"Ju rrëfej nga Kreta, gjyqin e një linçimi racist"
Nga Kreta / Luan Pacani, emigrant
27-02-2007
Materiali i mëposhtëm na është nisur nga një emigrant shqiptar në Kretë, dëshmitar i një prej gjyqeve që ka shkaktuar më shumë polemika në shtetin fqinj. Një grup të rinjsh racistë grekë masakruan brenda në shtëpi, ditën e ndërrimit të viteve, një të ri shqiptar nga Tepelena, Edisonin.
Procesi gjyqësor është zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Për të parën herë drejtësia greke dha dënime ekstreme për vrasësit, por u shmang ngjyrimi racist i vrasjes.
Dërguar në kontakt@shekulli. com.al
Mbas shtyrjes së parë që ndodhi më 13 shkurt, përfundimisht gjyqi i shumëpritur i ngjarjes së bujshme të Kretës, e rihapi seancën ditën e mërkurë, më 21 shkurt, në orën 9.00 paradite dhe përfundoi duke u gdhirë data 24 shkurt. Ngjarja e rëndë që ndodhi disa orë mbas ndërrimit të viteve, pikërisht në orën 5 të mëngjesit, të datës 1 janar 2006, kur një bandë prej 7 vetash, kryesisht të rinj grekë, thyen portën e shtëpisë ku jetonte familja emigrante, rrahën barbarisht kryefamiljarin e sëmurë dhe pastaj me 17 thika i morën jetën 17-vjeçarit, Edison Jahaj nga Tepelena, tronditi rëndë jo vetëm shoqërinë shqiptare, por dhe atë greke. Shkak kryesor i kësaj ngjarjeje, ishte bluza me flamurin kombëtar shqiptar që Edisoni guxoi ta vishte në një ambient publik, pra në disko, ku kishin shkuar për të festuar Vitin e Ri. Shqiptarin me bluzën-flamur, banda e të rinjve grekë, e kryesuar nga i riu Jorgo Gridhaqis, (ushtar i ardhur me leje) e fyen, e qëlluan me grushte dhe e nxorën jashtë lokalit, duke e rrahur dhe në rrugë. Shoqëria e Edisonit, që ishte aty për të festuar Vitin e Ri, ndihmoi në shuarjen e sherrit, por të rinjtë grekë disa orë më vonë, mbasi u riorganizuan, duke marrë me vete dhe babain 40-vjeçar të protagonistit kryesor të sherrit në lokal, (me punë taksist) shkuan në spitalin e qytetit, se mos aty kishte shkuar për ndihmë mjekësore shqiptari me bluzën flamur. Mbasi nuk e gjetën aty, të irrituar, ndaj të gdhirë shkuan në shtëpinë e Edisonit, të cilën ua tregoi një pjesëtar i grupit të tyre, dhe e keqja nuk vonoi të vinte. Racistët ishin përgatitur për "t'ju dhënë një mësim të mirë këtyre njerëzve, që nuk e kanë kuptuar se Greqia ka Zot" e "skllevërit nuk duhet të ngrenë kokë"... Emigrantët shqiptarë u ngritën atëherë për ditë të tëra në demonstrata paqësore, derisa më 11 janar 2006, u bë një demonstrim i madh me rreth 6000 pjesëmarrës. Atë natë me emigrantët u bashkuan dhe qytetarët grekë, për të dënuar vrasjen raciste.
***
Nën masa të rrepta sigurie, nga forcat e policisë greke në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Iraklio të Kretës, çështja "Jahaj" zgjati rreth 45 orë, në 5 seanca gjyqësore. Në mënyrë të hollësishme i ati i viktimës, tregoi në gjyq ngjarjen e tmerrshme të 1 janarit 2006, ku i therën të birin para syve. E përshkroi ngjarjen ashtu siç kishte ngjarë, me lot në sy e dhimbje në shpirt, si dhimbjet e Edisonit në atë mëngjes të tmerrshëm të Vitit të Ri. Ishte e habitshme, si ai njeri i sëmurë foli dhe iu përgjigj pyetjeve të trupit gjykues në gjuhën shqipe, për 6 orë rresht, si mundi të qëndronte në një distancë që s'ishte as 1 metër larg nga kriminelët, të cilët i shihte drejt në sy, duke tundur kokën.
Gjashtë të akuzuarit (në fakt janë shtatë, por njeri, vëllai më i vogël i të akuzuarit kryesor, do të gjykohet nga Gjykata e të Miturve) janë 5 grekë e një 29-vjeçare bullgare, mikesha e babait të ushtarit vrasës. Njeri mbas tjetrit u ngritën e shprehën "keqardhjen" për atë që ndodhi. 19-vjeçari J.Gridhaqi, që nguli 17 thikat në trupin e të pafajshmit Edison, u ngrit përpara trupit gjykues e mori përsipër të gjithë përgjegjësinë, për të lehtësuar pjesëtarët e tjerë të bandës.
Dita e parë e gjyqit ndaj tij, përkonte me ditën kur ai do të lirohej nga ushtria, e ndoshta do të fillonte punë si teknik makinash. "Por, ja që jeta e solli krejt ndryshe, ai që vrava unë vdiq, por dhe unë tani jam një i vdekur i pakallur në varr. Sinqerisht, më vjen keq për atë që ndodhi. Marr të gjithë përgjegjësinë për krimin",- tha ai.
Përsa i përket 41-vjeçarit, (babai i të akuzuarit kryesor, i cili në vend që të ndalonte të birin për të mos kryer krimin, mori dhe vetë pjesë në krim) si dhe të akuzuarit e tjerë, kundërshtuan akuzën për bashkëpunim me dashje në krim, duke u justifikuar me pretekstin se shkuan në shtëpinë e Edisonit për të penguar Jorgon që të mos kryente krimin, por nuk mundën. Por, nga dëshmia e babait të Edisonit, doli se 41-vjeçari Sotiris Gridhaqis, jo vetëm që nuk e pengoi të birin për të mos kryer krimin, por mbante e qëllonte babain e viktimës, e sikur të mos mjaftonte që viktima kishte ngrënë 17 thika, ai e goditi dhe me një hekur në kokë, për t'i dhënë fund gjithçkaje, për të mos pasur viktima asnjë mundësi shpëtimi.
***
Avokati mbrojtës i të akuzuarit kryesor e babait të tij, paraqiti para trupit gjykues disa medalje të 19-vjeçarit, që i kish marrë në kampionet e Peshëngritjes për moshën e tij, me qëllim që të tregonte të kaluarën e mirë të klientit të tij. Ai tha se klienti i tij nuk kishte thikë, por ia mori viktimës nga dora.
Avokatët e familjes Jahaj, Theodhori Cula dhe Thoma Lukoviti, me prova e fakte mbrojtën të vërtetën e vrasjes raciste, duke paraqitur dokumente, artikuj gazetash, CD me filmime nga protestat anti-raciste, prononcime për ngjarjen nga deputetët e zonës, prefekti, partitë politike etj., që e cilësonin vrasjen me karakter racist. "E vërteta do dalë se s'bën, pasi viktima ishte krejtësisht i pafajshëm dhe jo siç mundohen ta paraqesin kolegët e mi", tha avokati Lukoviti, duke shtuar: "Zotërinj kolegë, është turp për ju që nxirrni medaljet dhe të mundoheni të bëni heronj ca kriminelë racistë".
Shumë përshtypje ka bërë fjala e këtij avokati, pas prezantimit të medaljeve të vrasësit, prej avokatëve të tij mbrojtës. Z.Lukoviti, tha: "Unë jam shumë krenar, që ndoshta për herë të parë në karrierën time si avokat, mbroj të vërtetën e njerëzve të ndershëm, e emigrantëve ekonomikë që erdhën këtu për një jetë më të mirë, e njerëzit e medaljeve që ju na tregoni, u marrin jetën. Sa për medalje, unë kam për të paraqitur një medalje shumë herë më të ndritshme nga ajo që na tregoni ju, që është ndershmëria e djersa e këtyre njerëzve të mirë",- tha avokati Lukoviti.
***
Halla e Edisonit, Luljeta Jahaj, në seancën e ditës së dytë të gjyqit, kur dëshmonin të akuzuarit, ajo u shkreh në vaj e kuje. Më pas, ajo mblodhi veten dhe doli para gazetarëve që prisnin jashtë për komente: "Mos t'ju vijë keq për ata që u dënuan nga Gjykata. Ata bënë një krim e dënimin e meritojnë, e bile me shumë. Po ne humbëm djalin tonë. E morëm me arkivol nga Kreta dhe e çuam në Shqipëri. Nuk kthehet më në jetë, iku pa bërë asnjë faj, duke na lënë të gjithëve një plagë të madhe në zemër",- u tha Luljeta, gazetarëve.
Pak metra larg fugonit të policisë, te porta e Gjykatës, edhe 19-vjeçari J.Gridhaqi, deshi të fliste para gazetarëve (duke pasur pranë avokatin e tij mbrojtës V. Mundrianaqi) . i zverdhur më fytyrë, ai tha: "Më vjen shumë keq që mora jetën e një njeriu. Kërkoj sinqerisht falje. Ishte një moment çmendurie... Sikur të kisha mundësi të ktheja kohën pas, atëherë gjërat do të ishin krejt ndryshe. Tani është tepër vonë, përfundimisht, unë kam mbaruar...".
Shokët, miqtë e të afërmit e familjes Jahaj që ndodheshin në sallë, nuk kundërshtuan, nuk bërtitën. Dolën nga salla me shpirt të vrarë e zemra të plagosura. Kriminelët u dënuan. Edisoni nuk kthehet më...
DËSHMIA E BABAIT TË EDISONIT
"Më mbanin, ndërsa më therën djalin… më morën dritën e syve"
Im bir flinte gjumë, në momentet kur thyen portën e u futën brenda. Bërtita fort: "Edison, ik se na vranë...". "Pse, ç'kanë me ne?",- dëgjova djalin të thoshte dhe erdhi te mua. Hapa derën që ta nxjerr në tarracën e shtëpisë. i vumë shpatullat derës së tarracës, por ata e thyen portën. Atëherë im bir bëri të hidhej nga tarraca, por njëri prej tyre e kapi dhe pastaj ma therën djalin para syve të mi, i ati i vrasësit, Sotiri, së bashku me një grua (e dashura e tij bullgare) dhe djalin tjetër më të vogël. më mbanin dhe më qëllonin... Sikur thika të mos ishte thyer në trupin e djalit, do më thernin dhe mua. Nuk mund të harroj shprehjen që më tha krimineli: "Unë vrava djalin tënd, unë do të vras dhe ty, se jeni racë e ndyrë"... Qëlloi, por thikës i kish ngelur vetëm bishti... Të gjithë u futën në shtëpi, e kryen krimin bashkërisht. Nga do t'i njihja, sikur të mos i kisha parë me sytë e mi atë natë të zezë. Më nxinë jetën, më morën dritën e syve. Vetëm kush është prind në këtë sallë, e di sa më dhemb shpirti...".
DËNIMET E VRASËSVE TË EDISONIT
Për të parën herë, dënime ekstreme, por u shmang ngjyrimi racist i vrasjes
Si përfundim, mbas një maratone seancash gjyqësore, trupi gjykues i Gjykatës së Krimeve të Rënda të Iraklios, nxori vendimin dhe i cilësoi të gjithë fajtor për krimin e 1 Janarit. Për 19-vjeçarin Jorgo Gridhaqi dha dënimin burgim të përjetshëm. Për babain e tij, 41-vjeçarin Sotiri Gridhaqi dha dënimin më të rëndë që parashikon Kodi Penal grek, për akuzën "Bashkëpunim në krim" duke e dënuar me 21-vjet e 11muaj burg. Për 19-vjeçarin Aris Mihallaqis, gjykata dha 14-vjet e 5-muaj burg. Për bullgaren Gjeorgjeva Kremena, 10-vjet e 11-muaj. Për 22-vjeçarin Nikolaos Stefanos dhe 21-vjeçarin Josif Hulizaqi, u dha dënimi me nga 10-vjet e 5-muaj burg secili.
Gjatë procesit gjyqësor u analizuan hollësisht detajet e krimit, u pyetën mjaft dëshmitarë, por me dashje u anashkalua ngjarja e ndodhur në disko, me qëllim që të mos i jepeshin krimit ngjyra raciste.
Trupi gjykues e përqendroi analizimin e çështjes me atë çfarë ndodhi brenda mureve të shtëpisë së viktimës, pa i dhënë shumë rëndësi shkakut të sherrit. Dëshmitarët e sherrit në disko nuk u pyetën fare, me gjithë kërkesat e herëpashershme të avokatëve të familjes Jahaj.
"Ambasada Shqiptare në Athinë, vazhdon traditën e heshtjes së turpshme"
Lidhur me gjyqin për vrasjen e Edisonit, në numrin celular të "Shekulli-Kontakt" kanë marrë këto ditë, edhe disa përfaqësues të shoqatave të emigrantëve tanë që veprojnë në Greqi. Një prej tyre, një zonjë e cila drejton një shoqatë emigrantësh, e cila ka monitoruar dhe organizuar mbështetjen për Edisonin dhe familjen e tij, na rrëfeu dy shqetësimet e saj kryesore, pas përfundimit të këtij gjyqi. E para, ajo dëshironte të falënderonte atë pjesë të opinionit dhe mediave greke, që dolën në mbrojtje të familjes së Edisonit, duke dënuar ashpër vrasjen raciste. "Kemi qenë në një gjendje shumë të shqetësuar. Një pjesë e opinionit ishte me ne, por presioni nga ana tjetër ishte shumë i madh... Do na kishin bërë sapun, po të mos na kishte mbështetur një pjesë e medias greke...", tha telefonuesja.
I dyti shqetësim i saj, ishte qëndrimi i Ambasadës sonë në Athinë. Ky institucion, me sa duket, pavarësisht se ka ndryshuar "ngjyrë" vazhdon traditën e heshtjes së turpshme, në trajtimin e problematikës së komunitetit shqiptar në Greqi.
"Asnjë notë proteste, asnjë mbështetje, megjithëse unë i kam telefonuar disa herë… Pse? Çfarë kanë? Askush nuk ka për t'i qortuar, nëse do mbrojnë thjesht dinjitetin e tyre, dinjitetin tonë",- pyeste e indinjuar telefonuesja jonë.
Nuk mund të bëjmë hë për hë asgjë tjetër, veçse ta mbështesim në këto shqetësime, duke i publikuar ato. Disa herë "Shekulli" ka vënë në dukje qëndrimet pasive të ambasadave tona, përballë shqetësimeve të emigrantëve. Me sa duket, impotenca dhe mungesa e dinjitetit vazhdojnë në këto institucione, që konsiderohen si qoshka të ngrohta me të cilat duhen qerasur eksponentët partiakë. Turp u qoftë! Redaksia e "Shekullit", përshëndet dhe ju jep kurajë gjithë emigrantëve tanë në Kretë dhe në gjithë Greqinë. Seksionet tona të komunikimit, janë të hapura në çdo kohë për ta.
Krijoni Kontakt