Protokolli i dështuar i Korfuzit – vepër e fuqive të mëdha
“Unë e di farë mirë se, kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje në shumë pika do të japë shkas për kritika të mëdha, nga kushdo që e njeh vendin dhe që e gjykon çështjen nga një pikëpamje e ngushtë locale. Duhet të mos harrohet se gjatë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të tillë, qëllimi kryesor ka qenë që të ruhej marrëveshja ndërmjet vetë Fuqive të Mëdha dhe, në qoftë se vendimi për Shqipërinë e ka siguruar këtë, atëherë ai e ka bërë punën më të rëndësishme në të mirë të paqes së Evropës”.
Deklaratë e Edward Grey, sekretari i jashtëm i Britanisë së Madhe,
më 12.8.1913 në Dhomën e Komunave në Londër.
“Protokolli i Korfuzit, nuk bazohej në asgjë të vërtetë e prandaj, logjikisht, duhej hedhur në shportën e plehrave, sepse Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit në Korfuz, marrëveshjen e bëri me përfaqësues të qeverisë greke dhe jo të Shqipërisë së jugut, siç paraqitej komedia".
Sir Harry Lamb, anëtari i Britanisë së Madhe në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit
Protokolli i Korfuzit i 17 majit 1914 ka qenë akti që Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit i Fuqive të Mëdha nënshkroi me qeverinë greke, në emër të qeverisë së Vilhelm Vidit. Sipas Protokollit të Korfuzit, krahinat e Shqipërisë jugore vendoseshin në një pozitë të veçantë pro greke, duke u njohur atyre një lloj autonomie që përfshinte si pika kryesore: një administratë më vete, një xhandarmëri lokale që do të vepronte vetëm në krahinat jugore, njihej greqishtja si gjuhë e vetme fetare e komuniteteve ortodokse, ndërsa në shkolla, në organet shtetërore e gjyqësore greqishtja do të ishte e barabartë me gjuhën shqipe. Protokolli i Korfuzit mori vulën si “protokoll i turpit”. Ai shkeli shumë rëndë sovranitetin e shtetit shqiptar, që ishte krijuar vetëm dy vjet para nënshkrimit të Protokollit. Protokolli i Korfuzit synonte krijimin e një lloj autoriteti të veçantë brenda trupit të “Shqipërisë londineze”. Ky ishte një lëshim që Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit i bënte politikës greke dhe “udhëheqësve” shqiptarë për të penguar zbrazjen nga ushtritë greke dhe andartët të Shqipërisë së Jugut dhe aneksimin e krahinave jugore shqiptare. Firmëtarët e Protokllit famëkeq të Korfuzit, të cilët nënshkruan në Hotelin “Orea Elvetia” ishin: përfaqësuesi anglez Sir Harry Lamb, përfaqësuesi gjerman Bigel, përfaqësuesi austro-hungarez Kral Sahtain, përfaqësuesi francez Krazefski, përfaqësuesi rus Petrof, përfaqësuesi Italian Lauro, Përfaqësues të Pric Vidit, Kolonel Tomsoni dhe Mehdi Frashëri dhe përfaqësues të Greqisë Zografos dhe Karapanos. Korfuzi i 14-tës ishte kazmë ndaj tërësisë territoriale të shtetit shqiptar dhe sovranitetit të tij. Protokolli i Korfuzit legjitimoi “minoritarët” ortodoks kur në fakt ishin shqiptarë, mohoi çamët ortodoks dhe arvanitët ortodoks se gjoja ishin: “kristiani ortodoksi”, krijoi gangrenën njëshekullore në emër të ortodoksisë kërkon kocka e territore në kurriz të shqiptarëve. Mbi të gjitha me ndihmën e Mehdi Frashërit, Esat Pashës, Ludovik Tomsonit etj., arriti të krijojë artificialisht çështjen e “vorio-epirit”. Ai synonte të zgjeronte “vathën” e pjesës jugore të Epirit që nuk kishte qenë kurrë e tyre as në kushtetuten greke të vitit 1827. “Protokolli i Korfuzit”, nuk “ka vdekur” siç përshkruhet nga ndonjë historian e analist bashkëkohor. Ai “rri zgjuar” dhe “ngjallet” përderisa mungon ndjesa e të mëdhenjve europianë ndaj shqiptarëve, por edhe përderisa në “xhaketat e vjetra” dhe “xhaketat e reja” greke rron ëndërra e vjetër e Idesë së Madhe. Protokolli i “arkitektëve” në ishullin e Korfuzit, nuk u realizua në sajë të qëndresës dhe vendosmërisë së popullit shqiptar në jugun e vendit. Ishin shqiptarët që i thanë “ndal” dorës kriminale pushtuese me veprime energjike luftarake.
![]()
Krijoni Kontakt