Bashkëkohësi i Bastarit Muhamet Kyçyku(22) (1784-1844) shënon kalimin nga poezia klasike e bejtexhinjve të parë te poetët e Rilindjes të gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kyçyku, që njihet edhe me emrin Muhamet Çami, d.m.th. çam, ishte nga Konispoli. Ai studioi për teologji njëmbëdhjetë vjet në Kairo, ku dhe ishte vendosur një koloni shqiptare jo e paktë. Pasi u kthye në fshatin e lindjes, shërbeu si hoxhë dhe vdiq më 1844 [1260 A.H.].
Kyçyku ka qenë autor më prodhimtar në krahasim me të tjerët. Ai ka shkruar në dialektin e tij çam dhe, me sa duket, ka qenë i pari autor shqiptar që është marrë me poemën e gjatë. Ajo që e bëri të mos harrohet, është rrëfenja romantike në vargjen e njohur me emrin Erveheja, që në fillim mbante titullin Ravda (Kopshti), shkruar rreth vitit 1820. Kjo rrëfenjë poetike, me strofa katër vargjesh e tetërrokësh me rimë ABAB jep peripecitë e së bukurës Ervehe, e cila ia del mbanë të mbrojë nderin e virtytin e saj, duke kaluar shumë prova e fatkeqësi.
I shoqi i Ervehesë shkon në një vend tjetër dhe e lë të shoqen në kujdesin e të vëllait, i cili, megjithëse kishte dhënë fjalën, orvatet ta përdhunojë. Erveheja u bën ballë si joshjeve ashtu edhe kërcënimeve të tij se do ta vriste po të mos i jepej. Vëllai i tërbuar hakmerret duke e akuzuar Ervehenë se kishte tradhëtuar të shoqin dhe prandaj e dënojnë sipas ligjit të Kuranit për ta qëlluar me gurë për vdekje. Për mrekulli Erveheja shpëton nga goditjet, dhe një fisnik kalimtar, i cili dëgjon të qarat e saj, e merr nga zalli dhe e shpie në shtëpinë e vet tek e shoqja. Erveheja e merr veten, por fisniku që e shpëtoi bie viktimë e bukurisë së saj. Ajo kundërshton edhe propozimet e tij, duke i thënë se është
e martuar, gjë që mjafton për ta larguar. Më pas, një shërbëtor i shtëpisë përpiqet ta përdhunojë, por edhe ai sprapset. Ai merr hak duke vrarë djalin e fisnikut e duke akuzuar Ervehenë për këtë krim. Çështja sqarohet por fisniku, edhe pse i bindur për pafajësinë e saj, detyrohet të mos e mbajë më Ervehenë në shtëpi, por t'i japë katërqind para flori e ta largojë. Fatkeqësitë e Ervehesë së shkretë nuk marrin fund me kaq. Kur po endej përgjatë një bregut të një lumi, ajo has një vjedhës, të cilin do ta varnin ngaqë kishte grabitur katërqind para flori nga arka e mbretit. I vjen keq për të e i shpëton jetën duke i dhënë paratë e veta. Vjedhësi i vete pas dhe e kërkon për grua. Kur ajo nuk pranon, ai si mosmirënjohës, ia shet për skllave një kapiteni anijesh, i cili gjithashtu orvatet ta përdhunojë. Mu në atë çast ngrihet një shtrëngatë dhe i mbyt të gjithë përveç Ervehesë, të cilën deti e nxjerr në bregun e një qyteti të huaj. Një njeri fetar i jep rrobat e tij dhe, e veshur si burrë, ajo i paraqitet mbretit të vendit, i cili e pret me ngrohtësi dhe i jep një shtëpi. Aty ajo përkujdeset për të sëmurët e të verbërit, dhe bëhet objekt respekti e nderimi për punët e mira që bën. Madje, kur mbreti vdes, Ervehenë e zgjedhin për trashëgimtar. Një ditë, në oborrin e saj vijnë pesë të huaj: i shoqi me të vëllanë, fisniku shpëtimtar, shërbëtori dhe vjedhësi, këta tre të fundit të verbër tani. Erveheja u premton t'i shërojë nëse i rrëfejnë të gjitha mëkatet. Kësisoj dalin në dritë të gjitha padrejtësitë kundër Ervehesë, e cila tani i shfaqet të shoqit si grua e ndershme dhe e virtytshme, ashtu sikundër kishte qenë gjithmonë.
Ideja e kësaj historie moralizuese për "virtytin e femrës" ndeshet mjaft në letërsinë orientale dhe në atë perëndimore. Ka të ngjarë që burimi i variantit poetik të Kyçykut të kësaj historie të jetë Tûtî-nâme-ja persiane (Rrëfenja e një papagalli) e Zijaudin Nakshabit (Ziyâ'uddîn Nakhshabî), e frymëzuar nga origjinali sanskritisht Shukasaptati. Teksti shqip prej
__________________________________________________ _________________
22 kr. F. Fishta 1940b, Rossi 1948, Myderrizi 1951a, 1957a, Hetzer 1983b, 1984a, dhe Vehbiu 1989.
__________________________________________________ _________________
shtatëmbëdhjetë faqesh përbëhet nga 856 vargje dhe ruhet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë(23). Ajo është edhe nga të rrallat vepra të bejtexhinjve të botuara në shekullin e nëntëmbëdhjetë, ndonëse në një variant të ndryshuar. Publicisti rilindës Jani Vreto (1822-1900) jo vetëm e transliteroi dhe e botoi Ervehenë në Bukuresht më 1888, por edhe e përshtati për shijet e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, duke e parë të arsyeshme edhe ta pastronte nga fjalori turqisht, persisht e arabisht. Megjithatë, varianti i parë origjinal është më i kuptueshëm dhe ruan karakterin narrativ të pastolisur të një historie poetike, ndërsa varianti i Vretos rreket ta paraqesë veprën në një formë më epike me epitetet përkatëse.
Erveheja nuk është e vetmja vepër e Kyçykut e ardhur deri në ditët tona, ndonëse për shumë vjet nuk njihej tjetër përveç saj. Pjesa më e madhe e mbi 4000 vargjeve (rreth 200 faqe) që kemi prej tij, janë zbuluar në këta pesëdhjetë vjetët e fundit. Vepra tjetër e Kyçykut është Jusufi e Zelihaja, një rrëfenja moralizuese me 2430 vargje, mbështetur në historinë biblike të rrëfyer në Zanafilla 39 dhe në suren e dymbëdhjetë të Kuranit, mbi përpjekjen e gruas së padronit egjiptian Potifar për të joshur e bërë për vete djaloshin e hijshëm Jusuf. Kjo 'më e bukura rrëfenjë', siç e quan Kurani, ka shërbyer si motiv i përbashkët për letërsitë arabe, persiane e turke. Ajo ishte marrë dhe përshtatur, në veçanti, nga poeti epik persian Firdusi (Firdausî, rreth 935-1020) dhe më pas nga autori mistik Xhami (Jâmî, 1414-1492) në poemën Jusufi dhe Zelihaja. Jusufi biblik është, në disa pikëpamje, kolegu mashkullor i Ervehesë.
Edhe ai vuan shumë në duart e familjes së tij e të armiqve dhe po ashtu u qendron me vendosmëri joshjeve të gruas së zotnisë së vet për të mbetur i ndershëm e i virtytshëm. Jusufi dhe Zelihaja e Muhamet Kyçykut dëshmon për një nivel më të lartë letrar se Erveheja. Gjuha e saj është më e pasur dhe mjaft nga pjesët përshkruese i kapërcejnë caqet e një rrëfimi të thjeshtë. Ajo gjithashtu mbështetet më shumë në analizën e karaktereve si mjet për të dhënë dramaticitetin e situatës, sidomos kur është fjala për ndjenjat e zjarrta të Zelihasë së dashuruar.
Muhamet Kyçyku është autori i një radhe vjershash të tjera të shquara, në njërën prej të cilave, me 348 vargje në strofa katërshe me nga tetë rrokje, që zakonisht titullohet Bekriu, autori mysliman i saj dënon pijen e rakisë e të verës. Në këtë vjershë përmendet emri i autorit dhe viti 1824 [1239 A.H.], çka na bën të mendojmë se është vepra më e hershme e Kyçykut që mund të datohet me saktësi. Një poemë historike, e cila mban datën 1826 [1241 A.H.], përpjekje e Kyçykut për të rrahur tema më epike, u këndon fushatave të Ibrahim Pashës (1789-1848), bir i gjetur i Muhamed Aliut, sundimtar i Egjiptit, gjatë luftës greke për çlirim. Ajo përmban, ndër të tjera, përshkrime të betejave të Athinës dhe Misolongjit (1822). Një poemë me 100 vargje, e njohur me titullin Gurbetlitë merret me hallet e atyre shqiptarëve që detyrohen të lënë atdheun
për të kërkuar punë e jetë më të mirë jashtë vendit, temë kjo që do të rimerret nga shumë vepra të letërsisë shqiptare të mëvonëshme. Kyçyku, që, sikundër theksuam, jetoi dhe studioi për njëmbëdhjetë vjet në Egjipt, ia kushtoi energjitë e veta edhe përkthimit të letërsisë fetare nga arabishtja në turqishte. Nga këto kemi variantin shqip të Qasîdatu'l-Burda (Odë për xhyben) të poetit arab me prejardhje berbere Al-Busiri (Al-Busîrî, vd. 1296), një panegjirik klasik për profetin Muhamed.
Tahir Boshnjaku(24), i quajtur edhe Tahir efendi Gjakova apo Efendiu i Madh, ka qenë një shkrimtar nga Gjakova në gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kreu studimet për teologji në Stamboll dhe u kthye në Kosovë e dha mësim në 'Medresen e vogël' në Gjakovë. Emri Boshnjaku ose shënon se kishte ardhur nga Bosnja ose të paktën nga krahina e Plavës dhe Gucisë, asokohe pjesë e Bosnjës, ose ai i kishte vizituar mjaft ato vende. Sidoqoftë, ai është autori i një vepre me 328 vargje me titullin Vehbije (Blatim) ose Emni Vehbijje datuar 1835 [1251 A.H.], një përmbledhje vargjesh
__________________________________________________ _________________
23 Dorëshkrimi nr. III F 36.
24 kr. Kaleshi 1956, 1966-67, dhe Ajeti 1960 dhe 1962.
__________________________________________________ _________________
të rregullta me metrikë arabe, ku janë ndërfutur pjesë në prozë, që trajtojnë çështje fetare dhe filozofike, si fjala vjen kotësia e qenies, parajsa dhe ferri, detyrat e njeriut dhe vendi i dijes. Kjo u transliterua keq në alfabetin e Stambollit nga një i quajtur Ismail Haxhi Tahir Gjakova dhe u shtyp në Sofje më 1907.
Prirja për poema të gjata dhe fillime të poemës epike, që u vu re te Muhamet Kyçyku, u zhvillua më tej nga dy vëllezër prej fshatit Frashër në Shqipërinë jugore. Dalip Frashëri(25) që ishte një dervish bektashi e që pati marrë mësime në teqen e njohur bektashiane të Frashërit, të themeluar më 1824-1825 nga Tahir Nasibiu (vd. 1835). Nasibiu e dërgoi nxënësin e tij në Konicë, ku Dalip Frashëri u vu vetë në krye të një teqeje dhe shkroi një poemë epike shqip. Kjo poemë me 65000 vargje me titullin Hadikaja (Kopshti), e shkruar me pseudonimin Hyxhretiu (i mërguari), u përfundua më 1842 [1258 A.H.]. Ajo është mbështetur në një vepër me po atë titull të poetit azerbajxhanas Fuzuliu (Fuzûlî, 1494-1556), përfaqësuesi më i madh i divaneve lirike turke. Hadikaja shqiptare, e ndarë në dhjetë këngë përveç hyrjes dhe mbylljes, është sa dyfishi i variantit azer-turqisht dhe përbën poemën e parë epike të vërtetë në gjuhën shqipe. Ajo është hartuar kryesisht në strofa katërshe me vargje tetërrokësh me rimë ABAB, herë-herë të ndryshuar me vargje gjashtërrokëshe.
Dorëshkrimi ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë(26). Hadikaja trajton jo vetëm historinë e bektashizmit në Shqipëri, por ashtu si Hadîqatû
as-su'adâ e Fuzuliut, edhe ngjarjet e historisë myslimane shiite, sidomos Betejën e Qerbelasë në Irak në vitin 680 të erës sonë, në të cilën u vra Huseini, nipi i profetit Muhamed. Vëllai më i vogël i Dalipit, Shahin bej Frashëri, gjithashtu provoi të shkruajë një poemë epike me temë bektashiane. Myhtarnameja (Historia e Myhtarit) e tij prej 12,000 vargjesh, e pabotuar deri më sot, trajton gjithashtu historinë myslimane shiite dhe Betejën e Qerbelasë, në të cilën Myhtari qe një nga pjesëtarët. Kjo poemë, nga e cila njihen disa kopje, u përfundua më 1868 dhe duket se është mbështetur në një origjinal persian e është ndikuar nga një variant i ndërmjetëm turqisht. Poeti i Rilindjes Naim Frashëri (1846-1900) që, ndonëse nga i njëjti fshat, nuk kishte lidhje gjaku të drejtpërdrejtë me vëllezërit e sipërpërmendur, duket se ka qenë frymëzuar nga Hadikaja dhe Myhtarnameja në krijimin e poemës epike me temë bektashiane Qerbelaja, Bukuresht 1898. Të dyja këto vepra janë cituar shpesh nga historianët e letërsisë, sidomos kur ka qenë fjala për Naim Frashërin, por rrallë në mos fare janë lexuar vërtet, përderisa vetëm disa fragmente të shkurtra nga Hadikaja janë botuar deri tani. Një botim kritik shkencor i këtyre dy poemave do të ndihmonte që të vlerësoheshin ato dhe autorët.
Krijoni Kontakt