Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 19
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Qeveria e Rilindjes pritet të përjashtojë 31 deputetë të saj si të inkriminuar?

    31 deputetë do të lënë Parlamentin

    Procesi i dekriminalizimit të politikës dhe administratës shtetrore, një nga çështjet më të përfolura gjatë dy viteve të fundit, duket se do të trondisë themelet e politikës. Drafti që po hartojnë ekspertët e Partisë Socialiste për largimin e të dënuarve nga administrata dhe funksionet publike pritet të sjellë largimin e një numri të konsiderueshëm zyrtarësh të administratës, por edhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Këtë e ka kërkuar më përpara PD. Ndërsa ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, paralajmëroi dy ditë më parë se ligji është gati dhe se do të miratohet në muajin shtator. Pra brenda 15 ditëve, Kuvendi pritet të diskutojë një nga reformat që u ndalon zyrtarëve të cilët kanë kryer vepra penale, të jenë pjesë e administratës publike dhe në parlament. E reja e projektit të PS-së është se ligji do të ketë fuqi prapavepruese. Pra, do të penalizojë jo vetëm kandidatët për deputetë në zgjedhjet e ardhshme, por deputetët dhe zyrtarët aktual të administratës shtetërore. Efekti i parë i këtij ligji, nëse do të miratohet, do të shtrihet pikërisht atje ku edhe debati për kriminelë dhe shkelës ligji ka qenë më i madh, në Parlament. Sipas Partisë Demokratike, në Kuvend janë 19 deputetë të dënuar nga gjykatat për vepra të ndryshme dhe me rekorde kriminale. Po ashtu, në radhët e Partisë Demokratike janë më shumë se 12 deputetët që kanë pasur probleme me ligjin, janë dënuar nga gjykatat, ose kanë procese në vendet e tjera. Pra, nëse procesi i dekriminalizimit do të merret seriozisht nga politika, janë të paktën 31 deputetët që do të lënë mandatin duke ndryshuar komplet pamjen e sotme të Kuvendit. E njëjta gjë do të ndodhë dhe në administratë, ku spastrimi do të nisë që nga nëpunësit e thjeshtë dhe deri tek drejtuesit e lartë të institucioneve. Po ashtu, efekti i ligjit do të prekë dhe kryetarët e bashkive që u zgjodhën më 21 qershor, për të cilët ka jo pak akuza.
    Me projektligjin që kryeministri Rama do të paraqesë në Parlament pritet që Partia Socialiste të zgjidhë në mënyrë përfundimtare dhe të shpejtë çështjen e deputetëve problematikë. Ligji i hartuar nga ekspertët e PS-së, i cili ende nuk është bërë publik me detaje, ka lënë një hapësirë për largimin e zyrtarëve, duke bërë pjesë të dekriminalizmit vetëm ata që janë dënuar me vendim të formës së prerë në gjykatë. Një projekt i tillë duket se shpjegon dhe dorëheqjen e deputetti të Lezhës disa ditë më parë. Nga ana tjetër, PS-ja duket se “heq qafe” me këtë ligj dhe deputetët e tjerë që janë në proces gjykimi, por që ruajnë ende mandatin. Ndërkohë që vetë Partia Demokratike kërkon që ligji i dekriminalimzit të përfshijë dhe ata që kanë rekorde kriminale, pra edhe në rastet kur nuk ka vendim gjykate, por ka akuza të forta që i implikojnë në vepra të ndryshme. Çështja e prezumimit të pafajësisë është pjesa që ndan dy variantet e dekriminalizmit. Megjithatë, parimisht palët kanë dakordësinë që ligji i dekriminalizmit të miratohet. Me shumë gjasa, për shkak të votave në Kuvend, do të miratohet varianti i qeverisë, i cili edhe në këtë formë do të shkaktojë tërmet në politikën shqiptare. Ndërkohë, ironia është se ligji do të miratohet vetë nga një pjesë e deputetëve që preken nga kjo nismë. Ndaj pritet që edhe brenda vetë mazhorancës, të ketë tensione dhe presione për krijimin e “xhepave” ligjorë për të shpëtuar nga efektet e ligjit.
    Në partitë kryesore ka nisur llogaritja e pasuesve në listat e deputetëve që do të lënë mandatin si pasojë e dekriminalizimit. Por edhe në këtë pikë duket se do të hasin në probleme, pasi ka raste kur edhe emrat pasues kanë sërish probleme me ligjin.
    Sipas një përllogoritje nga gjithë listat e kandidatëve për deputetët në KQZ të rregjistruar në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 kur fitoi PS dhe LSI ka një ndër tre deputetë me çështje penale ose të përzier në grupe kriminale.

    Kjo është skandaloze e ndaj më mirë bëjnë ta shkrijnë këtë parlament e të shkojnë në zgjedhje të reja parlamentare.

    Koha Jone

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes pritet të përjashtojë 31 deputetë të saj si të inkriminuar?

    Felaj: Ligji për dekriminalizimin do ketë fuqi prapavepruese

    Emri:  d87834505a40bed76be42996508d37ca_XL.jpg

Shikime: 224

Madhësia:  15.7 KB

    Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin flet për reformën në drejtësi dhe anti-korrupsionin

    Mazhoranca do të kalojë shumë shpejt në Kuvend variantin e saj për ligjin e dekriminalizimit. Ministrja e e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, tha dje në emisionin “Debati në Channel One”, se brenda këtij muaji do të paraqitet dhe miratohet ligjin për ndalimin e hyrjes në funksionet publike të zgjedhur apo të emëruar të personave që janë të dënuar për krime të qëllimshme, apo për krime të rënda me dashje, të formës së prerë.

    Intervistoi: Roland Qafoku

    Zonja ministre, si e mendoni ju dekriminalizimin e parlamentit? Në pikëpamjen time, deputetët janë përfaqësuesit e shoqërisë sonë. Ne kemi nevojë për dekriminalizimin e shoqërisë, që më pas të arrijmë dekriminalizimin e parlamentit. Në një mënyrë apo tjetër ne i meritojmë ata që janë në parlament?

    Roland, unë dua të them që në fillim që se unë nuk jam dakord me shprehjen dekriminalizim. Aq më pak dekriminalizim i parlamentit dhe aq më shumë dekriminalizim të shoqërisë. Sepse çfarë do të thotë kjo? Që do të thotë se të gjithë individët që janë aty janë kriminelë? A kemi ne nevojë që të ndalojmë që njerëz të dënuar të zgjidhen apo të emërohen në funksione publike, qofshin këto të zgjedhura apo të emëruara. Përfitoj nga rasti që nga pozitat e ministrit të shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, t’ju konfirmoj edhe në emër të qeverisë që ne jemi të gatshëm që brenda këtij muaji të paraqesim dhe të miratojmë ligjin për ndalimin e hyrjes në funksionet publike të zgjedhur apo të emëruar të personave që janë të dënuar për krime të qëllimshme, apo për krime të rënda me dashje, të formës së prerë. Këtë gjë do ta bëjmë duke u bazuar në eksperiencën më të mirë ndërkombëtare. Një eksperiencë e tillë është ajo italiane. Kemi patur fatin që bashkë me kryeministrin të takojmë edhe hartuesin e ligjit në parlamentin italian dhe kemi marrë përgjigje për të gjitha pyetjet dhe shqetësimet tona. Ky tekst do të shqyrtohet dhe do jetë prezent në komisionin e posaçëm të ngritur për reformën në drejtësi. Dhje kjo nuk është e lidhur me vetëm me ata që kryejnë detyra të larta shtetërore por në të gjithë kapilarët e shtetit.

    Zonja ministre, për cilët nivel bëhet fjalë?

    Për të gjithë ata që kanë statusin e nëpunësit civil.

    A do ketë efekte prapavepruese ligji?

    Sigurisht që do ketë efekte prapavepruese.

    A do ketë largime nga parlamenti dhe detyra të tjera të larta shtetërore?

    Kjo ka qenë një pikë që kemi diskutuar më shumë me hartuesit e ligjit italian. Kështu, nuk ka vend për të gjykuar mazhorancën, sepse mazhoranca ka qenë në krye të herës e gatshme ta realizojë këtë. Dhe këtë proces ta realizojë bashkë me opozitën. Këto ditë opozita ka depozituar në kuvend dy projektligje, një për ndryshimet kushtetuese dhe një për largimin e këtyre personave që ne folëm nga institucionet shtetërore. Të dyja janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Ne jemi të detyruar të zbatojmë rregulloren e Kuvendit për një procedurë të posaçme. Kemi arritur në limitet e kohës dhe ne do të bëjmë përpjekjet maksimale për konsenus. Por, qeveria me apo po konsensusin e opozitës, ne do ta arrijmë të miratojmë këtë ligj.

    Zonjë, në parlamentin e parë shqiptar në 1921 dhe më pas, ne kishim deputetë disa nga korifenjtë e mendimit shqiptar si Fan Noli, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Eqrem bej Vlora, Ali Këlcyra etj. Kur do kemi në parlament deputetë të këtij kalibri?

    Prandaj e kemi thënë se reforma në arsim është nga më të rëndësishmet, sepse arsimi i popullit është ai që sjell figura të mëdha.

    Në atë kohë zonjë nuk kishte as shkollë të mesme në Shqipëri dhe këta që unë përmenda kishin studiuar jashtë vendit.

    Megjithatë gjithçka lidhte me arsimin.

    A keni gjetur ju konsensusin me opozitën që kjo të jetë një luftë frontale për dekriminalizmin e kuvendit?

    Ne kemi bërë një bisedë të parë me opozitën dhe me ata që janë angazhuar drejtpërdrejtë me këtë çështje. Do kemi një ballafaqim të hapur të qëndrimeve të secilit. Por, gjërat që ne nuk do t’i kishim të negociushme ka të bëjë me atë që njihet si prezumim të pafajësisë.

    Zonja ministre, dita e enjte është kthyer në një propagandë politike përpara ekranit nga foltorja e kuvendit. Si mundet të ndryshohet kjo sepse nëse nuk ka kamera, ndryshe do të ishte situate?

    Kur ne ishim në opozitë kryetari i grupit parlamentar nuk kishte gjasa të fliste ndonjëherë sa ish-kryeministri Berisha. Ndërkohë që, jo vetëm që kryetari i kuvendit u jep fjalën përfaqësuesve të PD dhe kushdo që e merr fjalën prej tyre e kalon në kohë edhe kryeministrin e vendit. Çdo vit bëjmë një bilanc të kohës që deputetët kanë në kuvend për fjalën që ata marrin. Nga bilanci që u bë vitin e shkruar, e bëmë edhe ne si ministër i shtetit për Marrëdhëniet me parlamentin dhe ka modele në botë për këtë. Na rezultoi se deputetët e opozitës kanë folur më shumë se ata të mazhorancës. Po i drejtohem opozitës, që të fillojë të kuptojë që aty ku njerëzit nuk kanë interes të dëgjojnë dhe të përsëritjes së gjërave që nuk ka lidhje fare me rendin e ditës. Për shembull, në seancën e fundit diskutohej për borxhin një gjë shumë e rëndësishme, por ata që folën nga opozita shumë pak gjëra thanë për aktin normativ. Buxheti është një nga çështjet më të rëndësishme sepse ka planifikim të ardhurash e harxhimesh.

    Zonja ministre, lidhur me operacionin kundër informalitetit ju jeni për penalitete juridike, apo edhe për një rrugë të mesme duke ndihmuar biznesin?

    Unë jam për të dyja. Unë konstatoj, në lagjen ku jetoj, me shitësit e vegjël rreth e rrotull që shpesh herë më thonë që shumë mirë që po e bëni këtë gjë, sepse kemi ne këtu në zonën tonë që punojnë pa kupona dhe askujt nuk i vjen mirë të niset nga kjo rrethanë dhe të kenë avantazh duke përdorur rrugë të shkurtra. A ju duket juve normale që një nga rrugët më të rëndësishme të Tiranës, në rrugën “Myslym Shyri” që shumica e dyqaneve kanë mbyllur qepenat? Ajo është rruga më e shtrenjtë në Tiranë, si ka mundësi, si kanë punuar në këto vite? Kjo do të thotë se kanë punuar në kurriz të ligjit. Nuk duhet të funksionojmë ndryshe nga si funksionohet jashtë shtetit. Nuk çuditemi ne kur blejmë diçka dhe shitësja na jep kuponin, ndërsa këtu nuk ndodhe kështu.

    Zonja ministre, më 10 shtator mbushën dy vjet nga dekretimi i kryeministri Rama. Si ka punuar qeveria në këto dy vjet? Dhe a jemi ne shqiptarët më mirë se dy vjet më parë?

    Çdo qytetar e thotë nga situate e vet. Unë them se ka një mënyrë për t’iu përgjigjur kësaj pyetje. Ka qenë dita e zgjedhjeve të 21 qershorit. Shqiptarët e kanë dhënë përgjigjen e tyre. Nëse janë dakord me çfarë ata prisnin nga qeveria shqiptare. Nëse qeveria shqiptare është duke plotësuar pritshmëritë e tyre, apo është në një drejtim krejt të kundërt me atë që u intereson shqiptarëve. Përgjigjja e 21 qershorit ishte shumë e qartë për të gjithë ne. Shqiptarët janë po të gjithë atyre reformave që janë anatemuar me reformën e ndërtimeve pa leje, reformës së ndarjes së re territorial, të reformave në polici, reformave në arsim e të tjera.

    Duke qenë se dikur keni qenë prokurore. Cili është mendimi juaj për punë që ka bërë dhe po bën prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla?

    Më kape ngushtë me këtë pyetje. Sepse unë nuk preferoj të bëj komente të punës, për ata që i konsideroj si kolegë. Shpesh herë në kuvendin e Shqipërisë, me humor apo me dashamirësi, më tërheqin vëmendjen se sa herë që flitet për prokurorinë unë reagoj. Është i natyrshëm ky reagim. Kam qenë disa herë kur Prokurori i Përgjithshëm është paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë dhe ka raportuar për punën e institucionit të prokurorisë. Jo vetëm zoti Adriatik Llala, por edhe kur ka qenë zonja Ina Rama. Unë mbetem dhe jam që ne duhet ta mbështesim institucionin e prokurorisë. Sepse nëse ka një institucion që përpiqet sadopak që të bëjë punën e vet është pikërisht ky institucion. Sepse, brenda këtij institucion vazhdojnë të ketë njerëz që kërkojnë të punojnë, kërkojnë të japin më të mirën e tyre. Kështu, duke u nisur nga ky arsyetim, unë mendoj se prokuroria meriton të mbështetet. Prokuroria ka nevojë të ketë kapacitetet të shtuara njerëzore dhe kjo gjë quhet ti jepet asaj.

    Po si kontrollohet prokuroria?

    Një është nga Kuvendi. Prokurori raporton në kuvend, megjithëse ka kohë që kjo nuk ka ndodhur. Nuk janë bërë çdo vit raportime. Unë nuk e mbaj mend se kur ka qenë hera e fundit që Prokurori i Përgjithshëm ka raportuar në kuvend. Nuk e mbaj mend. Gjithsesi, unë mendoj se shumë gjëra duhet të përmirësohen. Nëse do të bëhen rekrutime në staf, ato bëhen mbi bazën e jetëshkrimeve. Por në këtë aspekt, sipas meje, duhet të bëhen sipas punës konkrete që ata prokurorë bëjnë. Pra, ne duhet të ruajmë këtë model, pro brenda modelit duhen përmirësime. Duhet të ndërhyjmë që ta çojmë prokurorinë atje ku duhet.

    Një nga kuajt tuaj të betejës qeverisëse ka qene lufta ndaj korrupsionit. Sipas shifrave që unë disponoj, nga arkivi im, nëse krahasohen dy vitet tuaja të para qeverisëse me dy vitet e para të qeverisjes së Berishës, në vitet 2005-2007 ishin arrestuar 140 policë, oficerë policie shumica e të cilëve për korrupsion. Pra një shifër që veçon më shumë qeverisjen e Berishë se sa tuajën. Cili është komenti juaj?

    Unë mendoj ndryshe.

    Nuk është dëshirë e madhe ta shprehim, por nuk quhet luftë ndaj korrupsionit kur arrestohen njerëz për 5 mijë lekë, por kur arrestohen zyrtarë të lartë, deri ministra për miliona euro?

    Lufta ndaj korrupsionit nuk matet me numrin e atyre që arrestohen. Arrestimeve, një ditë u ikën buja. Harrohen. Çfarë ndodh me këta njerëz?

    Marrë me shkurtime nga “Debati në Channel One”

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes pritet të përjashtojë 31 deputetë të saj si të inkriminuar?

    Basha nga Brukseli: Dekriminalizimi, kapitull i ri për zgjedhjet e ardhshme

    Emri:  lulzim-basha2_1.jpg

Shikime: 230

Madhësia:  27.4 KB

    Dekriminalizimi është shndërruar në çështjen kryesore në seancën që ishte thirrur për të diskutuar raportin e OSBE/ODIHR në Bruksel, ku ka qenë i ftuar edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

    Kryedemokrati ka thënë se pa zgjidhjen e këtij problemi, politika shqiptare nuk mund të merret me çështje të tjera.

    “Ne këtu ishim mbledhur për të diskutuar raportin për zgjedhjet e 21 qershorit, por gjysmën e kohës e kaluam duke folur për dekriminalizimin. Pse?! Sepse kriminalizimi i politikës, kandidimi i personave me rekorde kriminale për kryetar bashkie dhe për këshilltarë, përdorimi i bandave kriminale për të terrorizuar qytetarët dhe votuesit ishin problemet kryesore të zgjedhjeve të 21 qershorit krah për krah me blerjen e votës dhe keqpërdorimin e administratës, fondeve dhe aseteve shtetërore. Pa zgjidhjen e këtij problemi, pa dekriminalizimin, as që mund të bëhet fjalë për të adresuar problemet e tjera të zgjedhjeve në Shqipëri. Ndaj dekriminalizimi është nevojë urgjente në vetvete por edhe në funksion të një procesi të mundimshëm, siç tha zonja Glover, të rikthimit të besimit të qytetarëve shqiptarë në zgjedhje të lira dhe të ndershme”, – u shpreh Basha.

    Sipas Bashës, “Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi të vendosur që duke nisur me procesin e dekriminalizimit të çojmë deri në fund përjashtimin nga çdo funksion drejtues çdo person të zgjedhur apo të emëruar me rekorde kriminale nga qeveria aktuale dhe ne këtë mënyrë të hapim një kapitull të ri edhe për zgjedhjet si testi kryesor i funksionimit të një demokracie” .

    Basha ka ndarë shqetësimin me eurodeputetët për mungesën e vullnetit nga ana e mazhorancës për të nisur procesin e dekriminalizimit, por nga ana tjetër ka shprehur vendosmërinë e tij dhe të Partisë Demokratike për të bërë dekriminalizimin. “Pa fituar këtë betejë Shqipëria nuk mund të ecë përpara”, – tha ai.

    “Përfaqësuesit e qeverisë në Komisionin e Dekriminalizimit janë përpjekur të bllokojnë procesin e adoptimit të ligjit për dekriminalizimin sipas draftit që opozita ka çuar në Kuvend, draft i cili bazohet tërësisht nga rekomandimet e Komisionit të Venecias për këtë çështje. Kjo është një dëshmi tjetër e mungesës së vullnetit për dekriminalizimin nga Edi Rama i cili është shënuar si arkitekti i kriminalizimit të politikës dhe administratës së lartë. Tashmë po shënohet si personi që po bën gjithçka për ta bllokuar dekriminalizimin. Sot nga Brukseli kam një mesazh për qytetarët shqiptarë; beteja për dekriminalizimin duhet të fitohet sepse është nyja gordiane ku lidhen të gjitha problemet e tjera të Shqipërisë si vota e lirë, ekonomia, varfëria dhe lufta kundër saj, papunësia, mirëqënia. Pa fituar këtë betejë Shqipëria nuk mund të ecë përpara”, u shpreh Basha.

    Shqip

  4. #4
    Peace and love
    Anëtarësuar
    16-06-2006
    Vendndodhja
    usa
    Postime
    1,897

    Për: Qeveria e Rilindjes pritet të përjashtojë 31 deputetë të saj si të inkriminuar?

    me 31 te perjashtur i bie te shkojne ne zgjedhje te reja, por pak gjasa ka te ndodhe kjo gje

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes pritet të përjashtojë 31 deputetë të saj si të inkriminuar?

    Ambasadori britanik: Unë s’do doja të përfaqësohesha nga gangsterë

    Duke folur për zhvillimet më të fundit politike në vendin tonë dhe çështjen e dekriminalizimit, ambasadori i Britanisë Nikolas Kenon ka folur aq hapur sa duke e krahasuar me veten, ka thënë se nëse do ishte shtetas shqiptar nuk do të donte te përfaqësohej nga persona të inkriminuar.

    Emri:  cannon.jpg

Shikime: 234

Madhësia:  54.8 KB
    Ambasadori britanik ne Tirane

    “Unë nuk do të doja të përfaqësohesha nga një gangster, dhe njerëzit këtu duhet ta mendojnë në këtë mënyrë e të vendosin atë që duan. Unë nuk kam të drejtë vote, ju keni, ndaj duhet ta mendoni si do veproni”,- tha ai teksa ishte në Durrës.

    “Kush dëshiron të të përfaqësoheet nga njerëz që kanë pasur probleme me trafikun e qënieve njerëzore apo trafikun e drogës, është një problem që duhet zgjidhur, cështja është si duhet vepruar? Është për t’u debatuar midis politikanëve, por edhe publikut, si mendon publiku, më pas vendoset mes palëve si duhet vepruar”,- theksoi ambasadori.

    Disa dite me pare ne pranga u vu deputeti socialist, Armand Prenga i akuzuar për plagosjen me armë të disa shtetasve si dhe dha dorëheqjen deputetit tjetër socialist i qarkut të Lezhës, Arben Ndoka, i akuzuar nga opozita si person i dënuar për trafikim të qenieve njerëzore.

    Panorama

  6. #6
    Kunja_01 Maska e Duke_Of_Arberia
    Anëtarësuar
    02-08-2003
    Vendndodhja
    overal, ne levizje.
    Postime
    2,604

    Për: Qeveria e Rilindjes pritet të përjashtojë 31 deputetë të saj si të inkriminuar?

    Ambasadori amerikan: Në Shqipëri, të pasurit e blejnë drejtësinë


    Ambasadori amerikan Donald Lu ka qenë i drejpërdrejtë në kritikat e tij për sistemin e drejtësisë. “Ne shqetësohemi për gjykatësit e korruptuar dhe një sistem ku më të pasurit e blejnë drejtësinë e tyre” u shpreh ai në një tryezë të organizuar nga Shoqëria Civile mbi reformën në drejtësi.

    Ambasadori amerikan tha se të korruptuarit dhe të paaftët në politikë, gjykata e prokurori me shumë mundësi do t’i kundërvihen reformës në drejtësi, duke e kundështuar atë.

    “Jemi të shqetësuar për gjykatës, prokurorë dhe politikanë të paaftë që do t’i kundërpërgjigjen kësaj reforme. Ne nuk duhet t’i lejojmë ata të fitojnë. Kjo është tejet e rëndësishme për këtë brez, për fëmijët nipërit dhe mbesat tuaja”, tha ai.

    Ambasadori Lu bëri thirrje për gjithëpërfshirje në këtë reform, në një kohë kur opozita e ka kushtëzuar bashkëpunimin me marrjen në konsideratë të propozimeve të saj dhe LSI e është shprehur se reforma nuk mund të bëhet pa opozitën. “Është e rëndësishme që të gjithë të marrin pjesë në këtë proces, në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë e duhet bërë tani dhe në mënyrë të suksesshme”, u shpreh ambasadori amerikan. Lapsi.al
    Trimi mirë me shokë shumë!!!!!!

  7. #7

    Për: Qeveria e Rilindjes pritet të përjashtojë 31 deputetë të saj si të inkriminuar?

    Pra, nëse procesi i dekriminalizimit do të merret seriozisht nga politika, janë të paktën 31 deputetët që do të lënë mandatin duke ndryshuar komplet pamjen e sotme të Kuvendit
    Po nga na ka humbur Xinxibilja? Kur i thoja une qe e ke parlamentin te mbushur me horra e halabake me precedente penale neper Europe, m'i mbronte e me hidhej mua ne fyt duke kerkuar dokumenta. Nga ke humbur tani o zedhensi i PS-se?

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,749

    Për: Qeveria e Rilindjes pritet të përjashtojë 31 deputetë të saj si të inkriminuar?

    Nje pyetje kisha;ky demikriminalizimi sherben per diçka ? Ka nje kuptim praktik,do ndikoje nje minimum ne politiken e atije vendi ?

    Hiq shprehjen kot,individet me rekorde kriminale,qe do te thot shume per te mos thene asgje (sepse nuk percaktohet as rekordi,qe duhet thyer),kjo propagande duket me shume "te bojn nai gjo qe te justikojm te pakten leket e vjedhme". E supozojme se u hoqen nga parlanti o administrata te fortet o gangsterat,duke supozuar se keta te fortet jane te tille sepse ne radhe te pare "fusin friken" e krimit e ne radhe te dyte e kane forcen dhe bejne çdo gje per para,pra eshte paraja qe sjell veprimtarine e tyre krimnale,dmth qe edhe jashte parlamentit nuk mund t'ja heqesh nje veprimtari te tille. Nuk do ti mbledhi votat per vete por do ti mbledhi per te tjere qe do perfaqsojne partine. Nuk do e kesh direkt kriminelin ne Parlament por do keshe perfaqsuesin o kukullen e tije... (Si te thuash do ndalojme trafikantet por do lejojme prodhimin e droges,o do ndalojme kurvaret por do lejme kurvat,keshtu nuk luftohet o ndalohet as droga e as kurvlleku. )

    Meqe,votimet ne Shqiperi o zgjedhja e deputeteve behet ne baze te fitimit e te investimit nga individet ne emer te partive e vetmja menyre eshte te kontrollosh e te ndalosh parane ne xhiron e politikes. Pra duhet filluar nga depasurimi o sekuestrimi i parase te paligjshme qe te bllokosh o luftosh edhe krimin o kriminalizimin.

    Natyrisht,keto jane supozime per vende ku kryeministrat nuk ndertojne vila ne Dajt e gjate kohes te punes shesin piktura,nuk mund te behet asgje kur kryeministri e kthen zyren e tije ne qender biznesi me perqindje per djalin e vajzen e tije. Mbase gaboj por gjithe kjo propagan i ngjan shume dekomunizmit me gjyqet e kafeve,por gjithmon pa hapur dosjet.
    Ndryshuar për herë të fundit nga SERAFIM DILO : 16-09-2015 më 09:44

  9. #9

    Për: Qeveria e Rilindjes pritet të përjashtojë 31 deputetë të saj si të inkriminuar?

    Une nuk di detaje nga kjo pune por me nje llogjike te thjeshte: kur nje parlament eshte kthyer si nje trust lulelakre e ku 31 antare te saj jane te gjithe Arturo Ui atehere ata nuk do mendojne as per hallet e popullit dhe as per te miren e vendit. Eleminimi i tendences kriminale mbase nuk do zgjidhi gjerat brenda dites e as brenda nates por ne nje prespektive me te gjate do krijoje tjeter klime ne parlament.

  10. #10

    Për: Qeveria e Rilindjes pritet të përjashtojë 31 deputetë të saj si të inkriminuar?

    Gjeja e pare do minimizohet grushti ne parlament

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •