Close
Faqja 13 prej 16 FillimFillim ... 31112131415 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 121 deri 130 prej 152
  1. #121

    Për: Edi Rama i shpall luftë edhe Zotit: Shemb Kishën e Shen Thanasit në Dhërmi

    Gjatë një interviste televizive në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit të këtij viti, Goro u shpreh se emri i tij është Gjergj, i cili më vonë është bërë Jorgo, ndërsa mbështeti qëndrimin e tij të mëparshëm se në Himarë nuk ka minoritet etnik grek.

    Me ne fund doli nje burre ne Himare dhe e tha gjene sic eshte.

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Darius për postimin:

    mesia4ever (01-09-2015)

  3. #122
    i/e regjistruar Maska e Zerva
    Anëtarësuar
    20-09-2011
    Postime
    7

    Për: Edi Rama i shpall luftë edhe Zotit: Shemb Kishën e Shen Thanasit në Dhërmi

    Citim Postuar më parë nga darius Lexo Postimin
    e di shume mire qe zerva ishte arvanitas. Kjo e ben edhe me te frikshme faktin qe masakroi shqiptaret.
    Po pse, c'fare e ben me te frikshem kete fakt qe nje Arvanitas masakroi Shqipetaret?!
    Gramozi

  4. #123
    Intifada verzioni 4.0 Maska e mesia4ever
    Anëtarësuar
    01-12-2006
    Vendndodhja
    Guinea
    Postime
    6,386

    Për: Edi Rama i shpall luftë edhe Zotit: Shemb Kishën e Shen Thanasit në Dhërmi

    Citim Postuar më parë nga Darius Lexo Postimin
    Me ne fund doli nje burre ne Himare dhe e tha gjene sic eshte.
    Bravo i qofte ketij vellau qe po e thote te verteten. Ashtu nuk duhet te lejohen qe greket, sauditet e turqit te vijne ne trojet tona dhe te bejne ligjin si duan ata vet, pastaj te perzihen ne ceshtjet e brendshme te shqiptareve. Edhe pse ka presione ndaj shtetit duhet te tejkalohen ato. Rruga drejt BE-se eshte nga Berlini e Brukseli dhe jo nga Athina. Greqia mundet me pune dhe me dashuri ndervllazerore dhe jo me armiqesi.

    P.s.
    askush nuk ua don te miren ortodokseve shqiptare me shume se te krishteret qe zbatojne Biblen.

  5. #124
    Promete (i lidhur) Maska e Kryeplaku
    Anëtarësuar
    12-09-2002
    Vendndodhja
    në realitetin e hidhur
    Postime
    2,218

    Për: Edi Rama i shpall luftë edhe Zotit: Shemb Kishën e Shen Thanasit në Dhërmi

    Por ketu ka dy gjera: 1) do kete pasur edhe banore te tjere ajo zone perpara se te dyndeshin geget kryesisht nga Mati dhe...




    2) ngado qe ta kete prejardhjen himarioti dhe cilido te kete qene emri i tij perpara se te behej Jorgo, atij nuk i hiqet e drejta e veteidentifikimit.

  6. #125

    Për: Edi Rama i shpall luftë edhe Zotit: Shemb Kishën e Shen Thanasit në Dhërmi

    Por ketu ka dy gjera: 1) do kete pasur edhe banore te tjere ajo zone perpara se te dyndeshin geget kryesisht nga Mati dhe...
    Po, kane qene serisht shqiptare.



    2) ngado qe ta kete prejardhjen himarioti dhe cilido te kete qene emri i tij perpara se te behej Jorgo, atij nuk i hiqet e drejta e veteidentifikimit.
    Le te vetidentifikohen si te duan. Jorgo po thote troc qe ska minoritet etnik. Ka ndryshim te madh midis nje minoriteti etnik e nje te krijuar per konjuktura ekonomike apo gjeopolitike.


    P.S. kryeplak, gabimisht kur u pergjigja e bera direkt ne postimin tend dhe fshiva cfare kishe shkruar. Do te lutesha nese e ke shkrimin, ma dergo privatisht qe ta vendos ne pergjigjen tende.

  7. #126
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,281
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Edi Rama i shpall luftë edhe Zotit: Shemb Kishën e Shen Thanasit në Dhërmi

    Artan Shkreli: Kisha e Dhërmiut, një përgjigje kritikave

    Emri:  shkreli.jpg

Shikime: 453

Madhësia:  42.5 KB

    Nga: Artan Shkreli*

    Do njerëz mendojnë se prishja në gusht e një objekti me funksion fetar në Dhërmi ishte një akt i dhunshëm e i paligjshëm. Një pjesë syresh, nisur nga paragjykime me sfond etnik, fetar ose politik, ranë pre e dezinformimit që forume, zyrtare ose jo, bënë për këtë çështje, sikundër OMONIA, MEGA, KOASH, e tekembrama edhe vetë Partia Demokratike. U ngulmua të tërhiqeshin në debat besimtarët fanatikë, Greqia zyrtare, shqiptarët dhe grekofonët e Himarës, priftërinjtë e huaj (edhe ata me programe politike thellësisht antishqiptare), analistët “e gjithëdijshëm”, intelektualët myslimanë, ambasadorë të Perëndimit në Shqipëri, albanistë etj. Por në të shumtën e rasteve me fort tymtoi një mjegullnajë se u sqarua gjëkafshë.
    Në të vërtetë sqarimi nuk është fort i vështirë. Por ndërmendni paksa një tenxhere presioni, kapaku i së cilës nuk bën të hapet forcërisht, pa u mekur më parë presioni…; e ndërkohë që presioni shfryn, kurrnji fjalë e arsyeshme nuk gjen shteg për te veshët e atyre që fort vikasin e pak dëgjojnë. Mjafton t’u hedhësh një sy artikujve të panumërt lëshuar këto ditë në pazarin mediatik dhe sheh se, të ndezur prej sho-shoqit dhe artikull-pas-artikulli, po shkohet deri në piskama për një kryqëzatë të perëndimit Papal kundër lindjes ortodokse! Nën efektet e delireve konspirative po përmendet se sikundër dje Bizanti ra si rezultat i qëndrimit të Perëndimit, sot Papati çka s’e arriti me Kostandinopojën e shek.. e XV, po përpiqet ta arrijë me këtë kishëzën me blloqe betoni të Dhërmiut në shek.. XXI. “O kohë, o kishë e Shën Thanasit!” do thërriste Ciceroni sot.
    U mbeltua në dheun e mosgjësë fakti themelor se kisha monumentale kish pasur një të kaluar kaq të rëndësishme për kulturën e trevës dhe të gjithë Arbërisë; madje u vu në diskutim si e paqenë lidhja e kësaj kishe me kulturën arbërore të ‘600-ës dhe ‘700-ës, e madje u tha se ajo i përkiste kohës para pushtimit osman. E ndërkohë që njerëzit të cilët e njihnin historinë e gurëve të saj nuk u ndjenë për t’i ikur rrokanisjes në ujëra të turbullta, iu hy një debati patetik, i lindur shterpë për sa kohë nuk sqaroheshin metimet e fanatikëve etno-religjiozë, pra nëse ndërtimi pa leje duhej të prishej apo të legalizohej; apo nëse duhej negociuar prishja e kioskës së betonit përmes një kuvendi popullor mbarëkrahinor e mundësisht ndërkombëtar apo jo. U arrit deri aty madje sa, me vrundull e me artikulime sofiste, u metua, herë nën zë e herë mbi zë, të mohohej edhe fakti se kisha ishte Monument Kulture që mbrohej nga shteti, duke ua atribuuar komunistëve prishjen e saj herë në 1967-ën, herë në vitet ’70 e herë në ato të ’80-a; herë për motive kinse ideologjike antifetare e herë sepse u qenë dashur gurë për të ngritur ujësjellësin e fshatit.
    Kisha dhe hija e kishës, në fakt kanë qenë dhe mbetën Monument Kulture. Ajo është shpallur e tillë me Vendim nr. 6, datë 15.01.1963, mbështetur në VKM nr. 130, dt. 09.04.1955, në bazë të të cilit Kisha e Shën Thanasit, me nr. rendor 24 në listën përkatëse të monumenteve. “vihet në mbrojtjen e shtetit duke marrë parasysh vlerën historike, shkencore dhe artistike…”.
    Kisha si e tillë ka tërhequr edhe vëmendjen e dy studiuesve më të spikatur të trashëgimisë arkitekturore ortodokse në Shqipëri siç janë profesorët A. Meksi dhe P. Thomo, të cilët pasi e studiuan kishën, e kategorizuan si të ndërtuar mbas pushtimit osman dhe e përfshinë atë në artikullin tematik “Arkitektura pasbizantine në Shqipëri– Kishat njënefëshe”, në nr. 19 të revistës shkencore “Monumentet”, në vitin 1980.
    Në fakt, rëndësia e kishës është me tepër historike sesa arkitekturore; madje edhe studiuesit e mësipërm pasi bëjnë përshkrimin e saj, teknikën e muraturës, tipologjinë planimetrike, këmbanaren e murit, ikonostasin e gurtë që ka pasur etj., nuk lënë pa e përmendur varfërinë stilistikore të saj. Afërmendsh klasifikimi i saj si Monument Kulture i Kategorisë së Parë, ish-gjykuar atbotë nisur nga kujtesa historike që ajo kishë përcillte dhe nga prania e atyshme e varrit të një prej figurave më emblematike të shkrimit e mësimit shqip në Himarë e gjetkë, siç ishte ai i peshkopit të Durrësit, Nilo Catalano (1694).
    Kjo rëndësi nuk i është bjerrë as sot e gjithë ditën atij vendi të shenjtë, ndonëse ngritja e ngutshme me gurë dhe blloqe betoni të një mjedisi të shfytyruar, që ofendonte rëndë çdo memorie historike, e të paprecedentë edhe në Shqipërinë e varfër, e vulosi rrënimin që iu pat bërë kishës pas viteve ‘80. Edhe pas 25 vjetësh, ai mjedis, pavarësisht fondeve shumëmiliardëshe që KOASH-i hodhi me zemërgjerësi për ringritjen e kishave ortodokse në Shqipëri, ai mjedis pra kaq i rëndësishëm për historinë kishtare të krahinës dhe historinë kulturore të krejt vendit, u la në shortën e vet të mjerë. Qeveritë për çerek shekulli erdhën e shkuan, por askush më parë nuk kish marrë përgjegjësinë historike e politike të rindërtimit të atij memoriali kulturoro-fetar kombëtar tipik nën moton “ubi erit, sicut erit”.
    Pa dashur të ftilloj hollë rolin e murgjve bazilianë, apo të thuajse siculo-arbëreshit Nilo Catalano, pasi për ta është shkruar e debatuar mjaft, po nënvizoj këtu faktin që për E. Çabejn, kolosin e gjuhësisë shqiptare, kishte kaq rëndësi figura e Catalanos sa në librin e tij “Elementë të gjuhësisë e të literaturës shqipe” (1936), në kapitullin “A – Shkrimtarët e Vjetër”, i lë atij një vend të posaçëm krahas Buzukut, Matrangës, Budit e Bogdanit.
    Kështu, edhe pas rrënimit të mureve, nuk doli asnjë akt ministror apo qeveritar që ta hiqte kishën nga lista e monumenteve dhe fakti që në listat e përditësuara ajo nuk rezulton, nuk ka të bëjë me stausin e rrënojave të saj dhe të truallit, por me praninë fizike aktuale. Objektivisht vendi, themelet, gurët e varret e saj janë ende aty, sikurse me fjalë të tjera shprehet edhe një thumbues i të dy krahëve “në konflikt” si A. Vehbiu, i cili së fundmi pohon thekshëm faktin se “kisha e Shën Thanasit në Dhërmi është objektivisht sot një monument kulture për arbëreshët dhe për shqiptarët, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare, sepse në Dhërmi dhe gjetkë, kur të tjerët merreshin vetëm me punët e feve përkatëse, murgjit bazilianë si Nilo Catalano, Filoteo Zassi, Zef Skiroi etj. krijonin vatra arsimore dhe kulturore që frekuentoheshin edhe nga besimtarë të feve të tjera”.
    Gjithsesi, lidhur me këtë moment ligjor, qeveria shqiptare, pa u kompleksuar nga shprehje marrakote mbresëlënëse, të cilat sipas orarit e përcaktojnë atë herë si sadiste, herë si nacional-komuniste, herë si pro-ISIS e së fundmi edhe si nacional-katolike, po ndjek thjesht rrugën e saj të rivlerësimit të trashëgimisë kulturore të vendit, trashëgimi e cila po bdarej në nivele ngjethëse. Në mbështetje të projektit RAB (Rehabilitimi Arkitekturor i Bregut) ajo po punon sot për projekte rivlerësuese të një sërë objektesh private e shtetërore, sheshesh urbane e rurale, pejzazhesh natyrore e historike, restaurimesh dhe rikonstruksionesh të objekteve me vlera të veçanta kulturore e stilistike, e në këtë kuadër një projekt i rëndësishëm është dhe rikualifikimi i një vendi sakral për kulturën dhe fenë siç është kisha e Shën Thanasit. Fakti që kisha e vjetër nuk është më mbi kuotën e truallit, për rastin e një monumenti kulturor nuk do të thotë asgjë, pasi ligji nr. 9048 në fuqi, “Për Trashëgiminë Kulturore”, në nenin 14 të tij, shpreh qartë se “në rastin e fatkeqësive natyrore, të shembjes ose të djegies se objekteve me vlera të trashëgimisë kulturore, kur nuk vendoset kryerja e rikonstruksionit, mbi truallin e mbetur ose mbi pasurinë rrënojë, lejohet ndërtimi vetëm në sipërfaqen dhe vëllimin e mëparshëm, duke respektuar kategorinë dhe llojin e monumentit të dëmtuar”. Në këtë kuptim, ajo u përmbahet detyrimeve që rrjedhin nga nenet 59, 78 dhe 83 të Kushtetutës.
    Natyrisht për një shkas a një tjetër, shpesh ndërhyrje të tilla ndezin konflikte pronësore, mendësie, intoleraca të natyrave të ndryshme religjioze e identitare në një vend si Shqipëria. Por në rastin konkret, bëhet fjalë pikërisht për ruajtjen dhe ekuilibrat e komponentëve identitarë të një kulture, popullsie e krahinë, duke u kujdesur pikërisht për të kundërtën e asaj që F. Lubonja ngre në një artikull të tij; pra për marrjen në konsideratë gjatë procesit të ndërhyrjes edhe të identiteteve që ndeshen në rajonet e ndryshme kur këto ndërhyrje janë në shkallë të gjerë. Gjithë duke cituar analistin e mësipërm, në rastin konkret, nuk kemi të bëjmë me një “identitet të vetëm e aq më pak të ngurtë, por kemi të bëjmë me shumë identitet në proces… që bashkëjetojnë e bashkëveprojnë me njëri-tjetrin përsa i përket rëndësisë dhe dominancës. Edhe kur flasim për shqiptarët dhe veçanërisht për raportin e feve të tyre me të ndjerit shqiptar, duhet të flitet për shumë identitet, ku hyjnë edhe identitetet fetare që ata kanë përqafuar në shekuj si të krishterë ortodoksë, katolikë, myslimanë sunitë dhe bektashi etj., e, po ashtu, duhet pasur parasysh se kemi të bëjmë me një proces historik në të cilin kanë ndodhur ndryshime e formime dhe zhdukje e sinkretizma identitetesh në rrjedhë të shekujve…”.
    Prandaj gjykoj se jo veç autoritetet politike dhe fetare, por edhe instrumentet e tyre lokale, duhet të bashkëpunojnë me të zgjedhurit vendorë e të mbështesin projekte të tilla rivlerësuese, që u japin dinjitet siteve të nëpërkëmbura apo të harruara nën peshën e hondraqeve dhe ujerkut të hedhurinave, e t’i shndërrojnë ato jo thjeshtë të vizitueshme, por edhe grishëse në pikëpamje të rilindjes urbane, duke i konsideruar shembull të mirë për qasjen ndaj temave monumentale të kujtesës sonë kombëtare.
    *Titujt janë të redaksisë. Titulli në origjinal i autorit është: Ndërhyrja në kishën historike të Shën Thanasit, rivlerësim i kujtesës sonë kombëtare.

    Titujt janë të redaksisë. Titulli në origjinal i autorit është: “Ndërhyrja në kishën historike të Shën Thanasit, rivlerësim i kujtesës kulturore”

    (ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

  8. #127
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,281
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Edi Rama i shpall luftë edhe Zotit: Shemb Kishën e Shen Thanasit në Dhërmi

    Kisha e Dhërmiut dhe kërcënimi i katolaicizmit shqiptar

    NGA OLSI JAZEXHI*

    1.
    Sulmi fetar që qeveria Rama ndërmori kundër Kishës Ortodokse në Dhërmi sot ka tronditur opinionin shqiptar. Tronditja është e shumanëshmë. Në njërën anë nacionalistët dhe mbështetësit e kryeministrit Rama këtë sulm e shohin si triumf apo më saktë hakmarrje mbi helenizmin. Ka të tjerë që e shohin si triumf të katolicizmit mbi ortodoksinë. Por ka edhe shumë të tjerë, e sidomos besimtarët ortodoks shqiptarë që e shohin si një agresion të hapur nga qeveria katolike e Rilindjes kundër fesë së tyre.

    2.
    Rrënimi që qeveria Rama i bëri kishës së Shën Athanasit në Dhërmi, nuk është sulmi i vetëm që qeveria katolike e Edi Ramës i ka bërë tolerancës fetare në Shqipëri. Që prej ardhjes së saj në pushtet qeveria Rama ka bërë disa sulme kundër komuniteteve dhe bashkëjetesës fetare të vendit tonë. Këtu lë të përmendim shkarazi sesi me fondet e shtetit tonë laik, kryeministri Rama solli Papën në Tiranë dhe çoi qeverinë e tij në Vatikan që të marri bekimin e Kishës Katolike. Për herë të parë që nga koha e komunizmit, në vitin 2014 qeveria e Edi Ramës bëri arrestimin e parë masiv të besimtarëve myslimanë ku pasi dhunoi disa xhami në të gjithë vendin, arrestoi dhjetëra besimtarë dhe dy hoxhallarë të cilët mbahen në burgje deri në këtë moment. Në përgjigje ndaj luftës së amerikanëve në Siri, qeveria Rama ka vënë të gjithë policinë e shtetit në gatishmëri për të survejuar xhamitë dhe spiunuar të gjithë myslimanët nën pretekstin e terrorizmit. E në anën tjetër, qeveria shqiptare e ka mbushur vendin tonë me terroristë iranianë të grupit Moxhahedin el-Halk dhe ka armatosur grupe terroriste kurde në Irak dhe në Siri.

    Përpos arrestimit masiv të myslimanëve dhe bashkëpunimit me terrorizmin ndërkombëtar, kur Papë Bergolio vizitoi Tiranën në 2014, kryeministri Rama, për herë të parë në historinë e vendit tonë i deklaroi hapur të gjithë botës që Shqipëria nuk është vend mysliman edhe pse në fakt, akoma shumica e popullsisë së Shqipërisë i përket fesë myslimane. Kolegu i tij Ilir Meta e largoi Shqipërinë nga Konferenca Islamike edhe pse qeveria Rama e çoi qeverinë e tij në Vatikan.

    3.
    Sulmet e qeverisë Rama kundër fesë dhe tolerancës fetare në Shqipëri nuk kanë ardhur vetëm nga kryeministri. Miqtë dhe këshilltarët e tij më të ngushtë, që nga Artan Shkreli, Maks Velo, Sandër Lleshi etj në mënyrë të vazhdueshme kanë sulmuar komunitetet fetare jo-katolike në vendin tonë. Kanë sulmuar historinë e Shqipërisë të cilën në mënyrë të vazhdueshme e tregojnë si të lidhur me Katolicizmin, duke përjashtuar kështu Islamin dhe Ortodoksinë. Kur në shtator 2014 në Tiranë erdhi Papa i Romës, ministrat, këshilltarët dhe kolegët e kryeministrit Rama u rreshtuan të gjithë në meshën e Papës dhe para kamerave i treguan të gjithë shqiptarëve që nuk janë laikë, por janë besimtarë të betuar katolikë.

    Por megjithatë, nëse deri më sot qeveria Rama sulmet më së shumti i ka drejtuar kundër myslimanëve në emër të Perëndimit, luftës kundër terrorizmit dhe Evropës (e cila portretizohet si e krishterë në hartat që Artan Shkreli i ka vënë kryeministrisë), sulmi më i fundit që qeveria Rama ka bërë kundër Kishës Ortodokse në Dhërmi është i paprecedent. Edhe pse propaganda nacionaliste shqiptare ka qejf ti portretizojë si grekë, komuniteti ortodoks në Shqipëri është i urtë dhe paqësor. Me në krye peshkopin Janullatos ata janë munduar në këto 20 vitet e fundit të ringjallin komunitetin e tyre, i cili, si pasojë e lidhjeve me Greqinë, shpesh është gjendur i anatemuar për keq.

    4.
    Sulmi që qeveria Rama ndërmori kundër Kishës së Shën Athanasit sot në Dhërmi, është shqetësues për dy arsye kryesore. Arsyeja e parë ka lidhje me laicizmin apo shekullarizimin e shtetit shqiptar. Ndërsa deri më sot, këshilltarët dhe shokët e kryeministrit Rama, fundamentalizmin e tyre katolik e lëshonin më shumë si skizofreni personale, sulmi që shteti shqiptar ndërmori në Dhërmi është rrëfyer nga të fundit si një sulm fetar. I pari që na tregoi në media që kisha e Dhërmiut nuk po rrëzohej për arsye laike (ndërtim pa leje), por për hir të katolicizmit dhe për të nderuar një prift katolik, ishte këshilltari i kryeministrit për kulturën, Artan Shkreli i cili u prononcua i pari për këtë sulm. Në daljen e tij publike ai shpjegoi që Kisha Ortodokse në Dhërmi do të rrënohej për të nxjerrë eshtrat e një misionari katolik të vdekur. Këtë fakt e përforcoi edhe miku i ngushtë i Edi Ramës, Koço Kokëdhima i cili në një shkrim që botoi në gazetën Shekulli shpjegoi që Bashkia e Himarës kishte rënë dakord për të shembur Kishën Ortodokse të Shën Athanasit, gjetur eshtrat e misionarit katolik Nil Katalani dhe ndërtuar një kult katolik mbi kultin e ortodoksëve. Kokëdhima tregoi që në këtë projekt ishte përfshirë shteti shqiptar dhe italian. Profesorati i Universitetit të Vlorës, profesorët italianë Francesko Altimari, Mateo Mandala, Stefano Parenti e Giovanni Cimbalo; si dhe disa studiues të tjerë nën kujdestarinë Edi Ramës do të organizonin një konferencë për të nderuar misionarët katolikë që janë munduar të prozelitojnë ortodoksët.

    Faktet që Kokëdhima dhe Shkreli shpallën me arrogancë në media, ndërsa i sqaruan opinionit tonë publik që shteti ynë nuk është më laik, por është kato-laik dhe ka hedhur para, profesorë, dhe buldozerë për të rrënuar një objekt kulti ortodoks dhe zëvendësuar atë me një katolik; i treguan opinionit publik edhe mos respektin total që qeveria shqiptare ka për Kishën Ortodokse, ligjin dhe akordet që ajo ka me këtë institucion të rëndësishëm fetar. Edhe pse Kisha Ortodokse protestoi në mënyrë të vazhdueshme kundër dhunimit të kultit të saj, edhe pse shteti grek i kujtoi qeverisë së Tiranës që të respektojë të drejtat e minoritarëve grekë, qeveria Rama vazhdoi me të vetën. Ajo shembi në mënyrë tinëzare Kishën e Shën Athanasit dhe mesa duket do të vazhdoj me ngulm të ndërtoj një kult për prozelitin katolik Nil Katalani në Himarë, duke ofenduar kështu disa qindra mijëra ortodoksë në të gjithë vendin.

    5.
    Miqtë e mi ortodoksë, me të cilët kam biseduar këto ditë më thonë që Kisha Ortodokse do të ankohet pranë Bashkimit Evropian për dhunën fetare që qeveria Rama po kryen kundër fesë së tyre. Ndërsa unë shpresoj që Bashkimi Evropian dhe instancat e tjera ndërkombëtare të reagojnë sa më shpejt për të ndaluar kryqëzatën katolike që kryeministri Rama po kryen kundër ortodoksëve në jug, unë do të doja që edhe ambasada amerikane të bënte një gjë të këtillë.

    Kuptohet që unë nuk do të doja që amerikanët të përdorin dronet siç bëjnë në Siri, për të ndaluar shkatërruesit e kishave, por të doja që ambasador Lu-ja që u flet myslimanëve natë e ditë për tolerancën fetare, një gjë të këtillë ta bënte edhe me kryeministrin tonë dhe stafin e tij ekstremist katolik.

    Por më shumë në këtë debat unë do të doja që të reagonte shoqëria civile shqiptare. Ajo duhet të protestojë kundër kato-laicizmit të qeverisë Rama dhe të mbrojë me vendosmëri shekullarizimin dhe largimin e politikës nga feja. Shoqëria jonë, kryeministrin tonë katolik duhet ta pyesë për paratë që ai harxhoi për të sjellë Papën në Tiranë, dizainimin e kryeministrisë së tij si një kishë katolike, dhe ti kërkojë llogari për fundamentalistët katolikë sikur Artan Shkreli me shokë që ai mban rreth vetes. Ne duhet ta pyesim kryeministrin Rama, nëse shteti që ai drejton është shtet shekullar apo fetar katolik?

    Nëse është shtet katolik, atëherë myslimanët dhe ortodoksët e Shqipërisë duhet ta kuptojnë që jemi duke jetuar në kohën e Haxhi Qamilit dhe Spiro Milos. Por nëse kryeministri ynë do të na thotë që jetojmë ende në një shtet shekullar ku shteti është i ndarë nga politika, atëherë ne duhet ti kërkojmë llogari kryeministrit tonë për kishën e Dhërmiut dhe incidentet e tjera fetare që ai ka kryer në muajt e fundit.

    Balkanweb

  9. 2 antarët më poshtë falenderuan Albo për mendimin e shprehur në këtë postim:

    angmokio (01-09-2015),Kryeplaku (03-09-2015)

  10. #128
    Promete (i lidhur) Maska e Kryeplaku
    Anëtarësuar
    12-09-2002
    Vendndodhja
    në realitetin e hidhur
    Postime
    2,218

    Për: Edi Rama i shpall luftë edhe Zotit: Shemb Kishën e Shen Thanasit në Dhërmi

    Miku im Olsi, ka 20 vjet qe shkruan per Katolaicizmin shqiptar, nuk para i besoja tezes se tij por kur e pashe qe Edi Rama nxori certifikaten e pagezimit katolik nga baullet qe solli nga Franca.... thashe pse te quajme Olsin ekstremist dhe jo Edin?

  11. #129
    fossa dei leoni Maska e prenceedi
    Anëtarësuar
    07-11-2008
    Postime
    2,120

    Për: Edi Rama i shpall luftë edhe Zotit: Shemb Kishën e Shen Thanasit në Dhërmi

    Pyetje......cfare dokumentash ka KOASH qe kisha e Shen Thanasit eshte prone e saj?

  12. #130

    Për: Lajme mbi boten Orthodhokse.

    “Kisha e Dhërmiut, jashtë listës së monumenteve më 1967″



    Nga: SOKOL ÇUNGA*

    Pas një periudhe jo të shkurtër heshtjeje, z. Artan Shkreli, këshilltar i Kryeministrit për çështjet e kulturës, reagoi me një përgjigje sa profesionale, aq edhe nacional-oratorike, ndaj kritikave që u bënë në mjetet e informimit publik për prishjen e tempullit të Shën Athanasit në Dhërmi. Me çështjet polemizuese dhe ngjyrimet nacionaliste, nuk do të merremi, pasi mendojmë se e çojnë ujin në mullirin e gabuar dhe shmangim vëmendjen nga problemi real.

    Shembja e një ndërtese, e cila nuk gëzon aspak hire estetike për sytë e një pjese të shqiptarëve, përfshi dhe kreun e Ekzekutivit, por e shenjtë për sytë e të tjerëve, qoftë në aspektin religjioz, qoftë lidhur me të drejtat e shenjta të njeriut, solli tollovi në shkrimet dhe mendjet e jo pak shqiptarëve. Shpërfolja që jep Qeveria, si në nivel qendror, ashtu dhe në atë lokal, mbështetet fort në statusin “Monument Kulture” që paskërka pasur tempulli i Shën Athanasit. Kjo rezultoi e pavërtetë pa vënë aspak mund: mjafton të shikohet lista e monumenteve të kulturës së Qarkut Vlorë (ende sipas ndarjes së vjetër administrative), për të konstatuar se nuk përmendet askund ndonjë kishë e ndonjë Shën Athanasi, aq më pak në Dhërmi. Për statusin “monument” të kishës së Shën Athanasit, z. Shkreli (në një artikull të dt. 01.09.2015 në “Gazeta Shqiptare”) argumenton: “Ajo është shpallur e tillë me Vendim nr. 6, datë 15.01.1963, mbështetur në VKM nr. 130, dt. 09.04.1955, në bazë të të cilit Kisha e Shën Thanasit, me nr. rendor 24 në listën përkatëse të monumenteve, ‘vihet në mbrojtjen e shtetit duke marrë parasysh vlerën historike, shkencore dhe artistike…'”.

    Në Fletoren Zyrtare të atij viti konstatuam se informacioni ishte i vërtetë. Na u duk e çuditshme, ndërkohë, mosprania e këtij monumenti në listën aktuale. Lidhur me këtë, z. Shkreli thotë: “Kështu, edhe pas rrënimit të mureve [të tempullit të Shën Athanasit], nuk doli asnjë akt ministror apo qeveritar që ta hiqte kishën nga lista e monumenteve dhe fakti që në listat e përditësuara ajo nuk rezulton, nuk ka të bëjë me statusin e rrënojave të saj dhe të truallit, por me praninë fizike aktuale. Objektivisht vendi, themelet, gurët e varret e saj janë ende aty…”. Por fraza që na nxiti të shkruajmë këto radhë vjen më poshtë: “Fakti që kisha e vjetër nuk është më mbi kuotën e truallit, për rastin e një monumenti kulturor nuk do të thotë asgjë […]”?!? Domethënë, edhe kemi, edhe s’kemi monument, edhe kemi, edhe s’kemi kishë…. Është lapsus i autorit, apo i ligjeve të shqiptarëve?

    Për të sqaruar habinë kërkuam gjurmët e tempullit në periudhën ndërmjetëse mes shpalljes “monument” dhe vitit të shkatërrimit të saj. Në vitin 1967, vitin kur lufta e famshme kundër zakoneve prapanike arriti kulmin (luftë në të cilën, madje, pati marrë pjesë edhe ndonjëri që sot ngrihet në mbrojtje të identitetit katolik të tempullit të Shën Athanasit dhe të shenjtërisë së atë Nilo Catalano-s), ministri i Arsimit dhe i Kulturës së asaj kohe, Thoma Deliana, i dërgonte Komitetit Qendror të Partisë një “Relacion mbi shkurtimin e numrit të Monumenteve fetare”. Ky relacion (AQSh, Fondi 490, Dosja 515, f. 1-11), lehtësisht i gjetshëm edhe në indeksin e dokumenteve të portalit cod.al, daton më 17.10.1967 dhe i paraqet KQP arsyetimin se numri aktual i objekteve të kultit që janë monumente kulture arrin në 294 (nga totali prej 1536), të cilat i përkisnin Kishës Ortodokse, Kishës Katolike, Komunitetit Mysliman dhe Komunitetit Bektashi. Meqenëse numri i këtyre monumenteve ishte shumë i madh, një komision i posaçëm shqyrtoi edhe një herë monumentet, duke zvogëluar me 70% numrin e tyre. Monumentet duhej të kishin një moshë të konsiderueshme, duhej të paraqisnin vlera të përveçme pamore dhe arkitekturore, në mënyrë që të mbeteshin në listë. Ato monumente që përjashtoheshin nga statusi “monument kulture” dhe, automatikisht, nuk mbroheshin më nga shteti, do t’u jepeshin Komiteteve Ekzekutive të rretheve, në mënyrë që t’i përdorin sipas nevojave.

    Para kësaj faze do të kryhej përpilimi i dokumentacionit përkatës për çdo monument, duke e shtyrë çastin e dorëzimit për muajin e tretë të vitit pasardhës (1968). Ndërkohë, mes monumenteve që përjashtoheshin nga lista e ruajtjes, ishin disa të cilat nuk kishin nevojë të pajiseshin me dokumentacion. Në fund të listës, nën zërin “Rrethi i Vlorës”, me numër rendor 4, lista përcakton: “Kisha e Sh. Thanasit – Dhërmi”. Në listën e Monumenteve të Kulturës të vitit 1969 tempulli i Shën Athanasit mungon edhe nga lista e monumenteve të mbrojtura, edhe nga ajo e të pa mbrojturave (AQSh, Fondi 511, Dosja 66, f. 1-46, 57-65), çka do të thotë se i ishte kthyer KQ të rrethit që më 1967-’68. Për këtë arsye mungon edhe nga listat e sotshme. Pra, ekziston një akt ministror që e heq kishën nga lista e monumenteve. Tempulli është shkatërruar pasi është përjashtuar nga lista e monumenteve të mbrojtura. Duhet theksuar kjo gjë pasi, tregon, brenda relativitetit të vet, se shteti i komunistëve respektoi, aq sa mund të quhet “respekt”, ligjet e veta.

    Shohim, fatkeqësisht, se gënjeshtra dhe gjakimi për të mbuluar të vërtetën ka arritur shumë lart…. Mirëpo, përpos kësaj, përse gjithë ky kujdes e mund për ta përcaktuar tempullin e Shën Athanasit si “monument kulture”? 1. Sepse një status i tillë i jep të drejtën pushtetit qendror dhe vendor të ndërhyjë për rindërtimin e tempullit, edhe kur monumenti ndodhet në pronë private. 2. Por qeveria kërkon të arrijë edhe një qëllim tjetër: të bindë gjithë shqiptarët, ashtu siç rreket rrëmbaj-këmbaj z. Shkreli të bindë publicistin, z. Fatos Lubonja, se Himara ka një identitet unik kombëtar e kulturor, i cili, i nënkuptuar, por jo i thënë qartë nga z. Shkreli, është vetëm shqiptar. Teksa lexoja këto, më kujtohej dyshtetësia e kryetarit të Bashkisë së Himarës….

    Rindërtimi i kujtesës dhe i historisë nuk mund të mbruhet me arbitraritetin që po derdhet në themelet e tempullit qeveritar të Shën Athanasit, as me teoritë neo-patriotike që evokojnë nacionalizëm arrogant. Që nesër të mos turpërohen autorët e këtij themelimi të çuditshëm, të denjë për legjenda, por as pasardhësit tanë ndër breza të mos na kritikojnë për këto çudira me brirë, nevojitet urgjentisht një ndërhyrje e ligjshme. Po nuk ndërhyri Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, duke ushtruar të drejtën mbi atë që duket se i takon, atëherë, të paktën, të ndërhyjnë institucionet kompetente për të shpallur, edhe një herë, “monument kulture” truallin dhe rrënojat e tempullit të Shën Athanasit, në mënyrë që formalisht punët të vihen në vijë, dhe e nesërmja të mos na shohë me përbuzje.

    *Studiues. Titulli në origjinal: “Kritikë kritikave të një kritizeri të pasinqertë”.

    (er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Faqja 13 prej 16 FillimFillim ... 31112131415 ... FunditFundit

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •