Akuzat për ryshfet, Basha akuzon Metën: Të japë dorëheqjen. Reagon LSI: Janë shpifje
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, pas akuzave të fundit ndaj tij për ryshfet.
Në një deklaratë për shtyp nga selia e PD-së, Basha tha se “Meta duhet të lërë postin dhe të hetohet si qytetar i thjeshtë, sepse hetimi mund të zbulojë skemën më të madhe të korrupsionit në Shqipëri”.
Sipas Bashës, duke iu referuar një investigimi të bërë nga mediet, mësohet se avokatët që përfaqësojnë OSHEE-në në një gjyq arbitrazhi në Vjenë, pretendojnë se kanë prova që Ilir Meta nga marrë ryshfet nga biznesmen Kastriot Ismailaj, i akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash.
“Firma u krijua për të mbledhur borxhet e CEZ-it, ndaj duhet të nisë hetimi ndaj Ilir Metës, – theksoi Basha. – Avokatët e qeverisë kanë zbuluar se miku i Metës ka përfituar miliona euro. Firma ka përfituar miliona euro dhe i ndante me Ilir Metën. Ky është një mashtrim dhe një korrupsion i pastër”.
Në këtë mënyrë Basha i bëri thirrje aleatit më të ngushtë të qeverisë të japë dorëheqjen dhe të shkojë përpara drejtësisë si një qytetar i thjeshtë: “Meta ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë më parë, duke u shpëtuar hetimeve për akuza shumë të rënda. Ndaj PD dhe unë, kërkojmë dorëheqjen e tij nga posti, largimi i tij nga detyra është një parakusht që çështja të zbardhet e plotë. Të shkojë para drejtësisë si një qytetar i thjeshtë. Nëse meta dhe ortaku i tij Rama do të tentojnë sërish manipulimin, do përballen sërish me forcën e qytetarëve të bashkuar”, – përfundoi Basha.
Reagon Petrit Vasili: Shpifje, si sondazhi i SOROS-it
Menjëherë pas daljes së Bashës, ka reaguar Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila përmes nënkryetarit të saj, Petrit Vasili, ka hedhur poshtë akuzat e PD-së.
Sipas Vasilit, “Meta e ka tejkaluar planin e dorëheqjeve me kohë. Është e e drejtë e Bashës dhe e kujtdo tjetër të kërkojë dorëheqje. Çdo kërkesë e opozitës do trajtohet në Kuvend. Por ju them që vërtetësia e shpifjeve të opozitës është si ai i sondazhit të SOROS”, – u shpreh nënkryetari i LSI.
Shqip
Krijoni Kontakt