"Poezi,
Udhën gjer tek unë si e gjete?
Mamaja ime shqipen mirë s'e di,
Letrat si Aragoni i shkruan, pa pikë dhe presje.
Babaj u end në rini në të tjera dete;
Po ti erdhe
Duke ecur nëpër kalldrëmin e qytetit tim të gurtë të qetë,
Trokite drojtur në shtëpinë trekatëshe
Nr. 16.
Shumë gjëra kam dashur dhe çdashur në jetë,
Për shumë dëshira kam qenë 'Çita aperta',
Por prapë
Si ai djali që kthehet vonë në shtëpi,
I lodhur dhe i shqyer nga bredhjet e natës;
Ashtu dhe unë, i lodhur përsëri
Pas çdo amatorije, jam kthyer tek ti.
Dhe ti,
Pa më mbajtur mëri për tradhëtitë,
Më ke përkëdhelur flokët me ëmbëlsi,
Stacioni im i fundit,
Poezi."
Por qe përmbledhja e fuqishme e Kadaresë Shekulli im, Tiranë 1961, ajo që, së bashku me Hapat e mija në asfalt, Tiranë 1961, të Dritëro Agollit dhe Shtigje poetike, Tiranë 1962, të Fatos Arapit, do të ndihmonte për të çuar më tej rinovimin e poezisë shqiptare. Vargu i Kadaresë ishte më pak i fryrë se poezia e mëparshme dhe ngjiti më shpejt në zemrat e lexuesve, të cilët ndien aty frymën e kohës dhe vlerësuan larminë tematike. Me poezinë e tij brenda një kohe të shkurtër u bë shumë i dashur për rininë e Shqipërisë. Me spontaneitetin dhe çiltërsinë e vargut, Kadare dha ndihmesë sidomos për evoluimin e lirikës së dashurisë, zhanër ky tradicionalisht i lënë pas dore në letërsinë shqiptare. Ja vjersha Edhe kur kujtesa nga përmbledhja Shekulli im:
"Edhe kur kujtesa ime e lodhur,
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Unë ty s'do të harroj.
Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë të pashkundshme.
Ndarja erdhi,
Po iki larg prej teje.
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë natë
Gishtat e dikujt do pleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë."
Ismail Kadare ishte me kurajë në çështje të formës, por ndoshta jo dhe aq në ato të përmbajtjes. Një pjesë e mirë e krijimtarisë poetike në vitet gjashtëdhjetë ishte me frymëzim politik. Përse mendohen këto male, Tiranë 1964, është një himn prej njëzetekatër këngësh, që erdh e u bë një nga shprehjet më të spikatura të vetë imazhit të Shqipërisë nën regjimin e Enver Hoxhës. Poema të tjera të këtyre viteve me krijimtari poetike të bollshme si Ëndërr industriale 1960, Poemë e blinduar 1962, dhe Shqiponjat fluturojnë lart 1966, bashkonin ato që parapëlqente partia - patosin kombëtar me entuziazmin revolucionar. Pikërisht në këtë kohë Kadareja nisi t'ia kushtojë energjitë krijuese prozës. Megjithatë, poezinë nuk e braktisi fare, dhe këtë e dëshmojnë përmbledhjet e tjera poetike - Motive me diell, Tiranë 1968, dhe Koha, Tiranë 1976. Një përmbledhje me poezi të tij gjendet në frëngjishte - Poèmes 1958-1988, Paris 1989. Edhe pse më novator në formë se bashkëkohësit, Ismail Kadare në tërësi nuk qe poet më i madh se Dritëro Agolli në vitet e para të krijimtarisë së tij ose se Fatos Arapi gjatë gjithë karrierës së vet poetike. Veçse ai ka arritur diçka tjetër - ka mbushur hendekun midis poezisë dhe prozës dhe ka kaluar shumë elemente të së parës në tregimet dhe romanet e tij.
Ndër poetët që arritën pjekurinë artistike në vitet tetëdhjetë është Koçi Petriti (l. 1941) nga Korça. Filloi të botojë vjersha që në moshë të re, madje para se të kryente studimet në Universitetin e Tiranës, pas të cilave punoi për një kohë si mësues letërsie në Librazhd. Për arsye familjare, Petriti u mor me sy të keq politikisht për një periudhë, por u rehabilitua nga Todi Lubonja rreth vitit 1968. Vargu me metrikë solide, rimat mjeshtërore dhe fuqia shprehëse, herë herë jo pa nota humori, e kanë vendosur atë midis lirikave të fuqishme emocionuese të Fan Nolit (1882-1965) dhe temperamentit realist, tokësor e fshatar të Dritëro Agollit, me të cilin e bashkon edhe dashuria për fshatin e zonës juglindore të Shqipërisë. Pas vëllimeve të para si Lirikat e majit, Tiranë 1962, dhe Përsëri në udhë, Tiranë 1967, vargu i tij fitoi pjekuri dhe u bë më i sigurt, çka u duk më qartë në Firma e popullit tim, Tiranë 1974, Prush nëpër shekuj, Tiranë 1979, dhe sidomos në Të dashurova ty, Tiranë 1988, në të cilën ai heton dhe mediton mbi historinë, legjendat dhe figurat e të së kaluarës.
Nga skaji tjetër gjeografik i Shqipërisë vjen Ndoc Papleka (l. 1945), i cili u bë poet i njohur në vitet tetëdhjetë. I lindur në Tropojë në alpet e Shqipërisë së Veriut, ai ka ruajtur të paprekur diçka nga temperamenti individualist gegë i fiseve malësore të ashpra të së kaluarës. Papleka ka studiuar gjuhë e letërsi në Tiranë dhe tani punon në Institutin e Kulturës Popullore. Jo pa ngjashmëri me magjepsjen e Arapit pas detit, Papleka priret nga lumi dhe digat që ngrihen në krahinën e thellë të vendlindjes së tij. Figuracioni i freskët e i gjallë, të shprehurit gati heroik në vëllimin e parë Zëri im, Tiranë 1971, Ecim, Tiranë 1974, dhe Njatjeta diell, Tiranë 1976, i kanë dhënë vargut të tij një notë që të kujton gjallërinë dhe forcën e poezisë gojore të Shqipërisë së veriut. Arkitektura e dritës, Tiranë 1981 kishte në qendër ndërtimin e hidrocentralit 'Drita e Partisë'. Më pas vijnë vëllimet Djepi i klithmave, Prishtinë 1982, Rrathët e lisit, Tiranë 1984, dhe Lumi e di ku buron, Tiranë 1988, që i dallon kërkimi i vazhdueshëm për forma të reja shprehjeje. Megjithatë duhet vënë në dukje se mjaft nga 'poezia industriale' euforike e tij është disi e larguar nga realiteti, sikundër mund të konfirmojë çdo punëtor që ka jetuar mes tymrave e blozave të Kombinatit Metalurgjik 'Çeliku i Partisë' në Elbasan. Krijimet e Paplekës kanë mjaft dallime nga njëri-tjetri për nga niveli artistik, po ata më të mirët hyjnë në poezinë më të bukur shqiptare të krijuar në vitet tetëdhjetë në Shqipëri.
Krahina e Skraparit rrëzë malit të lartë të Tomorrit, legjendarit Baba Tomorr të mitologjisë shqiptare, është shquar për rakinë e shkëlqyer. Kjo krahinë është edhe vendlindja e Xhevahir Spahiut (l. 1945), një nga poetët më të fuqishëm, më energjikë e më të talentuar të Shqipërisë së sotme, që mund të quhet një zë i mbijetesës. Gjatë spastrimeve të shkrimtarëve dhe intelektualëve në vitin 1973, diktatori Enver Hoxha e përmendi Spahiun me emër pse kishte shkruar vjershën Jetë. Kjo vjershë (82) përmbante vargjet Jam ai që s'kam qenë, do të jem ai që nuk jam, që të kujton, edhe pse fare rastësisht, një varg të Zhan Pol Sartrit (Jean-Paul Sartre, 1905-1980). Ndonëse poeti nuk e kishte pasur kurrë mundësinë për të shijuar frytet e ndaluara të filozofit frëng (sikundër, me sa duket, kishte pasur mundësi diktatori shqiptar), ai u demaskua si ekzistencialist, baraz me tradhëti të lartë. Shpëtoi për qime, duke i kanalizuar energjitë e tij në hullinë e entuziazmit revolucionar. Pas pak vjetësh, për fatin e mirë të tij dhe të vetë letërsisë shqiptare, iu lejua përsëri botimi. Tani që vala e kuqe ka rënë, ai mund të merret përsëri me punët e poezisë, punë që i bën me kënaqësi të madhe. Në vjeshtën e vitit 1990, në grahmat e fundit të diktaturës, ai hodhi në letër vjershën Historia jonë, historia e Shqipërisë së fundit të shekullit të njëzetë, me dy vargje:
"Tehut të shpatës kemi ecur rrufé,
Pastaj shpata ka ecur mbi ne."
Energjiku Xhevahir Spahiu nuk është poet-murg dhomash të mbyllura apo i një vetmie të humbur në mendime. Ai e ndien veten më së miri vetëm mes njerëzish. Tamam atëherë fillojnë e i shndrijnë sytë si shqarth, kurse zëri nis të përcjellë gjithë atë emocion që vetëm poezia e vërtetë është në gjendje të shprehë. Dëgjuesit mbeten përherë të magjepsur. Në një vend ku deri vonë çdo vjershë, çdo fjalë, çdo mendim i nënshtrohej një filtri të dendur konformizmi ideologjik e personal, ky zakon deklamimi të zjarrtë e spontan, e bënte atë një farë dukurie unikale nëpër rrugët e zymta të Tiranës. Poezia e këtij 'enfant terrible' të letrave shqiptare është e fuqishme dhe solide, por njëkohësisht është poezi e ngjyrimeve dhe shkallëzimeve kuptimore, ndonëse nganjëherë me një frymë artificialiteti.
"Dashuria është e gjitha këtu.
Tek këta sy,
Tek këto fjalë,
Tek paksa heshtje midis tyre është dashuria.
Edhe atëherë kur të dy s'kishim lindur,
Të prisja! Të prisja!
Të prisja!"
Kënaqësi e Spahiut është të hetojë dhe të zbulojë skajet e gjuhës poetike. Është autor i shumë përmbledhjeve poetike: Mëngjes sirenash, Tiranë 1970; Vdekje perëndive, Tiranë 1977; Agime shqiptare, Tiranë 1981; Nesër jam aty, Tiranë 1986; Tek rrënja e fjalëve, Prishtinë 1988; Heshtje s'ka, Tiranë 1989; Kohë e krisur, Tiranë 1991, dhe me siguri shumë të tjerë do të pasojnë në të ardhmen.
Nga Korça, qytet relativisht i begatë në Shqipërinë juglindore, që i ka dhënë vendit shumë shkrimtarë, intelektualë e njerëz me talent, vjen Natasha Lako (l.1948). Poezinë e parë Lako e botoi më 1964 kurse përmbledhja e parë poetike, Marsi brënda nesh, Tiranë 1971, doli shtatë vjet më vonë. Tani ajo është autore e pesë vëllimeve me vjersha, një romani dhe skenaresh të suksesshëm të Kinostudios Shqipëria e Re. Natyrë e qetë, Tiranë 1990, është një përmbledhje me tetëdhjetë e një lirika të shkurtra, poezia më e arrirë e Lakos. Gjejmë aty metafora dhe imazhe të freskëta ndërkohë që e shohim të udhëtojë në krahët e kohës e të hapësirës: Vezuvi, Athina homerike në një zyrë postare, Prishtina e munduar në ashensorin e hotelit Bozhur, e doemos kthimi në Korçë. Lako nuk është vetëm poete grua por edhe poete e gruas, dhe ky aspekt duket më fort në përmbledhjen Natyrë
__________________________________________________ _________________
82 kr. Nëntori, Tiranë, 1972, nr. 12.
__________________________________________________ _________________
Krijoni Kontakt