Ketu mos e ke fjalen per krishterim ne pergjithesi mirepo shume studiues perendimore luften boshnjake-serbe e luften shqiptare-serbe e quan lufte ndermjet qyteterimit ortodoks dhe atij musliman perfshire ketu dhe luften e serbeve kunder katolike te Kosoves dhe atyre te Kroacise .Megjithate beni mire me gjithe foxin qe ti hudhni nje sy ketij shkrimi i cili e nxjerr ne pah interesat e kishes serbe.Ketu nuk po flasim per kishen ortodokse shqiptare qe ndonjerit ti ngeli hatri ketu po flasim per kishen serbe dhe nese ndonjeri e perkufizon veten me kishen serbe nuk eshte faji im e as i muslimaneve apo katolikeve.Nëse Kosova ishte në luftë me serbinë, nuk mund të thuhet se ishte ne luftë me kristianet. Nëse Rusia kishte qendrim të kundert me BE dhe SHBA-n lidhur me Kosovën, ajo kishte karakter tjeter e jo fetar, ne veqanti qendrimet ishin të drejtuara Lindje e Perendim.
Kisha ortodokse serbe dhe shteti serb
Kisha ortodokse serbe, e cila prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e studiuesëve, ka një histori intensive, në shumë pamje të errët e kundërthënëse. Kjo, për arsyen e thjeshtë se, duke pasur merita të mëdha në themelimin historik të shtetit serb, ajo i siguroi vetës pozita të privilegjuara që nuk i braktisi deri në ditët e sotme. Nga ana tjetër, e lindur nën ndikimin shpirtëror e material të Kishës greko - bizantine, ajo trashëgoi mendësinë bizantine, por duke e vënë emancipimin administrativ e politik mbi thelbin doktrinar.
Dhe, më që kulmin e autoritetit të vet e arriti në Mesjetë, kur shteti ishte teokratik, është e natyrshme që përpjekjet e mëvonshme - sidomos pas rënies së perandorisë osmane - t'i fuqizonte me nostalgjinë e kësaj kohe "heroike". Prandaj, në një atmosferë të tillë ambiciesh me përmasa shpërpjestuese, ishte e natyrshme që mungesa e forcës të kompensohej me mite e mëtime hipertrofike.
Për këto arsye, të njohësh historinë e Kishës ortodokse serbe, do të thotë jo vetëm të kesh kuptuar historinë e shtetit sërb, por të kesh zbërthyer edhe mekanizmin e krimeve politike dhe genocidit të përsëritur serb mbi Shqiptarët e Boshnjakët Muslimanë të Ballkanit.
Figura qëndrore e Kishës serbe është, pa pikë dyshimi, Sava i Nemanjidëve. I dalë nga kjo dinasti e shquar serbe, themeluese e shtetit serb të Rashkës, ky peshkop energjik e dinak, do të korrte dy suksese të mëdha. E para, gjatë qëndrimit të tij në Malin Atos, si mërgimtar i pakënaqur me rrëshqitjen e vendit të tij drejt Romës, ai do të siguronte autoqefalinë e Kishës serbe. Pra, falë aftësive të tija diplomatike, ai arrti të bindte klerin e lartë bizantin - me të cilin më parë kishte pasur kundërshtime të mëdha - që Kisha serbe të mëvehtësohej dhe që Ohri, qendër e atëhershme e ortodoksizmit, të shtyhej diku në sfond. E dyta, duke dalur kundër vëllait të vet, Stefanit, do ta largonte përfundimisht Serbinë nga ndikimi i Romës. Këto dy veprime bazë të tija do të kishin rrjedhoja largvajtëse ose, më sakt, do të përcaktonin edhe rrugën historike, nëpër të cilën do të kalonte fillimisht ekspansioni serb, perandoria jetëshkurte e Car Dushanit dhe, më pas, rezistenca, kompromiset, dinakritë e përfitimet gjatë sundimit të gjatë osman.
Por, jashtë kësaj merite për popullin e shtetin serb, gjithë trashëgimia svetisaviane mund të shikohet edhe nga një aspekt i brendshëm, dmth i raportit kishë - pushtet politik. Duke qenë se të dy këto autoritete e organizma merreshin me punët e kësaj bote, natyrshëm lind pyetja se si kanë qenë ndarë punët midis tyre dhe nëse ka pasur midis tyre rivalitete. Mendimi i përgjithshëm është se epërsia i takonte pushtetit tokësor të mbretërve. Ndërkaq, kjo epërsi, sado arrogante në sfera të tjera, në raport me kishën nuk ka qenë shpërfaqur. Kjo për një arsye të thjeshtë: sepse shteti serb nuk pati mundësi të konsolidohej e të formonte traditën e gjatë. Pushtimet serbe erdhën vonë dhe mbizotërimi i tyre ishte i shkurtër. Nga ana tjetër grindjet e lakmit pushtetare ishin kaq të egra brenda klaneve sa vrasjet midis tyre qenë kthyer pothuaj në normë morale. Thika, nxjerrja e syve dhe helmi ishin rekuizitet tipike të oborrit serb, ndaj Kisha ortodokse serbe nuk kishte si të mos bëhej pjesë e kësaj drame. Në këtë lojë të madhe të luftës për pushtet, asaj iu caktua roli i ndërmjetësit dhe nxitësit. Dhe ajo, kisha serbe, duke pranuar këto rol, do mbetej rob i tyre deri në ditët e sotme. Natyrisht, shpërblimet për këto sherbime qenë të mëdha. Feudet kishtare do të bëheshin jo vetëm burim pasurie për ta, por edhe shkak shpronësimesh të "heretikëve', ose shqiptarëve e boshnjakëve që nuk pranonin ndërrimin e identitetit të tyre dhe nënshtrimin ndaj riteve serbe.
Është e vështirë të thuhet se ç'evolucion do të pësonin këto raporte midis tyre, më që, siç u tha, pushtimet serbe e patën të shkurt jetën. Ardhja e turqëve në Ballkan e ndryshoi krejtësisht gjendjen në këto hapësira. Dy viktimat e mëdha të dominimit serb, shqiptarët dhe boshnjakët bogumilë, filluan me marrë frymë më lirë dhe në fenë e re për ta, Islamin, të gjenin ekuilibrin dhe afirmimin e munguar. Nga ana tjetër, disfata e dyfishtë serbe: në fushëbetejë dhe në dogmë, do të shënonte njëkohësisht edhe rikonfigurimin e kësaj kishe. Në imitim të grekëve, ajo do të ndërtonte strategjinë e saj të re ndaj turqëve dhe " mbretërisë së saj qiellore". Dhe hapi vendimtar i këtij plani do të ishte: pranimi me përunjësi i autoritetit turk dhe premtimi për paqe të qëndrueshme ndaj tyre. Si kundëshpërblim, Kisha Serbe u lejuan të bëhen oaze të patrazuara, ku ruhej gjithëçka: gjuha e vjetër, ikonografia tradicionale, tiparet kombëtare dhe shpresa e shpëtimit. Shkurt, kishës iu dha rasti të merrte mbi vete edhe atributet shpirtërore të vet shtetit të zhdukur. Nga ana tjetër, duke qenë e veshur me petkun "asnjanës" fetar, Kisha Serbe arriti të siguronte edhe vijimësinë e komunikimit midis ortodokësve sllavë, sidomos me rusët. Nëpër kanalet kishtare u disiplinua edhe kultura, edhe diplomacia edhe shërbimi i fshehtë. Prandaj, nuk është për t'u çuditur se përse më vonë, kur po dukej në horizont rënia e perandorisë osmane, bashkëautorë të çdo projekti politik të ishin pikërisht edhe priftërijt serb. Në vetë personin e shkrimtarit më të madh serbo-malazez, Njegoshit, qenë shkrirë peshkopi dhe krajli dhe, mbi të gjitha, shovinisti i madh antimusliman. Shpagimi, antiteza e Biblës, qe bërë moto e veprimtarisë së tyre të përditshme. Një shpagim që, në kontekstin historik, do të thoshte kthim i privilegjeve të humbura të kohës së Dushanit dhe mbulim i krimeve të veta, të kryera ndaj shqiptarëve. Edhe në platformat e Garashaninit, Çubrilloviqit e Ivo Andriqit - kleri do të luaj rolin e pararojës, mbasi " kapitali moral" që ajo kishte grumbulluar gjatë shekujve të sundimit osman ishte i pallogaritshëm. Gjithandej flitej e shkruhej se pa manastirët e kishat ortodokse nuk do të kishte as Kosovë, as Bosnje serbe, se vetëm aty ruheshin me përpikëri analet e krimeve shqiptaro - boshnjake kundër tyre. Viktimat "që vazhdojnë të thërrasin nga nëntoka, vajtimet e Abelëve (Habilëve) serbë", pra, duheshin shpaguar. Rasti ishte ideal. Kur u pushtua Kosova, konsulli dhe poeti nacionalist serb Rakiq, i ndodhur me detyrë në Prishtinë, zgjodhi tingujt metalik të këmbanave si simbol të "riardhjes serbe" dhe, si praktikë, konvertimin e atypëratyshme të shqiptarëve. Në Patrikanën e Pejës, në këtë ofiçinë famëkeqe të antishqiptarizmit, priftërijtë ortodoks serbë filluan sakaq nga puna. Shënimi i kryqeve mbi trupin lakuriq të rezistentëve shqiptarë muslimanë, " përqafimi" i stufave të ndezura dhe varjet në degë manash në oborrin e Patrikanës, janë vetëm disa fragmente të vogla të tragjedisë moderne shqiptare. Shërbimi i tyre tjetër i madh u duk edhe në procesin e dhimbshëm të kolonizimit të Kosovës dhe shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Bëmat e tyre janë të fiksuara edhe në folklorin shqiptar, edhe në kujtesësn kolektive të shqiptarëve, sidomos të atyre jashtë kufijve politik të shtetit shqiptar.
E vetmja periudhë kur kisha serbe u detyrua të tërhiqej brenda mureve të saj rrethues dhe t'i kushtohej, të paktën formalisht, misionit të vet real, është periudha e Jugosllavisë komuniste. Ndonëse gëzonte një liri të plotë veprimtarie brenda kanoneve të saj dhe ndonëse bogosllovia si institucion arsimor ishte e pranishme kudo në hapësirën ortodokse, madje me një qendër të fuqishme në Prizeren, ajo nuk u lejua të përzihej në punët shtetërore dhe në asnjë projekt të njohur të shovinizmit serb. U desh vdekja e Titos dhe, sidomos, ardhja e Millosheviqit në pushtet që ajo të rimerrte rolin e vjetër, dmth rolin e ndërmjetësit dhe nxitësit të pogromeve antishqiptare dhe antimuslimane në Kosovë e Bosnje-Hercegovinë. Jo rastësisht, përgatitja shpirtërore për një ndryshim dramatik të shoqërisë jugosllave në dobi të nacionalizmit serb, të trupëzuar në ëndrën e Serbisë së Madhe, përsëri iu besua Kishës Serbe dhe gjeneratës së re agresive të peshkopëve serbë. Gazimestani, Graçanica, Patrikana e Pejës, Manastiri i Deçanit dhe, mbi të gjitha, shëtitja e eshtërave të Sveti Savës në funksion të zgjimit fanatik ortodoks serb, përbëjnë padyshim shembullin më unikal në botë të shmangies që mund të bëjë një institucion fetar në misionin e tij shpirtëror. Sërish asaj iu besuan punët e pista të projekteve politike, të cilat ajo i kreu me bindje e përkushtim. Masakra e Srebrenicës, masakra e Raçakut nuk mund të mendohen pa ndihmesën e madhe, të pazavendsueshme të Kishës Ortodokse Serbe. Edhe pas luftës së fundit, kur Serbia u dëbua përfundimisht nga Kosova, Kisha Serbe, e drejtuar nga Kryepeshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Artemije dhe as Patriarku i Pavle, nuk e ndjenë veten të gatshëm të bënin mea cupla-në e saj. Përkundrazi, ashtu siç kishte ndodhur në rrjedhë të historisë, ajo përsëri mori atributet e shtetit të zhdukur serb në Kosovë: ruajtjen e trashëgimisë serbe, portretizimin e serbëve si viktima të kësaj bote islame në këto meridiane ballkanike, por tani, "mjerisht, me bekimin e të krishterëve amerikanë dhe europianë". Megjithatë, nga luftërat e fundit në hapësirën e ish Jugosllavisë, Kisha Ortodokse Serbe ka dalë me një plagë të madhe: besueshmëria e saj është krejtësisht e komprometuar, mjetet e saja janë tashmë të konsumuara. Por, nëse do të ndodh ringjallja e saj në trajtën e vet historike, atëherë do të kemi të bëjmë me të tjera shtresime, me të tjera fuqi tokësore dhe me të tjera pikësynime. Në këtë rast Kisha Serbe dhe kombi serb nuk do të ishin tjetër veçse një instrument.
__________________
Kisha sllave i hodhi benzine zjarrit te luftes ne Kosove
Autori i këtij studimi është një nga personalitetet me të njohura të kësaj fushe në Amerikë . Ai është Majkëll Sellz, autori i librit"Ura e tradhtuar: feja dhe gjenocidi në
Bosnje", botimi i dytë, 1998. Aktualishtë është profesor i feve krahasuese në Kolegjin
Haverford, Pensilvani).
Hadford Pensilvani: Anëtarët e Kishës Ortodokse Serbe dhe qeveria jugosllave janë duke bërë një akuzë të rëndë. Ata pretendonin gjatë luftës në Kosovë se NATO-ja ishtë duke bombarduar manastiret e mëdha ortodokse serbe që datojnë në mbretëritë serbe të mesjetës.
Ueb-sajti i Institutit të qeverisë së Beogradit për mbrojtjen e monumenteve të kulturës të Serbisë tregon fotografi manastiresh gjysme të dëmtuara nga goditjet ajrore të NATO-s duke përfshirë edhe dy hapësira të zeza me fjalën
"të shkatërruara" që shkruhet në to në mënyrë kobndjellëse. Faqja e internetit e Kishës Ortodokse Serbe, e titulluar "Bombardimi i vendeve të shenjta serbe" është edhe më provokues. Në këtë faqe tregohet një hartë me faltoret më të mëdha serbe në Kosovë, me ikona që tregojnë shpërthime bombash në secilën prej tyre, sikur bombat e NATO-s të kenë rënë drejt e mbi to. Rëndësia fetare dhe historike e manastireve në Kosovë -- një zonë që disa e quajnë "Jeruzalemi Serb" -- bën që pretendime të tilla të kenë një efekt të madh, veçanërisht në vendet me popullsi të mëdha të krishtere ortodokse. Kështu që kërcënimet ndaj qendrave të shenjta simbolizojnë kërcënimet ndaj popujve që i vlerësojnë ato.
Megjithatë, në këto faqe të internetit nuk jepet asnjë provë për të përligjur etiketimet "të shkatërruara" apo titullin "Bombardimi i vendeve të shenjta serbe". Faqet paraqesin fotografi të monumenteve përpara shkatërrimit të supozuar, por asnjë pamje të dëmtimeve që ata pretendojnë se janë shkaktuar nga NATO-ja -- me përjashtim të figurave me të çara muresh që mund të jenë shkaktuar nga çdo gjë. Autoritetet serbe nuk kanë ngurruar të tregojnë detaje grafike të shkatërrimeve civile të shkaktuara nga bombat e NATO-s të rëna gabimisht. Sikur NATO-ja të kishte bombarduar manastiret, pamjet e rrënojave do të ishin transmetuar në të gjithë botën.
Këto akuza të reja kundër NATO-s janë qëllimisht të ngjashme me akuzat e nacionalistëve serbë të vitit 1986 se shqiptarët kosovarë po shkatërronin manastiret. Kjo akuzë gërshetohet me pretendime të tjera zjarrvënëse se
shqiptarët kosovarë na qenkan emigrantë të paligjshëm që duhen dëbuar; se shqiptarët përdorkan natalitetitn si mjet për të kryer një "gjenocid demografik" kundër pakicës serbe të Kosovës; dhe se na paskan kryer përdhunime të grave serbe në masë. Më 1986, peshkopët ortodoksë serbë i përsëritën këto akuza duke pretenduar se kundër serbëve të Kosovës po kryhej një genocid. Të njëjtat akuza u përsëritën në të famshmin "Memorandum" të shkruar nga disa intelektualë serbë që sulmonin kushtetutën jugosllave dhe autonominë e Kosovës. Në këtë mjedis të nxehtë, Slobodan Milosheviçi kërceu
në pushtet duke premtuar se do të mbronte popullin serb dhe vendet e tij të shenjta nga armiqtë e tij.
Cila është e vërteta e këtyre akuzave frikësuese? Në Kosovë, qoftë nga shqiptarët, qoftë nga serbët, kanë ekzistuar fërkime e pakënaqësi reale dhe të dy grupet e kanë ndier veten të kërcënuara. Por gazetarët e pavarur serbë dhe punonjësit e të drejtave të njeriut kanë konstatuar se akuzat më zjarrvënëse kanë qenë kryekëput sajime. Nga një studim të fakteve të policisë në Kosovë rezulton se në një vit të tërë ka ndodhur vetëm një përdhunim i një serbeje etnike nga një shqiptar. Po ashtu, gjoja shkatërrimi i altareve serbe doli se në të vërtetë kishte të bënte vetëm me raste të
izoluara vandalizmi, me shkrime të pahijshme në mure apo me prerje pemësh në oborrin e kishës -- gjë që ka të bëjë ndofta me krime të diktuara nga urrejtja, po kurrsesi me një asgjësim të organizuar genocidal të pretenduar.
Mirëpo akuza se shqiptarët na paskan praktikuar qëllimisht shkatërrimin e trashëgiminë fetare serbe ka gjetur jehonë, pavarësisht nga provat për të kundërtën. Kjo akuzë është mishëruar në një histori të mitologjizuar, në të cilën turqit otomanë dhe muslimanët ballkanas autoktonë paraqiten si të dalldisur nga dëshira për të çrrënjosur si serbët, edhe qendrat e shenjta serbe. Nacionalistët serbë e përsërisin pareshtur këtë akuzë -- pavarësisht nga mbijetesa e kësaj trashëgimie të mrekullueshme gjatë pesë shekujve të sundimit otoman mu në mes të fqinjëve shqiptarë dhe pavarësisht nga dëshmitë otomane që vërtetojnë mbështetjen e patriarkatit ortodoks serb dhe autorizimin e tij për të ndërtuar e riparuar kishat serbe.
Për të kuptuar të gjithë potencialin e akuzave për shkatërrimin e manastireve, duhet të vëmë në dukje edhe simbolet e tjera që u bashkangjiten këtyre manastireve. Princi serb mesjetar, Llazari, është portretizuar si figura e Krishtit dhe vdekja e tij në betejën e Kosovës më 1389 është paraqitur si "Golgota e Serbisë". Nacionalistët serbë kanë filluar të akuzojnë sot muslimanët e Ballkanit se i kanë duart të lyera me gjakun e princit-Krisht Llazar. Në të njëjtën kohë, eshtrat e serbëve të vrarë nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre ustashë gjatë Luftës II Botërore ç'varroseshin ritualisht nën trumbetimin e propagandës nacionaliste që i demonizonte të gjithë shqiptarët, muslimanët sllavë dhe kroatët si gjenocidistë të lindur. Koha mitologjike (1389), kujtesa historike (Lufta II Botërore) dhe akuzat e rreme për gjenocidin bashkëkohor shqiptar u janë bashkangjitur simbolikisht këtyre manastireve.
Në 28 qershorin lapidar të vitit 1989, në 600-vjetorin e betejës së Kosovës, reliket e Llazarit u brodhën solemnisht nga një manastir në tjetrin, derisa mbërritën në manasatirin e Graçanicës (një nga vakëfet që sot pretendohet se kanë qenë në shënjestër të sulmeve të NATO-s). Një turmë e pafund vështronte zbulimin e relikeve në manastir për të shkuar pastaj pranë fushës së betejës. Atje, një turmë akoma më e madhe prej një milion serbësh, dëgjoi fjalimin luftënxitës të Millosheviçit që vuloste planin e tij për të anuluar autonominë e Kosovës. Simbolet e demontuara me kujdes dhe të ekspozuara me një forcë të tillë ritualiste e teatrale u instrumentalizuan më pas në spastrimin e radhëve të ushtrisë jugosllave, në mbrojtjen e grupeve ekstremiste paraushtarake nga qeveria dhe në propagandën e mediave. Në
vorbullën e një psikologjie frike e tërbimi masiv, shoqëria serbe u radikalizua. Personi më popullor serb në ditët e sotme është krimineli i akuzuar për krime lufte, Arkani, dhe politikani serb më popullor është Vojislav Shesheli, një mbrojtës i hapur i asgjësimit të shqiptarëve kosovarë dhe i të gjithë muslimanëve të Ballkanit. Dhuna e konceptuar për Kosovën
fillimisht u materializua në konfliktet në Kroaci e Bosnje.
Në Bosnje, militarët serbë -- të nxitur nga akuzat për shkatërrimin e manastireve serbe -- asgjësuan vende të shenjta joserbe. U shkatërruan të gjitha xhamitë dhe vakëfet e tjera muslimane (mbi 1.400 të tilla), ndër të cilat përfshiheshin edhe disa kryevepra të klasit botëror të ndërtuara në shekujt e 15-të e të 16-të. Në disa qytete, të gjitha xhamitë u shkatërruan
brenda një nate të vetme duke përdorur vënien e njëkohshme të dinamitit. Xhamia e Ferhat Pashait (1583) në Banjallukë u shpërthye me dinamit tri herë, rrënojat e saj u kthyen në pluhur me çekiçë shpimi dhe u transportuan me kamionë për t'i mohuar bashkësisë muslimane të mbijetuar që ta gëzonte atë trashëgimi të përbashkët. Në qytetin e Foçës, kryevepra e shekullit të 16-të, e njohur si "Xhamia me Ngjyra", si dhe të gjitha vakëfet e tjera muslimane u hodhën në erë dhe vendet bosh të tyre u kthyen në parkinge. Kur kryebashkiakët e rinj nacionalistë të Foçës dhe Zvornikut u pyetën se pse
ishin shkatërruar të gjitha xhamitë, ata u përgjigjën se në ato qytete nuk kishte patur kurrë xhami.
Në rastin kur ushtria serbe nuk mund ta pushtonte dot një zonë, ajo vinte në shënjestër qendrat kulturore duke i goditur me artileri, kurse në Sarajevë dogji Institutin Oriental -- bashkë me koleksionin e tij të paçmuar me dorëshkrime arabe, persiane, turke e sllave -- si dhe Bibliotekën Kombëtare që kishte patur mbi një milionë vëllime -- djegia më e madhe e librave në histori. Në tre vjet, militarët serbë çrrënjosën pesë shekuj të trashëgimisë muslimane të Bosnjes si dhe të gjitha dëshmitë se muslimanët dhe serbët i përkisnin të njëjtit qytetërim. Ndërkohë, manastiret serbe në Kosovë mbetën
të paçënuara, siç u kishin rezistuar shekujve të tërë nën sundimin otoman dhe fqinjëve shqiptarë.
Mirëpo tani po dëgjojnmë akuza të ngjashme zjarrvënëse se NATO-ja na qenka duke bombarduar manastret serbe. Në të gjithë këtë histori për manastiret, ne priremi të harrojmë se edhe bashkësia shqiptare ka qendrat e veta muslimane e katolike. Qendrat muslimane përfshijnë xhamitë, medresetë (shkollat fetare, shpesh të pajisura me biblioteka dorëshkrimesh), teqetë (vakëfe dervishësh), tyrbetë (mauzoleume, shpesh qendra pelegrinazhi) hamamet (komplekse banjash për burra e gra) dhe pazaret (shpesh të ndërtuara pranë ndonjë xhamie për të nxitur kontributet e përshpirtshme). Shumë prej tyre datojnë në shekullin e 15-të e të 16-të. Refugjatët kosovarë të intervistuar në kufi shpesh sjellin njoftime që përputhen me njoftime të tjera se kanë parë me sytë e tyre se si u ishin shkatërruar xhamit dhe vakëfet. Në rastin e Bosnjes, dëshmi të tilla dolën se ishin tmerrësisht të vërteta.
Regjimi i Beogradit ngul këmbë se forcat serbe duhet të qëndrojnë në Kosovë për të mbrojtur manastiret. Manastiret serbe mbijetuan gjatë pesë shekujve pa ushtrinë e Milosheviçit dhe forcat e policisë speciale. Në këtë krahinë, popujt joserbë dhe monumentet nuk kanë parë asnjë të mirë, edhe pse nën "mbrojtjen e monumenteve" nga regjimi i Beogradit. Që nga viti 1986, nacionalistët serbë e kanë manipuluar shqetësimin për vendet e shenjta për të motivuar, përligjur e zbatuar "spastrimin etnik" dhe asgjësimin e monumenteve artistike e fetare joserbe shekullore. Duke shfrytëzuar manastiret serbe dhe trashëgiminë serbe, ata kanë synuar të nxitin urrejtjen e dhunën, kanë shpërshenjtëruar një trashëgimi serbe të madhe që përkundrazi meriton vlerësime.
Të gjitha vendet e shenjta në Kosovë duhet të mbrohen nga një forcë shumëkombëshe që të përfshijë paqeruajtës nga vende me popullsi të mëdha ortodokse. UNESCO dhe organizatat e tjera duhet t'i mbikëqyrin ato dhe të katalogojnë çfarëdo dëmtimi. Shkatërrimi i qëllimshëm i monumenteve duhet të penalizohet në Hagë si krim lufte. Sa për ushtrinë, policinë speciale dhe paraushtarakët e Beogradit -- bota ka parë boll se çfarë "mbrojtjeje monumentesh" kanë bërë.
Shkrimi eshte huazuar nga faktet që botoi gjatë luftës në Kosovë Raporti Departamentit të Mbrojtjës Anxhensia e Informacionit USIA-s , e cila administrohej nga Qeveria amerikane
Krijoni Kontakt