Lajme nga Dosier
Anglezët - flori për Enver Hoxhën
Zbarkimi i avionëve me ndihma për luftën çlirimtare. Sterlina për luftëtarët edhe të plagosurit
Autori i Lajmit: Red.
Zenel Merjo tregon se në gusht të vitit 1944, duke qenë në Kaptinë të Martaneshit, e thërret Baba Faja së bashku me korrjerin tjetër, Sulon, dhe u thotë: “Të dy do të niseni për në Bizë. Kujdes rrugëve, se mund të ketë të papritura. Aty do të gjeni, ose do t ju gjejnë dy misionarë anglezë me përkthyesin e tyre Frederik Nosin, dhe dy fshatarë me kafshë që i shoqërojnë. Me ata do të jeni të gatshëm për çfarëdo që t u thonë. Sot pritet të vijë një aeroplan dhe do të hedhi materiale për ata dhe për ne.” Më pas Zeneli rrëfen: “Pas më shumë se një ore mbërritëm në vendin e urdhëruar. Dy misionarët i gjetëm duke u marrë me radiot dhe antenat e tyre. Ata u futën në lidhje dhe duke mbajtur nga një bllok e laps në duar, drejtuan sytë nga qielli i kufizuar i Bizës. Nuk zgjati shumë, kur dy aeroplanë të vegjël u dukën nga perëndimi. Nuk vonoi shumë dhe nga barku i avionëve u lëshuan thasë, pako dhe kuti, fare pranë nesh. Pas pak ata na u drejtuan me duar për t u afruar pranë tyre. “Shikoni, djema, nga materialet e hedhura mungon një kuti. Kaloni gjithandej, po e gjetët, mos e prekni, por na lajmëroni!” - na thanë anglezët. Bashkërisht kontrolluam pëllëmbë për pëllëmbë gjithë vendin, derisa gjetëm një kuti të vogël, të mbërthyer mirë me rripa metalike. Pakoja brenda kishte sterlina, që shkëlqenin, të vendosura në kupe-kupe në jë formë të bashkuar dhe të mbledhura në grupe të vogla. Edhe për ne dhe spitalin partizan na ndanë racione, të cilat i mblodhën dhe i paketuan mirë. Pastaj filluan punën për të ndarë materialet. Një pjesë të tyre, të ambalazhuara mirë, na i dorëzuan ne për t ia dhënë baba Fajës dhe spitalit partizan. Ne u larguam dhe pas disa orësh ishim pranë shtabit të Baba Fajës. Ai na përgëzoi për punën që kishim bërë dhe na nisi me shpejtësi për të çuar ndihmat drejt spitalit. Kur pakot, në prezencën tonë, u hapën nga mjekët e spitalit, pamë se aty kishte medikamente të shumta për të sëmurët dhe të plagosurit. Por kishte dhe ushqime, si vezë e qumusht pluhur, si dhe shumë veshmbathje. E kush e mban mend se sa materiale të tjera të shumta kishte në pakot që anglezët na i jepnin si ndihma për luftën?”
DETYRAT
Si vepronin korrierët e luftës?
Detyra numër një dhe e vetme e një korrieri lufte ishte çuarja e postës me çdo kusht në destinacion. Zenel Merjo, një nga korrierët partizanë të Divizionit të Parë, thotë se “heroizmi” i misionit të korrierit ishte zbatimi i urdhrit. Në të gjitha rastet korrierët e luftës lëviznin vetë i dytë. Komanda partizane toleronte duke lënë që korrierët të përzgjidhnin shoqërinë e njëri-tjetrit në kryerjen e detyrës. Zakonisht, letrat, në formë pusullash, futeshin në gji dhe mbaheshinn me kujdes, që të mos bëheshin të palexueshme. Ato nuk mbylleshin në zarfe, pasi një mundësi e tillë nuk ishte e mundur, porse korrierit, në mirëbesim, nuk i lejohej që të lexonte letrën e formuluar nga eprori. Zenel Merjo thotë se korrierët vepronin vetëm me letra dhe në raste shumë të rralla lajmi transmetohej me gojë. Sipas tij, korrieri duhej të ishte tepër i vëmendshëm për të mos u përballur me asnjë pritë. Nga përvoja personale, Zenel Merjo thotë se gjatë udhëtimeve të shpeshta të tij nëpër zona të ndryshme të Shqipërisë i ka rastistur të përballet me forcat e ushtrisë gjermane, apo me pjesën e kolaboracionistëve vendas. Por në të gjitha rastet i është shmangur me sukses një incidenti me armë. Detyra e korrierit e ka bërë Zenel Merjon që të mos ndalet për asnjë çast, por të udhëtojë vazhdimisht në terrene të panjohura. Ai shton se rënia rob e një korrieri në duart e armikut ishte një gjë tepër e rrallë, pasi mundësia për t iu larguar rrezikut ishte shumë e madhe. Edhe pse ishin të armatosur mirë: me pushkë, gjerdan me fishekë dhe bomba, një korrieri nuk i lejohej në asnjë mënyrë që të shkrepte armën kur ishte në udhëtim. Sipas tij, midis korrierëve që vepronin brenda qyteteve dhe atyre në mal, kishte ndryshime, pasi dhe specifikat ishin të ndryshme. Një korrier që vepronte në qytet, kishte gjasa më të mëdha të binte në duart e armikut dhe udhëzimet për ta ishin të veçanta.
Ky lajm është publikuar: 20/10/2006
gazeta balkan
Krijoni Kontakt