavinë, Zogu krijoi njëfarë shkalle qëndrueshmërie politike e autoriteti në vitet më pas. Kjo vazhdoi deri në gjysmën e dytë të viteve njëzet, kur varësia ekonomike përherë në rritje e Shqipërisë nga Italia fashiste fqinje e kishte kthyer tashmë këtë vend të vogël të Ballkanit në protektorat italian, sidomos pas përfundimit të Paktit të parë të Tiranës në nëntor 1926. Më 1 shtator 1928, Ahmet Zogu u shpall Zog I, 'Mbreti i Shqiptarvet', me bekimin e Musolinit.

    Synimet ekspansioniste të Italisë ndaj Shqipërisë arritën kulmin me pushtimin e vendit të Premten e Pashkëve, më 7 prill 1939. Mbreti Zog, e shoqja hungaro-amerikane Gjeraldinë dhe i biri triditësh Leka u arratisën në Greqi, kurse vendi ra brenda katër ditësh në duart e Italisë. Pas largimit të Zogut, në Tiranë u mblodh asambleja kombëtare e cila, në prani të ministrit të Jashtëm italian Kontit Çano (1903-1944), e shpalli Viktor Emanuelin III (1869-1947) Mbret të Shqipërisë. Shteti shqiptar pushoi së qeni.

    Në tetor 1940 Italia fashiste sulmoi Greqinë dhe, me gjithë suksesin e fillimit, shumë shpejt u spraps nga një kundërmësymje e vendosur greke. Sundimi italian u sigurua përsëri në pranverë të vitit 1941 kur Jugosllavia dhe Greqia ranë në dorë të Gjermanisë naziste. Në këto vite të pushtimit të huaj dhe luftës civile Kosova u ribashkua me Shqipërinë. Por Shqipëria vetë u nda thellë nga prania e tre grupeve rivale të rezistencës: komunistët nën Enver Hoxhën (1908-1985), Balli Kombëtar antikomunist nën Mid'hat Frashërin (1880-1949) dhe lëvizja më e vogël monarkiste Legaliteti nën Abaz Kupin (1891-1976). Me kapitullimin e Italisë fashiste më 8 shtator 1943, Ministria e Jashtme gjermane u orvat të krijonte një shtet shqiptar asnjanës e të pavarur për të mbrojtur interesat strategjike gjermane në Ballkan. Administrata e re e ngritur në Tiranë nuk qe në gjendje të ushtronte autoritetin e duhur në të gjithë vendin, i cili po zhytej tani në një luftë civile të përgjakshme. Ndërkaq kur trupat gjermane u shtrënguan të tërhiqen nga Shqipëria në fund të nëntorit 1944, komunistët me Enver Hoxhën në krye morën pushtetin dhe ngritën më pas Republikën Popullore të Shqipërisë.

  10. #60
    10.2 Poetë të periudhës kalimtare: Andon Zako Çajupi, Ndre Mjeda dhe
    Asdreni.



    Çfarë rrjedhimesh pati pavarësia e Shqipërisë mbi letërsinë? Në fillim kurrfarë rrjedhim. Dhjetëvjeçari i parë i pavarësisë nga shpallja në Vlorë më 1912 deri në daljen e Ahmet Zogut në fillim të viteve njëzet u shënua nga trazira politike të skajshme, nga gjakderdhje e vuajtje. Qëllimi politik zyrtar i lëvizjes kombëtare, d.m.th. pavarësia, ishte arritur, e ndërsa shqipja ishte bërë gjuhë zyrtare në vend, rrëmuja e vazhdueshme politike u jepte shkrimtarëve dhe intelektualëve brenda vendit tepër pak kohë për të përsiatur përmasat e reja të kulturës kombëtare. Kultura e romantizmit kombëtar të Rilindjes, e rrënjosur thellë në letërsinë shqiptare, jo vetëm vazhdoi të ndihet, por edhe të ndikojë gjatë gjithë periudhës së pavarësisë. Vazhdimësia e ideve dhe aspiratave të shprehura në shkrimet shqipe do të arrinte brenda pak kohe një nivel shumë më të lartë artistik nga çfarë ishte arritur ndonjëherë në letërsinë e Rilindjes në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

    Të shkruarit në shqip pushoi së qeni thjesht një akt atdhetarie kundër imperializmit kulturor të huaj, dhe intelektualët shqiptarë filluan, ndoshta për herë të parë, të shohin se mundësitë e zhvillimit letrar e kulturor ishin të pakufizuara. Institucionet shkollore katolike të ngritura në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë nga françeskanët dhe jezuitët në Shkodër dhe pas pavarësisë shkollimi në gjuhën shqipe në mbarë vendin, kishin çarë rrugën për krijimin e një elite në Shqipëri. Ato dhanë frytet e veta në vitet njëzet. Letërsia e krijuar nga kjo shtresë intelektualësh të shkolluar në gjuhën dhe kulturën e tyre u shpreh përsëri kryesisht në poezi, ndonëse praktikisht u shfaqën të gjitha gjinitë letrare. Periudha e pavarësisë dëshmoi lindjen e tre poetëve, krijimtaria e të cilëve pasqyron fuqishëm vazhdimësinë e kulturës së Rilindjes. Ata ishin Andon Zako Çajupi në Egjipt, Ndre Mjeda në Shkodër dhe Asdreni në Rumani.

    Andon Zako Çajupi (87) (1866-1930) lindi më 27 mars 1866 në Sheper, fshat në krahinën e Zagorisë së Sipërme në Shqipërinë jugore, bir i një tregtari të pasur duhanesh, Harito Çako, i cili bënte tregti në Kavallë e në Egjipt. Në vogëli Andon Zakoja, i cili më pas pëlqente ta thërrisnin me pseudonimin Çajupi sipas emrit të një mali jo larg vendlindjes së tij, ndoqi shkollat në gjuhën greke në krahinën e lindjes, kurse më 1882 emigroi në Egjipt, ku studioi pesë vjet në liceun francez 'Sainte Catherine des Lazaristes' në Aleksandri. Më 1887 vajti të studiojë për drejtësi në Universitetin e Gjenevës. Përfundoi atje studimet për jurisprudencë më 24 tetor 1892 dhe mbeti në Zvicër për nja dy a tre vjet të tjerë, ku edhe ishte martuar me një vajzë të quajtur Evgjeni, me të cilën pati një djalë, Stefanin. Evgjenia vdiq aty nga viti 1892, humbje tragjike kjo për poetin, dhe Çajupi u kthye në Kavallë për ta lënë të birin në kujdesin e së ëmës Zoica. Rreth viteve 1894-1895 Çajupi u kthye në Egjipt dhe u lidh me një firmë juridike gjermane në Kajro. Por karriera e tij juridike mori fund shpejt për shkak se bëri një gabim strategjik, mbrojti një shoqëri franceze në një konflikt kundër interesave të khedivit (88). Megjithatë, duke mos qenë i varur financiarisht, Çajupi e kaloi këtë katastrofë profesionale pa dhimbje. U tërhoq në vilën e tij në Heliopolis afër Kajros dhe iu përkushtua letërsisë e më pas edhe forcimit të mëtejshëm të lëvizjes së gjallë kombëtare shqiptare në Egjipt. Në vitet pas pavarësisë së Shqipërisë Çajupi vazhdoi të luajë një rol aktiv në bashkësinë shqiptare të Nilit, e organizuar sikundër ishte në klube e në shoqëri të ndryshme atdhetare, që ishin në grindje me njëra-tjetrën për çështje politike. Vdiq në shtëpinë e tij në Heliopolis më 11 korrik 1930. Eshtrat e tij u sollën në Shqipëri më 1958.

    Etapa më e rëndësishme e veprimtarisë letrare e kombëtare të Çajupit është nga 1898 deri më 1912. Më 1902 ai ishte anëtar dhe veprimtar i Vëllazërisë së shqiptarëve të Egjiptit dhe po atë vit botoi vëllimin me poezi për të cilin ka mbetur i mirënjohur, Baba-Tomorri, Kajro 1902. Kjo përmbledhje, me emrin e malit Tomorr, Parnasi i mitologjisë shqiptare, përmban lirika, shumica me tema atdhetare, dhe ndahet në tre krerë: 1) Atdheu, 2) Dashuria, dhe 3) Përralla të vërteta e të rreme. Suksesi qe i menjëhershëm. As edhe një përmbledhje tjetër me poezi shqiptare nuk qe bërë kaq popullore ndër shqiptarët brenda e jashtë vendit që me përmbledhjet e Naim Frashërit. Çajupi nuk u mjaftua me mallin romantik të poetëve të mëparshëm të mërgimit si Filip Shiroka. Sigurisht që ai ishte një nacionalist, por ai ishte edhe i vetëdijshëm për realitetin e zymtë të jetës në atdhe. Një nga baladat më të spikatura në këtë përmbledhje, Fshati im, ka në qendër për shembull pabarazitë në shoqërinë patriarkale:


    "Maletë me gurë,
    Fushat me bar shumë,
    Aratë me grurë,
    Më tutje një lumë.

    Fshati për karshi
    Me kish' e me varre,
    Rrotull ca shtëpi


    __________________________________________________ _________________

    87 kr. Gj. Zheji 1966, Shuteriqi 1977, f. 373-417, dhe Dado 1983.

    88 d.m.th. princ i Egjiptit nën suzerenitetin osman.

    __________________________________________________ _________________

    Të vogëla fare.

    Ujëtë të ftohtë,
    Era pun' e madhe,
    Bilbili ia thotë,
    Gratë si zorkadhe.

    Burrat nënë hie,
    Lozin, kuvendojnë,
    Pika që s'u bie,
    Se nga gratë rrojnë!

    Gratë venë nd'arë
    Dhe në vreshta gratë,
    Gruaja korr barë,
    Punon dit' e natë.

    Gratë në të shirë
    Në të vjela gratë,
    Ikinë pa gdhirë,
    Kthenenë me natë.

    Gruaja për burrë
    Digjetë në diell,
    Punon e s'rri kurrë
    As ditën e diel.

    O moj shqipëtarkë,
    Që vet' e nget qetë,
    Edhe drek' e darkë
    Kthenesh e bën vetë;

    Moj e mjera grua
    Ç'e do burrëzinë,
    Që ftohet në krua
    Dhe ti mban shtëpinë!"



    Edhe pse ky vëllim poetik ishte më i rëndësishmi i viteve të para të shekullit të njëzetë, Baba-Tomorri nuk ishte i vetmi botim i Çajupit. Më 1921 ai botoi 113 fabula të La Fontenit (La Fontaine, 1621-1695) në Përralla, Heliopolis 1920/1921, dhe menjëherë pas atij libri një përmbledhje poezish sanskrite, Lulé te Hindit, Kajro 1922, të cilat i kishte përkthyer nga një antologji frënge e me një përkushtim për Faik bej Konicën (1875-1942). Veprat e tjera poetike të tij mbetën të pabotuara sa qe gjallë. Ndër to janë një poemë satirike me 6000 vargje Dhiat' é vjéter é chfacure, e njohur edhe me titullin Baba Musa lakuriq, e cila u shkrua rreth viteve 1903-1905 mbështetur në ngjarjet e Dhiatës së Vjetër.

    Ndonëse me shumë të meta teknike në vjershat, metri tetërrokësh i drejtpërdrejtë që të kujton këngët popullore të Shqipërisë së jugut, idetë e qarta dhe frymëzimi atdhetar i tyre e bënë këtë poezi jashtëzakonisht të përhapur në të rritur e në fëmijë, kurse vetë Çajupin - poetin më të rëndësishëm shqiptar pas Naim Frashërit (1846-1900). Çajupi ishte edhe dramaturg, autor i një tragjedie në vargje për Skënderbeun me titull

Faqja 6 prej 12 FillimFillim ... 45678 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  2. Video e ushtarëve grekë në Internet indinjon shqiptarët
    Nga Ingenuous në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 207
    Postimi i Fundit: 22-09-2011, 14:58
  3. Letersia Shqiptare
    Nga new-man në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-01-2009, 12:28
  4. Mesjeta e hershme shqiptare
    Nga DYDRINAS në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 15-11-2006, 15:10
  5. Rruga e modernitetit dhe koha e artë e letërsisë shqiptare
    Nga Eni në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-10-2002, 14:04

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •