Monarku Offa dhe monedha me mbishkrimin arab
Çështja deri diku është e panjohur dhe kërkon një studim analitik nga studiues dhe hulumtues të specializuar dhe kompetentë, për të na dhënë në të ardhmen njohuri mbi origjinën dhe logjikën e ekzistencës së kësaj monedhe.
--------------------------------------------------------------------------------
Sipas burimeve që na servir enciklopedia britanike dhe ajo franceze, prejardhja e fjalës "Offa", që veç të tjerash përkon edhe me plot fakte historike, i referohet dhe emrit të sovranit anglosakson Offa, që sundoi Anglinë për 39 vjet (757-796 e.s.). Ai konsiderohet si një ndër sovranët më supremë të Anglisë. Fillimisht, sundimi i tij ishte i përqendruar vetëm në Mercia, që njihej ndryshe si "Anglia Qëndrore"- (Middle England) njëra ndër 7 monarkitë e asaj kohe. Herë me luftra e herë me politika të zgjuara, ai arriti që për një kohë të shkurtër t'i zgjerojë kufijtë e sundimit të tij dhe të zbusë deri diku marrëdhëniet e acaruara politike me Francën dhe Vatikanin.
Zbulimi i monedhës
Viti 1841 do të trondiste shumë prej historianëve dhe studiuesve britanikë. Në hulumtimet e tyre rreth objekteve me vlera arkeologjike që ruhen në Muzeun Britanik, ata hasën në një monedhë të huaj plotësisht, që i përkiste epokës së këtij sovrani.
Ku qëndron e veçanta e saj?
Ajo që të bie në sy është prania e fjalës së njësimit dhe e një vargu kur'anor, të cilat dallohen lehtë. Në njërën anë të monedhës fiksohet fraza La ilahe il'la Allah- Nuk ka zot tjetër të merituar veç Allahut dhe diku më tej "Muhamedun resulullah"- Muhamedi është i Dërguari i Allahut, për të vijuar me vargun kur'anor "... (Allahu) i Cili ka çuar të Dërguarin e Tij (Muhamedin a.s.) me udhëzimin dhe fenë e së vërtetës (Islamin) për ta shpallur atë ngadhënjyese (e mbi të gjitha fetë e tjera)..."; ndërsa në anën tjetër të relikes dallohet fraza "Muhamedun Resulullah"- Muhamedi i Dërguari i Allahut dhe, më në qendër, emri i sovranit Offa në anglisht. Ky dinar me këto mbishkrime daton në vitin157 h.
Pas zbulimit të kësaj monedhe, grupe ekspertësh dhe historianësh ngritën lloj-lloj hipotezash dhe supozimesh mbi të.
Le të përmendim ato më të rëndësishmet dhe që qëndrojnë më afër arsyes:
1. Hipoteza më e besuar është që mbreti të jetë bërë musliman.
2. Përdorimi i këtyre frazave në gjuhën arabe, mund të jetë përdorur nga ai për efekt dekorativ, pa kuptuar domethënien e tyre.
3. Mes mbretit dhe Papës Adrian i I, ekzistonte asokohe një marrëveshje, e cila e detyronte monarkun t'i paguante Vatikanit një sasi të caktuar të hollash në formë takse. Prerja e monedhave në këtë formë mund të jetë kërkuar nga pala përfituese.
4. Lëvizjet e shumta të bashkëqytetarëve të tij drejt Jeruzalemit, e kanë shtyrë monarkun të urdhërojë prerjen e kësaj monedhe, për të siguruar udhëtimin e njerëzve të tij për në ato vende.
Shqyrtimi i këtyre hipotezave
Është më se e qartë se hipoteza e dytë nuk i shkon për shtat logjikës së shëndoshë. Për faktin se, është e pamundur që një mbret të përdorë fraza të pakuptueshme qoftë edhe me sens dekorativ. Ajo që shkruhet aty nuk është ndonjë frazë e çfarëdoshme por, një konfirmim që përbën thelbin e një besimi. Kështu që çështja nuk është aq e thjeshtë.
Është i vërtetë fakti se disa mbretër të mrekulluar nga Civilizimi Islam, filluan të shkruajnë në monedhat e vendeve të tyre emrat e prijësve muslimanë (në gjuhën arabe); siç është rasti i Alfonsit të VIII-të, apo i Vasilis Dimitris. Madje edhe Perandori Gjerman, Henri i IV, për konsideratën që kishte ndaj sundimtarit të atëhershëm të Dinastisë Abaside, El-Muktedir Bil'lah, ia vendosi emrin në monedhat e vendit të vet. Por, asnjëri prej tyre nuk përdori ndonjë frazë, apo për më tepër deklaratën e njësimit mbi monedhat e vendit të vet, sikurse veproi mbreti Offa, pa vetëdije, sipas pohimit të disave.
Përsa i përket hipotezës së tretë, ajo as që mund të shtrohet për diskutim. Si mundet që Institucioni Papnor të ketë kërkuar prej tij shkrimin e asaj fraze mbi monedhat e taksës që duhej t'i shlyhej Vatikanit? Ky arsyetim bie ndesh me logjikën e shëndoshë. Për faktin se Selia e Shenjtë asokohe njihej si një ndër kundërshtarët më të rreptë të Islamit. Kësisoj, është më se normale që vetë Papa do ta refuzonte kategorikisht pamjen aparenciale të monedhës, duke qenë se në të ekspozohej simboli i kundërshtarit të tij.
Ndërsa hipoteza e katërt, është rezultat i një logjike të dobët. Sepse as që mund të mendohet që mbreti ndoqi këtë linjë, për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve të vet (pelegrinë), apo për të lehtësuar udhëtimin e tyre të gjatë drejt Jeruzalemit; për arsye se muslimanët atëbotë nuk ndalonin dhe as nuk u vinin kushte të krishterëve që vinin nga Evropa drejt vendeve të shenjta. Nga ana tjetër, është e faktuar se të krishterët lëviznin lirshëm në kryeqendrat islame para sundimit të këtij monarku, gjatë kohës dhe njëkohësisht pas kohës së tij. Prandaj, ndjekja e një politike të tillë nuk do të ishte e nevojshme.
Kjo frazë fiksohet vetëm në këtë tip monedhe, ndërsa të gjitha prerjet e tjera, kanë të skalitura herë portretin e mbretit, dhe herë atë të bashkëshortes së tij, mbretëreshës.
Ajo që mund të kuptohet dhe është e sigurtë, është se mbreti është konvertuar në Islam, por nuk kemi ndonjë argument bindës për këtë, veç kësaj monedhe. Sikurse nuk zotërojmë idenë më të vogël rreth mënyrës së pranimit të Islamit nga ana e tij.
Mosgjetja e fakteve bazë, siç na pohojnë edhe historianët, ka të bëjë me atë se Kisha Anglikane i ka zhdukur të gjitha dëshmitë që hedhin dritë mbi këtë ngjarje, me qëllim që atë ta lërë në hije përgjithnjë.
Ajo që të bën më tepër përshtypje është se të dyja enciklopeditë si ajo franceze ashtu edhe ajo britanike, nuk i mshojnë këtij fakti, thënë më troç, e kanë eklipsuar plotësisht atë. Ky veprim i ulët nga ana e tyre, i jep shkak gjithkujt që të ngrejë hije dyshimi mbi këto dy qarqe shkencore që edhe pse proklamojnë nën frymën e dijes dhe shkencës, nuk e justifikojnë qëllimin për të cilin janë formuar. Le të shpresojmë që historianët muslimanë do të thellohen edhe më tej në biografinë e kësaj figure; me qëllim që e vërteta e tij të mos tretet në mjegullën e kohës
Krijoni Kontakt