Prokuroria do tu komunikojë akuzat brenda tre javësh, rrezikojnë dënimin nga gjobë deri 5 vjetë burg
Merret i pandehur prifti i Përmetit
Skandali, gati akuza për dhunim të varreve
Shtatë persona, mes tyre dhe prifti i Përmetit Ikonom Vasil Thomollari do të merren në cilësinë e të pandehurit për skandalin e zhvarrimeve pranë kishës së “Shën Mërisë” në fshatin Kosinë.
Kur kanë mbetur dhe afro tre javë nga skadimi i afatit të hetimit për këtë ngjarje, grupi i ekspertëve të Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prokurorinë e Përmetit është duke i dhënë dorën e fundit dosjes që pritet të përcillet në gjykatë në fundin e gushtit ose në fillimin e shtatorit. Nga hetimi i deritanishëm janë siguruar prova që ngarkojnë me përgjegjësi penale varrmihësit nga fshati Kosinë, Agim Aliu, Astrit Aliu, Kastriot Aliu, Fatmir Aliu. Shpëtim Beqiri, Altin Ballabani dhe priftin Vasil Thomollari. Një burim nga Drejtoria e Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, pjesëtar i grupit hetimor për skandalin e zhvarrimeve tha për “Gazetën” se: “Deri tani kemi siguruar prova dhe dëshmi që ngarkojnë me përgjegjësi penale 7 persona. Gjashtë prej tyre janë varrmihësit, ndërsa i shtati është prifti që ka drejtuar dhe marrë pjesë gjatë hapjes së varreve. Akuza që rëndon mbi ta është “Dhunimi i varreve”, vepër penale e parashikuar nga neni 118 i Kodit Penal. Por vendimin përfundimtar nëse këta persona janë ose jo të fajshëm do të japë gjykata gjatë procesit gjyqësor”. Burimi i cituar tha se po kryhen hetime për të paktën dy persona të tjerë, nga qyteti i Gjirokastrës, të cilët dyshohet se kanë organizuar dhe financuar këtë aktivitet që ka rezultuar më pas në një krim makabër me pasojë dhunimin e varreve të vjetra të fshatit Kosinë.
Hetimi
Veprimet hetimore në lidhje me skandalin e zhvarrimeve në fshatin Kosinë nisën zyrtarisht më datë 27 maj 2006, kur prokuroria e rrethit Përmet rregjistroi proçedimin penalë për veprën penale “të dhunimit të varreve”, bazuar mbi materialin që iu vu në dispozicion nga komisariati i policisë së këtij qyteti. Nga kjo ditë e deri tani prokuroria e Përmetit ka marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit rreth 40 persona, mes të cilëve gjashtë varrmihësit dhe priftin Thomollari. Për të dokumentuar me provë shkencore veprën penale të “dhunimit të varreve” u kërkua nga një ekip specialistësh të Mjekësisë Ligjore, ekzaminimi i 69 skeleteve njerëzore të vendosura në arka speciale prej inoksi në kishën e “Kryeëngjëjve” në Kutal të Përmetit. Policia dhe ekspertët mjeko-ligjorë hasën pengesa në përmbushjen e detyrës së tyre nga prifti Thomollari dhe konsulli grekë i Gjirokastrës Mandella, në datat 7 dhe 8 qershor. Këta të fundit kërkonin që të mos zbatohej urdhër-kontrolli i gjykatës së Përmetit i datës 29 maj 2006 dhe vendimi i oficerit të policisë gjyqësore të Përmetit Agron Nahollari i lëshuar më datë 8 qershor 2006. Pasi u krye më datë 9 qershor ekspertimi i eshtrave të vendosura në kishën e Kutalit, ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore hartoi raportin përfundimtar. Në aktin e ekspertimit të mjekësisë ligjore të lëshuar më datë 26 qershor 2006 thuhej së në 28 arka u gjetën skelete me kocka të përziera, në 13 arka u gjetën eshtra fëmijësh, në pesë arka të tjerë u gjetën skelete femrash, madje u gjetën dhe skelete pleqsh nga mosha 60 deri në moshën 80 vjeç.
Të akuzuarit
Bazuar në kqyrjen e vendngjarjes, provat materiale, aktin e ekspertimit mjeko-ligjor dhe deklarimet e dëshmitarëve të cilët pretendojnë se u janë zhvarrosur të afërm të tyre, grupi hetimor ka bërë gati materialet për të marrë në cilësinë e të pandehurit 7 persona. Në këtë grup përfshihen gjashtë varrmihësit nga fshati Kosinë, Agim Aliu, Astrit Aliu, Kastriot Aliu, Fatmir Aliu. Shpëtim Beqiri dhe Altin Ballabani si dhe prifti Vasil Thomollari lindur në fshatin Kutal dhe banues në qytetin e Përmetit. Shtetasi Kastriot Aliu rezulton se është larguar jashtë shtetit, në Greqi gjatë kohës që ka nisur procesi hetimor. Shtetasi Altin Ballabani do të merret në cilësinë e të pandehurit pavarsisht ndihmesës që ka dhënë gjatë hetimit të çështjes dhe denoncimit publik të bërë në media. Qëndrimi i tij do të paraqitet si rrethanë lehtësuese gjatë procesit gjyqësor nga prokuroria.
Burimi i cituar nga grupi hetimor tha se “Shtatë personat e akuzuar do të merren në cilësinë e të pandehurit për konsumimin e veprës penale të “dhunimit të varreve”, parashikuar nga neni 118 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ky nen përcakton se “dhunimi i varrezave, varreve, nxjerrja e kufomës, si dhe vjedhja e sendeve që mund të ndodhen në to, apo çdo veprim tjetër që ul respektin ndaj të vdekurve, dënohen me gjobë ose burgim deri në 5 vjet”. Prokuroria pritet që ta dërgojë dosjen për gjykim në fundin e muajit gusht ose fillimin e shtatorit dhe brenda muajit tetor 2006 parashikohet të nisë procesi gjyqësor në gjykatë.
Artan Hoxha
GazetaShqiptare
Krijoni Kontakt