Zv. Presidenti amerikan: Nuk ka asnjë dyshim se Irani synon për të pasur bombën bërthamore
Zëvendëspresidenti amerikan Dick Cheney deklaroi se kundërshtimi i Iranit lidhur me një ofertë për kompromis të bërë nga rusët nuk linte as dyshimin më të vogël për qëllimin e Republikës islamike për të patur armën bërthamore. Cheney përmendi në një intervistë dhënë kanalit televiziv PBS një propozim të rusëve që mendohej se do të shmangte shkallëzimin e mosmarrëveshjeve me Iranin duke garantuar se Republika islamike nuk do të heqë dorë nga teknologjia bërthamore për qëllime ushtarake.
Moska i propozoi Teheranit ta pasuronte në Rusi uraniumin për centralet e ardhshme civile iraniane. "Ata e kundërshtuan këtë propozim", deklaroi Cheney në PBS, "kjo e shtyn çdokënd të mendojë se ata kërkojnë të kenë kapacitetin e tyre të pasurimit për të shkuar deri në fund dhe për të arritur nivelet e kërkuara për një armë bërthamore". "Duket se nuk ekziston as dyshimi më i vogël për sa u përket qëllimeve të tyre", tha Cheney, një përfaqësues i krahut të ashpër në administratën e presidentit Bush. Cheney e vlerësoi si kërcënuese situatën aktuale që, sipas tij, është keqësuar me ardhjen në pushtet të ultrakonservatorit Mahmud Ahmadinexhad. Ai përsëriti qëndrimin parimor të administratës Bush: kjo e fundit shpreson në një zgjidhje diplomatike, por "asnjë opsion nuk përjashtohet", duke aluduar qartë për mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake si mjet të fundit. "Të gjithë janë të shqetësuar ndaj idesë që Irani, i pajisur me armë bërthamore, do të jetë një burim i madh paqëndrueshmërie në këtë pjesë të botës", deklaroi Cheney. Sipas tij, ky shqetësim nuk është vetëm tek perëndimorët dhe aleatët e tyre: "Di edhe vende të tjera në rajon, qeveri me të cilat kam kontaktuar, me të cilat ka biseduar presidenti dhe që janë të shqetësuar për atë që po ndodh në Iran".
Krijoni Kontakt