Close
Faqja 8 prej 10 FillimFillim ... 678910 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 71 deri 80 prej 94
  1. #71
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22
    Procesi, Met Bozi rrëzon dëshminë e gardistit të plagosur


    Laureta Rryçi

    Met Bozi, një nga të pandehurit e masakrës së Cërrikut që u vendos në shënjestër nga gardisti i plagosur, rrëzoi dje dëshminë duke dhënë një tjetër version mbi ngjarjen. Nëpërmjet deklarimeve të kërkuara prej tij, në këtë moment të procesit Bozi tregoi se jo vetëm nuk ishte pjesë e bandave që shkaktuan masakrën, por ka dhënë ndihmën e tij ndaj gardistëve të plagosur apo atyre që ishin të vrarë. Dëshmia që fundosi të pandehurin Bozi u dha një seancë më parë nga ish-gardisti Petrit Gjoka, i plagosur në masakrën e Cërrikut më 23 maj 1997. Gjatë seancës së djeshme pritej të dëshmonin dëshmitarë të tjerë të thirrur nga Akuza, mirëpo askush prej tyre nuk u paraqit në sallën e gjyqit. Për këtë arsye, pas deklarimeve të Bozit, kolegji penal vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore për të martën e ardhshme për t’u dëgjuar të njëjtët dëshmitarë.

    Deklarimi
    Bozi deklaroi dje se nuk ka kërcënuar njeri ditën e masakrës së Cërrikut. Faktin se është gjendur atë ditë pranë vendit të ngjarjes ai e cilësoi të rastësishëm. “Unë kam qenë atë ditë afër elektrikut që ndodhet pranë shtëpisë së Yqmet Bogollit, pasi më kishte kërkuar ndihmë Sopot Curri, që i kishin hedhur një granatë në shtëpi. Mora në telefon policinë e Elbasanit dhe ajo nuk doli. Gjeta një numër telefoni të Prefekturës. Kërkuam ndihmë për të hequr granatën”, - tha Bozi. Më tej ai shpjegoi se nga Prefektura e Elbasanit ishin interesuar çfarë po ndodhte në Cërrik. I pandehuri tha se ishte tepër i interesuar për ta shpjeguar situatën, duke u thënë se në Cërrik kishte hyrë policia dhe po ndeshej me qytetarët. “Unë lashë telefonin dhe dëgjova se Yqmet Bogolli me gruan e tij, Fiqireten, po bërtitnin se i kishte marrë policia djalin dhe do ta vrisnin. Në atë moment mora vesh se në shtëpinë e tyre ishin dy të plagosur. Burri i saj rrinte te dera dhe nuk linte njeri të futej brenda”, - vazhdoi deklarimet Bozi. Por, megjithëse burri i familjes nuk i ka lënë të futej brenda, Bozi është interesuar për shëndetin e të plagosurve. Ai tha se ka vajtur sërish te elektriku dhe ka marr në telefon Spitalin e Elbasanit. I ka dalë në telefon një mjek me emrin Spiro Doko, të cilit i ka kërkuar një infermiere dhe autoambulancë. “U riktheva te shtëpia e Yqmet Bogollit për të parë nëse kishte ardhur infermieria. Ne nuk mund të futeshim brenda po të mos donte burri i shtëpisë. Ata ishin shumë të njohur në Cërrik edhe nga djemtë e tyre. U futa brenda në një dhomë shumë të vogël, dy me dy. Te dera pashë se ishin shumë njerëz dhe ishte tepër e vështirë të shihje brenda”, - tha Bozi. Ai vazhdoi rrëfimin e tij duke shtuar se në atë dhomë ka parë një burrë me një kamera dhe shtetasin Besim Dybeli që pyeste të plagosurit. Nuk e mbante mend mirë, por tha se ai me kamera mund ta kishte emrin Malo ose Bajram. Nuk ka dëgjuar asgjë se çfarë pyetjesh janë bërë në drejtim të dy të plagosurve. Ndërsa dëgjonte dhe shihte të plagosurit, ai merrte informacione edhe për gardistët e djegur. “Në atë kohë mora informacionin se në shesh janë disa gardistë të djegur. Unë u nisa për te motra dhe afër autoblindës pashë Sul Tafën dhe një tjetër me mustaqe që po nxirrnin kufomat nga autoblinda. Burri me mustaqe ishte mbi autoblindë, nxirrte trupat dhe na i jepte mua e Sulës. I nxorëm dhe pastaj vajta te kinemaja, tërhoqa një perde për t’i mbuluar. Sul Tafa iku në shtëpi, ndërsa unë çova një fëmijë për të lajmëruar autoambulancën për të marrë kufomat. Kufomat qëndruan aty deri pasdite vonë. Kur erdhi autoambulanca mua më thirri shoferi se e njoh. E ndihmova për të hipur kufomat dhe për t’i çuar në morg”, - tha Bozi.

    Mohimi
    Në deklarimet e djeshme Bozi mohoi të ketë qenë nënkryetar i Partisë Socialiste. Bozi tregoi se ka takuar një djalë me emrin Foksi, të cilin e kishte marrë policia dhe me të është interesuar për të plagosurit. Bozi pohoi se Luan Prengën, të plagosurin e dytë, veç Petrit Gjokës, e ka përcjellë, madje e ka pyetur nëse kishte apo jo lekë me vete. Por, ndërsa e ka pyetur për para, Bozi është shqetësuar më tej dhe i ka thanë Foksit se donte ta përcillte deri në Papërr, pasi njihte shumë persona nga ky vend dhe nuk do të kishin probleme. Por Foksi nuk e ka lënë të shkonte me të. Dëshminë e dhënë nga Petrit Gjoka, Met Bozi e cilësoi të manipuluar tërësisht nga prokurori Anton Martini. Sipas tij, në deklarimet e bëra në vitet 1997 dhe 2007, Petrit Gjoka nuk ia ka përmendur emrin. Në fund ai kërkoi që të pyeteshin, për të sqaruar këtë situatë, dy nuset e familjes Bogolli, burrin dhe gruan e kësaj shtëpie.

    Procesi
    Gjyqi ndaj bandës së Cërrikut ka në cilësinë e të pandehurit Llazar Bicjen, Meti Bozin, Arjan Toskën, Roland Sotën, Alban Toskën, Skënder Canin, Tomorr Buzanin, Bujar Buzanin dhe Entel Gashin. Ata akuzohen si autorë të masakrës së Cërrikut, ngjarje kjo e ndodhur më 23 mars të vitit 1997, ku mbetën të vrarë me armë zjarri gjashtë punonjës të Gardës së Republikës, si dhe u plagosën nëntë punonjës të Policisë së Shtetit. Mungesa e avokatëve mbrojtës ka qenë një ndër shkaqet e zvarritjes së këtij procesi, i cili ende nuk po përfundon, megjithëse të pandehurit janë arrestuar tre vjet më parë.

    Dëshmia e gardistit: “Met Bozi me radio policie”
    “Më morën zvarrë dhe më çuan në një familje. Gruaja e familjes ku më futën bërtiste: ‘Unë nuk i lëshoj këta të dy nëse nuk më kthejnë vëllanë’. Më duket se djali që ne shoqëruam kur u futëm në Cërrik ishte vëllai i kësaj gruaje. Por, të them të drejtën, ajo më hapi divanin, shtroi çarçafë dhe më solli jastëk. Aty isha unë dhe Luan Prenga, dy pengjet e kapur nga grupi pasi u plagosëm. Emrin e të zotit të shtëpisë ku na futën nuk e mora vesh asnjëherë. Ata në thanë mos kini problem. Aty ishin dy burra dhe 4-5 gra. Ndërkohë që në dritare rrinin të gjithë të armatosurit duke kërkuar të na vrisnin. Filluan të na shajnë nga familja. Fjalët më të rënda dhe banalet që ekzistojnë. Mbaj mend një trup të shkurtër dhe me një rrip në kokë e një dorë të fashuar. Ai këmbëngulte gjatë gjithë kohës dhe thoshte se do të na vriste që të dyve. Por, të zotët e shtëpisë nuk i lanë të futeshin brenda. Erdhi një burrë i shkurtër, me flokë të shkurtër, pothuaj tullac. Ai filloi të na pyeste. Më tha çfarë pune bëja dhe i thashë që jam polic. Më pas më pyeti përse kisha ardhur dhe i thashë që kam ardhur për bukën e gojës. Me mua nuk u morën shumë në pyetje pasi isha në gjendje të rëndë, por më shumë pyetën Luanin që kishte marrë predha nga këmbët. E pyetën se ku punonte dhe ai i tha: ‘Jam kapter magazinier në Gardë’. Burri tullac i tha: ‘Si ore kapter! Ç’deshe këtu ti?’. Më pas i ka gjuajtur me qyt automatiku. Luani ra nga karrigia. Personi që bënte pyetje kishte në dorë radio policie. Kjo radio ishte e Arjan Cengës, shefit të vrarë. Personi në fjalë është Met Bozi dhe unë fytyrën e tij nuk e harroj asnjëherë. Me radion në dorë ai kontrollonte gjithë lëvizjet e policisë. Në këtë moment kaluan dy helikopterë të NATO-s. Ata thanë: ‘Na rrethuan. Hajde të largohemi’”.

    Albania
    12 Maj 2010

  2. #72
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22
    Gardisti i Cërrikut: Në Cërrik u pritëm me armë, si i pashë shokët të vrarë


    Laureta Rryçi

    Në Gjykatën e Krimeve të Rënda u dëgjua dje dëshmia e dy gardistëve për masakrën e 23 marsit të vitit 1997, ku mbetën të vrarë me armë zjarri gjashtë punonjës të Gardës së Republikës dhe u plagosën 16 punonjës të Policisë së Shtetit. Petrit Nikolli dhe Pashk Doda ishin punësuar si gardistë vetëm një muaj para masakrës, në shkurt të 1997-s. Ata dëshmuan se prej eprorëve të tyre ishin urdhëruar të ndërhynin në Cërrik për të rivendosur rendin dhe qetësinë në qytet, i cili në 1997-n ishte shkatërruar nga trazirat. Gardistët dëshmuan se kur kishin hyrë në qytet, rrugët ishin të boshatisura dhe se nuk kishin parë nga vinin të shtënat dhe se kush qëllonte. Pashk Doda mbeti i plagosur rëndë nga breshëritë e armëve, ndërsa dëshmitari tjetër, Petrit Nikolli, mori plagë më të lehta. Dëshmitarët sqaruan se kishin parë me sytë e tyre kolegun Petrit Ndoj, i cili vdiq nga plagët e rënda.

    Dëshmia e Pashk Dodës
    “Në vitin ‘97 kam jetuar në Mirditë dhe i bëra një kërkesë Policisë për të filluar punë. Fillova në repartin e gatshëm të policisë. Kam marrë pjesë në aksione policie në Tiranë, Lezhë. I fundit ka qenë në Cërrik. Ka qenë data 22 maj dhe na thanë se ishte bllokuar Komisariati i Policë së Cërrikut nga bandat dhe jemi nisur nga Tirana për në Elbasan. Njoha disa nga personat e repartit: Pjetër Nikolla, Dritan Hasa, Gëzim Prenga, Gjergj Prenga etj. Mund të kenë qenë rreth 6 automjete që u nisën për në Elbasan dhe kemi arritur atje më datë 22 maj, rreth orës 22:00. Të nesërmen jemi nisur që në orën 6 të mëngjesit drejt Cërrikut. Arma që unë kisha me vete ishte automatik i llojit kallash. Për në Cërrik u nisën rreth 7 makina. Ne u futëm brenda në qytetin e Cërrikut dhe në një shtëpi private bëmë një kontroll për armë, por nuk gjetëm gjë. Më pas, në dalje të Cërrikut, gjetëm armatime në një banesë dhe pasi i mblodhëm. Unë kam qenë në një blindë të gjelbër dhe kur arritëm në Cërrik nuk kishte fare lëvizje qytetarësh, nuk kishte njeri të gjallë në rrugë. Në momentin e parë që u futëm filluan krismat nga të gjitha anët. Në momentin e zjarrit u hapëm në drejtime të çrregullta. Në mjetin tim ishte Pjetër Ndoi, Tom Lacka edhe 2 të tjerë. U plagos i pari Dritan Hasa. Ne nuk kemi qëlluar, por është qëlluar ndaj nesh me automatikë, granata, predha dhe kundërtank. Pasi u plagos Dritan Hasa, u plagosa unë dhe më tej Petrit Nikolla. Ne e nxorëm Dritan Hasën për ta dërguar te blinda e bardhë dhe në ato momente u plagosa unë. Petrit Nikolla u plagos në fund. Me vështirësi arritëm te blinda e bardhë. Mbaj mend që Petrit Ndoi vdiq sepse mori një plumb në kokë. Më tej kemi shkuar në spital dhe aty morëm vesh se kishte të vrarë dhe të plagosur. Ka pasur 6-7 të vdekur dhe të plagosur më shumë se 12-13 veta. Pas Elbasanit vajtëm në Spitalin Ushtarak në Tiranë”, - ka përfunduar dëshminë e tij ish-gardisti.

    Procesi
    Mbi të pandehurit e bandës së Cërrikut rëndojnë akuza të rënda për krijimin dhe organizimin e veprave kriminale në kuadër të bandave kriminale, vrasje në rrethana cilësuese të punonjësve të rendit në detyrë. Në këtë proces gjyqësor, në cilësinë e të pandehurit të akuzuar për masakrën e Cërrikut, janë ulur në bankën e të akuzuarve nëntë persona. Të pandehurit janë Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi. Nga hetimet ka rezultuar se në datën 22 maj 1997 është sulmuar me armë zjarri nga disa shtetas posta e policisë së qytetit Cërrik dhe janë larguar me forcë punonjësit e policisë nga kjo postë. Të nesërmen, forca të policisë së Komisariatit Elbasan, të drejtuara nga shefi i komisariatit, Agron Kuliçaj (tashmë nëndrejtor i Policisë së Shtetit), në bashkëpunim me Forcat e Speciale (Garda e Republikës), kanë shkuar në Cërrik për të rivendosur rendin. Sipas dosjes hetimore, të pandehurit Llazar Bicja dhe Met Bozi, të ardhur në dijeni të lëvizjeve të forcave policore, kanë organizuar një grup personash të armatosur me qëllim goditjen e forcave të policisë. Hetuesit e çështjes thanë se këta të pandehur kanë shkuar në mëngjesin e datës 23 maj 1997 në Lagjen Nr. 3 të qytetit Cërrik dhe kanë takuar të pandehurit Arjan Toska, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani, si dhe shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, Bashkim Buzani, të cilët ishin të armatosur dhe qëndronin në një postbllok të krijuar prej tyre për shkak të hasmërive që kishin me familjen e Eduart Peqinit, i njohur me pseudonimin "Mandela". Bozi e Bicja, sipas Akuzës, kanë nxitur personat e mësipërm për të goditur forcat e policisë, duke i mashtruar se gjoja këto forca kishin ardhur nga Tirana me qëllim vrasjen dhe përdhunimin e vajzave dhe grave të tyre. Ata e kanë nxitur Roland Xhepexhiun të pozicionohet në tarracat e qytetit dhe të godasë efektivat e policisë. Prokuroria thotë se pas këtij organizimi, Arjan Toska, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani së bashku dhe me shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani dhe Bashkim Buzani, të armatosur me armë zjarri të ndryshme, janë pozicionuar brenda ambienteve të kinemasë së qytetit të Cërrikut. Xhepexhiu është pozicionuar në tarracën e pallatit që ndodhet rreth 200 metra larg kinemasë. Akuza thotë se pas pozicionimeve që përcaktuan Bicja e Bozi, në Cërrik kanë mbërritur forcat e policisë së Elbasanit, të mbështetura nga disa njësi të Gardës së Republikës. Në momentin që ndodheshin në qendër të qytetit shtetasi Ardian Rama, aktualisht i vdekur, ka qëlluar me armë automatike. Në momentin kur njëra nga makinat e blinduara të policisë ka qenë duke kaluar në qendër të qytetit të Cërrikut, përballë me kinemanë e qytetit, fluksi i të shtënave ka qenë maksimal në dy drejtime kryesore. Makina e blinduar është qëlluar me antitank nga i pandehuri Arjan Toska dhe gjithashtu brenda saj është hedhur edhe një granatë nga Sokol Buzani, veprime që kanë shkaktuar djegien e 2 prej efektivave të policisë që ndodheshin brenda saj dhe ka detyruar personat e tjerë të dalin nga blinda e me pas të qëllohen me armë zjarri duke shkaktuar vdekjen edhe të 3 efektivave të tjerë të policisë. Prokuroria thotë se në përpjekje për t‘u larguar nga vatra e zjarrit, në afërsi të pallatit nr.1 të qytetit të Cërrikut, në një arë të mbjellë me thekër, është vrarë edhe një efektiv tjetër i Forcave Speciale të policisë. Gjithashtu, në këtë ngjarje janë plagosur edhe 16 efektiva të tjerë policie.


    Albania
    19 Maj 2010

  3. #73
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22
    Masakra e Cërrikut, Agron Kuliqi në sallën e gjyqit: “Do të doja të dija se kush më plagosi”

    Numri dy i Policisë përmend dy nga emrat e të pandehurve, Bozin dhe Xhepexhiun

    Agron Kuliqi, numri dy i Policisë së Shtetit, dëshmoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda mbi masakrën e Cërrikut. Kuliqi, një nga personazhet e kësaj masakre, arriti të mbijetojë edhe pse mbeti i plagosur si shumë efektiva të tjerë të policisë. Rrëfimi i Kuliqit, përveçse dha detaje mbi ngjarjen, tregoi se ende kishte mllef ndaj atyre që qëlluan ndaj tij. “Do të kisha dëshirë të mësoja se kush më plagosi. E di që ka qenë një nga të pandehurit, por emër konkret nuk di të them. Burimet e mia më kanë thënë se na qëlloi grupi i Landit dhe Met Bozit”, - deklaroi Kuliqi në sallën e gjyqit. Më tej ai shpjegoi planin operacional që kishin përgatitur bashkë me kolegët për të rifituar Postën e Policisë së Cërrikut.

    Dëshmia e Agron Kuliqit

    “Jam emëruar në maj të vitit 1997 shef i Komisariatit të Elbasanit. Më 19-20 maj kam mbledhur efektivat e policisë për t’u njohur me situatën në Elbasan. Situata në Elbasan ishte e qetë. Pasi mora takim me drejtuesit e Elbasanit për informacione, u lashë porositë e mia për situatën dhe pasdite do të raportoja në Prefekturë për situatën. Kam takuar Fatos Tivarin për të marrë informacion më të përgjithshëm. Gjatë bisedës me të u informova se një grup personash kishin sulmuar Postën në Cërrik. Kam biseduar me ish-drejtorin e Policisë të Elbasanit. Ai thirri shoferin e tij dhe morëm angazhim që të tentojmë të vendosim marrëdhënie të armatosura. Dita e dytë e punës qe e qetë. Pasdite do të raportonim në Prefekturë për masat e marra për popullsinë, ndërkohë që situata në Cërrik kishte dalë jashtë kontrollit. Njoftuam eprorët e mi në lidhje me situatën. Kam biseduar me ish-drejtorin e Policisë së Shtetit Agim Shehu. I kam kërkuar prezencën e forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Kanë mbërritur rreth mëngjesit. Nuk më kujtohet numri i tyre, por kanë qenë 2 mjete të blinduara. Kemi biseduar me shefat e stafit dhe Arjan Cengën. Në mëngjes vendosëm në niseshim drejt Cërrikut dhe Belshit pasi kishim informacion për një grumbullim municionesh. Kemi pasur një plan masash, por për shkak se ishte në mëngjes nuk mund t’i protokollonim. Në hyrje të Cërrikut njohëm një person të larguar nga paraburgimi. Ishte i akuzuar për vrasje, grabitje, kishte edhe automatik në krah. E shoqëruam me mjetet e policisë. në Belsh kemi tërhequr nga baza ushtarake, pastaj lëvizëm drejt Cërrikut. Komunikimi bëhej me radio. Para se të hynim në qytet forcave u ishte bërë një instruktazh i qartë dhe i prerë që të mos binim pre e provokimeve dhe në asnjë mënyrë nuk duhej të përdorej arma, pasi ishte zonë e populluar. Ishte planifikuar që nëse do të përballeshim me situatën, do të dilnim nga Patri, ku kishte forca policie. Kam qenë në mjetin e dytë në radhë. Kanë qenë edhe tre persona në autoblindë. Njëri prej tyre, mora vesh pas 2-3 muajsh pas ngjarjes, që ishte vrarë. U futëm në qytet, nuk pati asnjë reagim. U vendosëm përpara shtëpisë së kulturës. Qyteti rrethohej nga pallate të larta. Pas hyrjes në qendër ka filluar një breshëri automatikësh dhe nga ndërtesa përballë u godit një blindë me automatik. Këtë e kam parë vetë. Pas kësaj unë jam plagosur dhe jam dërguar në spital. Kam parë kur u qëllua me automatik dhe kam dëgjuar edhe 2 herë. Nuk u qëllua asnjë qytetar dhe për këtë jam i gëzuar, ndërsa nga policia u qëlluan 20 veta. Pas ngjarjes kam komunikuar me Arjan Cengën”.

    Tërheqja
    “Tërheqja u bë nga rruga e planifikuar nga Patri. Breshëritë zgjatën 30 minuta. Kishim planifikuar një rrugë tërheqjeje tjetër dhe të plagosurit të niseshin drejt Tiranës. Nga informacionet kemi mësuar që na ka goditur grupi i Landit, kam dëgjuar edhe për Met Bozin. Kemi qenë vetëm 2 mjete të blinduara, efektivat kanë pasur armatim personal. Për autorët, ashtu siç është thënë, kam mësuar që ishte grupi i Land Xhepexhiut. Kam mësuar që ky grup ka qenë i dyshuar edhe për vepra të tjera penale si vrasje e grabitje. Met Bozin kam dëgjuat që ishte organizatori, e kam dëgjuar nga burimet e mia. Emrin e Land Xhepexhiut e kam dëgjuar nga shoferi i shefit të Krimeve. Do të kisha dëshirë të dija se kush më ka plagosur, por një nga ata ka qenë se s’kishte njeri tjetër”, - përfundoi dëshminë e tij numri dy i Policisë së Shtetit.

    Albania
    26 Maj 2010

  4. #74
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22
    Masakra e Cërrikut, Ish-gardisti: “Met Bozi urdhëroi djegien e kufomave”

    Laureta Rryçi

    Ish-gardisti Luan Prenga dëshmoi dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda me detaje rrëqethëse masakrën e Cërrikut 1997. “Unë nuk do ta harroj kurrë dhe s’do t’ua fal kurrë torturat çnjerëzore që na u bënë atë ditë mua dhe kolegëve të mi të vrarë”, - dëshmoi dje ish-efektivi i Gardës. “Ky këtu, - tha dëshmitari, duke treguar me gisht nga Met Bozi, – dha urdhër që kufomat të digjeshin, por banorët bërtitnin që mos ta bënin këtë veprim”. Dëshmitari kujtoi se fillimisht ai ishte nisur bashkë me shokët e tij me mision për në Elbasan, por më pas, një urdhër i dytë ua kishte ndryshuar destinacionin për në Cërrik, ku ndodhi dhe vrasja e gjashtë gardistëve dhe plagosja e 16 të tjerëve. Gazeta “Albania” boton në numrin e sotëm dëshminë e plotë që gardisti dha dje për dy orë me radhë në sallën e gjyqit.

    Dëshmia e plotë e Luan Prengës
    “Aktualisht jam me detyrë inspektor pyjesh. Në fund të 1996-s kam shërbyer në Gardën e Republikës, deri në fund të vitit 1997, ku vendosa që të largohesha me anë të një kërkese që bëra vetë. Për ngjarjet e vitit 1997 ne ishim në dispozicion të Gardës dhe të Ministrisë së Brendshme. Kam qenë komandant i grupit tim që merreshim me operacione nëpër ngjarje. Më shumë kemi kryer operacione në Tiranë sesa jashtë saj. Kam qenë në Elbasan për një mision, pasi kishte ngjarje të pazakonta, ishte problemi i komisariatit që ishte sulmuar. Komandanti Arjan Cenga na dha urdhrin për t’u nisur në Elbasan. Ai na shpjegoi se do të shkonim atje për të ndihmuar dhe për t’u dalë në mbështetje strukturave shtetërore pasi kishte probleme. Komandant Cenga na mblodhi në darkë dhe u nisëm pak pas mesnate për arsye sigurie. Kur arritëm në Elbasan kemi fjetur në hotel atë natë dhe të nesërmen në mëngjes na mblodhën dhe na përcaktuan detyrat dhe vendet ku do të vendoseshim për të kryer shërbimin. Unë me grupin tim kisha për detyrë që të ruanim spitalin, në mënyrë që mjekët të mos ishin nën presionin e grupeve kriminale dhe të bënin të qetë punën e tyre. Ndërkohë që kolegët e mi ishin vendosur për të ruajtur te gjykata, prokuroria e kështu me radhë. Këtë punë e kemi bërë për nja 3-4 ditë. Për arsye sigurie kemi kërkuar me këmbëngulje që të pajiseshim me armatime të fuqishme, pasi ishte kohë trazirash. Por armët që na u dhanë ishin thjesht figurative dhe nuk u pajisëm me armatime të forta. Kjo për të ruajtur edhe banorët. Na dhanë vetëm një pistoletë me nga një karikator. Veshjet tona ishin me lara. Rrugën në drejtim të Elbasanit e kemi bërë me makinat IFA, por ka pasur edhe mjete të blinduara. Kur arritëm në Elbasan mbërritën edhe forca të tjera. Ndërkohë që nga reparti ynë ishim rreth 22 veta të ndarë nëpër grupe të vogla. Gjatë qëndrimit në Elbasan morëm vesh se në Cërrik po ndodhnin ngjarje të pazakonta dhe ishin ngritur postblloqe nga banda kriminale gjatë rrugës. Komandanti Arjan Cenga na kërkoi që të merrnim në mbrojtje Cërrikun, pasi na tha që banda kriminale kanë ngritur postblloqe gjatë rrugës, madje edhe një grua shtatzënë ka lindur në postbllok. Në Elbasan erdhën mjete të blinduara dhe unë hipa në njërin prej tyre bashkë me grupin tim. Arjan Cenga na komunikoi për situatën dhe na tha se do të pritnim një urdhër për t’u nisur për në Cërrik nëse do të ishte e nevojshme. Këtë lajm ai na e tha në mëngjes, ndërsa që ne jemi nisur nga darka”.

    Nisja drejt Cërrikut
    “Kur u nisëm për në Cërrik pamë që gjatë rrugës kishte edhe forca të tjera policore. Kemi hipur në këto blinda që erdhën në dalje të qytetit të Elbasanit për arsye sigurie dhe kemi kërkuar si grup armatime më të forta, meqë ishte situatë e rrezikshme, por nuk na dhanë. Madje pa urdhrin e komandantit nuk na lejohej që të qëllonim. Në grupin tim ishte Qemal Mehmeti, Vladimir Minova, Petrit Gjoka, por ka pasur edhe dy persona të tjerë që nuk po ua kujtoj dot emrin. Gjatë aksit rrugor për në Cërrik kemi kontrolluar për banda kriminale dhe për postblloqe. Kishte njerëz të armatosur, të cilët kur afroheshim ne largoheshin. Kemi bërë kontrolle të momentin ndaj personave që na dukeshin të dyshuar, pro i kemi gjetur të pastër. Kemi kapur një person, i cili ishte i armatosur me një kallash. Kur hymë në qytetin e Cërrikut kishte edhe forca të tjera, që ishin të Policisë së Shtetit. Në ato momente unë zbrita nga autoblinda dhe pashë që një nga blindat tanë u qëlluan me granatë hedhëse. Para këtij momenti kemi pyetur nëpër pallate nëse kishin ndonjë shqetësim dhe banorët na thoshin që të bënim kujdes nga bandat. Ne shkuam më pas te sheshi ku ishte kinemaja dhe u goditëm me granatë hedhëse. Në ato momente filloi goditja me armë nga tarracat e pallateve dhe nga brenda kinemasë. Aty pamë disa shokë tanët që po digjeshin. Mund të ketë pasur rreth 15 goditje të fuqishme, por fati i keq i yni qe që blinda mori flakë menjëherë dhe nga aty doli përjashta duke ulëritur Sali Martini. Ne e morëm në krahë dhe e vendosëm te rruga, ku ishte një dyqan. Dhe aty Sali Martini ka dhënë shpirt pasi kishte marrë plumba në gjoks dhe në fyt. Nuk kishim çfarë t’i bënim. Pas kësaj lëvizëm për të parë për shokët e tjerë. Në mos gabofsha, ka dalë edhe një tjetër person nga tanku, por nuk mbaj mend se cili, pasi u bë shumë tym. E gjithë kjo zgjati rreth 45 minuta. Në këto momente unë pashë Petrit Gjokën që u plagos në këmbë dhe u nisa drejt tij për ta ndihmuar. Në këtë moment plagosem në këmbë dhe një cifël granate më futet në mes. Nuk arrita dot që ta ndihmoja Petrit Gjokën, pasi u plagosa, por i thashë që të shtrihej. Komandanti jepte urdhër që të largoheshim dhe secili kishte hallin e vet. Unë me Petritin lëvizëm për te lulishtja ku ishte një bar shumë i lartë dhe nuk i lejonte plumbat të të preknin. Aty erdhi për të më ndihmuar Qemal Mehmeti, i cili donte të më merrte në krahë. Unë nuk e lashë dhe i thashë të largohej. Ai moment ishte shumë prekës. Kam marrë vesh që Qemal Mehmeti u vra. Ndërkohë që shtrirë në bar shqeva pantallonat e mia dhe nga pallati banorët më hodhën nj palë pantallona të tjera të zeza, pasi isha gjakosur. Shqeva edhe bluzën me të cilën i lidha plagën Petrit Gjokës. Në këto momente kam parë një grup njerëzish të armatosur që dolën nga kinemaja dhe lëviznin nëpër rrugë. Këta persona i kanë trajtuar në mënyrë çnjerëzore kufomat e kolegëve të mi. Pashë këta persona që po qëllonin me armë dhe të tjerë rreth tyre buzëqeshnin. Përsa u përket kufomave, këta i zhvishnin, i qëllonin, u merrnin lekët. Ishte e tmerrshme dhe nuk kam për ta harruar kurrë. Erdhën një grup personash prej 16 vetash dhe më çuan mua bashkë me Petritin te shtëpia e Alfons Dahollit, që kishte qenë person i arrestuar prej nesh. Nuk do ta harroj kurrë atë ndihmë që na dhanë familjarët e tij dhe mbrojtjen e tyre. Na mbajtën peng te kjo shtëpi, na rrahën dhe na torturuan po jo ata të shtëpisë. Meto Bozi ka ardhur me një kameraman të TV Kohës dhe na bëri shumë pyetje. ‘Kush jeni ju? A e dini që ju vrasim se ju jeni ushtarë të Veriut që mbroni Sali Berishën?’ I thashë se ne kemi ardhur për të mbrojtur popullin, dhe jo për të vrarë. Met Bozi na ka bërë presion psikologjik. Pasi iku ai, erdhi Roland Sota Xhepexhiu dhe më gjuajti me automatik në kokë, por ndërhyri familja dhe ai nuk më vrau. Aty ishin të pranishëm me armë edhe Arjan Toska dhe Tomorr Buzani, por nuk ishin agresivë dhe nuk na prekën me dorë. Roland Xhepexhiu ndenji 5 minuta dhe pastaj thirri një person me emrin Turi dhe iku. Shtëpia ku ne rrinim ishte i rrethuar nga njerëz të armatosur. Roland Xhepexhiu goditi edhe Petrit Gjokën. Ndaj nesh është ushtruar dhunë psikologjike dhe jo fizike, pasi nuk i linin banorët e shtëpisë. Rolandi, Turi dhe Meti, bashkë me të tjerë, na bënin presion. Met Bozi na është prezantuar si kryetar i PS-së dhe na ka thënë se ‘ne do të gëzojmë pushtetin’. Ishte një presion shumë i fortë psikologjik. Këta njerëz unë i kam parë edhe përjashta, atje te lulishtja ku isha me Petritin. Roland Xhepexhiu bënte organizimin e grupit të armatosur te lulishtja ditën e masakrës. Njëherë tjetër në shtëpi ka ardhur Met Bozi me një grua tropojane, e cila na dha një mbështetje të fortë morale duke na thënë se nuk do të na vrisnin. Reagimi i Met Bozit ishte kërcënim dhe tha se ‘këtu vendosim ne’ dhe ajo gruaja u largua pasi e kërcënuan. Na ndihmoi familja Daholli për të bërë negocimet për lirimin tonë. Petrit Gjoka u lirua para meje. Dhunimin e kufomave e bënte Met Bozi. Nuk do ta harroj kurrë atë skenë. Ai urdhëroi që të digjeshin kufomat me benzinë dhe po të mos bërtitnin banorët, kjo gjë do të bëhej. Një ditë erdhi vetë Alfons Daholli dhe më mori në mënyrë të fshehtë nga këta persona që ruanin shtëpinë. Nuk do t’ia harroj atë që bëri për mua. Me dërgoi tek e motra, më dha për të ngrënë dhe për të veshur rroba. Më pas më nxori rrugës dhe më hipi në një fugon me të cilin shkova në Spitalin Ushtarak në Tiranë”.

    Albania
    2 Qershor 2010

  5. #75
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22
    Procesi i Qafë-Gjashtës, Miço “kyç” gojën

    TIRANË - Ish-deputeti i PBDNJ-së, Thoma Miço, ka mohuar të ketë pasur dijeni në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Qafë-Gjashtë. Ish-deputeti minoritar u kërkua nga vetë të pandehurit për të dëshmuar rreth ngjarjeve të vitit 1997, për gjithçka kishte dijeni, si dhe për disa momente kur kanë qenë në kafene me disa nga personat e akuzuar. Gjatë deklarimeve të tij të dhëna para trupit gjykues të kryesuar nga Fran Prendi, Miço ka shpjeguar se ditën e ngjarjes ka qenë në lokal me Ristan Lapën dhe nuk ka pasur fare lidhje me ngjarjen. Sipas deklarimeve të tij, në momentin që ai është kthyer në Qafë-Gjashtë ka parë makinën e djegur dhe kishte shumë persona. Miço nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me vrasjen e policit Gjergji Mehmeti apo rrëmbimit të policit tjetër, Eduard Aliaj. Dëshmitari Miço foli vetëm rreth situatës në Sarandë në atë kohë, postblloqeve të shumta të ngritura.
    Ngjarja për të cilën akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 4 mars të viti 1997, rreth orës 07:00. Viktima Gjergji Mehmeti, së bashku me shtetasit Sokol Bizhga, Myzafer Blushi dhe Eduart Aliaj, të gjithë efektiva të Komisariatit të Policisë Vlorë, me urdhër të ish–zv.ministrit të Brendshëm, njëkohësisht dhe drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Agim Shehu, janë nisur për në drejtim të qytetit të Sarandës, me qëllim ringritjen e Komisariatit të Policisë të këtij qyteti. Sapo kanë arritur në Sarandë kanë vajtur në komisariat, por kanë konstatuar se ka qenë i djegur plotësisht dhe rreth tij nuk ka pasur asnjë punonjës policie. Pas këtij momenti kanë komunikuar në telefon me zv.ministrin për situatën në të cilën ndodhej Komisariati i Policisë Sarandë, i cili nuk mundej që të riorganizohej dhe kanë vendosur që të largohen. Në momentin që kanë vajtur në vendin e quajtur “Qafa e gjashtës”, rreth 50 metra para pikës së karburantit të vëllezërve Vaso, janë gjendur përballë një sulmi me armë zjarri. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, punonjësit e policisë, Myzafer Blushi dhe Sokol Bizhga, kanë arritur që të largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa punonjësi tjetër i policisë, Eduart Aliaj, nuk ka arritur që të largohet, por është kapur nga personat e armatosur, i cili është mbajtur peng dhe keqtrajtuar për disa ditë në qytetin e Sarandës. Më pas, personat e armatosur i kanë vënë flakën makinës, ku ndodhej trupi i punonjësit të policisë, Gjergji Mehmeti.

    Albania

  6. #76
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22
    Masakra e Cërrikut, dëshmitari tregon vrasësit e 6 gardistëve

    TIRANE – Një dëshmitar i prokurorisë lakoi dje emrat e disa prej të akuzuarve për “masakrën e Cërrikut” te Krimet e Rënda, si të përfshirë direkt në ngjarjen e 23 majit 1997 në Cërrik. Në seancën e djeshme në ngarkim të të akuzuarve për ngjarjen ku u vranë 6 punonjës të Gardës, Gjykata u njoh me dëshminë e Besnik Hajos. Hajo rrëfeu para gjykatës momente kur kishte parë të pandehurin Roland Xhepexhiu të armatosur t’i drejtohej postës së policisë së Cërrikut, mbledhjen e banorëve një natë para ngjarjes në qendër të Cërrikut, si dhe momente ku të pandehurit Meti Bozi dhe Skënder Cani i kishin pohuar atij përfshirjen e tyre në vrasjen e punonjësve të Gardës.

    DËSHMIA
    “Në vitin 1997 kam banuar në Cërrik. Kam pasur një bufe dhe një bilardo. Më 22 maj 1997, pak para se të errej, dëgjuam ca krisma në hyrje të qytetit. Po vinte një turmë e armatosur. Doli Fatos Xhepexhiu dhe u përpoq të ndalonte turmë. Në darkë morëm vesh që kishin sulmuar postën e policisë. I kishin përzënë policët dhe kishin marrë ato që kishin gjetur aty. Tek të armatosurit kanë qenë Land Xhepexhiu dhe disa të tjerë. Tos Xhepexhiu donte ta ndalonte turmën të mos sulmonte policinë apo institucionet. Aty pashë edhe një person që i gjuajti me grusht një personi tjetër që ishte polic, civil. Në darkë dëgjova që po bënin thirrje në radio. Ishte ora rreth 9 e darkës kur unë po shkoja për në shtëpi, dëgjova zërin e Meti Boxit. Ishte aty edhe Land Xhepexhiu. Atë natë i mblodhën ca veta te sheshi i qytetit dhe krijuan një si lloj këshilli. Ishte Meti Bozi dhe Fatos Xhepexhiu. Në fillim propozuan Metin kryetar, por ai nuk pranoi. Pastaj, më duket se u vendos Fatosi në atë pozicion. Atë natë aty ishte dhe Llazari. Llazar Prifti, që ishte kryetar i Partisë Socialiste. (I pandehuri identifikon këtë emër të pandehurin Llazar Bicja në kafazin e sallës së gjyqit). Të nesërmen unë ika në Elbasan. Kur u kthyem i kemi rënë nga Paprri. Nuk dinim ç’kishte ndodhur. Në qytet ishte një makinë si postbllok. Te krahu i shoferit ishte Meti Bozi. Ai na tha që ishte bërë luftë. ‘Erdhi Policia e Salës. E pritëm me armë. U dogj një makinë e policisë. Një e qallita (vrava) unë’, na tha Meti. Nuk na dha detaje se si apo se ku. Personi tjetër që ishte me mua i tha: ‘Na e the ne këtë, mos ia thuaj njeriu tjetër se na fut në probleme’. Aty u afrua edhe Skënder Cani. Po vinte nga parcela andej nga ana e përroit të Garunjës. Ishte me armë në dorë. Edhe ky na tha, mbase për t’u mburrur: edhe unë e hodha një në jonxhë. Më vonë kemi marrë vesh se është gjetur një polic i vdekur në jonxhë. Pastaj mësova se dy veta ishin djegur në tank. Mësova edhe se janë vrarë dhe dy të tjerë”, tha dëshmitari.

    Panorama

  7. #77
    Lemeri. Dhe po keta fytyra bishash kerkojne te marrin pushtetin prape madje te japin dhe leksione morali e te akuzojne per diktature. Eh o popull sa shpejt i harron gjerat...

  8. #78
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22
    Pranga në Athinë të fundmit të ‘Qafë-Gjashtës’

    Nikoleta Kovaçi

    I fshehur pas dy emrash dhe i kërkuar për dy krime, njërin më të rëndë se tjetrin, një prej autorëve të masakrës famëkeqe të ‘Qafë-Gjashtës’ është “dorëzuar” në mes të Athinës. Mikel Këndezi, 49-vjeçari korçar, i cili jetonte edhe nën dy identitete të tjera me emrin Flamur dhe Vladimir, i shpallur në kërkim që në ‘97-ën e largët, është arrestuar nga skuadra e Krimeve të Rënda të kryeqendrës greke pa bërë asnjë rezistencë. Ndaj tij ekzistonte një urdhër ndërkombëtar kërkimi që lidhet me dy ngjarje të po këtij viti. Njëra daton 4 marsin, atëherë kur me gjithë grupin e tij dogjën me napalm trupin e oficerit të policisë, Gjergj Mehmeti dhe plagosën një tjetër, masakër në të cilën mundi të shpëtonte asokohe Sokol Bizhga, i cili ishte edhe një nga emrat e njohur të policisë së shtetit për vite me radhë. Ndërsa ngjarja tjetër lidhet me pengmarrjen e dy shtetasve grekë në qytetin e Sarandës, pak muaj pas vrasjes së efektivit të policisë. Këndezi është pjesë e asaj ngjarjeje makabre, ndërkohë që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar për autorësinë e tij në këtë ngjarje plot 23 vite burgim. Korçari është renditur i dyti për sa i përket masës së dënimit për atë që është konsideruar si një prej ngjarjeve më të padëgjuara në vendin tonë.

    Kërkimi
    Mikel Këndezi mësohet se është një prej autorëve të mbajtjes peng për 18 ditë me radhë të dy shtetasve grekë në Sarandë në majin e vitit 1997. Në këmbim të lirisë së tyre u tha se Këndezi me bashkëpunëtorët kërkuan një shumë marramendëse parash e për këtë shkak, gjykata e Sarandës mësohet se e ka dënuar korçarin, banues të qytetit bregdetar, me 11 vite burg. Hetimet për bëmat e bandës së Sarandës vijuan pas ‘98-ës, kohë kur u nis të hidhej dritë mbi historinë e tmerrshme të djegies për së gjalli me napalm të Gjergj Mehmetit dhe në listën e emrave të kësaj bande gjakësore do të radhitej edhe emri i Këndezit. Arrestimi i tij mbyll përfundimisht kapitullin me anëtarët e kësaj bande, ndërsa Këndezi do të vuajë dënimin për të dyja gjykimet e dhëna nga dy gjykata, përfshi edhe atë të Krimeve të Rënda në Tiranë, në të cilën është dënuar me 23 vite burg. Dy të arrestuarit e fundit nga Greqia, Këndezi dhe Agron Qurku kanë këtë masë, ndërsa për masakrën, Vladimir Sinani kryeson listën me 24 vite burgim.

    GSH

  9. #79
    ღ Ƴℓℓëʓ ღ Maska e RiGerta
    Anëtarësuar
    01-11-2010
    Vendndodhja
    Perendim
    Postime
    946
    Erdhi koha per te pasur drejtesi edhe per ngjarje te kesaj natyre, qe deri me tani jane perdorur per sulme politike. Gjyqi i sqaron te gjitha.Shpresoj te kete denime te merituara!
    Mɛ мιяɛ тɛ ʝɛм иɛ ɛяяɛƨιяɛ ɛ тɛ и∂ʝɛʝ αяσмɛи ɛ ∂яιтɛƨ, ƨɛƨα тɛ ʝɛм иɛ ∂яιтɛ ɛ тɛ мσƨ ɛ ƨнσн ғαяɛ✿⊱╮

  10. #80
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22
    "Banda e Cerrikut", tre burgime te perjetshme

    Klodiana Kotorri

    Gjykata e Krimeve te Renda ka dhene tre burgime per jete dhe 118 vjet burgim ne total per 6 te pandehurit e "Bandes se Cerrikut". Vendimi u mor diten e djeshme, nga trupi gjykues i kryesuar nga Klodian Kurushi. Tre vendimet me burgim te perjetshem u dhane per te pandehurit Meti Bozi, Arjan Toska dhe Roland Xhepexhiu. Nderkohe qe gjykata vendosi te denoje me nga 22 vjet burg te pandehurit Llazar Bicja, Alban Toska dhe Entel Gashi. Me 21 vjet burg u denua Skender Cani. 23 vjet burg u dhane per te pandehurin Tomorr Buzani, ndersa Bujar Buzani do te vuaje 8 vjet burg. Me 22 nentor te ketij viti, prokuroria kerkoi burgim te perjetshem per Meti Bozin, Arjan Tosken dhe Roland Xhepexhiun. Te pandehurit e Bandes se Cerrikut akuzohen si autore te masakres se Cerrikut, e ndodhur me 23 maj te vitit 1997, ku mbeten te vrare me arme zjarri 6 punonjes te Gardes se Republikes, si dhe u plagosen 9 punonjes te Policise se Shtetit. Te pandehurit u derguan per gjykim ne vitin 2008, per vepren penale te "vrasjes ne rrethana cilesuese". Ne daten 22 maj te vitit 1997, u sulmua me arme zjarri nga disa shtetas Posta e Policise se qytetit Cerrik, ndersa u larguan me force punonjesit e policise nga kjo poste. Te nesermen, forca te policise se komisariatit Elbasan, ne bashkepunim me forcat speciale (Garda e Republikes), shkuan ne qytetin e Cerrikut per te rivendosur rendin. Te pandehurit Llazar Bicja dhe Meti Bozi, te ardhur ne dijeni te levizjeve te forcave policore ate dite ne qytetin e Cerrikut, organizuan nje grup personash te armatosur, me qellim goditjen e policise. Te pandehurit shkuan ne lagjen nr. 3 te qytetit Cerrik, ku takuan te akuzuarit Arjan Tosken, Alban Tosken, Bujar Buzanin, Tomor Buzanin, si dhe shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, Bashkim Buzani. Prokuroria akuzoi Bozin dhe Bicjan se kane nxitur personat e tjere te godisnin forcat e policise, duke i mashtruar se keto forca kishin ardhur nga Tirana me qellim vrasjen dhe perdhunimin e vajzave dhe grave te tyre. Ata nxiten te pandehurin Roland Xhepexhiun dhe bashkepunetoret e tij, te qendrojne ne tarracat e qytetit dhe te qellojne mbi policine. Ne Cerrik mberriten forcat e policise se komisariatit Elbasan, te mbeshtetura nga disa njesi te Grades se Republikes. Kur policet ndodheshin ne qender te qytetit, shtetasi Ardian Rama, aktualisht i vdekur, ka qelluar me arme ne drejtim te tyre. Pas kesaj, edhe forcat e policise hapen zjarr. Makina e blinduar e policise u qellua me anti-tank nga i pandehuri Arjan Toska dhe gjithashtu, brenda saj u hodh edhe nje granate nga ana e Sokol Buzanit, aktualisht i vdekur dhe per pasoje, u dogjen dy prej efektivave te policise qe ndodheshin brenda saj dhe ka detyruar personat e tjere te dalin nga blindi e me pas, te qellohen me arme zjarri duke shkaktuar vdekjen edhe te tre efektivave te tjere te policise.

    KJ

Faqja 8 prej 10 FillimFillim ... 678910 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Si ndodhi masakra e Tivarit me1 prill 1945
    Nga CEZARND në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 27
    Postimi i Fundit: 12-04-2013, 14:57
  2. Masakra E Tivarit - 1 Prill 1945
    Nga Nertili në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 06-04-2007, 05:55
  3. Masakra e Monopolit 1944 - Tetovë
    Nga Davius në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 03-04-2006, 14:21
  4. Masakra në Kazakistan
    Nga ~Geri~ në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 28-07-2005, 06:32

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •